Nga ideja e deri tek propozimi për Oscars, Blerta Basholli e Valon Bajgora rrëfejnë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’

Flonja Haxhaj

Festa e 28 Nëntorit frymoi ndryshe në KultPlus Caffe Gallery me prezencën e regjisores Blerta Basholli dhe producentit Valon Bajgora, të cilët për dy orë rrëfyen gjithë rrugëtimin e filmit ‘Zgjoi’, që nga ideja e deri tek prezantimi nëpër festivale ku po vazhdon të shënojë suksese të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e Vlora Merovcit, në mbrëmjen që shënonte edhe 109-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërsë, Basholli dhe Bajgora nuk hezituan të rrëfejnë për çdo sfidë, emocion, vështirësi dhe sukses, nëpër të cilat, ata dhe ky film kanë kaluar që nga fillimi.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe, e interpretuar nga aktorja Yllka Gashi, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient patriarkal e që nuk e mbështet iniciativën e saj.

E që e gjithë historia e Fahrijes të bëhet film, i kishte mjaftuar regjisores Basholli ta shohë e të dëgjojë rastësisht historinë e saj në televizor, sa ishte në Amerikë. Ajo shprehet para të pranishmëve se kur e ka dëgjuar rrëfimin e Fahrijes, menjëherë ka marrë vendimin që sapo të kthehet në Kosovë, të shkojë e ta takojë për të marrë të drejtën ta bëjë film tregimin e saj.

“Kur e kam pa tregimin në televizor që një grua e cila e ka burrin në mesin e personave të pagjetur në Kosovë, e ka marrë patent shoferin, ka fillu me punu edhe është paragjyku për këtë punë, fillimisht jam bërë nervoz për faktin që ajo po paragjykohet për atë punë, sepse në mendjen tem krejt katundi ish deshtë me u çu e me i ndihmu”- rrëfen Basholli duke potencuar se në kohën kur kishte dëgjuar për historinë  e Fahrijes, ajo ishte duke punuar në një film në Amerikë bashkë me aktoren Yllka Gashi dhe producentin Armond Morina, e ku ky i fundit i kishte premtuar se kur të kthehen në Kosovë do ta takojë me Fahrijen.

Para publikut që ishin gjithë sy e veshë tek ajo, Basholli nuk la pa e përmendur se që në momentin kur e ka parë për herë të parë Fahrijen, ka parë në të një grua dhe një person shumë të veçantë, të fortë, shumë inspiruese e inkurajuese.

”Shkova ta pyesja nëse ma jep të drejtën që historinë e saj ta bëj film, nëse jo, ta inkurajoja me vazhdu punën çka kishte bërë deri atëherë, sepse është diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, një person si Fahrija nuk pati nevojë për kurajo aspak, e në fakt përfundova unë e inkurajuara prej atij takimi, sepse ishte shumë më e fortë kur e takova. Menjëherë u ndje e lirë të na e japë të drejtën për rrëfimin e jetës së saj.” – shprehet më tutje Basholli duke thënë se në atë moment e ka kuptuar se ky film nuk është veç një detyrë për të, por  që ta portretizojë një grua kaq të fuqishme në një ekran të madh.

Valbon Tishukaj photography

E pyetur nëse e kishte pritur që ‘Zgjoi’ do të kishte një sukses të tillë, ndonëse i ka mbajtur shpresa, regjisorja Basholli thotë se nuk e kanë pritur, pavarësisht se kanë punuar shumë që ky film të kishte një rrugëtim dhe një jetë të gjatë.

Kurse Valon Bajgora i cili së bashku me Yll Ukën janë producentë të filmit ‘Zgjoi’, thotë se që kur e ka lexuar skenarin, i është dukur interesant për ta vazhduar.

“E para, është ngjarje e vërtetë, e dyta, është karakteri shumë i veçantë i Fahrijes dhe e treta është ajo ndjesia që ta jep filmi, i cili fillimisht kalon në shumë paragjykime, batica, zbatica por në fund të jep një shpresë shumë të madhe, e kjo është ajo që më ka bërë mua si producent të them ‘po’”- deklaron Bajgora, shkruan KultPlus.

Valbon Tishukaj photography

Meqë filmi flet për një person që është gjallë, Basholli thotë se frika e saj më e madhe gjatë gjithë procesit të realizimit ka qenë ajo se a do t’i pëlqejë filmi Fahrijes, a do të ketë pjesë ku ajo do të kërkojë që të largohen.  E momentin e vështirë për të, kur ia tregoi për herë të parë filmin Fahrijes, regjisorja e ndau me pjesëmarrësit në KultPlus Caffe Gallery.

“Fahrija e ka pa filmin, s’ka lëvizë për 83 minuta. Sa e ka pa filmin s’ma jepke as një shprehje të vogël me ditë bile a po i pëlqen a jo, edhe në fund më tha ‘filmi i mirë, Yllka e paska portretizu shumë mirë rolin, shumë skena po duken qashtu qysh ka ndodhë, veç ni vërejtje e kam, pse s’më latë me ia hi personit që ka deshtë me më dhunu’”- thotë regjisorja Basholli duke i cituar fjalët e para të Fahrijes pasi e pa filmin.

Basholli dhe Bajgora, më pas flasin edhe për paraqitjen e ‘filmit Zgjoi’ në festivalin më të madh të filmit në SHBA ‘Sundance’, atje ku pati premierën dhe fitoi tre çmimet kryesore duke u bërë kështu filmi i parë në historinë e këtij festivali që i ka fituar të trija çmimet kryesore.

Regjisorja dhe producenti tregojnë se suksesi në festivalin ‘Sundance’ ishte një nismë e mirë që më pas ky film të shfaqet edhe në festivale të tjera të rëndësishme.

“Pas Sundance, ne e kemi kuptu që filmi ka shumë potencial edhe duhet me qenë filmi i cili do ta prezantojë Kosovën në Oscars”- thotë Bajgora.

Përveç se filmi u mirëprit shumë si në vend ashtu edhe ndërkombëtarisht, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, iu drejtua regjisores me pyetjen se a ka marrë ndonjë Feedback nga Krusha pasi është bërë filmi.

Valbon Tishukaj photography

“Nëse nuk ma kishin bërë pyetjen gazetarët ndërkombëtarë se qysh kanë reagu burrat e Krushës, nuk më kish shku mendja, sepse në momentin kur Fahrija e ka mbështet filmin, e kam harru edhe pjsesën e reagimeve. Gratë e Krushës e kanë pritë shumë mirë, ju ka pëlqy shumë edhe qajo ke një çlirim shumë i madh. Fahrija ka marrë mesazhe prej një personi burrë i cili i ka thanë ‘na e ke marrë fytyrën krejt fisit, marre të koftë’. Edhe një djalë i Krushës në Zvicër i cili më është drejtu mu. Por, që të dyja e kanë lëndu shumë Zonjën Fahrije’ – u përgjigj Basholli, duke shtuar se nuk mendon që në film të gjithë burrat e Krushës duken keq, ka burra që e mbështesin Fahrijen në film, e ata që nuk e mbështesin nuk iu shihet shumë fytyra.

Kurse Medaur Sadrija, një regjisor i ri e që kishte ardhur nga Austria vetëm për ta dëgjuar këtë rrëfim, iu drejtua ekipit me pyetjen se cili ishte feedback-u që e kanë marrë nga njerëzit jashtë Kosovës, në veçanti për pjesën e historisë, e sidomos për histori të tilla si rasti i Fahrijes, për të cilën Sadrija thotë se si një i rritur në Austri, nuk kishte dëgjuar më herët.

“Ne kemi marrë reagime shumë të mira. Mirëpo në këtë film nuk jam mundu me shpjegu gjithçka si në filmat e kaluar e të cilët më pas kanë dalë shumë përshkrues, por jam fokusu në karakterin kryesor, me tregim e me kamerë, në mënyrë që publiku me u lidh në nivel më human e njerëzor, si njeriu me njeriun, e pyetjet që i kanë, i gjejnë përgjigjet në google” – u shpreh regjisorja.

E në këtë mbrëmje ku i gjithë interesi i  të pranishmëve ishte të dëgjojë gjithë rrëfimin e rrugëtimit të filmit më të sukseshëm të kinematografisë kosovare, ekipi i filmit ‘Zgjoi’ mori një dhuratë të veçantë nga piktorja, Qëndresa Krasniqi, e cila ka pikturuar posterin e filmit në ngjyra akril. Dhuratë kjo që i emocionoi dy pjesëtarët e ekipit të këtij filmi, si një shpërblim për punën që ata e kanë bërë.

Përveç suksesit që po e shijon me filmin ‘Zgjoi’, Blerta Basholli njoftoi se tani ka filluar të punojë një projekt të ri, e i cili do të flasë më shumë për jetën e saj personale.

‘Është një ngjarje e bazuar në jetën time, jetën time personale gjatë fundit të viteve 90-ta në Prishtinë. Është një ngjarje e rritjes si tinejxhere, e gjetjes së identitetit, me një prapavijë goxha politike. Ka shumë muzikë, ka shumë party, ka shumë pakënaqëi, protesta. Në draft e kam edhe fillimin e luftës dhe ikja jem bashkë me mamin, vëllain dhe djalin e axhës’ – tha Basholli duke mos dhënë më shumë detaje të reja rreth këtij projekti të radhës.

E producenti Bajgora thotë se pas suksesit të filmit ‘Zgjoi’ do të jetë shumë e lehtë edhe për mbylljen e financave të filmit dhe gjetjes së partnerëve për projektin e radhës.

Ndërkaq, ‘Zgjoi’ tashmë është në pritje të publikimit të listës së ngushtë të ‘Oscars’, e ku përfundimisht do të kuptohet nëse ky film do ta përfaqësojë Kosovën në këtë festival./KultPlus.com

‘NAKED EYE’, një ekspozitë ku piktura takon syrin e zhveshur artistik

Prej disa ditësh në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në lagjen piktoreske Ulpiana në Prishtinë, mes gjelbërimit dhe ndërtesave karakteristike, piezazhit të pjerrët dhe godinave hijerënda e pakëz futuriste të gjysmës së dytë të shekullit XX, është hapur sakaq një ekpozitë tepër e veçantë, me emërtimin kuptimplotë “Naked Eye”.

Bëhet fjalë për ekspozitën vetjake të piktores Qëndresa Krasniqi, e cila është takuar me publikun artdashës me një sërë pikturash ku shpaloset, pikërisht e zhveshur për syrin artistik, pothuajse gjithë bota e saj të brendshme dhe frymëzimet e saj burimore, që kanë gjetur ravijëzimin e duhur përmes tablove të krijuara prej saj, ku vizitorët dhe ithtarët e pikturës së mirëfilltë, mund të hasin krejt larminë e universit ku autorja ka përthithur nektarin që më tutje është shndërruar në secilën prej pikturave të saj.

Në muret e mjediseve të brendshme të KultPlus Caffe Gallery, një vend (dhe gjithashtu portal letrar e artistik) që tashmë nënkupton vetvetiu cilësinë në art dhe letërsi në çdo kuptim, varen një sërë pikturash të ngjizura në telajo me ngjyrat e vajit, që nga piktorja Qëndresa Krasniqi janë përdorur pa kursim, herë me penel, herë mbase edhe drejtpërdrejt me duar të zhveshura, duke ndërthurur një ylber tematikash jetësore që shpërfaqen me ngjyrime të gjalla, nëpërmjet metaforave pamore, duke pasqyruar përherë besnikërisht edhe gjendjet shpirtërore të autores.

Tablotë që syri ynë i zhveshur kundron në këtë ekspozitë, na ofrojnë një diapazon gjithëpërfshirës të botës së filtruar artistikisht përmes syrit thelbësisht femëror të autores së tyre, e cila ia del mbanë përkryer që t’i shndërrojë mbresat e saj vegimore, në diçka tejet të pashlyeshme, siç janë pikturat ku galaksitë, qiejt, nuancat ujore, siluetat trupore, kornizat që duhen kapërcyer, njëlloj siç nevojitet të thyhen edhe barrierat mendjengushta mendësore (në art dhe jetë), shfaqen të gjitha si fryte të çmuara të frymëzimit të saj të pashtershëm.

Ndoshta nuk është rastësi që “Naked Eye” është përzgjedhur nga autorja si emërtim për ekspozitën e saj, ngaqë kjo fjalë është njëfarë sinonimi i padyshimtë i kësaj ekspozite, sepse edhe vetë arti i këtillë është, i zhveshur nga tepricat e padobishme, i zhveshur nga paragjykimet, i zhveshur nga kotësitë.

Pa qenë nevoja ta cilësojmë si impresionizëm, realizëm, onirizëm ëndërrimtar artistik, sidoqoftë piktura e krijuar nga Qëndresa Krasniqi, meriton pikësëpari përgëzimet tona më të çiltra si artdashës për mënyrën unike si është ngjizur dhe përvijuar në secilin krijim të sajin në tablo, ngase tashmë arti pamor në Kosovë, fiton një artiste të mirëfilltë.

ELVI SIDHERI

Shkrimtar dhe përkthyes shumëgjuhësh./ KultPlus.com

Qëndresa Krasniqi hap ekspozitën e saj të parë në KultPlus Caffe Gallery: Po ndjehem e kompletuar

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, artistja Qëndresa Krasniqi hapi ekspozitën e saj të parë, që përfshinte gjithsej 11 piktura. ”Naked-eye” erdhi para publikut artdashës për të shpalosur pasionin dhe botën artistike të Krasniqit, shkruan KultPlus.

Ishte gazetarja Rina Statovci ajo e cila moderoi hapjen e mbrëmshme të ekspozitës, e cila theksoi para të pranishmëve se është një ndjenjë shumë e mirë për të që të shihte kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re.

”Një ndjenjë shumë e mirë me pa kaq shumë njerëz që mbështesin një artiste të re, e cila veçse ka filluar t’i marrë hapat e parë në krijimin e artit”, pohoi tutje Statovci.

”Naked-eye” paraqet konceptimin e gjërave që na rrethojnë, me galaktikën si inspirimin kryesor të artistes, pikturat shpalosin atë të panjohurën të cilën secili individ tenton ta gjejë apo e kërkon gjatë rrugëtimit të vet jetësor. Përgatitjet për këtë ekspozitë kanë zgjatur katër muaj dhe siç tregon artistja për KultPlus, përpos idesë dhe konceptit ajo ka bërë edhe hulumtime të shumta deri në realizimin final të pikturave të cilat vijnë në dimensione të ndryshme dhe janë të punuar në teknikën akrilik në pëlhurë. Këto 11-të piktura, duke ardhur përmes një syri të lirë, shpalosin planetet, në përgjithësi sistemin diellor, të njohurën e të panjohurën.

”Duke u nisur nga vetja, është njerëzorja ajo e cila e kërkon gjithmonë të panjohurën. Kështu individi shtyhet gjithmonë drejt asaj duke kërkuar vazhdimisht njohjen, për këtë arsye e kam zgjedhur galaktikën si koncept të ekspozitës. Ka të bëjë me motivin e ekzistencës e vetë jetës që na shtyen tutje”, shprehet artistja Krasniqi për KultPlus.

E pyetur se cilat janë planet e saj në të ardhmen përsa i përket artit pamor, artistja ka theksuar se rrugëtimi i saj nuk do të mbetet me kaq dhe se ”Naked-eye” do të udhëtoj edhe nëpër vende tjera, por akoma nuk ka vendosur diçka më konkrete.

Kjo ekspozitë, njëherit edhe e para e Krasniqit, do të mbesë përgjithmonë në kujtimet e saj si një eksperiencë e paharruar.”Ka me mbetë e paharruar, një ndjenjë e papërshkruar. Po ndjehem shumë e kompletuar”, shprehet tutje Krasniqi.

Në mesin e shumë artistëve që ishin të pranishëm, për të parë ekspozitën e ish-studentes së tij, i pranishëm ishte edhe artisti Kamuran Goranci i cili me lavdata shumë të mëdha për artin e Krasniqit theksoi se gjithmonë e kishte parë talentin e kësaj të fundit.

”Qëndresën e kam pasur studente, është një vajzë shumë aktive. Që në kohën e studimeve e kam parë që ajo ka një talent të madh dhe më vjen mirë që sonte ajo ka hapur ekspozitën e saj të parë. I uroj shumë suksese në të ardhmen”, potencoi Goranci për KultPlus.

”Naked-eye” është një ekspozitë shitëse, e cila do të qëndrojë e hapur për 14 ditë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Qëndresa Krasniqi ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” Fakulteti i Arteve, Dega e Arteve Dramatike, programi: Dizajn skene dhe Kostumografi.

Pasioni i saj për artin ka filluar qysh në moshë të re. Ky pasion vazhdoi për shumë vite duke u angazhuar në projekte të ndryshme: shfaqje, filma, seriale, reklama etj, kryesisht si skenografe dhe kostumografe.

Fotografitë: Gent Haziri / KultPlus.com

Prezantohet në KultPlus Caffe Gallery, “Atdheu im është në qiell” nga Tonin Nikolli

Flonja Haxhaj

Sot në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë është bërë prezantimi i librit “Atdheu im është në qiell” të poetit nga Lezha me banim në Verona të Italisë, Tonin Nikolli.

“Atdheu im është në qiell” është një përmbledhje me poezi që vjen pas librit “Gjashtëdhjetë kambana të reja”, shkruan KultPlus.

I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe shkrimtari Agim Gjakova i cili thotë se hapësira në këtë vëllim është shprehje e shumë rrethanave qofshin të impulsit vetjak që shfaqin brendinë, por jo të mbetur në vetë, të shpirtit poetik të autorit.

“Autori nuk ka parasysh dhe as qëllim të mbështetet në koncepte të caktuara filozofike, sociologjike e të tjera, por i rreket pasqyrimit të botës që e rrethon, shqiptare e të të tjerëve, të qenies së tij si përjetues i kësaj bote dhe e zhvillimeve të saj që kur mbahet në mend, me shfrim poetik të nxjerrë nga shpirti e nga mendja”- ka deklaruar Gjakova.

Ai tutje shton se shtytjet e brendshme emocionale që poeti i ka përftuar nëpër shëtitjet e jetës dhe nga i shëtit këto shtytje në poezi, janë përqasje me qetësinë dhe me tërë kundërshtimet që ndodhin në realitet.

Analistja letrare, Ajete Zogaj thotë se librin i ri i autorit Tonin Nikolli, “Atdheu im është në qiell” ka ardhë për lexuesin shqiptar si një mozaik i bukur, mozaik ku autori ka gërshetuar me mjeshtri artistike, thellësinë e dukurive dhe të ndjenjave njerëzore, të cilat e shoqërojnë poetin dhe universin e tij, botën dhe secilin njeri.

“Në poezitë e Tonin Nikollit ‘vargëzohen’ bukur poetikisht atdhedashuria, malli, dhimbja, mërzia, shpresa, dëshpërimi dhe optimizmi i poetit për ngjarje e peripeci jetësore, të ngjizura bukur në fjalën e shkruar – në poezinë.”- shton më tutje Zogaj.

Redaktori i librit Anton Nikë Berisha në promovimin e librit është shprehur të jetë i nderuar për redaktimin e librit të Tonin Nikolli, i cili e vlerësoi poezinë e tij, pikërisht për mënyrën e shtrirjes dhe përdorimit të fjalëve.

“Tonin Nikolli është një poet i madh, sikurse disa poetë që janë të mëdhenj, por jo shumë të njohur”, ka thënë Nikë Berisha, i cili ka shtuar se duhet të punohet më shumë në promovimin e këtyre poetëve që përdorin fjalët me një mjeshtëri të rrallë, sikurse që e përdorë Nikolli.

E krejt në fund, autori i librit, Tonin Nikolli u shpreh mirënjohës dhe falënderues për të gjithë të pranishmit në këtë prezantim duke shtuar se e imagjinon këtë libër si një nuse ku ai së  bashku me miqtë e tij kanë ardhur si krushq./KultPlus.com

“Interpretations” sot në KultPlus Caffe Gallery, sjell 12 vepra të artistëve të rinj

12 punime do të prezantohen në ekspozitën “Interpretations” që do të hapet sot në KultPlus Caffe Gallery, punime këto që janë nga artistë të rinj, shkruan KultPlus.

“Interpretations” që vjen e kuruar nga Bora Kelmendi është është reflektim i një procesi pune krijues. Përbërje kryesore e këtij procesi është interpretimi dhe në një forme, narrative e njohurive të ditura tashmë apo të prezantuar së fundmi. Interpretimi, është produkt I narrativës personale, pasqyrim i lirë i momenteve, ndodhive, ideve jo materiale në tentativë për të kthyer në diçka materiale.

Ekspozita “Interpretations” vjen si rrjedhojë e projektit “Art dhe Artist te rinj”, projekt që është mbështetë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Ekspozita hapet sot, në ora 19:00, dhe do të rri e hapur për disa ditë. / KultPlus.com

Promovohet ‘Spanjës me Dashuri’ nga Elvi Sidheri, shpaloset thelbi i tre dashurive shqiptaro-spanjolle

Era Berisha

Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’  (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, që në vete ngërthen ndaras tre pjesë përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij ku tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave, mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përhershëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shënjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul diktaturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.

Të pranishmit mbrëmë patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përmbajtjen e këtij romani që autori e ka sjell para publikut shqiptar. Ndërsa, të pranishëm në këtë promovim ishin gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.

Fillimisht, mbrëmja nisi me fjalimin e gazetares Vera Pelaj e cila fillimisht kujtoi takimin e parë me autorin e tutje vazhdoi të fliste rreth romanit të tij.

“Para disa vitesh ishim në mbrëmje në një tavolinë krijuesish pas përurimit të krijimtarisë të një autori që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare. Në atë tavolinë kishte botues, shkrimtarë, studiues, profesorë universitar, unë gazetare dhe Elvi. Nuk e njihja por ma morri mendja që edhe Elvi do të duhej të ishte nga bota krijuese”, ka thënë Pelaj.

Sipas saj, Elvi është një erudit i jashtëzakonshëm, poliglot i cili me punën e tij ditë e natë gjen libra nëpër stepa që ti përkthej e t’ia ofroj lexuesit shqiptar.

“Në romanin ‘Spanjës me dashuri’, ai ngërthen tre periudha që ndërlidhen ngjarjet e ndryshme mes Spanjës dhe Shqipërisë me personazhe interesante. Përmes romanit ai sjell botën spanjolle dhe shqiptare përmes tri periudhave të ndryshme kohore me breza të ndryshëm. Në letërsinë moderne shqipe Elvi sjell ngjarje, imazhe, personazhe e dashuri, kulturë madrilene e tiranase përmes romanit. Elvi ka stil të veçantë të të shkruarit, narracionit e trajtimit të ngjarjeve e personazheve. Ka fjalor shumë të pasur që lexuesi përveç kënaqësisë për të lexuar këtë roman, do të mësoj shumëçka tjetër”, përfundon Pelaj.

Ndërsa, muzikanti Sylë Maxhera i cili mezi priste të këndonte këngë spanjolle romantike, fillimisht ndau një kujtim dhe foli rreth rëndësisë që një autor si Elvi ekziston.

“Nuk kam absolutisht asgjë të përgatitur se është lehtë të flas për dikë si Elvi, si mik e si poet. Ai është një yll. Djali im 13 vjeçar më pyeti se pse Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe unë iu përgjigja se ka ca çështje politike. Ai më thotë se ‘’Jo babi, por janë trullana’’ në gjuhën shqipe. Prandaj, kemi njerëz si Elvi që është gjëja më e mirë që po na ndodh”, ka thënë Maxhera.

Tutje, vetë autori i këtij romani, Elvi Sidheri foli rreth përmbajtjes së librit dhe mesazhit të tij.

“Titulli i romanit nuk është thjeshtë dashuria ime si autor për Spanjën por është një libër ku dashuria shqiptaro-spanjolle është thelbi i librit. Janë tre breza të ndryshëm të mishëruar nga tre gra në tre kohë të ndryshme. Janë tre periudha historike e tre dashuri shqiptaro-spanjolle. Ngjarjet nisin në fillimin e luftës civile spanjolle. Unë desha të ringjallja në pjesën e parë të romanit dashurinë shqiptare-spanjolle mes një shqiptari idealist që shkon në luftën e Spanjës dhe një spanjolle aristokrate”, thotë Sidheri.

Sipas tij, këta dy personazhe janë dy njerëz të ndryshëm me dy filozofi të kundërta jete e dy vende të ndryshme që takohen dhe që në atë pikë dashuria e tyre shndërrohet në luftën e tyre.

“Kjo dashuri shqiptaro-spanjolle pastaj vazhdon në vitet e 70-ta në Tiranë pasi vajza e këtyre të dashuruarve lind në Tiranë dhe është brezi i dytë i këtij libri. Jam përpjekur që ta vë theksin në jetën kulturore të Tiranës së viteve 70-të sepse ka një problem pasi që pas viteve 90-ta me përshkrimin letrat të diktaturës është parë gjithmonë bardh e zi”, thotë ai.

Për Sidherin, brezi i tretë në këtë libër është mbesa e tretë shqiptaro-spanjolle ku më pas në vitet 2000 ajo kthehet në Spanjë në rrënjët e saj dhe kështu është sjell romani në ditët e sotme. Pra, janë tre breza, tre gra, tre lidhje kulturore shpirtërore shqiptaro-spanjolle.

Po ashtu, nëna e autorit, Luiza Sidheri e cila njëkohësisht është edhe redaktorja e këtij romani, foli për rëndësinë e grave dhe vajzave që shtypen në një shoqëri të tillë patriarkale.

“Pavarësisht zhvillimeve industriale e artit që lëviz përpara e mirëqenies në disa shtresa, jetojmë në shoqëri thellësisht patriarkale. Jemi vende me mendësi patriarkale andaj roli i fuqishëm i grave nuk dihet ose thjesht margjinalizohen. Prandaj, Elvi tek romanet e veta promovon gratë e vajzat që kanë guxim e dinë të shohin përtej humbjes së tyre e dinë të kërkojnë me dinjitet të drejtat e tyre”, thotë ajo.

Ndërsa, ëmbëlsia e natës ishte performanca muzikore e këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila interpretoi këngët si: ‘Snowman’ nga Sia dhe ‘Tumankuqe’ duke kapluar tërësisht atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e saj të veçantë e zërin që nuk njihte kufij.

Kështu, krejt në fund duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje ndaj autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me meloditë e këngëve spanjolle ku kënga ‘No Volvere’ nga Gipsy Kings pushtoi atmosferën në KultPlus Caffe Gallery.

Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetëra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com

Elvi Sidheri promovon romanin ‘Spanjës me Dashuri’ në KultPlus Caffe Gallery

Me 15-të korrik, e enjte duke filluar nga ora 19:00, autori Elvi Sidheri promovon librin e tij ‘’Spanjës me Dashuri’’ në ambientet e KultPlus Caffe Gallery.

Të pranishëm në këtë promovim do të jenë gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.

Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’  (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, ngërthen ndaras në tre pjesët përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij, tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave që mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle.

Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përherhshëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shenjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul dikataturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.

Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com

Hasanaj përuron katër libra në KultPlus Caffe Gallery, shpaloset rrugëtimi i saj humanitar për diasporën shqiptare

Mbrëmë, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery u përuruan librat ”Një jetë veprimtari humanitare”, ”Libri i paqes” dhe ”Sytë e përlotur” të autores Behide Hasanaj. Ndër fokuset e kësaj mbrëmjeje, ishte edhe rrugëtimi i saj humanitar për të ndihmuar shtetin e Kosovës, duke përfshirë edhe shitjen e shtëpisë së saj, vetëm për të ndihmuar familjet në nevojë, shkruan KultPlus.

Behide Hasanaj e cila njihet për humanizmin e saj përgjatë shumë viteve, konsiderohet edhe si një urë lidhëse mes diasporës dhe Kosovës.

Ky përurim, i cili u mbajtë nën moderimin e gazetares Vera Pelaj, filloi me fjalën e Adem Zejnullahut i cili konsideronte veprën e Hasanajt të jetë një vepër me rëndësi humanitare dhe arkivore.

”Nuk do mend, se secili autor ka dëshirë që të bëmat e veta jetësore t’i shkruajë, duke i si konsideruar të rëndësishme në radhë të parë për veten, por edhe për të tjerët. Këta autorë, vazhdimisht në vetëdije e kanë frikën se mos po bien nën ndikimin e emocioneve – subjektivizmit, ndaj zakonisht ua lënë të tjerëve që t’ua shkruajnë për së gjalli, ose për së vdekuri. Mendoj se është mirë që këto monografi të shkruhen edhe për së gjallë të subjekteve, për shumë arsye, në radhë të parë se vetë autori e di më së miri veprimtarinë, kontributin e vet se çka ka bërë, si e ka bërë, sukseset dhe mos sukseset në mënyrë që në vazhdim të punës, të jetës t’i plotësojë zbrazëtitë e hetuara në mënyrë që kur vepra ta marrë trajtën e botimit, të jetë në pë puthje me synimet dhe me kërshërinë e lexuesit në një kohë e në një hapësirë të caktuar”, theksoi Zejnullahi para të pranishmëve.

Pas Zejnullahit, fjalën e mori edhe Jusuf Osmani, i cili theksoi se mërgata jonë në diasporë është ndër mërgatat më të mëdha në botë. Ai, poashtu pohoi se autorja Hasanaj, ka dhënë një kontribut të çmuar në ndihmë të popullatës së Kosovës, në momentet më të vështira të saj, sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë.

”Në monografinë autobiografike të ilustruar me dokumente e dëshmi të shumta karakterizohen veçoritë e Behide Hasanja: entuziazmi për punë, sinqeriteti, atdhedashuria, dashuria dhe respekti ndaj njeriut, popullit dhe atdheut. Behidja ishte përcaktuar për humanizëm që nga periudha e hershme, kur jetoi në qytetin e saj të lindjes, në Pejë e sidomos këtë mision të rëndësishëm e realizoi në Zvicër”, u shpreh tutje Osmani.

Hasanaj në këtë përurim, u shoqerua edhe nga një delegacicon zvicëran, të cilët kishin qenë pjesë tejet e rëndësishme e rrugëtimit të saj humanitar. Për të cilët autorja theksoi të jetë tejet falenderuese ndaj tyre.

”Ai që e ndjekë bamirësinë dhe nuk e harron vendlindjen e vet, atë nuk e harron as zoti. Duajeni dhe respektojeni njëri tjetrin. Mos e harroni historinë e kombit shqiptar, historia jonë nuk duhet të zhduket sepse pa histori nuk ka shtet”, përfundoi autorja e librave.

Në vitin 1983, Znj. Behide Hasanaj emigroi në Zvicër, ku menjëherë nisi misionin vullnetar në Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” në Thun, mirëpo me të filluar lufta në Kosovë dhe me qëllim që sa më shumë ta ndihmojë Kosovën, e cila po digjej flakë, ajo e themeloi vetë një degë Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”, si dhe iu bashkua edhe disa shoqatave të tjera humanitare për të drejtat e njeriut dhe civilët e kërcënuar, etj. Po atë vit, ajo përfundoi kursin e gjuhës gjermane për nivelet më të larta. Në këtë mënyrë nisi veprimtaria e saj humanitare, fillimisht si Interprete për shoqata të ndryshme në komunat zvicerane, spitale, integrimin e refugjatëve, etj. Ajo ishte shumë e aftë të përkthente nga gjermanishtja në kroatisht dhe anasjelltas si dhe nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas. Roli i saj si përkthyese në Shoqatë ka qenë thelbësor për refugjatët kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, të cilët u larguan me dhunë nga tokat e tyre. Gjithashtu, Zonja Behide Hasanaj, kontribuoi shumë në strehimin e refugjatëve në të gjithë Zvicrën. Në vitin 1986, filloi punën si specialiste për kostume zhytjeje për mbarë Zvicrën dhe mbikëqyrëse, si dhe iu rikthye sërish profesionit të parë si rrobaqepëse, për qepjen e rrobave të policisë dhe ushtrisë për shtetin zviceran. Në vitin 1992, ajo përfundoi një studim si ndihmëse për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe sëmundje mendore në Bern dhe Thun, duke iu ardhur në ndihmë shumë njerëzve në nevojë. Në vitin 1997, nisi punën në mënyrë vullnetare në spitalin shtetëror si ndihmëse mjeku për njerëzit me nevoja të veçanta. / KultPlus.com

Sot, takim me Behide Hasanaj në KultPlus Caffe Gallery

Sot duke filluar nga ora 20:00, Behide Hasanaj me vendbanim në Zvicër do të jetë e pranishme në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Behide Hasanaj e cila njihet për humanizmin e saj përgjatë shumë viteve, e cila konsiderohet edhe si një urë lidhëse mes diasporës dhe Kosovës, po në këtë mbrëmje do të prezantojë edhe katër libra të saj, të cilat i ka botuar nëpër vite, si: “Një jetë veprimtari humane”, Libri i paqes”, “Sytë e përlotur”, ku libri i fundit vjen edhe në gjuhën angleze dhe gjermane.

Hasanaj në këtë promovim do të shoqërohet edhe me një delegacion zviceran, dhe përpos librave të saj, në këtë mbrëmje do të ketë fokus edhe rrugëtimi i saj humanitar për të ndihmuar vendin e saj Kosovën, duke përfshirë edhe shitjen e shtëpisë së saj, vetëm për të ndihmuar familjet në nevojë. Po ashtu në këtë mbrëmje do të bëhet edhe promovimi i revistës së parë “11 Maji”/ KultPlus.com

‘Meet My Soul’, libri që shpalos vuajtjet e refugjatëve, Rushiti: Kjo ditë më kujton klithmën e grave kosovare që u larguan nga lufta

Xhemile Hysenaj

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës, partnere implementuese e UNHCR-së, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve publikoi librin “Meet My Soul” me fotografi të syve dhe mesazhe nga azil kërkuesit dhe refugjatët në Kosovë.

Libri u promovua në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku pjesë e panelit dhe diskutimit ishin drejtoresha ekzekutive e KRCT-së, Feride Rushiti, shefi i misionit të UNHCR-së Erol Arduç si dhe autorja Malisa Zymberi ku u diskutua për qëllimin dhe procesin e librit. Një libër ky që erdhi pas një pune të madhe ekipore, duke tentuar kështu të ndërgjegjësojë dhe të ngritë vetëdijen kolektive na raport me sfidat dhe vështirësitë e refugjatëve, shkruan KultPlus.

”Sot jemi mbledhur pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve, ditë kjo e cila anë e mbanë botës shënohet si një ditë që shpalos nevojat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen personat të cilët e braktisitn vendin e tyre për shkak të rrethanave të luftës, apo të arsyeve të tjera. Për ne kosovarët Dita Botërore e Refugjatëve ka një domethënie të veçantë, na kthen në kujtesën kolektive të 20-të viteve më parë ku mijëra kosovarë u dëbuan nga vatrat e tyre. Kjo ditë ma kujton klithmën dhe vuajtjen e mijëra grave e vajzave të cilat e kishin lënë vatrën ë tyre nga dhuna dhe persekutimi i asaj periudhe kohore”, theksoi për të pranishmit drejtoresha ekzekutive e KRCT-së, Feride Rushiti.

Rushiti ndër të tjera theksoi se shpeshë herë refugjatët janë edhe të padëshirueshëm, dhe ishte pikërisht kjo një ndër arsyet që bëri një ekip profesional i përbërë nga psikologë, punonjës social etj, të mblidhen e ta shtrijnë aktivitetin e tyre me këta njerëz që ndajnë histori të dhimbjes e të vuajtjes.

”Shumë herë jemi dëshmitar që në zhargonin mediatik flitet për statistika, edhe krejt ky zhargon harron që mbrapa këtyre numrave ka vuajtje e dhimbje, ka shpirtra të lënduar dhe harrojmë të trajtojmë si qenie njerëzore personat që lënë vatrat e tyre nga persekutimi apo luftrat e ndryshme me të cilat ballafaqohen vendet e tyre”, u shpreh tutje Rushiti.

”Meet My Soul” shpërfaqë një mozaik të dhimbjes, traumës e vuajtjes, dëshirave dhe ëndrrave që këta njerëz kanë. Njerëz këta që sikur të mos ekzistonte lufta, do të jetonin një jetë normale.

”A është shumë të kërkosh një jetë normale?”

”Askush nuk e fillon udhëtimin për t’u përballur me vdekjen, vdekja bëhet pjesë e udhëtimit vetvetiu”

”Pavarësisht se sa i sigurt është vendi në të cilin jetojmë ose sa kohë ka kaluar, dhimbja dhe vuajtja nga e kaluara gjithmonë do të shqetësojnë shpirtin” – Janë këto vetëm disa nga thëniet e shfaqura në këtë libër, që duken sikur rrjedhin nga sytë e secilit person që është bërë pjesë e këtij libri

Për të folur edhe më shumë rreth këtij projekti, i pranishëm ishte edhe shefi i misionit të UNHCR-së Erol Arduç, i cili deklaroi se ndjehet tejet i prekur nga prezenca e të gjithë atyre që kishin ndarë kohën për të qenë pjesë e këtij promovimi. Ai tregoi se ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë, madje, ndër momentet më të vështira, siç tregon ai, ka qenë momenti i ”Heshtjes Absolute”, kur personi që rrëfehej për largimin nga vendi i tij, Arduçi vetë e madje edhe përkthyesja heshtin në momente të caktuara, pasi nga emocionet e mëdha nuk dilnin as fjalët.

”Këto histori janë të pabesueshme ka momente kur shokohesh. ”Meet my soul” hyn shumë thellë në atë shpirt të lënduar, e shpeshë herë të shkatërruar. Si avokat që jam, e di se shumica e gjërave zgjidhen, mirëpo të zgjidhësh një problem nuk do të thotë gjithmonë edhe ta shërosh dhimbjen e tjetrit. Prandaj them se njerëzit si Malisa Zymberi dhe Feride Rushiti janë shumë të nevojshëm dhe të rëndësishëm në botën tonë. Pasi nuk ka rëndësi se kush jemi apo çfarë jemi, në fund të ditës të gjithë kemi frikat tonë”, shprehet Arduç.

E fundit, por jo për nga rëndësia, fjalën e mori edhe autorja e kësaj libre, Malisa Zymberi. Me emocione që vijnë vetëm pas një punë të realizuar nga vullneti dhe dëshira e madhe, Zymberi theksoi se rrugëtimi përmes të cilit kaloi ”Meet My Soul”, e bëri atë që të kuptojë se ka momente të vogla që kur e sheh lumturinë tek këta njerëz, të bën të kuptosh se është pikërisht kjo puna të cilën dëshiron ta bësh.

Zymberi poashtu tregoi se ndër faktorët më shqetësues, është gjuha e urrejtjes që të tjerët kanë ndaj refujgatëve. ”Po shohim shumë gjuhë të urrejtjes ndaj refugjatëve, dhe prekem shumë kur i shoh komentet negative ndaj atyre. Më bën të pyes veten se nga vjen gjithë jo urrejtje”, thekson Zymberi.

Ajo poashtu, shpalosi para të pranishmëve, se gjatë realizimit të këtij libri, ka qenë shumë e rëndësishme të tregohen të kujdesshëm tek ajo se çfarë do të përçojnë tek shoqëria.

”Kemi tentuar që të përçojmë si mesazh përjetimet e ndryshme të këtyre personave, p.sh disa prej storjeve tregojnë që të qenurit refugjatë vjen me sfida të vazhdueshme sëbashku me rrugëtimin e tyre. Kemi fëmijë që kanë lindur në Kosovë, që për mua dhe të gjithë ekipin ka qenë një ndjenjë e veçantë, të shohësh një nënë refugjatë duke dhënë jetë në vendin tënd është e mahnitshme. Mirëpo, kur e shohim fuqinë që këta njerëz kanë, shpesh motivohemi edhe ne”, shprehet tutje Zymberi.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarëve të Torturës (QKRMT) është një organizatë joqeveritare e cila ka për fokus zhdukjen e dhunës dhe torturës, prandaj misioni i QKRMT-së është të mbrojë, avancojë dhe promovojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore për të mbijetuarit e torturës dhe formave të tjera të dhunës.

Kjo e cila do të arrihet përmes rehabilitimit dhe trajtimit ndërdisiplinor, fuqizimit socio-ekonomik, avokimit për reformat ligjore dhe institucionale, duke përfshirë hartimin e ligjeve dhe politikave, ndihmën ligjore për aksesin në drejtësi, rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e kapaciteteve të audiencave të synuara dhe aktorëve kryesorë, dokumentacionit dhe hulumtimi. / KultPlus.com

Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” në KultPlus Caffe Gallery

Jusuf Buxhovi me “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” do të prezantohet në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Jusuf Buxhovi, autori i romanit do të bashkëbisedoj me të pranishmit në lidhje me përpunimin e këtij romani që e ka risjell me një version më të plotësuar, dhe i njëjti do të shpërndajë libra falas për të pranishmit, të cilët do ti marrin librat edhe me autografet e autorit.

Ky organizim i cili mbahet të mërkurën me datën 16.06.2021, do të filloj në orën 19:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 22:00. Ngjarja do të jetë e hapur për të gjithë dhe do të mbahet duke respektuar masat mbrojtëse kundër Covid-19./ KultPlus.com

Të premten promovohet libri ‘Meet my soul’ i autores Malisa Zymberi, i dedikohet refugjatëve dhe azilkërkuesve në Kosovë

Këtë të premte do të bëhet promovimi i librit fotografik për azilkërkuesit dhe refugjatët në Kosovë, ‘Meet my soul’, i autores Malisa Zymberi, shkruan KultPlus.

‘Meet my soul’, synon që dhimbjen, dashurinë, agoninë, lumturinë, pikëllimin dhe përjetimet që njerëzit në lëvizje I kanë kaluar në vendin e tyre të origjinës dhe gjatë udhëtimit të tyre deri në Kosovë; ti përçojë përmes syve.

Libri do të promovohet në KultPlus Caffe Gallery, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com

Szunyog në KultPlus në ekspozitën e Yllka Letit, Pajaziti: Shpresoj që zëri i saj të jetë një këmbanë e fundit për institucionet e Kosovës

Era Berisha

Kauzat e veçanta që përfundojnë në suksese të njëpasnjëshme tashmë i janë bashkangjitur edhe ngjarjeve të ndryshme që po ndodhin në KultPlus Caffe Gallery, ku së fundmi ekspozita e Yllka Letit, vajzës 15 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike, u vizitua nga përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, shkruan KultPlus.

Një numër i madh i pikturave që shpalosin elemente dhe detaje të veçanta, që nga muaji janar kanë zënë vendin e tyre në muret e KultPlus Caffe Gallery, kurse këto piktura tanimë kanë filluar të zbrazen ku ngjyrat unike të plasaritura për syrin e publikut kanë gjetur pronarin e tyre në shtëpinë e mjaft artistëve dhe figurave të njohura, të cilët kanë pasur rastin ta vizitojnë ekspozitën e artistes së re, duke u bërë kështu pjesë kyçe e zërit të shumë fëmijëve që vuajnë nga po e njëjta sëmundje.

Ndër këto figura është edhe përfaqësuesi i Zyrës së Bashkësisë Evropiane në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili sot vizitoi ekspozitën dhe njëkohësisht mësoi më shumë rreth situatës ekonomike e emocionale të Letit ku dëshira dhe shpresa e saj për një të ardhme ku arti shndërrohet në një ëndërr të realizuar, po shprehej përmes syve të saj.

“Po ndjehem shumë i nderuar që sot jam këtu për të vizituar galerinë dhe takuar artisten e re. U impresionova nga talenti i saj sepse është një punë shumë e bukur që më la përshtypje shumë. Po ashtu, mësova për jetën dhe sfidat në të cilat ka kaluar ajo dhe prandaj po e admiroj Yllkën ende më shumë”, thotë Szunyog.

Sipas tij, Yllka është sfiduar edhe nga ana ekonomike për të luftuar me këtë sëmundje dhe prandaj përshtypja e tij ishte se Kosova nuk ka krijuar kushte të mira për financimin e fëmijëve dhe kujdesin ndaj tyre.

“Mesa e di unë, ligji për kujdesin ndaj fëmijëve është adaptuar por rregulloret nuk janë adaptuar për vite të tëra dhe kështu ende nuk janë krijuar kushtet të cilat rregullojnë situatën e fëmijëve që ballafaqohen me situata të tilla. Kurse, Bashkia Evropiane është duke e asistuar Kosovën në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor që është prekur sidomos nga pandemia”, thotë Szunyog.

“Së bashku mundemi ta garantojmë se do ti kushtohet rëndësi dhe kujdes më i mirë të gjithë fëmijëve dhe jo vetëm atyre që janë të talentuar”, potencon Szunyog.

Tutje, kryeredaktorja e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti falënderoi Szunyog për kohën e tij që ia kushtoi kësaj vizite për të parë punën e Yllka Letit.

“Yllka Leti e ka tejkaluar vetveten dhe është shndërruar në një kauzë për të gjithë fëmijët e Kosovës që janë të diagnostikuar me Fibrozë Cistike dhe nëpërmjet artit të saj, Yllka është shndërruar në një zë për të gjithë fëmijët dhe shpresoj se zëri i saj të jetë një këmbanë e fundit për institucionet e Kosovës që Yllka Leti, ta përdorë talentin jo vetëm për të shprehur artin e saj por edhe të sigurojë mjetet për shërim”, ka thënë Pajaziti.

Ndërsa, artisja e re Yllka Leti, përmes një letre ka falënderuar Tomáš Szunyog dhe drejtorin nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha për mundësinë që iu është dhuruar për të pasur një hapësirë ku ajo ka mundësi ta zhvilloj ende më shumë artin e saj. Kurse, në veçanti ajo është shprehur falënderuese ndaj kryeredaktores Pajaziti, duke e vlerësuar atë si një nga faktorët që ka kontribuar në suksesin e saj si artiste.

“Një falënderim i veçantë shkon për Ardiana Pajazitin nga KultPlus, e cila është njëra nga faktorët meritorë në suksesin tim dhe e cila më ka mundësuar dhe hapur dyert drejt suksesit”, thotë Leti.

Sipas saj, falë të gjithëve që kanë kontribuar në artin e saj, suksesi i saj çdo ditë e më shumë po rritet.

“Unë kam filluar një kurs për ‘Art me Pika’, ku nga kjo lindi ideja që punimet e mia ti shesë dhe me ato fitime të mbuloj shpenzimet për barnat e nevojshme dhe për pajisjet e domosdoshme që unë të jetoj”, përfundon Leti.

I pranishëm ishte edhe drejtori nga Drejtoria e Kulturës, Adrian Berisha, i cili shpalosi vendimin e tij për krijimin e një hapësire brenda bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’, që Yllka Leti ta ketë një hapësirë të sajën ku ajo të vazhdojë ta krijoj artin e bukur të saj.

“Unë jam informuar nga Adriana për gjendjen e Yllkës, ku vendosa që ta gjej një hapësirë për Yllkën brenda bibliotekës ‘Hivzi Syljemani’, një studio ku ajo mund ta shpreh artin e saj. Unë kam folur me disa shokë të mi, të cilët gjithashtu kanë shprehur dëshirë për ta mbështetur Yllkën në mënyra të ndryshme”, thotë Berisha.

Sipas tij, gjatë një bisede me Yllkën në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ai ka folur me të dhe i ka thënë që ta krijojë një listë me gjithçka çka asaj i nevojitet, me ç’rast do ti sigurohen të gjitha mjetet e domosdoshme që ajo të punojë.

“Gjithashtu, ajo se çka ne mund të krijojmë si Komunë e Prishtinës, është krijimi i studiove për fëmijë sepse nuk ekzistojnë ato lloj studio dhe prandaj po mendojmë që të krijojmë studio të reja për artistët e rinj. Kështu, kurdo që Yllka është gati, ne do të shkojmë ta vizitojmë hapësirën e krijuar posaçërisht për Yllkën”, përfundon Berisha.

Kështu, krejt në fund, të pranishmit patën rastin të bisedojnë tutje rreth artit të Yllkës, ku ajo edhe shpjegonte domethënien e pikturave të saj. Kurse, disa shprehën edhe dëshirën për ti blerë disa nga ato piktura, me ç’rast Szunyog, cilësoi pikturën e parë që atij i la përshtypje më së shumti dhe që tani ai do ta mbajë në shtëpinë e tij. / KultPlus.com

Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery: Përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku përveç që zënë vend organizimet nga më të ndryshme për të rinjtë që dashurojnë artin, kulturën dhe jo vetëm, tani hapësira u shfrytëzua edhe nga fëmijët të cilët përmes vizatimeve dhe pikturimit, me rastin e 1 qershorit, ata kaluan një pasdite mjaft të bukur me piktorin e njohur Kosta Zhonga, shkruan KultPlus.

Dje, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh të fëmijëve dhe prindërve të tyre, ku të gjithë kishin ardhur për të kaluar një pasdite nën shoqërimin e melodive të këngëve të ndryshme për fëmijë dhe përmes ngjyrave të shumta të cilat ishin të shpërndara gjithandej, ata arritën të krijojnë një kryevepër krejt në fund, një mozaik i formuar nga copëzat e shumta që fëmijët kanë ngjyrosur, me ç’rast mozaiku zuri vend në dritaret e KultPlus Caffe Gallery.

Përmes një aktiviteti të tillë u dallua mjaft shumë edhe dëshira dhe nevoja e madhe për ngjarje të tilla që organizohen nga dhe rreth fëmijëve. Këto ngjarje jo vetëm që shpalosin talentin e tyre në një moshë të re por aty në fakt mund të nis edhe rrugëtimi i tyre për një të ardhme që ngërthen artin në formën më të mirë të mundshme.

Me fleta të bardha dhe ngjyra të shumta, fëmijët nisën të pikturonin figurën e vendosur para tyre. Lumturia që dallohej në sytë e piktorit ishte në të njëjtin nivel me atë të fëmijëve, të cilët kishin një energji të pa krahasueshme duke shfrytëzuar kështu në masë të madhe ndihmën e Zhongës për ti mësuar dy apo tre teknika të veçanta të pikturimit.

Teksa fëmijët pikturonin, prindërit ishin ata që po ndiqnin punën e tyre më buzëqeshje në fytyrat e tyre, e disa të tjerë iu vinin në ndihmë fëmijëve të tyre kur ata hasnin në ndonjë problem. Po ashtu, fotografitë dhe bisedat e ndryshme ishin bërë pjesë kyçe e këtij aktiviteti që shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Kështu krejt në fund, pas përfundimit të pikturimit të tyre, fëmijët së bashku me piktorin morën vizatimet e tyre afër vetes dhe me një buzëqeshje që nuk hiqej dot asnjë sekondë, ata vendosën ngadalë vizatimet e tyre në dritare duke formuar kështu mozaikun final, një mozaik ku fjala ‘1 qershor’ ishte ngjyrosur nga secili fëmijë i pranishëm ku u formua edhe rasti më i mirë për të bërë një fotografi unike me piktorin.

Gjithashtu, fletoret e vizatimit të botuara dhe të firmosura nga vetë piktori ishin një kujtim i bukur i ditës së djeshme që fëmijët do ta kenë gjithmonë me vete.

Ndërsa, për të folur më shumë rreth këtyre momenteve, për KultPlus foli vetë piktori Kosta Zhonga.

“Kjo ditë është e mrekullueshme sepse po e shoh se sa të interesuar janë fëmijët dhe prindërit e tyre prandaj dua edhe ti uroj 1 qershorin. Ajo çka më pëlqeu ishte se të gjithë fëmijët shumë të talentuar me sa po e shikoj unë.  Janë të mrekullueshëm si vajzat edhe djemtë. Por edhe prindërit janë shumë ta pasionuar pas pikturës”, thotë Zhonga.

Sipas tij, të gjithë ata të pranishëm e donin pikturën sepse vazhdimisht kërkonin akoma më shumë letra e ngjyra, prandaj edhe ai mundohej t’ia shpjegonte fëmijëve lëvizjet dhe teknikat e dorës për të krijuar figura të ndryshme.

“Unë jam i gatshëm gjithmonë për aktivitete të tjera të njëjta sepse përpara fëmijëve nuk ndalojmë asnjëherë”, përfundon Zhonga për KultPlus.

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës organizoi punëtorinë me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori. / KultPlus.com

Sot, Xhaxhi Piktori në KultPlus Caffe Gallery

KultPlus me mbështetje të Komunës së Prishtinës do të organizojë një punëtori me Kosta Zhongën, i njohur për fëmijët si Xhaxhi Piktori, i cili sot bashkë me fëmijët, për ditën e 1 Qershorit do të kalojë një pasdite kreative në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky organizim do të nisë në ora 16:00 dhe parashihet të zgjasë deri në ora 19:00, ku janë të ftuar fëmijët që të jenë pjesë e këtij organizimi, të cilët bashkë me Xhaxhi Piktorin do të kalojnë çaste të paharruara në krijimin e pikturës puzzle me 32 pjesë, të cilat në fund të krijimit do të bëhen bashkë dhe do të formësojë pikturën e krijuar nga fëmijët pjesëmarrës.

Poashtu do të ketë edhe realizime të tjera kreative, duke përfshirë ato me pipza, pjata plastike, letra jeshile, luledielli si të Van Gog në 3D dhe krijime të tjera kreative.

Fëmijët pjesëmarrës përpos që do të kënaqen duke krijuar, poashtu do të shoqërohen edhe me nga një pije. / KultPlus.com

Ministri Çeku në KultPlus: Nuk e kam guximin e ministrave të kaluar që mos t’i raportoj parregullsitë në ministri

Era Berisha

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery është shndërruar në një vend ku gjithmonë zënë vend prezantimet nga më të ndryshme të artistëve, bashkëbisedimet për dhe rreth kulturës, shpalosjet e thella rreth çështjeve dhe kërkesave të rëndësishme të shtruara nga komuniteti artistik, si dhe shpalosjet e programeve për kulturë, si nga ana e qeverisë, ashtu edhe nga ajo e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Mbrëmë, një ngjarje e tillë ka mbledhur rreth vetës një numër të madh artistësh e udhëheqës të institucioneve kulturore, ku të gjithë kishin ardhur për të dëgjuar nga afër programin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, program ky që pritet ta zbatojë përgjatë mandatit katër vjeçar.

Përmes një diskutimi të përbashkët me komunitetin artistik, ministri fillimisht tregoi se fokusi i tij është në miratimin e programit për dy segmente ku përfshihet ndërtimi ndryshe i qasjes për nga mënyra se si funksionojnë institucionet kombëtare të kulturës dhe zhvillimi i një partneriteti strategjik me skemën kombëtare të pavarur. Këto dy drejtime janë pjesë kyçe të cilat do të përmbushin nevojën për reformën me një program më cilësor dhe më reprezentativ.

Skema e pavarur kulturore është menduar të bëhet aleat i shtetit për promovimin ndërkombëtar të artit, imazhit ndërkombëtar të shtetit dhe zhvillimit të mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve të Kosovës. Kurse, për institucionet kombëtare të kulturës tashmë ka filluar një diskutim me Ministrinë e Financave për të siguruar një lloj autonomie financiare dhe administrative të këtyre institucioneve.

Pasi të pranishmit kishin zënë vendet e tyre, nën shoqërimin e shiut që po binte furishëm, po njëlloj ishin edhe diskutimet rreth çështjeve të ndryshme që pasuan përgjatë diskutimit, të cilat herë nisnin në një frymë humori por përfundonin në rrjedhën e seriozitetit.

Debati nisi nën moderimin e aktores Vlora Merovci e ku fillimisht, Ministri u kujdes të falënderoj gazetën KultPlus për angazhimin e vazhdueshëm dinamik.

“Faleminderit KultPlus për një angazhim që disa vite nuk po ndalet e po e mban një lloj dinamike të diskutimit mbi çështjet që lidhen me artin dhe kulturën, prandaj për mua është kënaqësi të jemi së bashku këtu”, tha Çeku.

Sipas tij, ekziston një kaos që duhet të rimendohet për një funksion efikas ndaj reformave dhe parimeve të përgjithshme të cilat në krye kanë këshilla drejtues, drejtorë dhe mënyra të ndryshme të organizimit strukturor të programeve. Andaj, puna për të fuqizuar pozitat e udhëheqësve si: menaxherët e përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik, do të duhej të ishte njëra ndër pikat kryesore që këto figura të jenë shumë të fuqishme.

“Qëllimi final është programi cilësor dhe zhvillimi i audiencës përmes krijimtarisë, prodhimtarisë dhe konsumit kulturor. Prandaj, ekziston diskutimi me një grup të organizatave ku modeli i financimit është më i mirë dhe më i gjallë, për arsye se Ministria e Kulturës që 20 vite është më shumë skemë sociale sesa një Ministri e zhvilluar’’, thotë Ceku.

Për Çekun, është një fatkeqësi që në kulturë të ekzistojë një logjikë e shpërndarjes së fondeve për të gjithë nga pak sepse kultura nuk duhet të funksionojë me këtë logjikë sepse siç po shihet nuk ka rezultate deri më tash. Ndërkohë, ekzistojnë edhe propozime nga organizatat për një model tjetër për fondin kulturor ku vendimmarrja për projektet të jetë e pavarur në mënyrë që kultura të financohet jo si skemë sociale por si fond zhvillimor.

Tutje, Çeku foli edhe rreth çështjes së vendimmarrjes finale sepse ai shpesh ishte sfiduar me pyetje që kërkojnë përgjigje përfundimtare e sipas tij nuk ka një përgjigje përfundimtare sepse ai beson se në art dhe kulturë nuk duhet të ekzistojnë të tilla, definitive por parime të përgjithshme dhe orientime të ndryshme ngase përgjigjet përfundimtare vijnë nga vetë komunitetet.

“Deri tash kemi humbur kohë me ndërtimin e strategjisë sektoriale prandaj duhet të gjejmë forma më kreative, më të shpejta dhe të lehta për t’i lëvizur disa gjëra që kanë mbetur të bllokuara për një kohë të gjatë. Andaj, rëndësi kanë për të marrë ato fusha ku kanë nevojë më së shumti, aty ku komuniteti më orienton mua, por kur bëhet fjalë për trashëgiminë, unë do ti dhuroj prioritet maksimal kohor dhe buxhetor, konsolidimit të rreth 200 monumenteve që janë në rrezik, në çdo moment”, tha Çeku.

Teksa ai u pyet edhe nga moderatorja Vlora Merovci rreth gjendjes të cilën ai e ka gjetur institucionin, ai është shprehur se në fakt është pjesa më e dhimbshme dhe pjesa të cilën ai më së paku ka dëshirë ta flas për arsye se nuk dëshiron të tingëllojë sikur një shfajësim apo vënie faji të dikujt tjetër ose edhe distancim nga përgjegjësia.

“Unë çdo ditë i kujtoj vetes shifrën e zgjedhjeve të fundit sepse kur dikush të voton me këtë nivel të besimit të paarritshëm në shumë vende të botës, është një përgjegjësi e madhe”, potencon ai.

Mënyra më e mirë për të racionalizuar legjislacionin, mendohet të jetë vendosja e vetëm një ligji të kulturës e për çka ai ka kërkuar ndihmën e artistëve. Gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të publikohen edhe parregullsitë e tjera që mediat nuk i dinë por që është një listë mjaft e madhe.

Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Filharmonia e Kosovës, Muzeu i Kosovës dhe Ansambli Kombëtar i Shotës, janë vetëm disa institucione të cilat kanë nevojë për ndihmë emergjente dhe financiare, prandaj komuniteti artistik i pranishëm patën rastin të shtrojnë para Ministrit, jo vetëm problemet dhe shqetësimet e tyre por edhe kërkesat e shpresat, të cilat Çeku do të mundohet t’i realizoj.

Kërkesat dhe problemet e shtruara përfshinin: ndarjen e buxhetit, planet për vitet e ardhshme në kuptimin kapital, infrastruktura për të shfaqur punë dinjitoze, ndryshimi i administrimit politik të kulturës, mënyra e zgjedhjes së komisioneve, ndarja e subvencioneve, pajisja e institucioneve me kuadro të mirëfillta, mungesa e kritikave të mirëfillta në çdo fushë të artit, krijimi i vendeve të punës për gjeneratat e reja, drejtimi i kërkesave së klientëve në mënyrë të drejtë nga administratat, regjistrimi i projekteve në një vend ku shikohet progresi i tyre dhe vendi i saktë i tyre, planet për renovimin e Teatrit, takime me punëtorët e teatrit për çështje të ndryshme, ligji për të drejtat e autorit e shumë të tjera.

Pasi u deklarua se ai nuk e ka guximin e ministrave të kaluar që të mos raportoj parregullsitë që i detekton në ministri, Çeku, me një përgjegjësi të plotë u mundua t’i jap përgjigje secilës pyetje të artistëve.

Fillimisht tregoi se janë duke punuar fuqishëm për të themeluar institucionin e Operës për të pasur një program e aktivitet në një ambient të rregullt me premiera aktive.

Tutje u shpreh se do të punojë në minimizimin e Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në rolin e saj që e ka realisht.

“Duhet të hiqet dominimi absurd që është vënë mbi sektorin sepse tash po e vërej që Ministri ka vendosur si të ndahen subvencionet e gjë që nuk duhet ndodhur. Do të tentoj të eliminoj logjikën për të marrë projekte me shuma të vogla sepse kjo qasje e vjetër është shfrytëzuar për të shprehur ndikim politik. Komisionet tashmë janë duke u monitoruar nga media dhe duhet të ndërrohen komplet”, tha Çeku duke treguar se tash e tutje do ta mbaj kabinetin e tij larg vendimmarrjes.

Gjatë këtij diskutimi u tregua se tashmë Ministria e Kulturës është duke i zhvilluar tre databaza për kulturë, trashëgimi dhe sport ku çështja e projekteve do të trajtohet në mënyrë online ku të mos ketë më burokraci.

Krejt për fund të këtij diskutimi u fol edhe për performancat e kulturës jashtë vendit dhe përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Ky diskutim rreth cilësisë artistike lidhet me prezantimin ndërkombëtar sepse kemi nevojë për të komunikuar përmes artit dhe artistëve ku fondi të ngritet në një nivel ndërkombëtar. Ndërsa në UNESCO duhet të aplikojmë vetëm atëherë kur e dimë se do të anëtarësohemi sepse dështimi i kaluar nuk do të duhej të shndërrohej në një ndëshkim afatgjatë për Kosovën”, tha Çeku.

Kështu, krejt në fund nuk munguan as edhe admirimet për KultPlus si një forum i rëndësishëm për të debatuar rreth kulturës në një strukturë të përgjithshme si dhe lumturia për atë se çka u dëgjua përgjatë natës së mbrëmshme. Kurse, pas debatit të pranishmit lanë anash shqetësimet e tyre për të shijuar nga një gotë verë e për tu kënaqur me muzikë shqiptare që po kulmonte në ambientin e KultPlus Caffe Gallery.

Eventi ishte i sponsorisuar nga Stone Castle dhe Fluidi. / KultPlus.com

Mërgim Cahani, themeluesi i Kompanisë “Gjirafa” me rrëfim inspirues në KultPlus Caffe Gallery

Themeluesi i Kompanisë së madhe “Gjirafa” do të jetë i pranishëm sot në KultPlus Caffe Gallery për të shpalosur rrëfimin e tij inspirues.

Mërgim Cahani është udhëheqës i kompanisë Gjirafa në Kosovë, e cila është një platformë e përmbajtjes me video dhe studio të produksionit, dhe kompani lidere e shitjes online.

Gjirafa, Inc., është kompania me rritjen më të shpejtë në Ballkan që ofron shërbime të internetit dhe një nga start-ups me investimin më të madh VC nga investitorë me reputacion në Evropë. Gjirafa është cilësuar në pozitën e 11 në listën ‘Deloitte Technology Fast 50 ranking’ për Evropën qendrore dhe në pozitën e parë në regjion, me rritje 1,500% në katër vitet e fundit.

Ejani dhe dëgjojeni nga afër se si Mërgim Cahani përkundër sfidave dhe dështimeve në fillim, arriti të krijojë kompaninë më të suksesshme në vend.

Përveç rrëfimit, gjatë kësaj mbrëmje do të jeni të shoqëruar edhe me nga një gotë verë e muzikë të lehtë. / KultPlus.com

Mërgim Cahani, themeluesi i Kompanisë “Gjirafa” me rrëfim inspirues në KultPlus Caffe Gallery

Themeluesi i Kompanisë së madhe “Gjirafa” do të jetë i pranishëm në KultPlus Caffe Gallery për të shpalosë rrëfimin e tij inspirues.

Mërgim Cahani është udhëheqës i kompanisë Gjirafa në Kosovë, e cila është një platformë e përmbajtjes me video dhe studio të produksionit, dhe kompani lidere e shitjes online.

Gjirafa, Inc., është kompania me rritjen më të shpejtë në Ballkan që ofron shërbime të internetit dhe një nga start-ups me investimin më të madh VC nga investitorë me reputacion në Evropë. Gjirafa është cilësuar në pozitën e 11 në listën ‘Deloitte Technology Fast 50 ranking’ për Evropën qendrore dhe në pozitën e parë në regjion, me rritje 1,500% në katër vitet e fundit.

Ejani dhe dëgjojeni nga afër se si Mërgim Cahani përkundër sfidave dhe dështimeve në fillim, arriti të krijojë kompaninë më të suksesshme në vend.

Përveç rrëfimit, gjatë kësaj mbrëmje do të jeni të shoqëruar edhe me nga një gotë verë e muzikë të lehtë. / KultPlus.com

Një rrugë përplot sfida deri në skenat ndërkombëtare, Elbenita Kajtazi: Kam qëndruar edhe pa bukë

Suada Qorraj

Fotografitë Valbon Tishukaj

Historitë e jashtëzakonshme të suksesit jo çdo herë fillojnë në rrugët e lehta nëpër të cilat përballë ecjes nuk ke pengesa. Ndonjëherë pikërisht rrugët më të vështira, ato të cilat të hedhin sa në një skaj në tjetrin, janë rrugë në të cilat ndërtohet e ardhmja. E pikërisht e tillë është edhe historia e sopranos, Elbenita Kajtazi, dikur vajzës së vogël që shiste qumësht në lagje, kurse sot gruas, zëri i së cilës ka pushtuar teatrot ndërkombëtare.

Sikurse në çdo vit tjetër, edhe këtë herë KultPlus, Ditën e Gruas e shënoi pikërisht me rrëfimin e jetës, fëmijërisë, sfidave, por edhe magjinë e majës së suksesit, të sopranos Elbenita Kajtazi, shkruan KultPlus.

Nën moderimin e gazetares Xhemile Hysenaj, sopranoja Kajtazi me një modesti të jashtëzakonshme dhe një oratori për lakmi, nisi të shpaloste kujtimet e fëmijërisë, tregoi se si kur ishte fëmijë, ruante lopën, dashurinë ndaj së cilës nuk hezitonte ta shprehte. Madje ajo rrëfeu edhe kohën kur për të ndihmuar familjen, rrugët e lagjes ku banonte i kishte shfrytëzuar si vendin ku qumështin e lopës, të cilës i kishte vënë dhe emër, e shiste.

“Pas luftës, nga shtëpia e madhe ku jetonim së bashku me axhallarët, tashmë jetonim ndaras, dhe si në çdo familje tjetër ishte bërë edhe ndarja e gjërave. Ne gëzuam një nga dy lopët e familjes. Unë e kam dashur shumë atë lopë, aq sa s’mund ta përshkruaj me fjalë, Larukë i kam thënë. Me të kam shkuar në arat e fshatit. Qumështin të cilin nëna e merrte nga lopa unë e kam shitur në lagje dhe për këtë jam shumë krenare”, kujton kështu Kajtazi një pjesë nga fëmijëria e saj.

Sopranoja thekson rrugët që bënte së bashku me lopën e familjes, nga shtëpia tek arat, kalonin edhe përmes qytetit ku ajo shpesh herë takohej me nxënësit e tjerë të shkollës, të cilët pa hezituar e përqeshin faktin që ajo kujdesej për lopën. “Mua s’më ka interesuar edhe aq shumë kjo sepse unë e kam dashur lopën time aq shumë sa fjalët e tyre nuk më lëndonin”, vazhdoi rrëfimin e saj me përplot nostalgji e komplekset nuk kishin vend te kjo artiste e madhe.

Meqë ky event po mbahej pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Kajtazi kishte vendosur që në rrëfimin e jetës së saj të ndalej tek tri gratë që ja ndryshuan përgjithmonë rrjedhën e jetës.

Nëna ishte udhërrëfyesi i parë në jetën e saj. Duke e drejtuar atë vetëm drejt shkollimit, dhe insistimi i saj që Elbenita t’i ndjek ëndrrat, kishin qenë forca e parë që asaj i dhanë guxim për të provuar çdo sfidë.

Andaj, Kajtazi nuk rresht së përmenduri përkrahjen e madhe që ka marrë qysh si fëmijë nga nëna e saj. Ajo thotë se ndihet krenare për faktin se nëna e ka shtyrë gjithmonë atë dhe gashtë motrat e saj drejt shkollimit, pavarësisht kushteve të vështira në të cilën gjendej familja. Dhe pikërisht nëpërmjet kësaj shtytjeje të vazhdueshme, Elbenita Kajtazi hodhi hapat e parë drejt një karriere të suksesshme në muzikë. Fillimisht ajo përfundoi shkollën e mesme të muzikës në qytetin ku kishte lindur. Për të udhëtuar më pas drejt Prishtinës dhe për të zënë vendin e saj në Fakultetin e Arteve në kryeqytet.

Por, edhe ardhja në kryeqytet nuk ishte e lehtë. Kajtazi tregon se si për të vazhduar studimet dhe për të ja lehtësuar sado pak familjes barrën, ajo kishte filluar punën në një dyqan të rrobave.

“Në muajin e parë kur kam ardhë në Prishtinë, babai më ka ndihmuar duke më dhënë paratë e nevojshme për pagesën e konviktit dhe mensës dhe kjo ishte shuma që unë kisha për tërë muajin. Ka pasur raste kur s’kam shkuar në mense për shkak të ligjëratave të vonshme dhe kështu kam qëndruar dhe pa bukë. Por, pas një muaji kisha gjetur një punë në një butik, ku punova diku rreth një muaj e gjysmë”, deklaroi Kajtazi.

Kajtazi kujton edhe një nga ditët në këtë punë ku edhe kishte takuar një nga profesorët e saj, të cilit disa herë i kishte munguar në orën e mësimit. Teksa flet për të, Elbenita tregon se si ai i kishte kërkuar që ta linte punën ngase ai do të bënte të pamundurën që Elbenitës t’i siguroi një vend në Filharmoninë e Kosovës, ngase ajo posedonte një zë e talent të jashtëzakonshëm.

Pranimi në Filharmoninë e Kosovës dhe përfundimi me sukses i studimeve shënon ëndrrën e çdo prindi për fëmijën e tyre, njëlloj sikurse edhe për prindërit e Elbenitës. Por, ëndrrat e sopranos nuk ndaleshin këtu, ajo synonte të arrinte më tepër, të ndërtonte karrierën e saj jashtë kufijve të vendit.

Elbenita tregon se si në atë kohë gjendej përballë një dëshpërimi ngase kishte marrë një refuzim nga një këngëtar i famshëm shqiptar, dhe madje kishte menduar që të ndryshonte profesionin dhe të bëhej avokate. Por, ishte pikërisht intervista e Ermonela Jahos në njërin nga televizionet shqiptare, që Elbenitës i dha guximin t’i shkruaj asaj dhe t’i kërkoj ndihmë.

“E kam marrë telefonin dhe po i shkruaj në Facebook me një mesazh shumë të gjatë, ja dërgova disa video, duke i shpjeguar se nuk po i kërkoj t’më nxjerrë nga Kosova, por thjeshtë të më tregoj se sa vlejë. Ermonela ma ka kthyer mesazhin brenda dy minutave dhe më ka thënë se ngase i pëlqen zëri im ajo dëshiron të më ndihmoj”, tregon kështu me përplot emocione sopranoja, e ku nuk i munguan as lotët.

Këtë bisedë që ajo e bëri me Ermonelën, e konsideron si një nga bisedat që i ka ndryshuar jetën më së shumti dhe për të mirë. Tutje ajo shpjegon dhe takimin e saj të parë me Ermonelën dhe këngën që ka kënduar për të.

“Ermonela Jaho më ka dhënë një qafore me zemër dhe ka thënë që zemra e saj do jetë gjithmonë me mua”, rrëfen tutje Kajtazi.

Ishte Ermonela ajo që e ndihmoj Elbenitën që të konkurroj në një garë në Itali. Teksa rrëfen peripecitë e këtij rrugëtimi, ajo thotë se kur kujton këtë kohë, e mendon veten mjaft të guximshme sepse duhet guxim të shkosh nga një vend ku nuk ka as sallë të operës, në një garë ku marrin pjesë artistë nga e gjithë bota.

“Kam shkuar tre herë në atë garë, deri sa kam zënë vendin e parë”, thotë Kajtazi duke na dëshmuar për këmbëngulësinë e saj drejt suksesit.

Por, ndryshimi më i madh në jetën e Elbenitës ende nuk kishte ndodhur, ngase ditët e kaluara në Amerikë, kur kishe shkuar të përfaqësonte Kosovën, i dhanë kahje tjetër jetës së saj. Kajtazi tregon se si kishte menduar të mos largohej nga Amerika, të qëndronte atje dhe të bënte një ndryshim në jetën e saj, duke lënë pas familjen, nënë babin, por edhe Ardianin, që tashmë është edhe bashkëshorti i saj.

“Në Amerikë takova regjisoren Vera Kalabria ku në njërën nga ditët teksa qëndronim bashkë në kamp i thashë se kam vendosur që të mos kthehem në atdhe por të qëndroj në Amerikë, në atë kohë kisha një ambicie të madhe por një pjekuri shumë të vogël. Ishte Vera ajo që më këshilloi që të kthehesha në Kosovë, duke premtuar se në momentin që unë do marr shengen vizën ajo do më ndihmonte”.

Duke qenë një vajzë luftarake, Kajtazit nuk ju deshën më shumë se një muaj që të siguronte vizën dhe t’i shkruante Verës, gruas së tretë në jetën e saj që i dha shtysën e fundit ndoshta për nisjen e një karriere të suksesshme. Ajo tregoi me përplot emocione teksa e shpjegonte edhe me duar reagimin befasues që kishte marrë nga Vera Kalabria.

Fillimisht Kajtazi kishte shkuar në Vjenë ngase aty kishte dhe familjarë të saj, ku dhe fitoi bursë studimi që në audicionin e parë, por për shkak të kushteve jo të mira ekonomike ajo duhej ta refuzonte atë.

Një gjë e tillë nuk ndali dot shpirtin luftarak dhe kërkues të Elbenitës, me ndihmën e Verës ajo udhëton për në München, ku do të mbante audicion në teatrin e këtij qyteti.

“Kur shkova në München drejt e në audicion me pantallona dhe atlete, teksa teatri ishte aq i madh dhe po aq i bukur”, rrëfen sopranoja.

Teatri i Münchenit kishte pranuar pa hezitim që Elbenitën ta bënte pjesë të ekipës së vet, mirëpo pikërisht itendanti i atij teatri, që e kishte përkrahur Kajtazin që në momentin kur kishte hyrë brenda e kishte udhëzuar që të mos pranonte një gjë të tillë sepse më pas do të kishte një karrierë të shkurtër operistike duke i siguruar asaj një tjetër audicion në Operën Gjermane të Berlinit. Madje ai i kishte ndihmuar edhe me pagesën e rrugës duke i lënë dhe një letër në të cilën i uronte fat.

Shkuarja në Berlin e takoi prapë Elbenitën me Verën ku këtë herë i kishte ndihmuar sopranos që në audicion të mos shkonte e veshur me pantallona siç kishte bërë deri atëherë. Dhe nga këtu fillon dhe karriera e saj e suksesshme në botën e operës ngase ajo tashmë ishte pranuar në Operën Gjermane të Berlinit.

Kajtazi madje tregon se si në provën e parë kishte shkuar dhjetë minuta me vonesë, e të cilën e konsideron si një nga mësimet më të mëdha të jetës sepse nga ajo ditë ajo kishte mësuar kulturën e të arriturit me kohë në prova.

Kajtazi rrëfen edhe për paraqitjen e saj të parë në skenën e operës, emocionet por dhe frikën që ka përjetuar, ngase për të ishte hera e parë që luante në një skenë aq të madhe e me një publik aq të madh. Ajo e konsideron shumë të rëndësishme faktin që pavarësisht hezitimeve të saja se nuk kishte arritur të luante si duhej në shfaqje, ishte pikërisht regjisorja ajo që e kishte frymëzuar dhe bërë më të fortë e duke e vënë në pah punën e mirë që kishte bërë.

Në mbrëmjen e organizuar nga KultPlus, Elbenita i kishte të pranishëm edhe familjarët, por një gjë të tillë nuk i has shpesh ta përjetojë edhe në skenat ndërkombëtare.

Shkaku i vizave, familjarët e saj rrallë kanë qenë të pranishëm, por që pjesërisht ata kanë arritur të shohin shfaqje të Elbenitës në skenat ndërkombëtare e ky për të mbetet një emocion i veçantë.

Kajtazi, përkundër suksesit, një bashkëpunim të mirë vazhdon ta mbajë me Filharmoninë e Kosovës dhe festivalet klasike në vendin tonë. Sopranoja tregoi se nuk përjashton mundësinë e mbajtjes së një koncerti në Kosovës së shpejti, mirëpo që sipas saj ende nuk ka ndonjë gjë definitive në këtë aspekt ngase akoma janë në bisedime e sipër.

Krejt në fund të këtij rrëfimi inspirues, ishte edhe publiku ai i cili me pyetjet e tyre u interesuan më tepër edhe për faktin nëse Elbenita ka mirësinë dhe vullnetin që tu ndihmonte studentëve, njëjtë si Ermonela që i kishte ndihmuar asaj dhe publiku vetëm sa e kuptoi që Elbenita tashmë e kishte bërë një gjë të tillë e do të vazhdonte ta bënte sa herë që të kishte mundësi.

Të pranishmit, të emocionuar pafund nga ky rrëfim, pas përfundimit të ngjarjes, e takuan nga afër Elbenitën duke e përgëzuar për guximin e ku nuk mungonin as fotografitë e shumta. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi nesër në KultPlus Caffe Gallery, vjen me një rrëfim inspirues

Nesër duke filluar nga ora 19:00 në ambientet e KultPlus Caffe Gallery do të organizohet bashkëbisedim me sopranon e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi.

Kajtazi që tash e sa vite është duke shënuar një karrierë të bujshme në skenën ndërkombëtare. Kjo mbrëmje përkon me festën e 8 Marsit, festës së gruas, ku Elbenita Kajtazi është shembulli më i mirë i një gruaje që ka luftuar për të arritur suksesin e saj.

Jeni të ftuar të jeni pjesë e kësaj mbrëmjeje ku do të përjetoni nga afër rrëfimin e suksesit të artistes Kajtazi.

Poashtu pas diskutimit keni mundësi ta takoni edhe personalisht artisten, duke shijuar edhe nga një gotë verë. / KultPlus.com

Një gotë verë e muzikë për dashni më 14 Shkurt në KultPlus Caffe Gallery

KultPlus Caffe Gallery po hap dyert për të dhuruar dashuri e për ta bërë më të ngrohtë ditën e 14 Shkurtit.

Ditën e dashnisë do ta festojmë bashkë me këngët më të mira që i këndojnë kësaj ndjenje dhe me nga një gotë verë.

Nën zërin dhe tingujt fantastik të muzikës së Endrit Rexhepit, pas gotës së parë të verës, gotën e dytë e ke gratis nga KultPlus Caffe Gallery.

Bashkoju karavanit të festës së dashurisë më 14 shkurt, duke filluar nga ora 14:00 e deri më 21:30. / KultPlus.com

Në KultPlus Caffe Gallery, artistët diskutuan me Kurtin dhe Osmanin për problemet me të cilat përballet ky komunitet

Suada Qorraj

Ambientet e  KultPlus Caffe Gallery tashmë kishin hapur dyert për të mirëpritur artistë e regjisorë të shumtë, të cilët tashmë po prisnin që të takoheshin dhe diskutonin për artin dhe kulturën me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Ishte gazetari Arbër Selmani ai që hapi mbrëmjen duke falënderuar të ftuarit, por edhe dy figurat kyqe të kësaj mbrëmjeje.

Teksa e tërë vëmendja tashmë ishte përqendruar pikërisht tek katërshja që qëndronte përballë komunitetit të artistëve, Vjosa Osmani filloi fjalimin e saj duke treguar se është çdo herë kënaqësi e madhe takimi me artistët.

Ajo shtoi më pas se ky vit ka qenë një vit i suksesshëm për filmin e Kosovës, duke potencuar filmin “Zgjoi”, me regji të Blerta Bashollit, por edhe duke vënë theksin në atë se përgjatë këtij viti, kultura dhe tradita shqiptare me një sukses të madh po i shpaloset botës.

“Ky vit ka qenë tepër i suksesshëm, e kemi suksesin e fundit me filmin “Zgjoi”, të Blerta Bashollit, sukses që na ka bërë krenarë të gjithëve.  Pastaj, këto ditë po shohim se si Rita Ora do ta prezantojë traditën tonë, veshjet tona, nëpërmjet një videoklipi të ri, suksese këto që nuk janë të vetme, sepse nëpërmjet kulturës, artistët po promovojnë kulturën tonë”, ka thënë para të pranishmëve Osmani, e cila ka shtuar se edhe këtë vit shpreson në suksese të mëdha të komunitetit të artistëve, sukses që e kanë dëshmuar tash e shumë vite, e që sipas saj, për fat të keq, politikanët dukshëm kanë pas performancë më të dobët se sa komuniteti i artistëve.

Tutje ajo ka shtuar se përkrahja që do ti japin kulturës nuk do të jetë përkrahje vetëm për artistët, por një përkrahje për shtetin, sepse ky komunitet është imazhi dhe pasqyra më e mirë e një shteti. E sipas saj një shtet i mençur investon në një imazh të mirë, e briliant që artistët kanë ndërtuar përgjatë viteve.

Ndërkaq lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kuri shpalosi programin qeverisës të partisë së tyre, gjithnjë në fokus të artit dhe kulturës. A theksoi se në ketë program përfshihen institucionet e artit, krijimi i Teatrit te Operas dhe Baletit e shumë investime të tjera.

“Me qeverisjen tonë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, institucionet e artit do të kenë buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm, pra nuk do të varen nga Ministria në linja buxhetore. Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve do të kenë të garantuar financimin e rregullt dhe fondin e shtuar për projektet artistike. Njëjtë dhe për baletin, ansamblin dhe institucionet e tjera. Do ta themelojmë edhe Teatrin e Operas dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm”, deklaroi ndër të tjera Kurti.

Kurti shtoi se në plan programin e tyre zgjedhor përfshihet edhe shpëtimi i trashëgimisë në rrezik, por edhe mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Kurse Ardianë Pajaziti, kryeredaktore e KultPlus ka thënë para të pranishmëve se pikërisht në mbrëmjen e sotme, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë mbledhur artistë të profileve të ndryshme, që presin mbështetjen e institucioneve shtetërore për jetësimin e projekteve dhe ideve të tyre.

“Artistët vazhdojnë të jenë imazh i mirë i Kosovës, andaj, një mbështetje institucionale më e madhe ndaj këtij komuniteti, është shumë i rëndësishëm për artistët por edhe për imazhin e Kosovës”, ka thënë Pajaziti.

Më pas, Pajaziti bashkë me Osmanin dhe Kurtin kanë takuar veç e veç të gjithë artistët pjesëmarrës, të cilët edhe kanë treguar për idetë dhe mundësitë e bashkëpunimit në jetësimin e projekteve të ndryshme. Ndërkohë, të pranishmit kanë pas rast të shohin për së afërmi ekspozitën e Yllka Letit, ekspozitë që vazhdon të jetë e hapur në ambientet e KultPlus Caffe Gallery

(Ngjarja u mbështet nga Stone Castle, Fluidi, Birra Prishtina dhe Uji Dea) /KultPlus.com

Yllka Leti në hapjen e ekspozitës së saj: Tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj

Jeta Zymberi
Fotografitë: Nok Selmani

Është e jashtëzakonshme kur zemrat humane bëhen bashkë për një kauzë të veçantë. I jashtëzakonshëm është edhe arti i Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, shkruan KultPlus.

“Kjo ekspozitë nuk është e zakonshme, kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme”, shpalosi mbi 10 punime të Yllka Letit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery duke bërë bashkë kështu shumë artdashës, politikanë e artistë.

Që situata e 215 fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje të përmirësohet, që zëri i tyre të dëgjohet e kërkesat të ju plotësohen, Yllka sonte u bë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.

Në hapje të ekspozitës, moderatori Arbër Selmani u shpreh se ekspozita vjen si një nismë për të ju dal në ndihmë të gjithë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.

Tutje fjalën e mori nikoqirja e kësaj mbrëmje, Ardianë Pajaziti e cila tha se kjo ekspozitë duhet të shërbejë si nismë drejt një kauze më të madhe.

“Yllka Leti është një vajzë e re e cila detyrohet që përmes artit të saj të sigurojë barnat të cilat janë shumë të kushtueshme. Urojmë që institucionet e vendit t’i dalin në ndihmë Yllkës dhe gjithë fëmijëve të tjerë dhe Yllka pikturën ta ketë pasion e jo detyrë sepse kjo njëherit është edhe shkelje e të drejtave të fëmijëve”, theksoi Pajaziti.

Prezenca e Yllka Letit po i jepte kësaj mbrëmje hijeshi të shtuar. Por kur ajo mori fjalën, emocionoj të gjithë.

“I vetmi moment kur unë Yllka Leti ndjehem gjallë është kur unë jam duke pikturuar. Pra, tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj”, ishin fjalët hyrëse të Yllkës për të vazhduar tutje të na njoftoj me atë që ajo ballafaqohet çdo ditë.

“Që kur kemi lindur vuajmë nga kjo sëmundje e rëndë, e ngarkuar me barna, trajtim të shtrenjtë, terapi të përditshme. Prindërit tanë vërtetë po luftojnë duke kërkuar barna në çdo vend të botës e nga njerëz të panjohur. Njerëzit tanë mbetën duke na premtuar. Vendi jonë nuk po përmirësohet, zëri jonë nuk po dëgjohet, kërkesat tona nuk po plotësohen”, u shpreh Yllka.

Yllka Leti

Krejt për fund ajo kishte një lutje për të gjithë e në veçanti për institucionet e vendit: “Ju lutem që të na ndihmoni, dua të ndjehem e gjallë edhe kur nuk pikturoj, Dua të pikturoj me dëshirë , me dashuri, e jo që të mbijetoj. Zgjedhje shumë e zgjidhje hiq!”, theksoi artistja e re.

Për të futë barnat e saj në listën e barnave esenciale ka pas disa herë negociata dhe premtime nga politikanët dhe udhëheqësit nëpër vite, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri tani.

Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe krerët e partive të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të shohin për së afërmi ballafaqimin e kësaj vajze, e cila në vend se të krijonte për pasion, ajo detyrohet të krijojë e të shes pikturat për sigurimin e terapisë së saj.

Por të pranishëm ishin vetëm dy prej tyre. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitija, dhe ish ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e që me prezencën e tyre sikur i dhanë një siguri më tepër Yllkës që dora e shtetit do të shtrihej mbi këta fëmijë.

Në një fjalë rasti, Albin Kurti u shpreh se ndihet me përgjegjësi të dyfishtë, që jo vetëm të nxjerr vendin nga pandemia, por njëkohësisht edhet këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti.

“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që po marr pjesë në këtë ekspozitë në Galerinë Kult Plus ku po ekspozohen punimet e një artisteje të re, shumë produktive e cila këto punime i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, që na ka pllakosur të gjithë neve, ndërkohë që kjo ka edhe një sëmundje shumë më të rëndë se kjo tjetra që e ndan me neve, ajo e Fibrozës Cistike. Ne jemi edhe të privilegjuar që e kemi Yllkën dhe po i shohim punimet e saj, por njëkohësisht edhe me përgjithësi të dyfishtë që jo vetëm ta nxjerrim vendin tonë nga kjo pandemi, por njëkohësisht edhe këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti”, ka thënë Kurti duke u zotuar që do të bëjnë një rikthim që barnat e nevojshme për Fibrozën Cistike të jenë në listën e barnave esenciale.

Ndërsa ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili pati punuar që këto barna të hyjnë në listë, u shpreh se do të vazhdojë të punojë që të ketë një reagim sa më të shpejt nga institucionet përkatëse.

“Kjo ekspozitë është një ide e jashtëzakonshme sepse është një platformë që e rritë edhe nevojën te të gjithë fëmijët që janë me sëmundje të rralla. Nëpërmjet Yllkës ne e kuptojmë një realitet që gjendet në shumë familje dhe në këtë rast një gjë e tillë është mëse e mirëseardhur, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë edhe obligimin që shteti  ka ndaj tyre”, u shpreh Ismaili duke uruar që të ketë një reagim më të shpejtë nga gjithë institucionet përkatëse në këtë rast.

“Shpresoj që do të gjejmë një vullnet pak më të madh politik dhe të realizojmë, ne kemi bërë një punë dy vjeçare deri në përpilimin e asaj liste.”

Krejt për fund, të pranishmit përveç që i shijuan pikturat, shumica nga ta vendosën të marrin një copë “Yllkë” me vete. Një ndihmë e vogël ndoshta për Yllkën por një zemër e madhe që do të thotë shumë.

Kujtojmë që ekspozita shitëse e Yllka Letit do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur çdo ditë nga ora 8:00 – 21:00.
Kjo mbrëmje u organizuar edhe me mbështetjen e “Stone Castle” dhe “Fluidi”. / KultPlus.com

Në KultPlus Caffe Gallery mbahet leximi skenik ‘Ella dhe Shega’

Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery pasditen e sotme u mbajt leximi skenik ‘Ella dhe Shega’ e autores Florie Bajoku nën regjinë e Iliriana Arifit. Pjesë e këtij leximi skenik ishin edhe aktorët e mirënjohur kosovar Shpëtim Kastrati, Florieta Bajraktari, Flaka Latifi dhe Egzon Mustafa, shkruan KultPlus.

‘Ella dhe Shega’ është një shfaqje tipike për fëmijët se si ata duhen të shfaqin ndjeshmëri ndaj njëri – tjetrit kur ata gjenden në situata të pafavorshme, qofshin ato materiale apo të natyrave të tjera, dhe si ata duhet të reagojnë kur miku i tyre është në hall apo nevojë.

Për shkak të situatë së krijuar nga pandemia “Fondacioni Mute” u detyrua që planifikimet e veta teatrore ti modifikoj dhe adaptoj që të jenë të realizueshme, e njëkohësisht që tu dhuroj fëmijëve një performancë me temë edukative dhe festive, siç dhe duhet të jenë festat e fundvitit.

Teatri i ndihmon fëmijët që të përshtaten që të mos shohim një imazh të ri çdo 3-4 sekonda dhe të kuptojnë se diçka mund të jetë argëtuese dhe tërheqëse pa një ndryshim të vazhdueshëm të pamjes. Ata do të mësojnë se si të ulen në heshtje dhe të respektojnë emocionet e të tjerëve duke i dëgjuar ata dhe duke ndjerë empati ndaj tyre.

Fondacioni Mute që nga viti 2016 përfshinë edhe fëmijët në teatër përmes projektit “Unë/ ty, dashuri në paketë”, i cili është përcjellur me shfaqje teatrore që nga viti 2016, mirëpo që këtë vit nuk u organizua për shkak të pandemisë./ KultPlus.com