Edicioni i 21-të i “Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm tash e një muaj. Pas dy viteve pauzë, festivali ka arritur që të sjell emra të njohur të skenës kombëtare dhe jo vetëm. Talente të reja, njashtu kanë zënë vend të posaçëm në këtë edicion, ndërsa gërshetimi i tyre me emra të njohur, nuk ka qenë aspak e huaj për këtë edicion. Mbrëmë, ka qenë violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, të cilët kanë shndërruar koncertin, në një të paharrueshëm, shkruan KultPlus.
Si në të shumtën e rasteve, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Në skenë, pianoje e vetme bardh e zi qëndronte gati për t’u pushtuar nga pianistja, ndërsa më vonë do i bashkohej edhe violinës që nën duart e violinistit, do të krijoheshin tinguj të mrekullueshëm. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi nga muri lart, ishin elementet që i dhanë këtij koncerti një pamje më serioze. Të veshur kokë e këmbë në ngjyrë të zezë, të dy instrumentistët kanë dëshmuar për një talent të paparë.
Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti.
“Violinisti vjen këtu për herë të parë me koncert recital, përndryshe, ai dhjetë vite më parë ka qenë fitues i garave ‘ArsKosova GrandPrix’ dhe tani po rikthehet si një muzikant aktiv i Shqipërisë, i cili posa i ka mbaruar edhe studimet master në Moskë. Ndërsa, pianistja e mirënjohur shqiptare, Kristina, ka qenë më parë edhe soliste në këtë festival si dhe pjesëmarrëse në shumë festivale të tjera. Shpresoj që ky koncert do të iu lë mbresa shumë të mëdha, posaçërisht emocione të fora”, ka thënë Badivuku.
Ajo tutje ka bërë të ditur se është shënuar edhe përvjetori i kompozitorit shqiptar Çedk Zadeja si dhe kompozitorit francez Cezar Frank.
Në këtë mbrëmje gjithsej pesë vepra kanë gjetur vendin e tyre në atmosferë. Meloditë dhe tingujt që pasonin vazhdimisht nga violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, kanë ngjallur emocione të forta në publik. Kjo vërehej qysh në fillim, kur sytë e të pranishmëve binin direkt në skenë, veshët e tyre ishin të mbushur me muzikë, ndërsa këmbët e tyre trokitnin vazhdimisht në tokë, në hap me vijën melodike të prezantuar.
Koncerti që nisi fiks në orën 20:13, ka sjell një program tejet të bukur, por ajo që i shtoi hijeshinë këtij programi qenë edhe dy instrumentistët që dhuruan shpirtin e tyre në skenë. Lëvizjet e tyre të kokës, duarve, krahëve e edhe të këmbës, ishin të mrekullueshme për t’u parë. Dukej se i gjithë trupi i tyre shkonte pas tingujve, me ç’rast ato me të vërtetë plasoheshin nëpër muret e sallës.
Ishin veprat e kompozitorëve si: Çedk Zadeja, Cezar Frank dhe Béla Bartók, ato që shpalosën një program të veçantë që zgjati fiks një orë. Ndërsa, veprat si: “Sonatë për violinë dhe piano”, “Sonata në A-dur”, “Sarasate Caprice Basque”, “Vallet rumune”, dëshmuan për një seriozitet në të luajtur e dashuri në interpretim.
Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar dy talentet që pa ndalë kanë dhënë një performancë të shkëlqyer. Sa herë që dilnin në skenë për veprën e radhës, buzëqeshja e tyre që pika më e fortë në të cilën dallohej pasioni për violinën e pianon, dhe jo vetëm.
Për KultPlus, violinisti Dejon Bendaj ka shprehur emocionet e tij pas koncertit si dhe idenë për bashkëpunimin me pianisten e mbrëmjes.
“Sa herë që vij këtu është një kënaqësi e madhe për të luajtur. Në Prishtinë kam kujtime shumë të bukura dhe njerëzit janë mikpritës ndërsa audienca është në rritje. Programi është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka përfshirë dy sonata, njëra nga Çedk Zadeja dhe tjetra nga Cezar Frank, që i përket periudhës së romanticizmit. Pjesa e dytë përfshin një repertor virtuoz të violinës. Me pianisten, kemi nisur një bashkëpunim prej kohësh dhe ne merremi vesh shumë mirë. Kemi shumë lidhje të përbashkëta për muzikën të cilat ndoshta edhe ndihmojnë në ndërlidhjen tonë skenike”, ka thënë Bendaj.
Po ashtu, pianistja Kristina Petrollari Laço për KultPlus ka treguar përshtypjet e saj për këtë mbrëmje.
“Për mua në Prishtinë është një mrekulli gjithmonë që të luaj e sidomos kur prezent janë miqtë, artdashësit, publiku i dashur e shumë i ngrohtë. Mendoj që ke një koncert me sonata të rëndësishme të violinistikës dhe këtu ke një sallë shumë e dashur për ne por që kushtet nuk janë më të mirat të mundshme. Por, gjithçka shkoi mirë. Dy kompozitorët që i nderuam sonte, ishin dy shtyllat kryesore të repertorit violinistik, andaj menduam që pasi edhe përkohet me dy përvjetorët e tyre, t’i sjellim pikërisht veprat e tyre. Bashkëpunimi me Kosovën, ka qenë shumë i dashur për ne, gjithmonë”, thotë ajo.
Kujtojmë se sonte do mbahet koncerti tjetër i radhës në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 20:00.
Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare.
Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com