‘Kufiri’, drama mbi dëshpërimin dhe shpresën në mes të askundit

Flonja Haxhaj

Në teatrin ‘Oda’ në Prishtinë, po vazhdon të jepet shfaqja ‘Kufiri’, shfaqje kjo e cila sjell një rrëfim të fuqishëm mbi sfidat, ëndrrat dhe sakrificat e atyre që kërkojnë një jetë më të mirë përtej vijave të ndarjes gjeografike dhe politike. Me regji të Sovran Nrecaj dhe tekst të autores Ana Ristoska Trepenoska, kjo shfaqje synon të zgjojë ndjeshmëri dhe reflektim tek publiku për një ngjarje që është përherë aktuale, shkruan KultPlus.

Në qendër të skenës qëndron i shtrirë një djalë 12-vjeçar, një simbol i ëndrrës evropiane dhe realitetit të vështirë të migrimit, imazh ky nga i cili fillon e gjithë drama e kësaj shfaqje. Përmes një ndërtimi narrativ që i ngjason rrëfimit dokumentar, megjithatë shpeshherë shfaqja ofron një përvojë, ku kufijtë mes reales dhe imagjinares bëhen të paqartë.

‘Kufiri’ afron publikun në kaosin që ndodhë në vendin e ashtuquajtur ‘Ne mesin e askundi’, aty ku përcaktohet fati i gjithsecilit që merr rrugën e migrimit nëpërmjet rrugëve ilegale. Shfaqja ofron botë e karaktere të ndryshme, e që i lidh vetëm një linjë, ajo për të kaluar kufirin. Shpeshherë këto rrugë merren pa dëshirë, siç shpjegohet në këtë shfaqje, fati i këtij 12-vjeçari që humb jetën teksa po kalonte lumin së bashku me familjen e tij.

Nëpërmjet simboleve në dukje të çuditshme por në thelb të arsyeshme, si udhëtimi 10 mijë kilometra i ngjalave apo shtegtimi i lejlekëve drejt vendeve të ngrohta, shfaqja i jep dimension artistik arsyjes së largimit të njerëzve. Megjithatë, lisi mbetet i palëvizshëm, duke personifikuar ata që mbeten, ata që hedhin rrënjë dhe zgjedhin të mos largohen.

Pesë aktorët transformohen vazhdimisht, duke luajtur role të ndryshme – nga emigrantët e dëshpëruar te policët kufitarë, trafikantë, reporterë, e gjitha kjo në përpjekje për të pasqyruar kompleksitetin e fenomenit të migracionit.

Shfaqja në tërësi prek barrën e rëndë të migrimit në të gjithë botën duke vënë hera herës edhe statistika të dhimbshme për përfundimet fatale të shumë prej atyre që kërkonin për një botë me të mirë në një vend të huaj. Megjithatë për publikun vendas, duket sikur kjo shfaqje i është dedikuar pikërisht atyre, sepse fenomeni i migrimit, si shkak i rrethanave politike e ekonomike, ka qenë gjithmonë i shfaqur për kosovarët.

Në një strukturë që sfidon perceptimet e publikut, “Kufiri” zbërthen jo vetëm dramën e atyre që largohen, por edhe politikën, moralin dhe ndikimet sociale të një bote të ndarë nga barrierat fizike dhe ideologjike.

Regjisori i shfaqjes, Sovran Nrecaj, tha për KultPlus se kjo shfaqje ka për qëllim që zërin e atyre që kanë migruar apo duan të migrojnë ta paraqesin përpara publikut.

“Përmes shfaqjes kufiri, kemi tentuar që të eksplorojmë më shumë mbi temën e migracionit, zhvendosjes dhe përkatësisë. Nëpërmjet kësaj shfaqje kemi tentuar që njerëzit që kanë migruar ose dëshirojnë të migrojnë në të ardhmen dhe të cilët kanë qenë pjesë e valës së migracionit nga Kosova dhe nga Ballkani në përgjithësi t’i nxjerrim nga statistikat dhe zërin e tyre ta paraqesim në skenë, pra të mos jenë ata vetëm numra ose ‘edhe një tjetër’, por historia e tyre të vijë plotësisht te audienca, ky ka qenë qëllimi kryesor. Po ashtu kemi tentuar që këto rrëfime njerëzish t’i ballafaqojmë në të njëjtën kohë edhe me politikat e ashpra, kryesisht nga perëndimi, të cilët i kanë shtyrë këta njerëz që ta marrin këto rrugë ilegale”, theksoi Nrecaj për KultPlus.

Ndërkaq, ju kujtojmë se në shfaqjen ‘Kufiri’ luajnë aktorët: Shpetim Selmani, Verona Koxha, Kosovare Krasniqi, Blend Sadiku dhe Leart Nrecaj./KultPlus.com

‘Kufiri’ si portë e shpresës apo humbjes

Nga Sibel Halimi

Një djalë 12-vjeçar shtrihet i heshtur në skenë, ndërsa audienca endet mes rreshtave duke kërkuar vendet e tyre. Në krahun e majtë, një grua me vështrim të humbur qëndron e palëvizur—më vonë zbulohet se ajo ka humbur djalin e saj gjatë emigrimit.

Shfaqja sjell një dramë tronditëse, duke pasqyruar realitetin e ashpër të vendeve të varfra, ku njerëzit enden në kërkim të një jete më të mirë, shpesh midis shpresës dhe humbjes.

Mbrëmë u dha premiera e dramës “Kufiri”, në regji të Sovran Nrecaj një shfaqje ku emigrimi shfaqet në kompleksitetin e tij nëpërmjet fateve të ndryshme të personazheve.

Për një jetë më të mirë – ky është motivi fillestar kur qytetarët vendosin të emigrojnë. Ëndrrat e parealizuara në vendet e tyre shndërrohen në shtysë drejt largimit.

Një kufi që shkëlqente në dritë neoni, ku polici kufitar, me sjelljet e tij dominuese, disiplinonte dhe kontrollonte, duke marrë vendime sipas gjendjes së tij emocionale për të lënë apo jo kalimin përtej vijës ndarëse.

Përshkrimi i natyrës në sjelljen e njeriut dhe lëvizjen e tij përtej tokës së vet arsyeton determinizmin biologjik, sipas të cilit njeriu, në thelb, nuk mund të ndahet nga baza e tij fillestare – natyra. Ngjalat me udhëtimin e tyre 10 mijë kilometërsh apo fluturimi i lejlekut drejt vendeve të ngrohta ilustrojnë me një perfeksion artistik arsyen e lëshimit të vendit. Por, çuditërisht, vetëm lisi nuk lëviz, sepse ai lëshon rrënjë. Simbolika të tilla natyraliste lënë në duart e njeriut vendimin për të zgjedhë në mes të qiellit apo tokës!

“Kufiri” është një dramë që trajton temën e emigrimit, një fenomen i përhershëm që ka ndikuar thellësisht në jetën dhe identitetin e njeriut. Kufiri nuk është vetëm një vijë gjeografike që ndan territoret, por edhe një përvojë e dhimbshme, një sprovë që vë njeriun përballë pasigurisë, humbjes dhe transformimit.

Në dramën “Kufiri”, ky koncept shfaqet si një hapësirë ndarjeje dhe bashkimi. Ai është pengesë për disa, por portë mundësish për të tjerët. Kufiri simbolizon frikën e së panjohurës, por edhe dëshirën për një fillim të ri. Personazhet përballen me dilemat e emigrantit: A është largimi zgjedhja e duhur? A mund të ruajnë identitetin e tyre në një tokë të huaj? A do të mund të rikthehen ndonjëherë?

“Kufiri” bëhet një histori universale që prek çdo zemër që ka përjetuar ndarjen dhe kërkimin e një jete më të mirë. Midis ndarjes dhe bashkimit, mes humbjes dhe shpresës, kufiri mbetet një provë e njeriut – një vijë që mund të përcaktojë fatin, por edhe një mundësi për të rindërtuar jetën, pavarësisht vështirësive.

Ikja e njeriut

Që nga fillesat e tij, njeriu ka qenë në kërkim të një jete më të mirë. Herë si aventurier, herë i detyruar nga rrethanat, ai ka kaluar kufij për të shpëtuar nga luftërat, varfëria, shtypja politike apo për të ndjekur ëndrrat e tij. Por kalimi i kufirit nuk është vetëm një akt fizik; ai përfaqëson një ndarje shpirtërore, një përplasje mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes nostalgjisë dhe nevojës për të ecur përpara.

Emigrimi shoqërohet me dilema të mëdha. Njeriu largohet me shpresën për një jetë më të mirë, por përballjet me pasiguritë e një bote të re, të ftohtë e të panjohur, e bëjnë atë të ndihet i huaj. Ai përpiqet të përshtatet, të mbijetojë, të pranohet, duke kaluar përmes një krize identitare.

Emigrimi në fakt është një manifestim i lirisë së njeriut, por edhe një përballje me kufizimet ekzistenciale. Sipas Jean-Paul Sartre, njeriu është i detyruar të marrë vendime të vështira dhe të përballojë pasojat e tyre. Emigrimi është një zgjedhje e tillë: një akt lirie, por njëkohësisht një sfidë e vazhdueshme.

Hannah Arendt, në veprën e saj të njohur “Origjina e Totalitarizmit”, flet për emigrantët si një kategori që shpesh humb të drejtën për të pasur të drejta. Claudio Magris shkruan “Emigranti është gjithmonë një njeri i dyzuar, me një këmbë në të shkuarën dhe tjetrën në të ardhmen”.

Emigrimi mbetet një provë e vështirë për njeriun dhe shoqërinë, ku kufijtë nuk janë vetëm gjeografikë, por edhe psikologjikë dhe shoqërorë. Siç shkruan Milan Kundera “Të jesh emigrant do të thotë të jetosh mes dy realiteteve, pa qenë kurrë plotësisht pjesë e asnjërit”.

… Dhe emigrimi i njeriut kosovar?!

Emigrimi ka qenë dhe mbetet një plagë e hapur për kosovarët. Nga dekadat e fundit të shekullit të kaluar e deri më sot, kosovarët janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, të shtyrë nga lufta, varfëria dhe mungesa e perspektivës ekonomike. Në çdo familje kosovare, historia e emigrimit ka lënë gjurmë të thella—qoftë përmes mungesës së një të afërmi, rrëfimeve për sakrificat e rrugëve të rrezikshme apo lotëve të derdhur në telefonatat me ata që jetojnë larg.

Në vitet e 90-ta, për shumë kosovarë emigrimi ishte shpëtim, një ikje e domosdoshme nga represioni serb dhe vuajtjet që solli regjimi i atëhershëm. Pas luftës, ndonëse Kosova fitoi lirinë dhe pavarësinë, mungesa e zhvillimit ekonomik, papunësia e lartë dhe mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë detyruan mijëra të rinj të largohen nga vendi. Në vitet e fundit, valët e emigrimit kanë marrë një formë të re—jo më vetëm si pasojë e konflikteve, por si një ikje nga zhgënjimi dhe mungesa e mundësive.

Edhe sot, për shumë kosovarë, rruga e emigrimit është e vetmja mundësi për të ndërtuar një jetë më të mirë. Shumë të rinj largohen në kërkim të edukimit cilësor, të punës dhe të një jete me më shumë stabilitet. Ata që mbeten, shpesh ndihen të braktisur, ndërsa ata që largohen përballen me vështirësi të shumta për të ndërtuar një ekzistencë të re në një vend të huaj.

Shfaqja “Kufiri” na kujton se emigrimi nuk është thjesht një statistikë; ai është një rrëfim njerëzor i dhimbjes, shpresës dhe sakrificës. Dhe derisa Kosova të ofrojë kushte më të mira për qytetarët e saj, ky cikël i largimeve e mallëngjimit do të vazhdojë, duke na lënë gjithmonë mes dy botëve, pa e ndier asnjërën plotësisht si shtëpi./ KultPlus.com

Ardita Sinani akuzon Vullinin se e ka futur në ‘blacklist’, thotë se ndalohet sa herë kalon kufirin e Serbisë

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka deklaruar se sa herë e kalon kufirin e Serbisë ndalohet dhe mbahet nga zyrtarët kufitarë serbë.

Në një postim në Facebook, ajo është shprehur se ndalimi i saj nuk është një rastësi, por është në kuadër të një listë të zezë, sipas saj, të cilën e ka krijuar zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin.

“Diskriminim i vazhdueshëm në kufi dhe përndjekje nga lista e Vullinit. Si përfaqësuese e shqiptarëve në Preshevë dhe si kryetare e Preshevës, sa herë kaloj kufirin, ndalohem dhe mbahem pa asnjë arsye të justifikueshme, me raste edhe deri në një orë. Ky trajtim është i papranueshëm dhe është një formë e qartë presioni dhe diskriminimi”.

“Tashmë zëvendëskryeministri i Serbisë, Alleksandar Vullin, ka pranuar hapur krijimin e një ‘liste të zezë – blacklist’ të individëve të konsideruar të padëshiruar nga qeveria serbe. Kjo listë jo publike, besohet se përfshin emra të atyre që kundërshtojnë politikat e qeverisë, veçanërisht në lidhje me pakicat etnike dhe disidentët politikë. Është e qartë që kjo nuk është një rastësi, por një përndjekje e orkestruar, e lidhur ngushtë me listën famëkeqe të Vulin, ku individë të padëshiruar për të dhe zëra të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve gjenden në shënjestër të shtetit”.

“Kjo listë është krijuar për të frikësuar dhe heshtur ata që guxojnë të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve. Por, asnjë formë presioni apo përndjekjeje nuk do të më ndalojë të vazhdoj punën time për të drejtat dhe dinjitetin e popullit tim. Kjo është një betejë për të gjithë ne, dhe unë jam më e vendosur se kurrë për të vazhduar”, ka thënë Sinani në Facebook. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kurti: Kemi ende probleme në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që udhëheq vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” Kurti ka thënë se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

“Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti, i cili është në Itali dhe po merr pjesë në kongresin e Parlamentit Evropian Socialist.

Shefi i Qeverisë së Kosovës e ka akuzuar Listën Serbe për lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”, ka shtuar ai.

Kurti ka deklaruar se po bëjnë çmos që t’i afrohen Bashkimit Evropian. Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, pasi u njoh zyrtarisht nga Komisioni Evropian si shtet “kandidat potencial”.

“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Italinë, duke thënë se ishte skeptik kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin”, ka thënë Kurti./rtk/KultPlus.com

24 vjet nga Beteja e Koshares, thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com

Mërgimtarët po presin deri në pesë orë në Merdare për të kaluar kufirin

Mërgimtarët erdhën në Kosovë, për të kremtuar festat e fundvitit në vendlindje, por në rrugën e kthimit për në vendet e Evropës Perëndimore po përballen me pritje të gjata për të kaluar kufirin Kosovë-Serbi. 

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat më të gjata janë në pikën kufitare Merdar, ku pritjet po zgjasin katër deri në pesë orë.

Kolona të gjata ka edhe në pikat tjera kufitare si Mutivodë, ku pritjet janë deri në një orë e gjysmë.

Në Jarinë ka rreth një orë pritje, kurse në Muqibabë 40 minuta.

Te pika kufitare Dheu i Bardhë sonte pritja është gjysmë ore.

Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës me vendet fqinje nuk ka pritje më shumë se 5 minuta në hyrje dhe dalje. / KultPlus.com

SHBA-ja rihap kufijtë për udhëtarët e vaksinuar

Shtetet e Bashkuara kanë rihapur kufijtë për vizitorët e huaj duke i dhënë fund një ndalimi 20-mujor të hyrjes për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ndalimi u vendos nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Masa kishte prekur qytetarët jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Shumë familje ishin ndarë dhe turizmi ishte bllokuar.

Tani, linjat ajrore po presin të ketë një vërshim nga vizitorët pasi kufizimet janë hequr për ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe i nënshtrohen testimit dhe gjurmimit të kontakteve.

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, kufijtë e SHBA fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.

Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit COVID-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontakteve. Ata nuk do të duhet të hyjnë në karantinë.

Bashkimi Evropian rekomandoi lejimin e hyrjes së udhëtarëve amerikanë në muajin qershor, ndërsa vizitorët nga SHBA-ja kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga 28 korriku. / KultPlus.com

Pritje deri në gjysmë ore për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë

Pas orës 22:00, me përjashtim të Vërmicës, nuk ka kolona të automjeteve në pikat e vendkalimeve kufitare në Kosovë.

Pritjet për të hyrë në Vërmicë nga territori i shtetit shqiptar janë 20 deri në 30 minuta. Ndërsa kolona e automjeteve është 300 metra, teksa për dalje në këtë pikë kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 5-10 minuta, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në vendkalimet e tjera kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 3-5 minuta.

Kujtojmë se nga ora 22:00 është në fuqi ora policore, e cila zgjat deri në 05:00 të mëngjesit dhe gjatë kësaj kohe mund të udhëtohet vetëm për raste emergjente.

Ora policore do të jetë në fuqi deri më 26 shtator, kur pritet të merren masat e reja në bazë të vlerësimeve të situatës me pandeminë koronavirus. / KultPlus.com

Miratohet marrëveshja me Kosovën për rregullat e trafikut lokal të kufirit

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së shtunës, miratoi dy marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e Kosovës, për sa i takon regjimit të trafikut lokal të kufirit dhe për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Sipas relacionit që shoqëron këto vendime, në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Gjithashtu qeveria miratoi në parim, marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë. / atsh / KultPlus.com

Pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, kolona deri në 350 metra

Mëgimtarët po presin deri në 1 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë, për shkak të kolonave të gjata nëpër pikat kufitare.

Kjo ndodh më shpesh gjatë kohës së pushimeve vjetore kur drejt Kosovës nisen numër i madh i mërgimtarëve nga vendet evropiane, transmeton KultPlus.

Në pikën kufitare në Jarinje për të hyrë në vend duhet të prisni deri në 80 minuta, ndërsa në dalje deri në pesë minuta.

Në Dheun e Bardhë deri në 40 minuta është pritja në hyrje si dhe në dalje deri në pesë minuta.

Në pikën kufitare në Merdare për të hyrë në Kosovë duhet të pritni deri në 50 minuta, kurse për të dalë deri në 35 minuta.

Fluks i madh i veturave, kosovarët po presin deri në 3 orë për të hyrë në Shqipëri

Qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur që në ditën e festës së Fitër Bajramit të marrin rrugën për në bregdetin shqiptar

Në një video të publikuar nga IndeksOnline, shihet një numër i madh i veturave në radhë duke pritur për të kaluar kufirin, transmeton KultPlus.

Ndërkohë kujtojmë se një numër i madh i kosovarëve vikendet e fundit i kanë kaluar në Shqipëri dhe Mal të Zi, për shkak të shtrëngimit të masave në Kosovë. / KultPlus.com

Fermeri ndryshon aksidentalisht kufirin mes Belgjikës dhe Francës

Një fermer në Belgjikë ka ndryshuar aksidentalisht kufirin e vendit të tij me Francën. Fermeri ishte duke ecur në pyll kur guri që ndan kufirin mes dy shteteve i zuri rrugën traktorit të tij.

Kështu, ai e zhvendosi atë vetëm pak metra, duke shkaktuar një incident që mund të shkaktonte trazira ndërkombëtare, por që është pritur me buzëqeshje në të dyja anët e kufirit.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është ide e mirë”, tha David Lavaux, kryetari i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që të kthejë gurin në vendin e tij origjinal. Nëse kjo nuk ndodh, çështja mund të përfundojë në Ministrinë e Jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision kufitar franko-belg.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikës shtrihet në 620 km. Ai u krijua zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në 1820 pas disfatës së Napoleonit në Waterloo. Guri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua me të për herë të parë./ KultPlus.com

Mali i Zi hap kufijtë me Serbinë, kushtet për Kosovën mbesin njëjtë

Nesër do të hapet kufiri me Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosha, Ai nuk ka folur për Kosovën, qytetarët e së cilës mund të hyjnë në Malin e Zi vetëm nëse kanë rezultat negativ për Covid 19.

Për të hyrë në Mal të Zi, një test negativ PCR ose një ELISA serologjike ka shumë të ngjarë të jetë e nevojshme, tha Mugosa.

Sipas tij, u vendos që të hapen kufijtë me kërkesë të industrisë së turizmit.

“Ne shohim që situata me Serbinë po përmirësohet, që do të thotë se kurba po barazohet,” shpjegoi Mugosa.

Ai tha se “kemi hyrë në një fazë në të cilën transmetimi lokal është ende i lartë, por ai është plotësisht i kontrolluar”.

“Jemi në fazën e rregullimit të kurbës, presim që ajo të shkojë më poshtë. Situata është një reflektim i sjelljes sonë. Të gjithë ne së bashku në këtë kohë nuk po sillemi mjaftueshëm me përgjegjësi. Të gjithë ne së bashku nuk veprojmë në mënyrë të përgjegjshme, sepse kemi 50-60 raste në ditë edhe pse testojmë shumë, rreth 450 mesatarisht. Kjo është në nivelin e 50,000 testeve në Gjermani, dhe ne jemi lider në rajon me Sllovenët “, tha Mugosha për TV Vijesti.

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi, Mugosa thotë se nuk pret ndonjë rrezik të rritjes së numrit të pacientëve.

“Nëse respektojmë masat e veshjes, maskave, distancës, atëherë zgjedhjet nuk kanë një ndikim të madh, as nuk do të zgjedhin një arsye për sëmundje më të madhe të njerëzve,” theksoi Mugoša.

Ai theksoi se deri në fund të javës tjetër, ata do të kenë rekomandime konkrete për hapjen e shkollave, dhe që kopshtet pa dyshim do të fillojnë të punojnë në shtator. / KultPlus.com

Shqipëria ka mbyllur kufirin me Kosovën

Pikat kufitare me Shqipërinë janë mbyllur sot në orën 6.00.

Me vendim të Qeverisë shqiptare, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, pikat do të jetë të mbyllura deri më 15 mars, ora 24:00, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

“QKMK ju njofton: për masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, sa i përket qarkullimit kufitar për në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga data 13/03/2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë, për te gjithë shtetasit / veturat e Republikës së Kosovës. Do te lejohet hyrja vetëm e veturave te shëndetësisë / ndihmës së shpejt , automjeteve komerciale (ata te cilat bartin mallra) dhe veturave qeveritare. Kjo masë do të zgjasë deri me datë, 15/03/2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Lajmi është konfirmuar edhe përmes telefonit dhe postës elektronike.

Deri më tash në Shqipëri janë konfirmuar 23 raste me koronavirus, ndërsa një ka humbur jetën si pasojë e tij.

Qeveria në krye me Edi Ramën ka marrë po ashtu masa tjera, duke ndaluar qarkullimin edhe Brenda vendit. /Koha.net /KultPlus.com