Kryeministri Kurti: Në Kullat e Isa Boletinit u bë historia

Kryeministri Albin Kurti sot ka bërë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës, dëshmorët e luftës së fundit dhe te Kullat e Isa Boletinit.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se për Kullat e Isa Boletinit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

“Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë. Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!”, ka thënë Kryeministri Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

Ditën e filluam në Zhazhë e Boletin në nderim të martirëve dhe dëshmorëve të kombit.

Bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, kryetarin e Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq dhe deputetë të Kuvendit, bëmë homazhe te pllaka përkujtimore për martirët e vrarë në masakrën e Zhazhës dhe dëshmorët e luftës së fundit. Përkujtimi i tyre na rikujton çmimin e shtrenjtë të lirisë sonë.

Te Kullat e Isa Boletinit, ku u bë historia e u lartësuan shqiptarët, vendosëm lule të freskëta mbi varrin e heroit tonë Isa Boletini.

Për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe: kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit të aktiviteteve të rregullta.

Ruajtja e historisë sonë është detyrim moral ndaj së kaluarës dhe trashëgimi për brezat që vijnë.

Lavdi Isa Boletinit! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i heroit Agron Rrahmani

Kryeministri Albin Kurti bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta në nderim të dëshmorit Agron Rrahmani, në përvjetorin e rënies së tij heroike.

“U përkujtua maji i vitit 1998, kur brenda gjashtë ditësh, rezistenca e armatosur për çlirimin e Kosovës mori goditje të rënda nga humbja e Bahri Fazliut, Ilir Konushevcit dhe Agron Rrahmanit. Bahriu u vra më 7 maj, Iliri më 9 maj, kurse Agroni më 12 maj. Sot u bënë nderime në 26 -vjetorin e rënies së Agron Rrahmanit, i cili u vra në lagjen e Muhaxherëve në Prishtinë, më 12 maj 1998”, kujtoi Kurti.

Për ta përkujtuar Agron Rrahmanin, kryeministri Kurti bëri homazhe te varri i tij në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku janë pranë njëri-tjetrit edhe varret e bashkëluftëtarëve.

“Lavdi dëshmorit Agron Rrahmani, i rënë për lirinë e Kosovës bashkë me shokët dëshmorë, Bahri Fazliun dhe Ilir Konushevcin”, tha  Kurti.