Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës për kërkesat në çdo fillim të vitit shkollor.
KMDLNj thotë se SBAShK’u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit.
“Është bërë si rregull që në çdo fillim të vitit shkollor, SBASHK-u të dalë me kërkesa që jo rrallë herë e kanë formën dhe përmbajtjen e shantazhimit klasik e që është e dënueshme me ligjet në fuqi në Kosovë dhe duke i vënë ultimatum Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e këtyre kërkesave e që jo gjithmonë janë në fushëveprimin sindikalist”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.
KMDLNj thotë se SBAShK’u asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve.
Po ashtu, KMDLNj përmend faktin se SBAShK’u ka arritur për një kohë të gjatë të paralizojë krejtësisht procesin mësimor, duke e dëmtuar kështu atë.
“Në këtë mënyrë SBASHK –u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBASHk-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”
“SBASHK-u arriti që për një kohë të paralizojë krejtësisht procesin arsimor, i motivuar kryesisht materialisht e që jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin arsimor. SBASHK-u asnjëherë nuk ka konsideruar seriozisht kërkesat e prindërve të artikuluara përmes Këshillit të Prindërve por ka insistuar në rritjen e pagave duke koketuar me parti të ndryshme politike të cilave ju ka premtuar përkrahje publike dhe vota klienteliste përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e që është në kundërshtim të plotë me mandatin e SBASHK-ut”, thuhet në reagim
KMDLNj thotë se tani kur Ministria e Arsimit ka vendosur që mësimi të fillojë duke ndjekur rekomandimet e IKSHPK’së, SBASHK’u deklaron se nëse nuk janë plotësuar kushtet mësimi mund të shtyhet.
“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, kemi pasur një ndërprerje të procesit mësimor në të gjitha nivelet dhe përcjellja e mësimit nga shtëpia lirisht mund të llogaritet si proces apo përpjekje e dështuar. Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të fillojë me një shtator e që pastaj ka vendosur, për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK – u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK –së”
“SBASHK-u , së paku në bazë të deklarimeve angazhohet për ngritjen e mirëqenies materiale të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka asnjë të drejtë të caktojë afate kohore se kur duhet të fillojë apo përfundojë procesi mësimor. Me grevën shantazhuese të SBASHK-ut që e dëmtoi shumë arsimin , me ndërprerjen e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe nëse edhe tani nuk fillon procesi arsimor , lirisht mund të themi se kjo gjeneratë do të jetë e humbur sa i përket arsimimit”
“Shtetet tjera kanë marrë vendim që t’i hapin institucionet arsimore përkundër faktit që nuk e kanë gjendjen aspak më të mirë se Kosova prandaj kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë”, thuhet në reagim. / KultPlus.com