Hapet “Shpirti Dervish” nga Fahredin Spahija, 20 vjet të përmbledhura në 27 fotografi unike

Era Berisha 

Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus. 

Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja. 

Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë. 

Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti. 

Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë. 

“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti. 

Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore. 

“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai. 

Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë. 

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija. 

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi. 

Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik. 

“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë. 

Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com 

Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me aktivitete kulturore në kujtim shkrimtarëve të ndjerë

PEN Qendra e Kosovës, gjatë muajit tetor e nëntor të këtij viti, do të zhvillojë një sërë  aktivitetesh kulturore me qëllim përkujtimi të disa emrave që kanë lënë gjurmë jo vetëm në letrat shqipe në Kosovë.

Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera të shkrimtarëve të ndjerë: Esat Mekuli, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Për veprën letrare të këtyre autorëve të ndjerë do të flasin: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Adil Olluri, Flamur Maloku, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi dhe Binak Kelmendi.

Të gjitha aktivtetet kulturore do zhvillohen në Caffe Galeri KultPlus dhe ato fillojnë në orën 17.00. 

Aktiviteti i parë kulturor i kushtohet poetit Esat Mekuli dhe ai mbahet më 13 tetor.

Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor./ KultPlus.com

“Shtegtimi i shqipes në Europë” nga Mimoza Hasani Pllana, promovohet nesër në KultPlus Caffe Gallery

“Shtegtimi i shqipes në Europë” me autore Mimoza Hasani Pllana është një libër që brenda vetës ka mbledhur plotë njëzet e tetë intervistat e autores, nga njëzetë shtete të Europës me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, shkruan KultPlus.

Këto intervista janë publikuar me radhë edhe në gazetën online KultPlus, ndërsa tani do ta përjetojnë edhe promovimin në një libër.

Ky promovim do të mbahet nesër në KultPlus Caffe Gallery, në ora 12:00.

Në këtë promovim do të flasin: Behar Gjoka, shkrimtar dhe studiues dhe Rusana Bejleri, albanologe.

Shkrimtari dhe studiuesi, Behar Gjoka është shprehur se libri “Shtegtimi i shqipes në Europë”, i autores Mimoza Hasani Pllana, hap një dritare të munguar të komunikimit të letërsisë dhe kulturës shqiptare me botën. Nëpërmjet intervistave të bëra me dhjetëra albanologë, të huaj dhe shqiptarë, të një dialogimi të hapur, ofrohet një pasqyrë e lidhjeve dhe mungimeve, të shqipes me Europën, mundësuar nga përkushtimi dhe aspiratat kërkimore të autores, si dhe është një sinjal se duhet zgjeruar studimi, gjer aty ku ka mbërritur kumbimi i shqipes.

Ndërsa, albanologia Rusana Bejleri ka thënë se “Gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare kanë nevojë për njohje në Europë dhe ky është një mision i vazhdueshëm për institucionet në trojet shqipfolëse dhe për intelektualët shqiptarë kudo që ndodhen.”

Libri u botua nga shtëpia botuese OLYMP në Prishtinë, 2019. / KultPlus.com