Ditë më parë, Komuna e Pejës ka rrënuar objektin e Shkollës së Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali”, me pretendimin për të ndërtuar hapësira të reja në shërbim të shollës. Ky veprim i komunës është realizuar pa përfshirje dhe konsultim paraprak të palëve të interesit, duke i anashkaluar edhe qytetarët e Pejës në përgjithësi, përcjellë KultPlus.
“Ne konsiderojmë që ky veprim është vazhdimësi e qasjes së gabuar dhe shumë të dëmshme të komunës në raport me vlerat e qytetit, strukturën dhe identitetin urban dhe trashëgiminë kulturore. Objekti i shkollës së arteve, i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë ndër ekzemplarët e paktë të mbetur të stilit austro-hungarez të ndërtimit. Për më tepër, përveç stilit të ndërtimit, objekti ka shërbyer për funksione të ndryshme administrative, edukative dhe kulturore, me rëndësi të veçantë për qytetin dhe qytetarët. Mbi të gjitha, objekti ka qenë pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të qytetarëve të Pejës. Një veçanti, Shkolla e Arteve e Pejës është e njohur si edukues i gjeneratës së parë të artistëve pamorë të Kosovës, dhe si institucion që i parapriu dhe kontribuoi në themelimin e Akademisë së Arteve të Kosovës”, thuhet në reagimin që ka bërë Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Pejë.
Përkundër faktit që ky objekt nuk ka qenë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore, vlerat e listuara më lartë janë argumente të mjaftueshme për të vlerësuar rrënimin si akt shkatërrues kundrejt trashëgimisë kulturore të qytetit te Pejës. Vlerat e qytetit nuk i kanë shpëtuar agresionit të të gjitha qeverive lokale të pas-luftës në Pejë, ndërsa rrënimi i objektit të shkollës së arteve paraqet vazhdimësinë e mendësisë së mbrapshtë që po e zhduk Pejën që qytetarët e kujtojnë dhe njohin.
“Ne shprehim edhe pakënaqësinë tonë me punën e autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Si pasojë e mosefikasitetit të tyre për të dokumentuar dhe ofruar mbrojtje ligjore për shumë objekte me vlerë në qytet, rrënimet e objekteve me vlerë dhe zhdukja e kujtesës kolektive janë shndërruar në normalitet”, thuhet tutje në reagim.
Komunën e Pejës si kryese e këtij akti të shëmtuar dhe Ministrinë e Kulturës si përgjegjëse për mbrojtjen ligjore të trashëgimisë kulturore, kjo organizatë i fton në përgjegjësi.
“Qytetarët e Pejës janë thellësisht të zhgënjyer me nivelin e ultë të llogaridhënies nga institucionet publike. Paaftësia e tyre për të dhënë përgjegjësi publike për këtë rrënim nënkupton miratim dhe përkrahje të përpjekjeve për të vazhduar degradimin, edhe ashtu në nivele alarmante të qytetit të Pejës”. / KultPlus.com