Veliaj i dhuron ‘Kullën e Sahatit’ sopranos Ermonela Jaho: Mirënjohës që je imazh i Shqipërisë moderne, që punon

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim artisten shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho, pak orë para se ajo të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit për të performuar për publikun shqiptar.

Duke i dhuruar Kullën e Sahatit të Tiranës, Veliaj tha se ajo kullë mbart simbolikën se është gjithmonë koha për t’u kthyer në shtëpi, si dhe e ftoi artisten të bëhet pjesë e aktiviteteve kulturore që do të kulmojnë vitin e ardhshëm, kur Tirana mban titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.

“Ne të jemi shumë mirënjohës për kontributin tënd. Ti je një ambasadore për vendin, imazh i Shqipërisë moderne, i Shqipërisë që punon, i Shqipërisë së mirë, i Shqipërisë së mbarë, i Shqipërisë që beson te talenti, te djersa, te puna. Dua që me këtë simbolikë të vogël të Sahatit, i cili do të të tregojë gjithmonë orën e saktë të Tiranës, t’i thuash vetes se ndoshta është gjithmonë koha për t’u kthyer te zemra jote, të shtëpia jote. Por, edhe për të të kujtuar se vitin tjetër ne do të jemi Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës, ndaj nëse ke miq, dashamirës, partnerë, që do dëshiroje t’i ftoje për të bërë gjëra të bukura në Tiranë, ne jemi të lumtur të të ndihmojmë”, u shpreh Veliaj.

Ai dha edhe lajmin e mirë për të gjithë dashamirësit e artistes, që nuk kanë mundur të gjejnë bileta për koncertin e saj.

Veliaj njoftoi se në ambientet e jashtme të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrihet një skenë me një ekran të madh dhe vende për t’u ulur, për të përjetuar drejtpërdrejtë emocionet e performancës së Ermonela Jahos.

“Për të gjithë ata që ndoshta pezmatohen që koncerti sot në darkë është i shitur, ne kemi një lajm të mirë: Do të vendosim një skenë jashtë, me një ekran të madh dhe karrige, për të gjithë ata artdashës që do të donin të shijonin qoftë edhe nga jashtë, atë mrekulli që do të na dhurojë në Teatrin e Operas së Baletit, e dashura jonë, zemra jonë, Ermonela Jaho”, tha ai.

Artistja shqiptare falënderoi kryebashkiakun për vlerësimin.

“Është një ndër dhuratat më të bukura. Duke kënduar në Shqipëri, në mëmëdheun tim, në këtë teatër ku unë u rrita, ku filloi ëndrra ime, u bëra kjo që jam sot, ndaj këtij vendi, jo vetëm këtij teatri, dua t’i kthej pakëz dashuri dhe pakëz mirënjohje nga dashuria dhe mirënjohja që më ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare”, u shpreh ajo./atsh/ KultPlus.com

Restaurohet kulla e Xhelë Hajdinit, në listën e objekteve restauruese edhe dy objekte të tjera të familjes

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka përfunduar restaurimi i kullës së Xhelë Hajdinit, e cila ndodhet në një peizazh të mrekullueshëm natyror, në fshatin Terziaj në Gjilan.

MKRS ka njoftuar po ashtu se kulla është ndërtuar në vitin 1947, dhe ka pasur funksion të banimit si objekt me gur dhe dru, e cila pas restaurimit ka ruajtur konstruksion e mëhershëm të saj.

“Restaurimi do të vazhdojë edhe në dy shtëpi të tjera të familjes Hajdini, që janë plot vlera arkitekturore dhe dëshmi të së kaluarës.

Mbrojtja, restaurimi dhe funksionalizimi i aseteve të trashëgimisë sonë kulturore është një prej prioriteteve të Ministrisë së Kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com

Fillojnë punimet restauruese në kullën e Idriz Hereqit në Kralan të Gjakovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se kanë filluar punimet për restaurimin e kullës së Idriz Hereqit në Kralan të komunës së Gjakovës, kullë kjo e cila është ndërtuar në shek. XIX-të.

MKRS po ashtu ka bërë të ditur se ruajtja dhe mbrojtja e aseteve të trashëgimisë kulturore vazhdon të jetë një ndër prioritetet e Ministrisë së Kulturës.

“Punimet do të vazhdojnë me kujdes, për ta kthyer këtë aset të çmueshëm në gjendjen e mëparshme”, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com

Njëra nga tri kullat e familjes Hajdini në Gjilan në fazën përfundimtare të restaurimit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se njëra nga tri kullat e familjes Hajdini në qytetin e Gjilanit është në fazën përfundimtare të restaurimit, shkruan KultPlus.

 Ministri Çeku ka bërë të ditur se kulla në fjalë i takon vitit 1947, duke potencuar se një ndërhyrje e tillë konsiderohet një investim për promovimin turistik të zonës së Gjilanit.

“Në këtë peizazh të mrekullueshëm natyror, në lagjen e quajtur Terziaj në Gjilan, gjenden shtëpitë tradicionale të familjes Hajdini. Punimet janë drejt përfundimit në njërën nga tri kullat që do të restaurohen. Në kullën e Xhelë Hajdinit, e ndërtuar në vitin 1947.

Përveç ruajtjes së dëshmive të së kaluarës, këto ndërhyrje janë një investim për promovimin turistik të zonës. Trashëgimia kulturore vazhdon të jetë prioritet qeveritar”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Më 31 mars të vitit 1889 është hapur Kulla Eiffel

Kulla Eifel ose siç e quajnë ndryshe francezët “La Tour Eiffel” është një nga monumentet më të njohura në botë.

Kjo kullë është projektuar si pjesa më e mirë e koleksionit të panairit botëror në Paris më 1889 dhe kishte për qëllim të përkujtonte 100 vjetorin e Revolucionit Francez.

Kulla është hapur më 31 mars të vitit 1889, dhe sot janë bërë 135 vite nga përurimi i saj.

Tashmë është monumenti më i njohur dhe më i fotografuar në botë.

Kulla mori emrin e projektuesit dhe arkitektit të saj, Alexandre Gustave Eiffel, i cili e ndërtoi strukturën për ekspozitën ndërkombëtare të Parisit, 1889.

Këtu do të gjeni 10 fakte që nuk i keni ditur më parë për të.

1- Në majë të saj gjendet një apartament sekret. Në majë të kullës gjendet një bar ku mund të pini shampanjë.

2- Kulla Eiffel ka një lartësi 324 metra, pra, sa një pallat 81-katësh. Në kohën e përfundimit, ka qenë struktura më e lartë në botë. Ajo ka qenë struktura më e lartë deri në vitin 1930, kur ia kaloi ndërtesa e Chrysler në Nju Jork. Sot, Kulla Eiffel është struktura e dytë më e lartë në Francë.

3- Vizitorët kanë mundësi të ngjiten me shkallë ose me ashensor. Ka tre ashensorë, megjithëse vetëm dy janë të hapur në të njëjtën kohë. Ashensori i tretë ngjitet nga kati i dytë në të tretin. Duhet të dini se këta ashensorë mund të jenë shumë të ngarkuar, sidomos gjatë sezoneve turistike dhe radha e pritjes për t’u ngjitur në ashensor mund të jetë shumë e gjatë

4- Ju rekomandojmë gjithsesi të keni durimin për t’i vizituar të tria katet. Në katin e parë do të mësoni rreth historisë së Kullës, së kaluarës e së tashmes së saj. Këtu do të mësoni për rolin që luan kulla në teknologjinë moderne, si dhe do të mund të shikoni pajisje që kanë qenë pjesë e kullës origjinale. Këtu përfshihet një pjesë e shkallëve spirale origjinale (që nuk përdoren më), një nga pompat hidraulike të përdorura në sistemin e ashensorit, si dhe “FerOScope”, pajisja që përdoret për të krijuar shfaqje drite nga kulla.

Në katin e dytë mund të shijoni një pamje 360 gradë të qytetit.

Fotot që do bëni këtu, mbeten kujtime të paharrueshme. Gjithashtu do të gjeni një restorant dhe një bar të vogël.

Kati i tretë është i jashtëzakonshëm. Do t’ju duket vetja si në majë të botës. Do t’ju pëlqejë si platforma e brendshme ashtu edhe e jashtme, si dhe do t’ju duket shumë interesante një model i zyrës origjinale të inxhinierit Gustave Eiffel.

5- Në këtë kullë ka një zyrë postare.

6- Mahnitëse dhe e bukur, Kulla Eiffel është kthyer në një klishe filmash kinematografikë. Pjesa më e madhe e filmave të xhiruar në Paris tregojnë pamje të Kullës Eiffel dhe shikuesit mund të besojnë se ajo është e dukshme nga të gjitha këndet e qytetit. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e ndërtesave në Paris nuk janë më të larta se 7 kate, kështu përveç ndërtesave pranë saj, shumë pak të tjera mund ta shohin kullën nga dritaret.

7- Kulla Eiffel është e mbushur me emra shkencëtarësh.

8- Bëhet një punë shumë e madhe që kulla Eiffel të duket bukur.

9- Poshtë kësaj kulle gjendet një bunker ushtarak.

10- Kulla Eiffel është e hapur për vizitorët çdo ditë, nga ora 9:30 deri më 23:30. Nga mesi i qershorit, deri në fund të gushtit, Kulla hapet në orën 9:00. Ka tri kate për t’u vizituar dhe kostoja e biletës varet nëse doni të shkoni në katin e tretë apo të dytë dhe nëse doni të shkoni me ashensor apo në këmbë nga shkallët. Çmimet variojnë nga 3 deri në 13 euro, në varësi të moshës së vizitorëve dhe dëshirës për të eksploruar. /KultPlus.com

Kulla Eifel në Paris do të rihapet pas grevës gjashtëditore

Kulla Eifel në Paris pritet të rihapet për vizitorët të dielën pas gjashtë ditësh mbyllje për shkak të grevave.

Punëtorët fillimisht u larguan të hënën në një mosmarrëveshje mbi mënyrën e menaxhimit të kullës.

Operatori i saj, Societe d’Exploitation de la Tour Eiffel (SETE), tha se një marrëveshje u arrit me sindikatat të shtunën.

Kjo është greva e dytë e tillë në këtë objekt ikonik në tre muajt e fundit, pasi Parisi do të nikoqir i Lojërave Olimpike 2024 këtë verë.

SETE u kërkoi falje blerësve të biletave dhe tha se ata do të rimbursoheshin për rezervimet e ndikuar nga veprimi, i cili rezultoi në humbjen e rreth 100 mijë sosh.

Sindikata e fuqishme Confédération Générale du Travail (CGT) tha se stafi kishte vendosur të godiste mbi modelin e biznesit të SETE, i cili pretendonte se bazohej në një vlerësim të fryrë të numrit të vizitorëve të ardhshëm dhe një nënvlerësim të kostos së mirëmbajtjes dhe rinovimit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Stéphane Dieu, duke folur në emër të sindikatës, akuzoi SETE se kërkon përfitime në një afat të shkurtër.

Greva e kësaj jave ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej për pesë ditë, por CGT të premten njoftoi se stafi kishte votuar për të zgjatur grevën deri të shtunën pasi hodhi poshtë propozimin fillestar të SETE.

Deçan, kulla e shekullit XVIII shndërrohet në muze etnologjik

Përveç bukurive të shumta natyrore, Rrafshi i Dukagjinit ofron edhe shumë vende të tjera të trashëgimisë kulturore për t’i vizituar. Një prej tyre është edhe kulla e shndërruar në muze etnologjik.

Kulla e ndërtuar në shekullin XVIII nga familja e Zymer Himës në Deçan, tani është shndërruar në Muze Etnologjik.

Në këtë muze, janë të ekspozuara artefakte dhe eksponate të shumta të lidhura kryesisht me mënyrën e jetës nëpër periudhat e ndryshme historike në trevën e Rrafshit të Dukagjinit.

Drejtor i Muzeut dhe ekspert i trashëgimisë Bekim Vishaj bën thirrje që muzeu të pasurohet në vazhdimësi me vegla dhe artefakte të reja të cilat do ta pasuronin edhe më shumë këtë institucion të kulturës dhe trashëgimisë.

Muzeu Etnologjik (Kulla e Zymer Himës) është një monument i trashëgimisë kulturore në Deçan i kategorisë “artiktektuore” që mbikëqyret nga Komuna e Deçanit dhe Ministria e Kulturës./rtk/KultPlus.com

Kulla e Ngujimit 400-vjeçare në Theth tërheq vëmendjen e vizitorëve të huaj

Ecja nga Valbonë në Theth në Alpet shqiptare është absolutisht mahnitëse dhe e vlefshme për ata që duan të shijojnë udhëtimet e gjata më këmbë (trekking), sipas një artikulli të botuar në “Atlas Obscura”.

Nga qyteti verior i Shkodrës, rruga me minibus për në Komani zgjat rreth 90 minuta.

Një shëtitje e bukur me traget përgjatë liqenit blu-jeshile të Komanit do t’ju sjellë në Fierzë, ku mund të kapni një minibus tjetër për në Valbonë, rruga zgjat rreth një orë.

Qëndroni gjatë natës në një nga bujtinat e këndshme të fshatit dhe bëni rrugën drejt shtegut në mëngjes herët.

Ecja në Theth është 17.2 km, pika më e lartë është 1800 m, dhe zgjat rreth 6 ose 7 orë për të përfunduar.

Kulla e Ngujimit ndodhet jo shumë larg rrugës kryesore në Theth, përtej kompleksit të bujtinave.

Nuk ka orë të caktuara të hapjes, por vendasit në një nga shtëpitë fqinje e hapin kullën sipas kërkesave.

Kulla e Ngujimit në Theth

Dikur një strehë e sigurt për vendasit e përfshirë në gjakmarrje, kjo kullë e fortifikuar 400-vjeçare tani është një muze që tregon se si ishte jeta për ata që rrinin në pritë brenda mureve të saj.

Shqiptaret e Veriut dikur jetonin sipas kodit të tyre fisnor, sipas Kanunit, një grup ligjesh zakonore të vendosura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, një fisnik i shekullit të 15-të.

Në mesin e 1262 neneve të tij, Kanuni lejon gjakmarrjen, në të cilën një person ka të drejtën e vrasjes si ndëshkim për vrasjen ose çnderimin e një anëtari të familjes në emër të drejtësisë.

Nuk ishte e pazakontë që këto grindje të zgjasnin për vite, duke përfshirë disa breza dhe duke rezultuar në vdekjen e shumë burrave, dhe ndonjëherë edhe grave dhe fëmijëve si dëm kolateral nga të dyja anët.

Përtej mesjetës, ligji i Kanunit vazhdoi në disa pjesë të Shqipërisë, pavarësisht se u shpall i jashtëligjshëm nga diktatori komunist Enver Hoxha.

Deri më sot, gjakmarrjet thuhet se ekzistojnë ende, ku disa individë izolohen në shtëpi në fshatrat e tyre, duke jetuar me frikën e vazhdueshme të hakmarrjes eventuale nga një familje e përbuzur shumë kohë më parë, nga një prej paraardhësve të tyre.

Gjatë grindjeve, anëtarët meshkuj të familjes kufizoheshin në kulla, për t’i dhënë vetes një avantazh mbrojtës ndaj klanit kundërshtar.

Burrat do të qëndronin këtu, derisa të përfundonte grindja, domethënë derisa të vriteshin të gjithë meshkujt që përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, ose derisa të arrihej pajtimi, ndoshta me ndihmën e një këshilli pleqsh./atsh/KultPlus.com

Restaurohet Kulla e Sahit Avdylit, në Dujakë të Gjakovës

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se është restauruar Kulla e Sahit Avdylit, në fshatin Dujakë të Gjakovës, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku, përmes një postimi në facebook ka thënë  se ruajtja e origjinalitetit dhe rifunksionalizimi i aseteve të trashëgimisë kulturore, është synim i MKRS, pasi mbrojtja e monumenteve kultivon krenarinë për të kaluarën dhe pasurinë kulturore të Kosovës.

134 vjet nga hapja e Kullës së Eiffel-it, kuriozitete interesante

Kulla e Eiffel-it, njihet si një objekt ikonë në mbarë botën, që poashtu është edhe monumenti i cili mban rekordin e vizitorëve me pagesë. Ajo është e ndërtuar në kryeqytetin francez, Paris, dhe është ideuar nga inxhinieri dhe projektuesi Gustav Eiffel, shkruan KultPlus.com

Ndonëse Kulla Eiffel u kritikua nga artistët dhe intelektualët e kohës për dizajnin e saj, ajo është shëndrruar në një ikonë kulturore të Francës dhe një nga monumentet më të bukura dhe më të njohura në botë.

Kulla bën pjesë në trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 6.91 milionë njerëz në vit.

Ajo ka përmasa gjigande, me 330 metra lartësi, baza e së cilës është 125 metra katrorë në katër anët.

Kulla peshon 10 000 ton, dhe në kohë me erë zhvendoset në maje afërsisht 6-7 cm.

U deshën pesë muaj për të ndërtuar bazamentin dhe 21 muaj për të ndërtuar konstruksionin metalik të kullës. 121 punëtorë të rregullt morën pjesë për ndërtimin e kullës, kurse 100 të tjerë punonin në parafabrikimin e pjesëve matike në tokë./KultPlus.com

Restaurohet Kulla Veneciane në Durrës

Kulla Veneciane në Durrës është restauruar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti së bashku me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell, ishin në Durrës për të përuruar punimet restauruese dhe rijetësuese në Kullën Veneciane, të cilat u finalizuan falë programit EU4CULTURE, zbatuar nga UNOPS.

“Shijuam një performancë befasuese, e cila tanimë është e prekshme për vizitorët. Kulla Veneciane, një thesar që jo vetëm ka dalë në dritë, por ka fituar edhe më shumë vlerë falë teknologjisë”, shkroi ministrja Margariti, në një postim në rrjetet sociale.

Tashmë ky monument kulture është shndërruar në një qendër informuese për historinë e qytetit. Vizitorët shqiptarë e të huaj, e mbi të gjitha të rinjtë do të mund të marrin aty informacion për të gjitha objektet me rëndësi historike e kulturore të Durrësit.

Kulla, përveç se do të rrëfejë historinë e Durrësit, do të orientojë vizitorët përmes monumenteve te tij./atsh/KultPlus.com/

Kulla e Pizës rihapet për publikun

Kulla e Pizës, një nga objektet më të njohura turistike të Italisë, është rihapur pas një pushimi tre mujor për shkak të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

“Kjo është një ditë e rëndësishme, pasi ne po hapim të gjithë këtë zonë”, tha Pierfrancesco Pacini, kreu i administratës së kësaj zone turistike.

Italia rihap nesër edhe Koloseun dhe Muzetë e Vatikanit.

Në Firence, muzeu ”Uffizi” dhe Galleria dell’Accademia, shtëpia e Davidit të Michaelangelo-s, janë gjithashtu të gatshme të mirëpresin përsëri vizitorët. /KultPlus.com