Ministri Gashi takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, O’Connell

Ministri Kujtim Gashi, priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ruairí O’Connel, me të cilin bisedoi për zhvillimet në fushat që i mbulon MKRS-ja, politikat programore dhe objektivat që ka në plan MKRS-ja të përmbushë si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Britanisë së Madhe në sferat që janë më me prioritet dhe në interes të dy vendeve në kuadër të këtyre fushave.

Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin O’Connell dhe, përmes tij qeverinë dhe popullin britanik për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për popullin e dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti në mbështetje të kulturës, sportit e trashëgimisë kulturore.

Ministri u shpreh se e çmon bashkëpunimin e deritashëm dhe përkrahjen që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë për projekte të ndryshme të cilat e kanë ndihmuar MKRS-në që të realizojë politikat e saj dhe se kjo ka krijuar lehtësira të jashtëzakonshme për mbarëvajtjen e punës së ministrisë. Ndër këto projekte është Databaza e Trashëgimisë Kulturore, në të cilën Britania e Madhe ka ofruar mbështetjen e plotë për këtë projekt. Programi i bursave, i cili është nënshkruar në një marrëveshje mes MKRS-së dhe Këshillit Britanik që studentët kosovarë të vazhdojnë studimet në universitetet britanike në fushën e trashëgimisë dhe projekte tjera infrastrukturore, janë ndër të shumtat që ambasada e ka ndihmuar MKRS-në.

Poashtu, ministri Gashi tha se mbetet i përkushtuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe i tilli të thellohet edhe më, në të ardhmen. Ai tha se MKRS-ja do të angazhohet në reformimin e politikave të saj programore me synim të depolitizimit dhe zvogëlimit të barrierave të panevojshme administrative duke siguruar edhe pavarësinë e funksionimit të institucioneve vartëse të ministrisë. “Do të angazhohemi që të rikonceptojmë mbështetjen e fuqishme për kulturën e pavarur, gjegjësisht, artistët, punëtorët profesional të Trashëgimisë Kulturore, sportistët dhe aktivistët e rinj të dëshmuar”, tha ministri Gashi.

Nga ana e tij, ambasadori britanik Ruairí O’Connell, e uroi ministrin Gashi për detyrën e re. Ai i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe arritje në punën që do bëjë në të ardhmen.
Ambasadori theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ai potencoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje. O’Connell e inkurajoi ministri që të punojë dhe të angazhohet në përkrahjen e vlerave dhe mbështetjen e talenteve të rinj në të gjitha fushat./ KultPlus.com

Gashi: MKRS-ja do të jetë e hapur për një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile

Ministri Kujtim Gashi, ka takuar drejtuesit e Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK), të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv Albert Heta dhe anëtarët tjerë të bordit, profesori Fadil Hysaj, regjisori Fatos Berisha e Sali Shoshi nga CHwB.

Në takim u diskutua për situatën kulturore në vend dhe se si ajo të përmirësohet dhe aktivitetet kulturore brenda dhe jashtë vendit të prezantohen sa më mirë. Në lidhje me këtë, ministri Gashi ofroi gatishmërinë e plotë të tijën personale por edhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të punuar bashkërisht ashtu që politikat kulturore dhe implementimi i tyre të jetë që kultura të ketë rolin dhe vendin e vet meritor në vend dhe në skenën kulturore ndërkombëtare. “Ministria do të jetë adresa e duhur për përkrahjen e kulturës dhe do të jetë një derë e hapur për bashkëpunim të mirëfilltë në të mirë të kulturës dhe mbështetje të vlerave”, tha ministri.

Ministri e vlerësoi punën që bëjnë institucionet dhe organizatat e pavarura kulturore, duke qenë një faktor i rëndësishëm që e mban gjallë kulturën në vendin tonë, e që në bashkëpunim edhe me institucionet nacionale, duke filluar me MKRS-në, e përmbushin mozaikun që kultura të jetë një tërësi./ KultPlus.com

Nis procesi i zhvendosjes së Ministrisë së Kulturës në Prizren

Një premtim i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që e kishte bërë gjatë një mbrëmjeje të fushatës elektorale në Prizren, ka mjaftuar që Ministria e Kulturës të nisë procesin e zhvendosjes së pjesshme në këtë qytet.

Ende pa vendim të Qeverisë, pa kurrfarë konsultash me institucionet qendrore të kulturës a ndonjë analize reale, kabineti i ministrit Kujtim Gashi është duke kërkuar objektin e ri në qytetin jugor.

Përderisa Ministria ende nuk e di se çfarë do të bëhet saktë në këtë drejtim, drejtuesit e institucioneve qendrore të kulturës këtë e shohin si veprim të gabuar. Ka prej tyre që konsiderojnë se bëhet fjalë për veprim të pastër politik.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, të martën ka thënë se tashmë është në konsultime me Komunën e Prizrenit sa i përket objektit ku do të vendoset një pjesë e MKRS-së.

Sipas tij, kjo pjesë e MKRS-së do ta ketë një objekt brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Ai ka renditur një sërë arsyesh për këtë hap, megjithëse ende nuk ka ndonjë arsyetim zyrtar të paraqitur para Qeverisë së Kosovës, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Kujtim Gashi mori postin e ministrit të MKRS-së

Sot në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sportit, u bë pranim-dorëzimi i detyrës së ministrit të ri të zgjedhur të shtunën mbrëma nga Parlamenti i Republikës së Kosovës.

Kujtim Gashi, pranoi detyrën e ministrit të MKRS-së, nga Vlora Dumoshi tashmë ish udhëheqëse e detyrës së ministres në këtë institucion, shkruan KultPlus.

Përpos falënderimeve që kishin mes veti Dumoshi dhe Gashi, krejt tjetër çka u fol ishte se do të punohet shumë që kjo ministri me gjitha drejtoritë që ka do të zhvillohet edhe më tutje në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Rikujtojmë se Kujtim Gashi, deri më tani ishte kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit./ KultPlus.com

Kujtim Gashi sot merr detyrën e ministrit të MKRS-së

Sot më 11 shtator me fillim nga ora 14:30, bëhet ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kabinetin e ministres, përcjell KultPlus.

Ministrja Vlora Dumoshi do t’i dorëzojë zyrtarisht detyrën ministrit të ri, Kujtim Gashi. Mediet do të marrin vetëm pamje nga kjo ceremoni./ KultPlus.com

Kujtim Gashi, ministër i Ministrisë së Kulturës

PDK sapo ka zbuluar emrat e ministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mesin e të cilëve është zbuluar edhe emri i ministrit të MKRS-së, shkruan KultPlus.

Kujtim Gashi është ministri i MKRS-së. Kujtim Gashi është kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, ndërkohë se a do të bartet Ministria e Kulturës në Prizren, deklaratë kjo e mëhershme e kryeparlamentarit Kadri Veseli, mbetet të shihet në ditët në vijim, pasi që tashmë edhe ministri vjen po nga Komuna e Prizrenit/KultPlus.com