Pritje deri në gjysmë ore për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë

Pas orës 22:00, me përjashtim të Vërmicës, nuk ka kolona të automjeteve në pikat e vendkalimeve kufitare në Kosovë.

Pritjet për të hyrë në Vërmicë nga territori i shtetit shqiptar janë 20 deri në 30 minuta. Ndërsa kolona e automjeteve është 300 metra, teksa për dalje në këtë pikë kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 5-10 minuta, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në vendkalimet e tjera kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 3-5 minuta.

Kujtojmë se nga ora 22:00 është në fuqi ora policore, e cila zgjat deri në 05:00 të mëngjesit dhe gjatë kësaj kohe mund të udhëtohet vetëm për raste emergjente.

Ora policore do të jetë në fuqi deri më 26 shtator, kur pritet të merren masat e reja në bazë të vlerësimeve të situatës me pandeminë koronavirus. / KultPlus.com

Miratohet marrëveshja me Kosovën për rregullat e trafikut lokal të kufirit

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së shtunës, miratoi dy marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e Kosovës, për sa i takon regjimit të trafikut lokal të kufirit dhe për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Sipas relacionit që shoqëron këto vendime, në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Gjithashtu qeveria miratoi në parim, marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë. / atsh / KultPlus.com

Pamje nga kolona deri në 10 kilometra në kufirin Kosovë-Shqipëri

Mbrëmë janë krijuar kolona të gjata që arritën deri në dhjetëra kilometra në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Për të shprehur pakënaqësinë shoferët kanë protestuar duke i rënë borisë.

Pamjet nga kufiri në Morinë i ka publikuar analisti politik nga Shqipëria Mero Baze.

Dje gjatë ditës qytetarët shqiptar që nuk e kanë prezantuar testin negativ të COVID-19 nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë.

Cakaj takon Konjufcën: Kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ndodhet në një vizitë zyrtare në Kosovë nga ku ka deklaruar se kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet menjëherë.

“Jam tepër i nderuar që jam këtu në Prishtinë. Populli i Kosovës ka shfaqur një solidaritetit që ka sfiduar edhe kufijtë e të besueshëm, institucionet civile e ushtarake kanë bërë një punë të pashembullt e Qeveria ka dhënë një financim të vyer për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit. Kufiri që ndan dy vendet tona është vetëm simbolik. Ky kufi nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë”, tha Cakaj.

Takimin e parë Cakaj e ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca me të cilin siç tha ai trajtuan disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin e mëtejmë. Ai ka theksuar ndër të tjera se është shprehur gatishmëria për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta dhe ka lajmëruar nënshkrimin e dy marrëveshjeve. “Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ministri në Detyrë Cakaj.

Pas takimit në një konferencë për media ministri Konjufca tha se me Shqipërinë kanë raporte vëllazërore. “Nuk mund të shkruajmë thjesht me fjalën të ngushta apo miqësore apo institucionale ose thjesht të shkëlqyeshme por janë raporte përtej të gjitha këtyre vëllazërore. Ne kemi më shumë ndaj njëri tjetrit obligime se sa falënderime. Konsideroj se është bërë një punë shumë e madhe deri tash, por, hapësira me i thellu marrëdhëniet tona është gjithmonë e hapur. Deshta që të them se sa i përket bashkëpunimit tonë, marrëveshjet që janë arritur deri tash e që janë me dhjetëra do të përpiqemi që t’i zbatojmë. Sa i përket kësaj që mbledhja e qeverive tona e përbashkët që do të ndodhë në Shkodër ne do të jemi në koordinim maksimal”, tha Konjufca, teksa i kritikoi raportet ekonomike dhe tregtare Kosovë – Shqipëri. / KultPlus.com