Kryeministri Kurti në Krushë të Madhe: Historia është në lëkurën, zemrën dhe ashtin tonë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit Dalip Behra dhe Bekim Gashi, në 26-vjetorin e rënies së tyre.

“Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, tha Kurti duke përkujtuar jetën, veprën dhe idealet e tyre të cilat duhet të jenë udhërrëfyes për të gjithë neve pavarësisht prej pozitave që mbajmë dhe situatave ku ndodhemi, njofton Kryeministria.

Ai shtoi se gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë e këngën e lirisë nuk e ndalim as në paqe e kjo tregon që teksa kemi dhembje e pikëllim, teksa na mungojnë bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, gjaku i të cilëve është në themelet e shtetit tonë, në të njëjtën kohë ne jemi shumë krenar që i patëm dhe që kemi kë ndjekim për rrugën tonë përpara.

“Dalip Behra dhe Bekim Gashi janë frymëzuar nga kënga shqipe, janë frymëzuar nga heronjtë, dëshmorët dhe martirët, e betejave më të hershme të etapave të të kaluarës të kombit tonë, por edhe nga shkrimet, mësimet, e intelektualëve të mëdhenj të popullit tonë, e në krye të herës padyshim që duhet vendosur profesor Ukshin Hoti, bacën Ukë, të cilit i ka qëndruar gjithmonë pranë pikërisht Ismet Gashi, babai i dëshmorit Bekim Gashi. Brezat kur lidhen ata e formojnë historinë, por në të njëjtën kohë edhe trasojnë rrugën për të ardhmen. Ne e përkujtojmë sa i madh ishte çmimi i lirisë, sa e lartë ishte sakrifica e tyre, por edhe sa fisnike është përgjegjësia e jonë teksa e vazhdojmë rrugën e tyre”, tha Kurti.

Në vijim të fjalës së tij, theksoi se luftëtarët e UÇK-së kishin dy detyra: njëra ishte të përballeshin në beteja me forcat armike të okupatorit serb e tjetra ishte ta mbronin popullsinë civile. Dhe që të dyja këto shprehen edhe tek jeta, vepra dhe rënia heroike e Dalip Behrës dhe Bekim Gashit. Pasiqë i kishin varrosur kufomat e masakrës në Krushë të Madhe, ata punën e tyre për popullin tonë, e vazhdojnë edhe me betejë ballë përballë me armikun, ku edhe bien heroikisht.

“Prandaj teksa i përkujtojmë Dalip Behrën dhe Bekim Gashin dhe të gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, ne duhet t’ia kujtojmë vetes edhe për brezat që do të vijnë pas nesh, se historia nuk është diçka e largët, që e mësojmë nga gjyshërit ose nga librat e historisë, pra ajo ndodhet thellë në lëkurën, zemrat, mendjen dhe ashtin e secilit prej neve, me qenë se betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”, përmbylli fjalën e tij Kurti./rtk/ KultPlus.com

23 vjet nga masakra në Krushë të Madhe, presidentja Osmani: Tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë

Sot shënohet 23-vjetori i fillimit të Masakrës së Krushë të Madhe.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes një postimi në FaceBook thotë se Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të.

Në vijim gjeni postimin e plotë të presidentes Osmani:

 Ndërmjet 25-27 mars të vitit 1999, në Krushë të Rahovecit si dhe fshatra të tjera përreth u vranë qindra persona të pafajshëm dhe u dogjën shumica e shtëpive në këto fshatra. Tri ditët e tmerrit janë dëshmi e egërsisë së pushtetit gjenocidal të Serbisë, i cili nuk zgjodhi mjete kundër banorëve të këtyre fshatrave.

Krusha e Madhe, Krusha e Vogël dhe fshatrat përreth janë dëshmi për çmimin e lirisë dhe sakrificën për të. Këto vende ngjallin dhimbje, pikëllim, por edhe krenari. 23-vjet pas krimit, gratë e Krushës janë shndërruar në inspirim dhe në model të ngadhënjimit ndaj të keqes.

Krusha dhe i gjithë shteti i Kosovës do të jetojnë përherë me kujtimin për të gjithë ata që ranë për liri. Nuk do t`i harrojmë ata, por njësoj sikurse gratë e Krushës do të shikojmë kah e ardhmja dhe nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi.

Secila nga këto ditë deri në mes të qershorit, është e mbushur me dhimbje e krenari për popullin e Kosovës. Dje përkujtuam edhe të rënët në masakrën në Kotlinë të Kaçanikut, veprimtarët Latif Berisha e Agim Hajrizi (me familjarë) që u ekzekutuan më 24 mars në Mitrovicë si dhe avokatin e humanistin Bajram Kelmendin, i cili u ekzekutua mizorisht së bashku me dy djemtë e tij. Nesër, bëhen 23 vjet nga masakra e tmerrshme ndaj familjes Berisha në Suharekë, ku pushteti i atëhershëm serb dëshmoi qëllimin e vet shfarosës duke vrarë në mënyrën më brutale fëmijë, gra e të moshuar.

Të gjithë të rënët janë kujtimi ynë i përhershëm, por edhe forca dhe vullneti për të ecur përpara!./ KultPlus.com

19 vjet nga masakra e 243 personave në Krushë të Madhe

Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.

19 vite më parë, konkretisht më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.

Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.

Në përkujtim të shënimit të kësaj date të dhimbshme do të mbahen homazhe dhe akademi përkujtimore, ku do të marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj./ KultPlus.com