Ekspozita fotografike “Krimet serbe edhe gjenocidi serb” është hapur në Muzeun Historik Kombëtar. Fëmijë, gra e vajza të dhunuara, por edhe të moshuar e burra, që kanë rënë në luftë për liri gjatë viteve të luftës në Kosovë, janë imazhet e rënda që përçojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Tiranë Nait Hasani rrëfen se kjo ekspozitë është hapur në kuadër të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës (17 shkurt), në mënyrë, që të gjithë shqiptarët edhe të huajt të njihen me krimet serbe që janë bërë në Kosovë gjatë 100 vjetëve, e veçanërisht në vitin 1999.
“Ne kemi 12-vjetorin e Pavarësisë. Qëllimi i ekspozitës është që t’i prezantojë të gjithë publikut rrugën që ka kaluar Kosova për të arritur Pavarësinë. Kjo ekspozitë dëshmon për krimet serbe që janë bërë në Kosovë, edhe për qytetarët shqiptarë kanë të drejtë që të jetojnë të lirë. Prandaj, Pavarësia është si rezultat i luftës dhe betejave dhe bashkësisë ndërkombëtare e qytetarëve në Kosovë”, shprehet ambasadori i Kosovës Hasani në Tiranë.
Vetëm në masakrën e Reçakut kanë humbur jetën në formë barbare në qendër të Kosovës 45 të pafajshëm, por Serbia vazhdon që ta quajë këtë një inskenim.
“Këtu kemi krimet serbe, në format më barbare. Edhe pse presidenti serb deklaron se Masakra e Reçakut nuk ka ekzistuar, por është inskenim. Kemi sjellë për t’i dëshmuar opinionit dhe qytetarëve shqiptarë dhe të botës, edhe ambasadave të tjera që janë këtu edhe do ta vizitojnë, që në Kosovë ka pas një krim dhe një gjenocid. Serbia nuk ka kërkuar falje për 20 vite për krimet që janë bërë në Kosovë. Beteja e Serbisë kundër Kosovës është një farsë, sepse ajo e ka bërë krimin edhe ne e kemi fituar lirinë bashkë me një luftë tonën të përbashkët”.
Megjithatë për këtë është krijuar një Gjykatë Speciale në Kosovë, që ka për qëllim zbardhjen e krimeve dhe njohjen e tyre në rang ndërkombëtar.
“Ne kemi krijuar një gjykatë speciale në Kosovë me inskenimet edhe dosjet e saj, Gjykatën Speciale ku shkojnë njerëzit për intervista. Ndërsa, ata që kanë bërë krimet janë serbët edhe shteti serb do t’i njoh. Megjithatë, Kosova tashmë është e lirë edhe e pavarur”, shprehet ambasadori.
Ambasadori shton se jo vetëm stabiliteti dhe paqja e Kosovës, por e të gjithë Ballkanit është i sigurt vetëm nëpërmjet njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
“Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia është një formë e stabilitetit të paqes në Ballkan. Kërkojmë që Serbia të kthjellohet edhe të kërkojë falje për krimet që ka bërë në 100 vjet edhe për krimet në vitet 1999, që të ecin përpara drejt BE-së edhe vendeve të zhvilluara”.
Ambasadori përfundon se nëse Serbia do të njoh Pavarësinë e Kosovës, do të ketë një qasje tjetër të zhvillimit të rajonit, por edhe mundësi zhvillimi ekonomik edhe tregtar midis Kosovës dhe Serbisë, prandaj njohja është e vetmja mënyrë për stabilitet edhe siguri për të ardhmen. Shqiptarja.com / KultPlus.com