Arti, libri dhe kultura u bënë bashkë në promovimin e romanit ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’ të Elvi Sidherit

Arti i bashkon njerëzit, e këtë gjë e bëri si shumë herë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku mbrëmë u mblodhën bashkë miq, njohës të kulturës dhe artdashës për të parë nga afër e mes tjerash edhe për të diskutuar rreth promovimit të romanit të shkrimtarit dhe përkthyesit, Elvi Sidherit me titull ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, shkruan KultPlus.

Ky është një krijim që i kushtohet thelbësisht liqenit mahnitës të Ohrit, ku autori përherë ka gjetur frymëzimin e tij, në jetë e letërsi, pikërisht në Lyhnidin e lashtë të Ilirisë, por gjithashtu njëherësh edhe kulturave, popujve, gjuhëve, dashurive e historive shekullore dhe qindravjeçare që janë ngjizur në brigjet e këtij pellgu të përjetshëm me ujë vezullues.

Ndër të tjera në këtë promovim morën pjesë drejtori i Qendrës Kulturore Maqedonase në Tiranë, muzikanti, Origjanski Zlatko, gjithashtu edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, z. Nedjeljko Špilek.

Hapjen e bëri edhe njeriu për të cilën u mblodhën një numër i konsiderueshëm njerëzish, pra, Elvi Sidheri.

“Sot jam unë pikërisht arsyeja që jeni mbledhur këtu. Ky është romani im i pestë, pra, si jubilar dhe prandaj e vlerësoj edhe më shumë. Të gjithë ju të pranishmit këtu jeni njësoj për mua dhe më keni nderuar me paraqitjen e juaj. Ky roman synon pikërisht të tregojë dhe ndërtojë urat kulturore midis shqiptarëve dhe popujve e kulturave fqinje, e kjo mbrëmje është mirëfilli e tillë”, tha Sidheri duke falënderuar KultPlus për mundësinë e promovimit të librit dhe gjithashtu pati një përshëndetje të ngrohtë edhe për nënën e tij, e cila mori pjesë pikërisht në krijimin e shkrimin e këtij libri.

Çamëri Ceraja, si pjesë e moderimit, lexoi edhe një pjesë nga libri për t’i dhënë edhe hijeshinë e duhur një promovimi, me ç ‘rast të gjithë të pranishmit mund të dëgjonin edhe një copëz nga ky libër.

Sidheri pas çdo leximit shpjegoi edhe pjesët të cilat i lexoi Ceraja. Në pjesën e parë u fol për historinë mes dashurisë së një korçari dhe një gruaje nga Struga, pikërisht në luftën e dytë botërore, ku në mesin e shumë ndodhive e sfidave, e pas 43 viteve dashuria e origjinës është thelbi i gjithë librit në radhë të parë.

Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas

“Përballja e parë me kufirin shqiptaro-jugosllavo-maqedonas është pikërisht pjesa kur edhe fillon libri. Është një kufitar shqiptar gjumash që ende është në mendësinë e regjimit, një kufitar arrogant serb dhe një kufitar maqedonas që ndjehet Zot në vendin e vet, pasi është shpallur pavarësia. Edhe një shqiptar që kthehet në vendin e vet, Ohër. Ngjarjet vazhdojnë në shumë kohë, përfshihen disa histori në Ohër, përmes ngjarjeve e motiveve të ndryshme. Jam munduar që ta mbuloj në mënyrën sa më reale këtë, pasi kam qenë i pranishëm me nënën time në këtë kohë, e në mënyrën më gjakftohtë të tregojë të vërtetën”, thotë autori.

Shpërngulja e shqiptarëve drejt lindjes

Siç thotë autori, ne si komb dijmë pak për shpërnguljet e shqiptarëve, dhe si të tilla ai është munduar që në një lloj forme ti paraqes edhe në libër.

Çamëri Ceraja, u aktivizua edhe një herë tjetër për të lexuar një pjesë nga librit, të shkurtër, që të mos jetë lloji i promovimit “monoton” me lexime të shpeshta dhe pa diskutime, ku edhe lexoi për të gjithë të pranishmit një pjesë nga librit, që kishte edhe shprehje në gjuhën maqedonase.

Drejtori i Qendrës Kulturore të Maqedonisë në Tiranë, Origjanski Zlatko, përpos që ishte i pranishëm në këtë promovim, ai mori pjesë edhe si moderator, ku patjetër që edhe një herë tjetër Elvi, si përthyes që është, u shfaq në skenë për të përkthyer atë se çfarë Zlatko thonte.

“Ndjehem i nderuar që jam këtu sot. Kam mësuar shumë nga Tirana, por di vetëm të porosisë ushqim atje në gjuhën shqipe. Çfarë kuptimi ka Tirana për mua? Tirana për mua është sikurse ka qenë Parisi për Kadarenë, thënë më së miri. Përkundër që kam një punë dilomatike në Shqipëri, jam dashuruar me Tiranën dhe punën time, mbi të gjitha banorët e njerëzit”, tha ai.

Tutje, Zlatko u shpreh se shumë njerëz habiten me punën e tij, derisa mendon që ka një recet speciale për këtë aspekt.

“Fatmirësisht, puna po shkon mirë. E sot me muzikantët, sa herë që vijnë aty edhe bëjmë muzikë bashkë edhe kam filluar që të bëjë muzikë shqiptare. Lidhja ime me Tiranën është ndryshe, jo vetëm nga puna”, thotë Zlatko.

Libri, i cili është më i përqendruar në Ballkanin Perëndimor, ndryshe nga librat e tjerë të Elvitit, qëndron, pra, duke mos e parë shqiptarin si të izoluar, dhe sipas tij, ne jemi mesdhetarë dhe jo aq malësorë sa mendojmë.

Ky promovim, ngërthente në vete diçka më ndryshe se promovimet e tjera, kishte të bënte më shumë me diskutime rreth romanit dhe shqiptarëve në përgjithësi, e për këtë interaktiviteti i publikut ishte aty prezent.

Frymëzimi i autorit

Fitnete Tuda, e njohur për këngën e saj “Shi bie në Tiranë”, u shpreh e lumtur që po merr pjesë në këtë promovim, dhe tregoi se ishte lindur e rritur në Strugë, pikërisht në Ohër.

“Jam buqëliqenase dhe e dashuruar si Lasgushi në liqenin, që më frymëzon vazhdimisht. Edhe pse jam rritur në Kosovë e ndjej mungesën e ujit gjithmonë. Kur Elvi më tha titullin e romanit, u ndjeva shumë kureshtare për këtë. Dihet se ajo zonë është e pasur, e kanë jetuar në brigjet e atij liqeni disa fise ilire, është rruga e vjetër, ku kalon nga Shqipëria në Strugë e Ohër dhe vazhdon tutje. Elvi, si një njohës i mirë i historisë, besoj se në roman do të kemi shumë tekste historike”, tha Tuda, duke e pyetur autorin se pse e vendosi ngjarjen në brigjet liqenit të Ohërit?

Elvi, i cili kishte jetuar në Tiranë për një kohë, kujton edhe kohën kur kënga e Fitnetes “Shi bie në Tiranë”, është himn i pashpallur atje. “Kam qenë gjimnazist kur kishte dalë kjo këngë, e Tirana shkon me shi, dhe kur kishte dalur ajo këngë, unë e mbaj mend suksesin e saj të menjëhershëm. Kur hyra në klasë, të gjitha vajzat po e këndonin atë, dhe këtu fillon edhe historia e kësaj kënge”.

Tutje, ai thotë se arsyeja pse e ka shkruar titullin e shpjegon se frymëzimi ka qenë i drejtpërdrejt nga poezia e Lasgush Poradecit, ku sipas tij, është poezia më e bukur dhe më e prekshme e Lasgushit.

“Frymëzimi është drejtpërdrejt kjo poezi dhe për këtë arsye kam zgjedhur që të shkruaj. Ne jemi shumë të lidhur me Korçën, pasi e kemi prejardhjen atje. Gjithë fëmijëria ime lidhet me Pogradecin, ku kemi kaluar shumë pushime atje, liqeni aty është përtritës, e deri në vitet 90′ kur futeshe në liqen thuhej se edhe mund ta pish si ujë, pasi aq i pastër ishte. Pogradeci ka qenë një mrekulli si qytet, e për këtë kam vendosur që ta shkruaj këtë roman”.

“Popujt e Ballkanit njihen shumë pak mes vete”

Ndër folësit e shumtë që morën pjesë në diskutimin mbi librin ‘Dremit Lyhnidi në Vezullim’, ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Nedjeljko Špilek, sigurisht nën përkthimin e Elvit.

“Poezia, si poet që jam vetë, nuk është e lehtë për t’u përkthyer. Jam i hapur edhe unë për bashkëpunime. Shpresoj që autorët bashkëkohorë kroatë të promovohen në Kosovë. Sado që mendojmë se jemi të mirë, shqiptarët në Kosovë me shqiptarët në Kroaci, ne nuk njihemi siç duhet. Ky është problemi i popujve të Ballkanit. E pikërisht përmes kulturës mund të njihemi më mirë mes veti, letërsia është mënyra më e mirë për të arritur këtë. Njerëzit e letërsisë flasim një gjuhë të përbashkët, ndonëse kemi gjuhë të ndryshme, kjo është gjëja më thelbësore”, përfundoi ai.

Mbylljen e këtij promovimi e bëri, drejtoresha e gazetës online për kulturë, Ardianë Pajaziti, e cila ndër të tjera tha e falënderoi dhe uroi Elvin për promovimin e librit të tij.

“Është kënaqësi në fakt që në këtë promovim kemi edhe njerëz nga fusha të ndryshme, e për këtë kultura po vazhdon që të dëshmojë gjithmonë se lidh ura mes njerzish e popujsh”, u shpreh ajo.

Libri, i cili vit pas viti vazhdon të diskutohet çdo herë nëse do t’i mbijetojë kohës moderne, asaj të internetit, po vazhdon të mbetet stoik dhe si i tillë promovime të ndryshme po ndodhin në mbarë botën. /KultPlus.com

“Gjama” e Nagip Tashit te “Mrizi i Zanave”, ekspozohen portrete të figurave të rëndësishme shqiptare  

Copëza të drurit që formojnë mozaikë, e që brenda këtyre mozaikëve paraqiten figurat më të ndritura të historisë dhe kulturës shqiptare shpërfaqin krijimtarinë e Nagip Tashit, i cili më 25 qershor do të prezantohet me ekspozitë personale te “Mrizi i Zanave” në Lezhë të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Të realizuara në një punëtori modeste në Tërrnoc të Bujanocit, portretet e Tashit që përfshijnë figura si të: Gjergj Kastriotit, Gjergj Fishta,  Bekim Fehmiu, Ibrahim Kodra, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Abdurrahman Shala, Leze Qena, Adem Mikullovci, Arbën Xhaferi, Fahrije Hoti  e figura të tjera do të ekspozohen te Mrizi i Zanave, por që kësaj radhe me vëmendje të theksuar të figura e Gjergj Fishtës.

Nagip Tashi ka thënë për KultPlus se ndihet të jetë i nderuar që po vlerësohet puna e tij që ka filluar shumë vite më parë, po që viteve të fundit ka dalë në pah edhe me ekspozita.

Ekspozitën e parë personale, Tashi e ka prezantuar në KultPlus Caffe Gallery, në Prishtinë, për të lëvizë tash në një pjesë tjetër të territorit shqiptar, në Lezhë të Shqipërisë.

Ekspozita “Gjama” e Nagip Tashit është duke u realizuar si bashkëpunim mes “KultPlus” dhe “Mrizi i Zanave”, ceremonia e së cilës do të fillojë në ora 16:00, me 25 qershor. / KultPlus.com

Një rrëfim ndryshe për Kadarenë, Alda Bardhyli solli momente kadareiane në KultPlus Caffe Gallery

Uranik Emini

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Cafe Gallery u mblodhën artdashës dhe njohës të fushës së letërsisë për të diskutuar më shumë rreth librit “Koha për rrëfim” të Alda Bardhylit, i cili vjen pas bisedave, diskutimeve dhe kohës së shumtë të kaluar mes Ismail Kadaresë dhe autores, e që ky libër vjen ribotim i dytë e me disa plotësime të vogla.

Hapjen e këtij diskutimi dhe moderimin e bisedës e bëri shkrimtari Arbër Selmani, i cili filloi duke i uruar mirëseardhje të gjithëve që kishin ndarë kohë të çmuar nga jeta e tyre për të diskutuar më së shumti rreth gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

Më pas, Alda Bardhyli, për shkas të së cilës u organizua edhe gjithë kjo mbrëmje, në radhë të parë ndau mendimin e saj për gazetën KultPlus dhe shpalosi diçka rreth librit të saj “Kohë për rrëfim”, emërim ky të cilin pak a shumë Alda nuk e propozoi që nga fillimi.

“Sot jam bashkë me vajzën time këtu në Prishtinë. Isha në ceremoninë e hapjes së Panairit, nuk mund të mungoja në një ngjarje të bukur për lexuesin dhe botuesit e Kosovës dhe Shqipërisë. E pranova menjëherë ftesën e kryetarit të shoqatës së botuesve këtu, Edon Zenelit. Mu desh të kthehesha në Tiranë e të udhëtoja sërish sot. Por udhëtimet janë si leximet një lloj clirimi. Ndjehem mirë që jam në një hapësirë si Kulplus, që I ka dhënë aq shumë skënës kulturore në hapësirat shqiptare. Gjithnjë më kanë pëlqyer hapësira të tilla që gjenerojnë kulturë. I kam parë si forma të rëndësishme progresi për të cilat shoqëria jonë ka ende shumë nevojë. Kultura është shpëtim, na lejon të bëjmë dallimet në një kohë ku presionet ndaj saj janë rritur, është e vetmja mënyrë për të shtyrë përpara shoqëritë tona, dhe Kultplus ka bërë një punë novatore në këtë drejtim. Kemi nevojë për më shumë mediume ku të flistet për teatrin, muzikën, librin, trashëgiminë, për të rritur edukimin e shijes estetike”.

Alda tha se skena kulturore si në Tiranë dhe në Prishtinë, ka qënë një skenë e cila ka pasur ndikim në orientimin politik e shpirtëror të vendit, , ndërsa në dy vitet e fundit ka marrë një detyrë të re, pikërisht me udhëheqjen e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”.

“Kjo është një iniciativë e re e Qeverisë Shqiptare, e nisur gati dy vite më parë, si një ide inovatore për t’i dhënë më shumë librit, për të rritur politikat dhe vëmëndjen e qeverisë ndaj librit dhe leximit, si forma e vetme që na con drejt edukimit. Eshtë një model që vende të ndryshme të botës e kanë ndërtuar prej vitesh, një institucion dedikuar librit. Në ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Librit në Shqipëri ne jemi mbështetur në modelet më të mira europiane të cilat janë një histori suksesi në fushën e menaxhimit të librit”, tha ajo.

Alda tha se skena kulturore si në Tiranë dhe në Prishtinë vazhdon të jetë shumë e fortë dhe madje ka pasur ndikim të fortë në skenën politike, ndërsa në dy vitet e fundit ka marrë një detyrë të re, pikërisht me udhëheqjen e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”.

“Kjo është një iniciativë e re e Qeverisë Shqiptare, e nisur gati dy vite më parë, si një ide inovatore për t’i dhënë më shumë librit dhe për të shtyrë përpara gjithë skenën kulturore sa i përket territorit të Shqipërisë. Vende të ndryshme të botës operojnë prej vitesh në këtë formë, ku politikat nuk kalojnë më përmes ministrisë së kulturës, por është një qendër e dedikuar dhe punon me gjithë skenën kulturore për sa i përket librit”.

Suksesi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë

Drejtoresha ekzekutive e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”, thotë se kjo është një qendër e fuqishme dhe ndoshta më të mirat në rajon për librin dhe pohon se në dy vite jetë kanë arritur të kristalizojnë idetë e tyre.

“Këtë gjë e kemi treguar përmes programeve të dedikuara ku kemi rritur fokusin për autorin shqiptar. Politikat ndaj autorëve të rinj por dhe promovimi dhe përkthimi I librit shqip në gjuhë e kultura të tjera ka qënë pjesë e punës sonë të vazhdueshme. Eshtë shumë e rëndësishme që të jemi të pranishëm në kultura të tjera jo vetëm përmes letërsisë por dhe botimeve të tjera me vlerë në shkencë, studime apo histori ku autorët shqiptar kanë sjellë vepra të niveleve të larta”, tha Bardhyli.

Pothuajse gjithë diskutimin, Arbër Selmani e përcolli me pyetje të vazhdueshme që kishin të bënin kryesisht me librin, qendrën që ajo udhëheq dhe sigurisht figurën madhështore të Ismail Kadaresë. Arbri pyeti dhe për pozitën e Qendrës së Librit e cila kalon përmes një lokali, por Bardhyli u shpreh se kjo ka qënë një formë alternative duke e bërë këtë lokacion interesant për lexuesit.

“Puna ime është fokusuar në rritjen e kapaciteteve të Qendrës në të gjitha drejtimet, dhe hapësira ka është një formë në shërbim të këtyre prioriteteve, dhe në këto dy vite ajo është kthyer në një hapësirë të rëndësishme komunikimi në Tiranë ku autorë, botues, lexues bëhen bashkë për të folur për librin”, tha Bardhyli, gjë e cila u pranua dhe nga Selmani I cili pohoi se gjithnjë ka gjetur shumë njerëz në aktivitetet e Qendrës së Librit.

“Libri duhet të jetë më i pranishëm në diskursin publik, në të gjitha kontekstet e tij. Përmes aktiviteteve të ndryshme, ne çdo të premte organizojmë një ditë të veçantë për çdo gjë që ka të bëjë me librin dhe këto kanë një vëmendje të veçantë dhe zakonisht bëhen diskutime mbi librin. Kryesisht aktivitetet tona kanë fokus autorin shqiptar, librin e ri, botimet e reja, debatet e ndryshme për sa i përket çështjeve të ndryshme mbi librin, kujtesë të autorëve, pasi është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë”, thotë ajo.

“Këtë gjë e kemi treguar përmes programeve të dedikuara ku në fokus është autori shqiptar, edhe pse vëmendja dhe dominimi në botë ka të bëjë gjithmonë e më tepër që skena kulturore ka nevojë të shkrihet dhe të jetë më e pranishme në jetët e të tjerëve, ku jemi të punuar edhe në këtë drejtim. Por këto dy vitet e fundit kanë shërbyer në rikthimin e dinjitetit të autorit shqiptar në të gjitha format e duhura”.

Pothuajse gjithë diskutimin, Arbër Selmani e përcolli me pyetje të vazhdueshme që kishin të bënin kryesisht me librin, qendrën që ajo udhëheq dhe sigurisht figurën madhështore të Ismail Kadaresë. “Kjo qendër ka një rëndësi të madhe, derisa unë për vete kam promovuar një nga librat e mi aty, si lokacion është pak si i fshehur, por gjasat janë që kjo qendër të dalë në një objekt të saj dinjitoz, pasi aktivitetet aty janë të shpeshta dhe ishte një numër i madh i njerëzve aty”, tha Selmani duke i shtruar edhe pyetje Aldës.

“Libri duhet të jetë më i pranishëm në diskursin publik, në të gjitha kontekstet e tij. Përmes aktiviteteve të ndryshme, ne çdo të premte organizojmë një ditë të veçantë për çdo gjë që ka të bëjë me librin dhe këto kanë një vëmendje të veçantë dhe zakonisht bëhen diskutime mbi librin. Kryesisht aktivitetet tona kanë fokus autorin shqiptar, librin e ri, botimet e reja, debatet e ndryshme për sa i përket çështjeve të ndryshme mbi librin, kujtesë të autorëve, pasi është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë”, thotë ajo.

Dashuria e Kadaresë për Shqipërinë dhe titulli i librit

Alda foli dhe për ribotimin e librit të saj me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Ky ribotim është më shumë një rishikim I tekstit nga ana gjuhësore, duke u pasuruar me disa detaje, tha ajo.

E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që ajo ka kuptuar për Kadarenë, ajo u përgjigj “Shqipëria”. “Shqipëria është pjesë thelbësore e veprës së Kadaresë.

Vepra e tij jo vetëm pasuroi gjuhën shqipe por u bë dhe një orientim shpirtëror I shqiptarëve herët drejt një orientimi perëndimor”, tha ajo.

E pyetur për të treguar ndonjë detaj më shumë nga takimet me shkrimtarin, ajo tregoi një moment kur ishte e pranishme bashkë me ciftin Kadare, në apartamentin e tyre, e në television po shfaqej filmi I famshëm “Propozimi”.

“Teksa bashkë me Helenën po diskutonim mbi zgjedhjen e Demi Moor, e pyes shkrimtarin nëse do ti kishte 1 milionë dollar do ti jepte për një grua. -Jo, u përgjigj ai, tepër I prerë. -Po për cfarë do ti jepje kaq para , vazhdova ta pyes. -Vetëm për Shqipërinë, tha.

“Ky libër ka nisur disa vite më parë dhe nëse tani Kadare është në Tiranë dhe është e lehtë të takosh, ky liber ka nisur kur Kadare ka jetuar në Paris, kështu që bisedat tona bëheshin vetëm gjatë muajit të verës kur ai ishte në Tiranë. Eshtë një punë e zgjatur në disa vite. Titulli u zgjodh nga vetë shkrimtari. Unë kisha dëshira tia vija “bisedat e orës 6.30” duke qënë se takimet tona ndodhnin gjithnjë në atë orë. Në orën 6.30-të fiks unë I bija ziles së apartamentit të Kadarenjve. Kadare është shumë korrekt me oraret, kështu unë duhet të isha fiks, dhe asnjëherë nuk jam vonuar në takimet tona përgjatë viteve”.

“Lidhja” e Kadaresë me regjimin komunist

Sa i përket pjesës së lidhjes së Kadaresë me pushtetin dhe regjimin diktatorial në Shqipëri, Alda thotë se duhet të ndjehemi të lumtur që vazhdojmë ta kemi atë në mesin tonë, pasi gjatë komunizmit shkrimtarët gjithnjë e më shumë përballeshin me sfida nga të më të ndryshmet, përfshirë shpesh herë edhe vrasjet që mund të ndodhin për shkak të gjuhës që ata përdornin nëpër veprat e tyre dhe jo vetëm.

“Konteksti i diktaturës shqiptare, arsimimi i shkrimtarit në Moskë, njohja e hershme e kompleksitetit të veprave të shkruara në shoqëritë e reja komunistë të pasluftës, si edhe refuzimi i tij gjatë viteve 1970-të dhe 1980-të për tu larguar nga atdheu apo për të bërë kompromis me shkrimet e tij, e bëjnë Kadarenë një shkrimtar unikal në ambjentin socialist. Nuk kam gjetur në studimet e mia asnjë lidhje të tij me regjimin, në asnjë vepër apo document nuk del I kompromentuar me regjimin. Biles është e kundërta, veprat dhe jeta e tij ka qënë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të pushtetit e këtë e tregojnë dosjet e publikuara në shtypin shqiptar këto vite. Kadare ka qënë një shkrimtar I përgjuar për përmasën dhe vlerën që ka pasur, por pikërisht kjo përmasë dhe njohja e hershme ndërkombëtare e kanë bërë ti shpëtojë dënimit të Hoxhës”.

Shkrimet e Kadaresë, gjatë më shumë se dyzet e pesë vjetëve nën diktaturë, kanë qënë koherentë përsa i përket tematikës dhe fokusit mbi aspektet e jetës shqiptare. Nga viti 1959 kur datojnë veprat e tij të hershme e deri më 1985-sën ai ka qënë në një konflikt të vazhdueshëm me pushtetin. Mjafton të lexosh Pallatin e Endrrave një vepër që I kujtojë gjithnjë botës se stalinizmi ka mbijetuar në Europë deri para pak kohësh. Gjatë shkrimit të këtij libri e kam njohur Kadarenë si një njeri, eksperienca e të cilit në shkrime, politikë dhe etnicitet ishte e jashtëzakonshme edhe për Europën socialistë të shekullit të njëzetë”, tha Bardhyli.

Helena Kadare dhe Filip Roth

Bardhyli tregoi për një Kadare me humor, një njeri të jashtëzakonshëm përtej portretit të ngrysur.

Duke folur për Helena Kadarenë, ajo e quajti atë një grua të rëndësishme jo vetëm në skenën letrare shqiptare, por dhe një model që orientoi gruan shqiptare drejt së bukurës. Në këtë libër vetë Kadare e pranon se Helena është gruaja më e rëndësishme dhe fati I jetës së tij. Ajo kujtoi trishtimin e tij kur i vëllai ndërroi jetë dhe se si ato ditë ai vetëm heshte.

Kadare është një autor që ka një lidhje të jashtëzakonshme me lexuesin. Ai ka krijuar atë që quhet kulti I lexuesit. Janë shumë lexuesit e rinj që e ndalojnë në rrugë e duan të bëjnë foto apo ta përshëndesin, e kjo është një shpresë e bukur për të ardhmen.

E pyetur në ka qënë e lehtë të bashkëpunosh me gjeniun, Bardhyli tha se përtej një ndjesie të jashtëzakonshme që të jep komunikimi me të, është një punë që I dukej sikur nuk do mbaronte kurrë pasi shkrimtari e elaboron gjatë tekstin.

“Disa muaj pasi botimi i parë i këtij libri doli, teksa i flisja Helenës për Philip Roth, sipas përshkrimeve të një mikut tim, që kishte pasur fatin të rrinte gjatë me të, ajo më tregon se vite më parë, sekretarja e tij u kishte telefonuar në Paris ku i kishte shprehur dëshirën e shkrimtarit për të realizuar një bisedë me Kadarenë, bisedë e cila më pas do të botohej në një libër.

Kadare fillimisht kishte pranuar, më pas ideja për t’u ulur e për të vijuar një biseduar, që do të përshkruhej nga faqe të tëra kompjuterike dhe email-eve mes Parisit dhe Nju Jorkut, do të dukej e pamundur për shkrimtarin, i cili parapëlqen
vetëm të shkruajë me dorë. Sigurisht, do të ishte Helena ajo që do ta transkriptonte këtë bisedë, e cila do të ishte sot, një pasuri për skenën letrare
botërore.

Shumë vite pas këtij komunikimi, unë do të zgjidhja pikërisht disa pyetje që Roth ia bënte Kunderës, duke i kërkuar Kadaresë t’u përgjigjej, pa e ditur këtë histori, duke përmbushur krejt rastësisht një destin, i cili prej vitesh ishte nisur
drejt tij”, tha Bardhyli.

Bardhyli edhe duke u ndarë me të pranishmit, kujtonte ndonjë detaj nga takimet me Kadarenë, mbase duke dhënë sinjal se mund të botohet edhe një libër tjetër, po me bisedat e shumta që ka realizuar me Kadarenë./ KultPlus.com

Me “Fluturon”, Gent Shala do të prezantohet me Stand Up Comedy në KultPlus Caffe Gallery

Është një ndër paraqitjet më të kërkuara nëpër bare e ambiente të ngjashme, e një format të tillë do ta sjell KultPlus Caffe Gallery, ku në mbrëmjen e së enjtes, prej orës 19:00 do të shfaqet Stand Up Comedy “Fluturon”, prurje kjo e Gent Shalës, shkruan KultPlus.

“Fluturon” është Stand Up Comedy që do të prezantohet nga Gent Shala, e që ka për qëllim rikthimin e memories në periudhën e pandemisë, situata që sipas Gent Shalës do të prezantohen me petkun e komedisë.
Kjo performancë do tu ofrojë një çlirim të gjithë të pranishmëve, gjithnjë duke pas në fokus ballafaqimin tonë përgjatë periudhës së pandemisë.
“Duke rikujtuar dukuritë nga këndvështrimi artistik i japim dy mesazhe:-se çdo gjë e çuditshme ka dhe fundin, mbase komik, si dhe gjithashtu prodhojmë art edhe në pubs. Regjisori Genti na sjell premierën e Stand Up Comedy “Fluturon”, me batuta e gjëra se si i ka perjetuar vetë ai.


KultPlus Caffe Gallery ju fton që të jeni pjesë e kësaj mbrëmjeje e cila do të vazhdojë edhe me performancë muzikore, ku do të këndojë Endrit Rexhepi.

Kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Kompania “Rugove”, Kompanisë “Jaffa”./ KultPlus.com

Hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit, kuratori Ballazhi: Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë

Duke ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, elementet e artit qeramik të cilat vinë të shpërfaqura nëpër gjurmë të kohëve të ndryshme dhe që njëkohësisht hulumtojnë historinë e praktikave të reja mbi bazën e atyre të vjetrave, duke sjell modernen në syrin e të pranishmëve, janë pikërisht themeli kryesor mbi të cilin ngritet ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi, shkruan KultPlus.

Qysh në fillim, dëshmia për një rrugë të gjatë të artistes shihet në qeramikat e plasaritura në muret e KultPlus Caffe Gallery, me ç‘rast krijimtaria e saj unike ka arritur të spikatë detajet e bukura nga veshjet tradicionale të cilat konsiderohet se formulojnë imazhe si kujtime të ndjera për kombin. Veçantia e kostumeve popullore, thasëve ose torbave të lidhura herë me bukë e herë me bosh, shfaqen vazhdimisht nëpër sipërfaqet e qeramikave të cilat duken se janë shndërruar në rrënjët e veprave të saj dhe kësisoj po i japin jetë atyre.

Nën mbizotërimin e ngjyrës kafe, veprat artistike të Buliqit morën vëmendjen e të pranishmëve të cilët qysh në fillim po i ngopnin sytë me magjinë e portretizuar para tyre. Disa të pozicionuar nga afër e disa nga larg, ishte publiku ai i cili po shijonte format diversive, dekorimin grafik, gdhendjen e përsosur si dhe lustrimet e paraqitura mrekullueshëm.

Ndërkaq, hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.

“Sot Lirije Buliqi ka zgjedh që të prezantohet me ekspozitën e punës në qeramikë dhe është një kënaqësi sepse përpos faktit që ekspozita është hap dhe patëm rastin të shohim veprën dhe krijimtarinë e zonjës Buliqi, kemi festë të dyfishtë për arsye se ajo ka sot datëlindjen. Ndërkohë, këtë ekspozitë e ka kuruar Zeni Ballazhi i cili tutje do të shpjegojë më shumë rreth ekspozitës”, thotë Pajaziti.

Ndërsa, kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi tha se teknika e artistes Buliqi është një teknikë që rrallëherë shihet në Kosovë.

“Unë në emrin tim dhe në emër të Lirijes, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ekspozitën e saj personale. Nuk ka qenë lehtë për të bërë një përzgjedhje të tillë të qeramikave. Është një teknikë e veçantë specifike që rrallëherë e shohim në Kosovë dhe për mua ka qenë mjaft e vështirë për shkak që Lirija disponon me një numër jashtëzakonisht të madh të qeramikave dhe këtu jemi munduar të bëjmë një përmbledhje të cikleve të ndryshme që Lirija është prezantuar edhe më herët me to, mirëpo me shumicën e tyre nuk është parë. Kryesisht janë kompozime të cilat inspirimin zakonisht ajo e gjen qoftë edhe në kostume tradicionale ose përmes tradicionales duke e kthyer në kompozicione moderne bashkëkohore”, thotë Ballazhi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, artistja Lirije Buliqi i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe për kohën e tyre të ndarë enkas për këtë ekspozitë.

Pastaj, pas hapjes zyrtare të ekspozitës, ishin pikërisht të pranishmit ata që nën meloditë shqiptare vazhduan të admironin qasjen eksperimentale të artistes Buliqi. Puna e saj në qeramikat bashkëkohore po zgjonte kureshtjen e tyre për të deshifruar nivelin e lartë të shkathtësisë të artistes e cila nëpërmjet materialeve të ndryshme copëzash, ka krijuar një thjeshtësi të objekteve etnike.

Qeramikat nga balta shpërfaqën një diversitet dhe një imazh mjaft të fuqishëm që lehtazi ka lënë gjurmë të cilat do të mbahen mend për një kohë të gjatë.

Ekspozita personale e artistes Lirije Buliqi do të qëndrojë e hapur deri në dy javë dhe atë do ta keni rastin ta shijoni në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Sonte në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit

Lirije Buliqi do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që përfshinë elemente të artit qeramik.

“Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore”, ka vlerësuar Zeni Ballazhi, kuratori i kësaj ekspozite.

Elementet e artit qeramik mbi të cilat janë vendosur shkallë të ndryshme të theksimit në kohë të ndryshme, janë forma e objektit, dekorimi grafik i saj me pikturë, gdhendja dhe metodat tjera, si dhe lustrimet e gjetura në shumicën e qeramikave.

Shumica e prodhimeve tradicionale qeramike janë bërë nga argjila (ose balta e përzier me materiale të tjera), të formuara dhe të ekspozuara ndaj nxehtësisë. Përgjithësisht, qeramika dekorative. Në përdorimin modern të inxhinierisë qeramike, qeramika është arti dhe shkenca e bërjes së objekteve nga materialet inorganike, jometalike, por nga veprimi i nxehtësisë.

Çdo artist i qeramikës hulumton nga historia e së kaluarës sipas përdorimit të praktikave të vjetra, në mënyrë që t’i japë një përmirësim modern teknikave të reja.

Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore.

Qeramikat duken magjike. Ato imitojnë materiale të ndryshme në copa dhe në mënyrë efektive tërheqin vëmendjen në shkaqet e rëndësishme. Qeramikat nga balta, të krijuara nga ky nivel, demonstrojnë shkathtësinë dhe diversitetin.

Buliqi kërkon ta spikatë bukurinë që shpesh rezulton nga prishja, ndërsa në të njëjtën kohë, duke e bërë shikuesin të vë në pikëpyetje perceptimin e tij mbi veten dhe botën.

Në veprat e saj, objektet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në marrëdhënie profesionale mjaft të thjeshta. Ato formulojnë imazhet si kujtime të ndjera për kombin, të cilat artistja i përket vazhdimisht me artin e saj. Detaje nga kostumet popullore, thasët apo torbat e lidhura, herë me bukë dhe herë bosh, lëvizin vazhdimisht në shumë sipërfaqe të qeramikave, sikur të vizatuara pas mureve të rrjepura nga koha.

Krijimtaria e saj është një imazh me dritë të pasur e të fuqishme, ku objektet-shenja përbejnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme.

Qeramikat e Lirije Buliqit dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku eksperimenti artistik konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar. / KultPlus.com

Nesër hapet ekspozita personale e Lirije Buliqit në KultPlus Caffe Gallery

Lirije Buliqi do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që përfshinë elemente të artit qeramik.

“Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore”, ka vlerësuar Zeni Ballazhi, kuratori i kësaj ekspozite.

Elementet e artit qeramik mbi të cilat janë vendosur shkallë të ndryshme të theksimit në kohë të ndryshme, janë forma e objektit, dekorimi grafik i saj me pikturë, gdhendja dhe metodat tjera, si dhe lustrimet e gjetura në shumicën e qeramikave.

Shumica e prodhimeve tradicionale qeramike janë bërë nga argjila (ose balta e përzier me materiale të tjera), të formuara dhe të ekspozuara ndaj nxehtësisë. Përgjithësisht, qeramika dekorative. Në përdorimin modern të inxhinierisë qeramike, qeramika është arti dhe shkenca e bërjes së objekteve nga materialet inorganike, jometalike, por nga veprimi i nxehtësisë.

Çdo artist i qeramikës hulumton nga historia e së kaluarës sipas përdorimit të praktikave të vjetra, në mënyrë që t’i japë një përmirësim modern teknikave të reja.

Lirije Buliqi i ka ruajtur zakonet e artizanatit të lashtë, të cilat ndjehen në riforcimin e mendimit përmes qasjeve eksperimentale dhe estetikës jokonvencionale. Këtu ne eksplorojmë punën novatore të saj në qeramikën bashkëkohore.

Qeramikat duken magjike. Ato imitojnë materiale të ndryshme në copa dhe në mënyrë efektive tërheqin vëmendjen në shkaqet e rëndësishme. Qeramikat nga balta, të krijuara nga ky nivel, demonstrojnë shkathtësinë dhe diversitetin.

Buliqi kërkon ta spikatë bukurinë që shpesh rezulton nga prishja, ndërsa në të njëjtën kohë, duke e bërë shikuesin të vë në pikëpyetje perceptimin e tij mbi veten dhe botën.

Në veprat e saj, objektet etnike dhe detajet nga veshjet tradicionale janë të inkuadruara në marrëdhënie profesionale mjaft të thjeshta. Ato formulojnë imazhet si kujtime të ndjera për kombin, të cilat artistja i përket vazhdimisht me artin e saj. Detaje nga kostumet popullore, thasët apo torbat e lidhura, herë me bukë dhe herë bosh, lëvizin vazhdimisht në shumë sipërfaqe të qeramikave, sikur të vizatuara pas mureve të rrjepura nga koha.

Krijimtaria e saj është një imazh me dritë të pasur e të fuqishme, ku objektet-shenja përbejnë fillimin dhe rrugën tonë të ardhshme.

Qeramikat e Lirije Buliqit dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku eksperimenti artistik konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar. / KultPlus.com

Portrete të realizuara në vetëm një vijë, Visar Kryeziu sjell figura të rëndësishme shqiptare në KultPlus Caffe Gallery

Flonja Haxhaj

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, mbrëmë kishin ateruar figurat më të njohura të historisë dhe kulturës shqiptare. Një frymë ndryshe kishte mbërthyer këtë ambient që si dukej po dërgonte porosi se ata ishin aty dhe ju nuk duhej munguar.

Mbretëresha Teutë, Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gjergj Fishta, Pandeli Sotiri, Shote Galica, Nënë Tereza, Marie Shllaku, Adem Jashari, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Anton Çetta, Agim Ramadani, Madeleine Albright e Leze Qena, mbrëmë kishin marrë formë tjetër. Me një thjeshtësi dhe elegancë të jashtëzakonshme, artisti Visar Kryeziu, i kishte sjell këto figura të rëndësishme shqiptare përmes artit të tij të veçantë. Me vetëm një vijë, këto figura kishin marrë formën perfekte dhe sikur komunikonin me të pranishmit dhe një qetësi të pashoqe, përcjell KultPlus.

Këto portrete të veçanta dhe unike, të realizuara në vetëm një vijë erdhën të shoqëruara edhe me punimet e realizuara me anë të telit për tu ekspozuar mbrëmë në KultPlus Caffe Gallery.

Artisti Visar Kryeziu i cili jeton në Zvicër, këto punime i nisi me vetëm një qëllim, që në shtëpinë e tij të ketë një ambient ku fëmijët të rriten duke i parë figurat e rëndësishme shqiptare. Por, ky qëllim madhor i Visarit, rezultoi të shndërrohet në një art që e përqafuan të gjithë e në këtë formë ta sjellin në vendlindje edhe më një ekspozitë që mblodhi shumë artdashës.

Hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, e cila falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e më pas tregoi se si erdhi deri tek realizimi i kësaj ekspozite.

“Këtë herë në KultPlus e kemi ftuar Visar Kryeziun, i cili ka ardhur nga Zvicra. Ideja për realizimin e kësaj ekspozite ka ardhur qysh nga realizimi i portretit të Skënderbeut, që Visari e postoi në ciklin e parë dhe vazhdoi tutje, vazhdimisht duke sjellë edhe figura të tjera poashtu shumë të njohura të kulturës dhe historisë shqiptare ndaj edhe vendosëm me e mbajt këtë ekspozitë”, tha Pajaziti e cila falënderoi artistin Kryeziu për këtë përzgjedhje të figurave, me të cilat sipas saj krenohet i gjithë populli shqiptar.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe kuratori, Ilir Muharremi, i cili vuri në pah se krijimi i këtyre portreteve ka bërë që artisti Visar Kryeziu tashmë të identifikohet me stilin e tij, atë të vizatimeve me një vijë.

“Për mua si kurator, është një përvojë e madhe duke qenë kurator në shumë ekspozita, në pothuajse 60-70 ekspozita, por kjo ekspozitë për mua është shumë e veçantë, sidomos te vizatimi, sepse ne e dimë që tek arti pamor, pikënisja, baza ose zanafilla e çdo emocioni është vizatimi, qoftë skulptor, qoftë mozaik, qoftë bitrazh, vizatimi është baza. Visari trajton një vizatim shumë të veçantë, një vizatim që kuadron gjestin, sikurse skulptori i cili me talentin e kap gjestin në skulpturë, Visari në vizatim ka gjestin e figurave të famshme historike që i kemi ne, qoftë nga rilindja apo nga antikiteti”, u shpreh Muharremi.

E në hapjen e kësaj ekspozite e cila kishte bërë bashkë shumë dashamirë të artit, ishte i pranishëm edhe gazetari i njohur, Enver Robelli, i cili e konsideron shumë të rëndësishme këtë ngjarje, që “bëri bashkë” shumë figura të rëndësishme kombëtare.

“Visari po vjen nga Cyrihu për të sjellë një ekspozitë me figura kombëtare, disa nga këta njerëz kanë një përvojë në botën perëndimore, pak kush e di që Adem Jashari ka qenë në Zvicër, Agim Ramadani ka ardhur nga Zvicra këtu, Ibrahim Rugova ka fluturuar vazhdimisht prej Cyrihut nëpër botë për ta internacionalizuar çështjen e Kosovës, Adem Demaçi po ashtu”, tha Robelli i cili tutje u shpreh i bindur që Visari do të vazhdoj që me këtë thjeshtësi dhe elegancë të sjellë edhe më shumë figura shumë të rëndësishme të historisë, kulturës, të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që kufizohen me Kosovën.

Më pas, për KultPlus foli edhe vetë artisti Kryeziu i cili tregoi se si erdhi ideja e realizimit të këtyre portreteve në një vijë, stil ky i cili në Kosovë vjen për herë të parë.

“Punimi i parë ka qenë portreti i Skënderbeut, e publikova në rrjete sociale dhe u pëlqye shumë, sa nuk e kam prit fare. Më pas vendosa të vazhdoj edhe në punime të tjera të cilat u pëlqyen shumë, pastaj pata kontakt edhe me KultPlus të cilën më ftuan për hapje të ekspozitës dhe më dhanë guxim, motivim dhe mbështetje dhe për këtë vendosa të vijë dhe ta realizoj ekspozitën”, deklaroi Kryeziu për KultPlus.

Ai tutje shpjegoi se në realizimin e këtyre portreteve të figurave që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ka ndikuar edhe fakti që ai jeton në Zvicër.

“Kam dashur ta kem një ambient në shtëpi ku fëmijët e mi rriten brenda frymës shqiptare, ku do të jenë prezentë portretet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”, shtoi më tutje ai.

Ndërkaq, artisti Kryeziu përveç realizimeve të portreteve me një vijë, artin e tij po e dëshmon në realizimin e portreteve në vetëm një tel. Ai tregon për KultPlus se pas vizatimeve në një hapësirë të bardhë, u intrigua që ato portrete t’i realizojë edhe me një tel.

“Ideja për realizimin e portreteve me tel erdhi duke i parë këto vizatime me një vijë në hapësirën e bardhë, e thashë me vete sa interesante do të dukej sikur ky portret të qëndronte në ajër, e mendja më shkoi tek teli”, thotë Kryeziu i cili shton se më pas e provoi me një tel që e kishte pranë vetes, i cili ndonëse më vështirë i punueshëm, arriti ta bëjë figurën e Rugovës.

Kryeziu, i cili tashmë po identifikohet me këtë stil arti, thotë se do të vazhdojë të realizojë edhe shumë portrete të tjera të historisë shqiptare.

Ekspozita ‘Në një vijë me Visar Kryeziun’ është realizuar nga KultPlus dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ujë Rugova dhe do të qëndrojë e hapur deri më datë 2 maj në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha portretet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë me artistin për t’i blerë ato./ KultPlus.com

‘Në një vijë me Visar Kryeziun’, nesër hapet ekspozita në KultPlus Caffe Gallery

Visar Kryeziu i cili së fundi është bërë shumë i njohur me portretet me një vijë, do të prezantohet me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo ekspozitë përfshin portretet e figurave më të rëndësishme të kulturës e historisë shqiptare, duke përfshirë: Mbretëreshën Teutë, Gjergj Kastriotin, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Pandeli Sotirin, Shote Galicën, Nënë Terezën, Marie Shllakun, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Anton Çettën, portrete këto që do të prezantohen me një vijë në kornizë, por edhe portrete në një vijë të realizuara në tel.

Ekspozita do të hapet nesër duke filluar nga ora 20:00.

Të gjitha punimet që do të paraqiten në këtë ekspozitë do të jenë në shitje. Ndërkaq, kjo ngjarje është organizuar nga KultPlus më mbështetje nga MKRS. / KultPlus.com

Mbahet mbrëmja poetike për të drejtat e vajzave dhe grave në KultPlus Caffe Gallery

Dashuria për poezinë dhe pasioni për krijimet artistike të poetëve diversiv u shndërruan në dy shtyllat kryesore që kapërthyen mbrëmjen poetike për të drejtat e vajzave dhe grave, mbrëmje kjo që mbrëmë erdhi nën organizimin e Sekretariatit të Gruas Aktiviste të Lëvizjës Vetëvendosje, shkruan KultPlus.

Në ambientin e ngrohtë dhe komod të KultPlus Caffe Gallery, kjo mbrëmje erdhi si një dedikim për të drejtat e grave dhe betejës së tyre përgjatë viteve për të arritur synimet e paramenduara.

Po ashtu, kjo mbrëmje është realizuar në kuadër të aktiviteteve të Sekretarit të Gruas Aktiviste përgjatë muajit mars, aktivitete këto që janë shënuar për të drejtat e vajzave dhe grave. Dhe pikërisht ky muaj është përmbyllur me këtë mbrëmje poetike, që u shënua mbrëmë.

Ndërkohë në këtë mbrëmje poetike në panel të ftuara ishin: Majlinda Bregasi, Elvis Hoxha, Tinka Kurti, Hyrije Veliu-Jeta, Hatixhe Hoxha.

Ishte profesoresha dhe shkrimtarja Majlinda Bregasi ajo e cila moderoi këtë ngjarje, e që e nisi mbrëmjen me fokusin rreth barazisë shoqërore.

“Kam privilegjin që ta drejtoj këtë mbrëmje. Angazhimi për drejtësi e barazi shoqërore duhet të jetë i përhershëm, megjithatë marsi është muaji i grave që shënon një intensitet më të shtuar drejt sensibilizimit të kauzës së gruas. Sekretariati i Gruas Aktiviste në muajin e aktiviteteve të shumta, me këtë mbrëmje sot bënë përmbylljen e gjithë aktiviteteve të paramenduara. S’ka më bukur se të përmbyllen ky rrugëtim me një mbrëmje poetike, me pjesët e përzgjedhura të cilat i referohen të drejtave të grave, betejës së tyre të gjatë për t’i arritur”, thotë Bregasi.

Fillimisht, poezitë si: “Ninës ikonë” nga autori Krenar Zejno dhe “Një grua e pjekur” nga Renacer Humano, u interpretuan mahnitshëm nga aktorja Zhaneta Xhemajli. E së bashku me vargjet e poezisë, vend gjetën edhe meloditë e kitarës që përqafonin të pranishmit mrekullisht.

Pastaj, një fragment i shkurtër nga romani i fundit i autores Majlinda Bregasi i titulluar “Stina e pestë”, u shpalos para të pranishmëve nga vetë autorja e cila pastaj shpjegoi pak për përmbajtjen që ka romani, duke zgjuar interesin për të parë e lexuar akoma më shumë nga ai libër e ato fletë që thërrasin emrin e çdo lexuesi.

“Ne”, titullohej poezia e radhës që gjeti vendin e saj. Me autoren Tinka Kurti që qëndronte në panel, të pranishmit dëgjuan interpretimin e aktores Donikë Ahmeti që zgjoi një emocion të papërshkrueshëm tek të pranishmit. E kjo u dallua edhe kur vetë autorja mori fjalën pas interpretimit poetik.

“Mua më deshën pak sekonda që me marr veten nga interpretimi i aktores së shkëlqyeshme, Donikës. Falënderoj Sekretariatin e Gruas Aktiviste për organizimin e kësaj mbrëmjeje dhe të gjitha aktiviteteve përgjatë këtij muaji si dhe në vazhdimësi. Është kënaqësi që të jem këtu me ju. Poezia është shkruar në vitin 2017. Kam dhe disa poezi tjera të cilat nuk e di se a i përkasin saktësisht një periudhe por siç ndodh në fakt me shumëçka të veprimtarisë letrare, zanafillën mund ta ketë tek fëmijëria. Por për këtë poezi e di se mund ta them që nuk do të ekzistonte pa Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë Kurti.

Ndërkaq, ishte dhe vetë aktorja Donikë Ahmeti ajo që tha edhe disa fjalë më shumë për poezinë “Ne”.

“Me të vërtetë kur po e lexoj, po e gjej veten shumë në këtë poezi. Për shkak se vargu thotë ‘Ne që nuk qajmë kollaj’, i mbajta lotët se është diçka që e ndjeva tepër. Secila grua shqiptare mund ta gjej veten në këtë poezi”, thotë Ahmeti.

Poezia “Grueja shqyptare” dhe “Baladë qytetse”, ishin dy poezitë e radhës që u intepretuan aq bukur nga dyshja e pranishme si: filozofi Elvis Hoxha dhe aktorja Donikë Ahmeti, të cilët zgjuan edhe një diskutim mjaft të gjerë mes të pranishmëve.

“Grueja shqyptare” është një poezi shumë e gjatë që në fakt një njëri si puna ime që nuk ka bërë kurrë aktrim, nuk do guxonte ta lexonte, por për njëlloj sakrifikimi mashkullor, do ta kërcënoj veten time por patjetër me ndihmën e Donikës që do të ndërhyj në ca momente që unë të rimarr frymë. Po ashtu në fakt, kjo poezi ka njëlloj sekreti fantastik. Poezia në Shqipëri i është akorduar Ndre Mjedës, ndërkaq në Kosovë i është akorduar Martin Camajt”, thotë Hoxha para se të fillonte me interpretimin.

Ndërkaq, poezinë “Baladë qytetse”, ai e cilëson si “një nga gratë e Migjenit”.

Gjithashtu, ishte edhe aktorja Donikë Ahmeti ajo që lexoi poezinë e radhës me titull “Shkëmbi i vajës”.

“Gruaja shqiptare ka pasur të drejtë me qenë krenare. Për këtë flet poezia. Kjo krenaria dhe shenjtërimi i figurës së nënës, ‘Lokja’, gjithmonë ka qenë tek ne, e adhuruar. Kjo nuk e anashkalon pjesën që gruaja gjithmonë në shoqërinë tonë ka qenë e diskriminuar, e shtypur, e përdorur në mënyrat më të këqija të mundshme”, thotë Ahmeti para se të vazhdojë me interpretimin.

Tutje, kushtuar heroinës Myrvete Maksutaj, u lexua edhe poezia “Këngë e kris”, autorja e së cilës është Hyrije Veliu-Jeta.

“Myrvetja ka qenë shoqja ime e luftës dhe para se me lexu këtë poezi do të doja të thosha se ajo ishte një vajzë shumë e re. Sapo kish mbush të njëzetat kur iu bashkua radhëve të UÇK-së, dhe me thënë të drejtën ajo nuk ishte e para. Por përveç atdhedashurisë që e mbante në zemër, ajo kishte edhe një plagë të thellë sepse shumë vite më herët, vëllain e saj e kishin vra në ushtrinë jugosllave. Ajo kishte ndjenjën e hakmarrjes. Unë këtë poezi për Myrveten e kam shkruar tri ditë pasi ajo ra dëshmore. Ajo ra dëshmore në Pejë dhe atë ditë ajo ishte nisur drejt spitalit të Pejës për të ndërmarrë një aksion për të shpëtuar shokun tonë që ishte i plagosur e i kapur nga ushtria serbe, por ajo qëllohet nga forcat serbe dhe bie dëshmore. Unë e përjetova shumë rëndë. Unë nuk jam poete por këtu kanë dalë ca fjalë zemre”, thotë Veliu-Jeta.

Kështu krejt në fund, me një përzierje të emocioneve të llojllojshme dhe tinguj muzikor, mbrëmja vazhdoi me interpretime nga më të ndryshmet që vetë publiku po sugjeronte.

E njëra nga to që erdhi me një lezet krejt ndryshe, ishte poezia “Me dashtë kur me e dashtë nuk duhet” me autor Bekim Lumi.

Përgjatë mbrëmjes po ashtu shpesh herë janë përsëritur disa nga poezitë e lartpërmendura, në mënyrë që ridëgjimi i tyre që dëshirohej nga publiku, të jehonte edhe përtej mureve të KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Me rastin e ‘Ditës Botërore të Poezisë’ u mbajt Ora Letrare nga PEN Qendra e Kosovës

Në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë, dje në KultPlus Caffe Gallery u mbajt ora letrare e organizuar nga PEN Qendra e Kosovës dhe KultPlus, me ç’rast krijimet e veta artistike i lexuan: Ibrahim Berisha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu, Lulzim Tafa, Dije Demiri Frangu, Lindita Tahiri, Naime Beqiraj, Nerimane Kamberi dhe Mustafa Balje, shkruan KultPlus.

Dashuria për poezinë, pasioni për krijimet artistike të poetëve të huaj dhe shqiptar, rrezatimi në sy që pasonte nga secili i pranishëm për këtë ditë të rëndësishme, veçse ishin tri shtyllat kryesore që përmblodhën ditën e djeshme nën strofullën e ngrohtë të ambientit.

Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj e po ashtu e konsideruar edhe si “mbretëresha e arteve”, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.

Dje, shprehja lirike ishte ajo që mbizotëroi në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit që ishin të ulur në formën e një rrethi dhe krijuan një bashkëbisedim por edhe interpretuan pozitë e tyre si dhe të autorëve të mirënjohur shqiptar.

Ishte profesori dhe shkrimtari Sali Bashota ai i cili e nisi këtë ngjarje me një rast fjale.

“Mirë se erdhët në këtë aktivitet të organizuar nga PEN Qendra e Kosovës së bashku me KultPlus në kuadër të Ditës Botërore të Poezisë. Është një ditë e veçantë në radhë të parë për poetët pastaj për adhuruesit e poezisë. Jemi mbledhur këtu sot bashkë për të nderuar e kujtuar poetë të njohur të letërsisë botërore dhe të letërsisë shqipe të cilët kanë treguar se poezia është mbretëresha e arteve”, thotë Bashota.

Sipas tij, një krijim poetik i cili buron nga shpirti dhe adresohet te lexuesi, për të cilën Jorge Luis Borges ka thënë se nuk mund të shpjegohet kurrë, por vetëm të përjetohet dhe ndjehet shpirtërisht.

Fillimisht ishte shkrimtari Ibrahim Kadriu ai që nisi i pari të lexonte njërën nga poezitë e tij.

“Kjo koha e këtij gripi na ka kapluar të gjithëve dhe njëkohësisht na ka ofruar dhe ide. Kështu që e kam një poezi të shkruar para dy vjetëve, pikërisht në atë kohë që ndodhi pandemia”, thotë Kadriu, i cili më pas e interpreton poezinë e tij.

Pastaj poetja Djie Demiri-Frangu, interpretoi disa poezi nga libri i saj i titulluar “Qumështi i poezisë”.

Ndërkaq, Lulzim Tafa duke mos dashur që të shpjegojë asgjë, vetëm lexoi poezinë “Andrra”.

Më pastaj ishte poetja Naime Beqiraj e cila fillimisht lexoi njërën nga poezitë e saj më të fundit, “Poetët desin n’kambë”. Gjithashtu, ajo e përkujtoi poetin e saj më të dashur, Azem Shkreli, e nga krijimet e të cilit, interpretoi poezinë “Lirikë me shi”.

“Mos harresa”, dhe “Asnjeri”, ishin dy poezitë e radhës që u interpretuan nga vetë shkrimtari Ibrahim Berisha, e të cilat u pëlqyen mjaft shumë nga të pranishmit.

Tutje, profesoresha Lindita Tahiri interpretoi dy nga poezitë e saj.

“Unë do ta lexoj një poezi para dyzet viteve kur fillova të shkruaj për respekt ndaj Azem Shkrelit”, thotë ajo para se të vazhdonte me interpretimin e saj.

Ndërsa, Mustafa Balje po ashtu lexoi një nga poezitë e tij. Kurse poetja Nerimane Kamberi, ishte ajo që kishte zgjedhur më shumë poezi për të interpretuar e kjo vjen si pasojë e tri rasteve të cilat i tregon ajo vetë.

“Unë do të lexoj sot më shumë sepse do të lexoj për tri raste. E para është një poezi që kujton poetë të tjerë, poezia e dytë është e kushtuar ndaj grave por në veçanti motrës time e cila e ka ditëlindjen sot dhe për mua është shumë me rëndësi. E treta i kushtohet Sazana Çapriqit, sepse sot bëhet një vit që kur ajo është varrosur”, thotë Kamberi.

“Ftesë për të marrë udhë”, “Hanëmet nuk qajnë” dhe “Banja e grave”, titulloheshin poezitë të cilat erdhën nën interpretimin e poetes Kamberi.

Ndërsa, krejt në fund poeti dhe shkrimtari Sali Bashota me shumë emocion, interpretoi tri nga poezitë e tij, e që ishte “Mësohu me vdek si Ali Podrimja”, ajo që la më së shumti mbresa.

Të pranishmit, të emocionuar nga këto poezi, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe brenda hapësirës së KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Sonte në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi

Sonte nga ora 18:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi, përcjell KultPlus.

Në këtë ekspozitë, artisti Shoshi do të paraqitet me 10 punime, arti i të cilit bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.

Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe i jep fuqi autorit.

Ekspozita ‘8 cepat’ ka kurator Ilir Muharremin.

“Drilon Shoshi, është një artist i ri, artist mendimtar i cili mendimin e kthimit e jetëzon në simbole, veçanërisht te ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti- Skënderbe në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij. Ylli me tetë cepa, misteri i fuqisë, qëndresës, syri i Davidid që bashkon forcën e natyrës qoftë aktive e qoftë pasvive. Shpirti i Drilonit lundron drejt këtyre skutave historike, qëllimi i artistit është ta ringjallë historinë, duke mos gërmuar në të, por vetëm ta sintetizojë, ilustroj, qëndisë me forcën kompozcionale, të formës, ngjyrës, baraspeshës, simetrisë që ta ndezin trurin drejt një deliri dhe ekstaze dehëse Dionisiane. Mendimi i bashkohet kësaj vorbulle dhe nxiton drejt një të kuqe si simbol i gjakut të derdhur të shqiptarëve gjatë historisë, pastaj e zeza, zilia, të vuajturit, dhembje dhe dhembje dhe ai plotëson magmën shpirtërore nga kjo e zezë, katran, që tejkalon çdo instikt dhe forcë të brendshme, përtej vallëzimit të makthit, sekreteve, kodeve mitologjike që u krijuan nga njerëzit dhe besimi ngriti pushtetin përtej perëndisë dhe çdo kush një ditë është ndjerë i barazuar me perëndinë, të cilen e krijoj vet njeriu.” – thotë Muharremi për këtë ekspozitë.

Ndërkaq ai flet edhe për portën, e cila është karakteristikë e veprave të  Shoshit.

“Porta duket e mbyllur, pas disa çastesh ajo hapet, lëvizje sikur vepron brenda kohës tënde dhe koha jote shkrihet me kohën e artistit, pra një plan brenda një rastësie çudake. Koloriti është i pastër, i përzier mirë, ruan dendësinë, identitetin, shtrihet mbi sipërfaqe të kufizuar brenda formës duke krijuar teksturë e sipër disa relieve. E kuqja ndër këtë relive është e ndërsuazuar me vesrion të vuajtjes dhe kontrastit artistik pra me të zezën, këtu shkrihet ana emocionale dhe rregulli artistik pra mendor , ngacmimi estetik, simetrik për të vazhduar më tutje ballafaqimi. “ – shton më tutje kuratori Muharremi.

Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

Të shtunën në KultPlus Caffe Gallery hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi

Të shtunën, më 12 mars, nga ora 18:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të hapet ekspozita ‘8 cepat’ nga artisti Drilon Shoshi, përcjell KultPlus.

Në këtë ekspozitë, artisti Shoshi do të paraqitet me 10 punime, arti i të cilit bazohet në simbole dhe figura që datojnë shekuj më parë, sikurse që është ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij.

Poashtu në veprat e Shoshit është e dukshme inspirimi nga Emblema e Gjergj Kastriotit, yllit zanafillor me 8 cepa, portave të vjetra shqiptare, ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun e derdhur të shqiptarëve nëpër periudha të ndryshme, pastaj trekëndëshat, hëna, dielli, sikurse edhe ngjyra e zezë, që sipas autorit është ngjyrë që u shton vetëbesim dhe i jep fuqi autorit.

Ekspozita ‘8 cepat’ ka kurator Ilir Muharremin.

“Drilon Shoshi, është një artist i ri, artist mendimtar i cili mendimin e kthimit e jetëzon në simbole, veçanërisht te ylli simbolik, që e përdorte Gjergj Kastrioti- Skënderbe në vulën shtetërore përgjatë dhjetëvjetëshit të fundit të jetës së tij. Ylli me tetë cepa, misteri i fuqisë, qëndresës, syri i Davidid që bashkon forcën e natyrës qoftë aktive e qoftë pasvive. Shpirti i Drilonit lundron drejt këtyre skutave historike, qëllimi i artistit është ta ringjallë historinë, duke mos gërmuar në të, por vetëm ta sintetizojë, ilustroj, qëndisë me forcën kompozcionale, të formës, ngjyrës, baraspeshës, simetrisë që ta ndezin trurin drejt një deliri dhe ekstaze dehëse Dionisiane. Mendimi i bashkohet kësaj vorbulle dhe nxiton drejt një të kuqe si simbol i gjakut të derdhur të shqiptarëve gjatë historisë, pastaj e zeza, zilia, të vuajturit, dhembje dhe dhembje dhe ai plotëson magmën shpirtërore nga kjo e zezë, katran, që tejkalon çdo instikt dhe forcë të brendshme, përtej vallëzimit të makthit, sekreteve, kodeve mitologjike që u krijuan nga njerëzit dhe besimi ngriti pushtetin përtej perëndisë dhe çdo kush një ditë është ndjerë i barazuar me perëndinë, të cilen e krijoj vet njeriu.” – thotë Muharremi për këtë ekspozitë.

Ndërkaq ai flet edhe për portën, e cila është karakteristikë e veprave të  Shoshit.

“Porta duket e mbyllur, pas disa çastesh ajo hapet, lëvizje sikur vepron brenda kohës tënde dhe koha jote shkrihet me kohën e artistit, pra një plan brenda një rastësie çudake. Koloriti është i pastër, i përzier mirë, ruan dendësinë, identitetin, shtrihet mbi sipërfaqe të kufizuar brenda formës duke krijuar teksturë e sipër disa relieve. E kuqja ndër këtë relive është e ndërsuazuar me vesrion të vuajtjes dhe kontrastit artistik pra me të zezën, këtu shkrihet ana emocionale dhe rregulli artistik pra mendor , ngacmimi estetik, simetrik për të vazhduar më tutje ballafaqimi. “ – shton më tutje kuratori Muharremi.

Ekspozita ‘8 cepat’ do të qëndrojë e hapur për dy javë./ KultPlus.com

Fahrije Hoti dhe Ferdonije Qerkezi me rrëfim inspirues: Na është dashur që me bërryla e me gjunjë të shkojmë e të marrim edhe një herë jetën përpara

Era Berisha

14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës mbrëmë u festua nëpërmjet rrëfimeve nga dy gra të cilat përmes dhimbjeve, vuajtjeve, tmerreve të luftës së fundit në Kosovë, u zhytën në shpresë, u shndërruan në inspirim për shkrimtarë e regjisorë dhe u bënë zëri i shumë grave të Kosovës që fuqinë e tyre të brendshme e shpërthejnë rrallëherë por kur ndodh, atëherë nis një histori suksesi, i njëllojshëm me atë të këtyre grave. Pra, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti, mbrëmë erdhën me një rrëfim të sinqertë e tejet inspirues në KultPlus Caffe Gallery.

Prezenca e tyre përgjatë dy orëve, rezultoi që rrëfimet e tyre të dëgjohen me një vëmendje jashtëzakonisht të madhe, ngase qetësia që këto dy gra posedonin, dëshmoi se krenaria e tyre nuk kishte nevojë për fjalë e as për zë, por ajo shkëlqente përmes syve të tyre që rrezatonin dhimbje, dashuri, lumturi, por mbi të gjitha; mburrje. Mburrje për atë se çfarë kanë arritur, nga një rrugë e shtruar me gropa e kthesa të shumta, deri në një depërtim mbarëbotëror, ku historia e tyre hyri në fushën kinematografike por edhe atë letrare, shkruan KultPlus.

Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti u bënë muza të shkrimtarëve e regjisorëve, ku jeta e Fahrije Hotit është treguar nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, përderisa jeta e Ferdonije Qerkezit është përcjellë edhe nëpërmjet filmave dokumentar si ajo në vitin  2005, “Ikonë e lotëve” me regji të Ilir Kabashit si dhe “Pritja” me regji të Artan Korenicës, film ky që ka përfunduar por ende nuk është shfaqur, por edhe të librave, ku shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar së fundmi librin  “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, bazuar në jetën e saj.

Ora shënoi 19:00, dhe një numër i konsiderueshëm i të pranishmëve kishte zënë vendin në karriget e tyre për të qenë sa më afër ngjarjes e për të parë nga afër këto gra që sa herë që ato flasin, sytë e tyre flasin akoma më shumë. Hapësira e KultPlus Caffe Gallery, u mbush me artistë, artdashës, e njerëz të cilët ishin prezent në jetën e këtyre dy grave qysh në fillet e tyre të një jete pas lufte, jetë kjo që u konsiderua edhe një luftë e dytë më vete. Ndërkohë, bashkëbisedimit veçse kishin filluar mes të pranishmëve derisa koha për të nisur mbrëmja erdhi.

Entuziazmi i publikut dallohej jo vetëm në qetësinë absolute që kishte kapluar atmosferën por edhe në lëvizjet e tyre trupore që ishin të drejtuar karshi këtyre dy grave të cilat me një rrëfim jo të lehtë, shpalosën gjithë sfidat e tyre që zunë vend në rrugëtimin e tyre që ishte mbushur plot me dëshira që vendi jonë të jehojë me historinë që mban mbi supe.

Gazeta e parë online për art e kulturë, KultPlus e ka sjellë këtë mbrëmje si një dedikim për këto dy gra të suksesshme në jetë e të cilat sot e përherë do të kenë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.

Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti nuk ngurruan që të shpalosin emocionet e tyre, vështirësitë dhe sukseset, që janë gërshetuar në jetën e tyre, edhe tash pas plot 22 viteve.

“Sonte është një mbrëmje e jashtëzakonshme sepse në një vend kemi dy gra të cilat u ngritën sikur feniksi dhe i treguan botës për dhimbjen, vuajtjen dhe guximin. Këto dy gra treguan se duke u ngritur mbi dhimbjen, ato për çdo ditë treguan nga një copëz të luftës, vdekjes e zhdukjeve. Dhe këto dy gra inspirim gjetën edhe shkrimtarë, regjisorë e skenaristë të cilat jetën e tyre e shpalosën para botës vetëm e vetëm për të treguar për krimet e rënda që bënë serbët në familjet e tyre dhe për tu shndërruar në zërin e shumë grave dhe familjeve të tjera”, thotë moderatorja Merovci, e cila nisi këtë mbrëmje me një prezantim të dy grave që treguan se kanë forcë të ringjalljes ku njëra ndërtoj fabrikë kurse tjera ngriti muze.

Kurse, drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli për një fjalë rasti për të treguar se këto dy gra janë bërë zëri i shumë grave dhe se familjet që kanë sakrifikuar për këtë vend, duhet të kujtohen.

“Faleminderit që jeni të pranishëm në këtë mbrëmje ku i kemi ftuar dy zonja, Ferdonije Qerkezi dhe Fahrije Hoti. Ne sonte kemi vendosur që 14 vjetorin e shtetësinë tonë ta shënojmë duke i kujtuar edhe familjet që kanë sakrifikuar shumë për këtë vend. Duhet të ndajmë edhe copëza dhimbje, vuajtje por edhe të guximit që këto dy zonja janë bërë zëri i shumë familjeve dhe shumë grave që nuk e kanë pasur fuqinë sikur të këtyre dy zonjave”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, në kohën e pasluftës, shumica janë dëshmitarë që nuk ka pasur gra vendimmarrëse dhe pikërisht ishin burrat që kanë udhëhequr vendin me shitjen e fabrikave të vendit tonë duke i dërguar në privatizim e duke e zhbërë pasurinë shtetërore.

“Fahrija e ka bërë të kundërtën, e ka krijuar fabrikën duke u shndërruar në një model për gratë e tjera dhe jo vetëm. Ndërsa, ne jemi dëshmitarë të asaj që Kosova ende nuk e ka një muze shtetëror për pasojat e luftës, por zonja Ferdonije shtëpinë e saj e shndërroi në muze. Unë përkulem para të dy zonjave dhe faleminderit që jeni sonte me ne”, përfundon Pajaziti.

Në ndërkohë, fjalën e morën edhe dy gratë, të cilat së bashku me moderatoren, ato zhvilluan një bashkëbisedim rreth jetës së tyre që nga koha e pasluftës e gjerë më tash.

Mendimet e para të Qerkezit dhe Hotit në takim me regjisorët

“Po jam takuar me regjisorët dhe e kam ndjerë veten më të qetë për këto filmat që janë bërë. Ka qenë një mundësi shumë e mirë për t’i treguar botës historinë tonë dhe filmat në fakt janë shfaqur gjithandej nëpër botë. Jemi të kënaqur që është dikush që është përkujdesur për ne dhe janë bërë ato filma”, thotë Qerkezi.

Ndërsa, Fahrija Hoti shpalos se qysh në vitin 2011, takimi me regjisoren Basholli, ka qenë shumë i frytshëm.

“Kur e kam parë filmin për herë të parë jam prekur shumë sepse më ka kthyer vite më herët. Unë kur jam takuar për herë të parë në vitin 2011 me regjisoren dhe kemi biseduar për historinë të cilën ajo e kishte dëgjuar në media. Erdhi, më takoi dhe biseduam, dhe nuk hezitova fare. Ndoshta kam marrë një rrugëtim të vështirë që më përcjell prapë tek paragjykimet edhe sot por unë jam krenare me atë që nesër apo pasnesër, gjeneratat e reja do të dinë se ka ekzistuar lufta në Kosovë. Por paslufta ka qenë shumë e vështirë për gratë”, thotë Hoti.

Dëshira e Ferdonijes për muzeun historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”

Shtëpia e saj me gjithë ato fotografitë e gjërat e familjarëve është shndërruar në një muze historik që është emëruar edhe “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”. E për këtë dëshirë që është realizuar qysh në vitin 2014, e tregon edhe vetë Qerkezi.

“Unë e kam marrë vendimin vetë pa lejen e askujt që shtëpia ime të shndërrohet në muze, për të lënë trashëgiminë e shtëpisë për gjeneratat që vijnë e për të parë se çfarë ka bërë serbi në familjen time dhe në krejt Kosovën si dhe pasojat e shumta të luftës që rezultoi në zhdukjen e anëtarëve të familjes. Pra, po shtëpinë e shndërrova në muze pa ndihmën e askujt dhe të gjitha ato fotografi unë i kam bërë vetë, të gjitha, pastaj shtëpia zyrtarisht është shpallur shtëpi-muze  në vitin 2014”, tregon ajo.

Ajo tutje tregon se përkrahja për këtë vendim, nuk ka ekzistuar fare nga askush dhe se familja e burrit të saj ka qenë kundër kësaj ideje.

Ndërsa, kur kujtojmë se libri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” e shkrimtarit Ag Apolloni, tregon detaje nga më të ndryshmet si dhe përshkruan thellësisht shtëpinë-muze, Ferdonije Qerkezi tregon për të pranishmit se si ndjehet ajo kur ajo shtëpi vizitohet nga kushdo.

“Kur vijnë vizitorë, unë e ndjej veten më së miri e më së lehti për arsye se mendoj se është dikush atje që interesohet për këtë shtëpi dhe unë e ndaj dhimbjen me ta. Kemi vizitorë jo vetëm nga Kosova por edhe nga jashtë e edhe nga Shqipëria”, thotë Qerkezi.

“Zgjoi”, emocionet e para dhe fjalia e parë e Fahrije Hotit

“Për herë të parë unë e kam parë filmin kur ka përfunduar dhe asnjëherë nuk kam shkuar në xhirime se ka qenë kohë e punës dhe isha e angazhuar me aktivitete të ndryshme. Filmi tash ka bërë jehonë në gjithë botën por e metë e Kosovës janë ato gra të cilat nuk flasin por shpresoj që tash pas filmit të zonjës Qerkezi dhe ‘Zgjoi’, që ka me pasë edhe gra të tjera të cilat do të tregojnë për vuajtjet e tyre. Megjithatë, filmi personalisht më ka pëlqyer dhe dy fëmijët e mi e kanë pa filmin dhe nuk kam marrë ndonjë reagim negativ nga ta, por përkrahja e tyre ishte në një nivel të lartë”, shpalos Hoti.

Sipas saj, Krusha pas luftës, ka qenë luftë e dytë sepse ka qenë i tërë fshati i thatë dhe ajo kujton që kur janë organizuar protesta, i’u është bashkangjitur grave të Gjakovës, pa e ditë se çfarë po adresohet.

“Filmi shumë mirë e pasqyron atë pjesën e personave të pagjetur dhe pjesët e tjera. Në vitin 2005, kemi filluar të merremi me konservim dhe nuk i kemi plasu në treg për arsye të paragjykimit. Për neve, na është dashur që me bërryla e me gjunjë të shkojmë e të marrim edhe një herë jetën përpara se kemi qenë edhe burrë edhe grua, vetë. Por, fati deshi që njerëzit e mirë, donatorët e organizatat që Kursha të bëhet histori me veprimtarinë e kultivimit të specit”, thotë ajo.

Po ashtu, Fahrije Hoti kujton edhe fjalët e para që i dolën nga goja pasi që pa filmin “Zgjoi” për herë të parë.

“Fjala e parë që kam thënë pasi që shikova filmin ishte: “A bash qashtu më paska ndodh a?”. Kështu që më është trazuar ndjenja para 22 viteve sepse pashë veten se ku jam duke punuar dhe filmi ishte pikërisht ajo se çfarë më ka ndodhur mua”, shpalos Hoti.

Jeta pas xhirimeve të filmit Zgjoi

“Kam pasë fatin të marrë pjesë në Amerikë, në Zvicër e Gjermani si dhe kam pasur edhe ftesa të tjera por në pamundësi që të udhëtoja. Në veçanti, në Amerikë, këngëtarja me famë botërore ishte prezente së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku së bashku me ekipin e filmit, ajo ngjarje më ka bërë të ndihem e privilegjuar. Komentet që i kemi marrë, kanë qenë jashtëzakonisht të mira në të gjitha vendet. Pata marrë një ‘bravo’ të madhe që kam marrë guximin për të thyer tabutë në Kosovë e për të treguar të vërtetën dhe gjithë ajo se çfarë është përjetuar”, tregon Hoti.

Ferdonije Qerkezi, dëshmitarja që dëshmon çdo ditë të vërtetën

E pyetur nga moderatorja se si ndihet që bota po e dëgjon tragjedinë tonë, Ferdonije Qerkezi tregon se mision të rëndësishëm e ka çështjen e të zhdukurve.

“Unë e ndjej veten shumë mirë që e tregojmë atë tragjedi që na ka ndodh. Gjithmonë ata që kanë ardhur, qoftë gazetarë apo njerëz të zakonshëm, unë e kam treguar ngjarjen. Dhe jo vetëm unë, por të gjithë duhet të tregojnë se çfarë i ka ndodh grave në të gjithë ato shtëpi dhe jo që heshtja të jetë një zgjidhje. Kështu që po, unë po ndihna e fortë”, thotë Qerkezi.

Përveç këtij bashkëbisedimi mes moderatores dhe këtyre dy grave, krejt në fund ishte publiku ai që kishte pyetje të shumta për të dëgjuar akoma më shumë nga to.

Paragjykimet pas filmit “Zgjoi”

“Ai që donë të logjikojë dhe me pa një film, e din se filmit i shtohen dhe i mungohen disa aspekte. Unë nuk jam artiste me ditë filmin por e kam pritur shumë mirë. Por ata që nuk kanë dashur dhe ata që nuk dojnë të kuptojnë realitetin, nuk i ka pëlqyer fare. Unë përsëri edhe pas publikimit të filmit, jam ballafaquar me komentet. Ndoshta pa fillu rrugëtimi i filmit, kanë folur në mënyrë të ndryshme por jo në rrjete sociale, tash të njëjtët njerëz nëpër rrjete sociale flasin. Unë do të kërkoj nga shteti që përsëri të krijohet një film e tash ata njerëz që kanë paragjykuar dhe janë sjell ashtu, të dalin me emër e mbiemër, me fakte, data”, përgjigjet Fahrije Hoti në njërën nga pyetjet e drejtuara për të.

Ajo tutje tregoi se ka pasur raste që disa njerëz kanë hyp në mur në orët e vona të natës e kanë bërë me gisht brenda vendit të punës të saj në ndërrimin e natës, e ka të tjerë që kanë dalë e i’a kanë zënë rrugën, e tjerë kanë dalë edhe nëpër dyqane dhe i kanë hapur kapakët e kavanozave të ajvarit, vetëm që t’i dalë era e ushqimi të prishet.

“Ndoshta nuk kanë ndodh skenat e dhunimit se në mos kam pasë allti, kom pas shati”, potencon ajo.

“Unë kam punuar me gratë që nga viti 2000 me organizimin e protestave e deri më sot, dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem. Filmi flet për burrat e Krushës, për njerëzit e ndërgjegjshëm si vjehrri, por flet edhe për njerëzit e pandërgjegjshëm që kanë ndenjur duke pi alkool në Krushë e na kanë pa neve duke pi kafe e kanë paragjykuar. Ata që kanë paragjykuar, tash i kanë nga tri puna nëpër institucione dhe rrinë pinë kafe e paragjykojnë përsëri”, thotë tutje Hoti.

Guxim pas guximi

“Të parët kanë thënë: ‘Nuk ki inat, nuk ki zanat’. Unë kam inatin në vetvete por në pozitivitet. Ti fol nëse donë gjithë ditën, por unë do të vazhdoj të punoj punën time. Por në rast se ty të dëmtoj, bëhu burrë e dil karshi. Unë kam kërkuar që përmes këshillit të fshatit, të gjithë burrat që janë prekur nga filmi, le të më vinë karshi. Le të ulen si burrat në zyre dhe jo si buburreca nëpër komente. Jo, se fëmijët e mi i shohin komentet. Nëse dëshiron të ballafaqohesh me të drejtën, vjen dhe ulesh karshi dhe unë të shpjegoj me data e me dëshmitarë”, përgjigjet Fahrije Hoti në pyetjen e radhës drejtuar saj.

“E marr guximin se fëmijët e mi kanë nevojë për punë dhe nuk dua t’ia falë Evropës fëmijët”, potencon ajo.

Fahrije Hoti gjithashtu tregon se e ka pasur një baba që ka punuar në biznes në ish-Jugosllavi dhe ka qenë një baba i denjë për familjen e saj. Ajo thotë se kanë luftuar, kanë mbajtur refugjatë, kanë shëruar njerëz të plagosur, i’a kanë pështjell plagët cdo mëngjës atyre dhe i kanë përcjellë deri në vend të vetë, kanë mbajt njerëz e i kanë hyp në autobus për Prizren, por pa marrë parasysh Hoti këtë nuk e konsideron diçka me të cilën ajo krenohet për ti dalë shtetit para për një rrogë 170 euro.

“Forca ime janë dy fëmijët e mi”, thotë ajo.

Përkrahja ndaj muzeut historik “Shtëpia tradicionale e familjes Qerkezi”

“Qytetarët e Gjakovës e kanë pritur shumë mirë shndërrimin e shtëpisë në një muze, por nga ana e burrit, nuk e kanë pritur mirë. Ndërsa, qytetarët e Kosovës e kanë pritur tejet mirë, qysh nga mosha e vogël e deri në atë madhore, përkrahja ishte e pranishme në secilin rast, duke më thënë të lumtë”, thotë Qerkezi.

Sipas saj, në vitin 2014, shtëpia është shpallur zyrtarisht muze nga Mimoza Kusari-Lila, me ndihmën e ish-Presidentit, Fatmir Sejdiu.

“Nuk më kanë përkrahur se nuk kanë dashur që shtëpia të bëhet një muze duke më dërguar edhe deri në Gjygj për të më vjedhur pasurinë”, shpalos ajo.

Tutje ajo tregon se Kosova për të nuk është ai vendi siç e ka ëndërruar ajo.

“Që 14 vjet, unë mendoj se Kosova nuk është formuar ashtu siç e kemi ëndërruar ne. Unë shpresoj se tash e mbrapa do të krijohet ajo për të cilën e kemi menduar për arsye se Kosova është Republikë, por më duket se është e përgjysmuar”, thotë Qerkezi.

Ndërsa, Fahrija Hoti thotë se familjarët e Qerkezit, duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me Ferdonijen dhe jo të paragjykojnë.

“Kosova është e zbehtë se i mungojnë edhe 1600 persona të pagjetur. Përderisa, familjarët që presin të paktën për një informacion, që janë të vrarë dhe i’u bëhet një varr që fëmijët e tyre ta vizitojnë, atëherë ndoshta Kosova do të ishte më e lirë. Duhet ta dimë vlerën e kësaj dite sepse është dhënë shumë gjak për këtë ditë e këtë vend. Sot ne kemi një nënë që ka lëshuar shtëpinë-muze, dhe tregon dhimbjen e luftës, familjarët e saj duhet t’ia kapin duart e të ecin përpara së bashku me të”, thotë Hoti.

Vështirësitë e Ferdonije Qerkezit dhe Fahrije Hotit

“Unë i kam edhe katër vëllezër të tjerë, por familja e ngushtë e imja më mungon më së shumti”, thotë Qerkezi.

Kurse, Fahrije Hoti përgjigjet se njëra ndër vështirësitë më të mëdha në jetën e saj ka qenë momenti kur ajo ka identifikuar personat e pagjetur.

“Më së vështiri ka qenë kur kam shkuar të identifikojë personat e pagjetur. Ajo ka qenë gjëja më e vështirë ku në morg i identifikova dy trupa, por xhaketa e burrit tim ka qenë e dyshimtë dhe nuk e kam pranuar që është ai. Unë isha e vetëm grua në familje që shkova në morg”, shpalos Hoti.

Suksesi i produkteve të biznesit të Fahrije Hotit

“Në vitin 2022, në 12 shtete të Evropës, ka arritur produkti im. Por ka edhe shumë kërkesa të tjera dhe pse tash kemi një objekt modern që është ndihmuar nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me kooperativa. Ne jemi prezent në 12 shtete të Evropës ku kërkohet produkti ynë dhe numri i punëtorëve për momentin është diku rreth 45 persona. Kam filluar vetëm në vitin 2005, tash jemi 45 punëtore të rregullta që punojmë. Ne kemi punuar ndonjëherë vetëm dy muaj, tash punojmë 12 muaj. Në kohë të sezone punojmë me 100 persona dhe i kemi diku mbi 70 fermerë me kontrata të mirëfillta që na furnizojnë me lëndë të parë. Por, asnjëherë nuk jemi dorëzuar për tregun vendor”, tregon Hoti.

Sipas saj, është një fat i madh që një fshat me 7000 mijë banorë nuk ka mungesë të asnjë pike infrastrukture për arsye se Krusha është një zonë industriale, zonë bujqësore, kultivohen të gjitha kulturat, përpunohen dhe në fund vërshojnë tregun e Evropës.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se përgjatë prezantimit të filmit nëpër Evropë, unë kam pasë fatin që ti takoj edhe prodhimet e mia nëpër dyqanet atje. Sidomos në SHBA, ku para se të shkoja unë atje, ishte prodhimi i ajvarit tim që arriti para meje”, përfundon Hoti.

E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të këtyre dy grave, që ishte jashtëzakonisht sfiduese por në të njëjtën kohë edhe inspiruese, para të pranishmëve u interpretua edhe poezia “Cigarja” e Mehmet Krajës nga një person në publik, i cili i’a dedikoi këtë poezi, këtyre dy nënave aq të fuqishme.

Gjithë kjo dhimbje e tyre u shoqërua me një sukses që tash e gjithë bota ka mundësi ta shoh, ta dëgjojë e të bëhet pjesë e historisë së Kosovës, teksa ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta që kapluan atmosferën për të përmbyllur kështu këtë mbrëmje me një admirim dominues ndaj këtyre dy grave, ndjenjë kjo që u shpreh nëpërmjet fotografive, bashkëbisedimeve dhe muzikës shqiptare që po plasohej në të gjitha muret e hapësirës.

*Ky event është mbështetur nga Uji Rugove. / KultPlus.com

Naser Berisha rikthehet fuqishëm pas 16 vitesh, promovon albumin “Epikë” në KultPlus Caffe Gallery

Era Berisha

Ambienti në KultPlus Caffe Gallery edhe mbrëmë si çdo herë u shndërrua në shtëpinë e dytë të artdashësve dhe jo vetëm. Ishin meloditë muzikore ato të cilat thumbonin atmosferën nga çasti në çast, melodi këto të cilat vinin nga përgatitjet për promovimin e albumit “Epikë” nga këngëtari i njohur, Naser Berisha, e që të njëjtat përplaseshin në katër anët e hapësirës duke paralajmëruar për një mbrëmje krejtësisht të veçantë e mjaft të ngrohtë mes të pranishmëve, shkruan KultPlus.

Fillimisht, pak para se ora të shënonte 19:00, një numër i madh i të pranishmëve veçse kishte kapluar hapësirën në një masë të madhe dhe ende pa filluar mbrëmja zyrtarisht, fotografitë, bisedat dhe buzëqeshjet e sinqerta tashmë kishin filluar të krijoheshin. Në ndërkohë, artistët që kishin edhe kohë pa u parë mes vete, shfrytëzuan hapësirën në KultPlus Caffe Gallery për të qenë të rrethuar rreth pikturave abstrakte të artistit Sadri Morina e për të bashkëbiseduar tutje.

Dashuria e mirësia, ishin këto dy ndjenja që fuqishëm po rrezatonin gjatë gjithë mbrëmjes. Por, entuziazmi kishte arritur deri në kupë të qiellit për të dëgjuar sa më shpejt këngën brilante ‘Epikë’ të Naser Berishës, kënga e katërt e albumit “Epikë”.

Pas kësaj pritjeje të lezetshme, drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti, doli për një fjalë rasti e ku fillimisht falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre.

“Faleminderit Naser për këtë bashkëpunim të radhës dhe faleminderit të gjithë të pranishmëve që keni gjetur kohë për të ardhur e dëgjuar rrëfimin e Naserit rreth albumit të tij të fundit. Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e që ka filluar nga muaji janar, fillimisht me hapjen e ekspozitës së artistit Sadri Morina, e tani që po vazhdojmë me promovimin e albumit të Naserit”, thotë Pajaziti.

Në ndërkohë, fjalën e mori edhe këngëtari Naser Berisha, i cili së bashku me moderimin e Vlora Merovcit, ata zhvilluan një bashkëbisedim rreth albumit “Epikë”, album ky që vjen pas 16 vitesh pas publikimit të albumit të tretë.

“Kjo është kënga e tetë, pra kënga e fundit e albumit që po promovohet sonte me ç’rast po përmbyllet një cikël që ka filluar në muajin shkurt të vitit të kaluar. E kisha filluar pikërisht me këngën ‘Himni i Nënës’, që është një dedikim për nënën time, e cila që 31 vite më nuk është në mesin tonë. Pastaj vazhdova gjatë gjithë vitit duke i publikuar pothuajse çdo muaj nga një këngë dhe pikërisht një vit më pas edhe u publikua kënga e fundit duke u bërë kështu sonte edhe promovimi i albumit në tërësi”, thotë Berisha.

Sipas tij, kënga ‘Epikë’ është një këngë e veçantë për të për arsye se teksti i këngës është shkruar nga Rexhep Selimi, i cili për momentin gjendet padrejtësisht në burgun e Hagës, së bashku me bashkëluftëtarët e tij dhe në njërën anë ai e ka respektuar Berishën duke ia dhënë tekstin në mënyrë që t’i krijohet muzika, ndërsa në anën tjetër konsiderohet se ka qenë një siklet i madh për Berishën se a do të plotësonte pritshmërinë e tij që e ka pasur.

“Jam munduar që këngën ta bëjë diçka të veçantë dhe jashtë konturave të cilat janë mësuar njerëzit t’i dëgjojnë në këngët e mija. Për atë arsye edhe kam përdorur Korin, harkore e shumë instrumente në këtë këngë”, shpalos Berisha.

Përgjatë kësaj mbrëmje të pranishmit patën rastin të dëgjojnë këngë që Naser Berisha ka punuar që nga janari i vitit të kaluar, dhe ku përgjatë kësaj periudhe ka realizuar gjithsej tetë këngë.

Në albumin “Epikë”, katër këngë janë në autorësi të Naser Berishës, katër tekste, katër orkestrime, si dhe bashkautorë në dy këngë, në muzikë dhe tekst. Si producent muzikor dhe audio inxhinier në Mix dhe Master të këtij albumi, Naser Berisha përpos tetë këngëve të reja, ka përfshirë edhe si ‘bonus track’ dy hitet e pa vdekshme “Do te doja“ dhe “A me kujton“, këngë këto të riregjistruara përgjatë vitit 2021, në versionin akustik.

Këngët e këtij albumi pra sjellin si tematikë dashurinë, sikurse që ka të përfshirë edhe këngën ‘Himni i Nënës’, dedikim për nënën e tij, me rastin e 31 vjetorit të vdekjes së saj, pastaj kënga ‘Kohë’ për jetën e pa brenga të fëmijërisë së tij, atëherë kur telefonat nuk kishin ekzistuar dhe ishin lojërat e ndryshme ato të cilat zunë vend në kujtimet e tij.

Albumi “Epikë” ka marrë titullin nga kënga e katërt e këtij albumi, ku muzikën e ka realizuar Naser Berisha, orkestrimin Florent Boshnjaku, Valon Gashi në kitarë, kurse kjo këngë është realizuar me tekst të Rexhep Selimit, njërit prej themeluesve të UÇK-së, i cili këtë tekst e ka shkruar gjatë kohës së luftës.

E kjo punë një vjeçare e tij rreth albumit “Epikë” që mbrëmë po promovohej, solli aq shumë emocione të bukura, sa që nuk kishte mundësi tjetër përpos që të lëshohej edhe kënga ‘Epikë’, për të përmbyllur kështu suksesshëm ciklin e tij të këngëve të këtij albumi të jashtëzakonshëm që vjen për publikun pas plot 16 vjetëve që nga publikimit i albumit të tij të tretë.

Me sy e veshë të koncentruar drejt ekranit të vendosur para të pranishmëve, doli edhe kënga ‘Epikë’, këngë kjo që qysh në sekondat e parë, hyri në mendjen, trupin dhe shpirtin e njeriut. Me një videoklip tejet të realizuar bukur dhe stilin e tij të njohur, erdhi gërshetimi i melodive dhe tingujve që buçonin në tërë hapësirën e KultPlus Caffe Gallery, e që pothuajse donte të dilte edhe jashtë derës për të kapur yjet në qiell, njëlloj sikurse ylli i ulur poshtë mbrëmë; kënga ‘Epikë’.

Pas duartrokitjeve dhe brohoritjeve që duket se nuk kishin të ndalur në kuadër të publikimit të këngës dhe sikurse koha të mos kishte kaluar fare, këngëtari Naser Berisha doli në skenë me një siguri e besim në vetvete për të kënduar dy hitet e tij “Do të doja” dhe “A më kujton”, në versionin akustik.

Si në një rikthim në kohë, Naser Berisha i solli para publikut këto këngë që po buronin fuqishëm nga zemra e tij, një zemër kjo që në vete ngërthen dashurinë pakushte për muzikën. E kjo më së miri u dëshmua edhe mbrëmë me talentin e tij që fuqishëm nxori në përfundim se ai talent e pasion për këngën, nuk është tjetërsuar aspak.  

Pena e tij për të shkruar tekste të mrekullueshme, mbetet edhe sot po aq e njëjtë, teksa mbrëmë ajo penë po shkrihej tërësisht në melodi nën ajrin e mbushur me ngrohtësi shpirtërore dhe dashamirësi të mirëfilltë.

Tutje, Naseri me një buzëqeshje që nuk po i hiqej as edhe për një moment, me karizmën dhe harenë e tij të poseduar, përgjatë mbrëmjes vazhdoi të nënshkruajë autografe të shumta në albumet që ai i dhuroi për të gjithë të pranishmit. E ndërkohë ishin shkrepjet e fotografive që në një vallëzim me muzikën, zunë dalëngadalë vendin e tyre për të krijuar një atmosferë të rehatshme për biseda e nga një gotë verë mes miqve që vazhduan deri në orët e vona të natës.

Kujtojmë se koncerti i parë live i paraparë për albumin “Epikë” vjen më 19 shkurt në Rockuzinë, natyrisht me instrumente elektrike. Ndërsa, tanimë të gjithë fansat e tij mund ta sigurojnë albumin nëpërmjet platformave të ndryshme.

Kjo mbrëmje është mbështetur nga KultPlus Caffe Gallery ku që nga muaji janar është duke mbajtur mbrëmje të ndryshme promovuese, mbrëmje këto që po realizohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Eventi është sponsorizuar nga Uji Rugova. / KultPlus.com

Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot debaton për komunikimin ndërkulturor  

Sonte, e enjte, 3 shkurt 2022, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e veta kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.  

Temë shqyrtimi është komunikimi ndërkulturor, derisa për këtë temë do të flasin Ibrahim Berisha dhe Avni Spahiu.  

Debatin do ta udhëheqë Artan Krasniqi. 

Ftoheni të merrni pjesë.  

Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Vena vaditëse’, artisti Morina: Veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris

Flonja Haxhaj

Hapësirat e KultPlus Caffe Gallery morën ngjyrë tjetër mbrëmë me hapjen e ekspozitës ‘Vena vaditëse’ të artistit Sadri Morina, përcjell KultPlus.

 Veprat në të cilat ngjyrat janë kombinuar me përpikmëri, kishin një detaj që i bashkonte, e ai është elementi i galaktikës, të ciliin Morina e ka përvetësur në stilin e tij.

E vlerën që ka pas vetes arti që e krijon artisti Morina u dëshmua edhe nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve që prisnin me padurim që ekspozita të fillonte dhe të shkrepnin fotografi me pikturat që ishin rënditur me kujdes nëpër mure nga artisti.

E hapjen e kësaj ekspozite e bëri drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në ekspozitën e parë për këtë vit në këtë ambient.

“Kjo ekspozitë është realizuar në kuadër të projekteve që janë të mbështetura prej Ministrisë së Kulturës, projekt në kuadër të KultPlus Caffe Gallery. Kemi vendosur me e realizu një llojllojshmëri të përzgjedhjeve dhe kemi filluar me Sadriun e do të vazhdojmë me projekte të tjera në mbështetje të artistëve të rinj” – u shpreh Pajaziti.

Në hapjen e kësaj ekspozite foli edhe drejtoresha e Akademisë Evolucion ku Morina kishte filluar studimet para 13 viteve.

“Sadriun e njoha para 13 vitesh kur ai ka filluar si student për pikturë, dhe ai është dalluar qysh në fillim sikurse të gjithë piktorët me stilin e vetë, por unë e kam ndjekur atë edhe në vitet në vazhdim  dhe më pëlqen një gjë tek ai, që është shumë kërkues. E ka pasur një pjesë të jetës që ka punuar kitarat, violinat dhe brenda gjeje jo vetëm ngjyra por edhe muzikën që dilte nga ato piktura sikurse edhe ngjyrat që i kemi sot në këtë ekspozitë që shpërthejnë sikurse galaksitë.” – thotë Shatri në hapjen e kësaj ekspozite.

Në mesin e pjesëmarrësve që kishin ardhur për ta parë artin e Sadri Morinës ishte edhe kritiku i artit, Ilir Muharremi.

“Një ekspozitë shumë e veçantë, veçanërisht pse autori shpreh atë botën e tij të brendshme, atë ta quaj ‘rrëmujë mendimesh’ ku ka një lëvizje të rregullt të formave, ka ritëm, kompozicionet janë të rregullta, pra është një temë ndërmjet galaktikës, ndërmjet planeteve, një ylber ngjyrash ku dominojnë ngjyrat e ngrohta, poashtu edhe ngjyrat e ftohta. Ky art mund të veçohet më shumë i art surrealist sa i përket trajtimit të formave dhe trajtimit të idesë. Mesazhet, secili artist i ka ato mesazet e veta herë enigmatike e herë konkrete, por sido që të jetë e veçanta e këtij arti është provokimi, kur ti rrëmbehehs dhe futesh, lundron brenda këtij oqeani ose këtyre ngjyrave.” – thotë Muharremi për KultPlus.

I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe piktori i njohur, Agron Mulliqi i cili e vlerësoi lart artin që ka shpalosur artisti në këtë përmbledhje pikturash.

“Sadri Morina është një djalë shumë punëtor edhe nuk është tërhjekur asnjëherë nga arti, madhështia e artit është vazhdimësia prandaj më vjen mirë që e ka hapur këtë ekspozitë. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti është tema që e ka marrë, ajo e galaktikës dhe të cilën ai e ka adaptuar në teknikën e vetë” – thotë piktori Mulliqi duke i uruar më tutje suksese artistit Morina.

Ndërkaq për KultPlus foli edhe vetë piktori Morina i cili e shpjegon konceptin e kësaj ekspozite ku ka paraqitur pikturat në të cilat ai ka punuar që nga viti 2017.

“Njeriu jeton mes dy universeve, atij që funksionon brenda nesh dhe atij që funksionon jashtë nesh. Duke u munduar ta kuptoj veten time, kam arritur të krijoj imazhe të universit jashtë nesh me kontraste të forta, me thellësi ashtu si vetë jeta ime. Jam munduar ta krijoj një formë të re të artit duke e gershetuar abstrakten me realizmin dhe surrealizmin duke sjellë një abstrakt tre-dimensional.” – thotë Morina i cili tregon se veprat e para nga ky koleksion janë shitur në Paris duke e shtyrë atë që të japë më shumë në një energji të tillë. Kurse veprat e tjera artisti thotë se janë zgjedhur me kujdes për këtë ekspozitë.

Ndërkaq, ekspozita ‘Vena vaditëse’ do të jetë e hapur deri më 29 janar. Pikturat janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund ta kontaktojnë artistin për blerjen e tyre./ KultPlus.com

Sadri Morina me ekspozitë personale në KultPlus Caffe Gallery

“Vena vaditëse” është titulluar ekspozita e Sadri Morinës, e cila do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery.Ky titull vjen si shpërfaqje e inspirimit të artistit në këtë cikël të punimeve artistike, që në këtë ekspozitë do të prezantohet me 11 sosh.

“Arti im bazohet në besimin e një energjie universale që përshkon çdo gjë: nga insekti te njeriu, nga njeriu në spektër, nga spektri në bimë nga bima në galaktikë. Veprat e mia janë venat vaditëse të këtij lëngu universal. Përmes tyre ngjiten lëngjet stërgjyshore, besimet origjinale, akumulimet fillestare, mendimet e pavetëdijshme që gjallërojnë botën, është përshkrimi i autorit mbi këtë ekspozitë.


Ju ftojmë që të jeni pjesë e kësaj ngjarje kulturore që mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ku nëpërmjet ngjyrave dominuese në artin e Morinës, mund të zbutni ngricat e muajit janar. Ekspozita do të hapet më 15 janar, në ora 18:00 dhe do të rri e hapur deri më 29 janar. Kurse veprat e kësaj ekspozite janë edhe në shitje./ KultPlus.com


Çmimi i parë i konkursit poetik ‘KultStrofa’ i ndahet Gentiana Bajrami Atashit

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.

Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe morri përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus e që konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të katërt u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra, shkruan KultPlus.

Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani.

“Unë me shumë kënaqësi e pranova ftesën që të jam edhe pjesë e jurisë bashkë me profesorin Sali Bashota dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, të cilët i kanë vlerësuar këto poezi”, thotë Selmani.

Sipas tij, ky edicion i ka mbledh gjithsej 93 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.

“Në edicionin e parë e kemi pasur fitues Ragip Sylën, në të dytin e kemi pasur Arjola Zadrimën dhe në të tretin, fitues ishte Merita Bërdica”, thotë ai.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit jurisë për përkushtimin që gjatë këtyre ditëve e kanë dhënë për këto poezi, teksa unë i ndiqja vlerësimet e juaja. Faleminderit krejt poetëve që kanë aplikuar në edicionin e katërt nga të gjitha anët e botës. Edicioni sivjet që po e shënon të katërtin na ka munguar vjet për shkak të pandemisë e që ka ndikuar edhe tek ne. Por, në fakt energjinë e kemi mbledhur sivjet edhe pse përsëri në kushte pandemike. Jam shumë e lumtur që edhe në dhjetëshen e sivjetshme finaliste, kemi emra shumë të mirë por mbi të gjitha poezi të cilat lexuesit e KultPlus-it ende nuk kanë pasur rastin me i pa e që do ti shohin në ditët në vazhdim”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, së bashku me ekipin e KultPlus-it, ajo është duke u munduar që të dhurojë maksimunin që gazeta të shndërrohet në opozitën e të gjitha atyre antivlerave që po ndodhin në Kosovë edhe pse kjo nuk konsiderohet fare e lehtë.

“Ky është vetëm edicioni i katërt e së bashku kemi shumë rrugë për të bërë”, përfundon Pajaziti.

Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Sali Bashota, e konsideroi punën e KultPlus një punë me plot përkushtim e angazhim të plotë.

“Ne kemi qenë të nderuar që jemi marrë me vlerësimin e punimeve tuaja që keni konkuruar në edicionin e katërt të “KultStrof-ës”, tek një gazetë i cili me punën e përkushtimin e kryeredaktores Ardianë Pajaziti dhe ekipit të saj, është shembull i angazhimit, përkushtimit e vlerësimit të krijuesve por edhe të institucioneve kulturore sepse kjo hapësirë pothuajse që dy vjet e më shumë është ndoshta vendi ku edhe frymëzohen poetët për shkak se shohin një punë të vyer të Ardianës e një punë të vyer e të mrekullueshme të ekipit të saj”, thotë Bashota.

Sipas tij, të vlerësosh poezinë është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë për atë që mendohet të dhurohet një vlerësim sa më objektiv me argumente e fakte që në një mënyrë, kjo konkurrencë e madhe të vlerësohet sa më mirë.

“Poezia është së pari përjetim, pra emocion edhe te vlerësuesi e jo vetëm tek ai që shkruan. Madje, Borgesi ka thënë se i vetmi zhanër që nuk shpjegohet është poezia. Ajo vetëm përjetohet. Andaj, temat, idetë, stilet, motivet, preokupimet, figuracioni dhe elementet tjera përbërëse të poetikës së poezisë janë shqyrtuar nëpërmjet aktit të komunikimit midis jurisë”, përfundon Bashota.

Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, profesoresha Nerimane Kamberi, tregoi se përzgjedhja nuk ishte e bazuar në asnjë lloj elementi tjetër, përveç të bukurës e emocionit.

“Sigurisht që nuk ka më bukur se këto kohë festash që të festojmë me poezi. U tha nga fillimi që jemi profesorë, por me një modesti të vogël, do të thosha se ne jemi edhe poetë. Të vlerësosh është shumë e vështirë sepse në një anë e xhelozon pse nuk dita unë të shkruaj ashtu kurse në anën tjetër ke frikë se e lëndon por fundja ne këtu nuk kemi shiku as nga vjen, as nga gjinia, as nga përkatësia fetare, as nga orientimet seksuale. Këtu vetëm e kemi shiku të bukurën. Fjalën e bukur dhe atë që na ka zgjuar emocione”, thotë Kamberi.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i katërt i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi forcën hyjnore të poezisë që fjalë pas fjale, varg pas vargu, bënë bashkë ndjenjat nga më të ndryshmet dhe ato i shndërron në një ylber emocionesh që vrullshëm derdhet në shpirtrat e të pranishmëve e fuqishëm mbizotëron në brendësinë e trupave tanë, për të kapluar kështu çdo qelizë, muskul, venë e arterie tonën.

Para të pranishmëve, poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Sali Bashota (kryetar i jurisë), profesoreshës Nerimane Kamberit dhe shkrimtarit Arbër Selmani: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaça, Redon Elshani, Shazim Mehmeti dhe Valentina Broja, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në dialektin gegë e toskë e po ashtu duke sjell fjalë të vjetra e të ruajtura shqiptare.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Zbresim shkallëve” nga Afrim Demiri, “Kur njeriu vdes” nga Redon Elshani, “Lama e Pejës” nga Gentiana Bajrami Atashi, “Marrja e shpisë” nga Agon Rexhepi dhe “Mikes” nga Bekim Shala.

Në mungesën fizike të pesë autorëve të tjerë finalistë, redaktorja e KultPlus, Jeta Zymberi lexoi poezinë “Grahme” të Valentina Brojës, gazetarja Era Berisha lexoi poezinë pa titull të Liridon Mulajt, gazetari Uranik Emini lexoi poezinë “Ne” të Flamur Dardeshit si dhe studentja e letërsisë, Edlira Musliu lexoi poezitë: “Faleminderit” të Shazim Mehmetit dhe “Liria” të Nikas Kaçes.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Afrim Demiri, Bekim Shala, Redon Elshani, Valentina Broja, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca dhe Shazim Mehmeti.

Agon Rexhepi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Marrja e shpisë”, ndërsa Flamur Dardeshi u radhit i dyti me poezinë “Ne”.

Autorja Gentiana Bajrami Atashi, fitoi vendin e parë në edicionin e katërt të këtij konkursi me poezinë “Lama e Pejës”.

“Së pari dua ta ndaj një sekret të vogël me ju. Pas një dekade që merrem me poezi, është hera e parë që e hapa sirtatin e letrave dhe vendosa që të marr guximin që ta dërgoj në email-in e juaj duke mos i treguar askujt. Sonte jam vërtetë e emocionuar sepse poezia ime u vlerësua e u zgjodh e para. E pikërisht këtë çmim ia dedikoi motivit të poezisë sime, babait tim, që falë tij jam kjo që jam dhe jam ktu ku jam sot”, tha Atashi pasi pranoi çmimin.

Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës.

“Asgjë nuk mund të bëjmë vetë. Gjithçka që e bëjmë e çdo organizim që zhvillohet, e kemi dikë në krah e në fakt asnjërin nga ekipin tonë nuk mund ta ndajë sepse të gjithë janë një shtyllë e fortë e imja. Por, këtë vit, këtë çmim vendosa t’ia ndaj një personi që e kam krah të djathtë, Liridona Spahiut”, thotë Pajaziti.

Kurse, përgjegjësja e marrëdhënieve me publikun, Liridona Spahiu, është shprehur tejet e lumtur që është pjesë e një ekipi të tillë.

“Jam shumë e nderuar që punoj në një redaksi siç është KultPlus, e jam shumë me fat që jam afër juve ku momentet më të mira të jetës i kemi ndarë së bashku. Unë jam shumë e befasuar sonte, e në të njejtën kohë edhe shumë falënderuese”, tha Spahiu.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast e meloditë muzikore që vinin nga këngëtari Endrit Rexhepi si dhe vogëlushja Anna Krasniqi, të cilët ëmbëlsisht sollën melodi shqipe dhe jo vetëm. Një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi, shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com

Artistja Mihrije Sadiku do të prezantojë sot 13 piktura në KultPlus Caffe Gallery

13 piktura të punuara me teknikën akril në pëlhurë do të ekspozohen në KultPlus Caffe Gallery më 17 dhjetor me fillim nga ora 18:00.

Artistja Mihrije Sadiku preferon që pikturat e saj të flasin për vetën pasi beson se “piktura vlen 1000 fjalë”, e pikërisht me ekspozitën personale do të prezantojë 13 piktura të punuara gjatë dy viteve të fundit.

“Dëshiroj që pikturat e mia të ju dhurojnë kënaqësinë që unë ndava me to, sa herë që shiqoni, qoftë në shtëpitë apo lokalet afariste tuaja apo edhe në ekspozita si kjo”, ka thënë artistja.

Përpos 13 pikturave që i ka realizuar, Sadiku gjithashtu ka punuar edhe në disa ekspozita kolektive dhe personale të realizuara në Kosovë e Evropë që nga vitet 2000.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë. /KultPlus.com

Nga ideja e deri tek propozimi për Oscars, Blerta Basholli e Valon Bajgora rrëfejnë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’

Flonja Haxhaj

Festa e 28 Nëntorit frymoi ndryshe në KultPlus Caffe Gallery me prezencën e regjisores Blerta Basholli dhe producentit Valon Bajgora, të cilët për dy orë rrëfyen gjithë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’, që nga ideja e deri tek prezantimi nëpër festivale ku po vazhdon të shënojë suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërsë, Basholli dhe Bajgora nuk hezituan të rrëfejnë për çdo sfidë, emocion, vështirësi dhe sukses, nëpër të cilat, ata dhe ky film kanë kaluar që nga fillimi.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj.

E që e gjithë historia e Fahrijes të bëhet film, i kishte mjaftuar regjisores Basholli ta shohë e të dëgjojë rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet para të pranishmëve se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.

“Kur e kam pa tregimin në televizor që një grua e cila e ka burrin në mesin e personave të pagjetur në Kosovë, e ka marrë patent shoferin, ka fillu me punu edhe është paragjyku për këtë punë, fillimisht jam bërë nervoz për faktin që ajo po paragjykohet për atë punë, sepse në mendjen tem krejt katundi ish deshtë me u çu e me i ndihmu”- rrëfen Basholli duke potencuar se në kohën kur kishte dëgjuar për historinë  e Fahrijes, ajo ishte duke punuar në një film në Amerikë bashkë me aktoren Yllka Gashi dhe producentin Armond Morina, e ku ky i fundit i kishte premtuar se kur të kthehen në Kosovë do ta takojë me Fahrijen.

Para publikut që ishin gjithë sy e veshë tek ajo, Basholli nuk la pa e përmendur se që në momentin kur e ka parë për herë të parë Fahrijen, ka parë në të një grua dhe një person shumë të veçantë, të fortë, shumë inspiruese e inkurajuese.

”Shkova ta pyesja nëse ma jep të drejtën që historinë e saj ta bëj film, nëse jo, ta inkurajoja me vazhdu punën çka kishte bërë deri atëherë, sepse është diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, një person si Fahrija nuk pati nevojë për kurajo aspak, e në fakt përfundova unë e inkurajuara prej atij takimi, sepse ishte shumë më e fortë kur e takova. Menjëherë u ndje e lirë të na e japë të drejtën për rrëfimin e jetës së saj.” – shprehet më tutje Basholli duke thënë se në atë moment e ka kuptuar se ky film nuk është veç një detyrë për të, por  që ta portretizojë një grua kaq të fuqishme në një ekran të madh.

Valbon Tishukaj photography

E pyetur nëse e kishte pritur që ‘Zgjoi’ do të kishte një sukses të tillë, ndonëse i ka mbajtur shpresa, regjisorja Basholli thotë se nuk e kanë pritur, pavarësisht se kanë punuar shumë që ky film të kishte një rrugëtim dhe një jetë të gjatë.

Kurse Valon Bajgora i cili së bashku me Yll Ukën janë producentë të filmit ‘Zgjoi’, thotë se që kur e ka lexuar skenarin, i është dukur interesant për ta vazhduar.

“E para, është ngjarje e vërtetë, e dyta, është karakteri shumë i veçantë i Fahrijes dhe e treta është ajo ndjesia që ta jep filmi, i cili fillimisht kalon në shumë paragjykime, batica, zbatica por në fund të jep një shpresë shumë të madhe, e kjo është ajo që më ka bërë mua si producent të them ‘po’”- deklaron Bajgora, shkruan KultPlus.

Valbon Tishukaj photography

Meqë filmi flet për një person që është gjallë, Basholli thotë se frika e saj më e madhe gjatë gjithë procesit të realizimit ka qenë ajo se a do t’i pëlqejë filmi Fahrijes, a do të ketë pjesë ku ajo do të kërkojë që të largohen.  E momentin e vështirë për të, kur ia tregoi për herë të parë filmin Fahrijes, regjisorja e ndau me pjesëmarrësit në KultPlus Caffe Gallery.

“Fahrija e ka pa filmin, s’ka lëvizë për 83 minuta. Sa e ka pa filmin s’ma jepke as një shprehje të vogël me ditë bile a po i pëlqen a jo, edhe në fund më tha ‘filmi i mirë, Yllka e paska portretizu shumë mirë rolin, shumë skena po duken qashtu qysh ka ndodhë, veç ni vërejtje e kam, pse s’më latë me ia hi personit që ka deshtë me më dhunu’”- thotë regjisorja Basholli duke i cituar fjalët e para të Fahrijes pasi e pa filmin.

Basholli dhe Bajgora, më pas flasin edhe për paraqitjen e ‘filmit Zgjoi’ në festivalin më të madh të filmit në SHBA ‘Sundance’, atje ku pati premierën dhe fitoi tre çmimet kryesore duke u bërë kështu filmi i parë në historinë e këtij festivali që i ka fituar të trija çmimet kryesore.

Regjisorja dhe producenti tregojnë se suksesi në festivalin ‘Sundance’ ishte një nismë e mirë që më pas ky film të shfaqet edhe në festivale të tjera të rëndësishme.

“Pas Sundance, ne e kemi kuptu që filmi ka shumë potencial edhe duhet me qenë filmi i cili do ta prezantojë Kosovën në Oscars”- thotë Bajgora.

Përveç se filmi u mirëprit shumë si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, iu drejtua regjisores me pyetjen se a ka marrë ndonjë Feedback nga Krusha pasi është bërë filmi.

Valbon Tishukaj photography

“Nëse nuk ma kishin bërë pyetjen gazetarët ndërkombëtarë se qysh kanë reagu burrat e Krushës, nuk më kish shku mendja, sepse në momentin kur Fahrija e ka mbështet filmin, e kam harru edhe pjsesën e reagimeve. Gratë e Krushës e kanë pritë shumë mirë, ju ka pëlqy shumë edhe qajo ke një çlirim shumë i madh. Fahrija ka marrë mesazhe prej një personi burrë i cili i ka thanë ‘na e ke marrë fytyrën krejt fisit, marre të koftë’. Edhe një djalë i Krushës në Zvicër i cili më është drejtu mu. Por, që të dyja e kanë lëndu shumë Zonjën Fahrije’ – u përgjigj Basholli, duke shtuar se nuk mendon që në film të gjithë burrat e Krushës duken keq, ka burra që e mbështesin Fahrijen në film, e ata që nuk e mbështesin nuk iu shihet shumë fytyra.

Kurse Medaur Sadrija, një regjisor i ri e që kishte ardhur nga Austria vetëm për ta dëgjuar këtë rrëfim, iu drejtua ekipit me pyetjen se cili ishte feedback-u që e kanë marrë nga njerëzit jashtë Kosovës, në veçanti për pjesën e historisë, e sidomos për histori të tilla si rasti i Fahrijes, për të cilën Sadrija thotë se si një i rritur në Austri, nuk kishte dëgjuar më herët.

“Ne kemi marrë reagime shumë të mira. Mirëpo në këtë film nuk jam mundu me shpjegu gjithçka si në filmat e kaluar e të cilët më pas kanë dalë shumë përshkrues, por jam fokusu në karakterin kryesor, me tregim e me kamerë, në mënyrë që publiku me u lidh në nivel më human e njerëzor, si njeriu me njeriun, e pyetjet që i kanë, i gjejnë përgjigjet në google” – u shpreh regjisorja.

E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i  të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të filmit më të sukseshëm të kinematografisë kosovare, ekipi i filmit ‘Zgjoi’ mori një dhuratë të veçantë nga piktorja, Qëndresa Krasniqi, e cila ka pikturuar posterin e filmit në ngjyra akril. Dhuratë kjo që i emocionoi dy pjesëtarët e ekipit të këtij filmi, si një shpërblim për punën që ata e kanë bërë.

Përveç suksesit që po e shijon me filmin ‘Zgjoi’, Blerta Basholli njoftoi se tani ka filluar të punojë një projekt të ri, e i cili do të flasë më shumë për jetën e saj personale.

‘Është një ngjarje e bazuar në jetën time, jetën time personale gjatë fundit të viteve 90-ta në Prishtinë. Është një ngjarje e rritjes si tinejxhere, e gjetjes së identitetit, me një prapavijë goxha politike. Ka shumë muzikë, ka shumë party, ka shumë pakënaqëi, protesta. Në draft e kam edhe fillimin e luftës dhe ikja jem bashkë me mamin, vëllain dhe djalin e axhës’ – tha Basholli duke mos dhënë më shumë detaje të reja rreth këtij projekti të radhës.

E producenti Bajgora thotë se pas suksesit të filmit ‘Zgjoi’ do të jetë shumë e lehtë edhe për mbylljen e financave të filmit dhe gjetjes së partnerëve për projektin e radhës.

Ndërkaq, ‘Zgjoi’ tashmë është në pritje të publikimit të listës së ngushtë të ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në këtë festival./KultPlus.com

‘NAKED EYE’, një ekspozitë ku piktura takon syrin e zhveshur artistik

Prej disa ditësh në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në lagjen piktoreske Ulpiana në Prishtinë, mes gjelbërimit dhe ndërtesave karakteristike, piezazhit të pjerrët dhe godinave hijerënda e pakëz futuriste të gjysmës së dytë të shekullit XX, është hapur sakaq një ekpozitë tepër e veçantë, me emërtimin kuptimplotë “Naked Eye”.

Bëhet fjalë për ekspozitën vetjake të piktores Qëndresa Krasniqi, e cila është takuar me publikun artdashës me një sërë pikturash ku shpaloset, pikërisht e zhveshur për syrin artistik, pothuajse gjithë bota e saj të brendshme dhe frymëzimet e saj burimore, që kanë gjetur ravijëzimin e duhur përmes tablove të krijuara prej saj, ku vizitorët dhe ithtarët e pikturës së mirëfilltë, mund të hasin krejt larminë e universit ku autorja ka përthithur nektarin që më tutje është shndërruar në secilën prej pikturave të saj.

Në muret e mjediseve të brendshme të KultPlus Caffe Gallery, një vend (dhe gjithashtu portal letrar e artistik) që tashmë nënkupton vetvetiu cilësinë në art dhe letërsi në çdo kuptim, varen një sërë pikturash të ngjizura në telajo me ngjyrat e vajit, që nga piktorja Qëndresa Krasniqi janë përdorur pa kursim, herë me penel, herë mbase edhe drejtpërdrejt me duar të zhveshura, duke ndërthurur një ylber tematikash jetësore që shpërfaqen me ngjyrime të gjalla, nëpërmjet metaforave pamore, duke pasqyruar përherë besnikërisht edhe gjendjet shpirtërore të autores.

Tablotë që syri ynë i zhveshur kundron në këtë ekspozitë, na ofrojnë një diapazon gjithëpërfshirës të botës së filtruar artistikisht përmes syrit thelbësisht femëror të autores së tyre, e cila ia del mbanë përkryer që t’i shndërrojë mbresat e saj vegimore, në diçka tejet të pashlyeshme, siç janë pikturat ku galaksitë, qiejt, nuancat ujore, siluetat trupore, kornizat që duhen kapërcyer, njëlloj siç nevojitet të thyhen edhe barrierat mendjengushta mendësore (në art dhe jetë), shfaqen të gjitha si fryte të çmuara të frymëzimit të saj të pashtershëm.

Ndoshta nuk është rastësi që “Naked Eye” është përzgjedhur nga autorja si emërtim për ekspozitën e saj, ngaqë kjo fjalë është njëfarë sinonimi i padyshimtë i kësaj ekspozite, sepse edhe vetë arti i këtillë është, i zhveshur nga tepricat e padobishme, i zhveshur nga paragjykimet, i zhveshur nga kotësitë.

Pa qenë nevoja ta cilësojmë si impresionizëm, realizëm, onirizëm ëndërrimtar artistik, sidoqoftë piktura e krijuar nga Qëndresa Krasniqi, meriton pikësëpari përgëzimet tona më të çiltra si artdashës për mënyrën unike si është ngjizur dhe përvijuar në secilin krijim të sajin në tablo, ngase tashmë arti pamor në Kosovë, fiton një artiste të mirëfilltë.

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Qëndresa Krasniqi hap ekspozitën e saj të parë në KultPlus Caffe Gallery: Po ndjehem e kompletuar

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, artistja Qëndresa Krasniqi hapi ekspozitën e saj të parë, që përfshinte gjithsej 11 piktura. ”Naked-eye” erdhi para publikut artdashës për të shpalosur pasionin dhe botën artistike të Krasniqit, shkruan KultPlus.

Ishte gazetarja Rina Statovci ajo e cila moderoi hapjen e mbrëmshme të ekspozitës, e cila theksoi para të pranishmëve se është një ndjenjë shumë e mirë për të që të shihte kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re.

”Një ndjenjë shumë e mirë me pa kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re, e cila veçse ka filluar t’i marrë hapat e parë në krijimin e artit”, pohoi tutje Statovci.

”Naked-eye” paraqet konceptimin e gjërave që na rrethojnë, me galaktikën si inspirimin kryesor të artistes, pikturat shpalosin atë të panjohurën të cilën secili individ tenton ta gjejë apo e kërkon gjatë rrugëtimit të vet jetësor. Përgatitjet për këtë ekspozitë kanë zgjatur katër muaj dhe siç tregon artistja për KultPlus, përpos idesë dhe konceptit ajo ka bërë edhe hulumtime të shumta deri në realizimin final të pikturave të cilat vijnë në dimensione të ndryshme dhe janë të punuar në teknikën akrilik në pëlhurë. Këto 11-të piktura, duke ardhur përmes një syri të lirë, shpalosin planetet, në përgjithësi sistemin diellor, të njohurën e të panjohurën.

”Duke u nisur nga vetja, është njerëzorja ajo e cila e kërkon gjithmonë të panjohurën. Kështu individi shtyhet gjithmonë drejt asaj duke kërkuar vazhdimisht njohjen, për këtë arsye e kam zgjedhur galaktikën si koncept të ekspozitës. Ka të bëjë me motivin e ekzistencës e vetë jetës që na shtyen tutje”, shprehet artistja Krasniqi për KultPlus.

E pyetur se cilat janë planet e saj në të ardhmen përsa i përket artit pamor, artistja ka theksuar se rrugëtimi i saj nuk do të mbetet me kaq dhe se ”Naked-eye” do të udhëtoj edhe nëpër vende tjera, por akoma nuk ka vendosur diçka më konkrete.

Kjo ekspozitë, njëherit edhe e para e Krasniqit, do të mbesë përgjithmonë në kujtimet e saj si një eksperiencë e paharruar.”Ka me mbetë e paharruar, një ndjenjë e papërshkruar. Po ndjehem shumë e kompletuar”, shprehet tutje Krasniqi.

Në mesin e shumë artistëve që ishin të pranishëm, për të parë ekspozitën e ish-studentes së tij, i pranishëm ishte edhe artisti Kamuran Goranci i cili me lavdata shumë të mëdha për artin e Krasniqit theksoi se gjithmonë e kishte parë talentin e kësaj të fundit.

”Qëndresën e kam pasur studente, është një vajzë shumë aktive. Që në kohën e studimeve e kam parë që ajo ka një talent të madh dhe më vjen mirë që sonte ajo ka hapur ekspozitën e saj të parë. I uroj shumë suksese në të ardhmen”, potencoi Goranci për KultPlus.

”Naked-eye” është një ekspozitë shitëse, e cila do të qëndrojë e hapur për 14 ditë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Qëndresa Krasniqi ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Fakulteti i Arteve, Dega e Arteve Dramatike, programi: Dizajn skene dhe Kostumografi.

Pasioni i saj për artin ka filluar qysh në moshë të re. Ky pasion vazhdoi për shumë vite duke u angazhuar në projekte të ndryshme: shfaqje, filma, seriale, reklama etj, kryesisht si skenografe dhe kostumografe.

Fotografitë: Gent Haziri / KultPlus.com