Kristian Gashi: Kemi ndarë bodrumet me 50 persona, kisha frikë nga serbët

Ishte vetëm dhjetë vjeç kur e kishte përjetuar tmerrin e luftës, dhe Kristian Gashi kishte fjetur nëpër bodrume e kisha, përderisa Bibaj, fshati i tij i lindjes për çdo ditë boshatisej.

Tashmë super i famshëm, i cili me një pankartë me një mesazh shumë prekës dhe mirënjohës pushtoi pothuajse ballinat më prestigjioze të botës.

“Duke i’u falënderuar juve, ne po luajmë kundër jush. Anglia jonë e dashur”, ishte përmbajtja e slloganit të Kristian Gashit, i cili u vu në fokus të medieve botërore.

Ai tregon për KultPlus se gjithmonë e kishte pas një ëndërr, mënyrën se si të falënderonte miqtë e shqiptarëve që i shpëtuan nga serbët.

“Qysh herët e kam menduar se si mund ti falënderoj miqtë tanë: Bill Clinton, Madeleine Albright, Tony Blair dhe gjeneralin Wesley Clark. Por kam dashur që falënderimi të shkojë edhe për qytetarët e këtyre vendeve”, ka thënë Gashi, i cili me këtë falënderim goditi, pikërisht në ndeshjen Kosovë-Angli.

Kristian Gashi si refugjat në Stankovec

Edhe pse vetëm 10 vjet, Kristianin periudha e luftës e kishte rritur para kohe. Mban mend se shumë herë ka pas nevojë që të shpërthente në vaj, por duke pas afër vetës fëmijët e axhës, të gjithë më të vegjël se ai, ai kishte marë mbi supe rolin që të kujdesej edhe për emocionet e tyre. “Më vinte të shpërtheja në lot, po kisha frikë se mund ti frikësoja fëmijët e axhës që ishin më të vegjël se unë”, ka treguar Gashi, i cili tash është 30 vjeç dhe jeton në Austri.

Gashi kishte përjetuar Stankovecin, pastaj kishte shkuar refugjat në Kroaci, por kujton gjyshin e tij që nuk e kishte lëshuar shtëpinë, dhe sipas tij, serbët e kishin maltretuar disa herë.

Tashti, 20 vjet distancë nga lufta, Kristiani nuk e kishte menduar se pikërisht nëpërmjet lojës së kombëtares së Kosovës, do të bënte këtë falënderim, që e kishte pas peng për kaq shumë vite./KultPlus.com