Në një nga teatrot më të njohura të Kroacisë është vënë në skenë tragjikomedia shqiptare me titull “Ata hyjnë pa trokitur”.
Vepra e zhanrit absurd shkruar nga shkrimtari dhe dramaturgu Armand Bora mban si regjisor firmën e Leonard Hamitajt i cili gjithashtu luan edhe rolin e një prej protagonistëve. Aktorja kroate Ana Marija Burušić luan rolin e bashkëshortes në këtë vepër.
Në Kroaci, ka një komunitet jo të vogël shqiptar që shpesh ka marrë edhe iniciativa të tilla artistike. Për këtë shkak vepra ka pasur një jehonë të madhe.
Ky projekt është shfaqur në kuadrin e festave të Nëntorit.
Subjekti i veprës sjell në vëmendje marrëdhëniet e vështira bashkëshortore në kohën e regjimit totalitar në Shqipëri. Një çift i cili për shkak të sistemit dhe faktit që pritet të internohen përjetojnë vështirësi në marrëdhënie pavarësisht dashurisë së tyre te madhe për njëri-tjetrin. Absurdi i marrëdhënies së tyre reflektohet pikërisht në faktin se gjatë gjithë kohës ata kërkojnë të gjejnë shkakun dhe gabimin që është bërë dhe atë kërkojnë ta gjejnë tek njëri-tjetri.
Në këtë vepër shpesh herë përballesh me të njëjtën ndjesi sikurse tek kryevepra botërore e autorit Samuel Beckett “Duke pritur Godone” dhe ku të krijohet shpesh ndjesia nëse do të ndodhë apo jo ajo çka është edhe fati i personazheve si kthesa përfundimtare e qëllimit të veprës. /atsh/ KultPlus.com