Kulla e Sahatit në Tiranë, monumenti që po tërheq turistët

Kulla e Sahatit, pjesë e trashëgimisë kulturore është objekti që ka identifikuar Tiranën ndër vite. Bashkë me xhaminë Et’hem Beu, janë konsideruar gjithnjë si “kartolina e kryeqytetit”.

Qendra e Tiranës është në çdo moment të ditës e mbushur me turistë të huaj. Shumica e tyre nuk largohen pa vizituar kullën e sahatit, shkruan abcnews.al.

Pasi ngjitin 92 shkallët, vizitorët qëndrojnë disa minuta në lartësinë e kullës së stilit otoman, ku nuk mungojnë shkrepjet e fotografive, të qendrës së Tiranës dhe ndërtesave të periudhave të ndryshme nga ato osmane siç është xhamia, ministritë e ndërtuara gjatë mbretërisë së Ahmet Zogut, muzeu kombëtar dhe pallati i operas dhe baletit gjatë diktaturës komuniste.

Kulla e sahatit është një nga monumentet kulturore të kategorisë së parë më të rëndësishme të Tiranës dhe simbol i trashëgimisë së vjetër të kryeqytetit. Ajo u ndërtua në vitin 1822 me iniciativë të Haxhi Et’hem Beut nga ndërtues të Tiranës dhe zonës së Gollobordës, të shquar për mjeshtrinë e tyre në ndërtim./KultPlus.com

Gjithçka u rrafshua, kulla e sahatit mbeti në këmbë, ngeci në “orën e vdekjes”

Kulla e sahatit në qytetin Adiyaman është shndërruar në simbolin e fitores së jetës kundër vdekjes, pasi është ndër ndërtimet e pakta në zonë që i ka shpëtuar tërmetit të 6 shkurtit që goditi Turqinë.

Qyteti, ku pjesa dërrmuese e popullsisë janë kurdë, është rrafshuar thuajse plotësisht. Por në pamjet e përcjella nga mediat turke, kulla 40-vjeçare e sahatit qëndronte e drejtë mes mbeturinave. Ajo që bie më shumë në sy është se orët e vendosura aty kishin ngecur të gjitha në 4:17, orën ekzakte kur vendi u godit nga tërmeti i parë i magnitudës 7,7.

Më shumë se 41 mijë persona kanë humbur jetën në Turqi e Siri nga ai që konsiderohet tërmeti më i madh që ka goditur vendin që prej vitit 1936. Autoritetet turke vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në Siri, “Helmetat e Bardha” kanë ndërprerë punën.

Në Turqi, janë arrestuar disa ndërtues, të cilët fajësohen se nuk kanë respektuar rregullat e ndërtimit dhe për pasojë godinat që ata kanë ngritur u shembën. / KultPlus.com

Punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta në Kullën e Sahatit

Në Kullën e Sahatit në Kalanë e Prezës vijojnë me ritme të shpejta punimet për restaurimin e saj, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas CHwB Albania, këndi i shembur dhe muratura e sipërme e kullës po rindërtohen gradualisht, me synimin për të siguruar një lidhje më të mirë të muraturës së re me atë ekzistuese si dhe në të njëjtën kohë duke e siguruar atë ndaj fatkeqësive të mundshme natyrore, përmes përforcimit strukturor.

“Kulla e Sahatit përfaqëson një monument shumë të rëndësishëm dhe simbolik për Prezën dhe jo vetëm, prandaj po bëjmë çmos për t’u siguruar që të rezistojë në kohë, më e sigurtë dhe për brezat që do të vijnë”, thekson CHwB Albania.

Tërmeti i rënë më 26 nëntor 2019 shkaktoi dëme edhe në kalanë e Prezës, monument kulture, e cila nisi të ndërtohej në shekullin e 14-të dhe përfundoi në fillim të shekullit të 15-të. Si pasojë e tërmetit muri i kalasë u ça, ndërsa ranë edhe disa gurë.

Projekti i restaurimit është zhvilluar dhe po zbatohet nga ChwB Albania dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.

Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII–XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m. / KultPlus.com

U dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, nis restaurimi i Kalasë Mesjetare të Prezës, Kulla e Sahatit

Restaurimi i Kalasë Mesjetare të Prezës, Kulla e Sahatit është një ndër përfitueset e financimit të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore nga SHBA.

Kryetari i Bashkisë së Vorës, Gentian Picari bëri të ditur sot se ky është një tjetër projekt i rëndësishëm që ka nisur për restaurimin e objekteve apo vendeve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Falë financimit të Fondit të Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore nga SHBA, një tjetër projekt i rëndësishëm ka nisur për restaurimin e objekteve apo vendeve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit”, u shpreh Picari.

“Granti është nënshkruar nga Ambasadorja Amerikane Yuri Kim dhe Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndër të cilat përfituese e këtij granti është edhe Restaurimi i Kalasë Mesjetare Të Prezës, Kulla e Sahatit”, tha ai.

“Jemi shumë falënderues për mbështetjen maksimale që po na jepet për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e jetës dhe trashëgimisë tonë kulturore”, theksoi Picari. /atsh / KultPlus.com

Gjon Muharremaj pranon ‘Kullën e Sahatit’ nga Erion Veliaj

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj i ka dhuruar këngëtarit Gjon Muharremaj, “Kullën e Sahatit” si shenjë mirënjohje për suksesin e tij.

I njohur me emrin artistik Gjon’s Tears, këngëtari me origjinë shqiptare Gjon Muharremi përfaqësoi Zvicrën në Eurovision, ku arriti të marrë vendin e tretë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti në zyrën e tij këngëtarin të cilin e vlerësoi maksimalisht për arritjet, teksa i dhuroi “Kullën e Sahatit” një simbol për miqtë special.

“Të kam ndjekur që kur ke qenë fëmijë edhe je shembulli i dikujt që i ka arritur gjërat me punë, me punë, me punë, me punë, me punë, me përpjekje. Një familje që ka sakrifikuar shumë për të të rritur, ama ia ke shpërblyer. Edhe kur të pashë edhe ty edhe Anxhelën dhe thashë: Vetëm Shqiptaria mund të çoj dy përfaqësues.”, u shpreh Veliaj.

Duke iu referuar karrierës së Gjonit, Veliaj tha se është shembulli më i mirë se me shumë punë mund të arrihet gjithçka.

“Jam shumë krenar për ty edhe dua shumë që të jesh një shembull për djem e vajza të tjerë. Ti je shembulli që dikush duhet të punoj non-stop për ato 3 minuta në Eurovizion, 13 vjet për ato 3 minuta, kështu që të uroj shumë sukses. Shpresoj që do të kesh një kujtesë të kohës, ku ti punon dhe sakrifikon, por edhe të kilometrit zero ku i kemi rrënjët të gjithë. Kështu që ti ke gjysmën e rrënjëve të tua këtu në Tiranë, edhe mezi pres të vish e ta konsiderosh shtëpinë tënde”, vijoi Veliaj.

Gjoni falënderoi kryetarin Veliaj për dhuratën, ndërsa tha se ndihet krenar që gjysmën e origjinës së tij e ka nga Tirana, pasi nëna e tij është lindur e rritur pikërisht në kryeqytetin shqiptar.

“Faleminderit shumë për këtë dhuratë, dhe për këtë simbolikë shumë të bukur. Ndjehem shumë krenar që e kam gjysmën time nga Tirana dhe e përqafoj gjithë fisin tim që është këtu. Faleminderit shumë”, u shpreh këngëtari. /demokracia/ KultPlus.com

Veliaj i dhuron ‘Kullën e Sahatit’ Çun Lajçit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në zyrën e tij aktorin dhe shkrimtarin e njohur Çun Lajçin.

Lajçi prej ditësh ndodhet në kryeqytetin shqiptar, duke promovuar librin e tij të fundit. Ndërkaq, mediet shqiptare raportojnë se përgjatë takimit me Veliajn u diskutun një mori temadh dhe çështjesh të lidhura me artin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës shqiptare, përcjellë KultPlus.

Duke e përgëzuar për veprën, por dhe për kontributin e dhënë si artist dhe shkrimtar, kryebashkiaku e vlerësoi Lajçin si një vlerë të paçmuar për shoqërinë shqiptare. “Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, artisti Çun Lajçi u shpreh i nderuar për mikpritjen e kryebashkiakut. “Të falenderoj shumë për burrërinë, për ftesën, që more një shitës librash dhe e solle në zyrë, pavarësisht roleve, pavarësisht viteve. Gjithçka ndërtohet në paqe mbi librin dhe mbi dijen, – kësaj s’guxojmë t’i ikim, se po ikëm nga dija, nga libri, nga mendimet e të kaluarve tanë, me vetëdije ike mi prerë rrënjët tona. Prandaj, të falenderoj që më more prej librave dhe më prure këtu, duke më dhuruar Sahatin e Tiranës, që do ta mbaj kujtim gjithë jetën”, u shpreh Lajçi.

Ndërkaq, Veliaj publikoi edhe një status në rrjetin social Facebook, ku tregoi se ndjehet shumë i lumtur për prezencën e Lajçit në Tiranë, duke iu referuar këtij të fundit si Çun Lajçi i madh.

‘Kulla e Sahatit për artistin Çun Lajçi – një vlerë e paçmuar!

Jam shumë i lumtur që kemi pas bujtës në Tiranë, Çun Lajçin e madh, jo vetëm të dyqind roleve, por edhe të dyqind frymëzimeve e dyqind energjive.🙌🙌🙌

Jemi të nderuar për gjithë veprën tënde, për shërbimin që i bën shoqërisë tonë.🙏”, shkruan Veliaj. / KultPlus.com