Gjatë qëndrimit në Slloveni, kryeministri Albin Kurti takoi zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.
Sipas një komunikate për media, Kurti dhe Mesec diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve.
Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR”, thuhet në komunikatën për media.
Të mërkurën, me rastin e vizitës së Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Lubjanë të Sllovenisë, është takuar edhe me mërgatën.
Nëpërmjet një postimi në Instagram, Kurti thotë se atje u njoh me historitë e suksesit të diasporës sonë të zellshme dhe punëtore.
“Pranë mërgatës, kudo dhe kurdoherë. Edhe në Lubjanë të Sllovenisë bashkëbiseduam dhe u njohëm me historitë e suksesit të diasporës sonë të zellshme dhe punëtore. Vetëm bashkë e forcojmë shtetin dhe përshpejtojmë zhvillimin. Ekonomia, arsimi, mbrojtja e siguria, sundimi i ligjit, luftimi i krimit dhe korrupsionit e shumë fusha të tjera kanë përparuar gjatë qeverisjes sonë dhe e kemi obligim të vazhdojmë trajektoren e progresit dhe zhvillimit”, ka shkruar kryeministri.
Sot është mbajtur ceremonia e hapjes së Edicionit të Dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”(UF), i cili ka sjellë në Kosovë pjesëmarrës nga 30 shtete të botës, siç thuhet në njoftimin MPJD-së, duke shërbyer kështu si një platformë diskutimi dhe bashkëpunimi për liderë globalë, vendimmarrës dhe komunitete të diasporës, për të eksploruar dhe shfrytëzuar fuqinë transformuese të angazhimit dhe diplomacisë së diasporës.
Në komunikatën e MPJD-së thuhet se në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se diaspora e Kosovës gjatë viteve është bërë shtyllë e vendit dhe ekonomisë tonë.
Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha para të pranishmëve se duke qenë vetë pjesë e diasporës së Kosovës e kupton shumë drejt sa e rëndësishme është që i gjithë vendi të vazhdojë të dërgojë sinjale të marrëdhënieve të vërteta me diasporën e tij.
“Para të pranishmëve foli edhe profesori nga Australia, Alan Gamlen, duke uruar Kosovën për organizimin si dhe rëndësinë që i ka dhënë diasporës. Pjesëmarrës në ceremoninë hapëse të Forumit Ulpiana ishin edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, zëvendësministrja për Punë të Jashtme dhe Evropë nga Shqipëria, Silda Anagnosti, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë, ministra, zëvendësministra e deputetë të Kuvendit”.
“Përmes një programi dinamik të sesioneve, punëtorive interaktive dhe diskutimeve frymëzuese, që do të zhvillohen në tre ditët e ardhshme, Forumi Ulpiana synon të arrijë rezultate të zbatueshme. Në qendër të misionit të tij është shfrytëzimi strategjik i kapitalit të diasporës—duke përfshirë burimet kulturore, ekonomike, njerëzore dhe sociale—për të adresuar disa nga sfidat më urgjente globale, si ndryshimet klimatike, pabarazitë në shëndetësi dhe paqëndrueshmëria ekonomike”, thuhet tutje në njoftimin e MPJD-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim lamtumirës ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.
Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e afërt dhe angazhimin e saj, veçanërisht siç thuhet në komunikatë, në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në rrafshin tregtar dhe ekonomik.
“Në këtë kontekst, kryeministri Kurti dhe ambasadorja Jusufi diskutuan për progresin e arritur në fusha të ndryshme të bashkëpunimit bilateral gjatë mandatit të saj diplomatik. Kryeministri Kurti i uroi ambasadores Jusufi suksese në angazhimet e saj të ardhshme”, thuhet tutje në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gjykimin dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Kurti gjatë një diskutimi me studentët e AUK-ut, ka deklaruar se krerët e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Gjykatën Speciale të Hagës. Ai ka thënë se megjithatë, mbrojtja e tyre, do të duhej të ishte një, e jo secili ta kishte avokatin e vet.
“Unë kam provuar, ku ky proces kishte nisur, kam provuar që krejt këshillin e mbrojtjes t’i bëjë bashkë – sepse unë besoj që mbrojta për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të duhej të kishte qenë e bashkuar (një): do të duhej ta kishin pasur Një Mbrojtje, e jo katër, e jo që secili ta kenë të tyrin”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se avokatët duan që klienti i tyre të lirohet, dhe kjo ka rrezik më pas që ata t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.
“Mos më keqkuptoni, problemi me avokatët është që të gjithë ata duan që klienti i tyre të lirohet, atyre s’ua ndien çfarë u ndodh të tjerëve – kështu që, në njëfarë mënyre, duke pasur secilin prej tyre të burgosur, krerët e UÇK-së, trupa e mbrojtjes e krijoi këtë mundësi që dikush të luajë (t’ua hedh) me mbrojtjen e tyre”, ka thënë Kurti.
Madje, sipas kryeministrit, atje do të duhej të kishte më shumë mbrojtje politike, se juridike.
“Është paksa histori e gjatë se si kemi mbërritur deri këtu; por besoj me të vërtetë që mbrojtja do të duhej të kishte qenë me njerëz tanë, dhe nuk mendoj që do të duhej të ishte edhe aq mbrojtje juridike, por do të duhej të kishte qenë shumë më shumë mbrojtje politike”, ka thënë Kurti, raporton “Nacionale”.
Kurti edhe më herët ishte pyetur e kritikuar për faktin se nuk reagonte për zhvillimet në Gjykatën Speciale të Hagës.
Ai kishte thënë se më shumë se takim me krerët e UÇK-së, ka nevojë që ai të bisedojë me avokatët.
Pas kësaj deklarate, Kurti kishte zhvilluar një takim në platformën “Zoom” me avokatët.
“Gjatë tij, është diskutuar për kërkesat e ekipeve mbrojtëse për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Takimi është mbajtur si rezultat i nevojës për të diskutuar dhe adresuar kërkesat e bëra nga ekipet mbrojtëse siç janë: procesi i stërzgjatur i mbajtjes në paraburgim të të akuzuarve, mos-respektimi i praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mungesa e përkthimeve dhe, në veçanti, mosmarrja në konsideratë e okupimit dhe krimeve të Serbisë në Kosovë gjatë viteve të ’90-ta”, ishte thënë në njoftimin e qeverisë.
Kryeministri Kurti kishte propozuar që takimet e tilla të vazhdojnë të jenë të rregullta. Të gjitha ekipet janë shprehur tejet mirënjohëse për mundësinë e diskutimit direkt me Kurtin, dhe shprehën falënderim me faktin që Qeveria e Kosovës po tregon interesim dhe angazhim në lidhje me procesin para Dhomave të Specializuara.
Kryeministri Albin Kurti ka marr pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare te Kosovës.
Në fjalën e tij, Kurti tha se kjo Bibliotekë është monument i fjalës së shkruar, dhe dëshmi e gjallë e integritetit të popullit shqiptar, njofton Klankosova.tv.
Tutje, i pasi i ekzekutivit shton se Qeveria e Kosovës do të punojë që Biblioteka Kombëtare të përforcojë rolin e saj si shtëpi e dijes shkencore, bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes.
“Më lejoni t’ju përgëzoj për këtë logo të qëlluar, e cila brenda ka logon e Bibliotekës Kombëtare, spiralen antike ilire, që shënon 80-vjetorin e Bibliotekës sivjet, por njëkohësisht duke sikur pakufi. Vitet e fundit mbështetja e Qeverisë së Kosovës, ka qenë thelbësore në zhvillimin e Bibliotekës sonë Kombëtare, sikur krijimi i qendrës së digjitalizimit dhe pasurimi i koleksioneve me mbi 76 mijë njësi të reja librash, kemi ndërtuar ura të forta mes të kaluarës dhe të ardhmes”, tha Kurti.
“Kjo qendër është bërë pikë referimi për ruajtjen dhe digjitalizimin e trashëgimisë sonë, duke përfshirë 873 mijë objekte digjitale. Ekspozita retrospektive mbi 80-vjeçare e Bibliotekës Kombëtare dhe botimet e saj, na jep mundësinë të reflektojmë mbi rrugën e kaluar dhe vizionin për të ardhmen”.
“Biblioteka Kombëtare është monument i fjalës së shkruar dhe një dëshmi e gjallë e integritetit tonë kombëtar. Në këto mure jetojnë idetë, zërat dhe ëndrrat e brezave që kanë ndërtuar vetëdijen tonë si popull. Teksa festojmë këtë përvjetor, le të vazhdojmë angazhimin që ta përforcojmë rolin e saj si një shtëpi e dijes shkencore, dhe bukurisë artistike, si dhe një dritë udhëheqëse drejt të ardhmes”, tha i pari i qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim Drejtoren Rezidente të Programit për Kosovë nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), Marta Onorato.
Ai e vlerësoi partneritetin si dhe rolin e kontributin e institutit.
Në takim, siç njofton Kryeministria, u theksua angazhimi i dyanshëm në fuqizimin e bashkëpunimit si dhe përkushtimit ndaj reformave që kanë për qëllim gjithëpërfshirjen.
Në fokus të bisedës thuhet se ishin programet e projektet që në qendër kanë veçanërisht të rinjtë dhe gratë si dhe ato në zhvillimin e politikave publike.
Kurti e falënderoi Onoraton për takimin e frytshëm, bisedën produktive dhe bashkëpunimin efikas mes qeverisë dhe Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 21-të të Forumit Ekonomik të Vjenës. Ai ishte folës kryesor në sesionin e pas ditës me titull “Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë”.
Në fjalën e tij hyrëse, Kurti fillimisht theksoi rolin e rëndësishëm të Austrisë dhe partneritetin e saj me Kosovën para dhe pas pavarësisë së vendit tonë.
“Si një vend i ri me një angazhim të palëkundur ndaj demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne besojmë se partneritetet janë thelbësore për arritjen e prosperitetit dhe paqes, jo vetëm brenda kufijve tanë, por në të gjithë rajonin tonë”, tha Kurti.
Ai foli edhe rreth arritjes së marrëveshjes për Tregti të Lirë me shtete anëtare të EFTA-s dhe avancimin në përfaqësimin e Kosovës në CEFTA.
Numri një i qeverisë kosovare u shpreh se për Kosovën, bashkëpunimi ekonomik nuk është vetëm një zgjedhje politike; është një domosdoshmëri strategjike.
“Suksesi dhe përparimi ynë varet nga aftësia jonë për të krijuar një mjedis që nxit tregtinë ndërkufitare, tërheq investime dhe ndërton ura me vendet fqinje”, u shpreh Kurti.
Albin Kurti, me këtë rast foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe 10-vjetorin e suksesshëm të Procesit të Berlinit.
Veçoi njoftimin që ai bëri gjatë punimeve të samitit në Berlinit për sa i përket vendimit që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, në mënyrë të njëanshme Kosova do të lejojë udhëtimin në drejtim të saj të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftime, siç parashihet me marrëveshjen e mobilitetit të nënshkruar në Berlin dy vjet më parë në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Sepse pa lirinë e lëvizjes, siç tha kryeministri, nuk do të jemi në gjendje të rrisim mobilitetin e punëtorëve, studentëve dhe profesionistëve, gjë që është thelbësore si për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, ashtu edhe për rritjen e ekonomive tona”, thuhet në njoftim.
Ai tha se kemi nevojë për bashkëpunim ekonomik, jo vetëm sepse na jep qëndrueshmëri për t’u përballuar me kriza dhe tronditje, por sepse duam të heqim barrierat dhe të krijojmë mundësi të reja për qytetarët tanë.
“Kur njerëzit mendojnë në aspektin e bashkëpunimit ekonomik, ata duhet të mendojnë më shumë për mundësitë dhe përfitimet sesa për sfidat dhe rreziqet. Dhe ne kemi treguar se jemi bartës të standardeve kur bëhet fjalë për rregullat dhe vlerat. Vitet e fundit kemi treguar se demokracia dhe ekonomia shkojnë krah për krah. Sot ka disa fuqi dhe superfuqi në botë që duan të tregojnë se për të patur zhvillim nuk ka nevojë për demokraci. Vendi ynë nuk është një vend i madh, por është një shembull i madh që progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore, dhe në fakt ato forcojnë njëra-tjetrën”, potencoi kryeministri i vendit.
Ai këtë e mbështeti me indikatorët e performancës ekonomike, politikat sociale, mbështetjen për qytetarë, punësimin, rritjen e pensioneve, pagave dhe pagës minimale, në të njëjtën kohë kur kemi treguar përparim dhe përmirësim në demokraci, në sundim të ligjit, në liritë civile dhe të drejtat politike, siç dëshmohen në raporte të ndryshime ndërkombëtare.
Megjithatë, progresi i vendit tonë është i ndërlidhur me progresin e vendeve tona fqinje, prandaj ne jemi të përkushtuar që të punojnë së bashku sepse besojmë që të gjithë përfitojmë kur rajoni është më prosperues dhe më i sigurt, theksoi kryeministri. Me përjashtim të fqinjit tonë verior, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ose janë pjesë e NATO-s ose e kanë NATO-n brenda tyre, dhe të gjitha duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian, tha më tej.
“Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik nuk mund të ketë të bëjë vetëm me statistikat e rritjes dhe marrëveshjet tregtare. Ka të bëjë gjithashtu me nxitjen e qëndrueshmërisë demokratike brenda vendeve dhe solidariteteve të demokracive ndërmjet vendeve. Ne nuk e shohim bashkëpunimin ekonomik si një lojë zero-sum, por si një mundësi për arritje të përbashkëta. Partneritetet e qëndrueshme janë ato që bazohen jo në komoditete ose mallra, por në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Kur i bëjmë bashkë demokracinë dhe ekonomisë, besoj se fitojmë atë që na nevojitet më shumë: sigurinë ekonomike duke ruajtur dinjitetin njerëzor”, u shpreh kryeministri Kurti në përmbyllje të fjalës së tij.
Pas adresimit fillestar, kryeministri Kurti ishte pjesë e panelit të diskutimit. Në fund të Forumit, kryeministrit Kurtit, përkatësisht Republikës së Kosovës, iu nda çmimi “Vendi partner për vitin 2024” për kontributin e çmueshëm në përmbushjen e misionit të Forumit Ekonomik të Vjenës dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe afatgjatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që po kërkohet nga Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e ka bëre ditë më parë gjatë një adresimi ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, ndërsa një pjesë nga fjalimi e ka publikuar në platformën “X”.
“Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, ka theksuar ai.
Kryeministri Edi Rama ka uruar studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025.
Në një video të studentëve dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Rama shkruan: “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.
Janë rreth 20 studentë të rinj që do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha:
“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është adresa kryesore e agresionit në Banjskë dhe e fshehjes së Milan Radoiçiqit, kryesuesit të grupit serb, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Në akademinë përkujtimore për heroin Afrim Bunjaku, ai tha se qëllimi i agresionit në Banjksë ishte i aneksimit të veriut të Kosovës.
“Prijësi i këtij grupi ishte vet Milan Radoiçiq kriminel i profilit të lartë që nënpetkun e një politikani aktiv në Kosovë prej vitesh kishte zbatuar urdhra kriminal nga Beogradi. Ai kishte trajtuar një rrjet të gjerë parapolitik në trajtën e një bande mafioze e një grupi terrorist me të cilin e kishte mbajtur nën kontroll pothuajse gjithë veriun e Kosovës me anë të frikësimit, terrorit dhe shantazhit”.
“Që nga ajo ditë Radoiçiq është kërkuar nga shteti i Kosovës, kurse është fshehur nga shteti i Serbisë. Aktakuza e ngritur ndaj tij së fundi nuk është vetëm një kusht juridik edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizimi shtetëror të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës”.
“Adresa e vendimit politik e planifikimit operacional e urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjesë të territorit të Kosovës është Beogradi zyrtar, dhe vet shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë qytetarë angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë. Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjithë që bëjnë vullnetare të aplikojnë për Çmimet e Vullnetarizmit, e që afati është deri 30 shtator 2024.
“Këto kontribute e meritojnë të promovohen dhe falënderohen. Çmimet e Vullnetarizmit në Kosovë janë një hap në këtë drejtim. Ju bëj thirrje të gjithë juve qytetarë të nderuar që të nominoni të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Gjatë ditës sot, kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, të shoqëruar nga ekipi i tij dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Në njoftim thuhet se Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.
Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor2024/2045.
Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.
“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Vjosa është afër që të bëhet pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore.
Kjo pasi, sipas Ramës ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për këtë, përcjell Kalnkosova.tv.
“Vjosa në UNESCO – Puna po vazhdon – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore, duke vlerësuar nga afër mozaikun e saj si një prej ekosistemeve më unikë në Evropë dhe duke bërë pjesë të diskutimeve edhe banorët e bizneset e zonës”, ka shkruar kryeministri./
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti ditën e sotme anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilëve ua shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Kosovës, të cilat, sipas Kurtit, pasqyrojnë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta.
Sipas njoftimit për media, Kurti ka rikujtuar në takim votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 përqind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës.
Kryeministri theksoi se “ky rekomandim ishte një moment historik dhe i rëndësishëm, që reflekton përafrimin e Kosovës me standardet dhe parimet e Këshillit të Evropës”.
“Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon dhe ka një kornizë ligjore të avancuar me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë”, theksoi Kurti.
Ai thuhet se e njoftoi delegacionin me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe theksoi se “nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”.
Kurti, sipas njoftimit, “nënvizoi suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse”.
Kreu i ekzekutivit tha se “Republika e Kosovës meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasiqë i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë”.
Ndër të tjera, Kurti foli edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe i falënderoi deputetët për kontributin e vazhdueshëm të Danimarkës në çlirim dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Në një postim në profilin zyrtar të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X.
“Admirali Stuart Munsch u takua me z. Kurti në Prishtinë, për të diskutuar mbi aktivitetet e KFOR-it për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, është thënë në njoftim.
Për dallim nga Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.
Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, për Klankosova.tv ka pohuar se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.
“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”.
“Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.
Admirali amerikan Stuart B. Munsch, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ndërsa lajmi për këtë takim u bë i ditur nga misioni KFOR-i.
“Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në njoftimin e postuar në llogarinë e KFOR-it në Facebook.
Ndërkaq, në llogarinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X, u tha se në takimin Munsch – Ulutash, “diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti tregoi në një pritje të organizuar për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës se çfarë ka bërë Kosova për ta mbështetur këtë shtet që prej kur Rusia nisi pushtimin e tij.
Kurti tregoi se Qeveria ka miratuar 13 paketa sanksionesh amerikane kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai tha se mbështetja e Kosovës për “miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike”.
Kurti tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “tregon përkushtimin tonë për të vepruar në unitet me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”.
“Rusia ka qenë gjithmonë joeuropiane”, tha ndër tjerash Kurti në një fjalim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
“Solidariteti ynë [për Ukrainën] është detyra jonë që i përkasim kontinentit europian”, tha ai.
Qytetarët Kosovës deri dje kanë mund të bëjnë konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegalet në ato të Republikës së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës, qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.
“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok. Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.
Shefi i qeverisë, i ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me senatorin Peter Welch, me të cilin biseduan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë.
Kurti përmes një shkrimi në “X” tha se Welch është mik i Kosovës, i cili siç tha ai, vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut, përcjell Klankosova.tv.
“Ishte një kënaqësi e madhe të takohesha me Senatori Peter Welch një mik i Kosovës, i cili vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut vitin e kaluar”.
“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në frontin ekonomik dhe politik, si dhe eksplorimin e rrugëve të reja për bashkëpunim. Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm që ka bërë Kosova dhe përpjekjet e qeverisë për ngritjen e të gjithë shoqërisë sonë, siç është futja e arsimit të lartë falas”, thuhet tutje në shkrimin e tij./ KultPlus.com
Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.
Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.
Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.
Para fjalës së presidentit Biden, edhe zëvendëspresidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova në hapjen e Urës së Ibrit është e vonuar trefish, dhe se qëllimi qarkullimit është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.
Ai, në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në ShBA, ka theksuar se nuk mund të thuhet se lëvizja e lirë vlen gjithandej vendit, por urës kryesore mbi lumin Ibër.
“Ura mbi lumin Ibër është dashtë të hapet kur u çliruar Kosova para 25-vjetëve. Ajo nuk është dashtë të jetë e mbyllur, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë para 16-vjetëve, ajo është dashtë të jetë e hapur edhe para 8 vitesh në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj, ne jemi trefish të vonuar për shumë vite”.
“Ajo çka duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vet frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi që sundimi i ligjit e lëvizja e lirë vlen gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohës, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër”, theksoi Kurti.
Ndër tjera, i pari i ekzekutivit ka pohuar se janë duke i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga partnerët amerikanë dhe evropianë për çështjen e hapjes së urës.
“Kurrë nuk ka pasë më shumë koordinim dhe konsultime dhe jam opotimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirin e lëvizjes, paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb, për shqiptarët, për të gjitha pakicat, pra për të gjithë qytetarët e Republikës sonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet të hapim edhe këtë urë”.
Kurti u deklarua edhe rreth mundësisë së shtyrjes së afatit për hapjen e urës në fjalë, ai tha se kjo çështje nuk do të lejohet të zgjatet pafundësisht.
“Ne jemi të interesuar që hapjen ta bëjmë në bazë të planit që e kemi ndarë së bashku me partnerë amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri, me shqiptarët në dy komunat, kemi testuar qëndrueshmërinë teknike të urës, duhet të kujdesemi për dizajnim e zbukurimin, për pamjen vizuele të kësaj ure, këtë duhet ta bëjmë sa më parë”.
“As nuk do të befasojmë partnerët dhe aleatët amerikanë e evropian, dhe as nuk do të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, besojmë se është e nevojshme e mirë e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, ku ndër temat kryesore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër.
Sipas Kurtit, hapja e Urës së Ibrit është një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme, teksa bëhet e ditur se kreu i qeverisë e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen mbi të.
“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.
“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja e siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.
“Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve”.
“Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt”, thuhet në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin të pamundura fitoret e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.
Të martën në sheshin “Xhorxh Bush”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një pritje për ekipin olimpik të Kosovës, që ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024.
Kurti gjatë fjalës së tij ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar. Ai ka përgëzuar sportistët duke iu uruar mirëseardhje në shtëpinë e tyre.
“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tone si shtet për të fituar medalje olmpike në secilen olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëhere nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.
Ekipi i Kosovës këto ditë është kthyer nga Parisi, ku ishin pjesëmarrvs në Lojërat Olimpike. Me vete kanë sjellur edhe dy medalje. Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë e Laura Faziu atë të bronztën.
Xhudisti Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes, duke përfunduar në vendin e pestë në kategorinë -73 kg, ndërsa Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku mbyllën garat me nga një fitore dhe vendin e nëntë.
Kampionia olimpike e Tokio 2020, Nora Gjakova, për shkak të një lëndimi të pësuar më herët gjatë vitit, u ndal në raundin e parë të kategorisë -57 kg. Notari Adell Shaboviq doli i 58-ti nga 79 garues në disiplinën e 100 metrave stil i lirë, ndërsa Hana Beiqi përfundoi e 43-ta prej 79 garueseve në 50 metra stil i lirë.
Atletja Gresa Bakraçi garoi në 800 metra vrapim, duke përfunduar e 49-ta dje dhe duke u diskualifikuar në raundin e dytë për shkak të daljes nga korsia e saj.