Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk.Ai tha se edhe pas një ҫerek shekulli më vonë, fati i tij nuk është zbardhur.
“Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur ai. Drejtësia për të nuk ka filluar ende”, tha ai.
Ai ka thënë se çdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë.
“Në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, përkujtojmë heroinën Marte Tunaj. Me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë. Për këto krime, drejtësia është vonuar”, tha ai.
“25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme”.
Tutje ai tha se Republika nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, sonte Kurti do të marrë pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, ndërkaq nesër do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”.
“Ky samit gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, po mbahet në Kotor të Malit të Zi nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”, thuhet tutje në komunikatë.
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se deri tani janë regjistruar mbi 1,420,000 qytetarë residentë në Kosovë.
Ai me anë të një video të publikuar në rrjetin social Facebook ka bërë thirrje që kosovarët edhe në diasporë të regjistrohen sa më shumë në pasi ky proces tashmë është në javën e fundit të implementimit.
“Mbi 1,420,000 qytetarë residentë të regjistruar deri më tani, teksa kemi hyrë në javën e fundit të procesit më të rëndësishëm për 10-vjeçarin e ardhshëm”.
“Thirrja jonë për regjistrim vazhdon. Të gjithë ata që nuk janë regjistruar deri më tani, në Kosovë e në diasporë, ju ftoj t’i shfrytëzoni këto ditë të mbetura deri me 17 maj”, ka thënë Kurti.
Në videon e publikuar ai bën me dije sot ka qenë për vizitë në Komunën e Kamenicës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, me të cilin thotë se janë të kënaqur me numrin e madh të qytetarëve që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për regjistrim.
“Të dhënat më të fundit na tregojnë se banorët e kësaj komune i janë përgjigjur pozitivisht dhe pahezitim thirrjes sonë për regjistrim. Kamenica është një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë”.
“Kjo po vërtetohet edhe me përqindjen e lartë të qytetarëve tanë të komunitetit serbe në procesin e regjistrimit të popullësisë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar sot në Ditën e Martirëve në Korishë 77 civilë shqiptarë të vrarë, prej tyre 14 fëmijë, kur më 13 maj të 1999-ës, forcat serbe kryen masakër mbi popullsinë civile.
Në këtë ditë kushtuar martirëve, Kurti kujton civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999.
”Dita e Martirëve në Korishë
Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.
Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.
Lavdi martirëve të Korishës!
Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dedikuar një shkrim Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, pasi ka hipoteza të historianëve që ditëlindja e tij mund të jetë sot, më 6 maj.
Kryeministri Kurti ka thënë se Skënderbeu është referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:
Nga Prishtina në Gjakovë e nga Tirana në Shkup dhe deri te arbëreshët në San Basile të Italisë, këto ditë u kujtua me nderime dhe me shtatore të reja heroi kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ky portret i tij, është publikuar në biografinë më të njohur të Skënderbeut, shkruar nga Marin Barleti dhe botuar më 1508.
Siç besohet gjerësisht, Gjergj Kastrioti kishte lindur para 619 vitesh, më 6 maj të vitit 1405. Kjo duke u bazuar në një traditë antroponomike mesjetare, sipas së cilës të lindurit në ditë shenjtorësh pagëzoheshin me emrin e shenjtorit përkatës, prej nga disa historianë kanë hedhur hipotezën që Gjergj Kastrioti, mund të ketë lindur pikërisht më 6 maj, ditën e Shën Gjergjit, me emrin e të cilit shenjtor është pagëzuar.
Sidoqoftë përtej ditëlindjes së tij, ka gjithmonë arsye dhe dobi të kujtohet jeta dhe vepra e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë, fisnikut më të shquar arbëror të Mesjetës. Skënderbeu ishte një luftëtar i paepur për liri, strateg ushtarak gjenial, burrështetas i guximshëm dhe diplomat vizionar. Ai drejtoi një rezistencë dhe qëndresë të pathyeshme ndaj osmanëve që nga viti 1443 e deri sa vdiq më 1468.
Lidhjet e Skënderbeut me shtetet italiane dhe perëndimore si me Mbretërinë e Napolit, me Papatin e Romës dhe me Republikën e Venedikut, janë rikthyer dhe rimarrë si raporte referenciale politike për shqiptarët edhe në kohët moderne. Në shekullin e XIX, figura e Skënderbeut u mor nga rilindasit shqiptarë dhe u vendos në qendër të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Stema dhe flamuri i dikurshëm i Kastriotit u bënë bazë e flamurit kombëtar dhe shtetëror nga shqiptarët në fillim të shekullit të XX.
Vepra e Skënderbeut është dhe do të mbetet referenca e parë fillestare e çdo vetëdije shtetëndërtuese dhe e çdo ndërgjegjje komunitare për shqiptarët.
Andaj përherë, lavdi i Skënderbeut brez pas brezi do të shtohet!/KultPlus.com
Kryeministri Albin Kurti ka uruar komunitetin e goranëve për ditën e tyre.
Në urimin e Kurtit thuhet se kontributi i goranëve në jetën shoqërore të vendit mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm.
“Vitin e kaluar, kam pasë mundësinë të takohem përsëri me përfaqësues tuaj, si në Prishtinë, por po ashtu dhe gjatë një vizite në Dragash. Që nga fillimi i mandatit tonë, kemi dëshmuar se askush, nga asnjë komunitet, nuk do të lihet pas, por do të jetë pjesë e zhvillimit e progresit tonë, ku politikat progresiste të shtetit mbërrijnë tek të gjithë”.
“Andaj dhe nuk kanë munguar investimet e qeverisë sonë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetjes ekonomike, ndërtimit të shtëpive, përfitimit nga kuotat e punësimit apo dhe verifikimit të diplomave. Kjo ditë feste na rikujton se bashkë kemi bërë shumë, por mund të bëjmë ende më shumë. Do të vijojmë punën në mbrojtjen, promovimin e mbështetjen e komunitetit goran”, thuhet në urim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypi ka thënë se qeveria e tij është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e medias në vend.
Këtë deklaratë Kryeministri Kurti e ka bërë në rrjetin “X”.
“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh dhe të armatosur”, shkroi Kurti në X.
Qëndrimi në Hannover i kryeministrit Albin Kurti, vijoi ditën e sotme me takimin e radhës me kryetarin e landit të Niedersachsen, Stephan Weil.
Në njoftim thuhet se Kurti fillimisht e falënderoi për ftesën në darkën e djeshme, ku takoi edhe ministrin e Ekonomisë të Gjermanisë, njëherësh zëvendës kancelarin gjerman, Robert Habeck dhe ministrin e Industrisë dhe Resurseve Minerale të Arabisë Saudite, Bandar Alkhorayef.
“Gjatë bashkëbisedimit, u trajtuan tema si bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor dhe rëndësia e bashkëpunimi rajonal në përgjithësi. Biseduan për energjinë e ripërtëritshme, marrë parasysh potencialin dhe investimet që po bën Kosova këtë sektori dhe përvojën e landit të Niedersachsen në këtë fushë, si dhe për sektorin e teknologjisë dhe industrisë dhe ofertën e vendit tonë për investitorë të huaj”.
“Rëndësi e veçantë iu kushtua dhe mërgatës sonë atje, kontributin e tyre jo vetëm nga ana ekonomike por edhe në jetën shoqërore e kulturore në Gjermani dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave. Në këtë takim, Kryeministri Kurti u shoqërua dhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vizitën e parë në Sofje të Bullgarisë, është pritur nga liderë shtetërorë dhe kanë marrë pjesë bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që kësaj radhe, sipas Kurtit, mbajti punimet në kryeqytetin bullgar.
“Qëndrimin atje e filluam me pjesëmarrjen në ceremoninë hapëse të Forumit. Në fjalën përshëndetëse vura theksin te rëndësia e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal drejt integrimit më të madh ekonomik dhe prosperitetit për rajonin tonë”, ka shkruar i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në faqën e tij në Facebook.
Për marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve, Kurti tha se sfidat dhe mundësitë, raportet dypalëshe dhe bashkëpunimi rajonal kanë biseduar me kryeministrin në detyrë të Bullgarisë, Dimitar Glavchev me të cilin, siç tha Kurti, janë takuar për herë të parë, dhe me presidentin e vendit, Rumen Radev, katër muaj pas bisedës në Prishtinë.
“Ndërmjet takimeve me krerë të shtetit bullgar, isha folës në sesionin e diskutimit me titull “Pyetje për vizionarët: Roli i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në bashkëpunimin ekonomik rajonal”, në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës që sivjet u zhvillua me moton “Vazhdimi i ndërtimit të urave në kohë të vështira”. Aty shpalosëm historinë tonë të suksesit dhe arritjet përgjatë qeverisjes sonë dhe vizionin tonë për sektorin e teknologjisë që dita ditës po bëhet identitet i vendit”, ka shkruar Kurti.
Ai ka shkruar se pas Sofjes, vazhdojnë drejt Hanoverit të Gjermanisë bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, për më shumë takime me ndërmarrës, investitorë potencialë dhe përfaqësues politikë të landit gjerman Niedersachsen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të paluajtshme e ka vetëm një banesë me sipërfaqe prej 67 metrash katrorë, e blerë në vitin 2018 përmes kredisë në shumë prej 400 mijë euro, e që e cila figuron në emrin e bashkëshortes së tij.
Kurti nuk ka deklaruar se ka pasuri të luajtshme, ndërsa ka thënë se para të gatshme në emrin e tij i ka vetëm 1 mijë e 551 euro e 72 cent, ndërsa në emër të gruas së tij, para të gatshme në bankë i ka deklaruar 2 mijë e 500 euro.
Ai tha se ka detyrime ndaj bankës 270 mijë euro për blerjen e banesës, kredi për të cilën tha se i përfundon më 1 janar të vitit 2052, ndërsa ka thënë se paguan edhe qira të shtëpisë në vlerë prej 250 euro.
Kurse sa i përket të ardhurave, Kurti ka thënë se ai merr pagë vjetore si kryeministër në vlerë prej 19 mijë e 43 euro, kurse gruaja e tij, tha se pagën vjetore te punëdhënësi “NUPI”, i merr 528 mijë krona suedeze apo 45 mijë e 201.8 euro.
Në përkujtim të masakrës në Poklek të Drenasit, kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule.
Në 25-vjetorin e kësaj masakre, kryeministri përkujtoi 54 civilët shqiptarë, të vrarë mizorisht nga gjenocidi i ushtrisë serbe.
Kurti u shpreh se kjo masakër brutale nuk fshihet nga kujtesa e popullit shqiptar. Ai tha se kjo paraqet plagë të hapur e që kullon, meqenëse ende nuk ka drejtësi për krimet e kryera nga Serbia.
“Gjaku i derdhur, e kufomat të bëra hi, të cilat nuk kanë mundur të ndahen për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme ndaras por është dashur që të bëhen bashkërisht, janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës”, tha kryeministri.
Ai shtoi se fakti qe pasi që i kanë vrarë, i kanë grumbulluar e i kanë djegur në përpjekje për ta zhdukur gjurmën e krimit, tregon se sa fajtor janë ata kriminelë.
Kryeministri Kurti, ritheksoi se gjatë vitit të kaluar, më 1 qershor, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i ka dërguar letër presidentit të Serbisë që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave. E njëjta kërkesë i është dërguar edhe zëvendës presidentit të Komisionit Evropian, përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, por që ende nuk ka ndonjë përgjigje në lidhje me domosdoshmërinë e hapjes së arkivës.
Pas homazheve dhe vendosjes së luleve tek varrezat e të vrarëve, kryeministri vizitoi edhe shtëpinë muze të familjes Muqolli, në të cilën janë vrarë dhe djegur civilë shqiptarë të pambrojtur, të paarmatosur.
Në këto homazhe kryeministri Kurti, ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar lirim të menjëhershëm të qytetarëve kosovarë që janë ndaluar e që po mbahen të bllokuar nëpër kufijtë me Serbinë.
I pyetur nga RTK për veprimet e autoriteteve serbe nëpër kufij, kryeministri Kurti deklaroi që kjo situatë ishte e paralajmëruar nga Serbia, derisa thotë se kjo po bëhet edhe pas suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së.
“Të dielën ka pasur një deklarim publik nga presidenti i Serbisë, ku është paralajmëruar se do të ketë kësi lloj arrestimesh e ndalimesh për shqiptarët në vendkalimet kufitare. Ai ka thënë publikisht kur e ka vizituar njësitin e specializuar Kobra të ushtrisë së Serbisë se aty ku kanë kontroll efektiv do të ketë sulme mbi ata që Serbia i konsideron të padëshirueshëm. E këtu e ka fjalën për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që janë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe jo vetëm, por gjithashtu edhe për serbët të cilët janë të integruar në institucionet e sistemit tonë. Ndërkaq, pas kalimit me sukses me 82 përqind të votave në Asamblenë Parlamentare të KiE-së duket se është përshpejtuar dhe është rritur përmasa e Serbisë, e cila thjesht ka problem me faktin që ne si popull dhe si shtet ekzistojmë”, ka theksuar Kurti.
Këto komente kryeministri i bëri pas homazheve në Poklek në 25 vjetorin e masakrës së forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë.
Ai tutje theksoi se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.
“Shumë prej të cilëve mbase i kanë ende në pushtet që asokohe bënin urdhërdhënie e ekzekutim, e këtu nuk e kam fjalën vetëm për presidentin e Serbisë, i cili dihet botërisht se ka qenë ministër i Informacionit. Qindra shqiptarë të ngujuar e të arrestuar nga autoritetet e Serbisë duhet të lirohen menjëherë, qoftë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo kufirin e Serbisë e Kroacisë dhe duhet t’u mundësohet dhënia e ushqimeve dhe medikamenteve, meqenëse për disa prej tyre po bëhen 24 orë që mbahen kësisoj të ngujuar dhe në mesin e atyre qindrave janë me dhjetëra fëmijë, e të cilët sigurisht se vuajnë më së shumti këtë gjendje kriminale që është bërë me urdhërdhënie nga Beogradi”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se nëse dëgjohet me vëmendje se çfarë ka thënë presidenti i Serbisë kur e ka vizituar njësitin Kobra, aty do të mund të kuptohet se ajo që po ndodhë sot ka qenë e paralajmëruar.
Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve.
Pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamjet nga udhëtimi i dy varkave turistike mbi Liqenin e Shkodrës, teksa i cilësoi edhe si dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik.
“Dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik janë rikthyer këtë pranverë në Liqenin e kryeqytetit të Veriut pas viteve ‘30 të shekullit të shkuar, falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit për bashkinë e rilindur të Shkodrës”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me deputetin kanadez, Rob Oliphant me të cilin kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada.
Përmes një postimi në “X”, Kurti është shprehur mirënjohës për mbështetjen e Kanadasë.
“Është kënaqësi të diskutoj për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada me deputetin kanadez Rob Oliphant Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë që nga ’99”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti është shprehur që Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, është shprehur Kurti.
Ai tutje ka thënë se për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare.
“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, është shprehur kryeministri.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ekipin e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Prishtinë “Burbuqe Berisha”, ku pjesëmarrës ishin Profesor Zijad Mehiq, drejtor, Doruntina Alishiqi, drejtore artistike e Festivalit.
Profesori Zijad Mehiq dhe ekipi i tij shpalosën planet e reja të PITF dhe zhvillimet programore më të fundit. Ekipi i PITF e njoftoi kryeministrin me programin e këtij viti, që shënon edicionin e tetë, e për të cilin kanë pranuar më shumë se 100 aplikime nga vende të ndryshme të botës.
Në njoftim thuhet se festivali do të shërbejë dhe si platformë për të njohur më mirë trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Kryeministri Kurti e ka uruar ekipin për punën e tyre të shkëlqyer. Përgjatë takimit u diskutua edhe rreth çështjeve të tjera zhvillimore të ndërlidhura me artin skenik në Kosovë, por edhe u përkujtua autori i mirënjohur nga Sarajeva, Abdulah Sidran, i cili ndërroi jetë para tri javëve.
“PITF po inkurajon zhvillimin e Teatrit, ngritjen e kuadrove të reja skenike dhe promovimin e artit e kulturës së Kosovës në botë, duke e lartësuar kështu më shumë veprën dhe emrin “Burbuqe Berisha”, si një prej figurave të rëndësishme të artit skenik të cilën e humbëm në tetor të vitit 2021”,thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet aktuale kanë qenë temë e bisedës.
“Diskutimi u fokusua edhe në hapin e radhës drejt anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës dhe rëndësinë që anëtarësimi në këtë organizatë sjell në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave përmes qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, thuhet në njoftim.
Kurti në takim ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar si shtet themelues i Këshillit të Evropës.
Gjatë qëndrimit në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi dy përfaqësues të mërgatës shqiptare të Rumanisë, zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”(ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin e shkencave dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi.
Sipas komunikatës nga zyra e kryeministrit, së bashku me ta, Kurti vizitoi bustin e Ismail Qemalit te “Grand Hotel Continental” ku në fillim të nëntorit të vitit 1912 ai së bashku me Luigj Gurakuqin dhe patriotë tjerë u takua para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.
Gjithashtu vizitoi edhe pllakën përkujtimore të kishës “Shën Nikolla” ku shënohet se aty për herë të parë ka meshuar në gjuhën shqipe rilindasi Fan S. Noli në vitin 1911, dhe në të cilën deri në vitin 1945 janë kryer ritet fetare nga komuniteti ortodoks shqiptar në Bukuresht.
Vizitë i bëri edhe parkut Herastrau ku gjendet edhe busti i poetit, rilindasit tonë të madh Naim Frashëri.
“Rumania ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një vend ku intelektualë shqiptarë shtjelluan mendimin kombëtar dhe kultivuan ndjenjat dhe identitetin kombëtar përballë rrymave armiqësore”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar pushtimin e Shqipërisë nga forcat italiane të regjimit fashist të Benito Musolinit, 85 vjet më parë.
Ai ka thënë se në këtë përvjetor kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste.
Kurti ka porositur që rreshtimi politik i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës të ruhet gjithmonë në anën e drejtë të historisë dhe të përkujtohen të gjithë dëshmorët e martirët e kombit shqiptar për të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tyre për liri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka qëndruar sot për vizitë në veri të vendit.
Në vizitën që kreu i qeverisë e pati në Mitrovicën e Veriut tha se me kryetarin e saj, Erden Atiq, folën për mbarëvajtjen e punëve atje.
“Me kryetarin Eden Atiq bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e punëve këtu. Mbështetje si qeveri për këtë komunë dhe për të gjitha shërbimet që i jepen qytetarëve pa dallim”.
Kurti foli edhe për vizitat në përmendoren e policit të vrarë, Enver Zymberi dhe në vendin ku u vra edhe polici Afrim Bunjaku.
“Vizituam edhe përmendoren e Enver Zymberit që tani do t’i mbushte 45 vjet, por është vrarë, siç e dimë në korrik të 2011. Po ashtu, e vizituam edhe vendin ku ishte organizuar ajo prita kriminale ku është vrarë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët dhe terroristë që tash fshihen në Serbi”.
Kurti në Veri shkoi bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin.
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor për të vrarët e masakrës së Lybeniqit të Pejës, në 25-vjetorin e saj.
“Atë ditë, në 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, që ishin pjesë e njësitit “177” në Pejë të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, u futën këtu në Lybeniq. Brenda pak minutash, u dëbuat nga shtëpitë tuaja dhe ju mblodhën pothuajse të gjithë banorët e Lybeniqit në mes të fshatit, afër xhamisë. Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty”, tha Kurti në tubim.
Ai tha se “xhamia e Lybeniqit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatike me rafalë të përsëritur, me qëllim që askush, prej të gjithë atyre burrave të mos shpëtonte i gjallë”.
“Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, tha Kurti, duke theksuar se kjo masakër u dokumentua më 1999 edhe nga Human Rights Watch.
Kurti tha se ka dëshmitarë, të mbijetuar dhe trashëgimtarë të asaj historie që dëshmojnë se Serbia kreu spastrim etnik ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë, kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
“Ne jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi një popull i gatshëm për të dëshmuar, jemi Republika që dita ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, për t’i adresuar krimet e luftës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë. Ne jemi të vendosur që në këtë rrugë të shkojmë deri në fund, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës”, tha Kurti.
Kryeministri tha se “Serbia vazhdon ta shmangë përgjegjësinë e saj si shtet për krimet në Kosovë”.
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga qyteti i Fierit, i zbukuruar nga çelja e luleve në këtë pranverë.
Kumbullat e kuqe të mbjella në rrugë kryesore tashmë kanë sjellë ngjyra e freski në qytet. Shëtitorja pranë lumit Gjanica në qytetin e Fierit është kthyer në një ambient shplodhës për qytetarët.
Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit. Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.
Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.
Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.
Lumi Gjanica, me një gjatësi prej 42 km, buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Albion Kumnovën, Artan Efendijën, Gëzim Deva, Lutfi Bunjakun, Bekim Bunjakun dhe Shkëlzen Binishin në 25-vjetoin e vrasjes së tyre.
Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe.
Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën.
“Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni”, shkroi Kurtinë Facebook.
“Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia”, vazhdon më tutje Kurti.
I pari i qeverisë thotë se ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj”.
Ai zotohet se si Qeveri e Kosovës nuk do të reshtin së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësisë për krimet e luftës.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës”.
“Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës nuk po lihen në harresë e as të pambrojtur.
Kështu u shpreh Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë”, shkroi Kurti.
Shefi i qeverisë, përpos që tha se shqiptarët e Luginës kanë përkrahjen e Kosovës, ai përmblodhi punën në tri vitet e fundit në Luginë.
“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”.
“Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme”.
“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”.
“Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan”.
“Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova”.
“Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës”.
“Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./klankosova.tv/KultPlus.com