Prezantohen “Kryeveprat e pakryera” të shkrimtarit Bashkim Shehu

Bashkim Shehu, një nga autorët e rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe, prezantoi romanin e tij më të ri: “Kryevepra të pakryera”. Romani i botuar nga Toena, u prezantua në një ceremoni në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit.

“Historia e një shkrimtari vjen përmes një narracioni shkëlqyes të një udhëtimi në botën e pafundme të artit, përmes një stili plot kulture”, thuhet në faqen online të QKLL për “Kryeveprat e pakryera”.

Eventi letrar u moderua nga Majlinda Toçi dhe për veprën e fundit të Bashkim Shehut, folën prof. Dhurata Shehri dhe poeti e botuesi Krenar Zejno.

Bashkim Shehu lindur më 1955 në Tiranë, është një nga shkrimtarët shqiptarë më produktivë të ditëve tona. Deri më 1981 punoi si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Prej vitit 1997 ai jeton në Barcelonë. Aktualisht punon si këshilltar për Europën Lindore në Qendrën e Kulturës Bashkëkohore të Barcelonës. Disa prej librave të shkrimtarit Bashkim Shehu janë botuar në gjuhë të ndryshme: Rrugëtimi i mbramë i Ago Ymerit (roman); Rrëfim ndanë një varri të zbrazët (roman autobiografik); Vjeshta e ankthit (roman); Gostia (roman) dhe dy përmbledhje me tregime. / atsh / KultPlus.com