Kurti kujton ‘Abenë’, Shalën, Zherkën e Vulën në 26-vjetorin e rënies së tyre: Luftëtarë të paepur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar dëshmorët Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën, në 26-vjetorin e rënies së tyre.

Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shprehet se këta dëshmorë ishin luftëtarë të paepur, që u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.

“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.  Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, shkruan i pari i qeverisë.

Kryeministri kujton Martirët e Korishës, mes tyre 14 fëmijë

Kryeministri, Albin Kurti, ka kujtuar sot në Ditën e Martirëve në Korishë 77 civilë shqiptarë të vrarë, prej tyre 14 fëmijë, kur më 13 maj të 1999-ës, forcat serbe kryen masakër mbi popullsinë civile.

Në këtë ditë kushtuar martirëve, Kurti kujton civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999.

”Dita e Martirëve në Korishë

Më 13 maj të vitit 1999, forcat e armatosura të Serbisë kryen masakër mbi popullsinë civile të pafajshme në Korishë. Aty u vranë 77 civilë. Prej tyre, 14 ishin fëmijë.

Vrasjet pa dallim moshe e gjinie, janë dëshmi e pafajësisë së tyre dhe e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.

Në Ditën e Martirëve të Korishës, kujtojmë civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht e Maçitevë, të vrarë në maj të vitit 1999. Përkujtojmë viktimat civile që ishin futur në kurthin e vdekjes prej forcave serbe.

Lavdi martirëve të Korishës!

Lavdi secilës jetë të sakrifikuar në rrugën tonë për liri!”.

Kryeministri Kurti bën homazhe në Studenicë në 25-vjetorin e masakrës: Ne as nuk harrojmë e as nuk falim

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Studenicës, ku tha se katër nëna e katër vajza të mitura nga 12 deri në 15 vjeç, njësitë paraushtarake serbe i vranë përnjëherë.

Kryeministri Kurti tha se njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë kryen masakër duke i vrarë nëntë anëtarë të familjes Lipaj.

Më poshtë gjendet shkrimi i plotë i kryeministrit Kurti në facebook:

Katër nëna e katër vajza të mitura (nga 12 deri në 15 vjeç) i vranë përnjëherë.

Më 13 prill 1999, në fshatin Studenicë të Istogut, njësite paraushtarake dhe policore të mbështetura edhe nga trupa ushtarake të Serbisë, kryen masakër duke i vrarë 9 anëtarë të familjes Lipaj. Në 25 vjetorin e kësaj masakre, bashkë me Vasfije Krasniqin, shkuam në Studenicë të Istogut për t’iu bashkuar familjarëve të viktimave në përkujtimin e kësaj masakre, për të bërë homazhe dhe për tu zotuar për drejtësi nga vendi ku është kryer ky krim.

Në pranverën e vitit 1999, mijëra banorë të fshatrave të Podgurit u strehuan në fshatin Studenicë, meqë aty ishte edhe shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Adrian Krasniqi”. Më 11 dhe 12 prill 1999, banorë të Vrellës dhe të Studenicës u strehuan në lagjen e Cakutajve në fshatin Kaliqan, mes tyre edhe 50 anëtarë të familjes Lipaj që deri në mbrëmjen e 12 prillit kishin qenë të strehuar në familjen e Sali Sokol Zeqirajt në Studenicë. Mbrëmjen e 12 prillit, mijëra banorë të zonës kalonin nëpër Kaliqan dhe shumica vazhdonin bjeshkëve me borë drejt Rozhajës.

Mëngjesin e 13 prillit 1999, baci Sali që ishte 86 vjeçar, bashkë me Sale Lipajn (64) dhe Hajrije Lipajn (62) si dhe me katër vajzat Qëndresa, Mirdona, Njomëza dhe Lindihana, u kthyen në shtëpi në Studenicë për të marrë bukë, rroba dhe barna. Aty u bashkuan me nënën e Lindihanës, Sabrijen (43) si dhe me Hatmane Mehajn nga fshati Tomoc, një grua e moshuar dhe me probleme shëndetësore.

Me të arritur në shtëpinë e Sali Sokol Zeqirajt, vajzat nisën t’i bëjnë gati rrobat dhe barnat, kurse nënat Sale, Hajrije dhe Sabrije morën punët të gatuajnë bukë dhe t’i pjekin në zjarrë. Por tymi i oxhakut u vërejt nga trupat ushtarake serbe që ishin pozicionuar në Kodër të Banjës, në Tomoc e Pollaqer, e të cilët i njoftuan njësitet policore dhe paraushtarake që ishin pozicionuar në malet e Studenicës, nën Kodër të Madhe, në malin te livadhi i Cakutve dhe te Pishat.

Atë paradite, policë dhe paramilitarë e rrethuan shtëpinë e Sali Zeqirajt, të cilin e vranë bashkë me 9 anëtarë të familjes Lipaj: Nezir Lipaj (1934), Sale Lipaj (1935), Hajrije Lipaj (1937), Fatime Lipaj (1933), Sabrije Lipaj (1956), Qëndresë Lipaj (1984), Mirdonë Lipaj (1986), Lindihanë Lipaj (1986) dhe Njomëz Lipaj (1985). Pasi që i vranë, forcat serbe i morën kufomat dhe i hodhën në pus, kurse mbi to hodhën eksploziv për ta shembur pusin mbi kufoma. Atë ditë, më 13 prill 1999, në Studenicë të Istogut u vranë edhe Sylejman Ramqaj (70), Sadik Ramqaj (72), Ali Belaj (75), Sadri Kuqaj (78), Have Kuqaj (76) dhe Sofe Hysenaj (79).

Deri sot, për këtë masakër e për këto krime nuk ka patur as proces gjyqësor, as aktakuzë dhe as të dënuar. Por ky krim sikur edhe krimet e tjera të kryera gjatë luftës, duhen hetuar duke ndjekur gjurmët e grumbulluar faktet si dhe duke marrë dëshmi nga dëshmitarët, për të ngritur aktakuza ndaj kryerësve dhe urdhërdhënësve. Republika e Kosovës me institucionet e saj, është e vendosur në adresimin para drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të të gjitha krimeve të të gjitha llojeve të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët e Kosovës. Ne as nuk harrojmë, as nuk falim!

Lavdi martirëve të vrarë në Studenicë të Istogut mes të gjithë të rënëve në rrugën e popullit të Kosovës drejt lirisë!

Kryeministri Kurti kujton masakrën e Reznikut: Nuk e harrojmë dhembjen e popullit tonë

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar sot masakrën e Reznikut të Vushtrrisë, ku forcat e armatosura të Serbisë, më 6 prill të vitit 1999 vranë civilët e pafajshëm shqiptarë.

“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë”, ka theksuar Kurti në një postim në Facebook.

Tutje Kurti ka theksuar se fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë.

“Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurt as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku”, ka shkruar tutje Kurti.

Kryeministri Kurti përkujton Albright: Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për përkrahjen e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar ish-sekretaren e shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright në dyvjetorin e vdekjes.

Kryeministri Kurti, ka thënë se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj saj për ndalimin e gjenocidit në Kosovë.

“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e Sekretares së Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit”, ka shkruar Kurti në platformën X.