Ka shumë njerëz të rëndësishëm, atdhetarë që dhanë kontribut për gjuhën shqipe. Po Kristoforidhi mban një vend të veçantë. Ai do të ishte përkthyesi i madh i Biblës. Dhe pikërisht në procesin e vështirë të përkthimit do të ngrinte pyetjen madhore:mirë do e përkthejmë, po a do e lexojnë shqiptarët. Si do ta lexojnë ata?
Ndaj ai iu fut menjëherë hartimit të abetares shqipe duke e shkruar atë në toskërisht dhe në gegërisht. Me abetaren në dorë ai do të shkonte në të gjitha familjet shqiptare dhe u mësonte fëmijëve dhe grave shkronjat e arta shqipe.
Ishte një personalitet i një niveli dhe përmasave kaq gjigande sa dakordësoi të gjithë intelektualët shqiptarë të kohës. Pas përcaktimit të alfabetit duheshin përcaktuar rregullat e shkrimit të gjuhës shqipe. Kështu që nga viti 1916 më 1918-ën do të mblidhet Komisija letrare e Shkodrës që do të merrej me drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Dhe atëherë doli pyetja:po kush dialekt duhet të ishte baza e gjuhës shqipe. Dhe pikërisht kjo Komisi do të vendoste që të merrej varianti i Shqipërisë së mesme, ai i Elbasanit.
Në këtë Komisije letrare merrte pjesë dhe Fishta ynë i madh. Dhe ai bëri një pyetje që ka hyrë në histori:”Kush ka shkruar në këtë variant?” Dhe përgjigjet Luigj Gurakuqi: “Ka shkruar Kristoforidhi.” Dhe Fishta i madh u përgjigj: “Po. Kristoforidhi, po.”
Mënyra si kishte shkruar i madhi Kristoforidhi duhej të ishte baza e gjuhës shqipe. Dhe kështu vendosën të mëdhenjtë e kombit.
Pak fjalë për Kostandin Kristoforidhin
Kostandini do të ishte i biri i tregtarit Anastas Nelko dhe do të lindte në Elbasan në vitin 1830. Kur ishte 14 vjeç mbaroi studimet në shkollën qytetase në greqisht dhe i ati do e dërgojë në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Aty ai do të lidhej me shumë shqiptarë të tjerë që do ktheheshin në ajkën e zhvillimit kulturor shqiptar dhe do të bënin revolucionin e madh kulturor të mëpasmë. Aty do të takohet me konsullin e Janinës, albanologun e famshëm Von Han, i cili merrte nga ai studime të gjuhës shqipe dhe do kishte një ndihmesë të jashtëzakonshme nga Kristoforidhi. Pasi mbaron studimet, Kostandini do vazhdojë studimet në Maltë dhe më pas do të vijë në Tiranë, ku do të japë mësime në shkollën greqishte të Tiranës. Pikërisht studimin e shqipes që e kish filluar që në “Zosimea” do vazhdonte ta perfeksiononte më tepër, duke ndenjur gju më gju me popullin.
Pas disa vjetësh si mësues do shkojë me studime në Londër dhe pikërisht aty do të bëjë një marrëveshje me Shoqërinë Ungjillore Britanike për të përkthyer shqip, Dhiatën e vjetër dhe të re. Që nga ajo kohë ai do perfeksionojë studimin e shqipes dhe do të merret me përkthime shumë të rëndësishme.
Kristoforidhi u bë një personalitet më të rëndësishme të Rilindjes sonë Kombëtare dhe gjatë jetës së tij ka bashkëpunuar me Frashëllinjtë, Vaso Pashën, Jani Vreton, Hasan Tahsinin etj në të gjitha lëvizjet e kombit tonë. Ai do të lërë dy kryevepra: përkthimin e Biblës dhe fjalorin shqip-greqisht. Karakteristikë e veprës së tij është gjuha e gjallë e marrë nga goja e popullit me tërë bukurinë e fjalëve, të mënyrave të të folurit që ruajnë gjithë hijeshinë e shqipes. Dy vepra të tjera të rëndësishme janë dhe Gramatika e gjuhës shqipe dhe Abetarja. Kostandini ishte një burrë i madh dhe i hijshëm. Një pamje që kishte prezencë fizionomike dhe që të bëje ta nderoje dhe respektoje. Ishte një nga personalitetet më të zgjuar shqiptarë dhe dinte :greqishten, anglishten, hebraishten, latinishten, turqishten, arabishten, italishten, frëngjishten.
Në të gjitha jetëshkrimet që janë bërë për këtë figurë të madhe historike, thuhet se ai ishte një burrë i matur por mbi të gjitha një ligjërues i çmuar. Fjala e tij ishte më e ëmbël se mjalti. Ishte pikërisht kjo aftësi e tij që ai të vilte nga populli ligjërimet dhe fjalët më të bukura, të merrte mjaltin e popullit. Ndaj ai pati një vend të veçantë në gjuhën shqipe dhe një konsideratë të lartë nga të gjitha personalitetet shqiptare të të gjitha krahinave shqiptare. Ishte nga ata njerëz të vyer që punoi gjithë jetën për gjuhën, shqiptarët dhe mëmëdheun. Ndaj ishte normale që të gjithë personalitetet e kulturës shqiptare të binin dakord që gjuha e Kristoforidhit të lartësohej dhe të bëhej baza e gjuhës shqipe. Dhe kështu ndodhi… / KultPlus.com