Kulla Veneciane në Durrës, e ndërtuar gjatë shekullit XV, pas restaurimit është shndërruar përmes teknologjisë, në një qendër fantastike informacioni për qytetin antik.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo kullë e cila pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019, u restaurua nga fondi evropian EUCulture.
“Kulla e rilindur Veneciane e Durrësit, pas restaurimit të thellë falë edhe mbështetjes nga fondi europian EU4Culture është instaluar një program teknologjik i rrugëtimit përmes thesareve të trashëgimisë sonë kulturore”, shprehet Rama.
Ky monument i mrekullueshëm i trashëgimisë tonë kulturore dhe pikë referimi i qytetit të Durrësit, iu nënshtrua restaurimit me mbështetjen e Projektit EU4Culture financuar nga BE dhe u ekzekutua nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.
Punimet restauruese, përfshinë pajisje multimediale me një buxhet prej 700,000 € dhe rreth 300,000 euro shtesë u investuan për zhvillimin e përmbajtjes multimediale.
Me mbështetjen e projektit, Kulla Veneciane është shndërruar në një Qendër të Interpretimit të trashëgimisë më moderne.
Kjo qendër u ofron vizitorëve mundësinë për të eksploruar ngjarje dhe vende historike përmes mjeteve të ndryshme digjitale dhe multimediale, si kufjet VR, periskopët digjitalë, projeksionet multimediale në kupolë dhe aktivitete të tjera që kombinojnë argëtimin me një vështrim më të thellë të historisë së lashtë të qytetit./atsh/KultPlus.com