Akademiku dhe profesori Kujtim Shala, shan rëndë në Kuvend (VIDEO)

Akademiku, studiuesi i letërsisë, profesori i letërsisë dhe poeti Kujtim Shala, shau sot rëndë në Kuvend.

Memli Krasniqi ishte duke e replikuar kryeministrin Albin Kurti për çështjen e dialogut, kur në fund të fjalimit të tij u dëgjua një e sharë në Kuvend.

“Phuu të q****a tradhtarin e nanës”, është fraza që dyshohet se është thënë nga deputeti Kujtim Shala sot në Kuvend. / KultPlus.com

Mbretnesha

Nga Kujtim Shala

Mbretneshë
Asnjiherë e prekun prej durve t’zeshkta
Kapakt e syve lshuem rand
Shtete e pushtete floku yt
E gjini i thepisun
Rrxojnë
Ku nis me dashtë ti
Mbarojnë ujnat e qeta
Rritet zjarmi
Ku nis idhnimi yt
Rrukulliset qielli i bardhë
Rruzullimi vorr bahet
Me terr përziem mbi e ndër dhé

Mbretneshë
Sa herë kujtoj se m’lshon sy
Tanë vullkanet i kam për veti
Dhe Mbretneshë për veti ty
Ma dimën se dimni
N’mue
Ndër sundin tand
Lejnë e mbesin kput për dhé
Njerzit e dheut tem
E tana rrugtë mbarojnë te kamba jote
Me pak qiell t’rrxuem

Mbretneshë
Për nji vorr me pak qiell përziem
Rrnoj
Kah shkel kamba jote
E syni yt shejon
Tana tjerat janë pluhun
E tjetër s’bahen asnjiherë
Me hijen tande me i matë. / KultPlus.com

UP-ja do t’i kompensojë me rreth 14 mijë euro Avdullah Hotin, Hykmete Bajramin dhe Kujtim Shalën

Është arritur pajtim gjyqësor në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera.

Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që palët kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj marrëveshje e paditura UP, detyrohet që paditësit Avdullah Hoti t’ia kompensojë shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë, paditëses Hykmete Bajrami shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë dhe paditësit Kujtim Shala shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë.

Të gjitha këto shuma të lartcekura, në emër të kompensimit të diferencës së pagës sekondare për periudhën kontestuese dhe atë për tërë vitin 2015, ndërsa për vitin 2016 vetëm për muajin janar, shkurt, mars, prill dhe maj.

Ndërsa, sa i përket shpenzimeve të procedurës, palët ndërgjyqëse janë dakorduar që secila palë t’i bartë shpenzimet e veta.

Fillimisht, përfaqësuesi i paditësve, avokati Durim Osmani dhe përfaqësuesi i të paditurës UP, Safet Thaqi, e kanë njoftuar gjykatën se janë pajtuar që këtë lëndë ta zgjidhin me pajtim gjyqësor.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse e ka lejuar gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca, e cila tha se ky pajtim e ka fuqinë e aktit përmbarues.

Sot vazhdon gjykimi në rastin ku Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Kujtim Shala kanë paditur UP-në

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara.

Lidhur me këtë rast, në seancën e mbajtur më 16 nëntor 2021, ishte dëgjuar eksperti financiar i cili kishte elaboruar ekspertizën e punuar më 5 tetor 2021.

Ndryshe, me precizimin e lartësisë së kërkesëpadisë, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që e njëjta të aprovohet si dhe të detyrohet UP-ja që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aty kërkohet që UP t’ia paguajë paditësit Avdullah Hoti shumën prej 5 mijjë e 901 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 590 euro e 16 centë, në emër të tatimit në burim, shumën prej 5 mijë e 311 euro e 45 centë në emër të diferencës së pagës sekondare), si dhe kamatën ligjore në shumën prej 2 mijë e 302 euro e 69 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Tutje, në precizim thuhet se paditësja Hykmete Bajrami ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 907 euro e 45 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 490 euro e 75 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 4 mijë e 416 euro e 71 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 881 euro e 45 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Kurse, paditësi Kujtim Shala ka kërkuar shumën prej 4 mijë e 376 euro e 61 centë bruto në emër të pagave të papaguara sekondare (shumën prej 437 euro e 66 centë në emër të tatimit në burim, diferenca e pagës sekondare në shumën prej 3 mijë e 938 euro e 95 centë), si dhe kamatën ligjore prej 1 mijë e 720 euro e 96 centë, duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe deri në pagesën përfundimtare të obligimit.

Sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.

Në padi thuhet se, paditësit me të paditurën në periudha të ndryshme kanë lidhur kontratë pune, si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Filologjisë. Gjegjësisht, thuhet se Hykmete Bajrami ka lidhur kontratën e punës si mësimdhënëse me UP më 13 shtator 2004, Kujtim Shala me 12 janar 2009, kurse Avdullah Hoti më 6 mars 2002, të cilat kontrata kanë vazhduar përmes aneks kontratave ose në mënyrë të vetëkuptueshme, kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdojnë ende.

Sipas padisë, në bazë të kontratave lëndore, palët paditëse kanë pasur obligim si punëmarrës, ndërsa UP ka pasur obligim si punëdhënës, në kuptim të çështjes kontestuese, pagimin e pagave për punën e kryer sipas kontratave lëndore dhe pagimin e të ardhurave tjera të punëmarrësit.

Mirëpo, në padi thuhet se përfaqësuesi i UP-së, Ramadan Zejnullahu, më 10 dhjetor 2014, nxjerr vendimin në bazë të cilit vendoset që palëve paditëse nuk i kompensohen pagat dhe të ardhurat personale sipas kontratës, përveç orëve të realizuara si mësimdhënës.

Tutje thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë shfuqizon vendimin e UP-së, ku si pasojë vet pala e paditur, më 11 maj 2016, nxjerr vendimin në bazë të cilit e revokon vendimin lëndor dhe vendoset t’i paguhet paga në mënyrë retroaktive, po që nga kjo datë thuhet se pala e paditur nuk ka paguar pagat sipas vendimit të fundit të datës 11 shkurt 2016.

Paditësit këtë padi e kanë bazuar në nenin 55-58 lidhur me nenin 11, paragrafi 9 të Ligjit të Punës, ku thuhet se është përcaktuar e drejta e punëmarrësit për kompensimin me pagë dhe të ardhurat tjera, në kundërvlerë të punës së kryer në cilësinë e punëmarrësit ndaj punëdhënësit.

Andaj, mbi këtë bazë po kërkohet që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve, Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, si dhe të obligohet UP që atyre t’ua paguajë pagat e papaguara me kamatë ligjore duke llogaritur nga data 1 shkurt 2015 e deri më 30 shtator 2021, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi

Del video e përleshjes në Kuvend

Ka dalur video nga kamerat e sigurisë në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku të martën pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme pati një përleshje.

Nga pamje shihet se deputetët e LDK-së Arben Gashi, Kujtim Shala e Doruntina Maloku presin te dera e sallës së mbledhjes. Me të dalë nga aty Gazmend Gjyshinca i Vetëvendosjes, pamjet tregojnë që rrethohet nga ana e deputetëve të LDK-së. Po ashtu, shihet kur Gjyshinca goditet nga ana e Arben Gashit.

Gjatë ditës së djeshme, VV-ja akuzoi deputetët e LDK-së se e sulmuan Gjyshincën, mirëpo këtë e mohuan Gashi e Shala. Madje, Gashi e Shala thanë se ekzistojnë kamerat e sigurisë dhe se ato mund të tregojnë të vërtetën. / Koha.net/ KultPlus.com

Në ASHAK promovohen librat e Kujtim Shalës dhe Bardh Rugovës

Bujar Meholli

Në ambientet e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës sot është bërë promovimi i dy librave të autorëve Kujtim Shala dhe Bardh Rugova, shkruan KultPlus.

Para një audience të zgjedhur në sallën e Akademisë së Arteve dhe Shkencave u promovuan librat e Shalës dhe Rugovës.

Në panel të këtij promovimi ishin akademikët Ali Aliu, Rexhep Ismajli dhe profesori Nysret Krasniqi. Aliu, moderator i këtij promovimi foli në hapje ku tha fjalë miradije për autorët dhe prezantoi folësin e parë, profesorin dhe studiuesin Nysret Krasniqi.

Krasniqi foli për librin e Shalës për të cilin tha se e çmon klasiken.

“Autori Kujtim Shala në vazhdimësi çmon klasiken, ky është parim i cili bën thirrje ta ruash atë që e ke. Kujtim Shala thotë se identitarja është e vetmja udhë e universales, si e tillë kur ndërlidhet nënkupton traditën  e emrave nacional, e mbi këto premisa del edhe titulli i këtij libri i cili fokuson dy shtylla themelore filozofike-letrare, debatin për fenomenet letrare të vlerësuara dhe për autorët e vlerësuar dhe tashmë të rivlerësuar”, tha Krasniqi.

“Autori Kujtim Shala në këtë libër nis me tri tekste fenomenologjike si pjesë e parë, ndërsa me dhjetë vepra në pjesën e dytë sjell tekste për autorët e traditës në kuptimin Eliotian të nocionit”.

“Tri veprat fenomenologjike Letërsi dhe Identitet, Identiteti i pazbuluar dhe Kryeveprat Gege identitaren e çmojnë në sistem filozofik-teorik, ndërsa dhjetë veprat e autorëve të traditës sikur sfidojnë modelin e autorit të propozuar nga Roland Barti”, tha ndër të tjera profesori Krasniqi, derisa autori Shala u shpreh se letërsia dhe identiteti janë temë e madhe dhe se në veprën e tij është përpjekur që fiksionin ta shkruaj si diskurs.

Libri i dytë që u promovua ishte “Leksioni i termave të fonetikës dhe të fonologjisë” i profesorit dhe studiuesit Bardh Rugova.

Akademiku dhe linguisti Rexhep Ismajli foli për librin, duke e shpërfaqur fillimisht një biografi të shkurtër të autorit Rugova. Veprën e këtij të fundit, Ismajli e çmoi dhe e vlerësoi si shumë të rëndësishme.

“Procesi i shpjegimeve të përmbledhura te ky libër janë koncize, autori në këtë libër ka arritur të bëjë një paraqitje relativisht të plotë të nocioneve dhe koncepteve konkrete, krejtësisht specifike dhe të zgjeruara mbi studimet e gjuhës shqipe”, tha Ismajli.

Vetë autori Bardhi u shpreh falënderues, derisa deklaroi se ka pasur model profesorin Ismajli prej të cilit edhe ka mësuar shumë gjëra në fushën e studimeve gjuhësore.

“Kemi pasur probleme me literaturën që është futur në gjuhën shqipe, kështu u shfaq nevoja për të pasur një leksik tjetër, një libër strukturalist”, potencoi fillimisht ai.

“E vetmja zgjidhje ishte që të kishim një brez në të cilin të gjitha dijet e fushave të ndryshme do të mund të gërshetoheshin. Kështu libri nisi si pjesë e një projekti që përfshin edhe fusha tjera të gjuhësisë, socio-lignuistikës e fonetikës të cilave do t’ju vijë radha për t’u promovuar”, përfundoi ai.

Këto dy libra janë botim i ASHAK-ut dhe mund të gjenden në hapësirat e Akademisë. /KultPlus.com

Robnia

Poezi nga Kujtim Shala

Mbramë t’kam andrrue
me flokët erë
me synin stuhi
kam prekë ikjen larg
kufijt e qiellit
në synin tand
jam mbyt

Mbramë kam mësue me dashtë
prej fillimit
me vajtue ankthshëm
mbramë
kam fluturue pa mend

Kam andrrue se m’ke dashtë
prej fillimit
pa skaj
se dashunia jote
asht oqean pa breg
e prekja jote robni

Mbramë kam mësue me t’dashtë ty
me u shtri të kambët tua
me u shkretue prej flokut shtri
me ta prekë synin
dorën zjarm

Mbramë kam msue me u çmend
ma shumë se nji herë
me hy në mjegull
me andrrue në ankth
i robnuem pa skaj.