37 vite nga vdekja e aktorit dhe dramaturgut të shquar Kujtim Spahivogli

Kujtim Spahivogli (Lushnjë, 30 qershor 1932 – Tiranë, 7 korrik 1987) ka qenë aktor, dramaturg dhe ndër regjisorët më të njohur shqiptar.

Studimet e larta për teatër i ka përfunduar shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët e shkëlqyer të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Popullor. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Popullor ishte Xherxhinski në dramën “Orët e Kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj.

Ai më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjesët: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj.

Spahivogli ishte edhe krijues e drejtues i “Teatrit të të Rinjve” i cili u krijua pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të pak pjesëve që vuri në skenë me atë trupë qe edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”. Po ashtu, vuri në skenë edhe pjesë të dramaturgut Fadil Paçrami, dhe kur ky u godit rëndë nga plenumi i katërt i Partisë së Punës, bashkë me të u dënua padrejtësisht edhe Kujtimi. Në vitin 1973 e larguan nga teatri dhe i hoqën të drejtën të vinte pjesë në skenë. Në fillim punoi në disa fshatra, pastaj e çuan punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier.

Ai qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh. Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese.

Vdiq në vitin 1987 në moshën pesëdhjetepesë-vjeçare, i sëmurë e i harruar, edhe pse kishte qenë një ndër regjisorët e spikatur të teatrit shqiptar.

Pas vdekjes, në vitet ’90 iu dha titulli “Artist i Popullit”./ KultPlus.com

Si bëhet kënga rome

Poezi nga Kujtim Paçaku.

nuk ka shumë marifet!
merre një grusht dhembje
shtoji ca pika loti
e pak pluhur rrugësh të pasosura
pak aromë stinësh të dashurisë
në fund
i shton erëza djegëse dashurie
dhe i hedh ca yje përsipër
dhe e lë të piqet
të piqet në zjarr të shpirtit
gjer në agim.

ja pra, kështu bëhet kënga rome…