“Kriteret” e Shtëpive Botuese ofrojnë mundësi të lehta për t’u bërë shkrimtar

Shkruan: Bujar Meholli

Nëntori solli Panairin e Librit në Tiranë. Së shpejti do të vijë edhe Panairi tjetër në Prishtinë, por gjendja e librit është mjaft e rëndë prej kohësh. Libri, siç dihet është miku i pandashëm i njeriut – ai që hapë horizontin e të menduarit, që e shpie njeriun në skajet më të largëta dhe i mundëson komunikimin me botën. Megjithëkëtë, teknologjia çdoherë në zhvillim e ka zbehur ndjeshëm rëndësinë e librit, i cili po shërben vetëm sa për t’u ekspozuar në rrjetet sociale përmes fotografive.

Me pak fjalë, si mos më keq janë edhe shkrimi edhe leximi në vendin tonë. Në Panaire gjenden lloj lloj librash me gjithfarë kopertinash – të autorëve të ndryshëm, por po të hapet ndonjëri vërehet menjëherë, qartë, se aksh Shtëpia Botuese e ka botuar librin sa për ta marrë një shumë të hollash qoftë nga autori, qoftë nga institucionet që e përkrahin financiarisht autorin, për njërën apo arsyen tjetër – në të shumtën e herave jo për afinitetin krijues!

Një autor, qoftë i ri apo në moshë të pjekur, pati apo nuk pati gjë për të thënë (shkruar) mjafton të ketë dëshirë për të botuar dhe të ketë të holla, t’i siguroj ato disi, dhe objektivi i tij është i përfunduar. Libri botohet sa hap e mbyll sytë. Shtypshkronjat e Shtëpive Botuese të buzëqeshura, i botojnë faqet në të shumtën e herave me gabime elementare, naive, logjike, me huqje, por tërë këto nuk kanë fort rëndësi sepse të dy palët ndahen të kënaqura: botuesi dhe shpura e tij i marrin paratë, kurse autori merr librin fringo dhe i ofrohet mundësia që ta shpalos në rrjetet sociale e ta masë me pëlqimet ekspres, interesimin për të…

Ja pra, kjo lloj letërsie – ky lloj botimi bëhet në kohën tonë që është antipod i kohëve të shkuara kur Shtëpia Botuese “Rilindja” megjithëse kishte vështirësitë arriti të bëhet, them, boshti i kulturës shqiptare. Degradimi i librit vjen padyshim si pasojë e mungesës së kritereve nga botuesit, të cilët ka raste kur prezantojnë autorë – siç i quan Erazmo Roterdami “që botojnë veprat e huaja si të vetat dhe përvetësojnë famën e tjetrit që e arriti me mund, pastaj krekosen kur i lavdëron populli: shih, ky është si njeriu i madh!”

Një shkrimtar i ri duhet t’i rreket leximit dendur para se të marrë guximin të hedh diç në letër, mandej ta ketë të qartë se ç’do të ofrojë: shkurt duhet t’i ndjek këshillat e Faik Konicës për artin e shkrimit; Konica themeloi kritikën në letërsinë shqipe. Natyrisht, kritika e shëndoshë e ndihmon tekstin – por, çfarë kritike mund t’ju bëhet këtyre palo teksteve që vazhdimisht botohen sot?

Në këtë periudhë, të cilën do ta quaja kiç – secili fare lehtë mund të shpallet poet e shkrimtar. Se çfarë dhe si shkruan brenda librit nuk ka fort rëndësi, sepse në këto kohëra gjithçka bën, për kurrfarë gjëje nuk ka ndalesë; mjafton t’i kesh paratë ta botosh librin (nuk të refuzohet botimi asnjëherë, sidomos nëse ke njëfarë miqësie me botuesin!), të shndërrohesh në “yll letrar” në rrjetet sociale dhe të flasësh nëpër studiot televizive si i famshëm, pra si shkrimtar në kulmin e famës… /KultPlus.com