Në Akademinë e Shkencave është promovuar libri “Simon Gjoni- Muzika dhe Epoka” kushtuar jetës dhe veprimtarisë së dirigjentit dhe kompozitorit Simon Gjoni. Libri është shkruar nga djali i tij, Andis Gjoni dhe vjen në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së dirigjentit dhe kompozitorit të shquar.
Në këtë event ishin të pranishëm familjarë, kolegë muzikantë, personalitete të artit e shkencës. Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, foli akad. Vaso Tole. Ai tha se festimet e merituara të 100-vjetorit të lindjes së Simon Gjonit përfshijnë disa veprimtari, si koncerti me vepra të zgjedhura me orkestrën simfonike të RTSH-së dhe një kast të njohur këngëtarësh, të drejtuar nga maestro Eno Koço, “Nderi i Kombit”, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ekspozita, si dhe ky promovim i librit “Muzika dhe Epoka”.
Simon Gjoni i përket brezit të krijuesve dhe muzikantëve që bënë historinë e muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ai ishte pjesë e brezit të kompozitorëve shkodranë bashkë me Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Gjon Kapidani etj.
Jeta dhe krijimtaria e Simon Gjonit deri më tani nuk ka qenë objekt i ndonjë libri të veçantë e për pasojë, për të e krijimtarinë e tij është folur e shkruar pak edhe pse fama e këngës “Lule borë” e ka shenjuar emrin e tij në disa breza shqiptarësh.
Përveç kompozimit, Simon Gjoni do të mbahet mend edhe si një nga dirigjuesit e parë të Orkestrës Simfonike të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Libri per Simon Gjonin, fotot nga Agim Dobi. / KultPlus.com




