Kurti për masakrën e Krushës së Vogël: Nderojmë 7 shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të Masakrës së Krushë të Madhe, shkruan KultPlus.

Kryeministri, Albin Kurti, përmes një postimi në “Twitter” nderon shtatë shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh.

“Sot, në përvjetorin e masakrës së Krushës së Vogël, nderojmë 7 shqiptarët, eshtrat e të cilëve u kthyen në vendlindje pas 23 vitesh.

Nuredin Shehu.
Hysen Zylfiu.
Ahmet Berisha.
Nue Prenkaj.
Sahit Shehu.
Sami Shehu.
Skyfer Batusha.

U prefshin ne paqe”, shkruan Kurti.

23 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën. /KultPlus.com

Osmani: Serbia po bën krim të dyfishtë me mospranim të fajit

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, pas homazheve që ka bërë së bashku me kryeministrin Albin Kurti në Krushë të Vogël, ka thënë se Serbia po kryen krim të dyfishtë, duke i fshehur krimet.

Ajo tha mosdënimi i atyre që kanë kryer krime e fshehja  e trupave të pagjetur janë krime në vete.

“Ky është gjenocid i dyfishtë, sepse edhe fshehja e krimit është krim në vetvete. Duke mos lejuar hapjen e varrezave masive, duke mohuar krimet, gjenocidin, mos kërkuar falje dhe duke mos vënë kryesit e veprave para drejtësisë, Serbia po kryen këtë krim të dyfishtë”, tha ajo. / KultPlus.com

Nesër nënshkruhet memorandumi për rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Minstria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të nënshkruajnë nesër memorandum bashkëpunimi për projektin e rrëfimeve të të mbijetuarve të Krushës së Madhe, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga ora 12:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për mbështetje financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.
I pranishëm do të jetë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti. / KultPlus.com

Vizitori i parë i Krushës së Madhe

Poezi e shkruar nga Fatmir Terziu.

Miliona vite u krehën në plazmin e qelqtë të lotit,
në një pellg të përlëngët,
një flok gërshetë i bukur me çantën e madhe të jetës,
u tret, kapi retë që mëgëllyen
fytyrën e ëndërrave djaloshare.

Mbi një fletë libri të shpërngulur të shkruar
sofra e bukës në odën e madhe
ka mbetur shtruar. Pret për tu lexuar
mbi lëkurën e vjetër të plisit
ishte letra më e mirë nga shqipja,
duke shkruar në qiellin e papirusit.
Uroj që ta njihja.

Në ritualin e çajit,
nga duart e grave të Krushës së Madhe
kam mësuar se si të pish nga sytë e një vejushe
të mbetur mes tregimeve në rrugët e Varrezave masive.
Gjithmonë arrijnë në kohë vizitorët e huaj
të shkruajnë për të mos harruar!

Vizitori i parë i Krushës së Madhe,
ishte vargu i një kënge
nisi me refrenin e djepeve në vaje
bitisi me fatin e jetës … në atë mbrëmje.