Kryeministri Rama: Rijetësimi i Kullës Veneciane, një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar

Kulla Veneciane në Durrës po i nënshtrohet restaurimit dhe rijetësimit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një fotogaleri nga punimet që po kryhen në këtë Kullë, e cila do t’i ofrojë turistëve një tjetër ndalesë tërheqëse në Durrës.

“Ja dhe Kulla Veneciane në Durrës që po i nënshtrohet një restaurimi të thellë, përpara një rijetësimi të bukur, për të ofruar për vizitorët e turistët në rritje një tjetër ndalesë tërheqëse në qytetin bregdetar”, shprehet Rama.

Punimet po realizohen falë financimit të Bashkimit Evropian, nëpërmjet programit #EU4Culture.

Projekti synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj., duke ofruar për vizitorët, një mënyrë te re të të njohurit të historisë së qytetit të Durrësit. / KultPlus.com

Kulla Veneciane në Durrës do të kthehet në pikë informacioni turistik

Torra Veneciane, një nga simbolet e Durrësit, jo vetëm do të restaurohet përmes programit “EU4Culture”, por edhe do të kthehet në pikë informacioni turistik, bëri të ditur sot delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.

Kulla Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit.

Kulla ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit./atsh/KultPlus.com

Kulla Veneciane në Durrës do të ‘tregojë’ trashëgiminë përmes teknologjisë

Kulla Veneciane në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë.

Lajmin e dha sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture

“Kulla Veneciane, në Durrës do të kthehet në një qendër për të treguar mbi trashëgiminë kulturore të këtij qyteti, përmes teknologjisë. Ture virtuale, aplikacione, periskopë digjitalë do të na udhëheqin në një fluturim në kohë. Kulla Veneciane është një nga objektet ku do të nisë shndërrimi, si pjesë e programit EU4Culture”, theksoi Margariti në një reagim.

Edhe projekti EU4Culture po ashtu dha detaje për projektin duke njoftuar se Torra Veneciane, në zemër të Durrësit, pas ndërhyrjeve të programit EU4Culture do të kthehet në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore e cila do të ofrojë: vizita dhe eksplorime të kullës bazuar në aplikacione, performanca dixhitale, të cilat do të jenë gjithëpërfshirëse e do të shfaqen disa herë në ditë, pamje interaktive nga tarraca e çatisë nëpërmjet periskopëve dixhitalë, etj.

Bëhet e ditur se punimet do të nisin së shpejti, ndërsa projekti EU4Culture solli edhe pamje sesi do të duket Kulla Veneciane pas shndërrimit./atsh/KultPlus.com