Kulla veneciane, në zemër të Durrësit shumë shpejt do të hapet për vizitorët.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila pa sot nga afër ecurinë e punimeve në këtë monument simbolik të qytetit të Durrësit.
“Restaurimi i objektit është në fazat përfundimtare dhe do të nisë procesi i plotësimi i tij me pajisjet që do t’i shtojnë kësaj qendre edhe aspektin multimedial, që do të shërbejnë për informimin dhe orientimin e vizitorëve në gjithë qytetin e Durrësit”, shprehet ministrja.
Kulla Veneciane me përfundimin e restaurimit do të shndërrohet në një qendër informacioni dhe interpretimi të historisë së qytetit.
Falë programit EU4Culture, kulla do të “flasë” përmes programeve teknologjike multimediale.
Me një buxhet total prej 40 milionë euro, EU4Culture shtrihet në të gjithë territorin e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 me ndërhyrje të planifikuara në një sërë objektesh të Trashëgimisë Kulturore. Përveç restaurimit, do të investohet në rijetëzimin e siteve të përzgjedhura të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të vendndodhjes. / KultPlus.com