Kryeministri Kurti përkujton masakrën e Srebrenicës: Nuk është asgjë më pak pos gjenocid

Kryeministër i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot 11 korrikun e vitit 1995, ku forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra myslimanë në Bosnje.

Përmes një postimi në facebook, Kurti ka thënë të hënën se ajo çfarë ka ndodhur në Srebrenicë 27 vjet më parë nuk është asgjë më pak pos gjenocid.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të Kurtit:

27 vite dhimbje e mall nga gjenocidi i Srebrenicës

Kur Raphael Lemkin në librin e tij “Axis Rule in Occupied Europe” kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.

Dyshoj shumë që kur Lemkin ka folur për gjenocidin, të ketë menduar që dikush në shekullin 21 do të arrijë të ndërtojë një narrativë të tërë diskutimi bazuar në mohimin e gjenocidit.

Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t’u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.

Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.

E çka ka ndodhur në Srebrenicë para 27 viteve nuk është asgjë më pak se gjenocid. Asgjë më pak se shënjestrim i qëllimshëm i viktimave për shkak të ekzistencës së tyre.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.

Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.

Kur roli i atij agresioni të tmerrshëm minimizohet deri në pafundësi.

Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.

Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. / KultPlus.com

Kurti: Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar poetin Xhevdet Bajraj, i cili vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër, përcjell KultPlus.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Poeti më i madh i gjallë i Kosovës nuk rron më. Mbrëmë qielli i errët kishte një yll më shumë. Shkëlqimi midis nesh është xixa sipër nesh.

Teksa shkruaj me mall e dhembje, përkulem t’i lexoj titujt që qëndrojnë vertikalisht në bibliotekën time: Copa ime e qiellit, Vitet qe nuk e sollën pranverën, Lëngu i trëndafilave, Liria e tmerrit, Ca Kokrra Rrushi të Rahovecit, Vrasja e Mushkonjës, Kur qajnë hardhitë, Kafe me Nënën, Me Zemër në Qese Najloni, Burri që lozte me engjëj…

Xhevdet Bajraj do të rrojë gjithmonë, porsi një yll që nuk shuhet kurrë./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën tifo për ekipin e Bad News Eagles, sapo fituan lojën e parë në turneun më të madh të CS:GO

Ekipi shqiptar, Bad News Eagles e kanë nisur me fitore turneun më të madh në CS:GO, PGL Antwerp Major 2022.

Bad News Eagles triumfuan ndaj ekipit turk, Eternal Fire, me rezultat 16:14.

Kryeministri Albin Kurti po bën tifo për ekipin tonë.

Këshilltari  kryeministrit, Arianit Beqiri ka shpërndarë disa fotografi ky shihet kryeministri Kurti duke ndjekur live lojën.

“Dhe ja ku jemi sot në garën më të madhe të CS:GO, në PGL Major, duke bërë tifo për ekipin tonë të zemrës, Bad News Eagles. Kualifikimin e dëshiruar e arritëm, tani përpara për fitore. Go Eagles”, ka shkruar Beqiri krahas fotografive. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton ekspozitën e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës

Lodra, libra, këpucë, fanella e pantallona fëmijësh janë ekspozuar në dollapë prej xhami, në Muzeun e Fëmijërisë së Luftës në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Aty dëgjohen e lexohen rrëfimet e kohës së luftës të fëmijëve nga Bosnja e Hercegovina, Kosova, Kroacia, Serbia, Siria, Afganistani, Palestina, e së fundmi edhe nga Ukraina. Të njëjta janë përvojat, të ngjashme janë ngjarjet, kurse e përbashkëta e tyre është lufta e dhimbshme e shkatërruese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj.Saranda Bogujevci, e cila i mbijetoi masakrës së forcave paramilitare serbe kundër familjes së saj në vitin 1999, e vizituan ekspozitën.

Një muze shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për përkujtim e mospërseritje, tha kryeministri Kurti teksa rikujtoi që 1133 fëmijë u vranë e u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Është detyrë e secilit prej nesh, shtoi ai, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha këto jetë të humbura të fëmijëve.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës, ka selinë kryesore në Sarajevë, por ka dy javë që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ku është plotësuar edhe me rroba e gjësende nga fëmijëria e  luftës e fëmijëve kosovarë.

Ekspozita është hapur me bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerisë Kombëtare të Kosovës, ForumitZFD dhe Zyres së BE-së në Kosovë./21Media/ KultPlus.com

Kurti: Me Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një statusi të gjatë në Facebook ka kujtuar fillimin e agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai ka thënë se këtij pushtimi i parapriu lufta hibride e nisur nga rusët, derisa ka kritikuar edhe Serbinë për mos vënie të sanksioneve ndaj Rusisë si dhe marsheve pro-Putinit nëpër sheshe. Kurti ka shtuar se Dodik dhe Vuçiq përbëjnë kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe i ka quajtur ata “Putini i Republika Srpskas” dhe “Putini i vogël”.

“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit.”, shkruan Kurti në statusin e tij.

 “Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar.  Taktika të njëjta të inskenimeve të ngjarjeve e sulmeve për të fajësuar palën tjetër i kemi parë edhe në rajonin e vendin tonë. Ata që besojnë se atë çfarë thotë Beogradi, që vazhdimisht armatoset nga lindja e veri-lindja, nuk duhet ta marrim seriozisht sepse e ka për konsum të brendshëm e për fushatë elektorale, në rastin më të mirë janë naivë. Kështu thoshin edhe për Putinin”, shtoi ai.

Kurti thotë se Vuçiq nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë as pas përfundimit të zgjedhjeve atje, duke kritikuar të gjitha ata që e besojnë atë.

“Ja që përfundoi fushata elektorale dhe i fitoi zgjedhjet partia-shtet por sanksionet ndaj Rusisë nuk i vendosi. Mund të duket mbivlerësim kur thuhet që në Ukrainë po përcaktohet e ardhmja e botës, por mbase është nënvlerësim nëse thuhet vetëm që aty po mbrohet Evropa dhe demokracia. Fashizmi nuk është i rezervuar për Gjermaninë e Italinë ndërmjet dy luftërave botërore apo Kilin e Pinoçetit para gjysmë shekulli. Secili komb a shtet mund të përfundojë në fashizëm. Për fatin e keq të botës, sot kjo i ka ndodhur një fuqie nukleare”, shtoi ai,.

Ky është statusi i tij i plotë:

Kurti përkujton Omer Kaleshin, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar piktorin Omer Kaleshi i cili vdiq dje në moshën 90-vjeçare, përcjell KultPlus.

Kurti përmes një postimi në Facebook thotë se Kaleshi do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave.

Në vijim gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Për kujtim të Omer Kaleshit (1932 – 2022) 

Një kokë piktoreske e bardhë, me flokë dhe mustaqe të thinjura, do të mbetet imazh simbol i portretit të piktorit të kokave, piktorit të madh shqiptar Omer Kaleshi. Një ekspozitë në Hamamin e Daut Pashës në Shkup, ku ai pa disa gravura të artistit anglez Henry Moore, me njerëz të strehuar në metro nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shtyen Omerin e ri të hiqte dorë nga profesioni i elektricistit për tu bërë piktor. “Rrënjët e artit tim u zunë në Shkup, trungu iu rrit në Stamboll, kurse frutet e tij u poqën në Paris” – thoshte shkurt Omer Kaleshi, kur përshkruante rrugëtimin e tij jetësor prej artisti. Ai nisi duke kopjuar një vepër të Paul Cezanit, për të krijuar gjithë veprën e tij artistike atje ku pikturoi edhe vetë Cezani, në Paris. 

I lindur në Kërçovë më 1932, pas gjashtë vitesh studime në Akademinë e Arteve në Stamboll, Omer Kaleshi u vendos në Paris ku jetoi derisa u nda nga ne, dje më 16 prill 2022, në moshën 90 vjeçare. Ai ekspozoi veprat e tij në mbi 150 ekspozita personale dhe kolektive në kryeqendrat europiane, duke tërhequr vëmendjen e shumë kritikëve të artit, që shkruajtën me vlerësime aq të larta për pikturat e tij.

Koka dervishësh, koka çobanësh, koka me plisa, koka me shamie, koka nga Anadolli dhe koka nga Ballkani, të gjitha të pikturuara pa model. Shumë koka, koka pa trup, vetëm koka, por edhe pse pa trup, kokat e Kaleshit nuk kanë gjak meqë ato nuk janë koka të prera, sepse janë koka të gjalla, siç shpjegonte vetë ai. Koka me sy, por koka shpesh pa vesh, koka të mbështjellura, të dala nga imagjinata e kokës së Kaleshit dhe të pikturuara mjeshtërisht prej tij. Ai pikturonte i vetëm në atele, pa u parë nga askush, ngase duke qenë i vetëm ai besonte se ishte i plotë. Në historinë e artit, piktori i kokave Omer Kaleshi, do të regjistrohet edhe si piktori unik që hapësirat e bardha brenda pikturave të tij, i linte në vetë të bardhën e pëlhurës. Në mbamendjen e shqiptarëve, Omer Kaleshi mbetet piktori model që frymën e tij shqiptare, e përktheu në artin e tij me vlera të përbotshme./ KultPlus.com

Kurti kërkon ndihmën e Portugalisë për njohjen nga Spanja: Madridi s’është Beograd, Spanja s’është Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar ndihmën e Portugalisë për njohjen nga Spanja, duke thënë se Madridi nuk është si Beogradi e as Spanja si Serbia.

Kurti këtë kërkesë e bëri gjatë një intervistë të tij për televizionin publik portugez, ku tha se Kosova e konsideron Portugalinë si aleate dhe partnere.

 “Mendoj se Portugalia mund të na ndihmojë me shtetet që s’na kanë njohur, ndoshta veçanërisht me Spanjën e po ashtu edhe me 4 shtete jo njohëse në NATO. Ne e konsiderojmë Portugalinë aleate dhe partnere dhe nuk kemi asnjë çështje të hapur mes dy shteteve. Në skenarin më të keq edhe nëse Spanja do të vërente ngjashmëri mes Kosovës dhe shteteve baske apo Katalunisë, ajo s’do të duhej asnjëherë ta krahasojnë veten me Serbinë. Madridi, nuk duhet ta krahasojë veten me Beogradin.”, tha Kurti.

Tutje ai shtoi se më e pakta që mund të bëjnë Spanja është njohja e pasaportave tona dhe hapjen e zyrave të tyre ndërlidhëse në Prishtinë.

“Minimumi që mund të bëjnë tani është të njohin pasaportat tona dhe të hapin zyrën e tyre ndërlidhëse në Prishtinë. S’ka paralele ndërmjet intervenimit të NATO-s 23 vjet më parë dhe tani, çfarë shohim në Ukrainë. Atëherë, forcat serbe zhvendosën jashtë Kosovës 860 mijë njerëz. 80% e popullatës ishte dëbuar nga shtëpitë e tyre, 12 mijë civilë të paarmatosur ishin vrarë, 10% e tyre fëmijë, 20 mijë gra janë dhunuar dhe 120 mijë shtëpi ishin shkatërruar apo djegur. Pra, kishte një gjenocid dhe NATO kishte ndërhyrë për ta ndalur”, shtoi Kurti./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton Masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu si dhe Masakrën e Izbicës

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.

“Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja”, thotë Kurti.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e tij të plotë:

7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.

Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.

Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta. / KultPlus.com

Takimi i Kurtit me delegacionin amerikan, diskutohet nevoja për kujdes të shtuar për rajonin pas agresionit rus në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka pritur në zyrën e tij një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, i kryesuar nga Elizabeth Shwerood-Randall, asistente e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për Siguri Kombëtare.

Në këtë takim është biseduar për agresionin rus në Ukrainë dhe situatën e re politikë të krijuar. Siç njofton zyra për media e kryeministrisë, është diskutuar edhe për nevojën për kujdes të shtuar për rajonin.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova iu është bashkuar sanksioneve evropiane dhe amerikane kundër Rusisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas si dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve nga Ukraina.

Kurti tutje ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar që të punojë bashkë me aleatët, për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale e globale.

Derisa Randall ka shprehur mirënjohjen për ndihmën e ofruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen humanitare të strehimit të qytetarëve afganë të shpërngulur nga konflikti në Afganistan si dhe në luftën kundër terrorizmit.

Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi dimensionin e aleancës dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe tha se Kosova dhe populli i saj janë çdoherë të gatshëm për t’iu përgjigjur thirrjes për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për bashkëpunimin e deritanishëm dhe u theksua përkushtimi për harmonizimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.​/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti dhe Dritan Abazoviq takohen në Turqi (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.

Takimi i tyre ka ndodhur në Antali të Turqisë, aty ku të dy po marrin pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, përcjell Klankosova.tv.

Pamjet gjatë përshëndetjes së tyre, janë publikuar nga aktivisti i Vetëvendosjes në Ulqin, Bledar Nelaj.

Aty shihen Kurti dhe Abazoviq teksa bëjnë një bisedë të shkurtër./ KultPlus.com

Ministrja gjermane Baerbock: Po punojmë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se shteti që ajo përfaqëson po punon për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave edhe këtë e thash shumë qartë. Për mua nuk është në pikëpyetje se neve na duhet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe paqen e krijojmë vetëm së bashku me njerëzit”, tha Baerbock.

“Ne po përpiqemi dhe po punojmë me tërë forcën në mënyrë që këtë çështje ta çojmë përpara së bashku”, shtoi ajo. /Express/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shtyu çështjen e vendit të tij për anëtarësimin në BE dhe NATO, duke i thënë AFP-së se pushtimi rus i Ukrainës nënkuptonte se të dyja organizatat duhet ta bënin më të lehtë dhe më të shpejtë për anëtarësimin e vendeve kandidate.

“Është tronditëse”, tha Kurti gjatë një interviste këtë javë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

“Është e vështirë të besosh atë që po shihni – por askush nuk mund të pretendojë se është i befasuar.”

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Kurti po i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja që të forcojnë krahun e tyre jugor në Ballkanin Perëndimor duke lejuar anëtarësim më të shpejtë në blloqet e tyre.

“Në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk mund të sillemi normalisht”, ka thënë Kurti. “Prandaj, edhe anëtarësimi në BE dhe anëtarësimi në NATO nuk mund të bëhen në mënyrat e vjetra. Është e domosdoshme që Brukseli, si kryeqyteti i NATO-s dhe BE-së, të rimendojë një mënyrë të re zgjerimi në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

Kurti ka kohë që ka bërë presion për ta futur Kosovën në të dyja institucionet, por është përballur me rezistencë nga një pjesë e vogël e vendeve si në BE ashtu edhe në NATO.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE.

Megjithatë, disa anëtarë të bllokut, duke përfshirë Spanjën dhe Greqinë, nuk e njohin sovranitetin e Kosovës, duke bllokuar në fakt çdo rrugë për anëtarësim.

E njëjta çështje po bllokon përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Putin “është i paparashikueshëm”

Por përballë pushtimit rus të Ukrainës, Kurti argumenton se tani është koha për të rishqyrtuar supozimet e vjetra.

Moska ka qenë një kundërshtar i ashpër i Kosovës që nga lufta në vitet 1990, kur aleati i vjetër i Rusisë, Serbia, pa forcat e saj të sigurisë të largoheshin nga territori me ndihmën thelbësore të sulmeve ajrore të NATO-s.

Pozicioni i Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka bllokuar çdo shans që shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 të marrë njohje formale.

Me Rusinë që tani i nënshtrohet sanksioneve të gjera pas pushtimit të Ukrainës, Kurti tha se ishte koha e duhur për një rishikim nga NATO dhe BE-ja – pjesërisht për të mbështetur mbështetjen në Evropën Juglindore, ku Rusia mbetet me ndikim.

Perëndimi duhej të merrte parasysh natyrën e presidentit rus Vladimir Putin, argumentoi ai.

“Presidenti i Rusisë është i paparashikueshëm”, tha Kurti. “Ai është udhëheqësi i luftës dhe jo udhëheqësi i paqes”.

Putin, argumentoi ai, “do të përdorë faktorët dhe aktorët që ai kontrollon edhe në Ballkanin Perëndimor”.

Putini mbetet më me ndikim në Serbinë rivale të Kosovës, ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës.

Duke qenë se do të synojnë konflikte të reja, Ballkani Perëndimor në përgjithësi dhe Kosova në veçanti janë në rrezik”, paralajmëroi Kurti.

“Në të kaluarën, presidenti rus na përmendte një herë në muaj. Tani ai na përmend disa herë në javë”.

Përhapja në Ukrainë

Vetëm disa ditë pas pushtimit rus të Ukrainës muajin e kaluar, ministri i mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj gjithashtu bëri thirrje për anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Ai gjithashtu donte një bazë të përhershme amerikane në territor për të “garantuar paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.

Edhe me peshën e tyre minimale ekonomike dhe politike, Kosova i ka ofruar mbështetjen e saj Ukrainës, pavarësisht refuzimit prej vitesh të Kievit për të njohur pavarësinë e Kosoves.

Javën e kaluar, Kosova dënoi pushtimin “e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar” të Rusisë në Ukrainë, dhe planet janë duke u hedhur për të mirëpritur mijëra refugjatë ukrainas në vend.

“Ne gjejmë shumë ngjashmëri me situatën tonë para një çerek shekulli”, tha Kurti.

“Një fqinj shumë më i madh donte të pushtonte, shtypte dhe diskriminonte kundër jush duke krijuar aparteid.” /Express/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Qeveria ka vendosur që t’i strehojë 20 gazetarë nga Ukraina

Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se qeveria e Kosovës ka vendosur që t’i pranojë 20 gazetarë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi I tyre shkaku I agresionit rus, përcjell KultPlus.

Kurti ka shkruar se do t’i përkrahin gazetarët ukrainas dhe do t’ua mundësojnë punën nga distanca.

“Qeveria jonë ka vendosur që të pranojë 20 gazetarë nga Ukraina në Kosovë. Ata janë detyruar që ta lënë atdheun e tyre nga invazioni rus. Në përkrahje dhe solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, në bashkëpunim me Federatën Evropiane të Gazetarëve ne do t’ua mundësojmë atyre të punojnë nga distanca”, ka shkruar Kurti. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me homologun e tij britanik, Boris Johnson (FOTO)

Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Londër, homologun e tij britanik, Boris Johnson, gjatë pjesëmarrjes së tij në samitin vjetor për investime në Ballkanin Perëndimor.

Veç Johnson, ai ka takuar edhe zyrtarë të tjerë britanikë.

”WB6 është i domosdoshëm për sigurinë e Evropës dhe ky është tashmë një besim i përbashkët në shumë kryeqytete evropiane. Një kënaqësi e vërtetë të takojë Kryeministrin e Britanisë së Madhe @BorisJohnson”, ka shkruar Kurti referuar edhe takimeve me zyrtarë të tjerë. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Ka filluar puna drejt rritjes së pagës minimale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se do të fillojnë procedurat për rritjen e pagës minimale. Ai ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi të cilën e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.

Kurti ka thënë se puna për rritjen e pagës minimale vetëm sa ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të hyrave për punëtorët që të kenë një pagë të dinjitetshme.

“Filloi puna drejt rritjes së pagës minimale, drejt përmbushjes së një tjetër zotimi. Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe tutje ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.

“Si hap i parë është rregullimi i kornizës ligjore, në mënyrë që të evitohen të gjitha pasiguritë ligjore ekzistuese në lidhje me rritjen e pagës minimale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin i cili shpejt do të dalë në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj përmbyllet procesi”, ka shtuar ai. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti në 14 vjetorin e Pavarësisë: Përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë dhe pavarësinë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim me rastine shënimit të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti thotë se në këtë ditë nuk kanë se si të mos kujtohen e përkujtohen ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Urime të gjithë qytetarëve të Republikës Dita e Pavarësisë.

Teksa kremtojmë e festojmë, gëzohemi dhe e urojmë njëri-tjetrin, nuk kemi se si të mos kujtojmë e përkujtojmë ata të cilët punuan dhe luftuan për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e vendit.

Andaj, nga kryeqyteti i Republikës këtu në oborrin e përbashkët të Presidencës, Kuvendit dhe të Qeverisë, ku bëmë nderime dhe ngritëm flamurin shtetëror do të vazhdojmë për kryeqendrën e kryengritjes së popullit tonë në Prekaz, pra te Kompleksi “Adem Jashari” dhe më pastaj te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe i veprimtarit Adem Demaçi.

Të gjithë ata të cilët punuan dhe luftuan kanë lënë gjurmë të pashlyeshme për të sotmen dhe të ardhmen tonë, andaj ne u jemi falënderues të gjithëve dhe mirënjohës përjetë./ KultPlus.com.

Kryeministri Kurti priti në takim familjarët e të vrarëve më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicë, në takimin me Gani Xhaka dhe Luan Abrashi, të cilëve atë natë u janë vrarë familjarët në veri të Mitrovicës.

Duke falënderuar kryeministrin Kurti për vëmendjen dhe kujdesin, ata theksuan se kjo është ftesa e parë për takim në kryeministri në këto 22 vite.

Xhaka kujtoi natën e 3 shkurtit, kur nga bomba e tretë e hedhur në banesë u plagos rëndë bashkëshortja e tij Nerimanja, si dhe vajza e tyre Eminja, 11 vjeçare. Ai rikujtoi tmerrin e qëndrimit në banesën e cila ishte kapluar nga zjarri pas bombës së hedhur, ndërsa nuk guxonin të hapnin dritaret pasi serbët e armatosur ishin çdokund.

Pas rreth 4 orësh kishin arritur të largohen për në spital, ku bashkëshortja dhe vajza ishin shtrirë në kate të ndara. Nga plaga e rëndë në abdomen, Nerimanja ndërroi jetë në ora 22:00. Ganiu kujtoi atë natë të rëndë, kur i qëndroi pranë bashkëshortes deri në frymën e fundit. E pas kësaj, mblodhi forcat që të ngushëllonte vajzën e plagosur.

Familja Xhaka jetonte në të njëjtën rrugë me familjen Abrashi, në veri të Mitrovicës.

Luani ishte vetëm 11 vjeçar kur iu vra e ëma, Sebiha Abrashi, nga të shtënat në ndërtesën ku jetonin në veri të Mitrovicës. Ai tregoi se pronat e tyre ishin detyruar t’i shesin në vitin 2009.

Atë natë ishte vrarë edhe shoku i Luanit, Nderim Ajeti, 13 vjeçar.

Para 22 vitesh, natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, strukturat kriminale të Serbisë me formacione të armatosura vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleqë, e plagosën 25 të tjerë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Nerimane Xhaka, Sebiha Abrashi, Nderim Ajeti, Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Selime Berisha, Muharrem Sokoli dhe Remzije Canhasi, u vranë nga plumbat e bombat e strukturave kriminale, me planin për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët.

Atë natë filloi edhe dëbimi i rreth 12 mijë banorëve shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre. Kjo shënon edhe përmbysjen demografike të asaj pjese të Kosovës me shumicë shqiptare në favor të serbëve. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore.

“Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Në momentin e fundit dënimi ynë me vdekje u ndryshua në burgim të përjetshëm në Auschwitz dhe ne u dorëzuam në dyert e ferrit. Aty do të na merrnin ende në pyetje. Me të mbërritur na zhveshën, goditën, rruan dhe na bënë tatuazhe. Që atëherë, ne nuk kishim emra. Unë tani isha numri 39934 dhe nëna ime ishte numri 39933. – Kitty Hart-Moxon

Kjo është veç një prej dëshmive të panumërta që na ndihmojnë të kujtojmë tmerrin e përjetuar në Auschwitz – Birkenau dhe mijëra kampe tjera përqendrimi. Pikërisht sot 77 vite nga 27 Janari i vitit 1945, kur ky kamp përqendrimi u çlirua. U çlirua prej tragjedisë njerëzore të paimagjinueshme më parë. Por me çlirimin nuk ka ardhur asnjëherë harrimi.

Krahas kujtimit, ky tmerr e kjo dhunë fatkeqësisht nuk mori epilogun e duhur as gjatë Gjykimit të Nürnberg kur Lemkin dhe Lauchterpacht për herë të parë definuan termet “gjenocid” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Nuk mori epilogun as përgjatë viteve të tëra të përpjekjeve për të kujtuar. Të aftësisë për të mos harruar.

Të tentimeve për gjetjen dhe dënimet e kriminelëve.

Edhe këto krime kundër njerëzimit përgjatë viteve u përballën me mohimin e pashembullt nga ata që edhe nuk dinin, edhe nuk donin të pranonin realitetin.

Tani e gati tetë dekada, bota njerëzore nuk arrin të zhdukë kujtesën e tmerrit dhe as të luftojë mohuesit e holokaustit.

Megjithatë, kujtesa jeton përtej mohuesve të cilët janë kudo. Prandaj ne sot kujtojmë. Sot angazhohemi, punojmë, veprojmë e përgatitemi që kjo të mos përsëritet. Në asnjë vend. Në asnjë kohë.

KURRË MË! / KultPlus.com

Kryeministri Kurti përkujton Ditën e Holokaustit: Nuk guxojmë të harrojmë

Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar Ditën e Holokaustit, në nderim të miliona hebrejve të vrarë gjatë luftës së dytë botërore, përcjell KultPlus.

Më poshtë KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

“Sot është Dita e Përkujtimit të Holokaustit. Ne nderojmë miliona hebrenj të shfarosur në kampet naziste të vdekjes gjatë Shoah. Le të zotohemi se do të themi gjithmonë emrat e viktimave dhe vendet e tmerrit. Nuk guxojmë të harrojmë”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

Në 24 vjetorin e sulmit të dytë ndaj kullës së Jasharajve, Kurti viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Sot shënohet 24-vjetori i sulmit të dytë ndaj familjes Jashari ku u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari.

E kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz për të parë nga afër ndërhyrjet emërgjente për restaurimin e tyre.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

Tre herë ia mësynë familjes dhe kullës së Jasharajve forcat policore e ushtarake serbe. Sot e përkujtojmë 24 vjetorin e sulmit të dytë. Me 22 janar 1998 u plagosën Selvete (Hamëz) Jashari dhe Iliriana (Rifat) Jashari. Selvetja u vra në Epopenë e UÇK-së një muaj e gjysmë më vonë.

Në këtë përvjetor pashë nga afër ndërhyrjet emergjente dhe fillestare në kullat e Jasharëve që për qëllim kanë mbrojtjen nga degradimi dhe konservimin e këtij margaritari të historisë sonë, sa të lavdishme aq edhe të dhimbshme. Angazhimi ynë për jetësimin e projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz vazhdon me hartimin e detyrës projektuese dhe shpalljen e konkursit ndërkombëtar gjatë këtij viti./ KultPlus.com

Kryeminstri Kurti takon Lea Ypin, e përgëzon për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit

Në Zyrën e Kryeministrit Kurti sot ka shkuar Lea Ypin, profesoreshë e Teorisë Politike, e cila ngjalli shumë reagime pas botimit të librit të saj për vitet e fundit të komunizmit.

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se sot ai e ka pritur në takim ligjëruesen e Teorisë Politike në Departamentin e Qeverisjes në “London School of Economics”, Lea Ypi.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti dhe Ypi diskutuan mbi situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri, sfidat dhe përvojat e qeverisjes.

Ypi, që njihet për bindjet e saj të majta, është pajtuar se “orientimi progresist në të dy shtetet duhet shprehur në reformë të thellë sociale dhe administratë publike cilësore”, thotë komunikata e lëshuar nga ZKM-ja.

Biseda e Kurtit dhe ligjëruesja së Teorisë Politike nuk është ndalur veç në politiken shqiptare. ZKM-ja njofton se Kryeministri dhe Lea Ypi folën për zhvillimet aktuale politike në Britani të Madhe, BE dhe më gjerë.

Lea Ypi ka ardhur në Prishtinë për të promovuar librin “Të lirë – Të rritesh në fund të historisë”, që aktualisht po përkthehet në 15 gjuhë.

Kryeministri Kurti e përgëzoi Ypin për suksesin që ka shënuar libri i saj që në muajin e parë të botimit dhe i dëshiroi suksese të mëtejshme.

Libri “Të lirë” trajton periudhën e viteve ‘80, para rënies së komunizmit në Shqipëri, të shikuar nga sytë e një fëmije. Autorja ka lindur në dekadën e fundit të komunizmit.  / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Trashëgimia e bacës Shaban, është e përjetshme dhe e pavdekshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një dedikim për Jasharët në Prekaz, me rastin e 30 vjetorit të sulmit të parë serb ndaj kësaj familjeje.

Duke shkruar për veprën e kryefamiljarit të Jasharajve, Shabanit, kryeministri Kurti thotë se trashëgimia e tij si bujk, mësues dhe prind i shkëlqyer është e përjetshme dhe e pavdekshme.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Në 30 vjetorin e sulmit të parë të Serbisë mbi Jasharajt në Prekaz

Kultivon tokën, ai njeri që e di se do të jetoj gjatë në marrëdhënie me tokën. Ai i dha tokës, toka i dha atij. Mes tokës dhe njeriut vendoset një besim afatgjatë

Kultivon nxënësin, ai njeri që e di se dija do t’i duhet njeriut, për të gjitha mundësitë dhe pamundësitë që i duhet jeta. Mes mësuesit dhe nxënësit vendoset lidhja e një populli me dijen.

Kultivon fëmijën e vet, ai njeri që e di se çka ka marrë prej së shkuarës duhet ta mbrujë në të ardhmen e vet. Një prind që e njeh të shkuarën e vet si dheun e një njerëzie dhe të vërtete, e përçon mandej në dejet e së ardhmes bashkë me gjakun.

Ky është Shaban Jashari. Baca Shaban, bashkë me djemtë e tij, me nxënësit e tij më të përditshëm, me bujqit e tij më të ngushtë, më 30 dhjetor të vitit 1991, 30 vite më parë, shprehte vetëdijen më të lartë për tokën dhe të shkuarën e tyre, për popullin dhe të ardhmen e tij. Trashëgimia e këtij bujku, mësuesi dhe prindi të shkëlqyer është e përjetshme, e pavdekshme. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, po bëjmë krejt çka mundemi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se reduktimet e rrymës pothuajse janë hequr, shkruan KultPlus.

Kurti thotë se po bëjnë krejt çka munden duke u bërë thirrje edhe qytetarëve për shpenzim racional të energjisë.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.

Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MËh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GË, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MË) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!    

Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.

Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.

Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.   

Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.

Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.

Përzemërsisht,

Albin Kurti./KultPlus.com

Kyreministri Kurti: Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut

Sot, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka uruar Krishtlindjet, përcjell KultPlus.

“Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz”, ka shkruar Kurti.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Vëllezër e motra të krishterë, gëzuar!

Ju uroj nga zemra mbarësi! Ju uroj një mbrëmje të shkëlqyer në ngrohtësinë familjare dhe të miqve. Qoftë një vit i suksesshëm për të gjithë ju.

Besoj se jemi të ndërgjegjshëm bashkarisht për kushtet në të cilët na ka vendosur pandemia, për realitetin kompleks global, për krizën energjetike, ku dritën e gjejmë nëpër festa të këtilla. E, sinqeriteti, puna dhe ndjenja e përbashkët janë çelësi i çdo suksesi në jetën e secilit prej nesh. Ne do të jetojmë gjithnjë në rrethanat e kohës, por mendimi, vullneti duhet të ushqehen prej besimit. Nuk ka shpresë pa besim.

Besimi është themeli që na e ofron çdo fe neve si popull, andaj dhe ne e respektojmë njëri-tjetrin, në fe e në praktikë. Ne e dimë mirë se dashuria mes nesh është virtyti më i lartë i njeriut. Pasuria jonë kulturore, rrënjosur në traditën tonë popullore, në vetëdijen tonë kolektive për një fat të përbashkët.

Me këtë përvojë të madhe kombëtare ndërfetare ju urojmë motra e vëllezër katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë shqiptarë më të mirën. Sepse, kjo ditë është ajo e lindjes së bartësit të mesazhit të dashurisë ndër njerëz.
Shpreh besimin e thellë se si shoqëri ne do të punojmë që urimet që ju i adresoni sot njëri-tjetrit, si dhe urimet që ne u adresojmë sot juve, të marrin në vitin e ardhshëm sa më shumë realitet.

Gëzuar Krishtlindja! / KultPlus.com