Kampioni i ri i botës për kujtesën më të fortë është një italian. Quhet Andrea Muzzi, është 20 vjeç dhe studion për mjekësi. I riu roman ia doli të sfidojë konkurrencën e 170 “atletëve të mendjes” duke fituar podiumin në Kampionatin Botëror të Kujtesës që u mbajt në Kinë me 8170 pikë.
Fitues dhe i Kampionatit Europian në vitin 2019, Andrea tashëm mban dhe 5 rekorde botërore. “Duhet të stërvitesh në mënyrë konstante, nuk është një dhunti natyrore. Është e nevojshme të njohësh teknikat antike të kujtesës”, deklaron ai.
Studenti 20 vjeçar ja arriti të mposhte në finalet e kësaj gare kaq të veçantë dy konkurrentë të forta nga Mongolia që e mbyllën garën e kujtesës me 7203 pikë dhe 7112 pikë.
Andrea Muzzi e nisi konkurrimin e tij një vit më parë, por tashmë e ka treguar që është një kampion i vërtetë për kujtesën, duke thyer rekord pas rekordi siç është dhe ai i mbajtjes mend të radhës së 1829 letrave bixhozi. Tani sfida e ardhshme për italianin do të jetë në vitin 2020 në Dubai/dita / KultPlus.com
Ka shumë
mënyra si ngjarje historike që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive
e atë individuale rikthehen në vëmendjen tonë. Kur bëhet fjalë për episode të
rënda të lidhura me luftën, këto mënyra marrin një valencë disi më të veçantë
sa i takon asaj çka kujtojmë, si zgjedhim ta kujtojmë, me kë e kujtojmë. E
themi këtë pas një udhëtimi në Bavari të Gjermanisë, në kuadër të një serie
aktivitetesh të cilat kishin në fokus masakrat e bëra në Shqipëri dhe Greqi nga
trupat e divizionit të parë malor të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Më njohura dhe më e rënda në tokën shqiptare ka qenë Masakra e
Borovës (6 korrik 1943) gjatë së cilës u vranë, pushkatuan dhe dogjën të gjallë
107 njerëz. Kjo u pasua nga të tjera në Greqi – aty ku u vendos batalioni alpin
(Lingiades, 1943; Distomo, 1944; Pyrgi, 1944). Në total, ky batalion ka bërë
rreth 150 masakra, të cilat numërojnë afërsisht 10 mijë viktima (ndonëse ende
nuk kemi një studim që të japë shifër të saktë për këtë).
Aktiviteti organizohej nga IGMetall (Sindikata
e industrisë së përpunimit të metalit) dhe Arbeitskreis Angreifbare
Traditionspflege (që mund ta shqipëronim si Grupi i punës për tradita që vihen
në diskutim), e cila prej kohësh angazhohet në drejtim të njohjes dhe
ndërgjegjësimit ndaj krimeve të nazizmit. Këtë vit, për herë të parë, ata
kishin ftuar edhe një grup nga Shqipëria që përfaqësohej prej një të mbijetuare
të masakrës së Borovës, znj. Pandora Ndoni.
Shoqëria e sotme shqiptare duket e distancuar
prej kohësh nga Lufta e dytë Botërore. Në një masë të madhe kjo ka ndodhur për
shkak të mënyrës si erdhi e u legjitimua kjo luftë brenda shablloneve
ideologjike e manikeiste të periudhës komuniste, kur regjimi, synoi që të
vërtetat e luftës, t’i kthente në një të vetme, atë të tijën.[1] Sa ia arriti
qëllimit, e tregojnë vitet post-diktatoriale: debatet për çka ishte, apo nuk
ishte lufta, apo edhe pasiviteti i të shumtëve, mbase edhe sepse këtyre i kanë
zënë radhën ngjarje të tjera, jo më pak traumatike për shoqërinë tonë.
Ndërkaq, rasti i Pandora Ndonit iu përket
atyre që e jetuan këtë luftë në dhe nën lëkurë, pa qenë të angazhuar
drejtpërdrejt në konfliktin primordial dhe, po ta mendosh hollë-hollë, pa e
ditur ende se kush do dilte i fituar apo i humbur prej saj. Njerëz si ajo e
kanë kujtuar atë tragjedi të jetës së tyre përtej ligjërimit zyrtar mbi Borovën
“martire”, muzikës pllakateske apo lapidareve pompozë. E bënë këtë duke e
rrëfyer në intimitetet e jetës: herë si përrallë të trishtë për nipat e mbesat
e herë për të ndarë muhabetin mes familjarësh, miqsh apo të njohurish. Janë ata
njerëz që vazhdojnë ende, çdo 6 korrik të rikthehen në atë vend, duke mëkuar me
praninë e tyre shpirtrat që prehen aty, në një ritual që shkon përtej
lakonizmit të ceremonialit përkujtimor zyrtar, gjithashtu të përvitshëm. I tyri
është një ritual që lidhet me një kujtesë sa komunitare, aq edhe individuale
dhe shpërfaqet ngahera si një akt dashurie i njeriut për njeriun.
Premisat e aktivitetit në fjalë e patën
zanafillën pikërisht në këtë vend, në 6 korrik të 2018, kur pjesëtarë të
Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege vizituan për herë të parë Borovën dhe
u takuan me disa prej të mbijetuarve, ndër të cilët ishte edhe Pandora Ndoni.
Njohja e një vendi që për ta deri atëherë kishte qenë një terra incognita
krijoi mundësinë për ta ftuar në Gjermani. E ndërsa historia shqiptare përmend
sporadikisht Borovën, në historinë gjermane, masakrat e batalionit alpin nuk
kanë pasur ndonjë vëmendje specifike; edhe aty ku përmenden, trajtohen si gjëra
dytësore, ose më keq akoma, thjesht si raprezalje dhe luftime ndaj banditëve.
Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege, duke bërë bashkë historianë e
aktivistë, kërkon të ndërgjegjësojë shoqërinë gjermane për këto krime. E tyrja
është një kauzë që kërkon të kujtojë e njëkohësisht të luftojë; të vendosë në
pikëpyetje dhe të kundërshtojë tradita që mund të duken të paprekshme; një
kauzë ku ka rëndësi të flasësh, po aq sa edhe ta bësh zërin tënd të dëgjohet.
Kjo karakterizoi në vija të përgjithshme aktivitetet
në fjalë: I pari, një forum në Schliersee ku u shfaqën dokumentarë mbi masakrat
në Greqi, u mbajtën workshop-e gjatë të cilave të mbijetuarit nga Shqipëria dhe
Greqia ndanë përvojat e tyre, si dhe u diskutua mbi çështjen e dëmshpërblimeve;
të gjitha në motto-n: Erinnern heißt kampfen (Të kujtosh do të thotë të
luftosh). Momenti i dytë ishte një pelegrinazh kujtese dhe proteste gjatë të
cilit historianë e aktivistë gjermanë, bashkë me përfaqësuesit nga Shqipëria e
Greqia ndaluan në vende që mbartin e trashëgojnë peshën e Nazizmit dhe të
luftës. Tre prej tyre janë për t’u veçuar: Qendra e dokumentimit të viktimave
të Nazizmit në Mynih, vendosur afër Königsplatsz, sheshi ku dikur
organizoheshin mitingjet masive naziste; Monumenti kushtuar atentatit në Reichenbachstrasse[2]
dhe sidomos Mittenwald-i, qyteza ku çdo vit Batalioni Alpin feston ekzistencën
e vet me një ceremoni ushtarake, në të cilën në disa raste kanë marrë pjesë
edhe përfaqësues qeveritarë përkatës.
Qëndrimi aty nxori në pah më shumë se në çdo
vend tjetër, tensionin dhe ngarkesën emocionale të asaj çka po ndodhte; diçka
që nuk ishte tamam e dukshme, apo e prekshme, por që e ndjeje nën rogoz, diçka
që godiste së brendshmi. Nga një anë, ceremonia e përvitshme ushtarake në
gjithë pompozitetin e vet celebrativ; nga ana tjetër, The Balcony: Memories of
Occupation film dokumentar kushtuar masakrës së Lingiades, nga Krysanthos
Kostantinidis; nga një anë fjalime normalizuese në nder të një batalioni i cili
ka qenë përgjegjës për krime lufte, nga ana tjetër rrëfime publike të një të
mbijetuare shqiptare. Vetë Mittenwald-i kishte filluar ta ndjente peshën e
rëndë të kësaj kundërvënieje. Nuk ishin vetëm reagimet plot irritim të tipit
“ata bënë thjesht detyrën”. Ky tension duket se kish arritur të minonte thelbin
e ekzistenës së një vendi, atë pasivitet të organizuar deri në nivel
institucional të kësaj qyteze (që nuk ishte e vetmja), për të penetruar atë çka
mbante prapa ky vend si kartolinë, ngrirë nga rregullsia e përkorë dhe
nikoqirllëku.
Në një atmosferë të tillë arrin të kuptosh se
në të nëntëshmen e rrëfimit të gjyshes Pandora ngërthehet diçka gati sakrale;
me qetësinë që e karakterizonte të linte të kuptoje se të treguarit ka qenë dhe
do vazhdojë të jetë për të një përpjekje për të reaguar ndaj atyre gjërave që
nuk mund të marrin shpjegim apo të pranohen lehtë, por që nuk mund të na lënë
që të na marrin energjinë për jetën. Rrëfimi nga ana tjetër, i bën njerëzit
bashkë dhe dëgjimi i ngjarjeve të tilla mes një audience gjermane kishte sa
kërshërinë për të mësuar, aq edhe rëndesën e fajit, peshën e përgjegjësisë. Dhe
kundërvënia mund të jetë goxha e fortë po ta shtyjmë pak tej mendimin se mbase
gjyshi i ndonjërit prej atyre që dëgjonin mund të ketë qenë “njëri nga ata”…
gjendeshim në Bavari, vendin ku Nazizmi gjeti folenë më të ngrohtë dhe
mbështetjen më solide. Kjo na kthen gjithashtu te universaliteti i fatkeqësisë:
Nëse paqja dhe mirëkuptimi nuk na kanë bashkuar gjithmonë me grekët, fatkeqësia
e përbashkët tregon, në fund të fundit, se jemi njerëz dhe vuajmë, tregojmë e
përpiqemi njësoj.
Ky itinerar vendesh, ngjarjesh, protestash, historish arrin të shënojë kështu një akt historik me të vërtetat e të gjithëve atyre që u bënë bashkë për të rrëfyer në emër të të gjithëve forcën shëlbuese e rijetëzuese të kujtesës: nga Pandora Ndoni që edhe për shumë kohë vazhdoi të shihte te çdo burrë me kapele babain e saj Lekën dhe që u rrit një grua të fortë e kapur fort pas jetës; nga Perikli Minga që e gjeti të shuar familjen e vet dhe e mbajti si një ishull të patrazuar brenda vetes deri sa mbylli sytë; nga Ralph Klein-i, që edhe pse nuk mundi ta bindte babain e vet se bindjet dhe mbështetja ndaj nazizmit e luftës ishin fatalitet, gjeti motivim për ta luftuar atë si historian, profesor e aktivist; nga Efrosini Chasaki, një 99 vjeçare vllahe – sarakaçane që ende kujtonte se masakrën në Lingiades e shkaktoi dasma e saj; nga Maximilian Fichtner-i që beson ende se idealet e një politike të majtë mund të përfaqësojnë njerëzoren dhe pozitivitetin; dhe më në fund nga Mikaela dhe Saliani që duke e përjetuar thellë këtë udhëtim, menduan që ta rrëfenin për ju. /PF/KultPlus