Muzeu i Masakrës së Krushës së Madhe dhe Shtëpia Muze e Ukshin Hotit sot janë vizituar nga Rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, si dhe profesorë e studentë të programit të Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024.
Sipas një njoftimi thuhet se pjesë e kësaj vizite ishin studentë nga 41 vende të ndryshme të botës, ku nga afër kanë parë dëshmi origjinale dhe janë njoftuar mbi nga masakrën e 25- 27 marsit 1999, nga e cila në Krushë të Madhe mbetën të vrarë 243 persona.
“Kënaqësi e jona të kemi vizitë nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren me programin e Shkollës Verore Ndërkombëtare 2024. Të pranishëm ishin Rektori Mentor Alishani, profesorë dhe studentë nga 4 kontinente prej 41 shteteve të ndryshme. Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.
Muzeu i krimeve të luftës në Krushë të Madhe është inauguruar me rastin e 25 vjetorit të masakrës. Ky muze ka përjetësuar dëshmi mbi atë që ka ndodhur në luftën e vitit 1999, duke shënuar një hap të rëndësishëm në aspektin e memorizimit në kujtesën kolektive./ KultPlus.com