“Arti dhe Moda” është ekspozita e radhës e piktores Diella Valla e cila përmbledh skica të modës dhe piktura të realizuara gjatë viteve të fundit.
Ekspozita e cila hapet më datë 18 dhjetor në KultPlus Caffe Gallery, do të përfshijë rreth 30 punime, në këtë mes disa skica të modës dhe disa piktura të formateve të ndryshme.
Ekspozita do të prezantojë talentin dhe krijimtarinë e piktores Diella Valla, duke sjellë para publikut një bashkëveprim unik mes artit pamor dhe modës.
Skicat e modës, ngërthejnë në vete ndërlidhjen me pikturën duke shpalosur motive të mozaiqeve, pikturave të piktorëve të mëdhenj botërorë dhe atyre shqiptarë si dhe frymëzime nga brende të ndryshme të modës.
Përqafimi i mozaikëve dhe frymëzimet nga moda janë thelbi i veprave të kësaj ekspozite, duke ndriçuar lidhjen e thellë midis këtyre dy formave të shprehjes artistike.
Esat Valla është kuratori i kësaj ekspozite i cili ka ndihmuar në krijimin e këtij koleksioni të veçantë.
Ekspozita do të hapet më datë 18 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.
Ekspozita është e financuar nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Shkrimtarja Nerimane Kamberi nesër do të promovojë librin e saj më të ri të titulluar “Qershitë” në qendrën kulturore, në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 19:00.
I botuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, libri është ndërtuar nga tregime të shkurtra.
Tashmë kjo periudhë na duket aq e largët, dhe megjithatë aq e vockël është kjo kohë e cila na ndan nga pandemia vdekjeprurëse botërore dhe nga mbyllja e detyruar. Gjatë atyre orëve të pezulluara, profesoresha dhe shkrimtarja Nerimane Kamberi gjeti frymëzimin për këto tregime të shkurtra, të ndjeshme dhe poetike, të cilat bëjnë jetën e madhe të secilës dhe të secilit. Me mënyrën e saj personale së vëzhguari dhe së treguari, intimin si edhe universalen, autorja na rikujton se kjo periudhë, me gjithë tragjeditë që e shoqëruan, qe e përshtatshme gjithashtu për të vështruar Brenda dhe rreth vetes, një kohë pauze për të vëzhguar të kaluarën dhe të tanishmen, ndoshta për të (t’u) përgatitur (për) të ardhmen…
Nerimane Kamberi (1967, Preshevë) ka jetuar në Belgjikë deri në moshën 20 vjeçare. Ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, ku edhe ka doktoruar. Ajo është e njohur si profesoreshë e letërsisë franceze, shkrimtare, poete, gazetare dhe përkthyese. Shumë e re ka botuar në frëngjisht romanet: Anjesa dhe doktor Simoni dhe Anjesa dhe shtatë pikturat.
Krijime të tjera të saj: Hoteli Grand (reportazhe), Bluxhinset e grisura (poezi) dhe Një ditë ndoshta (tregime). Nerimanja është organizatore e shumë aktiviteteve frankofone dhe konferencave ndërkombëtare dhe aktualisht është kryetare e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes. Është dekoruar nga Shteti Francez me medaljen Urdhri I Palmave Akademike (2019).
Ky event vjen në kuadër të projektit të promovimeve në KultPlus i cili mbështetet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com
Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.
Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.
Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.
Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.
Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.
Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”
Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë, por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.
Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.
“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.
Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.
Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.
Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu, sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.
Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.
“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.
Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.
“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime, sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.
Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.
“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”
Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.
“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”
Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë
Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.
“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj, artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.
Dashuria e saj, Ardiani
Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.
“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.
Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit
Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.
“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.
Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës
Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.
“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”
Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur
Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.
“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.
Titulli “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani
Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.
“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo. Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.
Eksluzivisht për KultPlus
Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.
“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.
Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.
“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve, por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.
Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.
Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.
“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.
Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.
“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”
Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.
Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.
“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”
Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.
“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com
PEN Qendra e Kosovës këto ditë është duke e zhvilluar organizimin e mbrëmjeve njëjavore me titull “Prishtina e Artit dhe Kulturës”. Kjo javë kulturore e cila nisi më datë 6 nëntor do të përmbyllet sot KultPlus Caffe Gallery.
Gjatë këtyre mbrëmjeve kulturore po shpalosen trajtesa të ndryshme mbi kryeqytetin.
Sot, më datë 10 nëntor, do të trajtohen gjithashtu dy tema me interes për opinionin.
Me kumtesa do të paraqiten: Ardianë Pajaziti me kumtesën e titulluar “Kontributi i gruas prishtinase në art dhe kulturë” dhe Sali Bashota me “Libri dhe veprimtaria botuese në Prishtinë”.
Mbrëmja fillon në orën 17:00 dhe mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Kujtojmë se kjo javë kulturore është mbështetur nga Drejtoria e Kulturës e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet sot një bashkëbisedim letrar me një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë në Kosovë, Ag Apollonin.
Ky event do të jetë një shans i rrallë për të bërë një udhëtim në botën e letërsisë së Apollonit, një autor i njohur për krijimtarinë e tij të pasur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.
“Shënime nga shpella” është libri i tij i fundit që tashmë është në duar të lexuesit, libër për të cilin edhe do të bisedohet në këtë panel diskutimi, sikurse që do të bisedohet për rëndësinë e përfshirjes së luftës së Kosovës në letërsinë e Apollonit, sidomos të grave të dhunuara nga serbet, sikurse dhe për Gurin e Nënës Pashkë, gur që mori zë pikërisht nga reagimet e këtij shkrimtari.
Ag Apolloni është një autor që shpesh ngre zërin për shumë çështje të rëndësishme historike dhe shoqërore në Kosovë, duke ngritur diskutime mbi tema të ndjeshme por të pakapërcyeshme.
Andaj, ky event do të përfshijë një diskutim të hapur dhe të lirë me shkrimtarin Apolloni mbi këto tema që janë të pranishme edhe në veprat e tij të fundit.
Studentë, kritikë, profesorë dhe lexues, KultPlus ju fton që të jeni pjesë e këtij takimi me shkrimtarin Ag Apolloni, që më pas keni mundësi edhe personalisht të diskutoni mbi interesimet e juaja.
Eventi mbahet sot, datë 12 tetor, ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Në KultPlus Caffe Gallery do të organizohet një bashkëbisedim letrar me një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë në Kosovë, Ag Apollonin.
Ky event do të jetë një shans i rrallë për të bërë një udhëtim në botën e letërsisë së Apollonit, një autor i njohur për krijimtarinë e tij të pasur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.
“Shënime nga shpella” është libri i tij i fundit që tashmë është në duar të lexuesit, libër për të cilin edhe do të bisedohet në këtë panel diskutimi, sikurse që do të bisedohet për rëndësinë e përfshirjes së luftës së Kosovës në letërsinë e Apollonit, sidomos të grave të dhunuara nga serbet, sikurse dhe për Gurin e Nënës Pashkë, gur që mori zë pikërisht nga reagimet e këtij shkrimtari.
Ag Apolloni është një autor që shpesh ngre zërin për shumë çështje të rëndësishme historike dhe shoqërore në Kosovë, duke ngritur diskutime mbi tema të ndjeshme por të pakapërcyeshme.
Andaj, ky event do të përfshijë një diskutim të hapur dhe të lirë me shkrimtarin Apolloni mbi këto tema që janë të pranishme edhe në veprat e tij të fundit.
Studentë, kritikë, profesorë dhe lexues, KultPlus ju fton që të jeni pjesë e këtij takimi me shkrimtarin Ag Apolloni, që më pas keni mundësi edhe personalisht të diskutoni mbi interesimet e juaja.
Eventi mbahet ditën e enjte, më datë 12 tetor, ora 12:00 në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
Me ekspozitën “Ecejaket e mija”, piktorja Bija Jasiqi mbrëmë shënoi hapjen e ekspozitës së dytë personale e cila këtë herë erdhi në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, e cila ishte si simbolikë paraprijëse e muajit mbi ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, që zyrtarisht fillon në muajin tetor, shkruan KultPlus.
“Ecejaket e mija” është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit, e cila shpërfaqë ecejaket e rrugëtimit të piktores, gjurmët e të cilave tashmë shiheshin të jenë ndaluar shpesh tek imazhi i gruas në përgjithësi.
Në njërën nga 16 pikturat e saj paraqitej tema e kancerit të gjirit, që për koincidencë qëlloi pak para fillimit të muajit tetor, i cili shënon muajin e ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit. Kështu kjo ngjarje mori kthesë duke u cilësuar si paraprijëse e një muaji shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit.
Ngjarja veçse filloi me ardhjet e vizitorëve, të cilët qenë të shumtë në numër. Përshëndetjet dhe përqafimet e tyre të ngrohta me piktoren krijuan një energji mjaft të bukur mes të pranishmëve. Bisedat e tyre të ngrohta, shikimi nga afër i pikturave të vendosura në tre anët e mureve e buzëqeshjet e të pranishmëve, i jepnin ngjarjes edhe karakter socializues.
Për të hapur zyrtarisht këtë ekspozitë, fjalën hyrëse e mori drejtoresha e mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila përveç falënderimeve për praninë e pjesëmarrësve, tha se ndihej e nderuar që piktorja në fjalë ekspozitën e kishte hapur në KultPlus Caffe Gallery, pasi pikturat i kishin sjellë vendit edhe më shumë ngjyrë dhe energji pozitive.
“Neve si KultPlus na ka nderuar me ardhjen e saj kjo zonjë e cila i ka sjell këto vepra me kaq shumë ngjyra, ashtu siç është edhe vetë personaliteti i saj. Bija Jasiqi është një grua që jo vetëm nga dukja, por besoj secili që e keni takuar e keni marr edhe energjinë pozitive që ajo shpërndanë. Ngjyrat e këtyre pikturave, përfaqësojnë pikërisht këtë gjë”, shprehet Pajaziti.
Drejtoresha Pajaziti, po ashtu tha se kjo ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery, i paraprinë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për mbrojtje nga kanceri i gjirit.
“Në anën tjetër jemi të lumtur si KultPlus Caffe Gallery, që nëpërmjet ekspozitës së Bijes jemi duke i paraprirë muajit tetor, muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Në mesin e pikturave e kemi edhe një pikturë që artistja ja ka dedikuar pikërisht kësaj kauze dhe nëpërmjet kësaj ekspozite po e nisim këtë rrugëtim për të ngritur vetëdijen për të gjitha gratë dhe pë t’i dhënë vëmendje kësaj kauze”, përfundoi Pajaziti.
Më pas fjala iu kalua piktores Bija Jasiqi e cila tha që meqë vlerësimi i artit është relativ, prania e shumë artëdashësve në këtë ngjarje, e begatonte edhe më shumë përmbajtjen dhe mesazhin e pikturave.
“Jam shumë falënderuese që keni ardhur. Këtë art që e kam punuar, unë e kam vlerësuar në mënyrën time, mirëpo vlerësimi i artit është relativ, do të thotë secili nga ju do ta begatoni si artdashës edhe përmbajtjen edhe mesazhet e këtyre pikturave. Besoj fuqishëm që s’do të hezitoni që të më tregoni atë çka e vëreni ju, sepse përmes jush unë do e plotësoj çka mundem”, ka thënë piktorja.
Ajo më tutje u shpreh e lumtur që njëra nga pikturat e saj do t’i dhurohej Organizatës Have Hope mbi ndërgjegjësimi e kancerit të gjirit, dhe se e vlerësonte reagimin e kësaj organizate që ta ketë këtë pikturë pjesë të sajën.
“Organizata Have Hope me drejtoreshën Arnisa Osmani janë lajmëruar të parët që ta kenë pjesë të tyre këtë pikturë. Unë kam menduar që do të ja dhuroj onkologjisë ose dikujt tjetër pasi në tetor fillon muaji i ndërgjegjësimit për mbrojtjen nga kanceri i gjirit, por tashmë u takon këtyre”, u shpreh Bija e cila tutje e ftoj Osmanin për një fjalë rasti.
Arnisa Osmani tha se është hera e parë që kauza e tyre po fillonte nëpërmjet artit dhe se krijimi i një vepre të tillë shënonte një vepër shumë të madhe për vet organizatën.
“Faleminderit shumë për këtë vepër, pasi është hera e parë që nëpërmjet artit po hapet kauza kundër kancerit të gjirit, edhe pse nuk jemi në muajin tetor, unë gjithmonë them që tetori fillon me 1 tetor dhe mbaron më 30 shtator. E vlerësojmë shumë sepse për ne dhe organizatën tonë kjo është një vepër shumë e madhe”, ka përfunduar Arnisa.
Më pas në një prononcim për KultPlus, Bija tha se pikturat e saj gjithherë përmbajnë ngjyra të ndezura të cilat në njëfarë forme e paraqesin shpirtin e saj të ngrohtë. Ajo më tutje u shpreh se do të vazhdoj edhe më tutje me një krijimtari të tillë duke u bërë thirrje të gjithë pensionistëve që të jenë sa më aktiv.
“Ecejaket e mija më sjellën në art, dhe aty qe stacioni i fundit. Mirëpo nuk do të thotë që do të ndalem sepse kam zbuluar një teknikë të bukur një abstrakt modern dhe bashkëkohor, që ju pëlqeu shumë kolegëve të mijë. Do të vazhdoj të eci këtyre hapave t’u bëj shumë motra dhe vëllezër këtyre pikturave. Unë jam mjaft në moshë dhe preferoj që të ju lë një mesazh të gjithë të moshuarve që të jenë aktivë si unë në krijimtari.”
“Rrapi i Prizrenit” (i vjetër mbi 500 vjet), “Lozonjarja e fishekzjarrëve”, “ Nëna gjidhënëse” ishin po ashtu piktura që binin në sy, e për të cilat Bija shpjegoi se çfarë ajo kishte shprehur.
Në mënyrë që ritmi i kësaj ngjarjeje të vazhdonte edhe më tej, u përkujdes band-i “Bulza me djemtë”, ku solistja Bulza Havolli, përmes këngëve të përzgjedhura shqipe në flladin e një nate vere, në ambientet e gjelbëruara të KultPlus Caffe Gallery, ishte qershia mbi torte e kësaj mbrëmjeje e cila u shijua pafund nga të pranishmit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë ku edhe adhuruesit e pikturës do të kenë mundësi t’i shohin për së afërmi dhe t’i blejnë pikturat e saj të cilat janë në shitje. / KultPlus.com
Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet sonte me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.
Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.
Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.
Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet sonte, më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com
Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.
Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.
Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.
Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com
“Shuni se lajmet”, titullohet ekspozita që mbrëmë ka frymuar për herë të parë, krejt ëmbëlsisht në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. Kuruar deri në detajet më të imëta nga drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ekspozita na çon prapa në kohën e lajmeve të Radio Televizionit të Prishtinës, një periudhë kjo që ka shërbyer si shtyllë e vetme, prej ku janë informuar qytetarët tanë, me vite të tëra. Nëpërmjet kësaj ekspozite, është shënuar njëkohësisht edhe përvjetori i dhjetë i themelimit të gazetës së parë për art dhe kulturë, KultPlus.
Tashmë ka kaluar një dekadë, por puna, përkushtimi, e mbi të gjitha dashuria për shkrimin, informimin dhe krijimin e një vendi në të cilin lexuesi ndjehet i sigurtë, ka bërë që këto plotë dhjetë vite, të jenë fole e dashamirëve të artit. Këtë më së miri e dëshmoi mbrëmë edhe ceremonia që mblodhi afër vetes një numër të lartë të komunitetit artistik e jo vetëm. Ata nëpërmjet ekspozitës, përjetuan një rikthim në një kohë ku fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu, kanë qenë indikatorë në formimin e një mediumi si RTP, shkruan KultPlus.
Këto figura të shquara, me një pasion të paparë në vete, kanë krijuar një rrugëtim të cilin zor se e harrojmë dot, e prej të cilit janë krijuar qindra kujtime thellë brenda kujtesës së popullit. Nostalgjia, si emocion që rrëqeth deri në asht, ka qenë ajo vija kryesore nëpër të cilën kanë ecur mbrëmë trupat e të pranishmëve. Gjithsej 18 fotografi të vendosura nëpër muret e KultPlus Caffe Gallery, kanë shfaqur fytyrat e personave që kanë prezantuar lajmet, çdo herë, fiks në orën 19:30. Vëzhgimi i fotografive bardh e zi, të ngjallte emocione të llojllojshme. Laramania e tyre të dërgonte direkt tek kohët kur dëgjimi i lajmeve nuk ka qenë edhe gjëja më e bukur e mundshme, por tejet e domosdoshme për secilën familje.
Kurimi i “Shuni se lajmet” nga Ardianë Pajaziti, e cila vjen për herë të parë në rolin e kuratores, ka qenë tejet unik. Duke shkuar në çdo shtëpi të këtyre personazheve të RTP-së, duke mbledhur çdo fotografi, shpesh edhe të turbullta, për të vazhduar me qartësimin dhe rikthimin e shkëlqimit brenda fotografive, e deri tek një pozicionim i këndshëm i kornizave në mure, është thjeshtë për t’u mahnitur. Në rolin e kuratores, Pajaziti ka çelur një kuti kujtimesh për qytetarët, që asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur shpirtërisht për ta.
Përveç hapjes së ekspozitës, u festua edhe ceremonia e një rrugëtimi prej dhjetë vjetëve të KultPlus-it, një rrugëtim ky që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës. Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus vazhdon të mbetet një dritare e hapur e fjalës së lirë, një shtëpi e korrektësisë dhe strehë për zhvillimin e kreativitetit individual.
Nën moderimin e gazetarit e poetit, Arbër Selmani, njashtu si lajmet e kohëve të hershme, nisën edhe disa fjalime fiks në orën 19:30.
“Unë kam punuar në KultPlus, për gjashtë vite shumë të mira të jetës time. Nëpër këto vite, e kam zhvilluar veten si gazetar, por gjithmonë me ndihmën e shoqes dhe koleges time, Ardianë Pajaziti, e cila na ka mbledhur sonte të gjithëve, këtu. Ju falënderoj secilin që keni gjetë kohën me ardhë, që keni lënë angazhimet anash dhe jeni bashkuar në këtë ekspozitë që lidhet shumë mirë me atë se çfarë bëhet në KultPlus, për këto dhjetë vite”, thotë Selmani.
Sipas tij, kjo gazetë është përkujdesur që gjithmonë krahas lajmeve të momentit, realitetit, të mos i lë në në harresë as ato figura që ndoshta historia pakëz i ka lënë anash.
“Jetojmë në një kohë komplet ndryshe prej kohës që paraqitet në këto fotografi”, thotë ai.
Ndërsa, për këtë mision fisnik të sajin dhe shënimin e 10 vjetorit të gazetës të krijuar nga ajo vetë, kuratorja e ekspozitës, Ardianë Pajaziti është shprehur tejet e lumtur.
“Faleminderit për prezencën e juaj këtu sonte, sepse ky moment është shumë i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe për krejt ekipin e KultPlus-it. Unë dua t’i falënderoj edhe të gjithë gazetarët e tjerë që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre në formësimin e KultPlus-it. Kam menduar që mjaftueshëm jam gazetare por ky vend më ka rritur tejet shumë profesionalisht, duke pasur parasysh që kam hasur në lajme të ndjeshme, në një komunitet shumë të ndjeshëm, siç është arti dhe kultura. Andaj, sa ka përfituar lexuesi, aq ka përfituar edhe ekipi jonë dhe unë së bashku me ta, për plot 10 vite, duke e sjellë KultPlus-in aty ku është sot”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo është hera e parë që i ka dhënë të drejtë vetes për të marrur titullin e kuratores e për të jetësuar ekspozitën “Shuni se lajmet”.
“Unë këtu po shoh njerëz që e dinë shumë mirë shprehjen ‘Shuni se lajmet’, sepse aq e rëndësishme ka qenë ajo periudha e kohës 19:30. Realizimi i ekspozitës ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua, gjithmonë duke e falënderuar familjen e Drita Gërmizajt, që ka qenë realisht një shtysë për pikënisjen e kësaj ekspozite. Drita nuk është në mesin tonë, por kam dashur që fillimisht aty të sigurohem për mbledhjen e këtyre fotografive të vjetra. Së pari, fotografitë janë marrë në një format ‘hardcopy’, pastaj fotografi Hazir Reka ka qenë një ndihmë e madhe për mua, pasi që më ka ndihmuar për t’i qartësuar këto fotografi e për t’i sjellë në nivelin që po i shihni sot”, përfundon Pajaziti.
I pranishëm në “Shuni se lajmet”, ka qenë edhe prezantuesi i njohur i lajmeve, Mustafë Muçaj, i cili me zërin e tij plot zhurmë e tejet të njohur për veshin e dëgjuesve, ka thënë se tashmë me shumë dëshirë, i lexon lajmet që shfaqen për sukseset e Kosovës, përkundër atyre që ai vetë është dashur t’i lexonte në kohën e RTP-së.
“46 vjet kam qenë mu në atë karrigen aty në fotgrafi, asnjëherë nuk kam lëviz. Kam pasur oferta të ndryshme punësimi, mirëpo kam mbetur besnik i fjalës dhe njeri i popullit. I kam kalu të mirat e të këqijat me gjithë spektatorët. Përpara, e kemi pasur vetëm një televizion, vetëm një dritare informimi, që niste në orën 19:30, dhe unë i kujtoj shumë mirë krejt këto fotografi e personazhe. Televizioni i Prishtinës dikur dhe ai sot, janë gur themeli i fryteve që ne sot i gëzojmë. Në kohën time, kam luftuar për çdo gjë që ka qenë kundër Kosovës, andaj sot me shumë dëshirë i lexoj lajmet e sukseseve të shtetit tonë”, ka thënë Muçaj.
Në një prononcim për KultPlus, piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se kjo gazetë vazhdon të jetë një muze virtual e praktik.
“KultPlus është një medium që asnjëherë nuk len që kujtesa të zbehet. Ekspozita ishte mjaft atraktive dhe më se e dëshiruar nga artdashësit, qytetarët e njerëzit intelektualë. Ne jemi rritë me ata persona që kanë prezantuar lajmet qendrore, por atëherë ata kanë pasur një pa-përpunim natyral dhe nuk ka qenë teknologjia që është sot. Kanë pasur thjeshtë, një puro talent për prezantim, andaj kanë krijuar një arkiv të rëndësishme të bazave të para. KultPlus, në anën tjetër është rikthyer me një angazhim publik, mendor dhe një hulumtim të ri të periudhave kohore. Asnjëherë nuk është dorëzuar, edhe pse me ngritjet e uljet e veta. Çdo herë ka prezantuar njohuri të rëndësishme, qoftë nga e kaluara, e tashmja apo e ardhmja. Hulumtimi në terren është i fuqishëm dhe i uroj jetë të gjatë KultPlus-it, sepse puna e tyre është e domosdoshme për rrethin në të cilin jetojmë. KultPlus-i është një muze virtual e praktik”, thotë ajo.
Po ashtu, poetja Sibel Halimi është shprehur se KultPlus-i është një dritare krijuese që i ka qëndruar besnike të gjithë atyre që duan të kontribuojnë në art.
“”Shuni se lajmet” është frazeologjia e kujtesës sonë individuale në rëndesën e ngjarjeve të vështira që i kaluam si shoqëri. Ekspozita me portretet e folësve ikonikë të RTP, na kthyen në të kaluarën ku fati ynë varej në atë çfarë na prezantonin në lajmet qendrore Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Poashtu, kënaqësi që së bashku kremtuam edhe një dekadë pune e angazhimi të portalit ‘KultPlus’. Për plot 10 vite, ‘KultPlus’ u bë dritarja jonë krijuese që na qëndroi besnike të gjithë neve që duam sado pak të kontribuojmë në kulturë dhe art”, ka thënë Halimi.
Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk ka munguar as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ka ardhur para nesh një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.
Nata nën dritën e hënës ka vazhduar me rikthimin e kujtimeve të bollshme, festimin e arritjeve të ndryshme si dhe muzikë të mirëfilltë shqiptare e të huaj. Kështu, i erdhi fundi një dekade dedikim ndaj artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë, për të nisur me këmbë të mbarë, dekadën e radhës, akoma të panjohur për ne.
Ky event është mbështetetur nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com
Kris Atovksa është gazetarja e vetme e Maqedonisë së Veriut që ka qëndruar për tre muaj në Ukrainë, e cila edhe ka realizuar shumë fotografi të luftës, fotografi që po prezantohen nëpërmjet ekspozitës #StandWithUkraine, ekspozitë që është prezantuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e që e njëjta do të prezantohet sonte edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Atovksa do të prezantojë një numër të madh të fotografive që shpërfaqin krimin mbi civilët ukrainas, por në të njëjtë kohë do të shfaqet edhe dokumentari i filmit “Siren Lullabies” që është realizuar po nga Atovksa.
Ekspozita dhe prezantimit i filmit dokumentar do të bëhet sonte, më 5 prill, në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.
Kjo është ekspozita e tretë e autores me këto fotografi, pas Shkupit dhe Tiranës, dhe pas prezantimit në Prishtinë, fotoreporterja Atovska synon që këtë ekspozitë ta dërgojë edhe në vende të tjera. Ekspozita organizohet nga KultPlus Caffe Gallery dhe Flori Zaevi./ KultPlus.com
Kris Atovksa është gazetarja e vetme e Maqedonisë së Veriut që ka qëndruar për tre muaj në Ukrainë, e cila edhe ka realizuar shumë fotografi të luftës, fotografi që po prezantohen nëpërmjet ekspozitës #StandWithUkraine, ekspozitë që është prezantuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e që e njëjta do të prezantohet nesër edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Atovksa do të prezantojë një numër të madh të fotografive që shpërfaqin krimin mbi civilët ukrainas, por në të njëjtë kohë do të shfaqet edhe dokumentari i filmit “Siren Lullabies” që është realizuar po nga Atovksa.
Ekspozita dhe prezantimit i filmit dokumentar do të bëhet nesër, më 5 prill, në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.
Kjo është ekspozita e tretë e autores me këto fotografi, pas Shkupit dhe Tiranës, dhe pas prezantimit në Prishtinë, fotoreporterja Atovska synon që këtë ekspozitë ta dërgojë edhe në vende të tjera. Ekspozita organizohet nga KultPlus Caffe Gallery dhe Flori Zaevi./ KultPlus.com
Dita Botërore e Poezisë është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë botërore. Në këtë ditë, shkrimtarë, poetë, lexues dhe dashamirës të poezisë mblidhen për të festuar fuqinë dhe pasurinë e poezisë, shkruan KultPlus.
Një festë e tillë do të bëhet edhe në Prishtinë, përmes Orës Letrare të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës.
Me këtë rast, përmes poezive të tyre, do të përkujtohen poetë të njohur të poezisë bashkëkohore shqipe. Vargjet e Esad Mekulit, Martin Camajt, Vorea Ujkos, Fatos Arapit, Azem Shkrelit, Ali Podrimjes, Edi Shukriut, Frederik Rreshpjes, Basri Çapriqit etj., do t’i deklamojnë studentët e vitit të dytë të Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Gjithashtu, në këtë orë poetike do të lexojnë edhe anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës.
Për të përjetuar këtë festë poezisë, bashkohuni në këtë udhëtim të mahnitshëm në botën e fjalës së shkruar, nesër më 21 mars 2023, në orën 13:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë.
Dita Botërore e Poezisë, 21 marsi, është shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Vendimi është marrë në Kongresin e 30-të të kësaj agjencie botërore në Paris. Dita ka për qëllim mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike, nxitjen e leximit, si dhe promovimin e krijimtarisë letrare. / KultPlus.com
Flamur Miftari do të prezantohet sonte me ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery.
Në këtë prezantim, Miftari do të sjell para publikut 15 vepra të punuara me vaj dhe akril.
Kjo është ekspozita e dytë personale e artistit, kurse në ekspozita kolektive ka marr pjesë në disa prej tyre në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Flamur Miftari është diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura në Maqedoni dhe aktualisht është duke vazhduar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, në klasën e Zake Prelvukajt.
Ekspozita do të hapet sonte, më 20 mars në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery dhe do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com
Flamur Miftari do të prezantohet me ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery, i cili do të sjell 15 vepra të punuara me vaj dhe akril.
Kjo është ekspozita e dytë personale artistit kurse në ekspozita kolektive ka marr pjesë edhe në disa ekspozita në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Flamur Miftari është diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura në Maqedoni dhe aktualisht është duke vazhduar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve të Prishtinës, në klasën e Zake Prelvukajt.
Ekspozita do të hapet më 20 mars në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery dhe do të rri e hapur për dy javë./ KultPlus.com
Artistja Amire Demolli do të prezantohet për herë të dytë me ekspozitë personale, kësaj radhe me ekspozitën “Gjurmë” që do të hapet sonte, më 1 mars, në KultPlus Caffe Gallery prej orës 19:00.
Amire Demolli do të prezantohet me 12 punime artistike e që për kurator ka Refki Gollopeni.
Vetë kuratori për punën artistike të Amire Demollit ka thënë se me konceptin artistik “Gjurmë”, në pikturat e saj shpalos emocionet dhe temperamentin krijues përmes laramanisë në stile, në shprehje artistike, në qasjet e saj, si realiste, ashtu dhe abstrakte. “Ajo është në mes të një rrugëtimi eksperimental, drejt krijimit te identitetit te saj artistik”, ka vlerësuar mes të tjerash Gollopeni.
“Bota e re universale në qasjen abstrakte është përherë në lëvizje, në kërkim të lindjes së re në univers, duke e pasuruar kështu pikturën imagjinative, që deri tani ishte e pa njohur për ne, por Amire Demolli e konkretizoi imagjinatën dhe ndjesinë e saj në krijimtari duke lënë kështu gjurmë në art e që do të vazhdojnë të jetojnë”, ka shtuar tutje Gollopeni për ekspozitën e radhës së Demollit, e cila përpos që po shënon ekspozitën e saj të dytë personale, ajo deri tash ka marr pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.
Ekspozita “Gjurmë” do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars.
Amire Demolli studimet dhe masterin për pikturë i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve, e cila në të njëjtën kohë në po këtë universitet ka përfunduar Fakultetin e Mjekësisë dhe aktualisht është në specializim në Klinikën e Kirurgjisë Plastike Rekonstruktive dhe Estetike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Në periudhën prej 5-12 mars do të jetë pjesëmarrëse në World Women’s Arts Forum në Egjipt, ku do ta përfaqësojë Kosovën në mesin e 17 shteteve të ndryshme të botës./ KultPlus.com
Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.
Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe Sevdail Sulejmani.
Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.
Ekspozita do të hapet më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com
Një ndër shkrimtarët më të dalluar të letërsisë sonë bashkëkohore, Ibrahim Kadriu në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorit të krijimtarisë, sjell kompletin me dhjetë vepra të botuar nga Shtëpia Botuese “Faik Konica”, me ç’rast mbrëmë është mbajtur edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery, kushtuar këtij kompleti që me patjetër zë vend të merituar në sfondin e letërsisë shqipe, shkruan KultPlus.
“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave për të cilat kanë diskutuar: studiuesi dhe profesori Anton Nikë Berisha, shkrimtari Nazmi Rrahmani, përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri si dhe vetë shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Kjo mbrëmje e veçantë letrare që u shoqërua nga të pranishmit që zunë vendin e tyre qysh me fillim në orën 19:00, u karakterizua nga diskutime që morën kahje të ndryshme por me plot mallëngjim.
Fillimisht, qe shkrimtari Nazmi Rrahmani ai i cili e nisi mbrëmjen duke kujtuar kohën kur Rilindja qe në një kohë të vështirë si dhe rreth romanit të parë të Kadriut, “Kroi i ilaçit”.
“Romanin e parë që e ka botuar Ibrahimi, ka kaluar nga unë vetë. ‘Kroi i ilaçit’ ka kaluar nëpër redaksinë e botimeve të Rilindjes. Romani është më karakteristik si fillim i veprimtarisë së autorit por edhe si moment që mban edhe një vulë të kohës për arsye se romani është dorëzuar në Rilindje në një kohë politikisht të vështirë e të rëndë kur edhe Rilindja si shumë institucione tjera të kulturës, akuzohej për ngjalljen e irredentizmit në vitin 1981, pra qe një kohë kur Kosova përjetoi vështirësi të veçantë. Romani u botua një vit më vonë dhe u vlerësua nga shumë. Romani e ka bërë rrugëtimin e vetë”, thotë ai.
Tutje, studiuesi dhe profesori Anton Nikë Berisha vuri fokusin tek poezitë e Kadriut, të cilat sipas tij kanë qenë të nevojshme që të jenë pjesë e këtij kompleti.
“Ballafaqimi im i parë me romanin e parë të tij ka qenë si njëfarë lloj çelësi për hyrjen në krijimtarinë e tij. Dua të them se libri ndonjëherë na jep atë për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm për rolin që ka dhe kjo pasuri e librit nuk shprehet asnjëherë në të njëjtën mënyrë. Një komplet ndonjëherë edhe mund të hap një rrugë e të bëj një kthesë. Ibrahimi qysh nga fillimi është përcaktuar për letërsi dhe tash vazhdon ende të merret me të. Në romanet e tij të këtij kompleti e gjejmë një shpalosje të plagëve herë të fshehura e herë të drejtpërdrejta, por gjithmonë të shprehura përmes një rrëfimi. Unë kam këmbëngulë që vëllimi i parë i këtij kompleti të filloj me poezi sepse me ‘Netët e Karadakut’ që botohet në vitin 1968, kemi një botë poetike që vazhdon e pasurohet. E unë këtë e kam përcjell më shumë”, shpalos Berisha.
Sipas tij, do të ishte një mangësi, nëse në atë komplet të mos kishte diçka nga poezia e tij. Dhe pikërisht tek poezia, për të, ka diçka që përkujton mendime të autorëve të huaj dhe njerëzve tanë.
“Poezia ‘Të jesh shkrimtar’ nga Ibrahimi të fut në botën e artit të fjalës, letërsisë dhe misterit. Letërsia e ka një gjë të rëndësishme sepse është një lloj zinxhiri që krijon diçka dhe i hap dyert ndaj diçkaje tjetër dhe ndryshe nuk do të mund të kuptoheshin këto romane që i ka shkruar Ibrahimi por mund të kuptohen kur mbaron njërën e pastaj vazhdon tjetrën dhe hyn në një botë tjetër ku ballafaqohesh me vetveten. Kompleti është një fat i realitetit dhe kështu jemi përbrenda një letërsie që banë jetë intensive dhe kjo ka peshë te lexuesi”, përfundon ai.
Ndërkohë, përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri tregoi për përkthimet e romaneve të Kadriut në gjuhën frënge, e që sipas tij, janë tejet cilësore.
“Ibrahimi është tejet i lexuar dhe dyshoj të ketë shkrimtar më të lexuar se ai. “Misioni rus” më ka nxitur të bëj vetë kërkime për të hulumtuar historinë e manastirit. E shoh krijimtarinë e Ibrahimit dhe mendoj se botimet e librave të tij në frëngjisht janë të një cilësie që është aktualisht e rrallë për letërsinë shqiptare të botuar jashtë trojeve tona sepse ato janë botuar në Francë nga shtëpi botuese serioze”, thotë Sidheri.
Krejt në fund, qe shkrimtari Ibrahim Kadriu ai i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, duke falënderuar fillimisht gazetën KultPlus për iniciativën që të takohen mbrëmë me rastin e botimit të kompletit, pastaj Nazmi Rrahmanin, redaktorin e tij të përhershëm, Anton Berishën që ka qenë krahu i tij i djathtë i tij, Elvi Sidherin për moderimin si dhe djalin e tij që e ka krijuar dizajnin e mrekullueshëm të kompletit.
“Jam përpjek që zgjedhjen e romaneve ta bëj të tillë që të përfshijë ato që më së shumti kanë lënë përshtypje, ato që më së shumti janë lexuar dhe për të cilat është shkruar më së shumti. Kujtoj që është bë një përzgjedhje e bukur, jo që e kam bërë vetë, por kështu më është thënë edhe nga të tjerët”, përfundon Kadriu.
Të pranishmit, të emocionuar nga kujtimet dhe mendimet e shaplosura vazhduan bisedat rreth letërsisë nën shoqërimin e melodive shqipe brenda hapësirës së KultPlus Caffe Gallery.
Kjo mbrëmje është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte. / KultPlus.com
Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.
“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu. Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com
Në emër të ‘Architech Festival – Edicioni i tretë’’ të financuar nga OSCE Misioni në Kosovë, dhe i mbështetur nga Komuna e Prishtinës përmes Drejtorisë së hapësirave publike dhe parqeve, përmes një ceremonie do të bëhet inaugurimi i këndit të lodrave për fëmijë me nevoja të veçanta në lagjen Ulpiana, e cila ndodh për herë të parë në komunën e Prishtinës.
Përmes kësaj punëtorie, rinia ka pasur mundësi të qaset në proceset e dizajnit urban duke u bazuar në praktikat e mira bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse duke ditur se gjithëpërfshirja është çelësi për një mjedis më empatik, kreativ e inovativ e fëmijët duhet të jenë të parët që mësojnë ti përqafojnë dallimet.
Ky aktivitet do të mbahet me 19 Dhjetor 2022, në ora 11:00, në Kult Plus Gallery, lagjja Ulpiana (te Soliterat) Prishtinë. / KultPlus.com
Architech Festival do të prezantojë sot një diskutim publik me fokus se sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë. Diskutimi do të mbahet në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, në ora 17:30, shkruan KultPlus.
Ky panel diskutimin i organizuar nga OJQ YARL (Youth are the real Leaders) do të zhvillohet mbi temën “Sa janë ‘publike’ hapësirat publike në Ulpianë?”
Ky diskutim publik do të zhvillohet me pjesëmarrjen e të rinjëve, banorëve dhe komunës mbi temën se si të bëjmë Ulpianën mjedis më gjithëpërfshirës, i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm.
Diskutimi publik është një nga aktivitetet përmbyllëse të Architech Festival Edicioni III që synon të mbështesë të rinjtë në qeverisjen e mirë lidhur me planifikimin hapësinor dhe (ri)dizajnimin urban, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.
Në pjesën e parë të këtij paneli diskutimi do të kenë një fjalë rasti Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL”, Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës” dhe Besarta Halimi, Zyrtare e Programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në pjesën e dytë të këtij diskutim publik ndër të tjera do të prezentohet/publikohet raporti hulumtues dhe të dhënat e dala nga ky raport për lagjen e Ulpianës, nga pjesëmarrësit para qytetarëve dhe komunës.
Në anën tjetër do të flitet për realizimin e dy nga projektet brenda ketij viti dhe për projektet më afatëgjatë për 1 deri në 5 vitet e ardhshme për lagjen Ulpiana.
Pjesa e fundit do të jetë e hapur edhe për publikun dhe mediat të cilët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje direke këtyre tre akterëve relavant.
Ky panel diskutimi mbahet sot, ditë e hënë, më datë 31 Tetor, duke filluar nga ora 17:30, në Kult Plus Gallery, lagjja Ulpiana (te Soliterat) Prishtinë.
Folësit:
17:30 – 17:40
Fjalimet hyrëse Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL” Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës Besarta Halimi, Zyrtare e Programit, Misioni i OSBE-së në Kosovë
17:50 – 18:10
Prezantimi i pjesëmarrësve, hulumtimi dhe projekti i propozuar
18:10 – 18:40
Diskutim i hapur me banorët e lagjes “Ulpiana” Moderuar nga: Kosovare Sadiku, Drejtoreshë Ekzekutive, OJQ “YARL”
18:40 – 19:00
Fjalimet përfundimtare dhe shpërndarja e certifikatave
Mbrëmja muzikore e së mërkurës në KultPlus Caffe Gallery ka pritur një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët janë mbledhur për të dëgjuar e admiruar zërin e pastër si kristal të artistes Fiona Llapashtica. Nëpër vazhdën e zhanrit pop dhe xhaz, kjo mbrëmje dëshmoi se zërat shqiptarë janë ndër më të bukurit ndonjëherë, shkruan KultPlus.
Fillimisht, pak para se ora të shënonte 20:00, të pranishmit veçse kishte kapluar hapësirën brenda katër mureve dhe akoma pa filluar zyrtarisht mbrëmja, ishin fotografitë, bisedat mes miqsh dhe buzëqeshjet e shumta ato që gjetën vendin e tyre. Në ndërkohë, derisa aspektet teknike arritën perfeksionimin e tyre, ishin fotografitë e Arton Sefës të vendosura në muret e KultPlus Caffe Gallery, ato që i kanë bërë shoqëri secilit.
Mirësia, mirëkuptimi e pasioni ishin tri ndjenjat që fuqishëm u ndjenin në hapësirë përgjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi i Fionës për të kënduar e për të shpalosur talentin e saj, veçse ishte tejet prezentë. E njashtu ishte edhe dëshira për të dëgjuar zërin e saj të ëmbël e njëkohësisht të fuqishëm.
Pas kësaj pritjeje të lezetshme, babai i Fionës, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.
“Kam kënaqësinë dhe nderin për të falënderuar vajzën time, Fiona e cila sonte sjell këngë xhaz. Fiona jeton në Vjenë por këtu jemi me pushime dhe përgjatë këtij pushimi ajo ka pasur qejf që të performojë për neve dhe andaj besoj që do të kënaqemi shumë bashkë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ishte vetë këngëtarja Fiona Llapashtica ajo e cila para se të nis koncertin e saj, ka përshëndetur audiencën.
“Përshëndetje të gjithëve. Është shumë mirë që ju shoh sonte këtu. Këngët që do t’i këndoj sot do të jenë një përzierje e pop-it dhe xhazit dhe shpresoj që të gjithë do t’i shijoni. Kënga ime e parë që do të doja të këndoja për ju është “Love on the Brain” nga Rihanna. Kënga është bazuar në një djalë që e do vajzën me shumë butësi. Shpresoj se do t’ju pëlqejë”, ka thënë ajo.
Përgjatë kësaj mbrëmjeje, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Fiona i ka përzgjedhur vetë e të cilat ajo i mban afër zemrës. Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë: “Bang Bang” nga Nancy Sinatra, “Whatever Lola Wants” nga Jerry Ross, “Pretty Lies” dhe “Wild Woman” nga Mimoza Hajdini, “Gimme! Gimme! Gimme!” nga ABBA si dhe shumë të tjera.
Duke filluar me dy këngë nga Rihanna e deri tek këngët që i përkasin zhanrit xhaz, Fiona ka ngjallë emocione të mëdha në publik. Ishin duartrokitjet, brohoritjet dhe thirrjet e shumta që nata të mos mbarojë, ato të cilat kanë dëshmuar për një koncert të suksesshëm dhe një mbrëmje që do të kujtohet për shumë gjatë.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një mbrëmjeje të tillë, për KultPlus ka folur këngëtarja Fiona Llapashtica.
“Unë po ndjena shumë mirë dhe jam shumë e lumtur sepse e kam përfunduar tashmë koncertin e parë timin. Në fakt, kam marrë pjesë nëpër ngjarje të ndryshme muzikore, por kjo sonte ishte i pari që më përket vetëm mua dhe është veç i imi. Unë këndoj më së shumti këngë klasike mirëpo për këtë koncert kam përzgjedhur këngë xhaz dhe pop, ato të cilat në fakt i kam dëgjuar më së shpeshti. Energjia dhe atmosfera që u krijua sonte më pëlqeu shumë e unë kënaqesha kur njerëzve u pëlqenin këngët. Nëse më mundësohet të performoj përsëri, atëherë unë do të vazhdoja me gjithë dëshirë këtë rrugëtim”, thotë Llapashtica.
Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium. / KultPlus.com
Fiona Llapashtica sonte vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.
Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.
Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.
Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com
Fiona Llapashtica nesër vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.
Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.
Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.
Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com