Kurti: Sigurimi i ujit të pastër dhe kanalizim për të gjithë deri në vitin 2030

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën përmbyllëse të Programit kosovaro-zviceran për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale.

“Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla”, tha Kurti.

Projekti i përbashkët ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të kompanive rajonale të ujit. Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.

Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e kompanive rajonale të ujit, tha kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan, përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.

Sa u përket minoriteteve, kryeministri Kurti theksoi se nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.

Pas 16 viteve mbështetje, Qeveria e Zvicrës ka përmbyllur investimet në infrastrukturë të ujit për të kaluar në mbështetje teknike në menaxhim të burimeve ujore dhe fushave përkatëse.

Në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti falënderoi dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje.  Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, tha ai, thuhet në komunikatën për media e ZKM-së.

Fjalimi i tij i plotë:

Qasja në ujë të pastër dhe në objektet sanitare e higjienike është e drejtë fundamentale e njeriut. Ajo është shtyllë kritike për reduktimin e pabarazive të përgjithshme. Andaj, mungesa e qasjes në ujë të sigurt, të mjaftueshëm dhe të përballueshëm, kanalizim dhe higjienë ka efekt shkatërrues në shëndetin, dinjitetin dhe prosperitetin e njerëzve.

Nuk mund të flasim për mirëqenie, zhvillim ekonomik e as për zhvillim të sektorit të bujqësisë, pa i siguruar këto dy shtylla. Mungesa e qasjes në ujë të pastër dhe kanalizime ndikon negativisht në sigurinë ushqimore, e dëmton cilësinë e prodhimeve bujqësore e rrjedhimisht e cenon shëndetin e popullsisë dhe mirëqenien e fermerëve.

Pandemia COVID-19 dhe kriza klimatike veçse e kanë rikthyer fokusin dhe e kanë shtuar bindjen se beteja për ujë të pastër, mirë menaxhim të burimeve ujore dhe sisteme funksionale të kanalizimit është më e rëndësishme tash se kurrë më parë.

Uji dhe kanalizimi kanë dimensione të ndryshme gjinore të cilat duhet gjithmonë t’i kemi parasysh. Përvojat e përditshme të burrave dhe grave me ujin dhe higjienën vazhdojnë të jenë shumë të ndryshme. Kur mungon qasja në ujë të pastër dhe  higjienë barra më e rëndë bie mbi gratë dhe vajzat, e sidomos tek ato që mbajnë dhe kujdesen për familjet. Zhvillimet dhe përmirësimet gjatë dekadave të fundit në këtë sektor kanë transformuar jetën e miliona grave duke iu mundësuar lirinë, zhvillimin dhe angazhimin aktiv të tyre në tregun e punës.

Qasja në ujë të pastër, kanalizim dhe higjienë janë ndër prioritetet e zhvillimit global dhe përfshihen në Objektivin e 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG 6). Objektivi është sigurimi i “ujit të pastër dhe kanalizim për të gjithë” deri në vitin 2030.

Në dhjetëvjeçarin e fundit të përmbushjes së këtij objektivi 26% e popullsisë globale (rreth 2 miliardë njerëz) nuk kanë ende qasje në ujë të pastër, ndërsa 46% e popullsisë globale (rreth 3 e gjysmë miliardë njerëz) nuk ka qasje në kanalizim. Nga të gjithë njerëzit pa qasje në ujë të pijshëm e të sigurt në mbarë botën, 80% jetojnë në zonat rurale. Komunitetet rurale anembanë botës, veçanërisht në shtetet në zhvillim, kanë probleme sa i përket qasjes në ujë të pastër, pavarësisht burimeve ujore që mund të shtrihen përreth tyre.

Në botën bashkëkohore, komunitetet rurale më parë të lëna anash dhe të pazhvilluara po arrijnë me shpejtësi nivelet e zhvillimit me të cilat bota perëndimore është mësuar. Është krejt e qartë se qasja në ujë të pijes dhe të pijshëm dhe në kanalizim është një nga elementet kyç në progresin e komuniteteve rurale.

Kosova, ndonëse nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka përvetësuar këtë parim. Qeveria është zotuar që të sigurojë qasje në ujë të pastër dhe sistem të kanalizimit për të gjithë qytetarët e vet pa dallim etnie apo lokaliteti.

Ne po punojmë intensivisht në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm e sidomos objektivit të 6. Ne e kuptojmë rëndësinë e qasjes në ujë të pastër e të sigurt, në kanalizime dhe higjienë, menaxhimin e qëndrueshëm dhe të integruar të burimeve ujore dhe ndërlidhjen midis ujit, energjisë, ushqimit dhe ekosistemeve.

Menaxhimi i qëndrueshëm i ujit dhe sigurimi i qasjes në ujë të pastër dhe në kanalizime janë shtyllat kryesore për  zhvillim të qëndrueshëm dhe fuqizim të të gjitha komuniteteve në vendin tonë.   

Sot jemi në përfundim të projektit më të gjatë në sektorin e ujërave në Kosovë. Ky projekt ka mundësuar ndërtimin e sistemeve moderne të ujësjellësit në 280 fshatra të shtrira në 27 komuna të Kosovës, si dhe rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësit në 170 fshatra të tjera, e që më pas janë integruar në menaxhim të Kompanive Rajonale të Ujit.

Nga ky projekt llogaritet se kanë përfituar 600.000 banorë.

Falë ndihmës së pakursyer të shtetit zviceran në realizimin e këtij projekti, sot mbulueshmëria e qasjes në ujë të pijes ka arritur afërsisht 92%, e ku 87% do të jetë nën menaxhimin e Kompanive Rajonale të Ujit.

Në anën tjetër, 17.600 banorë kanë përfituar nga ndërtimi i rrjetit të kanalizimit me paratrajtim (pra, kolektorë dhe gropa septike), ndërsa për 5 fshatra me gjithsej 5.500 banorë, janë ndërtuar impiante të veçanta për trajtimin e ujërave të ndotura, përfshirë këtu fshatin Orllan përmes së cilit mbrohet nga ndotja liqeni i Batllavës, i cili furnizon me ujë të pijes 95% të Besianës dhe 45% të Prishtinës.

Sa i përket minoriteteve, nga programi në tërësi kanë përfituar rreth 20 mijë banorë, që do të thotë se afërsisht 80% të minoriteve kanë qasje në ujë të pijshëm, duke mos llogaritur veriun dhe Komunën e Shtërpcës.

Qeveria është përjetësisht mirënjohëse për përkrahjen e Konfederatës Zvicerane dhe për kontributin e pakontestuar që ka dhënë kjo përkrahje në këtë arritje.  Unë si kryeministër dhe qeveria jonë jemi të përkushtuar që ta finalizojmë këtë projekt dhe të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë.

Mbetet obligim i ynë që të mirëmbajmë me kujdes investimet e realizuara, si dhe të investojmë tutje në shtrirjen dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit aty ku ende mungon, në mënyrë që të ndalim përfundimisht derdhjen e ujërave të zeza në pellgjet lumore.

Do të punojmë shumë deri në arritjen e plotë të objektivit 6-të të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Pra, qasje në ujë të pastër dhe sisteme funksionale për menaxhimin e ujërave të zeza për të gjithë popullatën deri në vitin 2030. /KultPlus.com

Kurti në Ditën e Gruas: Të gjithë duhet të kemi të drejta të barabarta

8 Marsi shënohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe është dita kur shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat, shkruan KultPlus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për këtë ditë ka thënë se të gjithë njerëzit duhet të kenë të drejta të barabarta.

“Kur flasim më shumë me burrat sesa me gratë se çfarë është barazia, emancipimi social rritet. Ne nuk maten nga dallimet tona, por nga kontributi ynë. Dhe të gjithë duhet të kemi të drejta të barabarta. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas!”, shkroi Kurti në “Twitter”.

E gjitha bota po punon çdo ditë e më shumë për ngritjen e vetëdijes për përmirësimin e të drejtave të grave. /KultPlus.com

Kryeministri Kurti priti në takim pjesëtarë të Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot pritën në takim tre pilotët e Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës: Toger Afrim Zabelin, toger Krenar Vocën, toger Atdhe Hasanin, të specializuarin për monitorim dhe orientim ajror, nëntoger Sunaj Shalën, dhe dy inxhinierë të helikopterit, rreshter Behar Zeqirin dhe rreshter Labinot Gashin.

Kurti i falënderoi ata për kontributin dhe rolin që kanë pasur deri tani dhe që do ta kenë edhe në të ardhmen në avancimin e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së.

Ai theksoi se si ushtri Kosova është në fillet e gjinisë së aviacionit dhe se avancimin e sheh të rëndësishëm edhe për nevoja ushtarake, por edhe për ato shtetërore.

“Shkollimi dhe pajisjet janë të rëndësishme, dhe do të investojmë si shtet në të dyja”, shtoi ai.

Pilotët i treguan shefit të ekzekutivit për shkollimin që kanë kryer, për sfidat që kanë pasur e që i kanë.

Tre pilotët janë specializuar në Akademinë Ushtarake në Turqi, ashtu sikurse edhe dy inxhinierët e helikopterit, ndërsa nëntogeri Shala ka specializuar për monitorim, orientim, udhëzim e radar në Akademinë Ushtarake të Kroacisë “Dr.Franjo Tugjman”. /KultPlus.com

Kurti viziton familjet e Malës dhe Berishës: Dy heronj të pavdekshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjet e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës në 38 vjetorin e rënies së tyre, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti, ka njoftuar se ka vizituar familjes e Malës dhe Berishës, duke thënë se shtëpitë e tyre ishin vatra të rezistencës.

“Liria kombëtare dhe drejtësia shoqërore u bënë bashkë te këta dy heronj të pavdekshëm, në jetën dhe me veprën e tyre. Ata frymëzuan secilin brez patriotësh shqiptarë. Lagja në Prishtinë ku luftuan nën shtetrrethim të hekurt mori emrin Kodra e Trimave. E sakrifica e tyre u bë Flakë e Janarit, që vazhdon të ndriçojë rrugën tonë”, shkroi i pari i ekzekutivit.

Mala dhe Berisha njihen si dy figura të rezistencës, e ku gjithashtu vlerësohen shumë përpjekjet e tyre pë liri e pavarësi. /KultPlus.com

109 vjet nga lindja e Mehmet Shehut

Mehmet Shehu ishte njëri ndër personalitetet më të njohur të Shqipërisë socialiste.

Në mesin e shumë personaliteteve komuniste shqiptare, që nga Ali Kelmendi e deri te rënia e regjimit komunist të Shqipërisë në vitin 1991, figura e Mehmet Shehut në vazhdimësi ka qenë në vendin e dytë, ashtu sikur ishte Enveri në vendin e parë, qysh prej formimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë në vitin 1941.

Mehmet Shehu lindi më 10 janar të vitit 1913 në fshatin Çorrush të Mallakastrës, vdiq (në vetvrasje) më 18 dhjetor të vitit 1981 në Tiranë. Ishte politikan shqiptar, Kryeministër i Shqipërisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932.

Shkon në Napoli, Itali për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga Kolegji. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937.

Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadën e XII ndërkombëtare e quajtur “Garibaldi” në nder të heroit të bashkimit të Italisë. Brigada   ishte i përbëre nga vullnetarë të shumë vendeve të botës. Mehmet Sheu komandonte batalionin e IV të saj.

Më 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Kthehet në Shqipëri në gusht]] 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës. /KultPlus.com

Mehmet Shehu

Kryeministri Kurti për incidentin në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit. /KultPlus.com

Ibrahim Biçakçiu, kryeministri që komunistët e kthyen në pastrues të banjave të Elbasanit

“Kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë, për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomi, si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar”

Një burrë i gjatë, veshur me uniformën e komunales me çizme llastiku, shfaqej çdo ditë para markatës së Elbasanit, me një fshesë në dorë. Ishte Ibrahim Biçakçiu, pastruesi i banjave të qytetit. Ata që e jetuan atë kohë e mbajnë mend mirë Ibrahimin, sepse kishte qenë kryeministri i Shqipërisë, që komunistët e kishin kthyer në një punonjës të rëndomtë. Ishte biri i atdhetarit të shquar, Aqif Pashë Biçakçiut, kryetar i Kongresit të Lushnjes, një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Të afërmit e Ibrahimit rrëfejnë se kur kthehej nga puna si pastrues i banjave, Ibrahimi vishej si zotëri dhe vazhdonte të lexonte literaturën që kishte mundur të shpëtonte nga bastisjet komunistëve.

Ibrahim Biçakçiu kishte përfunduar studimet në dy fakultete në Vjenë për Akademinë Tregtare të Vjenës në Agronomisë si dhe fakultetin e Shkencave Politike. Zotëronte katër gjuhë të huaja, gjermanisht, italisht, turqisht, anglisht. Ibahim Biçakçiu u kthye në Shqipëri, pas studimeve në Vjenë. Në 1926, ndërroi jetë i ati, Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ibrahimi mori nën administrim pasuritë e të atit. Biçakçiu ishte pronar i disa fermave, fabrikës së prodhimit të cigareve “Elbasani” (Flora) në Tiranë, dhe kafe “Flora” (këtu ka punuar dhe Enver Hoxha), pronar i shoqërisë tregtare “Ibrahim Biçakçiu”, bashkëthemelues i Shoqërisë “Albiger”, që merrej me tregtinë Shqiptaro-Italo-Gjermane, së bashku me Ahmet Ndroqin dhe Renzo Brunori-n, zotëronte rreth 2500 ha tokë, disa shtëpi rezidenciale dhe disa magazina. Pas një përvoje të gjatë në administrimin e pasurive të familjes, Ibrahimi u angazhua në politikë në vitin 1937, kur u zgjodh deputet i pavarur i Elbasanit. Pas një shkëputje, Ibrahimi u kthye në vitin 1943, si Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kryeministër i vendit në një fazë tranzitore, kur komunistët po merrnin pushtetin.

Me të ardhur në pushtet, komunistët nisën goditjen e personaliteteve më të larta të Shqipërisë, duke vrarë e burgosur të gjithë elitën politike dhe intelektuale të asaj kohe. Në prill të vitit 1945, në Tiranë, u zhvillua gjyqi special, ku u gjykuan rreth 60 politikanë, ushtarakë, intelektualë, ndër të cilët ishte i akuzuar edheIbrahim Biçakçiu. Akuzoheshin si tradhëtarë të atdheut. Gjyqi special u zhvillua në ish-kinema “Kosova”, sot Teatri Kombëtar dhe gjyqi u drejtua nga Koçi Xoxe. Në atë gjyq, Ibrahim Biçakçiu u dënua me vdekje. Por në atë kohë, elita e kohës në Elbasan hartoi një peticion, ku kërkoi t’i falej jeta, duke argumentuar se Ibrahim Biçakçiu ishte pinjoll i një familje patriotike dhe bamirëse. Ata garantuan se Ibrahim Biçakçiu nuk kishte pasur kurrë veprimtari kundër popullit të tij. Më pas, Ibrahim Biçakçiu u dënua me 18 vite burg. Pjesën më të madhe të burgut e kaloi në burgun e Burrelit, atje ku ishte e përqëndruar e gjithë elita e intelektualëve të dënuar nga regjimi diktatorial komunist. Ibrahim Biçakçiu doli nga burgu në 5 maj të vitit 1962. U kthye në Elbasan, ku u caktua nga regjimi komunist si punonjës i varrezave të qytetit. Pas disa vitesh, Ibrahimi u caktua në ndërmarrjen komunale për pastrimin e banjave të qytetit, ku punoi deri më 4 janar 1977, ditën kur u nda nga jeta.

Zotëria që pastroi banjot e Elbasanit

Ibrahim Biçakçiun e njihnin të gjithë në Elbasan sepse ishte i biri i Aqif Pashë Biçakçiut, personalitet i shquar, kryetar i Kongresit të Lushnjes, si dhe një nga themeluesit e shtetit shqiptar. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, rrëfen:

“Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të, duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”. Ajo tregon se të qenit pastrues i banjave, ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por, teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë, doli një fotografi, ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.

(Rëfimet janë marrë nga libri i botuar nga gazetari Ronald Qafoku, ku përmenden detaje interesante lidhur me jetën e 33 kryeministrave të historisë së Shqipërisë). / KultPlus.com