Misteri i detit në Greqi: Pas motit ekstrem, uji mbushet me shkumë

Pas motit ekstrem që i mori jetën dy personave, deti në Kretë është mbushur me një lloj shkumbe të bardhë. Vende-vende në brigjet e Kretës shkuma merr edhe ngjyrë kafe pasi përzihet me sasinë e madhe të baltës.

Mediat në vend, duke cituar ekspertë thonë se fenomeni është rezultat i sasisë së madhe të baltës që përfundoi në det pas shirave.

Balta transportoi në det edhe lëndë ushqyese duke bërë që këto lëndë ushqyese të shkaktojnë një rritje intensive të mikroorganizmave planktonikë, të cilët, si produkte të metabolizmit të tyre, lëshojnë proteina dhe përbërës të tjerë organikë.

Të gjithë këto faktorë, sipas ekspertëve, shkaktojnë edhe fenomenin e shkumëzimit (njëlloj si në rastin kur rrahim të bardhën e vezës që është proteinë.) Fenomeni nuk është as i rrezikshëm dhe as helmues, por gjithsesi do të merren mostra dhe do të kryen analiza./ KultPlus.com

Zbulohen tre varre me artefakte të shtrenjta në Kretë

Tre varre të lashta janë gjetur gjatë një ekspedite arkeologjike në Sitia të Kretës Verilindore.

Varret mendohet se i përkasin periudhës 2800-1700 para Krishtit. Në varrin e parë u gjet një armë e përdorur në Petras dhe një shpatë e shkurtër prej bronzi.

Ndërsa varri i dytë, sipas arkeologëve, mendohet se i përket një gruaje. Në të u gjetën një numër i madh rruazash ari të punuara me mjeshtëri shumë të lartë si dhe rruaza prej argjendi dhe kristali, të cilat mendohen se kanë qenë të qepura mbi një veshje.

Pak më tutje, është gjetur një varr i tretë që përbëhej nga pllaka të cilat krijonin një strukturë në formë kutie. Arkeologët kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një varr fëmijësh nën 10 vjeç dhe se aty u gjetën dy rrathë ari./ dita