Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot ka pritur në takim kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Në një komunikatë per media është bërë e ditur se Kryeministri Kurti e uroi Sinanin për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike Shqiptare të drejtuar nga Ragmi Mustafa dhe për detyrën e re si kryetare e komunës.
“Kryeministri Kurti i ofroi mbështetje në realizimin e programit qeverisës dhe shprehu gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për bashkëpunim të afërt institucional në shërbim të Preshevës dhe qytetarëve atje pa dallim”, u tha në komunikatë.
Ardita Sinani u zgjodh Kryetare e Komunës së Preshevës me 24 vota në asamblenë komunale, të mbajtur me 30 korrik, 2024.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar, sot do të zhvillojnë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut.
Ai do të ketë një takim bilateral me kryeministrin të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski.
Kështu kishte deklaruar dje për Klankosova.tv zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, kishte thënë Kryeziu.
Vizita e Kurtit, vjen pak ditë pas incidentit ndaj presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit.
Lidhur me rastin, Presidenca pati deklaruar se Osmanit iu kërkua të skanohej telefoni i saj nga stafi i aeroportit.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me xhudisten Distria Krasniqi, pasi ajo fitoi medaljen e Argjendtë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Kurti tha se “ne e dëshmuam historinë”, ndërsa Distria e bëri historinë, ku u bë medaljiste e dyfishtë olimpike. “Në Tokio 2020 e mori të artën në kategorinë deri në 46 Kg, kurse tash në Paris 2024 të argjendtën në kategorinë deri në 52 Kg. Ajo ka një qëndrim dhe vështrim prej shqiponje të Bjeshkëve të Rugovës. Gjatë ndeshjes Distria është aq e fuqishme, e shpejtë dhe e përqendruar saqë duket sikur ose kjo ose kundërshtarja e kanë gabuar kategorinë”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, ai e falënderoi Distrinë për shërbimin që po ia bën shtetit dhe për gëzimin e krenarinë që po ua jep qytetarëve të vendit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Donjeta Sadiku po edhe xhudistët e Kosovës duhet të inkurajojnë të rinjë kosovarë për t’u marrë me sport.
Këto komente Kurti i ka bërë për RTK pas fitores së Donjeta Sadikut kundër Thamanya Somnuek nga Tajlanda në Lojërat Olimpike Paris 2024.
“Me atë çfarë pamë sonte prej Donjetës, jemi optimistë në vijim. Qeveria e do sportin, e do sportin për qytetarët, dhe rasti i Donjeta Sadikut, rasti i xhudisteve të Kosovës, duhet të inkurajojë të rinjtë e Kosovës që të merren më shumë me sport”, ka thënë Kurti.
Kurti gjithashtu ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike, duke nënvizuar ndikimin e sportit në diplomaci dhe politikën e jashtme.
“Sporti ka një aspekt të rëndësishëm të diplomacisë dhe politikës së jashtme, sepse përmes tij ia del që ta paraqesësh vendin”, është shprehur tutje ai.
Kryeministri Albin Kurti i është gëzuar lajmit Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur për disa vende më lartë në Webometrics.
Në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se UP-ja ka shënuar rritjen më të lartë ndonjëherë, por edhe ka përmendur mundësitë e transferimit e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik
“Universiteti i Prishtinës me ngritjen më të madhe dhe renditjen me të lartë në Webometrics ndonjëherë. Ky lajm i mirë i shtohet lajmit tjetër të ditëve të fundit, që me rastin e miratimit të Statutit të ri të Universitetit, për herë të parë, anëtarë të personelit akademik që janë në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë, sipas renditjes së ‘Times Higher Education World University Rankings’ ose ‘QS World University Rankings’ do të kenë mundësi transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik”.
“Sipas statutit të ri, ‘kërkesa për transferim bëhet me propozimin e rektorit, dekanit ose këshillit të njësisë akademike përkatëse dhe miratohet nga senati.’ Kështu, kandidatët e interesuar, që e plotësojnë kriterin e mësipërm, mund të shprehin interesin te cilido prej këtyre autoriteteve, pra rektori, dekani ose këshilli i fakultetit përkatës”, ka thënë Kurti.
Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rast.
Pjesëmarrjes për herë të tretë të Kosovës në këto lojëra, shefi i qeverisë e ka quajtur moment historik, i cili ka ardhur si rezultat i një pune dhe pasioni të pashoq të sportistëve, por edhe të trajnerit të xhudos Driton Kuka.
Ai tha se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.
“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, tha Kurti.
Gara e LO “Paris 2024” do të mbahen nga 26 korrik e deri më 11 gusht.
Kosovën do ta përfaqësojnë pesë sportistë nga xhudoja, të prira nga medalistet e arta të “Tokyo 2020”, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, një nga boksi (Donjeta Sadiku), një nga atletika dhe dy nga noti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka përkujtuar masakrën e Poklekut. Ai ka thënë se Serbia me projektin e saj “Paktoi”, vrau edhe gra shtatzëna me qëllim që ta shfaroste popullin shqiptar. Kurti u shpreh se shqiptarët e Kosovës, janë të mbijetuarit e gjenocidit serb në Kosovë.
“Më 17 prill 1999, në shtëpinë e familjes Muçolli, u vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç, te foshnja 6 muajshe, Liria, e deri te gratë shtatzëna. U vranë edhe foshnjet në djep, e foshnjet e palindura, sepse ishin e ardhmja e një populli të cilin Serbia donte ta shfaroste me projektin serbomadh “Patkoi”. Ne, populli i Kosovës, jemi të mbijetuarit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Prandaj asnjëherë nuk mund të harrojmë. Gjithnjë do të dëshmojmë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se Pokleku i vjetër është dëshmi e gjenocidit serb kundër shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, masakrën e Srebrenicës e ka cilësuar si paralajmërim të projektit gjenocidal serb në Kosovë.
“Çdo përvjetor është dhimbje që ripërtërihet jo vetëm për popullin boshnjak por edhe për ne popullin e Kosovës, që 25 vjet më parë kemi përjetuar tmerrin e luftës. Masakra në Srebrenicë krahas së qeni dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnje e Hercegovinë, ishte edhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë përkujtimore të Srebrenicës, e cila u mbajt në Institutin e Historisë në Prishtinë.
Ai ka thënë se kjo masakër ka lënë plagë të hapura në ndërgjegjen e njerëzimit, teksa ka thënë se regjimin e Millosheviqit e ka përjetuar edhe Kosova. Njësoj si në Bosnje e Hercegovinë, Kurti ka thënë se edhe në vendin tonë ka familje të cilët ende e ndjejnë dhimbjen e luftës, duke përmendur masakrën e familjes Bogujevci, ku mbetën të vrarë 14 anëtarë të familjes, ndërkaq nënkryetarja e tanishme e Kuvendit, Saranda Bogujevci i mbijetoi masakrës.
“Serbia nuk u mbajt përgjegjëse asnjëherë. Derisa familjet kërkojnë ende eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje ose madje të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale…Teksa vazhdon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e luftës, pasardhësit politik të Millosheviqit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e saj ekspansioniste ndaj Bosnje e Hercegovinës e ndaj Kosovës”, ka deklaruar kryeministri.
Zëvendëskryeministrja nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilja Rexhepi, ka thënë se gjenocidi ndaj popullit boshnjak ka ndodhur sepse Serbisë nuk i ka pëlqyer përkatësia e tyre kombëtare ose fetare.
“Srebrenica është bërë simbol i dhimbjes njerëzore. Jetët e pafajshme janë shuar dhe kanë lënë zbrazëti të cilat asnjëherë nuk mund të plotësohen. Fëmijët kanë mbetur pa baballarët e tyre, nënat kanë humbur djemtë, bashkëshortet kanë mbetur pa bashkëshortët. I tërë komuniteti ka qenë i thyer”, ka thënë ajo.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999, projekti gjenocidal i regjimit të Millosheviqit nuk do të ndalej.
Në një paraqitje për gazetaren Christiane Amanpour në CNN, Kurti tha se forcat policore dhe ushtarake të Millosheviqit e deshën Kosovën vetëm si territor, por pa popullin e saj shqiptar.
“Paraprakisht ka pasur një dyzinë masakrash kundër popullsisë civile në Kosovë ku fëmijë, gra e të moshuar janë vrarë, gra janë dhunuar, shtëpi e fshatra të tërë janë djegur dhe e gjithë kjo ka qenë përbrenda projektit gjenocidal të regjimit të Millosheviqit që Kosova të jetë pa popullin e saj, pa shqiptarë. Pra, ata e panë vendin tonë si territor e jo si popull, dhe deshën që ata njerëz ose të vriteshin ose të dëboheshin. Dhe operacioni ‘Patkoi’ po realizohej kur NATO-ja intervenoi dhe ndaloi gjenocidin e Serbisë. Prandaj, ndalimi i gjenocidit dhe çlirimi i vendit tonë, dhe sjellja e paqes në fund, ishin një dhe e njëjta gjë që u mundësua dhe më vonë u garantua nga NATO-ja”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që duhet të marrë fund epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Ky reagim i tij erdhi në platformën X derisa në profilin e tij e ka shpërndarë një postim të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtëtit, Matthew Miller, i cili ka kërkuar që Serbia të përfundojë hetimin e rastit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi në Serbi në vitin 1999.
“Trupat e tre vëllezërve të rinj shqiptarë kosovarë, të cilët ishin gjithashtu shtetas amerikanë, u gjetën në një varr masiv menjëherë pas luftës”.
“Agroni, Mehmeti dhe Ylli u vranë në paraburgimin e policisë serbe, me plumba në kokë, ndërsa duart e tyre ishin të lidhura”.
“Megjithatë askush nuk është mbajtur përgjegjës. Epoka e mosndëshkimit të krimeve të tmerrshme nga Serbia duhet të marrë fund”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar zgjedhjen e Mark Rutte në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së.
“Ne në Kosovë e festojmë këtë lajm dhe jemi të etur për të vazhduar marrëdhëniet e forta që gëzojmë me ju në këtë kapacitet të ri”, ka shkruar Kurti teksa ka uruar shefin e ri të NATO-së, Rutte.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti,ka vizituar akademikun Rexhep Qosja me rastin e 88 vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se puna e tij si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe si kritik letrar i shquar, e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:
Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë.
Sot pata nderin të vizitoj shtëpinë e autorit të shquar për ta uruar personalisht për ditëlindjen e tij të 88-të.
Kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë. Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore.
Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!/ KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka uruar Ditën Memoriale të komunitetit egjiptian në Kosovë.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se sot festohet kontributi i vazhdueshëm dhe roli qenësor i pjesëtarëve të tij në shtetin e Kosovës.
“Gjatë këtyre më shumë se tri vjet qeverisje, mirënjohjen ndaj jush e kemi shprehur me mbështetje institucionale në arsim përmes bursave të studimit e qendrave të mësimit, në mirëqenie përmes punësimit dhe programeve për praktikë në punë, ndërtimit dhe renovimit të shtëpive dhe projekteve infrastrukturore, e në ndërmarrësi përmes granteve për biznese të vogla”.
“Republika jonë është republikë e të gjithëve. Zhvillimi dhe progresi është i qëndrueshëm atëherë kur është i gjithëmbarshëm. Në këtë ditë i gëzohemi arritjeve të përbashkëta, rreshtohemi përballë sfidave dhe zotohemi për punë dhe bashkëpunim në përmirësimin e mëtejmë të mirëqenies, pozitës dhe mundësive tuaja në vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se për herë të parë në Kosovë është duke vazhduar digjitalizimi masiv i lëndëve të arkivës.
Me anë të një postimi në platformën X, ai ka theksuar se brenda tre viteve pritet të jenë të digjitalizuar më shumë se 7 milionë dokumente.
“Në kohën tonë, arkivi digjital është një mjet thelbësor për të ruajtur kujtesën tonë institucionale dhe kolektive, si dhe për t’i bërë qytetarët që të kenë qasje më shumë në to”, ka pohuar Kurti.
A mass digitization of archival material is under way in Kosova, for the very first time. With state-of-the-art, high-resolution scanners already in place, in 3 years, we expect to have more than 7 million digitized documents.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se për shqiptarët nuk ka datë me rëndësishme në 100 vitet e fundit, se Dita e Çlirimit të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në tubimin me strukturat e partisë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të ‘Javës së Lëvizjes”, tha se nuk është rastësi që Lëvizja Vetëvendosje u formua në përvjetorin e çlirimit të Kosovës në vitin 2005.
Ai tha se nuk është rastësi Vetëvendosje gjithmonë e ka nderuar 10 qershorin e Lidhjes ë Prizrenit dhe 28 Nëntorin e Vlorës, dhe tash me qeverisjen e Vetëvendosjes, edhe 17 shkurtit po i japin kuptimin e vërtet, siç kanë dashur dëshmorët dhe martirët tanë dhe populli liridashës i Kosovës.
Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka përmendur dhe ish krerët e UÇK-së që janë në gjykim në Hagë e që tha se presin që të kthehen në Kosovë siç e meritojnë ata.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar shtëpinë muze të filozofit dhe aktivistit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, nga ku ka thënë se nuk do të reshtet kurrë së kërkuari drejtësi.
Kryeministri Kurti më tutje ka thënë se ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëhet për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:
Sot mendimtari politik, filozofi dhe aktivisti i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, do t’i mbushte 81 vjet. Në nderim të ditëlindjes së Bacës Ukë, vizitova Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, si vend i lavdisë historike shqiptare, i mendimit të thellë politik dhe i një jete të jetuar denjësisht. Këtu kthehemi çdo vit, në ditëlindje e ndërmjet ditëlindjeve, për ta rikujtuar jetën e tij teksa rilexojmë veprën e tij, e cila është përherë aktuale.
Ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, teksteve, e dokumenteve të pabotuara deri më tani për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëjmë, për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin dhe lexuar rreshtat e mendimit të mprehtë politik të tij.
Sepse Ukshin Hoti ka bërë aq shumë për Republikën në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik, për arritjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nuk do të reshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin, i cili u zhduk menjëherë pas lirimit nga burgu, nga aparati shtetëror serb./ KultPlus.com
Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.
Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.
Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.
Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar festën e Kurban Bajrami për të gjithë besimtarët myslimanë.
Ai ka theksuar se me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, “le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë”.
“Me fat Bajrami! Gëzuar kjo festë që është edhe kujtesë për vlerat e sakrificës dhe devotshmërisë. Për të qenë falënderues për bekimet tona dhe për t’i ndarë me ata që kanë më shumë nevojë. Për më shumë mirësi ndaj njëri-tjetrit, bujari e kujdes për të gjithë, e për bashkim rreth thirrjes për vepra të mira”.
“Me zemra të hapura dhe duar të zgjatura njëri-tjetrit, në këtë Kurban Bajram, le të ndajmë gëzimin me të gjithë ata që na rrethojnë. Le të jemi zemërgjerë, jo vetëm me të mirat materiale, por edhe me kohën, dashurinë dhe mbështetjen tonë. U shtoftë solidariteti ndër ne. Sakrifica e dëlirë u bëftë shpërblim për më të mirën në ne”, ka thënë Kurti në rrjetin social Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gëzuar që studio-bunkeri ku janë përhapur lajmet e radios “Kosova e Lirë”, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë.
Përmes një postimi në Instagram ku ka ndarë edhe disa fotografi, ai shprehi mirënjohje për çlirimtarët lajmëtarë.
“Radio “Kosova e Lirë” ishte radio e Kosovës që luftonte për liri. Lirinë e medias sot, nuk do ta gëzonim dot pa luftën për liri. Gëzohem që kjo vlerë e veçantë e luftës, ky studio-bunker, tani është nën përkujdesjen e shtetit tonë. Një mirënjohje dhe urim i veçantë u takon çlirimtarëve lajmëtarë. Urime 25-vjetori i çlirimit të vendit”, ka shkruar shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.
Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e së dielës bëri homazhe në qytetin e Prizrenit, për të vrarët në masakrën e Tusuzit.
Ai vendosi kurora me lule te varret e të vrarëve, në nderim dhe përkujtim të martirëve e dëshmorëve të Lagjes së Trimave.
“Martirët dhe dëshmorët e kombit janë në njërën anë dëshmi e qëndresës sonë, e rezistencës së popullit, e atdhedashurisë për të jetuar në liri e në paqe në tokën stërgjyshore, por në anën tjetër janë gjithashtu edhe dëshmi e krimeve të Serbisë, e krimeve të kryera gjatë luftës, ku bëjnë pjesë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi”, tha Kurti.
“27 martirët e Tusuzit, janë sot 27 lule nga të cilët rritet liria jonë dhe gëzohet shteti ynë”, shtoi shefi i qeverisë.
Në këto homazhe, teksa përkujtoi të rënët e masakrës, kryeministri u shpreh se në lapidarin e të rënëve është i skalitur emri i Behar Abdylmexhitit, i cili atë kohë ishte vetëm 17 vjeçar, si dhe Fazile Maqkaj, e cila u dogj e gjallë në karrocën invalidore të saj.
Më tej, kryeministri duke përmendur djegien e mbi 300 shtëpive, dhe dhembjen për vrasjen e 27 civilëve nga forcat armike serbe, që sot janë martirë të kombit, theksoi se nevojitet edhe drejtësia e jo vetëm pavarësia e shtetit.
Teksa foli për këtë masakër, për të cilën vetëm dy persona mbahen në burg dhe katër të tjerë ndiqen, Kurti shtoi se numri i ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve është shumë më i madh se kaq, tha Zyra e Kryeministrit në një kumtesë, raporton Klankosova.tv.
Kurti i bëri thirrje Prokurorisë së shtetit që me fuqinë dhe dijeninë e saj të bëjë gjithçka, në mënyrë që të ketë drejtësi ata që mungojnë tash e 25 vite.
Kryeministri tha se drejtësia i mbyllë plagët që kullojnë dhe sjellë paqe të qëndrueshme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Mbretërinë e Bashkuar.
Kurti, do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ku edhe do të jetë folës kryesor.
Aty do të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në këtë konferencë.
“Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk.Ai tha se edhe pas një ҫerek shekulli më vonë, fati i tij nuk është zbardhur.
“Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur ai. Drejtësia për të nuk ka filluar ende”, tha ai.
Ai ka thënë se çdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë.
“Në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, përkujtojmë heroinën Marte Tunaj. Me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë. Për këto krime, drejtësia është vonuar”, tha ai.
“25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme”.
Tutje ai tha se Republika nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sonte Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.
“Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.