Në 40 vjetorin e filmit ‘Proka’, Isa Qosja vjen me një rrëfim të rrallë në KultPlus Caffe Gallery

Vjollca Duraku

Një bashkëbisedim i ngrohtë, i rrallë dhe i jashtëzakonshëm është mbajtur mbrëmë me regjisorin e madh, Isa Qosja, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. Në këtë ndejë e cila u organizuar me rastin e 40-të vjetorit të filmit ‘Proka’ u shfaq papritur edhe malli i sa e sa viteve të mungesës së regjisorit të mirënjohur, i cili ka kohë që është tërhequr nga adhuruesit e tij dhe nga jeta publike në përgjithësi, të cilës për vite me radhë i kishte dhënë aq shumë.

Filmi ‘Proka’ është  filmi i parë i regjisorit Qosja, i cili edhe pse i realizuar në fillim të karrierës së tij si regjisor, para katër dekadash, vazhdon të kryesojë listën e filmave më të mirë të kinematografisë tonë. Kjo prurje flet për një artist të papërsëritshëm, e i cili konsiderohet “numri një” i filmit. Përmes një rrëfimi jetësor të sinqertë e të përzemërt me aktoren Vlora Merovci, regjisori Qosja i tregoi prapaskenat dhe detajet e filmit ‘Proka’ dhe të filmografisë si asnjëherë më parë.

Regjisori Qosja në këtë rrëfim intim me adhuruesit e tij, tregoi që ideja për të krijuar skenarin e filmit “Proka” i kishte lindur pasi i ishte dhënë ta lexonte një libër të Filip Papajanit.

“Te ‘Proka’ ka parë një njeri që rebelohet në mënyrë të heshtur, rebelohet në mënyrë të qetë, mu duk pak si personazh antik. Kisha dëshirë ta shihja një personazh të tillë, dhe fillova të bëj skica, në këtë kontekst Azem Shkreli ishte gjithnjë pranë krijuesve, i cili ishte edhe arkivë e diturisë edhe për rrjedhat shoqërore edhe për letërsinë mos të flasim për poezinë. Ishte artist në shpirt nganjëherë edhe bohem. Një njeri i jashtëzonshëm në gjeneratën e krijuesve që atëherë erdhën nga shkolla të ndryshme që i kishin kryer në Ballkan. Më sugjeroi të bashkëpunoj me Eqerem Bashën me këtë ide dhe filluam e bëmë skenarin”, ka thënë regjisori Qosja.

Filmi “Proka” është realizuar në vitin 1984, në të cilin trajtohet një ngjarje simbolike e filozofike, që përqendrohet në betejën mes individit dhe shoqërisë, si dhe në çështjen e lirisë dhe ekzistencës. Aty tregohet historia e një burri të thjeshtë, i cili përballet me sfidat e jetës dhe me presionet e një jete të mbyllur. ‘Proka’ gjykohet sepse ai e prish mentalitetin e provincës me atë qe nuk lutet për të rënë shi, i cili vazhdon të punojë përkundër një thatësire të madhe. Rrethi social me të cilin ai ballafaqohet në film e shpallin të rrezikshëm dhe psiqikisht të sëmurë.

Profesor Qosja ka thënë që gjatë realizimit të filmit i dukej që po artikulohej dhe se po e  gjente vetveten si artist dhe si njeri. Mbi të gjitha ai tha që këtë film e kishte realizuar me zemër, duke iu referuar regjisorit Ingmar Bergman mbi filozofinë se filmat bëhen me zemër ose me mendje.

“”Proka” është ai që iu bën ballë padrejtësive por edhe mënyra se si iu bën ballë është ajo metoda të cilën unë e preferoja. Nuk mund të shkëputet asnjë vepër e një krijuesi prej krijuesit. Nuk mund të jetë vetëm prodhim për një qëllim.

Unë e gjeta veten në një mënyrë, aty flitet edhe për njeriun që dëshiron të dallohet nga mjedisi, për diçka qoftë për sjellje, për angazhim të vetin, për emocion, për dashurinë ndaj të tjerëve, për dashurinë ndaj vetvetes ose për përkushtim. Dhe natyrisht ti duhet ta gjesh vetveten në krejt këto dimensione për të patur filmi atë pjesë që e themi ne është e zemrës, e kam punuar me zemër. Kur themi e kam punuar me zemër nënkupton që ti nuk e ke të rëndësishme a do të vlerësohet kështu apo ashtu, apo do të gjykohet”.

Mbi këtë qështje ai më tutje thotë që regjisorët të cilët kanë arritur që të gjejnë hamoninë mes mendjes dhe zemrës kanë arritur të krijojnë vepra të gjithmonshme dhe të gjithhershme, të tillë si: Ingmar Bergman, Federico Fellini dhe Andrei Tarkovsky.

Në filmin e ‘Prokës’ përkundër konflikteve personale, reflektohen edhe tensionet shoqërore të kohës kur është krijuar si projekt.

“Secili nga ne në një mënyrë ka kontribuar në atë mision, në atë që quhet dëshmi për përkushtimin atdhetar. I pari që e jep dëshminë e tij është populli, populli i shpreh së pari të gjitha pakënaqësitë, natyrisht pjesë e popullit jemi të gjithë ne dhe po nuk fole me gjuhën e popullit është anakronizëm. Ne e kemi ndier që duhet të themi diçka edhe ne si krijues, por kjo që duhet të themi diçka në një mënyrë e zbehë autorësinë në një film. Në një vepër artistike, sepse të bart gjendja emocionale për të thënë dicka më fuqishëm, për të dërguar një mesazh”, ka thënë më tej profesor Qosja.

Më tutje, profesor Qosja ka thënë që filmi Proka përmban shumë arte të veçanta ne vetvete duke përfshirë artin e muzikës, letërsisë, fotografisë të cilat filmin e bëjnë një art vërtetë madhështorë, shumë domethënës dhe kuptimplotë me mesazh.

“Sa herë i shoh filmat e mij, shoh që kam shumë gabime, shumë kisha me i ndryshu, është atësi e pandershme, por ja që ne i shohim shumë më shpesh gabimet se ato që ja vlenë. Megjithatë, “Proka” ka një të mirë. Atë kundërshtinë e tij të heshtur, e cila është mesazh i përhershëm. Ajo më pëlqen si vijë gjenerale, si vijë e përgjithshme. Ajo më pëlqen, ndoshta për faktin që unë nuk jam njeri që shërbehem me potera. I marr në heshtje të gjitha, gjërat, natyrisht thonë që ato që shkarkohen në heshtje bëjnë më keq, por shumë më mirë është me e mbajtë të keqen në vetvete, se më ju përplasë të tjerëve. Kështuqë “Proka” e ka këtë vlerë për mua dhe ka vlerën e freskave në kuptimin e rëndësisë së fotografisë”, ka thënë profesor Qosja duke e zgjeruar rëndësinë e fotografisë në film.

“Secila pamje ka pasur në vetvete një mesazh të vogël. Këta filma të vegjël e bëjnë një film më të gjatë. Te dikush kjo mund të mos funksionjë, unë mbetem në atë rrugën e vjetër të filmit i cili shprehet me fotografi në mënyrën më kuptimplote. E di që ka teksti shumë rëndësi, por nganjëherë ndodhë që ne duke u marrë me tekstin ne harrojmë përmbajtjen, posaqërisht aktorët e kanë këtë veti. Aktorët që e trajtojnë më shumë tekstin se sa përmbajtjen nga pak kalojnë në skenën teatrale. Fotografia është ajo që e gëlltitë tekstin, andaj në situata të tilla duhet pasur kujdes”, ka thënë ai.

Profesor Qosjen e frikëson plani i afërt në krijimin e filmit, pasi sipas tij është një teknikë e cila kushton shtrenjtë.

“Duhet pasur kujdes nga plani i afërt. Unë e kam frikë planin e afërt. Fakti që me plan të afërt ti i sheh sytë e njeriut prej të cilëve nuk mund të ikësh, nuk ke nga ja mban, sytë e njeriut janë pasqyra e brendshme dhe po i pe sytë e njeriut nëse ata sy nuk ta sjellin gjendjen spontane, qetësinë, po të shqetësojnë automatikisht ke dalë prej linje. Planet e afërta janë të shtrenjtë”.

Natyra si element përbërës i çdo kuadri, lidhshmëria e regjisorit Isa Qosja me natyrën

Për regjisorin Isa Qosja, natyra përbën një element shumë të rëndësishëm krijues, qoftë në aspektin e formësimit të njeriut, qoftë në aspektin e inspirimit të artistit për të realizuar vepër arti.

“Natyra është pjesë e asaj që unë e konsideroj ngjarje, tregim. Natyra ndikon në secilin njeri, në secilin nga ne. Ne jetojmë së bashku me natyrën dhe në momentin që e ndiejmë fuqinë e natyrës, ne shprehemi ndryshe. Kjo është përshtypja ime. Është një intuitë brenda njeriut, brenda natyrës që shpalos dashurinë me natyrë të veçantë. Në natyrë të veçantë e shpalos edhe mos durimin, emocionin që se ka njohur. Natyra ka ndikim të jashtëzakonshëm, prandaj e konsideroj si një element themelor në një kuadër”, ka thënë ai.

Profesor Qosja ka lindur  në vitin 1949 në Vuthaj të “Malit të Zi”, fshat ky i cili është i njohur për natyrën e tij të mahnitshme dhe të paprekur. Ky fshat ndodhet në zemër të Alpeve Shqiptare dhe ka një peizazh të mrekullueshëm malor me male të larta dhe maja mbresëlënëse.

“Nganjëherë mund të duket një lloj western-i i vogël sepse është element konstituiv i përmbajtjes brenda asaj që e quajmë brendësi të njeriut. Është e pamundur ta evitosh. Është e pamundur ta evitosh edhe fuqinë e natyrës, është themelore ajo dhe nganjëherë dijmë me besu në fuqinë e natyrës dhe në unifikimin e ndjenjës sonë me reagimin e natyrës. Mund të reagojë natyra. Një shi mund të bie rastësisht por që përputhet me momentin e gjendjes sonë emocionale”, ka thënë ai.

Heshtja, mençuria më e madhe e njeriut

Profesor Qosja në pjesën më të madhe të jetës së vetë thotë se ka qenë oportunist, dhe se më të dobishëm për shoqërinë sipas regjisorit janë njerëzit e kundërt me të.

“Diku të mësojnë, sepse heshtja është menquria më e madhe, ajo që nuk thuhet shpeshherë është ideja më e menqur. Dhe nëse ajo depërton te bashëbiseduesi ose bashkëbiseduesi te të tjerët, atëherë ne me të vërtetë hipotetikisht po themi një teori që për mua funksionon shpesh. Në zhargonin modern mund të quhet edhe oportunizëm që është veti e keqe thonë, por mua më ka ndodhur në shumicën e jetës time të jem oportunist. Është veti e keqe por që ndodh edhe tani. Janë shumë më të drejtëpërdrejt, më të dobishëm ata që nuk janë të tillë, ata që e thonë atë që mendojnë. Epo njerëzit janë të ndryshëm për aq mund të jenë të dobishëm ose jo. Në këtë kahje, në këtë mënyrë unë nuk jam i dobishëm”, ka thënë profesor Qosja.

Kukumi, një dilemë për njerëzit e pasluftës

Një film tjetër të cilin e ka realizar Profesor Qosja është “Kukumi”, në vitin 2005, që trajton një histori të thellë mbi pasojat e luftës, dhe ato të cilat priteshin të barteshin pas luftës te një popull i cili do të ishte komplet i lirë.

“Kukumi ka qenë një dilemë për të gjithë. Kam qenë edhe unë. Pas luftës ka pasur shumë kukuma, për atë e ka edhe emrin e tillë. E ka më shumë tingëllimë se sa emër të vertetë. Sepse ka pasur edhe shumë paqartësi. Droja ime ka qenë që ndoshta ne nuk do të sillemi mirë në momentin kur do të jemi plotësisht të lirë, sepse do ta konsiderojmë që gjithçka na takon përnjëherë dhe gjithcka mund të bëjmë përnjëherë. Ka qenë kjo pyetja ime a do ta qëndrojmë të tillë çfarë jemi treguar një kohë shumë të gjatë, shumë unik, shumë së bashku, shumë pranë, a do të qëndrojmë edhe  më tutje dhe kam pasur frikë të dehumanizimit të shoqërisë, dhe për fat të keq ajo urë për të cilën mendojsha se do të kalojmë sigurtë tash në anën tjetër, që shumë gjatë kemi qëndruar në një anë, ajo urë filloi të lëkundet”, ka thënë Qosja, duke potencuar që në këtë projekt ka punuar edhe me mendje edhe me zemër.

Profesor Qosja më tej ka thënë se mesazhi i fundit i Kukumit sado i vrazhdë të ketë qenë, ende mbetet i tillë, dhe është i qëndrueshëm.

Parametrat e paevitueshëm që e përkufizojnë një film të mirë:

Profesori Isa Qoja ka thënë që në filamt e tij gjithmon më shumë i vë re gjërat të cilat do të donte t’i ndryshonte se sa ato që realisht vlejnë. Nisur nga kjo ai tha që nëse do të mund t’i bashkonte të gjithë filmat e tij në një, do të kishte arritur të krijonte një film ashtu siq do të dëshironte vërtetë.

Sipas tij parametrat e pazëvendësueshëm për të krijuar një film të mirë janë: skenari i mirë, interpretimi i mirë i aktorëve dhe fotografia e mirë.

Nuk e përmenda regjinë, pasi regjia i ka të gjitha këto në distribuim. Pra, skenari që është thelbësor, pa skenar të mirë, s’ka film të mirë, prej skenarit të mirë mund të bëhet edhe film i keq, jo shumë por prej skenarit të keq kurrë film të mirë s’mund të bëjmë. Fotografia e mirë prej së cilës varen emocionet tona, pra ne mundemi me e ndëgju rrëfimin e dikujt si vokal pa fotografi, po e zëmë, por neve na bën përshtypje vazhdimisht se kush qëndron prapa atij territ. Pra na duhet fotografia, na duhet ajo dritë në hije që e themi. Dhe natyrisht ai që e bartë vetitë e një njeriu, e një personazhi nji karakteri, pra aktori për mua këto janë tri ememente konstante fanatike”, ka thënë Qosja.

Filmat mbi luftën e Kosovës, tema kryesore e luftës dhunimi i 20 mijë grave

Nisur nga përvoja e amerikanëve të cilët vetëm pas 50 vitesh nga Lufta e Dytë Botërore kanë arritur rezultatet maksimale të të krijuarit film mbi temat e luftës, Regjisori Qosja ka thënë që për të sjellë një film të madh për temën e luftës së Kosovës nuk është koha e duhur tani.

“Unë mendoj që lufta jonë është tema e dhunimit të 20-mijë grave. Ajo është lufta më e tmerrshme që e kemi përjetuar, mendoj që për atë temë duhet me pas akoma kohë dhe duhet të vijë një film i madh në atë degë. Duhet të vijë sado që është punuar, punohet dhe janë filma me të vërtetë me arritje të mira të gjithë, por që është tema më e madhe të cilës i duhet përkushtuar jo tani, më  vonë, ashtu qysh mendoj që nuk i duhet tani Kosovës një film për luftën sepse është herët. Janë gjiruar shumë emisione, aq sa njerëzit janë të ngopur me informacione. Duhet ato informacione të hyjë pak në arkivë që të harrohen pak, që më pas të vijmë me një kujtesë përmes një filmi i cili e ka një fuqi, që vetëm filmi mund të ketë. Natyrisht filmi dhe vetëm filmi”, ka përfunduar Qosja.

Ky bashkëbisedim i këndshëm për të gjithë audiencën ka qenë projket i aktores Vlora Merovci, të cilin e ka mbështetur Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Nerimane Kamberi sot promovon librin “Qershitë” në KultPlus Caffe Gallery

Shkrimtarja Nerimane Kamberi sot do të promovojë librin e saj më të ri të titulluar “Qershitë” në qendrën kulturore, në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 19:00.

I botuar në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht, libri është ndërtuar nga tregime të shkurtra.

Tashmë kjo periudhë na duket aq e largët, dhe megjithatë aq e vockël është kjo kohë e cila na ndan nga pandemia vdekjeprurëse botërore dhe nga mbyllja e detyruar. Gjatë atyre orëve të pezulluara, profesoresha dhe shkrimtarja Nerimane Kamberi gjeti frymëzimin për këto tregime të shkurtra, të ndjeshme dhe poetike, të cilat bëjnë jetën e madhe të secilës dhe të secilit. Me mënyrën e saj personale së vëzhguari dhe së treguari, intimin si edhe universalen, autorja na rikujton se kjo periudhë, me gjithë tragjeditë që e shoqëruan, qe e përshtatshme gjithashtu për të vështruar Brenda dhe rreth vetes, një kohë pauze për të vëzhguar të kaluarën dhe të tanishmen, ndoshta për të (t’u) përgatitur (për) të ardhmen…Nerimane Kamberi (1967, Preshevë) ka jetuar në Belgjikë deri në moshën 20 vjeçare. Ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Filologjik, ku edhe ka doktoruar. Ajo është e njohur si profesoreshë e letërsisë franceze, shkrimtare, poete, gazetare dhe përkthyese. Shumë e re ka botuar në frëngjisht romanet: Anjesa dhe doktor Simoni dhe Anjesa dhe shtatë pikturat.

Krijime të tjera të saj:  Hoteli Grand (reportazhe), Bluxhinset e grisura (poezi) dhe Një ditë ndoshta (tregime). Nerimanja është organizatore e shumë aktiviteteve frankofone dhe konferencave ndërkombëtare dhe aktualisht është kryetare e Shoqatës së Profesorëve të Frëngjishtes. Është dekoruar nga Shteti Francez me medaljen Urdhri I Palmave Akademike (2019).

Ky event vjen në kuadër të projektit të promovimeve në KultPlus i cili mbështetet nga Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Nga Vjena në Kosovë, Fiona Llapashtica vjen me performancë në KultPlus Caffe Gallery

Fiona Llapashtica nesër vjen në KultPlus Caffe Gallery në një mbrëmje muzikore që do të jehojë në këngë të zhanrit pop dhe jazz, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të keni rastin të dëgjoni një këngëtare me sharmë e me zë që të futet thellë brenda poreve të trupit.

Fiona ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Institutin e të Verbërve në Vjenë të Austrisë, më pas ka përfunduar shkollimin për dy vjet në Schubert Konservatorium.

Ajo ka realizuar disa paraqitje në Vjenë, kurse për KultPlus Caffe Gallery, Fiona ka përzgjedhë disa nga këngët më të fuqishme, në mesin e tyre edhe: ‘What ever Lola wants’ nga Jerry Ross, ‘Give me give me’ nga ABBA, ‘Love on the Brain’ nga Rihanna e shumë të tjera.

Ngjarja do të filloj nga ora 20:00. / KultPlus.com

103 vjet nga Traktati i Versajës që i dha fund Luftës së parë Botërore

Traktati që përfundoi Luftën e Parë Botërore dhe pjesërisht përgjegjës për fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Traktati i Versajës, i nënshkruar më 28 qershor 1919 në Sallën e Pasqyrave në Pallatin e Versajës në Paris, ishte marrëveshja e paqes mes Gjermanisë dhe Fuqive Aleate që përfunduan zyrtarisht Luftën e Parë Botërore . Megjithatë, kushtet në traktat ishin aq ndëshkuese ndaj Gjermanisë, saqë shumë besojnë se Traktati i Versajës hodhi themelet për ngritjen eventuale të nazistëve në Gjermani dhe shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Debatohet në Konferencën e Paqes në Paris

Më 18 janar 1919 – pak më shumë se dy muaj pasi përfunduan luftimet në Frontin Perëndimor të Luftës së Parë Botërore – u hap Konferenca e Paqes e Parisit, duke filluar pesë muajt e debateve dhe diskutimeve që rrethonin hartimin e Traktatit të Versajës.

Megjithëse morën pjesë shumë diplomatë nga Fuqitë Aleate, “tre të mëdhenjtë” ishin më të influencuarit (kryeministri David Lloyd George i Mbretërisë së Bashkuar, kryeministri Georges Clemenceau i Francës dhe presidenti Woodrow Wilson i Shteteve të Bashkuara). Gjermania nuk ishte e ftuar.

Më 7 maj 1919, Traktati i Versajës u dorëzua në Gjermani, të cilëve iu tha se kishin vetëm tre javë për të pranuar Traktatin. Duke pasur parasysh se në shumë mënyra Traktati i Versajës ishte menduar për të ndëshkuar Gjermaninë, Gjermania, sigurisht, gjeti shumë gabime me Traktatin e Versajës.

Gjermania ka dërguar një listë të ankesave për Traktatin; megjithatë, Fuqitë Aleate injoruan shumicën e tyre.

Traktati i Versajës: një dokument shumë i gjatë

Traktati i Versajës është një dokument shumë i gjatë dhe i gjerë, i përbërë nga 440 nene (plus shtojcat), të cilat janë ndarë në 15 pjesë.

Pjesa e parë e Traktatit të Versajës krijoi Lidhjen e Kombeve. Pjesë të tjera përfshinin kushtet e kufizimeve ushtarake, të burgosurit e luftës, financat, qasjen në portet dhe rrugët ujore dhe dëmshpërblimet.

Kushtet e Traktatit të Versajës nxisin polemika

Aspekti më kontradiktor i Traktatit të Versajës ishte se Gjermania do të merrte përgjegjësinë e plotë për dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Parë Botërore (neni 231). Kjo klauzolë në mënyrë specifike deklaroi:

Qeveritë Aleate dhe të Lidhura afirmojnë dhe Gjermania pranon përgjegjësinë e Gjermanisë dhe aleatëve të saj për shkaktimin e të gjitha humbjeve dhe dëmeve në të cilat qeveritë aleate dhe shoqëruese dhe shtetasit e tyre janë nënshtruar si pasojë e luftës së imponuar nga agresioni i Gjermanisë dhe aleatët e saj.

Seksione të tjera të diskutueshme përfshinin koncesionet e mëdha të tokës të detyruara ndaj Gjermanisë (duke përfshirë humbjen e të gjitha kolonive të saj), kufizimin e ushtrisë gjermane në 100,000 burra dhe shumën jashtëzakonisht të madhe në dëmshpërblimet që Gjermania do t’i paguante Fuqive Aleate.

Gjithashtu, ishte i tërbuar Neni 227 i Pjesës VII, i cili deklaroi se Aleatët synonin të akuzonin perandorin gjerman Wilhelm II për “veprën supreme kundër moralit ndërkombëtar dhe shenjtërinë e traktateve”. Wilhelm II do të gjykohej para një gjykate të përbërë nga pesë gjyqtarë.

Kushtet e Traktatit të Versajës ishin kaq armiqësore ndaj Gjermanisë, saqë kancelarja gjermane Philipp Scheidemann dha dorëheqjen sesa të nënshkruante atë.

Megjithatë, Gjermania e kuptoi se ata duhej ta nënshkruanin atë, sepse nuk kishin fuqi ushtarake për t’u rezistuar.

Traktati i Versajës është nënshkruar

Më 28 qershor 1919, pikërisht pesë vjet pas vrasjes së Archduke Franz Ferdinand, përfaqësuesit e Gjermanisë Hermann Müller dhe Johannes Bell nënshkruan Traktatin e Versajës në Sallën e Pasqyrave në Pallatin e Versajës pranë Parisit të Francës. / KultPlus.com

Një rrëfim ndryshe për Kadarenë, Alda Bardhyli solli momente kadareiane në KultPlus Caffe Gallery

Uranik Emini

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Cafe Gallery u mblodhën artdashës dhe njohës të fushës së letërsisë për të diskutuar më shumë rreth librit “Koha për rrëfim” të Alda Bardhylit, i cili vjen pas bisedave, diskutimeve dhe kohës së shumtë të kaluar mes Ismail Kadaresë dhe autores, e që ky libër vjen ribotim i dytë e me disa plotësime të vogla.

Hapjen e këtij diskutimi dhe moderimin e bisedës e bëri shkrimtari Arbër Selmani, i cili filloi duke i uruar mirëseardhje të gjithëve që kishin ndarë kohë të çmuar nga jeta e tyre për të diskutuar më së shumti rreth gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.

Më pas, Alda Bardhyli, për shkas të së cilës u organizua edhe gjithë kjo mbrëmje, në radhë të parë ndau mendimin e saj për gazetën KultPlus dhe shpalosi diçka rreth librit të saj “Kohë për rrëfim”, emërim ky të cilin pak a shumë Alda nuk e propozoi që nga fillimi.

“Sot jam bashkë me vajzën time këtu në Prishtinë. Isha në ceremoninë e hapjes së Panairit, nuk mund të mungoja në një ngjarje të bukur për lexuesin dhe botuesit e Kosovës dhe Shqipërisë. E pranova menjëherë ftesën e kryetarit të shoqatës së botuesve këtu, Edon Zenelit. Mu desh të kthehesha në Tiranë e të udhëtoja sërish sot. Por udhëtimet janë si leximet një lloj clirimi. Ndjehem mirë që jam në një hapësirë si Kulplus, që I ka dhënë aq shumë skënës kulturore në hapësirat shqiptare. Gjithnjë më kanë pëlqyer hapësira të tilla që gjenerojnë kulturë. I kam parë si forma të rëndësishme progresi për të cilat shoqëria jonë ka ende shumë nevojë. Kultura është shpëtim, na lejon të bëjmë dallimet në një kohë ku presionet ndaj saj janë rritur, është e vetmja mënyrë për të shtyrë përpara shoqëritë tona, dhe Kultplus ka bërë një punë novatore në këtë drejtim. Kemi nevojë për më shumë mediume ku të flistet për teatrin, muzikën, librin, trashëgiminë, për të rritur edukimin e shijes estetike”.

Alda tha se skena kulturore si në Tiranë dhe në Prishtinë, ka qënë një skenë e cila ka pasur ndikim në orientimin politik e shpirtëror të vendit, , ndërsa në dy vitet e fundit ka marrë një detyrë të re, pikërisht me udhëheqjen e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”.

“Kjo është një iniciativë e re e Qeverisë Shqiptare, e nisur gati dy vite më parë, si një ide inovatore për t’i dhënë më shumë librit, për të rritur politikat dhe vëmëndjen e qeverisë ndaj librit dhe leximit, si forma e vetme që na con drejt edukimit. Eshtë një model që vende të ndryshme të botës e kanë ndërtuar prej vitesh, një institucion dedikuar librit. Në ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Librit në Shqipëri ne jemi mbështetur në modelet më të mira europiane të cilat janë një histori suksesi në fushën e menaxhimit të librit”, tha ajo.

Alda tha se skena kulturore si në Tiranë dhe në Prishtinë vazhdon të jetë shumë e fortë dhe madje ka pasur ndikim të fortë në skenën politike, ndërsa në dy vitet e fundit ka marrë një detyrë të re, pikërisht me udhëheqjen e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”.

“Kjo është një iniciativë e re e Qeverisë Shqiptare, e nisur gati dy vite më parë, si një ide inovatore për t’i dhënë më shumë librit dhe për të shtyrë përpara gjithë skenën kulturore sa i përket territorit të Shqipërisë. Vende të ndryshme të botës operojnë prej vitesh në këtë formë, ku politikat nuk kalojnë më përmes ministrisë së kulturës, por është një qendër e dedikuar dhe punon me gjithë skenën kulturore për sa i përket librit”.

Suksesi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë

Drejtoresha ekzekutive e “Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Tiranë”, thotë se kjo është një qendër e fuqishme dhe ndoshta më të mirat në rajon për librin dhe pohon se në dy vite jetë kanë arritur të kristalizojnë idetë e tyre.

“Këtë gjë e kemi treguar përmes programeve të dedikuara ku kemi rritur fokusin për autorin shqiptar. Politikat ndaj autorëve të rinj por dhe promovimi dhe përkthimi I librit shqip në gjuhë e kultura të tjera ka qënë pjesë e punës sonë të vazhdueshme. Eshtë shumë e rëndësishme që të jemi të pranishëm në kultura të tjera jo vetëm përmes letërsisë por dhe botimeve të tjera me vlerë në shkencë, studime apo histori ku autorët shqiptar kanë sjellë vepra të niveleve të larta”, tha Bardhyli.

Pothuajse gjithë diskutimin, Arbër Selmani e përcolli me pyetje të vazhdueshme që kishin të bënin kryesisht me librin, qendrën që ajo udhëheq dhe sigurisht figurën madhështore të Ismail Kadaresë. Arbri pyeti dhe për pozitën e Qendrës së Librit e cila kalon përmes një lokali, por Bardhyli u shpreh se kjo ka qënë një formë alternative duke e bërë këtë lokacion interesant për lexuesit.

“Puna ime është fokusuar në rritjen e kapaciteteve të Qendrës në të gjitha drejtimet, dhe hapësira ka është një formë në shërbim të këtyre prioriteteve, dhe në këto dy vite ajo është kthyer në një hapësirë të rëndësishme komunikimi në Tiranë ku autorë, botues, lexues bëhen bashkë për të folur për librin”, tha Bardhyli, gjë e cila u pranua dhe nga Selmani I cili pohoi se gjithnjë ka gjetur shumë njerëz në aktivitetet e Qendrës së Librit.

“Libri duhet të jetë më i pranishëm në diskursin publik, në të gjitha kontekstet e tij. Përmes aktiviteteve të ndryshme, ne çdo të premte organizojmë një ditë të veçantë për çdo gjë që ka të bëjë me librin dhe këto kanë një vëmendje të veçantë dhe zakonisht bëhen diskutime mbi librin. Kryesisht aktivitetet tona kanë fokus autorin shqiptar, librin e ri, botimet e reja, debatet e ndryshme për sa i përket çështjeve të ndryshme mbi librin, kujtesë të autorëve, pasi është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë”, thotë ajo.

“Këtë gjë e kemi treguar përmes programeve të dedikuara ku në fokus është autori shqiptar, edhe pse vëmendja dhe dominimi në botë ka të bëjë gjithmonë e më tepër që skena kulturore ka nevojë të shkrihet dhe të jetë më e pranishme në jetët e të tjerëve, ku jemi të punuar edhe në këtë drejtim. Por këto dy vitet e fundit kanë shërbyer në rikthimin e dinjitetit të autorit shqiptar në të gjitha format e duhura”.

Pothuajse gjithë diskutimin, Arbër Selmani e përcolli me pyetje të vazhdueshme që kishin të bënin kryesisht me librin, qendrën që ajo udhëheq dhe sigurisht figurën madhështore të Ismail Kadaresë. “Kjo qendër ka një rëndësi të madhe, derisa unë për vete kam promovuar një nga librat e mi aty, si lokacion është pak si i fshehur, por gjasat janë që kjo qendër të dalë në një objekt të saj dinjitoz, pasi aktivitetet aty janë të shpeshta dhe ishte një numër i madh i njerëzve aty”, tha Selmani duke i shtruar edhe pyetje Aldës.

“Libri duhet të jetë më i pranishëm në diskursin publik, në të gjitha kontekstet e tij. Përmes aktiviteteve të ndryshme, ne çdo të premte organizojmë një ditë të veçantë për çdo gjë që ka të bëjë me librin dhe këto kanë një vëmendje të veçantë dhe zakonisht bëhen diskutime mbi librin. Kryesisht aktivitetet tona kanë fokus autorin shqiptar, librin e ri, botimet e reja, debatet e ndryshme për sa i përket çështjeve të ndryshme mbi librin, kujtesë të autorëve, pasi është e rëndësishme të kujtojmë nga vijmë”, thotë ajo.

Dashuria e Kadaresë për Shqipërinë dhe titulli i librit

Alda foli dhe për ribotimin e librit të saj me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Ky ribotim është më shumë një rishikim I tekstit nga ana gjuhësore, duke u pasuruar me disa detaje, tha ajo.

E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që ajo ka kuptuar për Kadarenë, ajo u përgjigj “Shqipëria”. “Shqipëria është pjesë thelbësore e veprës së Kadaresë.

Vepra e tij jo vetëm pasuroi gjuhën shqipe por u bë dhe një orientim shpirtëror I shqiptarëve herët drejt një orientimi perëndimor”, tha ajo.

E pyetur për të treguar ndonjë detaj më shumë nga takimet me shkrimtarin, ajo tregoi një moment kur ishte e pranishme bashkë me ciftin Kadare, në apartamentin e tyre, e në television po shfaqej filmi I famshëm “Propozimi”.

“Teksa bashkë me Helenën po diskutonim mbi zgjedhjen e Demi Moor, e pyes shkrimtarin nëse do ti kishte 1 milionë dollar do ti jepte për një grua. -Jo, u përgjigj ai, tepër I prerë. -Po për cfarë do ti jepje kaq para , vazhdova ta pyes. -Vetëm për Shqipërinë, tha.

“Ky libër ka nisur disa vite më parë dhe nëse tani Kadare është në Tiranë dhe është e lehtë të takosh, ky liber ka nisur kur Kadare ka jetuar në Paris, kështu që bisedat tona bëheshin vetëm gjatë muajit të verës kur ai ishte në Tiranë. Eshtë një punë e zgjatur në disa vite. Titulli u zgjodh nga vetë shkrimtari. Unë kisha dëshira tia vija “bisedat e orës 6.30” duke qënë se takimet tona ndodhnin gjithnjë në atë orë. Në orën 6.30-të fiks unë I bija ziles së apartamentit të Kadarenjve. Kadare është shumë korrekt me oraret, kështu unë duhet të isha fiks, dhe asnjëherë nuk jam vonuar në takimet tona përgjatë viteve”.

“Lidhja” e Kadaresë me regjimin komunist

Sa i përket pjesës së lidhjes së Kadaresë me pushtetin dhe regjimin diktatorial në Shqipëri, Alda thotë se duhet të ndjehemi të lumtur që vazhdojmë ta kemi atë në mesin tonë, pasi gjatë komunizmit shkrimtarët gjithnjë e më shumë përballeshin me sfida nga të më të ndryshmet, përfshirë shpesh herë edhe vrasjet që mund të ndodhin për shkak të gjuhës që ata përdornin nëpër veprat e tyre dhe jo vetëm.

“Konteksti i diktaturës shqiptare, arsimimi i shkrimtarit në Moskë, njohja e hershme e kompleksitetit të veprave të shkruara në shoqëritë e reja komunistë të pasluftës, si edhe refuzimi i tij gjatë viteve 1970-të dhe 1980-të për tu larguar nga atdheu apo për të bërë kompromis me shkrimet e tij, e bëjnë Kadarenë një shkrimtar unikal në ambjentin socialist. Nuk kam gjetur në studimet e mia asnjë lidhje të tij me regjimin, në asnjë vepër apo document nuk del I kompromentuar me regjimin. Biles është e kundërta, veprat dhe jeta e tij ka qënë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të pushtetit e këtë e tregojnë dosjet e publikuara në shtypin shqiptar këto vite. Kadare ka qënë një shkrimtar I përgjuar për përmasën dhe vlerën që ka pasur, por pikërisht kjo përmasë dhe njohja e hershme ndërkombëtare e kanë bërë ti shpëtojë dënimit të Hoxhës”.

Shkrimet e Kadaresë, gjatë më shumë se dyzet e pesë vjetëve nën diktaturë, kanë qënë koherentë përsa i përket tematikës dhe fokusit mbi aspektet e jetës shqiptare. Nga viti 1959 kur datojnë veprat e tij të hershme e deri më 1985-sën ai ka qënë në një konflikt të vazhdueshëm me pushtetin. Mjafton të lexosh Pallatin e Endrrave një vepër që I kujtojë gjithnjë botës se stalinizmi ka mbijetuar në Europë deri para pak kohësh. Gjatë shkrimit të këtij libri e kam njohur Kadarenë si një njeri, eksperienca e të cilit në shkrime, politikë dhe etnicitet ishte e jashtëzakonshme edhe për Europën socialistë të shekullit të njëzetë”, tha Bardhyli.

Helena Kadare dhe Filip Roth

Bardhyli tregoi për një Kadare me humor, një njeri të jashtëzakonshëm përtej portretit të ngrysur.

Duke folur për Helena Kadarenë, ajo e quajti atë një grua të rëndësishme jo vetëm në skenën letrare shqiptare, por dhe një model që orientoi gruan shqiptare drejt së bukurës. Në këtë libër vetë Kadare e pranon se Helena është gruaja më e rëndësishme dhe fati I jetës së tij. Ajo kujtoi trishtimin e tij kur i vëllai ndërroi jetë dhe se si ato ditë ai vetëm heshte.

Kadare është një autor që ka një lidhje të jashtëzakonshme me lexuesin. Ai ka krijuar atë që quhet kulti I lexuesit. Janë shumë lexuesit e rinj që e ndalojnë në rrugë e duan të bëjnë foto apo ta përshëndesin, e kjo është një shpresë e bukur për të ardhmen.

E pyetur në ka qënë e lehtë të bashkëpunosh me gjeniun, Bardhyli tha se përtej një ndjesie të jashtëzakonshme që të jep komunikimi me të, është një punë që I dukej sikur nuk do mbaronte kurrë pasi shkrimtari e elaboron gjatë tekstin.

“Disa muaj pasi botimi i parë i këtij libri doli, teksa i flisja Helenës për Philip Roth, sipas përshkrimeve të një mikut tim, që kishte pasur fatin të rrinte gjatë me të, ajo më tregon se vite më parë, sekretarja e tij u kishte telefonuar në Paris ku i kishte shprehur dëshirën e shkrimtarit për të realizuar një bisedë me Kadarenë, bisedë e cila më pas do të botohej në një libër.

Kadare fillimisht kishte pranuar, më pas ideja për t’u ulur e për të vijuar një biseduar, që do të përshkruhej nga faqe të tëra kompjuterike dhe email-eve mes Parisit dhe Nju Jorkut, do të dukej e pamundur për shkrimtarin, i cili parapëlqen
vetëm të shkruajë me dorë. Sigurisht, do të ishte Helena ajo që do ta transkriptonte këtë bisedë, e cila do të ishte sot, një pasuri për skenën letrare
botërore.

Shumë vite pas këtij komunikimi, unë do të zgjidhja pikërisht disa pyetje që Roth ia bënte Kunderës, duke i kërkuar Kadaresë t’u përgjigjej, pa e ditur këtë histori, duke përmbushur krejt rastësisht një destin, i cili prej vitesh ishte nisur
drejt tij”, tha Bardhyli.

Bardhyli edhe duke u ndarë me të pranishmit, kujtonte ndonjë detaj nga takimet me Kadarenë, mbase duke dhënë sinjal se mund të botohet edhe një libër tjetër, po me bisedat e shumta që ka realizuar me Kadarenë./ KultPlus.com