Krujë, mjeshtri i drurit gdhend shqiponjën dhe 4 figura kombëtare

Ndërsa në Krujë nje mjeshtër artizan po përfundon një dekoracion druri të flamurit tonë kombëtar, me fotot e 4 patriotëve të shquar të Pavarësisë. 68 vjeçari thotë për ABC News se shqiponja e gdhendur në dru do të vendoset në qendër të qytetit të Krujës në 28 nëntor.

Realizimin e tij të shqiponjës prej druri ai do ta vendosë në qendër të qytetit të Krujës për 112 vjetorin e Pavarësisë.

“Simbolizon ngjyrën e flamurit, i është përshtatur ditës së pavarësisë. Është një sfond me ngjyrë të kuqe dhe shqiponjën dhe ka dy datat historike 28 nëntor 1912 dhe 28 nëntor 2024 për 112 vjetorin e pavarësisë.” -u shpreh Asllani.

68 vjecari ka punuar disa ditë për të realizuar shqiponjën të gdhehur në dru, ndërsa do t’i bashkangjisë edhe katër figurat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

Komplet është punim dore. Kam për të vendosur edhe këto figurat emblematike. Skënderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari dhe Isa Boletini.”

Asllani gjithë jetën e tij është marrë me punimin e drurit, ndërsa kjo vepër si dhuratë për qytetin e tij, thotë se do të mbetet një kujtim i bukur për të.

“Mundohem të promovoj dicka të veçantë. Them se do të mbetet kujtim. Gjeta kohën që të lë diçka. Unë e kam pasion dhe kënaqësi. Heq stresin këtu, por marr edhe kënaqësi kur del diçka e bukur.” -tha për ABC News Asllan Lika.

Një punim të tillë të shqiponjës të gdhendur në dru me katër figurat historike kombëtare, Asllan Lika e dhuroi për qytetin e Deçanit në Kosovë disa ditë më parë. /abcnews.al/ KultPlus.com

Në Muzeun e Krujës publikohet fotoja e veçantë e komandantit Adem Jashari

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës Muzeu Historik dhe Etnografik i Krujës ndau një foto të veçantë të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik të Krujës, Mehdi Hafizi, tha sot për ATSH-në se “në vitin 1992 Adem Jashari me shokët e tij vizituan Muzeun Muzeu Historik dhe Etnografik të Krujës. Ata kanë fiksuar në një fotografi këtë moment të veçantë”.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj. Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./atsh/KultPlus.com

Rama: “Shtëpia e Arbëreshëve” do të hapë dyert në kryeqendrën arbërore të Krujës

Pas shekujsh mërgimi arbëreshët “kthehen” në shtëpi.

Në Krujën e Skënderbeut do të hapet “Shtëpia e Arbëreshëve”, një muze kushtuar arbëreshëve të Italisë, të cilët ndër shekuj ruajtën gjuhën dhe traditat arbërore.

“Shtëpia e Arbëreshëve”, do të jetë jo thjeshtë si një muze, por një hapësirë dialogu dhe komunikimi mes brezash.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale imazhet e Shtëpisë së Arbëreshëve, që do të hapë dyert në kryeqendrën arbërore të Krujës. / KultPlus.com

Krujë, ekspozita me veshjet popullore të shqiptarëve zgjon kureshtjen e vizitorëve të huaj

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) solli sot në Krujë ekspozitën “Rikthim në traditë, veshjet popullore të shqiptarëve”.

Përmes kësaj ekspozite shpaloset larmia e kostumeve popullore të trevave nga mbarë trojet shqiptare, për ta njohur dhe për ta promovuar trashëgiminë kulturore kombëtare.

Ekspozita zgjoi kuriozitetin e vizitorëve të huaj, që këto ditë gushti kanë zgjedhur të vizitojnë Krujën si dhe të qytetarëve të shumtë. Ata patën mundësinë të vrojtonin imazhe që shpalosnin larmishmërinë dhe veçantitë e kostumeve popullore të mbarë trevave shqiptare.

Materialet e përzgjedhura nga DPA-ja i ofruan vizitorëve një fushëpamje të gjerë të tematikës. Mes këtyre materialeve gjendeshin imazhe të figurave të rëndësishme historike nën petkun e veshjes popullore (prijës fisnorë, njerëz të letrave, mbrojtës të trojeve amtare); kostumeve popullore të trevave në Shqipërinë e veriut, të Shqipërisë së mesme; Shqipërisë së jugut, kostumeve popullore të trevave të shqiptarëve jashtë trojeve dhe kostumeve popullore nën petkun fëmijëror (kostume të vajzave)./atsh/KultPlus.com

Aktori i njohur amerikan, Danny Glover, viziton muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë

Aktori dhe producenti i njohur amerikan, Danny Glover, ka vizituar një ditë më parë muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë.

Lajmi bëhet i ditur nga Muzeu Historik dhe Etnografik në Krujë ku ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vizita e producentit të njohur amerikan në këtë muze.

Glover pasi ka vizituar muzeun ka parë edhe filmin e Skënderbeut i cili transmetohet në muze.

Bëhet me dije se vizita e Glover vjen pas ftesës që bashkia Tiranë i ka dërguar atij për të mësuar më shumë mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe historinë e Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com