Letërsia botërore ka shumë autorë të cilët me veprat e tyre ndryshuan historinë dhe jo vetëm, letërsia ka vepra që ndryshuan historinë e mendimit kritik, vetë letërsinë e artin në përgjithësi, shkruan KultPlus.
Martin Puchner, autor i librit “Fjala e shkruar: Si i dha letërsia formën historisë së botës”, përzgjedh dhjetë librat, që ai beson se kanë patur një ndikim të fortë në kursin e historisë botërore.
Epi i Gilgameshit
“Epi i Gilgameshit” është teksti i parë i rëndësishëm në letërsinë botërore, dhe një shembull i përsosur i fuqisë së tregimeve të shkruara, për të formësuar historinë. Duke forcuar kohezionin kulturor në të gjithë rajonin, Epi ndihmoi në ruajtjen e perandorisë më të hershme territoriale.
Shkruar në kuneiform, ai u zhduk pa lënë gjurmë, sepse nuk u përkthye kurrë në ndonjë sistem tjetër të shkrimit, derisa u rizbulua aksidentalisht dy mijë vjet më vonë. Saddam Husseini, një student i etur i historisë, shkroi një përshtatje në formë romani të Epit. Për habinë e tij të madhe, Epi nuk arriti të siguronte mbijetesën e regjimit të tij.
Bibla e Ezrës
Tekstet e shkruara u bënë gjithnjë e më të rëndësishme për jetën e hebrejve, gjatë mërgimit në Babiloni, vendi më i shkolluar mbi tokë në atë kohë. Kur shkruesi i quajtur Ezra i udhëhoqi pasuesit e tij përsëri në Jeruzalem, ai i mbante lart fletushkat e Torahut dhe u kërkonte mërgimtarëve të kthyer që të përkuleshin para tyre, ashtu siç do të bënin para një perëndie. Ishte fillimi i shkrimit të shenjtë, që i dha jetë Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit. Që nga ajo kohë, ne kemi jetuar në një botë të formësuar prej teksteve të shenjta.
Diamond Sutra
Diamond Sutra përkujton jetën e Budës duke portretizuar ndërveprimet e tij me nxënësit dhe zakonet e tij të përditshme, me hollësi të pazakonta. Kur sutra u hodh në libër shumë kohë pas vdekjes së këtij mësuesi të madh, u bë aq e rëndësishme, sa që murgjit e devotshëm e bartën atë deri në Kinë. Ishte pikërisht këtu, vendi ku Diamond Sutra gjeti letrën dhe u shkrua. Me ndihmën e këtyre teknologjive, ajo u përhap në Kore, Japoni dhe më gjerë, duke e bërë budizmin një fe botërore.
Përralla e Genjit
Kjo përrallë shumë-breznore, e shkruar nga një vahzë që pritej të bëhej grua, në oborrin e Japonisë, është romani i parë i madh në letërsinë botërore, dhe ai zgjeroi tej mase aftësinë e letërsisë për të kapur emocione komplekse dhe ndërveprime delikate. Duke i dhënë lexuesve të saj qasje të paparë në jetën e veçuar të grave në oborrin Heian, romani formoi kulturën japoneze për qindra vjet, ndonëse lexuesit perëndimorë nuk kishin qasje në përkthimet e tij, deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.
“Një mijë e një net”
Koleksione tregimesh dhe përrallash ka patur nëpër botë që nga India në Greqi, por asnjë koleksion nuk u bë kaq popullor sa Një mijë e një netët, me Sheherezaden e famshme, motrën e saj dhe mbretin vrasës. I ndihmuar edhe nga ardhja e prodhimit të letrës nga Kina, ky koleksion mbërtheu imagjinatën e botës arabe dhe, shekuj më vonë, Evropës. Duke shtuar vazhdimisht histori të reja, ai në fund u bë magazina më e madhe botërore e tregimeve, duke u përshtatur shumë herë prej asaj kohe.
“Popol Vuh”
Popol Vuh është kulmi i letërsisë Maya, tradita e vetme letrare që u zhvillua pa kontakt me kontinentin e Euroazisë. Kur pushtuesit spanjollë ndeshën libra Maya, ata u përpoqën t’i digjnin të gjithë. Por shkrimtarët e Mayave përkthyen fshehurazi epikën më të çmuar në alfabetin latin dhe e fshehën atë, duke shpresuar ta ruajnë atë për të ardhmen. Epika u rishfaq në shekullin e njëzetë dhe shërbeu si një frymëzim për Nënkomandantin Marcos dhe revoltën Zapatista në jug të Meksikës.
Deklarata e Pavarësisë
Shkruar nga Thomas Jefferson dhe përmirësuar nga komiteti, Deklarata e Pavarësisë kombinon idetë e Iluminizmit me një histori ankesash dhe dobësish. Benjamin Franklin, i cili kontribuoi me termin “të vetëkuptueshme” në fjalinë e famshme, siguroi që teksti të mbërrinte me shpejtësi tek lexuesit me ndihmën e perandorisë së tij të medias, ku përfshiheshin shtypshkronja, gazeta dhe një rrjet rrugësh postare. Deklarata e Pavarësisë u bë modeli për shumë deklarata të ngjashme në të gjithë botën, nga Haiti në Vietnam.
Manifesti komunist
Kur Marksi dhe Engelsi shkruajtën “Manifestin Komunist” me porosi të një grupi të vogël revolucionarësh mërgimtarë me banim në Londër, ata e dinin se donin të ndryshonin botën. Ata thjesht nuk dinin nëse do të kishin sukses. Duke kombinuar një histori madhështore të njerëzimit me një thirrje nxitëse për veprim, Manifesti Komunist u injorua për dekada të tëra, derisa i gjeti të gatshëm lexuesit, për të vënë në zbatim programin e tij revolucionar, në fillim të shekullit të njëzetë. Përkundër kësaj vonese fillestare, asnjë tekst tjetër në letërsinë botërore nuk ka pasur aq shumë ndikim, në një kohë kaq të shkurtër.
Epi i Sunjatës
Legjendari Sunjata themeloi Perandorinë Mali gjatë Mesjetës së vonë, por epika që përkujtonte veprat e tij u transmetua gojarisht për qindra vjet, përpara se të shkruhej në shekullin e njëzetë. Si një histori e përcjellë me gojë, Epi i Sunjatës lidhte jetën e dëgjuesve me një të kaluar të lavdishme, dhe si një tekst i shkruar, nxiti luftën kundër kolonializmit francez, që përfundimisht çoi në pavarësi.
‘Rekuiemi’ i Akhmatovës
Akhmatova e dinte që nuk do të lejohej të shkruante për jetën nën Stalinin, dhe se do të arrestohej, nëse një tekst i tillë do të gjendej në apartamentin e saj. Por këto rrethana nuk e penguan që të shkruante Rekuiemin, poemën e gjatë për gulagët. Ajo e mësoi përmendësh dhe dogji letrën ku e kishte shkruar. Më pas ia mësoi mikeve të saj femra, me qëllim që të mbijetonte edhe pas vdekjes së saj. Poema u qarkullua në kopje të fshehta dhe ndihmoi jo pak për të sjellë rënien e Bashkimit Sovjetik. /bota.al/ KultPlus.com