Kryevepra e humbur e Botiçellit është gjetur në një shtëpi në Itali

Një pikturë e mjeshtrit të shekullit të 15-të, Sandro Botticelli, e regjistruar si e zhdukur që nga vitet 1980, është gjetur në një shtëpi në Italinë jugore.

Përshkrimi i Virgjëreshës Mari dhe Krishtit të mitur u zbulua në një shtëpi në qytetin e Gragnano, pranë Napolit, sipas Njësisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Karabiniere të Napolit, transmeton Klan Kosova.

Piktura e artistit të famshëm vlerësohet nga autoritetet italiane të jetë me vlerë të paktën 100 milionë euro (109 milionë dollarë). Ajo u porosit për Kishën Katolike Romake më 1470.

Vepra 58 x 80 centimetra e pikturuar me tempera në dru, ishte varur në një kishë në periferi napolitane të Santa Maria la Carità që nga fillimi i viteve 1900.

Kur një tërmet dëmtoi kishën në vitin 1982, piktura iu dha nga famullia një familjeje vendase të quajtur Somma për ruajtje, sipas një zëdhënësi të ministrisë italiane të kulturës, i cili i tha CNN-it se ekziston një dekret zyrtar në dosje që ua beson pikturën atyre, dhe ata nuk po përballen me asnjë hetim penal.

Për vitet e para pasi familjes iu besua piktura, autoritetet lokale kontrolluan gjendjen e saj, duke i këshilluar se ku ta mbanin dhe duke ndihmuar në lëvizjen dhe pastrimin e saj.

Por, për disa arsye kontrollet ndaluan në vitet 1990 dhe piktura u rendit në inventarin e punimeve të munguara të ministrisë së kulturës.

Lista përditësohet shpesh dhe këtë verë piktura u gjurmua te familja Somma, e cila e kishte ekspozuar në shtëpinë e tyre gjatë viteve, tha komandanti Massimiliano Croce gjatë prezantimit të gjetjes.

Pas gjurmimit të degës së familjes që mbante aktualisht pikturën, policia punoi me kryebashkiakun lokal, i cili tashmë ishte në dijeni të pranisë së Botticelli-t në shtëpinë e Somma-s dhe ndihmoi për të ndërmjetësuar marrjen e saj, tha Croce.

“Kjo është një vepër krejtësisht e panjohur për publikun, e cila tashmë do të ekspozohet sërish falë ndërhyrjes së shtetit. Ne vepruam në mënyrë administrative, pa iu drejtuar Prokurorisë apo sekuestrimit, falë edhe ndërmjetësimit të kryetarit të bashkisë”, tha Croce.

“Familja vazhdon të mbajë titullin e veprës, e cila megjithatë do të ruhet në një muze”, shtoi Croce.

Piktura, e cila do të ketë nevojë për restaurim të gjerë, tregon Virgjëreshën Mari, me flokë bionde të mbuluara nga një vello, duke mbajtur një foshnjë topolak Jezus në prehrin e saj – ngjashëm me përshkrimet e tjera nga Botticelli, sipas ministrisë së kulturës.

I mungon pak bojë dhe është gërvishtur, ndoshta gjatë tërmetit në vitet 1980 dhe në lëvizjet e mëpasshme të shtëpive.

Mendohet të jetë një nga pikturat e fundit të mjeshtrit, i cili vdiq më 1510.

Piktura përfundimisht do të ekspozohet në një nga muzetë kombëtarë në Napoli, por restaurimi do të zgjasë të paktën një vit, sipas ministrisë./KlanKosova/KultPlus.com

Kryevepra e Picassos shitet për 139 milionë dollarë

Kryevepra e Pablo Picassos e vitit 1932, Femme a la Montre (Gruaja me orë), është shitur për 139 milionë dollarë, sipas qendrës për ankande Sotheby.

Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë që është shitur nga ky artist spanjoll.

Por, Femme a la Montre (Gruaja me orë) është bërë vepra e shitur më së shtrenjti në ankand këtë vit.

Në të artisti e ka portretizuar Marie-Therese Walter, modelen franceze me të cilin ka pasur lidhje dashurie, dhe e ka pasur frymëzim edhe për piktura tjera.

Fillimisht piktura është vlerësuar 120 milionë dollarë, para se të vendosej në shitje.

Kjo pikturë e artistit spanjoll ka qenë më parë në pronësi të koleksionistes së artit Emily Fisher Landau, e cila e ka blerë atë më 1968.

Vepra tani është blerë prej një blerësi anonim.

Femme a la Montre, është portret i Walterit, e ulur në një karrige që ngjan me fron mbretëror dhe e ka një prapavijë të kaltër.

E njohur si “muza e artë” e Picassos, Walter ka qenë 17-vjeçare, kur është takuar me Piccason 45-vjeçar në Paris, dhe e kanë nisur një lidhje sekrete, pasi ai ka qenë ende i martuar me Olga Khokhlovan, balerinë ukrainase.

Piktura që është shitur më së shtrenjti në autorësi të Piccasos është Gratë e Algjerit, në vlerë të 179.3 milionë dollarëve, më 2015.

I lindur në Mallaga më 1881 dhe i rritur në Barcelonë, Picasso është zhvendosur në Paris më 1904, dhe është bërë një prej artistëve më të rëndësishëm të shekullit 20.

Ai i ka pasur katër fëmijë dhe ka vdekur në jug të Francës më 1973, në moshën 92-vjeçare.

Ndonëse trashëgimia e tij kreative nuk është vënë kurrë në dyshim, në vjetët e fundit rriten dilemat për sjelljen e tij.

Ai është akuzuar për qasje mizore dhe shtrënguese. /REL/ KultPlus.com

Letrat e dashurisë më të bukura të të gjitha kohërave

Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.

Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.

Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.

Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994)
“U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.

Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935)
“E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.

John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819)
“Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”.

Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951)
“Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.

Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796)
“Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.

Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964)
“Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.

Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527)
“Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”./oxygenpress/KultPlus.com

Thënie të mrekullueshme nga kryevepra e Gabriel Garcia Marquez, ‘Dashuri në kohërat e kolerës’

Është romani më i bukur dhe më i njohur i Marquez, bashkë me “100 vjet vetmi”. Nuk ka lexues që t’i kenë lexuar me vëmendje të dy romanet dhe të kenë ngelur të zhgënjyer. Mua më ka rënë rasti të flas edhe me ata që nuk e pëlqejnë mënyrën e të shkruarit plot detaje dhe fantazi të shfrenuar të autorit, por më besoni, shumica e atyre që nuk i pëlqejnë veprat e Gabriel Garcia Marquez lodhen me faqet e para të romaneve të tij dhe nuk e marrin mundimin t’i mbyllin së lexuari ato vepra.

Nëse arrini ta kalitni mirë vullnetin dhe të lexoni “Dashuria në kohërat e kolerës”, si dhe “100 vjet vetmi”, ju me siguri keni për t’i pëlqyer të dy romanet. Në vijim do të keni mundësi të lexoni disa nga thëniet më të bukura të autorit të realizmit magjik në veprën “Dashuria në kohërat e kolerës” :

“Gjithmonë mbaj mend që gjëja më e rëndësishme në një martesë të mirë nuk është lumturia, por stabiliteti”.

“Nuk ka lavdi më të madhe, se sa të vdesësh për dashurinë”.

“Jeta nuk është periudha që dikush jetoi, por periudha që dikush kujton dhe si e kujton për ta treguar”.

“Gjithccka për të cilën ka nevojë dikush, është koha. Koha për të kuptuar kush është, kush do të bëhet, dhe ku do të shkojë”.

“Duhet të trembesh edhe nga nxehtësia, edhe nga ftohtësia e zemrës tënde dhe të përpiqesh të kesh durim, nëse mundesh”.

“Ajo e priste me një ankth të tillë, saqë vetëm një buzëqeshje prej tij i rikthente gjallërinë”.

“Kam pritur për këtë mundësi më shumë se gjysmë shekulli për të të folur edhe një herë mbi besnikërinë time të përjetshme dhe dashurinë time të pavdekshme”.

“Ai që pret shumë, mund të përfundojë me asgjë”.

“Ka gjithmonë diccka të mbetur për t’u dashuruar në ccdo gjë që përfundon”. /Bota.al /KultPlus.com

Kryevepra me ushqim fals

Biznesi i ushqimit fals është ende i fortë në Japoni, me paraqitje të famshme të ushqimit jashtë restoranteve nga Okinawa deri në Hokkaido.

Ani pse gjërat duken krejt të ngrënshme, këto paraqitje tejet realiste të ushqimit janë të bëra prej plastike, rrëshire a dylli. Një artist japonez po e çon ushqimin fals drejt një niveli tjetër duke e përfshirë atë në vepra ikonike arti.

Kështu, Osamu Watanbe së fundmi ka hapur ekspozitën në “Hirano Museum of Art” në prefekturën Shizuoka, që paraqet skulptura e piktura të njohura që janë ribërë duke e përdorur ushqimin fals. Watanabe përdor të njëjtat teknika të prodhimit ashtu sikurse prodhuesit e ushqimit fals, por ai fokusohet tek ëmbëlsirat e desertët. Stili i nënshkrimit të tij është i njohur si “arti i kremit të rrejshëm”


“The Scream” ng Edvard Munch, e bërë e tëra nga kremi fals

Një prej veprave kryesore artistike në ekspozitën e Watanabe është një paraqitje e pikturës së Vermeerit “Girl with a Pearl Earring”, që paraqet një portret të bërë prej kroasanti dhe petullave. Pjesa tjetër e veprës është përplot me hollësi të kremit fals që u përgjigjet ngjyrave të pikturës në fjalë.


Në të njëjtën mënyrë është realizuar edhe “Water Lilies” e Claude Monetit

Është ndonjë adhurues i Claude Monetit? Aty është edhe një version me krem fals i “Water Lilies”. Disa prej veprave më të ngjyrshme përfshijnë një version prej pasteli i veprës së Katsushika Hokusait, “The Great Wave off Kanagawa”, si dhe një Budë i bërë me sheqerka dhe makarona. Ekspozita artistike do të jetë e hapur deri më 15 gusht. /timeout.com/ KultPlus.com

Kryevepra e artit francez shitet për shifrën marramendëse

Një pikturë e cila ndodhej në një famlije franceze, u zbulua se është një nga kryeveprat më të rëndësishme të artit francez dhe u shit të dielën për një shifër marramendëse.

Bëhet fjalë për pikturën e quajtur “Filozofi lexues” nga mjeshtri francez, Jean-Honoré Fragonard, e pikturuar rreth vitit 1768, e cila u shit për 7 milionë euro, transmeton KultPlus.

Piktura u zbulua rastësisht nga një ekspert ankandesh që duhet të vlerësonte sendet e një apartamenti në qytetin e Eparnay dhe familja as nuk e kishte renditur të sendet me vlerë. Por dyshimet e profesionistit rezultuan fatlume dhe analiza specifike zyrtarizoi zbulimin e madh.

Fragonard cilësohet si nga mjeshtrit e stilit Rococo dhe veprat  e tij më të njohura, ndodhen në muzetë më të njohur të botës.

Kjo vepër është nga veprat e fundit të piktorit, dhe tregon periudhën më meditative edhe pse “energjia e penelit të tij është njëjta”, sipas kritikëve. / KultPlus.com

Kryevepra e Van Gogh, zbulohet se piktura tregon historinë e orëve të fundit të artistit

Pamja e një kartoline ka ndihmuar në gjetjen e zonës së mundshme ku Vincent van Gogh pikturoi kryeveprën e tij të fundit, thonë ekspertët e artit. Zbulimi është bërë nga Wouter van der Veen, drejtor shkencor i institutit Van Gogh.

Sipas tij kartolina që i përket periudhës 1900-1910 ka ngjashmëri të shumta me “Rrënjët e pemëve”, piktura e famshme e Van Gogh-ut. Kartolina tregon pamjet e disa pemëve mbi një kodrinë në Auvers-sur-Oise në Francë. Kjo zonë është vetëm 150 metra larg nga Auberge Ravoux, bujtina ku Van Gogh qëndroi për 70 ditë para se të vetëvritej në 1890-ën.

Ka pasur debate të shumta se cila ka qenë vepra e fundit e realizuar nga piktori. Në një letër Andries Bonger, kunati i Theo van Gogh, përshkruan se si artisti pikturoi pamje nga një pyll plot diell dhe jetë, mëngjesin para se të vdiste.

Të dhënat e kësaj letre janë përdorur për të mbështetur pretendimet se “Rrënjët e pemëve” është vepra e fundit e realizuar nga Van Gogh. Bazuar në teorinë e tij që lindi prej kartolinës, Van der Veen mendon se Van Gogh ka qenë duke punuar mbi këtë pikturë deri në orët e fundit të jetës së tij.  / KultPlus.com

Kryeveprat e kulturës afro-amerikane në Renesancë

Galeria “Uffizi” në Firence të Italisë është duke planifikuar të zgjedhë nëntë nga kryeveprat e saj për një projekt që do të nënvizojë rolin që kanë luajtur afro-amerikanët gjatë Renesancës.

Nën nismën “Black Presence”, imazhe të veprave – përfshirë “Portrait of the King of Abyssinia” e Cristofano dell’ Altissimos – do të afishohen online gjatë kësaj fundjave për një varg diskutimesh dhe ngjarjesh të tjera.

“Ideja është që të ofrojmë ushqim për mendje në debatin mbi çështjet racore, që po zënë tash ballinat dhe vendin qendror në skenën e debatit politik”, është shkruar në deklaratën e Galerisë.

Ngjarjet e hapjes përfshijnë një koncert përballë veprës së Piero di Cosimos, “Perseus Freeing Andromeda”, që ka në ballë një muzikant afro-amerikan duke luajtur, transmeton KOHA.

Stafi ka bërë me dije se një seri prej tetë diskutimesh në video do të afishohen në “Facebook” çdo javë gjatë kësaj vere.

“Kryeveprat (e Uffizit) flasin një gjuhë universale që na ndihmojnë jo vetëm të kuptojmë më mirë kohën e tyre, por edhe të kuptojmë të ardhmen që ata donin ta ndërtonin”, ka thënë drejtori i “Uffizit”, Eike Schmidt.

Piktura të tjera përfshijnë edhe “Adoration of the Magi” të Albrecht Dürerit. /KultPlus.com

‘Verorja’, kryevepra e Hoxhës e cila edukoi plot gjenerata

Rexhep Hoxha në letërsine tonë bashkëkohore për fëmijë është i njohur jo vetëm si poet, tregimtar, por edhe si romansier. Romani i tij “Lugjet e verdha” është një ndër veprat më të lexuara të kësaj letërsie. Sikurse “Lugjet e verdha” ashtu edhe romani, “Verorja” është bazuar në letërsinë tonë gojore. Kjo vepër është frymëzuar nga përralla jonë popullore “Mbreti dhe tri motrat”.

 Mirëpo, nëse e krahasojmë përrallën popullore dhe veprën e Rexhep Hoxhës, vërejmë dallime rrënjësore. Autori i romanit ngjarjen e ka zhvilluar duke mos iu përmbajtur besnikërisht përrallës dhe parimeve të saj. Vetë personazhi kryesor i kësaj vepre, Verorja nuk është bartës i veprimit kryesor. Në shumë situata Verorja as që është e pranishme.

Mirëpo, kjo nuk mund të merret si e metë e kësaj vepre. Parimet e një zhanri gjatë procesit kreativ, mund të mos respektohen, por në këto raste lypset që i procedimi i ri i shkrimit, të sjellë diçka të re dhe të vlefshme në pikëpamje letrare. Jemi të mendimit se në këtë aspekt Rexhep Hoxha një sukses të tillë e ka arritur. Ngjarja zhvilohet nëpërmjet rrëfimit, që rrënjësisht shquhet nga i njejti procedim që e vërejmë në paraqitjen e ngjarjes në përrallë. Nëse krahasohet struktura narrative e kësaj vepre me atë të romanit të parë “Lugjet e Verdha”, po ashtu bie në sy një dallim i qartë.

Tani në mënyrë më të zhdërvjelltë dhe dinamike rrëfehet ngjarja. Lirizmi që ka qenë element i veprës së parë, në romanin e ri pasurohet me elemente të reja shprehëse. Personazhet e romanit si bartës kryesor të ngjarjes, janë paraqitur me mjeshtëri. E tillë është për shembull, Shkelja, gruaja e parë e Dasho Rrapit i cili grabiti për grua Veroren. Ndaj Verores, Shkelja sillet në mënyrë dhelpërake.

Ajo bashkë me Galushen, shërbëtoren e saj, arrin qëllimin e vet për ta përzënë dhe për ta vënë Veroren në pozitë të mjerueshme: faktikisht pasi lind Verorja fëmijë: Hënën dhe Yllin, ia merr foshnjet Verores dhe në vend të tyre ia ven kësaj në gji dy këlysh. Në këtë rast Dasho Rrapi i mashtruar shumë keq nga gruaja e parë, urdhëron që të çohet Verorja në stele bashkë me këlyshët. Siç vërehet edhe emrat Shkelja dhe Galusha kanë domethënie figurative. Ato personifikojnë shpirtëkeqësinë e tyre. Sa i përket karakterit të Veronës mund të themi se ajo pajtohet me fatin e vet. Mu atëherë kur del e vërteta në shesh, që është paraljmëruar, Verorja thotë: “Pse i ngujuat ato, (këtu ëshë fjala për Shkelen dhe Galushën) më mirë të më kishit lënë mua aty”.

Një personazh tjetër, Sqeparti është zog i cili përcjell ngjarjen shqetësuese dhe i ndihmon Verores. Në romanin “Verorja” pikëpamjet sociale dhe etike janë strukturuar me mjeshtëri. Kjo vërehet në mënyrë mjaft të bindshme në dialogun dinamik që zhvillojnë Qeli dhe Quli. Qeli kërkon që në jetë të bëhen kompromise. Ai i thotë Qulit: “Kah shkon bota shko edhe ti”. Ai i përgjigjet: Po të gënjej bota duhet edhe unë të gënjej. Mjaft tërheqëse në këtë vepër është edhe legjenda që flet për Tarapushin, qenien përbindëshe që dikur ka qenë njeri dhë është shndërruar në zog përbindësh, që në vendin e tij, në Rrasën e Gurit, kush shkonte e shndërronte në gur.

Tarapushin, faktikisht e ka mësuar jeta e vrazhdë dhe e padrejtë të sillet në mënyrë të tillë. Në këtë rast imponohet qëndrimi sakrifikues dhe trimëror i Yllit, i cili pasi ka dhënë besën vendos të shkojë atje. Edhe pse e di se ç’e pret në vendin e Tarapushit, ai niset të shkojë. SI thekson Ylli trimërisht: “Më e shtrejtë është besa se jeta ime”. Romani duket se është i papërfunduar. Por kjo nuk duhet të vërehet sipas parimeve të ngurrta tradicionale. Autori mund të vazhdojë ngjarjen në ndonjë vepër tjetër, por nuk është i detyrueshëm. Shumë çka në jetë mbetet torzo, e pambaruar. Kjo është filozofia dhe kuptimi i jetës në përgjithësi. Vështrimi është emetuar në emisionin Tribuna e Kritikës ne Radio Prishtinë, me 1983/ BotaSot/ KultPlus.com