Nën emocionet e mëdha shkaktuar nga artistët dhe personalitetet që u ngjitën në skenë, u zhvillua nata finale e edicionit K’tu Fest 2022 në Strugë.
Salla e teatrit Poshka ishte mbushur mbi kapacitetin e saj. Energjia pozitive të jepte një ndjesi gati surreale që përzihej me gëzim dhe magji.
Ishte nata e ndarjes së çmimit të vetëm që ky festival akordon, çmimi Ars Gratia Artis, që jepet për atë personalitet ose institucion që ka kontribuar me veprën e tij/saj në zhvillimin e shoqërisë.
Çmimin këtë vit e fitoi gazetarja, producentja, aktivistja dhe humanistja Dijana Toska.
Tek merrte çmimin që ju dorëzua nga regjisorja Olsa Poshka, ajo u shpreh se ndihej e lumtur që çmimi i jepej nga një grua me vlera e nga një festival si K’tu Fest.
Dijana foli për përvojën e saj si gazetare duke u shprehur se kishte intervistuar shumë burra shteti, kishte zbardhur për vite të tëra ngjarje kyçe nga bota shqiptare për Zërin e Amerikës, rrëfeu për peripecitë e saj plot ulje ngritje deri në himnin për nënë Terezën dhe me ngjarjen kulmore si ishte koncerti në Vatikan ku Dijana arriti të mbledhë shqiptarë që janë yje botërore, nën audiencën rekord të 140 milionë teleshikuesve.
Tek tregonte për jetën e saj që të ngjasonte me një libër të mirë për t’u lexuar por jo i lehtë për t’u jetuar, shikoje se me çfarë personalitetesh janë bekuar shqiptarët. Toska, tek fliste e fliste për jetën, tregonte gjithashtu se kemi arsye të mëdha për të qenë krenar që jemi shqiptarë.
Në fund byzylykën e artë të gdhendur vetëm për të, ia vendosi në dorë regjisori Xhelo Poshka, e së bashku me të edhe letrën e falënderimit nën emrin e Margarita Xhepës si presidente nderi e K’tu Fest 2022 e nën emrin e drejtorëve të festivalit Olsa Poshka dhe Xhelo Poshka. / KultPlus.com