Kryeministri Kurti: Ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të fillojnë procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi të cilën e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.

Kurti ka thënë se puna për rritjen e pagës minimale vetëm sa ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të hyrave për punëtorët që të kenë një pagë të dinjitetshme.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe tutje ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.

“Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, ka shtuar ai. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti priti në takim familjarët e të vrarëve më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me Gani Xhaka dhe Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës.

Duke falënderuar kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite.

Xhaka kujtoi natën e 3 shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund.

Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur.

Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.

Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.

Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar.

Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët.

Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

“Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Në momentin e fundit dënimi ynë me vdekje u ndryshua në burgim të përjetshëm në Auschwitz dhe ne u dorëzuam në dyert e ferrit. Aty do të na merrnin ende në pyetje. Me të mbërritur na zhveshën, goditën, rruan dhe na bënë tatuazhe. Që atëherë, ne nuk kishim emra. Unë tani isha numri 39934 dhe nëna ime ishte numri 39933. – Kitty Hart-Moxon

Kjo është veç një prej dëshmive të panumërta që na ndihmojnë të kujtojmë tmerrin e përjetuar në Auschwitz – Birkenau dhe mijëra kampe tjera përqendrimi. Pikërisht sot 77 vite nga 27 Janari i vitit 1945, kur ky kamp përqendrimi u çlirua. U çlirua prej tragjedisë njerëzore të paimagjinueshme më parë. Por me çlirimin nuk ka ardhur asnjëherë harrimi.

Krahas kujtimit, ky tmerr e kjo dhunë fatkeqësisht nuk mori epilogun e duhur as gjatë Gjykimit të Nürnberg kur Lemkin dhe Lauchterpacht për herë të parë definuan termet “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Nuk mori epilogun as përgjatë viteve të tëra të përpjekjeve për të kujtuar. Të aftësisë për të mos harruar.

Të tentimeve për gjetjen dhe dënimet e kriminelëve.

Edhe këto krime kundër njerëzimit përgjatë viteve u përballën me mohimin e pashembullt nga ata që edhe nuk dinin, edhe nuk donin të pranonin realitetin.

Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit.

Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë.

KURRË MË! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkrah filmin Zgjoi: Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëra-tjetrës

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit është futur në listën e ngushtë për nominim nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ‘Oscars 2022’, në kategorinë e filmit ndërkombëtar me metrazh të gjatë, përcjell KultPlus.

Më 8 shkurt bëhet e ditur lista finale e nominimeve. Ndërsa, nesër do të fillojë votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”,

Andaj, sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka treguar përkrahjen e tij përmes një postimi në rrjetin soical Twitter.

“Nesër fillon votimi i nominimit për Oscar, përfshirë edhe për “Zgjoi”. Ky film, i bazuar në një histori të vërtetë, përshkruan qëndresën e grave të Krushës. Triumfi i tyre erdhi si rezultat i forcës që i dhanë njëra-tjetrës”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Ambasadori i ri amerikan me Osmanin e Kurtin nesër përkujtojnë Masakrën e Reçakut

Kryeministria ka njoftuar se krerët shtetërorë do të vizitojnë Kompleksin Memorial të Reçakut në përkujtim të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Siç ka bërë të ditur kryeministria, kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca do realizojnë homazhet në Reçak nga ora 10:00.

Pjesë e homazheve do të jetë edhe ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, sipas kryeministrisë.

Më tej, në ora 11:00 krerët shtetërorë do të kryejnë ceremoni përkujtimore në nder të 23-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në ora 13:00 udhëheqësit institucional do jenë prezent në një ekspozitë kolektive me fotografi të Masakrës së Reçakut tek Biblioteka Kombëtare në Prishtinë.

Më 15 janar të 1999-ës, 45 shqiptarë nga Kosova në fshatin Reçak u masakruan nga forcat serbe. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Trashëgimia e bacës Shaban, është e përjetshme dhe e pavdekshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një dedikim për Jasharët në Prekaz, me rastin e 30 vjetorit të sulmit të parë serb ndaj kësaj familjeje.

Duke shkruar për veprën e kryefamiljarit të Jasharajve, Shabanit, kryeministri Kurti thotë se trashëgimia e tij si bujk, mësues dhe prind i shkëlqyer është e përjetshme dhe e pavdekshme.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz

Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë

Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen.

Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet. Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.

Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, po bëjmë krejt çka mundemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, shkruan KultPlus.

Kurti thotë se po bëjnë krejt çka munden duke u bërë thirrje edhe qytetarëve për shpenzim racional të energjisë.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.

Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!    

Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.

Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.

Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.   

Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.

Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.

Përzemërsisht,

Albin Kurti./KultPlus.com

Kyreministri Kurti: Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjet, përcjell KultPlus.

“Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Vëllezër e motra të krishterë, gëzuar!

Ju uroj nga zemra mbarësi! Ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer në ngrohtësinë familjare dhe të miqve. Qoftë një vit i suksesshëm për të gjithë ju.

Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim.

Besimi është themeli që na e ofron çdo fe neve si popull, andaj dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin, në fe e në praktikë. Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët.

Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz.
Shpreh besimin e thellë se si shoqëri ne do të punojmë që urimet që ju i adresoni sot njëri-tjetrit, si dhe urimet që ne u adresojmë sot juve, të marrin në vitin e ardhshëm sa më shumë realitet.

Gëzuar Krishtlindja! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton komandatin Mujë Krasniqi: Ai dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi

Sot, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar komandatin Mujë Krasniqi i cili dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve më 14 dhjetor të vitit 1998.

“Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën!”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Mujë Krasniqi – Komandant Kapuçi

6 qershor 1967 – 14 dhjetor 1998

Ne jetojmë në kohë të tensionuara, në kohë të shumë sfidave, por ne jetojmë në kohë të hapura. Në kohë të hapura përgjegjësia e fateve tona është e jona. Dhe më shumë se kurrë në kohë sfidash, për asnjë ditë ne nuk duhet të harrojmë dëshmorët tanë. Sepse dëshmorët, çlirimtarët tanë, vepruan në kohë të mbyllura e të paqarta. Sot ne kryejmë mbledhje e marrëveshje ndërqeveritare me Tiranën bashkëkombase. Komandant Kapuçi me shokët e tij sillnin armë prej Republikës amë në shkëmbim të jetës së tyre. Ata dhanë jetën duke kapërcyer kufijtë e jetës me qëllimin që ne të kryejmë sot marrëveshjet tona kombëtare.

“Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut, në pritën nga forcat e armikut, Mujë Krasniqi ra bashkë me vëllaun e tij Ali Krasniqi, shokun e tij këngëtar, Beqir Gashi, e luftëtarët Luljeta Shala, Rifat Mziu, Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Maliq Karaqica, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi e Avni Kutllovci.

Ne jemi krejt të vetëdijshëm: në çastin kur harrojmë dëshmorët, ne harrojmë synimet historike dhe mbërritjet kombëtare. Një shtet i ndërtuar mbi harresën e heroizmit e vuajtjeve, nuk është shtet në shërbimin tonë. Rrjetet e interesuara për korruptimin e shtetit janë po ata që na kanë thënë se duhen harruar viktimat e gjenocidit. Po në të njëjtën kohë e ritëm me ta, Serbia mohon me të gjitha mjetet gjenocidin që ka kryer. Në lidhje me ne, Serbia nuk ka dëshmorë, por përdhunues. Përballë Serbisë ne kemi dëshmorë.

Por ne, nuk harrojmë! Ne do të bëjmë krejt të kundërtën. Do të vendosim në edukimin e brezave të rinj vetëdijen e dëshmorëve. Sepse në shumicën e tyre dëshmorët janë të rinj, si të rinjtë e çdo brezi. Mujë Krasniqi sapo kishte kaluar tridhjetëvjetorin e tij kur e dha jetën me shokët e tij. E dha jetën duke kapërcyer i armatosur mbi kufirin më të padrejtë mes shqiptarëve. Mujë Krasniqi me shokë i kapërcyen kufijtë e të gjitha kohëve për t’u bashkuar me historinë. Dëshmori mbetet në moshën kur dha jetën. Muja dhe të tjerët janë të rinj të përjetshëm, ndaj dhe ne do t’i mbajmë lidhur me rininë e çdo brezi. Ata që e demotivojnë çështjen kombëtare të lirisë nuk duan shembuj të tillë për rininë. Një komb i ndritur na i jep urdhëresën e mençur: Mos i harro kurrë dëshmorët, sepse e hup udhën! / KultPlus.com