“Kujtesa e Ajrit” titullohet ekspozita që do të hapet te muzeu “Marubi”.
Janë artistët italianë Chiaralice Rizzi e Alessandro Laita, që vijnë me ekspozitën personale kuruar nga Gabi Scardi, e cila merr titullin nga vepra poetike e autorit Visar Zhiti, “Kujtesa e Ajrit” (1993). Sipas muzeut, puna e tyre, në vitet e fundit, është qendërzuar tek tematika të ndërlidhura me arkivat, e koleksionet fotografike veçanërisht.
“Gjatë një rezidence në Shqipëri, ata kanë zhvilluar një hulumtim në zonën e Shkodrës dhe Tiranës, mbi fotografitë e shkrepura nga Marubët dhe pasardhësit e tyre. Vepra e artit që ka lindur nga këto takime, ka formën e një instalacioni audio shoqëruar nga një seri fotografish të ambienteve familjare ku fotografitë ruhet ende sot”, thuhet rreth kësaj ekspozite nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi”.
Hapjen e kësaj ekspozite nesër e ka bërë me dije më parë dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti në faqen e saj. Projekti mbështetet nga edicioni IX i Italian Council, një program i Direzione Generale Creatività Contemporanea i Ministrisë së Trashëgimisë Kulturore, Aktiviteteve dhe Turizmit në Itali. Projekti prezantohet nga Afol Metropolitana dhe Cfp Bauer, në bashkëpunim me muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi” dhe Ministria e Kulturës. Partnerë kulturorë: Museo Fotografia Contemporanea Centro Itard that’s contemporary Harabel Contemporary Art Platform Arthouse Fondazione Pini. Ekspozita “The memory of the air” ( Kujtesa e Ajrit), që hapet më 14 janar do të qëndrojë deri më datë 14 shkurt.
Rreth ekspozitës
Nisur nga gjurmët e arkivit “Marubi”, Chiaralice Rizzi dhe Alessandro Laita, në një ekspozitë të kuruar nga Gabi Scardi, kanë regjistruar një seri historish me banorët e shtëpive dhe kur ka qenë e mundur, edhe me vetë protagonistët e fotografive. Rreth ekspozitës thuhet se, regjistrimi dhe prania e fotografive në shtëpitë e familjeve të ndryshme, interpretuar si arkivë e jetuar, si dhe historitë e lidhura me subjektet e fotografive, e vendosin ekspozitën në ndërthurjen mes imazhit dhe fjalës, të kaluarës dhe të tashmes, privates dhe publikes, subjektives dhe kolektives.
“Kjo nënvizon gjurmën e pashlyeshme të historisë dhe marrëdhënien e gjallë që individi ka me të. Aty ku historitë zyrtare tentojnë të ngrijnë narrativën në një version të reduktuar të saj, Laita dhe Rizzi na sjellin nuanca, kontradikta dhe të papritura, ndonjëherë të paparashikueshme e shpesh, aspekte të patrajtuara. E gjitha kjo në një vend që për 40 vite, ka qenë nën trysninë e një diktature që ndër të tjera, ka shkaktuar humbje të thella”, thuhet mes të tjerave.
Artistët Alessandro Laita dhe Chiaralice Rizzi janë diplomuar në Arte Pamore pranë IUAV në Venecia, 2009. Nga viti 2010 deri në vitin 2015 kanë punuar në të njëjtin fakultet si asistentë në kurset e Antonello Frongia-s, Lewis Baltz-it dhe Adrian Pacit. Praktika e tyre artistike artikulohet rreth marrëdhënieve ekzistuese mes peizazhit, imazhit, kujtesës dhe formave të tyre. Në punët e tyre, përmes një procesi vëzhgimi, imazhet bëhen histori, duke shkuar përtej kuptimit të thjeshtë pamor. Në përdorimin e mediumeve të ndryshme, kërkimi ngre pyetje kritike rreth gjuhës fotografike si praktikë. Kuratorja Gabi Scardi është historiane arti, kuratore dhe shkrimtare, kërkimi i saj fokusohet në ndërthurjen mes artit pamor, antropologjisë, arkitekturës, dizajnit, modës dhe kulturës urbane.
Nga Julia Vrapi /Sot/ KultPlus.com