Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë̈ Kulturore Jo Materiale, vendosi shtimin e listës së pasurisë sonë shpirtërore, e cila merret në mbrojtje nga shteti.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se listës për t’u mbrojtur nga shteti i janë shtuar “Kcimi i bjeshkës me tupan i Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj, “Kcimi i Logut”, Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”, etj.
Margariti shprehet se këto janë të denja për t’u kandiduar edhe si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit”, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Sipas saj, tashmë po punohet për plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapin afatet e kandidimit.
”Populli ynë ka një traditë mjaft të pasur në këngë, valle, doke, zakone, zejtari, të cilat në epokën e vrullshme të globalizimit dhe teknologjisë rrezikojnë të zhduken. Por pikërisht, këtë të fundit, ne do ta shfrytëzojmë për të ruajtur traditën, ta mbledhim, ta regjistrojmë, digjitalizojmë, ta bëjmë të aksesueshme për studiuesit, por mbi të gjitha, t’ua përcjellim brezave”.
Një ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila zhvilloi një takim me banorët e Malësisë së Madhe, tha se është e pafalshme që qeveria ”Rama 2” që nuk ka bërë asgjë këto vite për regjistrimin e Lahutës dhe ”Eposit të Kreshnikëve” si pasuri kombëtare në UNESCO. / atsh/ KultPlus.com