Kryetari Rama i dhuron Çelësin e Qytetit ish ministrit Mehaj

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama i ka dhuruar Çelësin e Qytetit ish Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, kryetari Rama ka thënë se është nder i madh për të t’i dhënë Çelësin e Qytetit, ish ministrit, nga ku edhe e ka falënderuar për shërbimin që Mehaj ka dhënë për vendin.

“Nder vërtetë i madh për mua t’i jap Çelësin e Qytetit mikut dhe ish Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

E falënderoj për shërbimin fantastik që ka dhënë për vendin.

Bashkëpunëtor njëherë, miq përherë!”, ka shkruar Rama./KultPlus.com

Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Napolit L’Orientale, marrëveshje bashkëpunimi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Università degli Studi di Napoli L’Orientale (Universiteti i Napolit L’Orientale) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi.

Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe prof. Roberto Tottoli, rektor i Universitetà degli Studi di Napoli L’Orientale.

Prof. Roberto Tottoli shprehu kënaqësinë për vizitën e tij në Shqipëri dhe lidhjen e marrëveshjes. Ai tha se këto bashkëpunime do të jenë në kuadër të programeve e projekteve europiane, dhe theksoi se bashkëpunimet më të rëndësishme do të jenë në albanologji, italianistikë, ballkanistikë dhe për kërkimet në shkencat gjuhësore, në studimet letrare, historike, në arkeologji, etj.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi tha se vetë ardhja e prof. Roberto Tottoli-t në Shqipëri shpreh vullnetin e mirë të dy palëve për të bashkëpunuar.

Akad. Skënder Gjinushi theksoi se ka një bashkëpunim historik të Akademisë dhe institucioneve shqiptare me Universitetin e Napolit L’Orientale që ka një katedër nga më të vjetrat, nga e cila janë specializuar një pjesë e madhe e studiuesve dhe akademikëve.

Arritja e marrëveshjes synon të sanksionojë këto praktika dhe të zgjerojë bashkëpunimin mes studimeve të përbashkëta dhe bursave të specializantëve dhe doktoratat në fushat e albanologjisë./ATSh/KultPlus.com/