Jusuf Buxhovi
Afrim Krasniqi: “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, monografi. Botoi: Institui i Historisë i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2020. Eksodet e mëdha shqiptare, nga ato që njohim (pas vdekjes së Skënderbeut dhe rrënimit të diktaturës komuniste në Shqipëri), kryesisht lidhen me disfatat e mëdha historike të shqiptarëve, siç ishte ajo e para pas ripushtimit osman të Shqipërisë nga fundi i shekullit XIV dhe, kjo e fundit, nga jeta gjysmëshekullore nën diktaturën më të egër komuniste që njohu bota. Nëse mund të thuhet se eksodi i parë përfshiu fisnikërinë shqiptare nga radhët e feudalëve dhe ushtarakëve që ishin pjesë e luftës çlirimtare të Skënderbeut kundër osmanëve gjatë një çerek shekulli dhe u strehuan në Itali si pjesë e një shtrese që kishte formim të caktuar shoqëror dhe kulturor, gjë që këtë e vazhdoi edhe në rrethanat e reja, eksodi i dytë, ai nga viti 1990 e këndej, përfshiu shtresën proletare dhe qytetarinë e shpronësuar nga dinjiteti elementar, atë që rëndom kishte jetuar në rrethanat e një Gullagu komunist të krijuar nga diktatura e regjimit komunist të Enver Hoxhës, shtresë kjo të shumtën me tru të shpërlarë, që ikjen nga diktatura e konsideronte çështje ekzistenciale.Edhe pse kanë kaluar mbi tridhjetë vjet nga eksodi shqiptar, përmasat tektonike të të cilit edhe më tutje vazhdojnë saqë etninë shqiptare e kanë sjellë deri te gjendja e “murtajës së bardhë”, përkundër asaj se shkaktari i saj kryesor shfaqet faktori ideologjik që si bartës kryesor pati diktaturën komuniste të Enver Hoxhës që Shqipërinë në emër të “idealeve komuniste” duhej ngrënë edhe bar gjë që vendin e ktheu në një kamp përqendrimi me njeriun e varfër dhe të zhvlerësuar, pra kësaj së keqe nuk i ishte dhënë anamneza e plotë në përputhje me shkaktarin e vetëm – atë ideologjik ngaqë shumë studiues i takojnë asaj mendësie. Megjithatë monografia e Afrim Krasniqit “Kriza e ambasadave – Shqipëria në vitin 1990”, e botuar së voni nga Instituti i Historisë i Studimeve Albanologjike në Tiranë, paraqet një kronikë të aktit të fundit të shthurjes së kësaj diktature në rrethanat kur tranzicioni tashmë kishte përfshirë shumë nga vendet e ish bllokut komunist (nga Polonia, Gjermania Demokratike, Çekosllovakia, Rumania e të tjera), ndërkohë që garda e fundit komuniste në Tiranë po përpiqej që tranzicionin e pandalshëm pra kur diktaturat ktheheshin në sisteme shumëpartiake, përpiqej që pluralizmin partiak ta maskonte me “pluralizmin e mendimeve”, siç doli nga takimi i gushtit i vitit 1990 i R. Alisë me disa intelektualë të Tiranës, të cilët, nuk patën guxim që kësaj formule t’ia jepnin përgjigjen siç ia dhanë vendet tjera ish komuniste, por lejuan që edhe atë që do të shfaqet “tranzicion shqiptar”, në zgjedhjet e para “të lira”, të vitit 1991, të fitojë Partia e Punës e Shqipërisë, e transformuar në Partinë Socialiste. Natyrisht se kronika e kësaj ngecjeje, apo sabotimi shqiptar të pluralizmit drejt tranzicionit, pasqyrohet mirë në monografinë e Afrim Krasniqit. Duke ndjekur rrugën e dokumenteve, autori në katër kapitur jep kronologjinë e këtij zhvillimi që hapi kthesën historike. Kështu, në kreun e parë paraqiten zhvillimet politike dhe gjendja në Shqipëri në gjysmën e parë të vitit 1990, nga protestat e para sociale të janarit 1990, pastaj të ndikimit të rastit “Popaj” në ambasadën e Italisë në eksodin e atij viti e deri te hyrjet në ambasada në atë të RDGJ-së. Në kreun e dytë pasqyrohen ngjarjet e korrikut dhe kriza e “Pushtimit të ambasadave” me gjithë ato që përcollën këtë zhvillim nga hyrja në ambasadat perëndimore e deri te largimi i refugjatëve nga Shqipëria, me çka përfundimisht u thye “miti i mashtrimit komunist për Shqipërinë lule në Adriatik”, e të ngjashme, siç propagonte Enver Hoxha nëpërmes grupeve marksiste-leniniste nëpër botë, që kryesisht i shërbenin Beogradit dhe Moskës për të mbajtur nën anatemë edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve të Kosovës për Republikën e tyre në kuadër të federatës jugosllave. Në kapitullin e tretë bëhet fjalë gjerësisht për rrolin dhe pozicionin e ambasadave dhe shteteve në krizën e korrikut 1990, ku pasqyrohen edhe pozicionet e këtyre vendeve rreth zgjidhjes së krizës së refugjateve, me ç’rast edhe pjesës më të madhe të tyre iu lejua largimi i organizuar nga Shqipëria, largim ky që pastaj, mori përmasat e një eksodi të pambikëqyrur që vazhdoi për vite dhe ende vazhdon në forma të ndryshe. Monografia përmbyllet me kapitullin rreth përpjekjeve të regjimit për rivendosjen e kontrollit në vend, ku pasqyrohen gjithë ato zhvillime që udhëheqja e lartë partiake e vendit (nomenklatura komuniste e kohës) u mundua që eksodin, nëpërmes fushatave denigruese, ta shfrytëzojë për të fshehur shkaktarin e vërtetë të krizës – sistemin. Me këtë rast, jepen edhe të dhëna rreth burgosjeve dhe masave të tjera, që regjimi i atëhershëm ndërmori ndaj atyre që përpiqeshin që të largoheshin nga vendi, për në liri, nëpërmes rreziqeve të mëdha, ku edhe shumë prej tyre nuk ia dolën… Në tërësi, monografia e A. Krasniqit, paraqet një faktografi të caktuar, atë të krizës së ambasadave, që ia hapi rrugën në njërën anë tranzionit shqiptar me shumë e shumë vështirësi dhe në tjetrën anë, eksodit shqiptar, ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohëve, me pasoja tepër të rënda për vetë Shqipërinë, po edhe për ata që u detyruan të braktisin vendin për një jetë më të mirë dhe liri, paçka se shumë prej tyre humbën atdheun përgjithmonë… /KultPlus.com