Epikuri, filozofi i Kopshtit

Në mesin e shekullit IV para Krishtit, kur filozofi Epikuri hapi sytë në këtë botë, Greqia po rrënohej nga grushtet e shtetit, luftërat civile dhe fushatat e pandërprera ushtarake të Aleksandrit të Madh dhe pasardhësve të tij, të cilat do ta fundosnin në kaos total. Banorët e saj nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të duronin fatkeqësinë me dorëzim, dhe shpresë se fati do t’i lejonte të mbeteshin gjallë pa u gëzuar shumë, për të mos ngjallur zilinë e perëndive.

Sidoqoftë, për Epikurin të gjithë mund të gjenin lumturinë brenda vetes: do t’u duhej vetëm të çliroheshin nga frika dhe dëshirat dhe të mësonin të ishin të vetë-plotësuar, duke u çliruar kështu nga fati i paqëndrueshëm. Mjetet për të arritur lumturinë përbëheshin nga disiplina e palëkundur dhe praktikimi i vazhdueshëm i filozofisë. Dhe për të mbështetur kërkimin e mjeteve të tilla Epikuri vendosi të themelojë Kopshtin pranë Athinës, i cili nuk ishte një shkollë e vërtetë filozofike, por një vend strehimi shpirtëror ku shkonte kushdo që aspironte këtë gjendje.

Një familje modeste

Epikuri lindi në Samos, një ishull shumë afër brigjeve të Azisë së Vogël dhe qyteteve joniane të Miletit dhe Efesit, që kishte qenë djepi i filozofisë greke në shekullin e 6 para Krishtit. Ai ishte djali i dytë i një çifti kolonësh nga Athina, që kishin marrë një ngastër toke në Samos pas pushtimit të ishullit nga Athina në vitin 365 para Krishtit, dhe dëbimit të mëvonshëm i popullsisë vendase.

Familja e tij ishte modeste dhe mjaft tradicionale. Krahas kultivimit të tokës, babai i tij, Neokli, ishte edhe mësues. Nëna, Chestrata, ishte një shëruese që praktikonte ritet e pastrimit. Epikuri qëndronte gjithmonë shumë pranë familjes së tij: kjo dëshmohet nga letrat e përzemërta drejtuar nënës, ose nga fakti se vëllezërit e tjerë të tij, Neokli, Cheredemosi dhe Aristobulusi, do të bëheshin më vonë dishepuj të tij. Interesi i Epikurit për filozofinë lindi që herët. Sipas një anekdote, ndodhi kur ai pyeti mësuesin e tij të parë të letërsisë, se çfarë do të thoshte vargu i parë i Teogonisë së Hesiodit: “Në fillim ishte Kaosi”. Në pamundësi për t’ia shpjeguar, profesori e dërgoi te filozofët për të sqaruar dyshimet e djalit.

Në Samos Epikuri ishte dishepulli i parë i një farë Pamfili, i cili e njohu me filozofinë idealiste të Platonit. Kur mbushi tetëmbëdhjetë vjeç shkoi në Athinë, në qytetin e prindërve të tij, për të përfunduar efebinë, ose dy vite shërbim të detyrueshëm ushtarak. Athina ishte selia e shkollave më të rëndësishme filozofike. Akademia e Platonit dhe Liceu i Aristotelit ndodheshin atje, megjithëse nuk ka gjasa që Epikuri t’i ketë ndjekur ato.

Ishin ditë të vështira për polisin. Pararendësi krenar i demokracisë ishte shembur përpara pushtetit të Filipit të Maqedonisë dhe më pas të djalit të tij, Aleksandrit të Madh. Një vit para ardhjes së Epikurit ai kishte kërkuar që t’i jepeshin nderime hyjnore nga Lindja e largët dhe athinasit e kishin shenjtëruar si perëndi. Oratori Demosteni, armiqësor ndaj sovranit maqedonas, thirri me sarkazëm se do t’i jepte të drejtën “të ishte bir i Zeusit dhe i Poseidonit, po të kishte dëshirë”. Disa muaj më vonë erdhi lajmi se Aleksandri kishte vdekur në Babiloni.

Shumë njerëz që kishin pasur marrëdhënie me pushtuesin maqedonas, si Aristoteli, mësuesi i tij, u larguan nga qyteti nga frika e raprezaljeve. Dhe ndërkohë Perdikasi, gjenerali i Aleksandrit, urdhëroi që kolonistët athinas që ishin vendosur dekada më parë në Samos të braktisnin ishullin në mënyrë që banorët e lashtë të rimerrnin tokat e tyre, një rrethanë që e shtyu familjen e Epikurit të emigronte në qytetin jonian të Kolofonit. Aty u shpërngul edhe i riu nga Athina. Gjatë dhjetë viteve të ardhshme Epikuri përfundoi edukimin e tij filozofik në shkollën e Nausiphanes të Theusit, një dishepull i filozofit Demokritus.

Nausiphanes i tregoi se si dija vjen nga informacioni që marrim falë shqisave, dhe në të njëjtën kohë i nguliti konceptin e një të urti që duhet ta sodisë botën me një shpirt të patrazuar. Nuk ka dyshim se kalimi i Epikurit nëpër shkollën e Nausifanesit ishte vendimtar për zhvillimin e mendimit të tij.

Filozof në të drejtën e tij

Rreth moshës tridhjetë vjeç, tashmë i formuar plotësisht si filozof, Epikuri vendosi të hidhte hapat e parë i vetëm dhe të hapte shkollën e tij në Mytilene, në ishullin e Lesbosit. Megjithatë, armiqësia e banorëve dhe e dishepujve të Aristotelit, të cilët ishin vendosur atje prej disa kohësh, bëri që akademia të mbyllej. Më pas Epikuri shkoi në Lampsacus, në rajonin e Trojës, ku u rrethua me grupin e tij të parë të ndjekësve, të cilët, përveç vëllezërve dhe skllevërve të tij, përfshinin Hermarkun, i cili i ishte bashkuar nga Mytileni.

Për më tepër, aty ishin edhe Leonteo dhe gruaja e tij Themista, që i përkisnin një familjeje të rafinuar nga Lampsacusi; Polyenus dhe e dashura e tij, prostituta e famshme Edea, si dhe Colote dhe i riu Pitocles. Epikuri i respektoi të gjithë, pavarësisht nga gjinia, orientimi seksual dhe statusi social ose ekonomik. Pasi u largua nga Lampsacusi, la pas një kujtim të mirë dhe një “familje” të vërtetë që do t’i qëndronte besnike gjatë gjithë jetës së tij.

Kopshti i Athinës

Kur ishte tridhjetë e pesë vjeç, Epikuri vendosi të kthehej në Athinë. Ai bleu tokë në periferi të qytetit, pranë Akademisë së Platonit, dhe themeloi shkollën e tij atje, së cilës i dha emrin ndjellës “Kopshti”. Në hyrje ai kishte vendosur këtë mbishkrim: «Mysafir, do të ndihesh shumë rehat këtu; këtu e mira supreme është kënaqësia”.

Por Kopshti i Epikurit nuk ishte një Eden parajse në të cilin dishepujt jetoninmes kënaqësive të rafinuara. Në të vërtetë, gjatë vizitës në shkollë, dikush hasi në një kopsht të vogël përreth një shtëpie, në të cilin kultivoheshin lloje të ndryshme perimesh nën hijen e një ulliri ose fiku. Kopshti gjysëm urban ishte shprehja e natyrshme e llojit të lumturisë për të cilën aspironte Epikuri, domethënë se gjithçka ishte e këndshme për shqisat, por edhe e dobishme. Në këtë mënyrë çdokush do të përgatitej për kohë zie buke, të cilat nuk ishin shumë të rralla në Athinë.

Në Kopsht mbi të gjitha u kultivua miqësia e cila, siç thoshte filozofi, “me vallëzimin e saj rrethon botën e njerëzve, një lajmëtare që u shpall të gjithëve: zgjohuni, festoni lumturinë tuaj”. Prandaj, nuk bëhej fjalë për të shijuar shoqërinë e zgjedhur apo biseda të kulturuara, por për të jetuar të gëzuar si anëtarë të një komuniteti harmonik.

Në Kopsht, burrat, gratë, skllevërit, fëmijët dhe të moshuarit ishin të mirëpritur dhe trajtoheshin në mënyrë të barabartë, pasi filozofi nuk është ai ose ajo që e do mençurinë, por kushdo që aspiron lumturinë si të mirën supreme, të aftë për ta çuar drejt urtësisë. Epikuri pranoi se, në një kërkim të tillë, miqësia mund të lindte nga nevoja ose komoditeti. Por ai argumentonte se ne nuk kemi nevojë për ndihmën e miqve tanë, por besimin në atë ndihmë, sepse vetëm shkëmbimi i dashurisë dhe mendimeve na garanton paqen dhe sigurinë.

Për më tepër, të filozofosh me miqtë mund të ndihmojë të kuptojmë se një jetë e lumtur nuk drejtohet nga kënaqësitë e tepërta: sipas Epikurit, kënaqësia e vërtetë konsiston në mungesën e dhimbjes fizike dhe shqetësimit shpirtëror, dhe gjithçka që qetëson vuajtjen është një kënaqësi e natyrshme dhe e nevojshme.

Dihet që Epikuri ishte mjaft i kursyer dhe se i mjaftonin pak bukë e ujë për të plotësuar nevojat e tij dhe për ta kënaqur. Përkundër kësaj, ai ndonjëherë i lejonte vetes një trill: “Më dërgoni një pjatë djathë”, i kërkoi një shoku, “që të mund të shijoj një banket luksoz kur të dua”. Për Epikurin këto kënaqësi të vogla, si një pije e ftohtë ose një gotë verë gjatë vakteve, ishin të natyrshme, edhe pse nuk ishin të nevojshme, dhe për këtë arsye lejoheshin.

Përkundrazi, ai nuk i konsideronte të natyrshme apo të nevojshme teprime të tilla si banketet bujare, të cilat, në planin afatgjatë, ishin të dëmshme. Ai kishte një mendim të ngjashëm për ankthin e pushtetit, famës apo pasurisë. “Nëse doni ta bëni Pitokliun të pasur”, këshilloi ai një herë, “mos i shtoni diçka asaj që ai zotëron, por zbrisni diçka nga ajo që ai dëshiron”, sepse ata që nuk mund të ngopen me pak, nuk ngopen me asgjë dhe bien në humnerën e vuajtjes.

Prandaj, Kopshti ofronte një strehë larg “vajtje-ardhjeve të ndjesive” të qytetit, veçanërisht në atë periudhë lufte dhe fatkeqësie në të cilën Athina varfërohej gjithnjë e më shumë me çdo pushtim apo revoltë. Shkurt, ajo “jetë e fshehur” që mbështeti Epikuri ishte baza e kërkimit për një shoqëri më të drejtë: nuk ishin vetëm kënaqësitë që duheshin kufizuar, por mbi të gjitha dëshirat që, si tirane të shpirtit, i shkaktojnë dhimbje vetes dhe të tjerëve, sepse i imponohen gjithçkaje.

Të jetosh pa frikë

Nëse duhet t’i shmangim të këqijat që godasin trupin, duhet të shmangim edhe frikën që kaplon shpirtin: frikën nga dhembja, nga vdekja, nga perënditë dhe nga jeta e përtejme. Sipas Epikurit, nuk ka nevojë të kesh frikë nga dhimbja, sepse ajo që shkakton vuajtje intensive është jetëshkurtër dhe madje mund të zbehet. Ky është rasti i urisë apo etjes. Nga ana tjetër, dhimbja që zgjat me kalimin e kohës shkakton një ndëshkim të lehtë dhe të tolerueshëm (sidomos nëse një person ka mbështetjen e miqve).

Ndërgjegjësimi mbi këta kufij na lejon të gjejmë ngushëllim në fatkeqësitë tona të tanishme, qoftë në kujtesën mirënjohëse të momenteve të këndshme të së kaluarës, ose në shpresën se në të ardhmen vuajtjet do të përfundojnë, qoftë edhe me vdekje. Por a nuk duhet të kemi atëherë frikë nga vdekja? Epikuri i përgjigjej kështu pyetjes: «Dhe mësohu të besosh se vdekja nuk është asgjë për; sepse çdo e mirë dhe e keqe është në ndjesi;nga ana tjetër, vdekja është një privim i ndjesive”.

Epikuri siguronte që, në botën tonë materiale, të vetmet gjëra të mundshme ishin vetëm zbrazëtia dhe atomet, të cilat grumbullohen për të formuar trupa dhe që ne i perceptojmë këto trupa falë atomeve që shkëputen prej tyre dhe përplasen me shqisat tona. Në momentin e fundit, të gjitha atomet tona, duke përfshirë ato më delikatet e shpirtit, shpërbëhen dhe ne nuk ndjejmë më asgjë.

Prandaj nuk duhet t’i frikësohemi vdekjes, sepse ajo nuk është një dhimbje e madhe, por më tepër kufiri përfundimtar i ekzistencës sonë.

Së fundi, në lidhje me hyjnitë, Epikuri nuk e mohonte ekzistencën e tyre, por besonte se ato nuk ishin ashtu siç i imagjinonin njerëzit. Ata nuk duheshin pasur frikë, sepse ata nuk na ruajnë, as nuk ndëshkojnë apo shpërblejnë veprimet tona në jetën e përtejme. Ata thjesht banojnë të lumtur në hapësira ndërkozmike, larg ekzistencës së të vdekshmëve. Në fund të fundit, Epikuri zhvilloi një filozofi materialiste “të përtejme”, në të cilën ata perëndi që jetonin në një bashkësi harmonike dhe të pavarur u bënë një model përsosmërie për të urtët e Kopshtit. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalojmë së luturi, ose të marrim pjesë në festa fetare, pasi të kremtosh jetën në gjithçka që është më sublime dhe që mund të mendohet në konceptin e “Zotit” është një kënaqësi sublime që lartëson çdo qenie njerëzore.

Idetë për jetën dhe vdekjen

Epikuri kaloi shumë vite duke zhvilluar ide të ngjashme për jetën dhe vdekjen. Dhe ai i shpërndau ato jo vetëm në biseda me anëtarët e Kopshtit, por edhe përmes korrespondencës dhe shkrimeve të shumta filozofike, të cilat, sipas burimeve të lashta, zinin më shumë se treqind rrotulla papirusi. Epikuri u bë aq i famshëm në botën greke, saqë shumë njerëz shkuan tek ai për ta takuar dhe, të prekur nga mirësia dhe butësia e tij, mbetën përgjithmonë pranë tij.

Ai vetë shkoi për të vizituar disa komunitete që ishin krijuar në bazë të Kopshtit. Shëndeti i tij, i cili kishte qenë gjithmonë i dobët, përfundoi në vuajtje, deri në atë pikë sa iu desh të pajisej me një karrige me tre rrota, sepse nuk mund të qëndronte më në këmbë. Në mjedisin intelektual të qetë dhe miqësor të Kopshtit, vitet e fundit të Epikurit ishin vërtet të lumtura.

Filozofi personifikoi modelin e një të urti të patrazuar, pothuajse një njeriu të shenjtë. Një pasqyrim i mënyrës së të qenurit të tij ishte mënyra se si i tha lamtumirë jetës dhe miqve përpara se të vdiste në moshën shtatëdhjetë e një vjeç. “Në një ditë të bekuar që është edhe e fundit e jetës sime, ju shkruaj këto rreshta. Dhimbjet e fshikëzës dhe zorrëve janë aq të forta sa asgjë nuk mund ta shtojë intensitetin e tyre. Por shpirti im i reziston të gjitha këtyre të këqijave, i lumtur në kujtesën e bisedave tona në të kaluarën”, shprehet ai në një letër.

Në testamentin e tij, Epikuri ia la Kopshtin dhe pasuritë pasuesit të shkollës, Hermarkut nga Mytilene, i cili ruajti kujtesën e tij dhe vazhdoi të përhapte doktrinën e Epikurit. Për shekuj me radhë, dishepujt e tij vazhduan të mblidheshin në Kopsht në ditën e njëzetë të çdo muaji për të kryer flijime, për të marrë pjesë në bankete dhe për të folur për filozofinë, siç ishte bërë kur mësuesi ishte gjallë. Në këtë mënyrë ata i demonstruan botës se sa pak u duhej për të qenë të lumtur: një pemë plot me degë për t’u mbrojtur nga dielli, bar i freskët për t’u shtrirë dhe pak ujë, pak bukë dhe herë pas here një prekje djathi. / bota.al/ KultPlus.com

Kur Nënë Tereza shkoi me vonesë te Papa u justifikua: Takova Krishtin në rrugë

Miqësia e nënë Terezës me Papa Gjon Palin e dytë nuk është e panjohur. Respekti dhe marrëdhënia që kishin këto dy figura të njohura botërisht admirohej nga shumë njerëz. Ndodhte që ne publik ata të thyenin edhe protokollet e komunikimit me një komunikim jo shumë formal, sikurse është rasti në fjalë, botuar në numrin e parë të shtatorit të revistës “Miracoli e misteri”.

“Ditën që Nënë Tereza e bëri Papa Gjon Palin II të priste”

Nënë Tereza dhe Papa Vojtila janë takuar në shumë raste, por ka një takim që tregon se sa njeri i thjeshtë ishte dhe se sa vërtet e pranishme ishte Fryma e Shenjtë te ajo.

Ajo ishte nisur me një makinë për në Nju Delhi ku do të takohej me Atin e Shenjtë, kur në një moment vuri re një të sëmurë lebër në anë të rrugës. Nënë Tereza i kërkoi shoferit  që të ndalonte, doli dhe filloi të kujdesej për lebrozin. Ajo foli me të për një kohë të gjatë për ta ngushëlluar. Më pas rifilloi udhëtimin dhe mbërriti me vonesë në takimin me Papën.

Kur një nga kardinalët indianë të pranishëm i vuri në dukje se kishte bërë të priste Atin e Shenjtë, ajo u përgjigj me qetësi: “Po, e di, por pata një takim me Krishtin në rrugë”.

Nënë Tereza u ngjit në Parajsë më 5 shtator 1997 dhe më 19 tetor 2003 Papa Gjon Pali II e shpalli të bekuar. Në fillim të predikimit ai donte të theksonte mirënjohjen e tij personale ndaj Nënë Terezës me të cilën e lidhte një miqësi e thellë:

Nënë Tereza sipas fjalëve të Papa Gjon Palit II

(…) Gruaja e guximshme, të cilën e kam ndjerë gjithmonë pranë meje. Ikona e Samaritanit të Mirë, ajo shkoi kudo për t’i shërbyer Krishtit në më të varfërit e të varfërve. As konfliktet dhe luftërat nuk mund ta ndalonin atë. / KultPlus.com

Teza e historianëve: Juda mund të mos e ketë tradhtuar kurrë Jezu Krishtin

Kush ishte në të vërtetë Juda Iskarioti:një tradhtar apo një dishepull besnik? Deri më sot, emri “Juda” është sinonim i tradhtisë. Ai akuzohet se si dishepull i Jezu Krishtit, dhe e shiti këtë të fundit tek romakët për 30 monedha argjendi. Mitologjia rreth Judës dhe Jezusit, qëndron në themelin e besimit të krishterë.

Por historianët nuk janë të bindur, nëse kjo histori biblike është historikisht e saktë. “Askush nuk ka arritur të gjejë burime të pavarura mbi Judën në rrëfimet e Testamentit të Ri”- shkruan Suzan Gabar nga Universiteti i Indianas në SHBA, në librin e saj “Juda:Një biografi” .

“Shumë pak vargje në Bibël i kushtohen Judës. Dhe ato pajtohen mbi atë se ai ishte dishepulli

që ua dorëzoi Jezusin autoriteteve të Jeruzalemit”- shprehet ajo. Sipas Testamentit të Ri, Juda e identifikon Jezusin tek romakët, duke e puthur në faqe. Një tekst i lashtë 1200 vjeçar egjiptian, i përkthyer në vitin 2013, sugjeron se ai e bëri këtë, pasi Jezusi ishte i njohur për “ndryshimin e pamjes së jashtme”, çka e bënte të vështirë identifikimin e tij.

Ungjijtë e Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit, si dhe Veprat e Apostujve, tregojnë që të gjitha historinë e tradhtisë së Judës. Por ato nuk japin më tepër informacione mbi Judën, pra ku lindi, ku vdiq, kush ishte familja e tij etj. Por të gjitha tregimet thonë se Juda, dikur një ndjekës besnik i Jezusit, për ndonjë arsye apo tjetrën u kthye kundër tij, duke ua dorëzuar atë autoriteteve romake, në këmbim të një shpërblimi monetar.

Për më tepër, Ungjilli i Gjonit thotë se Jezusi tashmë e dinte që Iskarioti synonte ta tradhtonte. Ndaj iu afrua apostullit para darkës së fundit, duke i thënë:”Atë që kë ndërmend ta bësh, bëje shpejt!”. Të katër Ungjijtë, përshkruajnë Judën si një formë të së keqes.

Edhe mbiemri i tij, “Iskarioti”, konsiderohet nga disa historianë si një bastardizim i fjalës latine “sikarius”, që do të thotë “vrasës”. Sipas disa tregimeve, Juda u vu nën kontroll nga fryma e Djallit. Të katër Ungjijtë, pretendojnë që Juda bëri vetëvrasje menjëherë pasi e tradhëtoi Jezusin. Sipas Veprave të Apostujve, vetëvrasja e tij ishte prekëse. “Me paratë që mori për tradhëtinë e tij, Juda bleu një arë. Atje u rrëzua përtokë me këmbët e thyera, trupi i tij shpërtheu dhe zorrët e barkut i dolën jashtë. Të gjithë në Jeruzalem dëgjuan mbi këtë gjë, prandaj e quajtën atë fushë në gjuhën e tyre “Akeldama”, që do të thoë “fushat e gjakut”.

Po çfarë e nxiti Judën ta tradhtonte mjeshtrin e tij? Disa studiues, mendojnë se Juda nuk e ka tradhtuar Jezusin, dhe se Bibla e ka keqinterpretuar figurën e tij. Disa historianë, thonë se një fraksion hebrenjsh radikalë, shpresonin ta përdorin ndikimin e Jezuit si një mjet për t’u përballur me romakët.

Mbiemri i Judës, nënkuptonte se ai ishte një pjesë e një grupi të dhunshëm hebrejsh të quajtur “Sicarii”, që ishin pjesë e lëvizjes radikale të Zelotëve . Këta ishin si atentatorë politikë,që mbanin me vete thika të vogla ose “sica”, dhe sulmonin ushtarët ushtarët romakë nëpër rrugë.

Në fakt, edhe në Bibël thuhet se Jezuzi kishte lidhje me Zelotët më të njohur, siç ishte Simon Zeloti.

Zelotët kishin nisur një rebelim kundër romakëve, të cilët kishin pushtuar Izraelin. Ata panë tek Jezusi një mundësi për të dëbuar shtypësit e tyre. Siç shkroi historiani romako-hebre i shekullit I Jozefi:”Kur zelotët e panë aftësinë e Jezusit, për të bërë gjithçka që dëshironte vetëm me fjalët që thoshte, ata i kërkuan që të hynte në Jeruzalem, të shkatërronte trupat romake, dhe të shpallte veten mbret, por ai nuk i dëgjoi”.

Për të përcaktuar nëse ai ishte apo jo Mesia i vërtetë, Zelotët vendosën ta nxjerrin atë në gjyq. Në versionin grek të Biblës, folja e përdorur për të përshkruar përballjen e Judës me Jezusin në darkën e fundit është “paradidomei” që përkthehet “e dorëzoi”.

Ndaj, kur Juda e dorëzoi Jezusin para autoriteteve, kjo nuk ishte një tradhti, por një përpjekje për të provuar nëse ai mund të ishte Mesia, që do të udhëhiqte një grupim radikal në një revoltë kundër shtypësve të huaj. Shkrimtari i parë i madh i krishterë që diskutoi mbi tradhtinë e Judës ndaj Jezusit, ishte Origjeni nga Aleksandria.

Në shkrimet e tij, ai hedh poshtë pretendimet e teologut bashkëkohor Celsus, që pohonte se Juda nuk e kishte tradhëtuar Jezusin. Shkrimtarët e mëvonshëm, e përforcuan këtë linjë, dhe e bënë “tradhtinë” e Judës një tipar përcaktues. Por disa studiues modernë si Ejprill Dekonik, profesore e studimeve biblike në Universitetin Rajs, besojnë se demonizimi i Judës u përdor për të dënuar jo-të krishterët.

“Me historinë e tij u abuzua ndër shekuj, si një justifikim për të kryer mizori kundër hebrenjve”- thotë ajo. Në vitin 2006, u zbulua një i ashtuquajtur “Ungjilli i Judës”, një tekst i humbur i shkruar në koptishten egjiptiane rreth vitit 300 Pas Krishtit. Ai tregon një Judë jo të lig, por një shërbëtor besnik ndaj Jezusit, që bëri vetëm atë që i kërkoi zotëria i tij.

Sipas këtij Ungjilli, Jezuzi i kërkoi vetë që ai ta tradhëtonte, për të përmbushur profecinë e tij. Ai i mësoi Judës shumë gjëra mbi natyrën e shpirtrave dhe Ardhjen e tij të Dytë. Edhe librat islamë mbi Judën, e shfajësojnë apostullin, dhe pohojnë se ai e tradhtoi Jezusin, vetëm si një mjet për ta ndihmuar atë të arrinte synimin e tij përfundimtar të martirizimit për hir të njerëzimit. Një version tjetër sugjeron se Juda zuri vendin e Jezuit në kryq, dhe vdiq në vend të tij./cna.al/ KultPlus.com

Krishti, arma e luftës psikologjike kundër hebrenjve

Jezu Krishti”Biografia e Jezuit u ndërtua, që nga fillimi deri në fund, në historitë e mëparshme dhe veçanërisht në biografinë e Cezarit romak, Titus Flavius”, tha ai, duke shtuar se Jezusi është figura e vetme fiktive në letërsi, historia e jetës së së cilës mund të gjurmohet nga burime të tjera.

Historiani amerikan Joseph Atwill thotë se figura e Jezu Krishtit është përdorur si një armë propaganduese dhe se përfaqëson produktin e krijimit të fantazisë së romakëve të lashtë.

Autori i librit “Mesiu i Cezarit” pohon se ai ka gjetur ‘njohjen e disa romakëve’, të cilët pretendonin se autoritetet kishin krijuar një “rrëmujë” për të qetësuar hebrenjtë në Palestinë.

Ai shton se krijimi i figurës së Jezuit nuk ishte i frymëzuar nga një person i veçantë, por romakët përdorën të dhëna nga burime të ndryshme që nga lufta e parë romake-hebrenje, që zgjati nga viti 66 deri 73 Para Erës së Re.

Sipas Atwill, në atë kohë, çifutët në Palestinë pritën për Mesinë luftëtar dhe ky ishte një burim i vazhdueshëm rebelimi gjatë shekullit të parë.

“Kur romakët dështuan me mjetet konvencionale për të shtypur rebelimin, ata vazhduan me luftë psikologjike dhe supozonin se kjo ishte një mënyrë për të ndaluar përhapjen e veprimtarisë misionare hebraike për të krijuar një sistem besimi që do të ishte konkurrues”, thotë ai.

Atëherë, siç thotë Atwill, është shpikur një histori për një Mesi “të qetë”. Në vend që të bënte thirrje për luftë, mesi i kërkoi atij që të tregonte anën tjetër të agresorit.

“Biografia e Jezuit u ndërtua, që nga fillimi deri në fund, në historitë e mëparshme dhe veçanërisht në biografinë e Cezarit romak, Titus Flavius”, tha ai, duke shtuar se Jezusi është figura e vetme fiktive në letërsi, historia e jetës së së cilës mund të gjurmohet nga burime të tjera.

Sekuenca e ngjarjeve dhe e vendeve të apostulimit të Jezuit janë pak a shumë të njëjta me renditjen e ngjarjeve dhe vendeve të fushatës ushtarake të perandorit Titus Flavius dhe “kjo është një dëshmi e qartë e një modeli të hartuar qëllimisht”, përfundon historiani Atwill./BotaSot/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator” në Berat

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi thesaret e fjetura të trashëgimisë në Berat, po ‘zbulohen’ nga specialistët e artit. “Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin është restauruar duke i kthyer vlerat kësaj ikone ku specialistët e DRKK Berat kanë punuar në mënyrë të imtësishme dhe delikate për të ruajtur autencitetin e saj.

Ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë restaurim shprehet se, ”Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin, është restauruar nga Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku dy restauratorët duarartë në DRKK Berat që rikthyen në jetë laboratorin e restaurimit të ikonave dhe nxjerrin në dritë thesaret e fshehura të Beratit.Jo vetëm Art, por edhe Edukim”. /a.a/j.p/ / KultPlus.com