Gjithçka filloi me një pasion për dijen, Ermal Sadiku përfundoi te rekrutimi i një mijë programerave për 11 vite

Uranik Emini

Procesi i të bërit një sipërmarrës ose një “enterprenuer” siç njihet më së miri në gjuhën angleze, është një rrugëtim e proces i vështirë. Situatat nëpër të cilat duhet të kaloni, pa përfshirë akoma sfidat, nuk janë aspak të lehta. Njëri prej ndërmarrësve në Kosovë, Ermal Sadiku, i cili është drejtor menaxhues në kompaninë “LinkPlus”, e vetmja kompani e shërbimeve të ICT, ka ndarë shumëçka nga jeta e tij për të na futur në udhëtimin e një bote të mbushur me befasi. Rrugëtimi i tij nga një fëmijë adhurues i shkencës në një lider të suksesshëm biznesi. Reflektimet e tij ofrojnë një pasqyrë unike në kryqëzimin e suksesshëm të teknologjisë, sipërmarrjes dhe rritjes personale, shkruan KultPlus.

Ermali kujton fëmijërinë e tij me një afinitet të thellë për librin dhe mësimin, duke e përshkruar veten si “shumë i tërhekun dhe shumë i dhënë mas librave”, duke vënë në pah pasionin e tij të hershëm për dijen.

“Unë si fëmijë kam qenë shumë i tërhekun dhe shumë i dhënë mas librave, me thënë ashtu shkencës sepse pak po tingëllon palidhje me thënë shkencës si fëmijë, por i dhënë pas diturisë. Kam qenë nxënësi më i mirë në shkollën “Dardania”, syzat e mdhaja, floktë e rritura. Më kanë rritur dy prindër që e kanë vlerësuar diturinë, por në përgjithësi kam qenë njeri shumë i mbyllur. E kam paramenduar gjithnjë vetën si një shkencëtar, shkencë ose inxhinieri. Prindërit kanë ndikuar që unë gjithnjë do të vazhdoj biznesin e familjes sa i përket barnatores. E kam dashtë shkencë, e sot e kësaj dite nëse du të lexoj diçka kjo është pikërisht, astronomi, fizikë, kimi etj. Atëherë nuk e kam kuptu që Kosova të limiton në shumë gjëra, edhe pse ka shumë njerëz që punojnë nëpër MTI, NASA etj, numri është qaq i vogël saqë kaniher nuk është veç që i jep zorr, por është kapak që ke fat, kapak një të shtyrë dikun. Po unë kam qenë i dhënë shumë pas diturisë si fëmijë”.

Kjo prirje drejt mësimit i dha formë ekselencës së tij akademike në shkollën “Dardania”, ku shquhej si djaloshi me “syzat e mdhaja” dhe “floktë e rritura”.

“Më kujtohet një rast si fëmijë kur vendosa që të shkoj në ““Xhevdet Dodë”, ”, dhe motra ime më ka thënë: ki kujdes, se atje në “Xhevdet Dodë”,  shkojnë të gjithë nxënësit më të mirë të Prishtinës dhe Kosovës, ti je mësu me qenë më i miri këtu dhe atje mundesh me taku njerëz dhe me e lëndu egon tënde, sepse në përgjithësi ajo donte të më thoshte se ka shumë njerëz atje që mund të jenë më të mirë se ti. Mu më kujtohet, sepse motrën e du tepër shumë, e kom marrë këtë fjali pak me një far inati dhe kom shku në “Xhevdet Dodë”, e jam bërë më i miri edhe atje. Kjo për mu është një gjë që më identifikon. Kur e definoj dhe e marrë pak me inati e personale ni diçka, tani jam në gjendje që malet me i ça për me mrri qaty. Por, problemi më të madh në botë, e kam që si marrë shumë gjërat me inati, nuk kam qenë shumë xheloz në jetë, por atëherë kur e kom marr një sen, kom mu bo më i mirë, tani e kom qasi vullneti saqë nuk shkoqem deri sa ta përfundoj”.

Problemi është që nuk i qes vetes shumë synime të mëdha, edhe nashta pse jam emocional edhe lëndohem lehtë. Këtu bijnë në ndesh me njëra tjetrën, në momentin kur t’i vendosë pikësynime të mëdha, duhesh me i lonë emocionet anash, pasi ato mund të të shtrëngojnë e të ngulfasin. E unë jam pak si emocional, si i tërhekun kam qenë gjatë jetës. Kurrë se paramendoj sot që jam kështu. Me i pas thonë atij Ermalit të ri, që ti ki me dal në televizione, ki me fol para njerëzve, do të jesh me setër etj, kish me qenë seni më qesharak në botë. Ermali i kaluar ska mujt me thonë një vjerrshë para publikut. Më kujtohet si sot, kur si fëmijë më kanë zgjedhur që ta them një vjerrshë dhe nuk mund të përballoja presionin të jem para publikut.

Rrugëtimi i Sadikut nga një fëmijë i ndrojtur, që ndjehej i turpshëm për të recituar një poezi në publik, në një sipërmarrës të sigurt e stabil, është frymëzuese. Përvojat e tij në “Xhevdet Dodë” luajtën një rol të rëndësishëm në këtë transformim. Këtu, ai jo vetëm shkëlqeu akademikisht, por filloi të mendonte edhe lidershipin, duke u bërë kryetar i shkollës që në moshën 16-vjeçare.

Edhe në “Xhevdet Dodë”,  kam qenë më i miri në gjeneratë dhe kam fillu që të punoj në gazetë të shkollës, dhe jam mësuar që të punoj në grupe, më janë hapur vizionet që të delegoj detyra. Aty ishte një “defining moment” ku fillova me marr një vetëbesim edhe një aspektin menaxherial. Në vitin e dytë të shkollës së mesme zgjedhem kryetari i shkollës, pastaj vazhdon edhe në vitin tjetër, në moshën 16 vjeçare dhe kjo ma jep një ide të të qenurit menaxher, ideja e parë që më ka ardhur. Momenti i parë ku një fëmijë i dhënë pas shkencës, fillon me përjetu edhe idenë e lidershipit”.

Ai e reflekton këtë si një moment përcaktues që e kaloi atë nga një entuziast i shkencës në dikë që mund ta shihte veten si lider.

“Shumë njerëz që nuk e përjetojnë këtë gjë në rini, kurrë nuk mund ta mrrijnë atë gjatë viteve të tjera. Këtu mund të themi se ka qenë një lloj tranzicioni që e kam pas, në mentalitet dhe synim, në dikë që mund ta shoh tani vetën edhe si udhëheqës. Aty kam thënë që unë po mujsha. Prej “Xhevdet Dodë-s”,pata vendos që të shkoj në Inxhinieri Elektrike”.

I rritur nga prindër që vlerësonin dijen, Ermali fillimisht parashikoi një të ardhme në shkencë apo inxhinieri. Megjithatë, biznesi i familjes së tij në farmaci ndikoi në rrugën e tij të hershme të karrierës. Pavarësisht kësaj, dashuria e tij për shkencën, veçanërisht astronominë, fizikën dhe kiminë, mbeti një burim i vazhdueshëm frymëzimi.

“Unë jam një djal dhe në Kosovë është ideja që djali e udhëheqë një biznes. Unë edhe para-pranimit në fakultet kam mësu biologji e fizikë se e kom ditë që shkoj në farmaci, por 2 javë para provimit pranus jom kon 100 për qind i sigurt që kom me shku në mjekësi. Dy gjëra kanë ndikuar te unë shumë, në 1996 kur prindërit e patën ble një kompjuter dhe më është ndryshu koncepti jem”.

Vendimi për të kaluar nga farmacia në inxhinieri u ndikua nga ekspozimi i Ermalit ndaj teknologjisë. Ardhja e një kompjuteri familjar në 1996 dhe një kurs Cisco në 2000 ishin momentet kryesore

“Kam hyrë në botën e kompjuterit ngadalë dhe në vitin 2000 prindërit më ndihmojnë të regjistrohem me një kurs të CISCO-s, ka qenë klasa e parë e këtij lloji në Kosovë, me një grup rreth 12 vetave. Edhe vet ideja që kisha kompjuter në shtëpi qe një kohë të gjatë, edhe ideja që shkova me një kurs të CISCO-s,  e unë filloj edhe me lexu cka është duke ndodhë në botë”.

Këto përvoja i hapën sytë drejt botës së gjigantëve të teknologjisë si Google dhe Microsoft, duke e shtyrë atë të ndiqej në Inxhinieri Elektrike.

“I gjithë interneti në atë kohë fliste për Google, Microsoft, IBM, Siemens, BOSCH, Samsung. Dhe thash që unë me barnatore mund të bëjë, më së shumti hapjen e disa pikave në Kosovë, por nuk shihja diçka më shumë se financiare dhe nuk ishte aspak intriguese për ndjenjat e mia ndaj laboratorit e shkencës. Dy javë përpara, vendosa që ta ndryshoj drejtimin tim për fakultet edhe pse në fillim nuk i kam treguar prindërve, por megjithatë ata (edhe pse u ndjenë keq, jam i sigurt për këtë) e pranuan një gjë të tillë dhe më mbështeten tutje. Unë teknikisht kam qenë nxënës i mirë, por asnjëherë s’kam qenë pedant i madh. Hala nuk jam. Është një prej të këqijave që i kam në jetë, nuk jam i njohur si pedant. Funksionoj në formën me kaos, dhe kjo më bën që të jem i gjindshëm në shumë sene. Pasi që jam mësuar të funksionoj me kaos, tash mundem me u marr me shumë start-ups, me kompani, me dalë me fol në televizor, me shënu në Facebook, por edhe me i udhëheq dy-tri kompani të teknologjisë”.

Zhvendosja e karrierës dhe “vjedhja” e zantit nëpër kompani të ndryshme të teknologjisë. Sadiku rrëfen për KultPlus se kishte punuar edhe më herët në një kompani, megjithatë si punë të parë e konsideron atë kur iu desh të vishej me kat dhe të shkonte me kohë e orar në punë.

“Jam pranu i pari në listë dhe kom vazhdu me Inxhinieri Elektrike në FIEK, e paralelisht pata filluar edhe studiment në Shkenca Kompjuterike, por unë nuk munda të i përcjellja të dyjat dhe vendosa ta lë njërën, në këtë rast Shkencat Kompjuterike. Fakulltetin e kom pa në formën si një “derë” për të ardhmen. P.sh. me shku me bo një master jashtë, qysh me u sjellë me njerëz, qysh me kuptu forma të reja, etj. Pas FIEK-ut kom hi me punu në Kosovë, dy kompanitë më të mëdha në atë kohë, në ProNet dhe Cacttus, të cilët i falënderoj shumë. I kom pa shumë gjëra në këto kompani, si p.sh. qysh duhet stafi me pas kërkesa për me marr pushim, qysh është pjesa e një intervisteje, e unë kam vjedhur gjëra për të ardhmen. Kur i kom pa kompanitë në atë kohë, kam qenë i papjekun në aspektin e ndërmarrësisë, por gjithnjë kam pas andërr që me pas një Cacttus temin, një kompani sikurse “Rrota”. Megjithatë, një kompani që më ka ndezur një dritë është “Trecisi”, ekip që merrej me teknologji, që thjesht bijke pare në Kosovë, zhvillonte kuadro të reja që i trajnonin, teknologjia. Ideja e parë për me hap një kompani ka qenë aty”.

Qasja e tij ndaj kulturës së punës u formësua ndjeshëm nga koha e tij në Gjermani, ku mësoi rëndësinë e respektimit të punëtorëve dhe ekuilibrit punë-jetë.

“Gjermania më ka ndryshu shumë si person në çasje, atje kam shku në Master nga viti 2007. Gjermania më ka mësuar shumë gjëra interesante që ja vlen me i cek, siç ka të bëjë me sjelljen ndaj punëtorit, i cili është pa si koleg, si bashkëpunëtor e as si skllav e as si shok. Ju ke përmbajt të gjitha rregullave, dhe nuk është konsideru sukses në qoftë se i ke qitë rrogat me kohë, ajo ka qenë diçka normale dhe obligative. Sjellja ndaj punëtor ka qenë ndryshe atje. Puna në festa zyrtare atje nuk bëhej, e shumë gjëra të tjera të cilat akoma janë të pranishme te ne. Unë këto gjëra i kam ndaluar në fillim, kur kam vendos me bo kompani temën, kom thonë që edhe nëse bëhet ndonjëherë ulja e rrogave, le të bëhet nga lart e poshtë, jo nga punëtori, por nga drejtori etj. Ligji i punës respektohet 100 për qind, rregullat, pushimet, e gjëra respektohen 100 për qind. Këto i kom vendos nga dita e parë dhe nuk jom dorëzu ndaj presionit”.

Një aspekt domethënës i rrëfimit të Ermalit është besimi i tij në ekuilibrin punë-jetë dhe të mos mbytet nga puna. Ai flet për qasjen e tij ndaj punës, ku vlerëson fleksibilitetin dhe efikasitetin mbi orët e ‘rrepta’ të zyrës, një filozofi të cilën e ka zbatuar në LinkPlus që nga viti 2013.

“Seni i dytë që e kom bo është me e heq orarin e punës, në vitin 2013, nuk ka orar të punës por vlerësohet nëse po i kryn detyrat me kohë. Në po atë vit, e kom hek edhe pjesën që me punu nga zyrja obligativisht, kush dëshiron me ardhë mundet, kush nuk don ka mujt me punu nga shtëpia që nga viti 2013. Unë nuk mendoj që shqiptarët janë dembela, mendoj që shqiptarët janë paguar pak dhe kjo i ka bërë dembela. I kom qëndru stoikisht mbrapa këtyre vendimeve, hala nuk ka rëndësi në sa ora vjen në punë, me rëndësi është me u kry punët me kohë. Nuk muj me duru dikë që nuk vjen në ora 09:00, atëherë kur vendoset takimi, nëse teknikisht je tu e kry një punë vetë, kryje nga cilido vend. Por, kur ka punë, duhet të përfundohen. Kualiteti dhe puna është primare, administrata dhe operimi është diçka sekondare. Edhe pse në fillim ka qenë shumë e çuditshme për kompanitë e tjera, tani është implementuar në shumë prej tyre. Kjo ka ndiku që pothuajse asnjë kompani këtu në Kosovë nuk na merr punëtorët neve”.

Rrugëtimi i Ermalit në sipërmarrje filloi me ZagApps dhe përfundimisht çoi në themelimin e LinkPlus.

“Hapja e LinkPlus është pak e rastësishme, por është kombinim i dy gjërave: punë dhe fat. Fillimisht, ZagApps është një kompani në të cilin e kemi pasur së bashku me disa djem. Atje kam pas detyrën që me gjet punë e klienta, një business development. Kam fillu me i shkru njerëzve, duke fillu prej shqiptarëve të suksesshëm në LinkedIn. I kam shënu në atë kohë një drejtorit shqiptar me një kompani diku në Kanadë. Më pas, një reagim ka ardhë edhe nga ky person dhe kemi rënë në dakordim që të fillojmë bashkëpunimin. E dyta ka qenë “fati” kur ZagApps fillon me ra si kompani dhe unë largohem prej aty. Pastaj, unë kam vazhdu bashkëpunimin me këtë personin që i kam shënu dhe kam punu së bashku me të. Më pas, kam filluar me u taku me njerëz, me intervistë kolegë të rinj, me gjet klienta të ri. E më pas, prej një punëtori unë kam fillu edhe me emërtim si LinkPlus”.

Nën drejtimin e Ermalit, LinkPlus ka parë një rritje të jashtëzakonshme, duke u ofruar klientëve nga rreth 20 vende të ndryshme shërbime të ndryshme.

Është e vështirë me gjet klienta kur ti nuk shet diçka, por zhvillon një gjë të tillë, inxhinieria softuerike është një gjë shumë e re dhe shumë e ndishme. Sot të gjitha platformat dhe çdo gjë tjetër mbahen me sisteme të inxhinierisë softuerike, një gabim i vogël mund të shkaktojë shumë probleme të mëdha. Për këtë arsye është vështirë që me u rrit. Edhe njerëzit që merren me këtë fushë, nuk janë të mjaftueshëm. Klientin e dytë e kemi gjet me një konferencë në Gjermani, ku e kam prezentu kompaninë më të vogël dhe më të rejën prej 10 njerëzve që kanë qenë aty, aty ishin edhe disa kompani të tjera, megjithatë ndoshta për shkak që jam duk më bindës edhe prezantimi, një kompani më përzgjodhi mua që të vazhdojmë tutje. Edhe pse janë bërë 8 vite bashkëpunim, ne vazhdojmë që të kemi bashkëpunim”.

Ai shpreh krenarinë për marrëdhëniet afatgjata me klientët e kompanisë dhe është optimist për të ardhmen e saj.

“Pas kësaj ka vazhdu rritja, kemi fillu me bashkëpunu me klienta të rinj, nga e gjithë bota, rreth 20 shtete të ndryshme. Shumica e klientëve janë afatgjatë, kjo për shkak të punës që e kemi ofru. Kjo e tregon një krenari të punës. Gjithnjë me klientat mundohemi me i mbajt një hap më shumë se vendet e tjera, kjo për fatkeqësinë që gjendet Kosova. Ne nuk njihemi si vend që merret me IT, që ka brand të mirë, ose diçka tjetër. Megjithatë, ne i japim shumë rëndësi sjelljes ndaj klientit”.

Një nga sfidat më të mëdha të Sadikut me LinkPlus ka qenë përshtatja me tregun evropian dhe trajnimi i stafit të tij për të përmbushur kërkesat e klientave. Ai gjithashtu thekson një çështje më të gjerë në industrinë e TI-së në Kosovë, duke vënë në dukje numrin e ulët të programuesve në krahasim me vendet fqinje dhe mungesën e prioritizimit të IT-së në rajon.

“Programimi në Kosovë është shumë ma pak i rëndësishëm sesa që duhet me qenë. Kosova nuk i ka as 5 mijë programera, e vendet e rajonit kanë shumë më shumë se ne. Kjo ka ardhë si rezultat që vendet e tjera e kanë pa këtë trend në rritje dhe kanë vepru përpara neve. IT nuk është as prioritet në Kosovë. Paret që hyjnë në IT janë tepër të vogla, ndihma është e vogël dhe nganjëherë hiç. Kjo ndikon që populli mos me e marr shumë seriozisht këtë punë”.

Për Sadikun, fëmijët e tij janë arritjet e tij më domethënëse dhe ai vlerëson momentet me familjen e tij mbi mundësitë e mundshme të biznesit. Kjo filozofi shtrihet në qasjen e tij ndaj suksesit; ndërkohë që është i shtyrë dhe ambicioz, ai nuk i lë këto tipare t’i lënë në hije jetën dhe vlerat e tij personale.

“Unë kaosin e kam pasur të “lindur” dhe ashtu funksionoj, por megjithatë është shumë e vështirë. Unë para se të bëhem ndërmarrës jam baba, dhe kjo është më e rëndësishmja dhe primare në jetë. Shumë ndërmarrës kanë dëshirë që të bëjnë unicorns (kompani që vlejnë mbi një miliardë) por unë i kam dy të tillë, dy fëmijë në shtëpi, një djalë dhe një çikë. Ata i kam më të vlefshmit në botë. Nuk jam i etur pas suksesit aq sa mund të dukem në internet, por në anën tjetër e kam një zjarr brenda vetes që më vlon dhe bëjë produkte të ndryshme. Një prej tyre është HR Bee, një tjetër Coders Lab, produkte që i kam maru, i kam shitë e vazhdoj prapë me provu gjëra të tjera, edhe nëse dështojnë. Teknikisht, nuk jam që e sakrifikoj gjënë primare në jetë për këto gjëra. Suksesi profesional ka me qenë me mua gjatë gjithë jetës, por nuk jam shumë i etur që më i lon gjërat tjera anash. Mes leximit të një libre dhe takimin me ndonjë klient të mundshëm potencial, unë do ta lexoj librin sepse më përmbush si njeri. Mes një kafesë me nënën tem, dhe mes një takimi ne ndonjë klient, unë gjithmonë do ta zgjedhja një kafe me nënën. Paraqitja në studio televizive më bën të ndihem i përmbushun dhe jo diçka shumë e madhe. Mendoj që nëse i ke prioritetet e qarta, me rregull e me rend, atëherë në këtë formë shkon”.

LinkPlus ka evoluar nën udhëheqjen e Sadikut, me pritshmëri për rritje të vazhdueshme në vitet e ardhshme. Ai flet me krenari për suksesin e HR Bee, një dëshmi e lidershipit të tij efektiv. Njoftimi i tij për lançimin e dy produkteve të reja në vitin e ardhshëm, një në ushqim dhe një tjetër në teknologji, tregon mentalitetin e tij për të vazhduar përpara dhe për të mos u dorëzuar asnjëherë në krijimin e gjërave të reja dhe të dobishme te audienca, pa pasur frikën e dështimit.

“Kompania ka ardhur me një moment që është një tren ose lum që lëviz dhe janë klientat, mid-level managementi që dinë ta udhëheqin kompaninë pa ndikim të madh temin, po shpresoj që vitin e ardhshëm ka me u rritë, siç e kemi zakonisht 10-15 për qind. HR Bee është bërë një super start-up, 500 për qind rritje kemi pas gjatë këtij viti. Dy produkte të tjera do t’i lansoj gjatë vitit tjetër, njëra ka të bëjë diçka me ushqim dhe tjetra më shumë me teknologji”.

Ermali thekson rëndësinë e leximit dhe të menduarit jashtë kutisë. Ai inkurajon të rinjtë që të zgjerojnë horizontet e tyre përtej fushave të tyre profesionale, duke theksuar se njohuritë e përgjithshme dhe interesat e ndryshme mund të kontribuojnë ndjeshëm në suksesin në biznes dhe jetë.

“Unë kisha thonë sa ma shumë me lexu. Shumë shpesh ki nevojë me marr me lexu gjëra që s’kanë të bëjnë me profesionin tënd ose industrinë tënde. Mënyra e vetme me pas sot sukses, kur ki kaq shumë konkurrenc, është me mëndu jashtë kutisë, out of the box dhe del një problem nuk dinë si me iu qas. Unë kisha pas qef me ju thonë njerëzve me lexu libra që janë romane të dashurisë, të jetës, të Hugos, të Dostojevskit, një gjë e tillë do t’iu ndihmojë shumë përpara. Më të qasshëm nëpër botë. Njohuria e përgjithshme është e mirë edhe në zhvillimin e bizneseve specifike, por edhe të bën të dallueshëm nga të tjerët”.

Historia e tij, e shoqëruar nga momente dhe vendime kryesore, nxjerr në pah rëndësinë e ndryshimit dhe ndjekjes së interesave tua personale, edhe kur ato devijojnë nga rruga e pritur. Përvojat dhe njohuritë e tij nuk janë vetëm një tregim i arritjeve personale, por edhe një udhëzues i vlefshëm për sipërmarrësit aspirues dhe individët në çdo fushë që përpiqen për rritje dhe sukses. Pasioni për punë, dhe ideja për të qëndruar sa më shumë në “kaos”, në mënyrë që të krijoi e të bëjë gjëra të tjera, janë disa tipare që i japin kuptim mënyrës se si ai jeton.

Tregimet pandemike të thurura mes dashurisë, dhimbjes dhe qëndresës vijnë në “Qershitë” e Nerimane Kamberit

Uranik Emini

“Qershitë”, libri i ri nga shkrimtarja, Nerimane Kamberi, u promovua mbrëmë në ambientin e këndshëm të KultPlus Caffee Gallery, me ç’rast nuk kishte asnjë hapësirë të lirë për njerëzit e mbledhur në këtë promovim.  Ky libër u shfaq si një dëshmi e forcës së shpirtit njerëzor dhe një nderim i përzemërt për kujtimet më të dashura për njerëzit, konkretisht për familjen, shkruan KultPlus.

Nerimane Kamberi e nisi gjithë këtë rrugëtim të saj letrar për të dëshmuar edhe fuqinë pozitive që mediat sociale mund të kenë. Shkrimi filloi si një përgjigje ndaj një sfide nga miku i saj, Halil Matoshi. Në një platformë po aq të përhapur sa Facebook-u, Matoshi etiketoi Kamberin, e cila mblodhi kujtimet e hidhura dhe të dashura gjatë kohës së pandemisë COVID-19 dhe nxorri më të mirën nga vetja për të shfaqur edhe një herë atë se çfarë ajo di të bëjë më së miri, të shkruaj.

“Qershitë”, titulli i librit të Kamberit, ka një rëndësi të madhe. Është një fjalë që përmbledh momentet e ëmbla dhe të tharta të jetës, njëlloj si frutat prej nga e ka marrë emrin. Për Kamberin, qershitë dhe pjeshkët nuk ishin vetëm fruta; ato ishin simbole të dashurisë, familjes dhe kujtimeve të çmuara. Nëna e saj, e cila humbi jetën nga virusi COVID-19, kishte një lidhje të veçantë me këto fruta. Ato ishin një simbol për kënaqësitë e thjeshta që ofronte jeta. Akti i mbledhjes rreth një tasi me qershi u bë një traditë e dashur në familjen Kamberi, një traditë që nxiti një ndjenjë të thellë lidhjeje dhe dashurie.

Në këtë promovim, Nerimane Kamberi ishte në panel së bashku me Këshilltarin për Çështje Evropiane të  Zëvendëskryeministrit të Kosovës njëheri edhe miku i saj, Sebastien Gricourt. “Për ata që nuk e njohin Sebastieni është miku im dhe i letërsisë shqipe dhe ndër të tjera është edhe përkthyesi i këtij libri dhe librit të Ag Apollonit”, njoftoi Kamberi.

“Jam falënderuese për secilin që është i pranishëm këtu. Librin e kam bërë në dy gjuhë është sepse jam rritë dhe po plakem me dy gjuhë, por edhe për arsye shumë praktike sepse tregimet nuk mjaftonin dhe e kam realizuar në këtë formë”, ishin fjalët hapëse të këtij promovimi.

Kamberi na tregoi edhe disa rrëfime të saj nga përballja me dy “lufta”.

“Ky libër flet për luftërat, sikurse virusi, ku mundem me ngrit një paralele të ngjashme me luftën e fundit të Kosovës. Unë kam qenë për tre muaj refugjate me familjen time gjatë kohës së luftës, derisa edhe për tre muaj gjatë pandemisë COVID-19 isha e mbyllur në shtëpi. Kur isha refugjate, punojsha për mjekët e botës për të drejtat e botës dhe prisja refugjatët në luftë. Dada Nufë erdhi dhe më njoftoi që e la burrin e saj duke mbjellë patate, e unë nuk mund ta kuptoja se si është e mundur që ta shohësh një ardhmëri gjatë kohës së luftës. Kur ishim në pandemi në katund me familje, thosha që bota është ndalë, dhe për mua ishte diçka e pabesueshme dhe e pa mendueshme”, tregon ajo.

Rrugëtimi se si filloi ta shkroi këtë libër, Kamberi e tregon duke na rikthyer në kohë, atëherë kur miku i saj, Halil Matoshi, e ka bërë pikënisjen e parë për shkrimin e këtij libri, përmes një sfideje në rrjete sociale.

“Ky libër erdhi pasi Halil Matoshi më kishte sfidu në “Facebook” gjatë pandemisë, për të shkruar një tregim ose diçka për pandeminë. Më bëri të ndjehem shumë mirë dhe fillova të shkruaj, ku ju drejtova KultPlusit që i kam botuar aty shumë poezi dhe edhe arsyeja e sotshme pse jemi këtu”.

Ndërkaq, Gricourt, tregoi një histori të tij gjatë kohës së pandemisë, duke treguar se si u “shërua” duke përkthyer një libër.

“Së pari, ne po flasim për kohën e pandemisë, ku më kujtohet që jam marr me një përkthim që flet për pandeminë. Domethënë unë po merresha me një libër të pandemisë, duke u shëruar nga pandemia”, tha ai.

Më tej, ai tregoi se aryseja kryesore që e shtyju të bashkëpunojë me Kamberin, përpos që janë miq të mirë, është pjesa e shkrimit të mirë të tregimeve të shkurtra rreth pandemisë dhe jetës së autores gjatë një kohe të errët.

“Çka më ka pëlqyer me këto tregime të shkurta, jo vetëm pse jemi miq të vjetër, por e dyta sepse mu duk shumë real dhe shumë artistike mënyra se si Kamberi i ka bërë këto tregime me një ndjeshmëri të veçantë. Por e sfidova edhe vetën që ta përkthejë dikë që e flet shumë mirë gjuhën frënge”, tha ai.

Promovimi në fund përfundoi me falënderime nga Kamberi për gjithë të pranishmit, duke e përmbyllur fjalimin e saj me fjalinë: “vazhdoni ta duani letërsinë”.

Në “Qershitë”, libër i shkruar në dy gjuhë, frëngjisht dhe gjuhën shqipe, Nerimane Kamberi fton lexuesit të udhëtojnë nëpër faqet e jetës së saj gjatë pandemisë, të përziera me një rrëfim që ndërthur përvojat e saj personale, historitë e përzemërta dhe ndikimin e thellë të COVID-19 në botën e saj. /KultPlus.com

KultStrofa një mbrëmje plot magji, nga 198 poezi garuese, Rudina Çupi vlerësohet me çmimin e parë

Era Berisha
Fotografitë: Blend Rama

Mbrëmë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery kryefjalë qe poezia. Mbretëreshë qe ajo degë që zuri vendin në mesin e të pranishmëve që kishin ardhur për të përcjellur nga afër Konkursin Mbarëkombëtar të Poezisë të organizuar nga KultPlus, “KultStrofa”. Emocionet që fshiheshin nga vargu në varg, kanë qenë shtyllat kryesore që shoqëruan audiencën nga fillimi e gjerë në fund. Përjetimi i poezisë erdhi ndryshe mbrëmë, me ç’rast u dëshmua se poezia është një hyjni më vete që të kaplon nga koka e gjerë tek këmbët, shkruan KultPlus.

Ceremonia e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, andaj në natën finale të edicionit të gjashtë u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia, Zvicra e gjer nga SHBA.

Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.

Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe mori përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus.

Fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani i cili edhe bëri me dije se ne këtë edicion të KultStrofës kanë aplikuar 198 poezi.

“Jemi mbledhur sonte këtu nga Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe. Në këtë edicion kanë aplikuar 198 poezi, andaj nuk është fare lehtë për t’i analizuar ato më së miri e për të zgjedhë dhjetë më të arriturat. Është një edicion i veçantë për të gjithë neve dhe dua ta falënderoj jurinë për prezencën e tyre”, thotë Selmani.

Sipas tij, emrat që kanë aplikuar janë emra që kanë aplikuar në këtë edicion, janë emra të larmishëm, nga ata më të treguar e deri tek autorët e rinj, andaj kjo është konsideruar si e bukura e këtij konkursi.

“Konkursi organizohet nga KultPlus-i, platforma e parë shqiptare që merret intenzivizht me art dhe kulturë”, thotë ai.

Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë që janë përzgjedhur sipas shijes së hollë të jurisë.

“Dua t’i uroj mirëseardhje jurisë, profesorit tim Agim Vinca, Beti Njumes që e ka marr mundimin që të vijë nga Tiranë dhe Shpat Dedës që vjen nga një profil tjetër por është një shans që këto poezi në një të ardhme të shndërrohen në hite të mëdha. KultPlus sivjet po shënon edicionin e gjashtë dhe jam shumë e nderuar që çdo vit kemi pasur një kujdes të madh në përzgjedhjen e jurive që çdo vit ka qenë akoma më profesionale dhe që kanë pasë një shije tejet të hollë sa i përket vlerësimit”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, 198 poezi nuk janë pak dhe ajo ndjehet tejet e lumtur sikurse edhe ekipi i KultPlus, që kanë dëshmuar këtë prurje.

“Unë kam qenë e sigurt për këtë konkurs, qysh nga edicioni i parë. Edicioni i parë ka qenë plot dhe çdo vit është mbushur akoma më shumë, duke shënuar suksese të mëdha. Unë jam shumë e lumtur që në mesin e dhjetëshes kemi prek caqe të ndryshme të trevës, duke përfshirë dhe diasporën. Ju uroj një mbrëmje shumë të mirë dhe besoj që shija e jurisë do të u pëlqejë edhe juve. Të gjitha këto poezi do të publikohen edhe në KultPlus”, thotë ajo.

Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Agim Vinca, e konsideroi punën e KultPlus një punë që duhet të duartrokitet e vlerësohet.

“Për herë të parë jam në këtë mjedis para një publiku kaq impresiv ku ka krijues, poetë, shkrimtarë, studiues, publicistë e tutje. Ne kemi pasë një detyrë aspak të lehtë si juri, por juritë gjithmonë duhet të punojnë me ndershmëri dhe kritere. Ne kemi pasë kënaqësinë që t’i vlerësojmë plot poezi. I kemi lexuar të gjitha me kujdes sepse kjo është pjesë e ndërgjegjes sonë. Është inkurajues fakti që në këtë konkurs letrar të shpallur nga gazeta KultPlus, me në krye drejtoreshën Ardianë Pajaziti dhe me stafin e saj shumë të vyeshëm të cilët meritojnë të përshëndeten e të përgëzohen për përpjekjen që bëjnë për afirmimin e letërsisë shqipe, kulturës shqiptare. KultStrofa është një nga format e mbështetjes së krijimtarisë letrare, poetike, në veçanti për të rinjtë”, thotë Vinca.

Sipas tij, dilemat në përzgjedhje nuk kanë munguar, por ai i konsideron tejet normale, andaj dhe i kanë zgjedhur bashkërisht me dy anëtarët e jurisë, dhjetë finalistët.

“Ne do të kemi kënaqësinë që sonte t’i dëgjojmë këto poezi që janë të larmishme tematikisht nga pikëpamja motivore, stilistike, konceptuale. Ka poezi më të gjata e më të shkurta, ka poezi që u referohen problemeve të botës bashkëkohore, ka poezi me mesazhe universale. Poezia është art shumë tekanjoz dhe ne kemi nisur së pari me strukturimin e poezisë, pastaj nga mesazhi që përçon poezia, pastaj edhe nga vlerat intonative”, përfundon ai.

Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, gazetarja, shkrimtarja dhe përkthyesja Beti Njuma, tregoi se përzgjedhja ka qenë tejet subjektive.

“Mendoja që do të ishte një ambient më intim por u befasova që ka kaq shumë njerëz që i mbledh dhe i bënë bashkë poezia, veçanërisht këtu në Prishtinë ku bashkohemi gjithë shqiptaria, sa herë që ka aktivitete të bukura. Falënderoj Ardianën që më bëri pjesë të këtij konkursi. Në fillim u tremba kur pashë aq shumë poezi por pastaj dora dorës, me leximin e tyre, trembja kaloi shumë shpejtë”, thotë Njuma.

Sipas saj, poezia është arti më i vështirë sepse duhet të koncentrohesh shumë në shumë pak fjalë.

“Jemi të lumtur që poezia fituese është shumë e mirë. Përzgjedhjet tona merrini si një përzgjedhje subjektive dhe askush që mendon që është vërtetë në shpirt, të mos dëshpërohet nëse nuk e gjen veten tek kjo dhjetëshe e përzgjedhur.”

Gjithashtu, anëtari tjetër i jurisë së këtij konkursi, kantautori dhe këngëtari Shpat Deda, tha se nëpërmjet fjalës, tash e 15 vite mundohet që t’i hyj në shpirt, dëgjuesve të tij.

“Fillimisht dua të falënderoj Ardianën që më ka përfshirë në këtë juri si dhe profesorin Vinca dhe zonjën Njuma për bashkëpunimin. Gjithashtu dua të falënderoj KultPlus për mbështetjen që vazhdimisht ia bënë skenës së kulturës, me përcjelljen e ngjarjeve dhe eventeve. Unë si kantautor që 15 vite i kushtoj rëndësi fjalës, tekstit dhe për mua fjala e shkruar është shumë e rëndësishme. Edhe pse nuk kam ndonjë prapavijë akademike në literaturë, mundohem ta gjej një mënyrë për të arritur tek shpirti i dëgjuesve, përmes fjalës”, thotë Deda.

Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i gjashtë i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi bukurinë, ndjeshmërinë, butësinë, ashpërsinë dhe vlerat letrare që ka në thelb. Nga poezia në poezi, nga interpretimi në interpretim, mbrëmja u vulos me një sërë motivesh që gjetën shtëpinë e tyre përbrenda hapësirës.

Para të pranishmëve, më në fund u shpalosën poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Agim Vinca (kryetar i jurisë), shkrimtarja Beti Njuma dhe kantautori Shpat Deda.

Rigel Rizaj, Albina Idrizi, Daut Dauti, Rudina Çupi, Laureta Rexha, Adelina Pali, Agim Berisha, Anje Ibërhysaj, Albina Sinaj-Shehetila, Alekseandër Çipa, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në mënyrë të jashtëzakonshme, ndonëse emocionet ishin të pranishme. Të gjitha poezitë e interpretuara u shoqëruan këndshëm nëpërmjet muzikës live që buronte nga instrumenti çelo i muzikantit Adorel Haxhijaj.

Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Apogje shpirti” nga Albina Idrizi, “Dhimbja është turpëruese” nga Rudina Çupi, “Perspektivë” nga Laureta Rexha, “Epitaf i ëndrrës” nga Agim Berisha, “Anja” nga Anje Ibërhysaj, “Me një fill” nga Albina Sinaj-Shehetila.

Në mungesën fizike të katër autorëve të tjerë finalistë, aktorja e njohur Vlora Merovci interpretoi poezitë si: “Hekup” nga Rigel Rizaj, “Epitaf i të pakthyeshmes” nga Daut Dauti, “Mbi ato buzë” nga Adelina Pali dhe “Hënë e jetës” nga Aleksandër Çipa.

Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Laureta Rexha, Agim Berisha, Rigel Rizaj, Adelina Pali, Daut Dauti, Albina Idrizi, Anje Ibërhysaj.

Aleksandër Çipa u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me poezinë “Hëna e jetës”, ndërsa Albina Sinaj-Shehetila u radhit e dyta me poezinë “Me një fill”.

Autorja Rudina Çupi, fitoi vendin e parë në edicionin e gjashtë të këtij konkursi me poezinë “Dhimbja është turpëruese”.

“Ndjehem shumëfish e gëzuar, sepse ndjehem e përzgjedhur në mesin e juaj, andaj edhe është një përgjegjësi shumë e madhe. Për hir të së vërtetës, ne poezinë e shkruajmë si fshehtas, thuajse në çastet më intime me veten dhe nuk e shpalosim shumë për shkakun se janë bërë shumë tashmë që shkruajnë. Nuk duam të jemi shumë të dukshëm. Është një kënaqësi e veçantë për faktin që në këtë vend, poezia është zonja e para, zana e fjalës së bukur dhe që ajo vazhdon të jetë kaq e fuqishme, kaq e ndjeshme, si një qershi mbi tortë, më bën akoma më shumë të lumtur”, tha Çupi pasi pranoi çmimin.

Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast, gotat e verës duke u kërcitur, muzika e ëmbël shqipe, që u derdhën mbi atmosferë pas gjithë kësaj mbrëmjeje plot emocione. Buzëqeshjet e plasaritura në fytyrat e secilit, kanë shënuar fundin e kësaj nate të paharrueshme.

‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus.

Kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hotel Nartel, Ujë Rugove, Frutomania dhe Labi Wine. /  KultPlus.com

Më 10 dhjetor, ceremonia e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Festa për poetët shqiptarë po afron. Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa” po bën përgatitjet e fundit për të sjell mbrëmjen finale ku edhe do të shpërblehen fituesit e këtij edicioni.

Në mbrëmjen e 10 dhjetorit, hijeshia e fjalës dhe ngrohtësia e poezisë do të bashkohen në një valë emocionesh në KultPlus Caffe Gallery.

Kuruar me kujdes dhe pasion nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, në këtë mbrëmje finale, drita e fjalës do të ndezët në orën 19:00, kur poetët do të nderohen me çmime të veçanta për poezitë e tyre.

Edhe këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se mbrëmja finale e konkursit “KultStrofa” do të mbahet më datë 10 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Juria profesionale e këtij edicioni e përbërë nga Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda do të jenë prezentë në mbrëmjen finale dhe do t’i ndajnë çmimet për fituesit. Juria tashmë ka përzgjedhur dhjetë poezi- finalistë dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Të gjithë ju konkurrentë dhe dashamirë të artit të fjalës, jeni të ftuar në këtë mbrëmje finale ku do të ndajmë momente të mrekullueshme bashkë dhe do të përqafojmë poezitë e këtij edicioni të konkursit “KultStrofa”.

Historia e këtij konkursi ka ngjyra të veçanta, me emra të njohur si fitues ndër vite: Ragip Sylaj, Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj, të cilët kanë shtuar një kapitull të ri në pasurinë e poezisë shqiptare.

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Frutomania, Ujë Rugove dhe Veraria Labi . / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi shkëlqeu në mbrëmjen artistike “Ta zbardhi ftyrën”: Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha

Era Berisha
Fotografitë: Arlind Gashi

Edicionin e tij të gjashtë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim me shumë emocione nga sopranoja e njohur shqiptare, Elbenita Kajtazi, e cila u shoqërua nga pianistja e mirënjohur Camille Lemonnier dhe Kori i grupit të fëmijëve “Okarina”.

Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato gjermane, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me zërin e Kajtazit, e cila si asnjëherë më parë, derdhi gjithë dashurinë, mallin, talentin e vuajtjet ndër vite, nga zëri i saj i ëmbël, për të krijuar një atmosferë që s’harrohet dot më.

Këngët e kënduara ekskluzivisht kanë ardhur në një formë të atillë që bëri që gjithë salla të jehojë me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. Pasioni i saj qysh nga fëmijëria, duket se nuk ka humbur e nuk do të humbasë deri në frymën e fundit, andaj audienca përjetoi një mbrëmje ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë, për shqiptarët, ka dalë përtej limitit, shkruan KultPlus.

Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar zërin e rrallë të sopranos Kajtazi.

Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistes Kajtazi dhe korit “Okarina”, ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marrë parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga reflektorët me ngjyrë të kuqe, kaltërt e bardhë në prapavijë dhe ato të ngrohtat në pjesën e tavanit që kanë ndihmuar në përcjelljen më të pastër të gishtërinjve të pianistes Lemonnier dhe qëndrimit të Korit “Okarina”.

Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt artisten në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.

Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje plot gjallëri.

“Një mbrëmje e jashtëzakonshme kulturore në kryeqytetin e Kosovës. Një mbrëmje që sjell magjinë e artistëve shqiptarë të suksesshëm në botë, magji që ata shpalosin para publikut të tyre nëpërmjet këtij formati. Sonte “Ta zbardhi ftyrën” do të mirëpresë në skenë një emër të madh të artit, një artiste e shquar e cila ka shfaqë talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës. Është fjala për sopranon Elbenita Kajtazi.”

Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë mirënjohjen për gjithë këta artistë të suksesshëm shqiptarë, që asnjëherë nuk i kanë thënë jo ftesës së KultPlus.

“Faleminderit të gjithëve që keni ardhur, kësaj mbrëmjeje i keni dhënë magji me prezencën e juaj dhe Elbenita e ka dëshiruar këtë mbrëmje, sepse ajo është mësuar me skena prestigjioze, por ka nevojë për ngrohtësinë e vendit të vetë. “Ta zbardhi ftyrën” është një format shumë i veçantë për stafin e KultPlus, është një format që sjell artistë nga vende të ndryshme të botës. Në edicionin e parë, nga Amerika kemi sjell Sislej Xhafa, nga Parisi, Imer Kutllovci, nga Vjena, Flaka Goranci, pastaj Erza Muqollin nga Parisi, Gjon’s Tears nga Zvicra, Gëzim Myshketën e kemi sjellë nga Milano e Elbenitën nga Gjermania. Elbenita vjen nga ato skenat magjike në një vend ku ende mungon salla prestigjioze. Unë jam shumë e lumtur që kam arrit me i sjell këta emra së bashku me ekipin e KultPlus-it, ekip që edhe tash është duke punuar brenda kësaj salle. Shpesh them që Kosova ka pasaportën më të pafuqishme në botë,  por këta artistë na krijojnë një pasaportë më vete. Jemi shumë me fat që kemi nxjerr artistë kaq të mëdhenj. Unë ju uroj një mbrëmje shumë të këndshme, shijojeni”, ka thënë Pajaziti.

Në emër të Komunës së Prishtinës, për një fjalë rasti doli edhe Pëllumb Bajqinovci, i cili i uroj gazetës KultPlus, suksese të mëdha tutje.

“Ardianë, përgëzime për gjashtë vite, është me të vërtetë e vështirë pasi që kultura në kryeqytet në përgjithësi në këto vitet e fundit ka pësuar një ulje dhe ka nevojë për evente të tilla. Mendoj që gjashtë vite me artistë të mëdhenj por shqiptarë, e madhështon këtë ngjarje. Ne me në krye me kryetarin Përparim Rama, do të bëjmë çmos që ngjarjet e tilla të jenë prezente edhe më shumë. Gjeneratat e reja duhet të mësohen me art dhe kulturë të nivelit më të lartë, andaj juve KultPlus ju dëshiroj sukses”, ka thënë ai.

Pas këtij fjalimi, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur sopranoja Elbenita Kajtazi doli në skenë, e shoqëruar më pastaj edhe nga pianistja Lemonnier. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me këndime, që krijuan kujtime të paharrueshme. Sopranoja Elbenita Kajtazi ka rrëfyer shumëçka nga jeta e saj qysh nga fëmijëria e deri më sot, copëza që kanë ndërtuar po këtë Elbenitë, po këtë shkëlqim të kësaj artisteje që po mbërthen teatro të mëdha nëpër botë.

Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, sopranoja Kajtazi ka thënë se dashuria për vendin e saj është krejtësisht tjetër. Ajo tha se nëpër shfaqjet nëpër botë, ndjen respekt shumë të madh për publikun që vjen dhe i përcjell shfaqjet por këtu ajo ndjen një dashuri të pakrahasueshme për publikun, andaj dallimi për të është i dukshëm.

Biletat për koncertin ishin rezervuar brenda vetëm ditëve. Dhe krejt kjo për vajzën që vjen nga Mitrovica, një talent që siç e thotë edhe ajo vetë: buron nga uji i Ibrit.

Është kënaqësi shumë e madhe të jem këtu,  sepse mua më mungon shumë publiku i Kosovës, por nuk kam kohë të vij më shpesh. Gjithmonë i gjej disa momente të veçanta dhe vij gjithmonë me shumë qejf. Këtu çdonjërin në publik e njoh dhe është ndjenjë e mrekullueshme. Është kënaqësi me këndu për ata njerëz që ma kanë zgjatë dorën të parët dhe për mua është emocion i papërshkrueshëm. Këtë dashni mundohem me e dërgu në krejt botën, andaj suksesi është prezent”, ka thënë Kajtazi.

Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Kajtazit, duke njohur edhe qoshet më të vogla të saj. Fotografia e parë shpërfaqi Elbenita Kajtazin si shitëse të qumështit, një fotografi e largët në kohë, por që sjell shumë emocion te artistja e skenave të mëdha, që Kosovën e bart tatuazh në krahun djathtë të saj.

“Flokët na i patën pre në luftë, megjithatë është një moment shumë i bukur i jetës sime. Para pak kohe, fotografinë ma dërgoi po kojshia që ia pata dërgu qumështin. Pas fotografisë qëndron një histori dhe dua ta ndaj me ju. Ishte një dasmë dhe unë isha duke e dërguar qumështin që më duhej t’a shisja. Dhe para disa kohe isha në Hamburg duke gatu, dhe për një moment më cingëroi telefoni, ma dërgoi po këtë fotografi, dhe fillova me qajtë kur e pashë fotografinë. Ne nuk kemi pasë shumë, por kemi pasë shumë dashni dhe me shumë qejf e kam dërgu këtë qumësht. Kam shumë dashni për kafshët dhe ato lopët që i kemi pasë, unë i kam dashtë shumë”, shpjegon sopranoja Kajtazi historinë e kësaj fotografie ku na shpërfaqë Elbenitën si shitëse të qumështit, dashurinë e saj për lopën, kafshë që u ka ndihmuar në mirëqenien e familjes së Elbenitës, por edhe krijimin e kontakteve me fqinjët, duke shitur qumështin në lagje.

Sipas saj, ajo kohë është një kohë që e ka bërë Kajtazin atë të cilën është sot. Kajtazi tutje u shpreh se ka dëshirë të flasë vetëm për kujtime të mira sepse ato të këqijat që janë përjetuar në luftë, secili i din dhe nuk ka nevojë me u përkujtu. Por, ato kujtime zakonisht i përmendin gjithmonë me shumë vendosmëri nëpër botë, nëpër çdo intervistë që ajo jep nëpër gazeta.

“Moment tjetër që e mbaj mend me shumë dashni është kur e kemi marr viqin e asaj lope dhe e kemi vendos në gepekun e kerrit. S’patëm mundësi me e mbajtë më dhe na u desh t’i hiqnim të dyja. Rrugës për Drenicë, viqi ish prapa neve, unë edhe tri motrat në kerr, babai dhe nëna para neve. Na ndali KFOR-i francez, për një moment ne u munduam mos me e lanë viqin me qu kryet por e qoi kryet. Ky është një nga momentet më të bukura të jetës sime,  sepse pastaj na dhanë rroba, dhe ne arritëm tek halla, të lumtur të gjithë”, ka thënë Elbenita për shpjegimin e fëmijërisë së saj.

Një foto tjetër doli në ekran dhe në atë foto, ishte e gjithë familja e Kajtazit, të buzëqeshur e të kapur për njëri-tjetrin.

“Këtu jemi të gjithë së bashku. Për mua, vlera më e madhe është familja ime. Meqenëse, fëmijëria ime më është cenu gjatë luftës, nuk mendoj që kam qenë fëmijë ndonjëherë. Gjithmonë kam mendu si e rritur, andaj në shtëpi motrat dhe vëllau më thërrasin ‘bac’. Edhe prindërit e mi të mrekullueshëm, kanë sakrifikuar shumë, por me shumë mundime na kanë rritë e na kanë shkolluar. Unë i kam pesë motra dhe një vëlla. Unë jam shumë krenare për motrat e mia. Motra ime e dytë është avokate që punon në Nju Jork, motra ime e tretë largon bombat e Luftës së Dytë Botërore në Hamburg, motra ime e katërt ka lindë në ditën që ka përfundu lufta në Kosovë dhe për momentin është duke studiuar regji të Operës dhe piano në Hamburg, motra e pestë ka përfunduar për infermieri dhe motra e gjashtë është duke përfunduar për infermiere, kurse vëllau im, Bardhi, dëshiron të shkoj në Amerikë.”

Ndonëse nuk kanë pasur edhe shumë fotografi në sitrarin e familjes, sopranoja Kajtazi e ka zgjedhë atë fotografi pikërisht ku aty shihen buzëqeshjet e secilit dhe e mban mend si moment shumë të bukur. Ajo ka thënë se prindërit e saj janë shembuj se si duhet të edukohen fëmijët.

“Babai im çdo javë ka ardhë në shkollën e muzikës me ditë se çfarë po bëj. Kurse nëna ime është po ajo grua që më ka inkurajuar për mësim. Nëse më ka parë duke punuar tentene, të njëjta mi ka shti në zjarr, sepse më ka thënë që librat janë për mua, dhe jo tentenet. Nëna më ka thënë që duhesh me lanë një pikë në këtë botë, duhesh me qenë e pavarur.”

Rrugëtimi nga Mitrovica në Prishtinë

Sopranoja Kajtazi më pas para të pranishmëve kujton ëndrrat e saj për Prishtinën, po për atë Prishtinë që nuk i përmbushi ëndrrat e saj.

“Kur kam qenë në Mitrovicë mendoja se si të arrij në Prishtinë, se a thua si do të jetë, dhe kur arrita aty mua më pëlqeu gjallëria e qytetit, por gjithmonë më ka mungu Mitrovica. Gjithsesi, kohën e studimeve e kam pas me shumë turbulenca emocionale. Kam qenë studente e mirë, por mu ka dukur pak Prishtina. Kosova ka qenë e vogël për ëndrrat e mia të mëdha. Nuk ka qenë e vështirë që unë të angazhohesha në Filharmoninë e Kosovës, por në të njëjtën kohë, përgjatë studimeve, prej gjithë profesorëve të fakultetit, ne kemi mësuar shumë dhe kemi qenë si shpuza, duke thithur informacione”, ka thënë Kajtazi, e cila po prej skenës bëri edhe një thirrje sa i përket po Fakultetit të Arteve. Sipas saj, ky institucion ka nevojë për një rigjenerim total, pasi që sipas saj,  artistët duhet ta kenë hapësirën e duhur për të studiuar. “Sepse unë për vete shumë shpesh kam hyrë në depresion dhe të gjitha gjërat më janë dukur gabim. Pritshmëritë e mia kanë qenë shumë të larta dhe pastaj kur nuk kam hasur në ato, jam dëshpëruar shumë”, ka thënë Elbenita po për periudhën e studimeve në Prishtinë.

Dashuria e saj, Ardiani

Dhe ndërtimi i karrierës opersitike do të ishte i pamundur pa mbështetjen e partnerit të saj, Ardianit, që sipas Elbenitës, bashkë më të i ka ndërtuar ëndrrat.

“Unë dashurinë time të jetës e kam takuar në Mitrovicë. Në shkollë të mesme, Ardianin e kam taku dhe e kam vërejtur se është djalë shumë i mirë. Ne kemi fillu lidhjen në bankat e shkollës së rokut në Mitrovicë. Ai është një person shumë i rëndësishëm i jetës sime, ai është shtëpia ime dhe qetësia ime. Asnjëherë se harroj momentin kur ishim të ulur dhe më pyeti për një katalog që e mbaja me vete të Maria Callasit, dhe më pyeti se kush është, iu përgjigja duke thënë se është diva e Operës dhe unë do të bëhem si ajo. Unë kam ëndërruar shumë dhe dore përdore ne jemi ngritur së bashku, por kemi pas edhe momente shumë të vështira, pasi që kemi qenë të ndarë për një kohë të gjatë për shkak të studimeve”, ka thënë Elbenita, e cila falënderuese ishte për Ardianin edhe nga skena e Prishtinës, duke shpjeguar se edhe pse nuk ishte i pranishëm në skenë, ai ishte i pranishëm me punën për këtë mbrëmje, pasi që, aranzhmanin e dy këngëve të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, ishin realizuar po nga Ardiani.  

Ermonela Jaho – drita e fundit e tunelit

Në pjesën e bashkëbisedimit me Elbenita Kajtazin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së sopranos së famshme Ermonela Jahos, që për Elbenita Kajtazin vazhdon të jetë motra e saj e madhe, pasi që, ajo vazhdon të jetë mbështetësja më e madhe në karrierën operistike.

“Unë Ermonelën e ndjej si motër. Ajo e ka një vend të veçantë në zemrën time, sepse e kam takuar në një prej momenteve më të vështira psikologjike të jetës sime. Ka qenë viti i fundit i studimeve, dhe kur erdhi ajo për një koncert, unë paraprakisht i pata thënë nënës se doja ta lija punën e studimeve. Në atë moment në televizion, kishte intervistë Ermonela dhe në atë kohë ajo debutoi në Londër, dhe unë e shihja me admirim ngaqë nuk e kisha njohur më herët. E dëgjova intervistën dhe më la përshtypje shumë intervista. Në atë moment nëna më tha pse nuk po kontakton me të, dhe e bëra pas insistimit të saj. E lash telefonin mbi piano, dhe derisa isha duke dalë prej dhomës, mora përgjigje menjëherë nga ajo. Ajo më dha shpresë të madhe dhe ajo mbetet për mua drita në fund të tunelit”, ka thënë Kajtazi, e cila fuqishëm ka vazhduar me bindjen se nëse për ëndrrat e tua punon fortë, do ia dalësh.

Karolina dhe Vera – shtyllat e forta të jetës

Dhe pos Ermonela Jahos, edhe dy gra të tjera kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Elbenita Kajtazin. Karolina dhe Vera vazhdojnë të jenë çelësi i suksesit të sopranos shqiptare, e cila edhe më tej vlerëson përkushtimin e tyre në ndriçimin e karrierës së saj.

“Ndodhi një masterklasë në Kosovë dhe u zgjodha si studente që me shku në Amerikë. Atje takova Verën, ajo është regjisore dhe puna me të ka qenë shumë e thellë, shumë emocionale. Ajo e dalloi talentin tim e më tha se kam potencial, dhe më luti  që të marr një vizë për Evropë. Më premtoi që do të mi organizoj audicionet. Falë Verës, unë jam këtu ku jam, kam depërtuar në vende të ndryshme. Në anën tjetër, Karolina është profesoresha ime gjermane e këndimit që 15 vite. Ajo e bën një punë të shkëlqyer me këngëtarët operstikë si në Kosovë e Shqipëri, e që shumë njerëz nuk e dinë. Ajo i merr këngëtarët mbi supet e veta, i ushqen dhe i ushtron pa asnjë cent. Falë saj, unë jam këtu ku jam. Andaj, e falënderoj shumë, sepse është një pjesë e rëndësishme e muzikës klasike në Kosovë.”

Shtëpia operistike në Prishtinë – ëndërr e venitur

Dhe ëndrrat për një artist janë më se të natyrshme, por Kajtazi një ëndërr të venitur e quan ndërtimin e një salle operistike në Kosovë.

“Unë nuk pushoj së ëndërruari, por një ëndërr që e kam pikë është me këndu në shtëpinë operistike në Prishtinë. Gjithë ëndrrat e tjera kam përshtypjen se do të realizohen, por kjo është e vetmja ëndërr që shpresën e kam pak të venitur. Nuk e di se a do të bëhet, por këtë e ëndërroj”, ka thënë ajo.  

Titulli  “Ambasdore nderi”, ndarë nga presidentja Vjosa Osmani

Elbenita Kajtazi tashmë kishte mbërthyer audiencën me rrëfimin e saj, dhe natyrshëm ndau me ta edhe për emocionet që i dha presidentja Vjosa Osmani, kur i dha titullin “Ambasadore Nderi”.

“Është një kënaqësi shumë e madhe. Kam një vlerësim shumë të lartë për presidenten Osmani dhe për mua ajo ka qenë inspirim qysh një kohë të gjatë, sepse ka qenë nxënëse e babait tim. Gjithmonë e kam pasur pikësynim me qenë  e edukuar si ajo, e shkolluar. Unë pata një takim me të, dhe shkova aty me babin tim. Më pyeti se a e kam marr pasaportën gjermane dhe i thashë jo.  Sepse ata kërkonin që kjo e Kosovës të më hiqej. Natyrisht, nëse merr pasaportë gjermane, duhesh me e fshi identitetin kosovar dhe unë natyrisht që nuk kam pranu. Tash, në bisedë e sipër presidentja më tha shiko se çfarë duhet me bë për ta arritur atë, dhe ne të ndihmojmë. E pyeta një avokat dhe më tha se nëse në shtetin tënd vlerësohesh si artist i vendit atëherë asnjë shtet në botë nuk ka të drejtë me ta heq shtetësinë. Dhe, tashmë sot i kam tri pasaporta, të Kosovës, Shqipërisë dhe Gjermanisë”, ka thënë Kajtazi, artistja që dikur kishte problem për një vizë e tashmë posedon tri pasaporta.  

Eksluzivisht për KultPlus

Dhe se puna do angazhim, dhe se angazhimi të bën ëndrrat realitet, Elbenita e dëshmoi në këtë rrëfim me ndarjen e një ekskluzivieti, që për ta jetësuar këtë ëndërr, punon tash e 15 vjet.

“Në sezonin e ardhshëm do të këndoj në Operën Shtetërore të Vjenës. Që 15 vite jam duke punuar për me arrit aty dhe më në fund e arrita”, ka shpalosur Kajtazi në fund të krejt bisedës, bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë e saj, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin.

Më pas, me një video mesazh është lajmëruar baritoni Gëzim Myshketa, protagonisti i edicionit të vitit të kaluar të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” i cili ka përshëndetë organizatoren Ardianë Pajaziti, mysafiren Elbenita Kajtazin dhe gjithë të pranishmit.  

“Mirëmbrëma Kosovë, mirëmbrëma Prishtinë. Ju përqafoj të gjithëve,  por në veçanti Ardianë Pajazitin, e cila është një mike e shtrenjtë që u bë shkas për një mbrëmje, emocionet e së cilës i mbaj akoma thellë në shpirt, edhe pse ka kaluar një vit nga edicioni i pestë i ‘Ta zbardhi ftyrën’. Kam marr vesh me shumë kënaqësi që kjo mbrëmje i dedikohet sopranos me vlera të jashtëzakonshme, siç është Elbenita. E re nga mosha, por me një karrierë të shkëlqyer. Kam në kujtimet e mia momentet e para të takimit tim me të dhe nga ai moment dallova talentin e saj, dëshirën e saj për të kënduar. Mikja ime, të uroj suksese. Ju përqafoj me shumë mall, toka ime e shtrenjtë”, ka thënë mes të tjerash Myshketa.

Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum zërin e veçantë të sopranos Elbenita Kajtazi. Notë pas note, lëvizje pas lëvizje, ajo na dhuroi një mbrëmje që doli përtej imagjinatës. Duke kënduar vepra të mëdha siç është ajo gjermane “Për të gjithë shpirtrat”, një këngë që u dedikohet jetëve të humbura në luftë, deri tek kënga e dytë nga opera Manu, një rol që i ka dhënë asaj suksesin më të madh në jetë, e deri tek këngët shqipe si: Mallëngjimi, E duam lumturinë dhe Për ty atdhe.

Kënga “Mallëngjimi” nxori në skenë edhe një artiste tjetër, ku me ftesë të Elbenita Kajtazit, Zana Abazi Ramadani interpretuan këtë këngë, të cilat shkëlqyen dhe sollën shumë emocion tek publiku.

“Çdo kangë shqipe ma dridhë zemrën”, ka thënë Kajtazi para se të marr skenën e t’a pushtoj atë me gjithë qenien e saj.

Ndërsa, në këtë mbrëmje krejt në fund ajo ndau një kujtim që e kishte nga fëmijëria e saj.

“Kur kam qenë e vogël kam fillu me këndu në shkollën Ismail Qemali në Mitrovicë, aty ku ka dhënë mësim babai im në lëndën e gjeografisë. Gjithsesi, këngën “Lumturia” e kam këndu shumë herë në korin e shkollës dhe si e vogël e kam mendu që një ditë në jetën time do e marr korin e fëmijëve dhe do e këndoj këtë këngë. Andaj, sonte kam kënaqësinë që dy këngë t’i këndoj me Korin e fëmijëve ‘Okarina’.”

Si një buqetë me lule plot, ishin fëmijët që këndonin njëzëri me sopranon Kajtazi. Fotografitë e shumta, buzëqeshjet e pandalura u dalluan në moment. Prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, artdashësit e muzikës klasike si dhe asaj pianistike, kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.

Për ta shpërblyer sopranon Elbenita Kajtazi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti. Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku sopranoja Elbenita Kajtazi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Ndërsa për KultPlus, profesoresha e muzikës, Besa Luzha ka thënë se projekti “Ta zbardhi ftyrën” organizuar nga KultPlus, është një platformë e shkëlqyeshme ku artistët bashkëbisedojnë më së miri.

“Elbenita është një soprano shumë e talentuar, me një zë të bukur e mirë të formësuar, atiste e cila mishërohet me rolin plotësisht, duke qenë shumë emocionale e temperamente. Pra, kur talenti dhe puna, kombinohen me përkrahje e mbështetje, suksesi është i garantuar. Elbenita, Marigona, Graniti e shumë të tjerë, që ishin studentë të UP, tash po korrin suksese në shfaqjet e ndryshme të shtëpive operistike, e neve po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre. Një ditë, në të ardhmen e afërt këta artistë do t’i shohim duke performuar në shtëpinë operistike të Kosovës poashtu. Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i KultPlus është një platformë e shkëlqyeshme ku këta artistë bashkëbisedojnë për jetën dhe profesionin e tyre, para publikut, për të cilin pastaj artistët edhe performojnë pjesë të zgjedhura, si një format unik. Elbenitës i uroj t’i realizohet ëndërra e saj shtytëse për t’u marr me këndimin-që ajo të bëhet një Maria Kallas e dytë, dalur nga trojet shqiptare e të vazhdojë të na bëjë krenarë ne dhe atdheun që ajo aq shumë e don.”

Po ashtu, dirigjenti Memli Kelmendi potencoi se gazeta KultPlus i ka sjellë një freski artit në Kosovë.

“Dua të përgëzoj Ardianën dhe KultPlus për organizimin dhe freskinë dhënë artit në Kosovë. Me Elbeniten jemi miq që nga studimet, çdoherë e ka dashur suksesin dhe sot ndihemi të gjithë krenarë për Elbeniten dhe suksesin e saj. Ishte një mbrëmje ndryshe prej të tjerave, e shijuam.”

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, AMC, Coca Cola HBC Kosovo, Ujë Rugove, Frutomania dhe Agrocop. / KultPlus.com

Bëhuni gati për nesër, ‘Ta Zbardhi Ftyrën’ sjell një natë magjepsëse me Elbenita Kajtazin

“Ta Zbardhi Ftyrën” tashmë si një ngjarje tradicionale e organizuar nga gazeta e parë dhe e vetme e Kulturës në Kosovë, KultPlus, zhvillon nesër edicionin e saj të 6-të.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.

Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

Vetëm edhe 4 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa”

Kanë mbetur vetëm edhe 4 ditë deri në mbyllje të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, konkurs ky i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus” tash e gjashtë vite.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Juria profesionale e këtij edicioni ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftuar në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Zbulohet juria profesionale e edicionit të gjashtë të “KultStrofa”

KultPlus këto ditë ka hapur thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorët e këtij konkursi sot kanë bërë publike edhe jurinë profesionale të këtij edicioni e cila këtë vit ka një përbërje të veçantë, duke përfshirë shkrimtarë, gazetarë dhe tekstshkrues të këngëve, me qëllim të një laramanie sa i përket shijeve.

Juria përbëhet nga: Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka treguar se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa’. Afati i fundit për aplikim është data 26 nëntor 2023, ora 23:59.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. / KultPlus.com

Nga kalldrëmet e Prizrenit tek reflektorët e Hollywood-it, Bekim Fehmiu u rikthye dje në vendin e tij të preferuar

Jeta Zymberi

“Nëse e fitoj këtë rol, unë shkova”, këto ishin fjalët e Bekim Fehmiut drejtuar vëllait të tij, Arsim Fehmiut, pasi kishte marr në duar skenarin e filmit “Mbledhësi i Puplave”. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Bekimi, ky film ishte drita jeshile për aktorin tonë i cili do ta sillte në krye të skenës së artit botëror.

Madhështia e Bekim Fehmiut dje u rikthye në Kinemanë ABC përmes filmit dokumentar  të cilin e punoi me shumë dashni regjisori Valmir Tertini. Ky film ishte një kthim në kohë, një rikthim i emocioneve dhe shpërblim i vogël për punën e jashtëzakonshme të aktorit pasi filmi solli një kujtim të bukur që do të ruhet në historinë e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Hyrja për në kinema dje nuk ishte e lehtë, pasi numri i të interesuarve ishte i madh, por megjithatë të gjithë zunë vendin e tyre dhe emocionet ishin në ajër pasi në një mënyrë ose tjetër, Bekimin do ta kishim në sallë.

Por para se të vijë ky moment, fjala ju dha kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës i cili u shpreh se ky film mundohet të hedh dritë mbi figurën e Bekim Fehmiut.

“Në këtë film, arti i shtatë, rrëfimtaria si dhe historia e përbashkët e popujve të Ballkanit, ndërthuren nëpërmjet një emri të përveçshëm, atij të legjendës kinematografike shqiptare, jugosllave e botërore, të madhit, Bekim Fehmiut. Prej hapave të parë artistik që i nisi në kalldrëmin e Prizrenit e deri te reflektorët e ndritshëm të Hollywoodit, Bekim Fehmiu u ngrit si një gjigant që i ka kapërcy barrierat e kufijve dhe për këtë arsye emri i tij do të mbetet i gdhendur përgjithmonë në historinë e kinematografisë botërore”, u shpreh Rama teksa tha se ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është autenciteti i tij si portret real i aktorit.

“Historia e Bekim Fehmiut është më shumë se sa një Odise e suksesshme kinematografike, një dëshmi e fuqisë së artit për t’i kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë ato”, përfundoi Rama.

“Mirëdita” tha në shqip Branka Petric, zonja që ndau dallgët e jetës me aktorin tonë të madh e cila u ngjit në skenë për të thënë disa fjalë rreth këtij dokumentari dhe ndjenjave të saj të përziera në ato momente.

“Jam shumë e lumtur dhe njëkohësisht shumë e shqetësuar që jam e pranishme këtu sepse hapësira e Kinemasë ABC ishte vendi i preferuar i Bekimit”, tha Branka e cila shqetësimin e saj u mundua ta fshehtë me qeshje, një qeshje që dukej si një ironi thurur ndjenjave të saj dhe një barrierë përmes të cilës mundohej t’i mbante lotët.

“Kur erdhëm në Prishtinë ishte duke rënë një shi shumë i madh dhe ja sot dielli ka dal dhe ka zbukuruar këtë ditë”, u shpreh Branka duke na lënë të kuptojmë se Bekimi ishte dielli i Prishtinës në këtë ditë vjeshte.

“Shpresoj që do të ju pëlqej ky projeksion dhe jam e bindur se edhe Bekimit do ti pëlqej ky film sepse unë jam e bindur se është dikush atje lart që na sheh”.

Për të marr përshtypjet e tyre të gjithë të pranishmit, në ekranin e madh të kinemasë filmi nisi me aktin e vdekjes së aktorit, akt përmes të cilit jo vetëm u shua jeta e një ylli të madh por u privua edhe mundësia e dëshira e madhe e shumë njerëzve që ëndërronin ta takonin një ditë. Por ky akt i cili ndodhi më 15 qershor të vitit 2010 në apartamentin e tij në Beograd, kur ai ishte 74 vjeçar, nuk e zbehi asnjëherë madhështinë e tij e cila vazhdon të frymëzojë edhe gjeneratat e reja.

I lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në gjirin e një familje gjakovare, Bekim Fehmiu ishte i biri i Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Pasi i ati i tij ishte internuar në kryeqendrën boshnjake nga autoritetet mbretërore jugosllave. Më 1939 familja u zhvendos në Shkodër, ku kaluan tre vite dhe pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia, u vendosën në Prizren.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Fëmijëria e tij u rrëfye në këtë film nga vëllai i tij, Arsim Fehmiu, i cili mungoi në shfaqjen e këtij dokumentari, pasi vitin e kaluar u nda nga jeta. Por rrëfimi i tij tashmë ka mbetur i dokumentuar dhe emocionet i përçoi fuqishëm tek publiku.

Ndërsa bashkudhëtarja e aktorit, Branka Petric me të cilën ka edhe dy djem, rrëfimin e saj në këtë dokumentar e nis këndshëm. Pas 10 vitesh, ajo për herë të parë hapë valixhen ku ruante gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj, nga kapela me të cilën u paraqit te filmi “Mbledhësi i Puplave”, një fletore shënimesh, arma me të cilën luajti në një film e shumë gjëra të tera të çmuara të aktorit.

Gjatë rrëfimit të saj, Branka qan, qesh e madje edhe këndon derisa shpalos shumë detaje nga jeta e përbashkët me Bekimin.

Gjatë 60 minutave dokumentar i cili erdhi në formë të intervistave ekskluzive nga familjarë, të afërm, miq, artistë e bashkëpunëtorë, u shpalosën më shumë përshtypjet që këta personazh kishin për Bekim Fehmiu, por nuk munguan edhe detaje që zbulonin më shumë për karakterin e aktorit.

“Bekim Fehmiu ishte i madhërishëm dhe shumë modest në të njëjtën kohë”. “Ai ishte Odisea jonë”. “Bekimi ishte aktori më i madh i kohës sonë”. Këto ishin vetëm disa nga fjalët e shumta që u thanë për aktorin Bekim Fehmiu nga personazhet si: Enver Petrovci, Timo Flloko, Roza Agnanosti si dhe regjisorë e bashkëpunëtorë të huaj me të cilët punoi Bekim Fehmiu.

Një pjesë mjaft emocionuese e këtij dokumentari ishte edhe momenti kur Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Momente ku shfaqet malli dhe dashuria e tij për këtë vend. Gjatë kësaj vizite ai kishte shkuar edhe tek shtëpia në Shkodër ku i kaloi tre vite të fëmijërisë së tij.

Ky film dokumentar, është i pari krijim mbi figurën e Bekim Fehmiut i cili u ndërtua nga skenari i gazetarit Fahri Musliut dhe nënë përkujdesjen regjisoriale të Valmir Tertinit.

Padyshim që një film është e pamundur të mbërthejë gjithë jetën dhe karrierën e një ylli të tillë siç është Bekim Fehmiu, këtë e pranoi edhe skenaristi Fahri Musliu i cili u shpreh se nuk ishte i lehtë as vendimi për të pranuar ofertën e bashkëpunimit nga regjisori por gjithsesi për të kjo tashmë është një ëndërr e realizuar.

“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu.

Pas përfundimit të filmit dokumentar i cili u përcoll me duartrokitje të shumta, për KultPlus përshtypjet e saj i ndau edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që tashmë është realizuar një film për figurën e Bekim Fehmiut sepse një i tillë i ka munguar shumë Kosovës.

“Ky film flet shumë për jetën e tij si artist dhe është diçka që i ka munguar Kosovës. Shpresoj që këtë film ta shohin sa më shumë njerëz, sa më shumë të rinjë, që ta dijnë se kush ishte Bekim Fehmiu. I uroj suksese regjisorit për këtë punë të madhe që e ka bërë sepse është shumë e rëndësishme të punosh film për një figurë kaq të madhe. Ky film e ofroj një dritare të vogël për madhështinë e Bekimit sepse shumë njerëz sot nuk e dijnë andaj filmat janë të domosdoshëm që këto të përcillen edhe te gjeneratat e reja”, u shpreh Zeqiri.

Ndërsa, profesoresha dhe shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, Naile Imami e cila e njihte Bekim Fehmiun për vite të tëra në Beograd dhe njohu nga afër jetën dhe familjen e tij, në momentin që po e realizonim intervistën ende nuk kishte një mendim të prerë për filmin, por ajo ishte e sigurte për një gjë.

“Ende nuk kam një mendim të prerë për këtë film dokumentar për shkak të faktit se unë e njoha Bekim Fehmiun me vite të tëra në Beograd dhe njoh jetën e familjen e tij, di shumë gjëra të bukura dhe në këto momente i kam të përziera këto emocione. Në film, nuk pash shumë detaje për Bekim Fehmiun dhe për këtë më vjen keq. Gjithashtu përzgjedhja e personazheve që folën në film për Bekim Fehmiun nuk më pëlqeu sepse po të ishte Bekimi gjallë nuk do t’i pëlqente. Por e rëndësishme është që është realizuar ky film, më mirë pak se hiq”, u shpreh Imami ndër të tjera.

Krejt për fund, disa fjalë i ndau për KultPlus edhe personi i cili qëndron pas gjithë këtij filmi, regjisori i cili mori guximin të bëjë një film për një figurë kaq të madhe, Valmir Tertini. Ai shpalosi sfidat gjatë realizimit të këtij dokumentari të cilat nuk ishin të pakta.

“Ka qenë një sfidë e madhe si kohore ashtu edhe financiare për realizimin e këtij filmi. Por megjithatë filmi arriti të finalizohet pas më shumë se 5 viteve punë e peripeci. Unë kam vendos që në këtë dokumentar mos të përdorim asnjë fotografi por vetëm video, kryesisht nga filmat e tij dhe disa video janë ekskluzive”, tha Tertini i cili u shpreh tutje se figura e Bekimit ka qenë e keqkuptuar dhe beson shumë se ky dokumentar tregon shumë për të që nga lindja e deri të kulminacioni i tij.

Krejt për fund, Tertini tregoi se filmi pas premierës në Tiranë, Prizren dhe Prishtinë, do të vazhdoj me premierat e radhës në Beograd dhe Romë e gjithashtu do të udhëtojë edhe nëpër festivale. / KultPlus.com

Po afron festa për poetët shqiptarë, hapet konkursi mbarëkombëtar i poezisë ‘KultStrofa”

KultPlus ka hapur sot thirrjen për edicionin e gjashtë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, dhe ky konkurs është i hapur për të gjithë poetët.

Ky konkurs ka një histori të pasur me kontributet e jashtëzakonshme të poetëve, të cilët janë nderuar me një ceremoni të veçantë, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë  “KultPlus”.

Por këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme. Ardianë Pajaziti, organizatorja e këtij konkursi dhe themeluesja e KultPlus, ka shprehur se “KultStrofa” mbetet një nga konkurset më të rëndësishme dhe më të nderuara në fushën e poezisë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj.

“Për ne, ‘KultStrofa’ vazhdon të jetë një konkurs i rrallë dhe serioz në botën e poezisë. Kjo është e njohur nga poetë të shumtë të shquar, të cilët kanë kontribuar me poezi të jashtëzakonshme në edicionet e mëparshme. Një nga veçoritë që e dallon është përzgjedhja e një jurie profesionale, e cila çdo vit sjell personalitete të shquara në skenës letrare. Këtë vit, kemi emra të fuqishëm, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim”, thotë Pajaziti.

Njoftohet se konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe talentët e rijnë. Pajaziti gjithashtu ka bërë të ditur se kandidatët mund të aplikojnë me një poezi të pabotuar, duke e dërguar në adresën [email protected], duke përdorur subjektin “Për konkursin e poezisë ‘KultStrofa'”.

Asnjë aplikim nuk pranohet nëpërmjet formave të tjera. Juria profesionale do të përzgjedhë dhjetë poezi- finalistë, të cilët edhe do të jenë të ftura në ceremoninë kryesore, dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj. Thirrja mbetet e hapur deri më 26 nëntor 2023 në ora 23:59.  Kujtojmë se KultStrofa sivjet po shënon edicionin e gjashtë./ KultPlus.com

Në KultPlus Caffe Gallery u shënua 85 vjetori i Kristallnacht, historia e mbijetesës së hebrenjve erdhi nëpërmjet librit “Njeriu më i lumtur në botë”

 

Vjollca Duraku

I 40-ti me radhë në gjuhët botërore, libri ‘Njeriu më i lumtur në botë’, i autorit Eddie Jaku, që përkthimi në shqip i këtij libri erdhi nga Elvi Sidheri, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery erdhi në përkujtim të Kristallnacht, shkruan KultPlus.

Përkthimi i një libri të tillë në gjuhën shqipe, i cili trajton historinë e një të mbijetuari hebre, në kampet naziste në Gjermani, nga panelistët e mbrëmjes u cilësua si mëse i nevojshëm për faktin se përjetime të ngjashme ka përjetuar edhe populli i Kosovës, për të dhënë mesazh se përjetimet nga mizori të tilla duhet të shkruhen dhe dokumentohen, për të edukuar brezat e mëvonshëm mbi historinë e popullit, siç ndodhi me Eddie Jaku-n,  i cili e përjetoi botimin e librit të tij në moshën 100 vjeçare.

Para një publiku të madh, i cili kishte zënë gjithë hapësirën e galerisë së mediumit KultPlus, pjesë e të cilit qenë edhe të përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Izraelite, Kroate, Gjermane dhe përfaqësisë Rumune në Prishtinë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e para foli drejtoresha e këtij mediumi, Ardianë Pajaziti. Ajo tha se ky libër vjen si thirrje që formate të tilla të librit të vijnë edhe nga historitë e gjirit të popullit, të cilat janë përjetuar në luftën e vitit 1999.

“Përkthimi i librit në shqip, ka ardhur në një moment  pak të ndjeshëm me atë që po kalon pjesa tjetër e botës. Ky libër është ndoshta thirrje për popullin tonë që të shfrytëzojë luftën e Kosovës dhe t’i nxjerrin rrëfimet në vetën e parë, për faktin se ne si shqiptarë kemi në mënyrë kronologjike, rrëfime për të kaluarën tonë. Rrëfimet tona dhe vuajtjet tona që i kemi pasur në raport me serbët po mungojnë. Fatmirësisht në luftën e fundit në Kosovë kemi disa libra që paraqesin përjetimet e grave të dhunuara por unë jam shumë e sigurt, ashtu sikurse edhe ju, që kemi rrëfime e rrëfime që mund t’i ndajmë në këtë format sikurse e ka sjellë Elvi në gjuhën shqipe”, ka thënë drejtoresha Pajaziti.

Kurse vet përkthyesi i librit Elvi Sidheri, tha që ndihej shumë i lumtur që një promovim të tillë po e bënte në Prishtinë, i cili sipas tij erdhi me shumë peripeci në 85 vjetorin e ditës kur fillon përndjekja masive ndaj hebrenjve prej nazistëve.

“Ishte shumë e vështirë që ta merrnim të drejtën për ta botuar në shqip dhe këmbëngula shumë që ky libër të botohej, sepse nëse nuk gabohem është i pari libër me këtë natyrë që është botuar në Prishtinë, ndonëse ka libra të tjerë të tillë, por që janë botuar në Tiranë. Besoj që bëra mirë që këmbëngula dhe jam vërtetë shumë i kënaqur dhe shumë i lumtur që ia dolëm mbanë ta sjellim këtu në Prishtinë”, tha Sidheri duke falënderuar drejtoreshën Ardianë Pajaziti për bashkëpunimet e frytshme në katër vitet e fundit.

Libri “Njeriu më i lumtur në botë” është shkruar nga një i mbijetuar i kampeve naziste, Eddie Jaku, i cili sfidat e tij para botës i solli në moshën 100 vjeçare, një vit para vdekjes.

“Edi Jaku ishte një hebre me origjinë polake nga Lajpcigu i Gjermanisë, i cili Holokaustin e ka përjetuar në lëkurën e tij. Familja Eddie Jakun kishte arritur ta regjistronte si gjerman, me një identitet fals, në shkollën më të mirë mekanike në Gjermani, me arsyen se atë nuk do ta prekte Holokausti, ngaqë prindërit i kishin shkëputur kontaktet me të sapo vjen Hitleri në pushtet. ‘Gabimi’ i tij është që nga malli për familjen ai vendos që tinëzisht, pa iu thënë gjë prindërve të shkoj në Nuremberg pikërisht kur filluan përndjekjet masive ndaj hebrenjve. Familjen e tij e kishin arrestuar nazistët, dhe kur shkon para shtëpisë së tij kapet nga regjimi dhe aty fillon kalvari i tij, i cili kalon nëpër kampe përqendrimi, i cili arratiset dhe shpëton disa herë”, tregoi Sidheri duke thënë që vetëm në vitet e 80-ta Jaku filloi të flas për këto përvoja me fëmijët e vet me të cilët jetonte në Australi.

Pas këtyre informacioneve mbi përkthimin dhe përmbajtjen e librit, fjalën e mori ish-Ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu i cili tha që përkthimi i një libri të tillë në vendin tonë është shumë i rëndësishëm, sepse një histori të ngjashme, ndonëse jo në përmasat hebraike e kishte përjetuar edhe populli i Kosovës.

“Mendoj që është e rëndësishme që të jetë ky libër për lexuesin kosovar sepse i tërë populli ka kaluar nëpër një kalvar të tillë, tash nuk dua të krahasoj sepse është e pakrahasueshme ajo që ka pësuar populli hebre, por shija e asaj që ka ndodhur në Kosovë është e njëjtë, e ngjashme duke përfshirë urrejtjen, vrasjet, shfarosjen. Dhe ky libër sjell pikërisht edhe atë që ne e kemi përjetuar në përmasat tona”, tha Spahiu.

Ish Ambasadori, më tej e theksoi edhe të veçantën e këtij libri që për dallim nga shumë libra të tillë, ku fundi është shumë tragjik dhe gjithmonë lexuesi dëshpërohet nga vuajtjet njerëzore që sheh aty, ky libër është njëfarëlloj triumfi mbi të keqen, duke iu referuar titullit ‘Njeriu më i lumtur në botë’ sepse Eddie Jaku i tejkalon sfidat që kishin ndodhur me familjen dhe kombin e tij, duke e gjetur lumturinë përsëri tek familja e tij, në rrethana krejtësisht të tjera.

“Është një libër edhe i shkruar bukur, ka një stil të veçantë, i shkruar në një moshë mjaft të shtyer, i cili edhe është shndërruar në best seller, ky është edhe një mësim se si duhet shkruar”, përfundoi ish-Ambasadori Spahiu.

Ndërsa profesori universitar Blerim Latifi tha që ndihej i lumtur që në literaturën shqipe, tanimë gjendej një libër që e tregon historinë e hebrenjve, ngaqë deri tani Holokausti nuk ka pasur vëmendje të theksuar në vendin tonë.

“Është një lajm i gëzuar që e kemi në gjuhën shqipe këtë libër, dhe për faktin se edhe në kulturën tonë ka një mungesë tepër të madhe të kësaj literature, sepse gjatë kohës së Komunizmit edhe në Kosovë edhe në Shqipëri regjimet për arsye të ndryshme ideologjike e politike e kështu me radhë nuk i ka dhënë hapësirën e nevojshme kësaj literature dhe përhapjes së vetëdijes, njohurive dhe edukimit mbi Holokaustin”, tha Latifi.

Ai më tej shtoi se me përkthimin e këtij libri mbase gradualisht në të ardhmen do të arrihet të krijohet një masë lexuesish, dhe do të ketë edukim më të ngritur rreth kësaj ngjarje.

“Nuk ekziston një shkallë e kënaqshme e njohurive dhe edukimit, sidomos e brezit të ri mbi ngjarjet që lidhen me Holokaustin dhe këtë unë e vërtetoj me studentët, kur i pyes rreth këtyre ngjarjeve, rreth holokaustit dhe kampeve, e shoh se njohuritë e tyre janë minimale, pothuajse inekzistente, kështu që sado që është kjo gjendje, ky libër është një lajm i mirë që megjithatë e kemi në gjuhën shqipe dhe me libra të tjerë që ekzistojnë në tregun e librit”, tha profesori i cili në nderim të sakrificës së popullit hebre ftoi të pranishmit për një minutë heshtje.

Krejt në fund të ngjarjes, drejtoresha Ardianë Pajaziti i ftoi të gjithë të pranishmit për bashkëbisedim, duke ua kumtuar edhe informacionin se të gjithë mund ta merrnin nga një libër, të cilët ishin dhuruar nga një person i cili deshi të mbetej anonim. / KultPlus.com

Rezervohen të gjitha biletat për mbrëmjen artistike “Ta Zbardhi Ftyrën” me Elbenita Kajtazin

KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Ky event ka shpërnda një valë entuziazmi në publik, duke bërë që të gjitha biletat të rezervohen në kohë rekord.

Organizatorët janë të befasuar dhe të lumtur nga kjo përgjigje e mrekullueshme nga publiku.

Për të gjithë ata që nuk kanë arritur të sigurojnë një biletë, organizatorët këshillojnë që të jenë të përgatitur për ngjarje të tjera të mrekullueshme të artit që KultPlus do ti sjellë shumë shpejtë.

Ky sukses i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën” dëshmon se muzika e shquar shqiptare ka një vend të rëndësishëm në zemrat e publikut dhe dëshiron të përcjellë emocione dhe inspirim nëpërmjet artistëve të talentuar si Elbenita Kajtazi.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” vjen më datë 27 nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i rinisë) dhe do të jetë një mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Radio Televizioni i Kosovës, Teatri Kombëtar i Kosovës, Coca-Cola HBC – Kosovo. / KultPlus.com

U përkthye në 40-të gjuhë të botës, “Njeriu më i lumtur në botë”, promovohet sot në KultPlus Caffe Gallery

facebook sharing button

Sot, ditë e enjte, në orën 19.00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, do të mbahet takimi përkujtimor kushtuar 85 vjetorit të Kristallnacht, kur do të fillonin përndjekjet naziste kundër hebrenjve në Rajhun e Tretë gjerman, përmes promovimit të librit bestseller mbarëbotëror, të përkthyer në dyzet gjuhë anembanë globit (përfshirë botimin në shqip, me përkthim të Elvi Sidherit, nga Botimet JETA, Prishtinë), pas botimit në vitin 2020, “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, të autorit Eddie Jaku, të mbijetuarit nga kampet e shfarosjes naziste të Buchenwald-it dhe Auschwitz, pasi nazistët e patën arrestuar pikërisht në natën famëkeqe të Kristalnacht, në datën 9 nëntor të vitit 1938.

Eddie Jaku do t’u mbijetojë tërë përndjekjeve, torturave, maktheve dhe vdekjes së sigurt nga nazistët gjer në fund të llahtarit nazist, kur arratiset edhe nga marshimi i fundit i vdekjes. Pas mërgimit në Australi në vitin 1950, bashkë me të shoqen, një grua me prejardhje sefardite nga Selaniku, Eddie Jaku mbas disa dhjetëvjeçarësh, do të fillojë të flasë për të shkuarën e tij traumatike gjatë nazizmit, gjersa do të shndërrohet në njërin ndër themeluesit e Muzeut Hebraik të Sidnejit në Australi.

Libri “NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË”, do të shkruhej nga Eddie Jaku në moshën 100 vjeçare, në vitin 2020, për t’ia lënë njerëzimit kujtimet dhe përvojat e tij, sa të dhimbshme, aq edhe të vyera nga Holokausti, ndërsa ai ndërron jetë në vitin 2021, pas botimit dhe suksesit planetar të këtij libri.

Në promovimin e këtij libri, do të jetë i pranishëm edhe përkthyesi i tij në shqip, Elvi Sidheri, ndërsa të pranishmit do të kenë rastin të shfletojnë këtë libër kaq të çmuar, duke bashkëbiseduar për Kristallnacht, Holokaustin dhe Eddie Jaku-n, e librin e tij, NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË./ KultPlus.com

Elbenita Kajtazi, ylli i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, më 27 nëntor performon në Prishtinë

KultPlus, gazeta e parë online është drejt përgatitjeve të fundit për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Sopranon Elbenita Kajtazi do ta shoqëroj pianistja franceze Camille Lemonnier, ndërsa me një pikë do të prezantohet edhe solistja Anna Krasniqi. Ndërsa për t’i dhënë madhështi kësaj mbrëmje, në skenë do të ngjitet edhe Kori i Fëmijëve “Okarina”.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, njëherit organizatorja e kësaj ngjarje të madhe, është shprehur shumë e lumtur që ndër vite ka pasur mundësi të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears dhe Gëzim Myshketa, dhe se kjo traditë po vazhdon të rritet dhe të zhvillohet nga viti në vit.

“Me sopranon Elbenita Kajtazi  si mysafiren e këtij edicioni, ne jemi të sigurt se do të shohim një tjetër mbrëmje të padëgjuar plot emocione dhe frymëzim”, shprehet Pajaziti, e cila ka treguar se koordinimi me figura të tilla po është shumë sfidues, pasi që agjendat e këtyre artistëve po janë të prenotuara për një periudhë të gjatë.

“Jemi të lumtur që edhe përkundër agjendave të ngjeshura nëpër botë, artistët nuk po na thonë asnjëherë jo. Përgjigjet pozitive nga artistë të kalibrit të tillë janë motiv për ne që të vazhdojmë me prurje të tilla”, ka thënë Pajaziti.  

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet më datë 27 Nëntor në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës (Pallati i Rinisë) në Prishtinë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.

Për të qenë pjesë e kësaj mbrëmje, nga sot, ju mund të rezervoni ulësen tuaj përmes emailit: [email protected]  duke na dërguar emrin dhe mbiemrin si dhe numrin e ulëseve që doni të rezervoni.

Kujtojmë që në muajin gusht të këtij vitit, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e ka dekoruar sopranon Elbenita Kajtazin me titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës me motivacionin: “Për arritje kulmore në muzikën klasike, prezantimin e vlerave muzikore Shqiptare në skenën ndërkombëtare, si dhe afirmimin e Republikës së Kosovës, mbrojtjen e promovimin e kulturës Shqiptare gjithandej nëpër botë”.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërkaq për detaje të tjera KultPlus do të ju mbaj të informuar në vazhdim. / KultPlus.com

Një performues i guximshëm që sfidon vetën dhe audiencën, La Fazani: “Oj Kosovë”, kangë që e kish kallë Eurovizionin

Jeta Zymberi

Në botën e festivaleve, konsideruar si një vend më i rreptë, tradicional dhe i rezervuar, artistët janë gjithnjë të gatshëm të thyejnë tabutë dhe të shprehin artin e tyre në mënyra të reja dhe provokuese.

Këto ditë, drita ishte kthyer kah muzika dhe fokusi depërtoi në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Tri netë magjike, që ishin më shumë se thjeshtë një festival. Ato ishin një shfaqje e fuqishme e artit dhe kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Në një sallë në Pallatin e Rinisë, ku jetonin vetëm gjurmët e zjarrit, u rimodelua një skenë e madhe për të mbetur një vend historik ku zjarri i zemrave të artistëve do të vazhdojë të flakërojë përgjithmonë.

E një zemër artisti që do të mbetet në histori si fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Kosovë, ishte ajo e Arbër Salihut, i njohur me emrin artistik si, La Fazani.

Ai është një zanatçi i muzikës që rrethohet me misterin e saj. Një eksplorues i të panjohurës, gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj, duke krijuar harta të reja për zemrat tona. Nëpërmjet notave dhe tingujve të tij, ai dokumenton pasionet e thella dhe ndodhitë me të cilat ne jetojmë si individë dhe si shoqëri.

La Fazani, një artist që shquhet për guximin e tij të rrallë, edhe në këtë paraqitje dëshmoi se është një performues që nuk njeh kufij, gjithmonë gati të sfidojë veten dhe audiencën me muzikën e tij të mrekullueshme. Për të, çdo shfaqje është një aventurë e re, një udhëtim në një botë të panjohur të emocioneve dhe tingujve të veçantë.

Me këngën e tij fituese “Oj Kosovë,” ai ka kapur një kontrast brutal të realitetit të shoqërisë sonë. Ai përdor ironinë në mënyrë të guximshme për të nxjerrë në pah kontradiktat në të cilat jetojmë. Por është refreni i këngës që na kujton se nën sipërfaqen e shurdhër të realitetit, ka një burim të pafund dashurie dhe pasioni që shpërthen zemrat tona.

Kjo intervistë me La Fazanin, sot kur pretendojmë që emocionet e skenës kanë pushuar paksa, na sjell në fokus gjithçka rreth këtij festivali, botës artistike të këtij artisti dhe këngës fituese që për shumë kënd ishte një nismë interesante për festivalin dhe një rrugë e hapur për artistë kaq eksplorues si ai.

Por, para se të kalojmë tek përgjigjet interesante të La Fazanit, dua të theksoj një detaj thelbësor që bëhet i qartë gjatë bisedës sonë. Ai ka dhënë përgjigjet e tij në dialektin gegë dhe ka kërkuar që të mos i ndryshojmë. Kjo kërkesë e tij na flet mbi thelbin e identitetit të tij artistik.

Le të eksplorojmë më shumë këtë artistë nëpërmjet bisedës sonë kreative.

KultPlus: Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Cila ishte ndjesia në momentin e parë që dëgjuat emrin tuaj, dhe a ishte diçka e pritshme për ju?

La Fazani: Edhe pse gjatë rrjedhës së Festivalit gjithmonë e mbajsha të hapun mundësinë që muj me u shpallë fitues, kur praktikisht fillun’ me u nda çmimet për çfarëdo arsyje nuk e kisha ndjenjën se kom me fitu. Kur na thirrën në skenë mu edhe Angus Dei, ia nisa me vërejtë se mundet me ndodhë diçka magjike. Ndjenja osht’ e papërshkrushme, po besoj osht ngjajshëm si me e dhonë gollë në finale të ndonjë kampionati botëror.

KultPlus: Teksti i këngës “Oj Kosovë” është i ngarkuar me ironi. Çfarë të provokoi që të shkruaje një tekst me një temë të tillë?

La Fazani: Gjithmonë më ka interesu me përdorë kontraste ekstreme në pjesë të ndryshme të kangëve. Në rastin e “Oj Kosovë”, e eksplorova një kontrast brutal ku në strofa tentova me paraqitë ni interpretim skeptik por plot lojë të realitetit tonë, gjithmonë në vetë të parë ku provoj me deshifru mungesën e iniciativës konkrete për me kontribu në mirëqeniën e kësaj shoqërije. Kur po vjen refreni përplot fjalë dashnije e miradije, po e bjen një kontrast që po të shtin me një krizë identiteti e s’po e din as vet se prej kahit po vjen aj burim dashurije, por gjithësesi po osht’ aty dhe përplot pasion. S’po di… krejt ka ardhë natyrshëm, prej ni tentimi me eksploru ni kontrast brutal ndjenjash, por gjithashtu prej ekzistencës së disa sentimenteve që ashiqare i ndjej për kontekstin në të cilin jetoj.

KultPlus: A është teksti i këngës “Oj Kosovë” një reflektim i opinionit të përgjithshëm për situatën në vendin tonë?

La Fazani: Nuk e di. Në përgjethësi më duket se jemi të ngurrtë me e analizu sjelljën e vetvetës edhe nuk ndihemi rahat kur e bojmë atë sen. Por po më dokët se kemi fillu me u pjekë mjaftushëm që me mujte me ia pranu vetës atë fakt. Prandaj, po edhe jo… nuk e di.

KultPlus: “Se cilindo vend sonte me fitu. E di qe n’Eurosong une s’kom me knu”, është një pjesë e tekstit të këngës, po nëse do të ishte e kundërta dhe ju do të na përfaqësonit këtë vit në Eurovision, mendon që do të ishte kënga e duhur?

La Fazani: Besoj se në aspektin stilistik, energjik dhe interpretues do të ishte një kangë që e kish kallë Eurovizionin. Por, tematika osht’ paksa e lokalizume në një shoqëri të caktume, e nuk e di sa kish mujtë publiku jashtë shtetit tonë me u ndërlidhë me tekstin e kangës. Isha dashtë ndoshta me e ndryshu pak konceptin, me bo ma universal që ndërlidhet edhe me çashtje jashtë shtetit tonë që me mujtë me e kaplu publikun Europian. Por prap, krejt ndjenjat janë universale…

KultPlus: A mendoni se krijimi i këtij festivali do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës kosovare dhe mund të ketë ndikim në shanset e Kosovës për përshpejtimin e hapave drejt pranimit në Rrjetin e Transmetuesve Evropian (EBU)?

La Fazani: PO!!!

KultPlus: Sot, kur po besoj veç janë qetësuar pak emocionet, nga perspektiva e një artisti pjesëmarrës, si e vlerëson organizimin e Festivalit të Këngës në RTK?

La Fazani: Mendoj se krejt jemi befasu për të mirë se çfarë super spektakli ka dalë me qenë ky edicion i Festivalit të Këngës. Osht’ ngritje marramendëse e standardit prej krejt manifestimeve paraprake që janë organizu në Kosovë. Mos të harrojmë, osht’ hera e parë që po bohët prej shtetit tonë. Për senet që s’kan shku mirë, kërkush ma mirë se vetë organizatorët nuk e dijnë, kështu që kom besim se krejt ato aspekte veç kanë me u përmirësu në vitet e ardhshme.

KultPlus: Konsideron që prurjet muzikor ishin në nivelin e duhur për një festival të tillë, e ndjeve konkurrencën?

La Fazani: Mendoj se shumë artistë që kanë bagazh të madh artistik nuk e kan pasë guximin me i besu pjesëmarrjës me sy mshelë këtij festivali, kryesisht për shkak se nuk e kanë pasë idenë se qysh ka me qenë standardi i saj. Në përgjethësi osht vrejtë se pjesëmarrësit kanë qenë ma të rinjë e jo me aq përvojë artistike. Tu e marrë parasyshë këtë, kanë performu në mënyrë të shkëlqyeshme e e kanë dëshmu vetën në nivelin ma të lartë. Falë suksesit të këtij edicionit, besoj se në vitet që po vijnë kemi me pa edhe emra ma të mëdhenj tu marrë pjesë.

KultPlus: Nga kjo garë ju dolët me dy çmime, jo me më pak peshë është edhe Çmimi i Kryeqytetit që ju nda nga kryetari Përparim Rama. Çfarë simbolizojnë këto çmime për ju?

La Fazani: Me thanë të drejtën, për këtë çmim jom gëzu poaq shumë sa për çmimin kryesor. Pothuajse krejt veprimtaria jem’ artistike buron prej dhe osht’ kriju në Prishtinë. Jom prishtinali krenar që e kom çu jetën tu provu me kontribu në këtë qytet, e nuk kish ndjenjë ma të mirë se me u vlerësu prej qytetin tond. E falënderoj prej zemrës Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama për këtë vlerësim, do ta gëzoj përjetë.

KultPlus: Si do të përshkruanit rrugën tuaj artistike deri në këtë sukses në Festivalin e Këngës? Çfarë sfidash keni përjetuar në këtë rrugë?

La Fazani: Rrugë me gunga si rruga Muharrem Fejza në vitet 2010 – 2022. Por edhe ajo rrugë tash po dokët që osht rrafshu, edhe pse dorën në zemër osht’ pak e ngushtë për gjithë atë qarkullim të kerreve. Sfida plot e përplot, por reagimi ndaj sfidave po osht’ çka po ta definon storjën e jetës.

KultPlus: Në rrugën tuaj muzikore, cili është artisti që ju ka inspiruar e vazhdon ta bëjë?

La Fazani: Ka tepër shumë. Kështu që po përmendi shumë: the Beatles, the Doors, Bob Dylan, Bob Marley, Miles Davis, Frank Zappa, David Bowie, Björk, Radiohead, Aphex Twin, Bon Iver, Frank Ocean, Kendrick Lamar, Beyonce, Kanye West, Rihanna, Doja Cat, Muharrem Qena, Gjurmët, Genc Salihu. Dhe normalisht, ETJ.

KultPlus: Si do ta përshkruanit veten si artist? Cilat janë vlerat dhe karakteristikat që ju shprehni në muzikën tuaj?

La Fazani: Muzikant eksplorues që gjithmonë synon gjetje të reja. Dokumentues pasionant i ndjenjave dhe ndodhive individuale e shoqërore. Performues i guximshëm që gjithmonë tenton ta sfidojë vetën dhe audiencën.

KultPlus: Krejt për fund, cilat janë planet tuaja të ardhshme në karrierën muzikore dhe cili është synimi juaj në muzikë?

La Fazani: Ma në fund po i vjen rradha lansimit të albumit që e kam nisë qe gati 5 vjet. Hala nuk po e kam ide se cili ka me qenë singli/videoklipi i ardhshëm. Synimi jem’ osht që me kriju një sistem ku muj me prodhu muzikë në mënyrë konsistente, e i cili ma siguron një jetesë të rahatshme – jo najsen luksoze, por qaq sa me ma mundësu krijimin pa u tutë se a duhna me e bo edhe naj punë tjetër. / KultPlus.com

Koleksioni bardh e zi i disenjatores Jetmira Bejtullahu, një frymëzim nga ikonat e modës

Jeta Zymberi

Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.

Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.

Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.

“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.

“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.

Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.

Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.

“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”

Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.

“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”

Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.

Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com

Mbi dy dekada krahë pianos, Ardita Statovci: Jam krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës sonë në nivel ndërkombëtar

Jeta Zymberi

Historia e saj është një udhëtim emocionues që fillon nga fëmijëria. E lindur në një familje ku pianoja ishte e lidhur me emocionet më të thella dhe momentet më të veçanta të jetës së tyre, Ardita Statovci nuk kishte si t’i ikte magjisë së këtij instrumenti.

Në familjen e Arditës, por edhe sot për vetë Arditën, pianoja, e njohur për vargëzimet e saj të bukura dhe tingullin e saj mahnitës, është më shumë se një instrument – ajo është një mjet që ka shërbyer si një udhërrëfyes i emocioneve të saj, një rrugë e çuditshme për të shprehur gëzimin, dhimbjen, pasionin, dhe ndjenjat e shumta që e kanë përcjellë në rrugëtimin e saj artistik, shkruan KultPlus.

Karriera e saj është një udhë e gjatë që ka përfshirë koncerte të mrekullueshme në skena mjaft prestigjioze ndërkombëtare. Krejt këto me një qëllim të qartë, që të jap kontributin e saj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar.

E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ajo filloi mësimet për piano në klasën e Hadije Gjinalit dhe më pas tek Lejla Pula në Prishtinë. Që në moshën 15 vjeçare ajo u pranua në Universitetin me renome “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë ku në vitin 2007 përfundoi studimet e magjistraturës në klasën koncertale të Christoph Lieske, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria internacionale.

Në vitin 2009 ajo studio me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA. Përderisa studimet postgraduale ajo i bëri me Boris Petrushansky dhe Franco Scala në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë.

Statovci ka performuar si soliste me orkestra të mëdha nëpër shtete të ndryshme të botës.

Rrugëtimi i saj nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme duke përfshirë këtu çmimin “Bösendorfer” nga Universiteti Mozarteum, e garës zgjedhore Yehudi Menuhin Live Music Now në Salzburg si dhe çmimeve “Talent i Kosovës”.

Paraqitjet e saj janë të vazhdueshme dhe tashmë janë bërë më shumë se dy dekada që kur Ardita me pasion dhe vendosmëri ka punuar për të arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të aftësive pianistike, dhe është bërë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore.

Kur dëgjon tingujt e pianos së Ardita Statovcit, është e pashmangshme dëshira për të zbuluar më shumë rreth këtij pasioni frymëzues të cilin e nxjerr magjishëm nga ky instrument paqësor.

Në një intervistë për KultPlus, ajo ka treguar për ndjesinë e thellë që përjeton para çdo koncerti dhe përgatitjen e frytshme e momentet e mrekullueshme kur shfaqet para publikut. Në këtë udhëtim artistik, Statovci na ka ofruar pamje nga bota e saj muzikore, ku interpretimi i një note është një udhëtim emocional që e bën publikun të ndihet i lidhur me muzikën në mënyra të jashtëzakonshme.

Një fakt i veçantë është edhe kontributi i Statovcit në ngritjen e emrit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Ajo ka shpalosur për lexuesit e KultPlus edhe krenarinë e saj kombëtare duke interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë dhe duke i prezantuar ato në skena të mëdha ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Statovci përvojën e saj mundohet ta ndajë me artistët e rinjë, duke i ofruar njohuri e duke i frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre. Së fundmi, një koncert bashkë me talentet e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Ardita e mbajti në Berlin, në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

KultPlus: Si e filluat karrierën tuaj muzikore dhe çfarë ju frymëzoi për të bërë muzikë profesionale?

Ardita Statovci: Piano luaj që nga fëmijëria e hershme. E kishim pianon në shtëpi, nëna dhe motrat e mia kishin vijuar shkollën e muzikës, ndërsa babi luante në mënyrë autodidakte. Loja në piano ishte fascinuese, frymëzuese dhe më rrëmbente tërë vëmendjen. Ishte mënyra më e bukur për të shprehur të gjitha emocionet, e këto ishin nga më të ndryshmet.

KultPlus: Mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në koncertin e fundit në Berlin dhe reagimin e publikut aty? U prezantuat në këtë koncert bashkë me talente të rinj, si ishte ky bashkëpunim për ju?

Ardita Statovci: Koncerti në Berlin u realizua për të paraqitur gjeneratat e reja e të suksesshme të pianistëve të Kosovës. E veçanta e kësaj ishte Çmimi special “Chopin Piano Fest” i cili tash e 5 vite i është ndarë një pianisteje/pianisti të ri nga Kosova. Në bashkëpunim me një nga festivalet më të mira e më të respektuara të Kosovës, Chopin Piano Festin dhe drejtoreshën artistike prof. Lejla Pula dhe drejtoreshën menaxheriale prof. Besa Luzha, kemi formuar këtë çmim për t’i hapur dyert në botën e muzikës një pianisteje/pianisti të ri për të koncertuar në vendet gjermanofone dhe për të mbajtur masterklasë në një nga Universitet në këto vende. Çmimi është sponsorizuar dhe është mundësuar nga Herbert Groeger, një njohës dhe përkrahës i madh i të rinjve gjithandej nëpër botë nga fusha e muzikës klasike. Për të kurorëzuar punën 5-vjeçare, erdhi ideja që të mbajmë një koncert në Berlin dhe isha e nderuar dhe e lumtur që kësaj radhe pata rastin të ndaj skenën së bashku me të rinjtë tanë. Është ndjenjë e mirë që koncerti shkoi për mrekulli, ishte bukur dhe audiencë ishte shumë e këndshme. I jemi mirënjohëse institucioneve tona, Ambasadës së Kosovës në Gjermani, MKRS dhe MPJD që mundësuan realizimin e koncertit.

KultPlus: Keni pasur rastin të performoni në disa skena ndërkombëtare, na fol pak mbi këtë përvojë?

Ardita Statovci: Performimi në skena të ndryshme ndërlidhet jo vetëm me lojën para publikut por edhe me një sërë udhëtimesh dhe lëvizjesh nga vendi në vend. Takimet me njerëz nga kultura e prejardhje nga më të ndryshmet janë inspiruese. Ndjehem fatlume që kam koncertuar në pjesën më të madhe të shteteve europiane, në vende aziatike si Kina, India, Japonia dhe në SHBA. Ndër skenat e veçanta ku kam luajtur do përmend Elbphilharmonie në Hamburg, KKL në Luzern, Musikverein në Vjenë, Mozarteum në Salzburg, Pallati Mbretëror në Stockholm, Shtëpia e koncertit në Ankara, Sallat e koncertit në Shanghai, Nanchang, Mumbai dhe ka edhe shumë të tjera ku rikthehem me dëshirë.

KultPlus: Cilat janë inspirimet dhe influencat tuaja kryesore në muzikë?

Ardita Statovci: Mendoj që nga fëmijëria kam pasur fatin për të mësuar nga figura e personalitete të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare. Ndonëse pjesën më të madhe të shkollimit muzikor e kam bërë në Austri, Itali dhe SHBA, ku kisha fatin të mësoja me pianistë e pedagog legjendar Menahem Pressler, Christoph Lieske, Boris Petrushansky, unë me endje i kujtoj mësimet e para të pianos në Prishtinë me profesoreshat e mia Lejla Pula dhe Hadije Gjinali.

KultPlus: Si e përshkruani stilin tuaj muzikor dhe repertorin tuaj të preferuar?

Ardita Statovci: Repertori im pianistik përfshin vepra nga baroku e deri te kompozitorët e kohës së sotme. Ka shumë vepra që adhuroj, jo domosdoshmërisht vetëm pianistike, por edhe nga literatura simfonike, vokale, korale etj. Më pëlqen Bach, Schubert, Brahms, Gershwin… e shumë e shumë të tjera.

KultPlus: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj muzikore deri më tani?

Ardita Statovci: Secila paraqitje e ka një veçanti dhe një rëndësi në rrugën artistike e cila nganjëherë vjen në pah tek më vonë. Për një artist është e rëndësishme që ta tejkalojë veten në secilin koncert dhe secilën herë të jetë më mirë se ajo e kaluara. Paraqitja në salla të mëdha e të njohura ngërthen një rëndësi dhe përgjegjësi të madhe. Më kanë lënë mbresa paraqitja në Elbphilharmonie – një institucion gjigand kulturor i ndërtuar së fundmi, në Konzerthaus në Dortmund si soliste me orkestër derisa luaja koncertin për piano, trompetë e orkestër nga Shostakovich, koncertet në Kinë e shumë të tjera.

KultPlus: Si përgatiteni për një koncert të madh dhe si e menaxhoni emocionin para performancës?

Ardita Statovci: Mundohem të fokusohem jo vetëm në piano, por edhe në punën e analizës së partiturës dhe leximit të saj me vëmendje. Është e natyrshme që përgjegjësia e lartë, si paraqitjet në skenë të mëdha e të njohura, bëjnë që emocionet të jenë gjithashtu të forta – është ky një lloj gëzimi dhe një synim për të cilin njeriu punon – ai momenti unik i paraqitjes në skenë.

KultPlus: Cilat janë planet dhe projektet e ardhshme për ju në botën e muzikës?

Ardita Statovci: Do të kem koncerte në vende të ndryshme, do paraqitem me recitale solistike, si dhe me piano me katër duar së bashku me kolegen time zvicerane Ariane Haering me të cilën kemi duon pianistike Ariadita Duo. Krahas koncertimit do vazhdoj të jap kontributin tim edhe në fushën e mësimdhënies në piano në Washington Conservatory of Music në SHBA.

KultPlus: Si ndiheni për kontributin tuaj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar?

Ardita Statovci: Janë bërë tani më shumë se 25 vite që luaj muzikën e kompozitorëve tanë në nivel ndërkombëtar, nisur që nga viti 1997 kur shkova të studioja në Universitetin Mozarteum në Salzburg të Austrisë. Sot ka shumë e shumë kolegë që kanë studiuar jashtë dhe kanë krijuar karriera të respektuara. Ndërsa në atë kohë kur unë nisa studimet në Austri ka pasur fare pak ose gati se hiç muzikantë nga vendi jonë. Nuk është gjë e lehtë, meqë gjithçka duhet bërë në baza individuale, duke u nisur edhe nga ajo që të bindësh drejtorët artistik ose organizatorët e festivaleve që të luash muzikë nga kompozitor që ata mund të mos i njohin. Por unë me dëshirën më të madhe vazhdoj ta bëj këtë kudo që kam mundësi dhe jam shumë krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës dhe vendit tonë në nivel ndërkombëtar tani për dy dekada e gjysmë.

KultPlus: Si do të përshkruani marrëdhënien tuaj me publikun dhe përkrahjen që keni marrë nga komuniteti i muzikës në Kosovë?

Ardita Statovci: E them gjithmonë që publiku në Kosovë është shumë i dashur, janë njerëzit që më kanë njohur dhe më kanë përcjellur që nga fëmijëria, andaj secila herë është një ndjenjë shumë e veçantë të koncertosh para këtyre njerëzve kaq të dashur.

KultPlus: Çfarë këshillash keni për të rinjtë që ndjekin ëndrrën e tyre në muzikë?

Ardita Statovci: Profesioni i pianistit kërkon shumë pasion, punë, përqendrim dhe një karakter të fortë. / KultPlus.com

Udhëheqës të institucioneve dhe artistë vizituan fëmijët e shtrirë në Repartin e Hemato-Onkologjisë

Me iniciativë të Nezaqete Rukovcit, drejtoreshë e organizatës “Action for Health”, udhëheqës të institucioneve dhe përfaqësues të komunitetit artistik kanë realizuar një vizitë në Repartin e Hemato- Onkologjisë, ku edhe i kanë takuar fëmijët për së afërmi, shkruan KultPlus.

Fëmijët e shtrirë në këtë repart në orët e pasdites kanë pas rast të shohin për së afërmi vallëzim baleti, interpretim të këngëve dhe interpretim në violinë, interpretime këto që u bënë nga komuniteti artistik që ishtin pjesë e delegacionit.

Nezaqete Rukovci nga organizata “Action for Health” ka thënë për KultPlus se vizita të tilla janë shumë të rëndësishme, dhe iniciativa të tilla duhet të merren në çdo muaj të vitit e jo vetëm në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit te fëmijët.

Pjesë e delegacionit në këtë vizitë ishte Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, Elikona Hysaj, drejtoreshë e Korit “Okarina”, aktorja Safete Rugova, këngëtaret: Adelina Thaçi e Elida Kryeziu, violinisti Visar Kuçi, balerinat Vlora Prizreni e Marigona Hoxha, pianisti Andi Duraku dhe skulptori Arton Behrami.

Delegacionin e priti  pediatrja Arbnoree Batalli Këpuska, e cila falënderoi delegacionin në fjalë dhe i ka vlerësuar interpretimet e grupit artistik, të cilët, sipas saj kanë një rëndësi të madhe për fëmijët e shtrirë në këtë repart.

Iniciativa të tilla pritet të realizohen edhe brenda muajit dhjetor, ku është paraparë një performancë e fëmijëve të Korit “Okarina”./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Sopranoja Elbenita Kajtazi, ylli i edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”

KultPlus, gazeta e parë online për art dhe kulturë ka filluar punën intensive për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, njëherit organizatorja e kësaj ngjarje të madhe, është shprehur shumë e lumtur që ndër vite ka pasur mundësinë të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears dhe Gëzim Myshketa, dhe se kjo traditë po vazhdon të rritet dhe të zhvillohet nga viti në vit.

“Me sopranon Elbenita Kajtazi  si mysafiren e këtij edicioni, ne jemi të sigurt se do të shohim një tjetër mbrëmje të padëgjuar plot emocione dhe frymëzim”, shprehet Pajaziti, e cila ka treguar se koordinimi me figura të tilla po është shumë sfidues, pasi që agjendat e këtyre artistëve po janë të prenotuara për një periudhë të gjatë.

“Jemi të lumtur që edhe përkundër agjendave të ngjeshura nëpër botë, artistët nuk po na thonë asnjëherë jo. Përgjigjet pozitive nga artistë të kalibrit të tillë janë motiv për ne që të vazhdojmë me prurje të tilla”, ka thënë Pajaziti.  

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të vijë përgjatë muajit nëntor, ku për datën dhe detajet e tjera, KultPlus do të ju njoftojë me kohë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinsë dhe Sportit. / KultPlus.com

Bija Jasiqi hapë ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë”

Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.

Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.

Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.

Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

KultPlus shënon një dekadë më 2 shtator, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku më datë 2 shtator, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë.

Ky event mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com

Mes nesh s’ka hapësirë

Blinera Hajdari

Mes nesh s’ka hapësirë.
Hapësira për ne nuk ekziston. Ndryshe përcaktohet distanca jonë.
Mes nesh ka dete të thella ku gjen pasqyra të thyera copë-copë, por prapë ato pasqyra vazhdojnë të na reflektojnë.
Pasqyrojnë imazhet tona qysh nga dita që kemi lindur.
Nëse do të thuash që s’jemi njohur në atë botë, unë këtë e di.
Ndoshta ditëlindja ime nuk është dita kur kam lindur, por kur jam njohur me ty!
Mes nesh s’ka hapësirë, por ka dete të qeta e të kthjellët, sikur janë në mes të korrikut.
Dete që të japin qetësinë e prekjes sate dhe kthjelltësinë e syve tu, nga të cilët nuk largohem dot.
Ka edhe valë, të ulta e të larta. Që trazojnë njeriun e të humbin ekuilibrin, njëjtë siç trazon shpirtin mendimi për ty.
Hapësirë jo se jo! Po mes nesh ka re me plot forma dhe fortuna, aq të forta sa shpesh duhet të fshihemi. Kësaj radhe nuk bartin peshën e shiut apo të erës, për të cilat toka ka nevojë. Por bartin peshën e lotëve të mi dhe vorbullën e ndjenjave tua, që bukur i mban të fshehura. Për të cilat të dytë kemi nevojë, e pranojmë apo jo.
Mes nesh, nuk jemi kurrë vetëm unë dhe ti.
Jemi unë dhe ti, me plot kujtime, ëndërra e zhgënjime, të vendosura aty në mes.
Unë dhe ti, me thërrmija zjarri e copa akulli.
E pavarësisht nëse jam një hap larg teje, apo aq larg sa s’të shoh fare në horizont, në çdo grimcë ajri që na ndan do të ketë copëza dashurie, ndjenja frike, dhe emocione që shpirti as nuk tenton t’i kontrollojë. 
Pas krejt kësaj, si mund të ketë mes nesh hapësirë?! / KultPlus.com

Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Ernest Koliqi një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës

Pjesën qëndrore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dje e kaploi një frymë tjetër. Kjo pasi aty u diskutua për një nga figurat konceptuale të letërsisë shqipe, atë të Ernest Koliqit.

Ishte 120 vjetori i shkrimtarit që kishte bërë bashkë gazetën online për art dhe kulture, KultPlus dhe BKK-në që të sjellin këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në nderim të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqipe.

Për të folur për këtë figurë të veçantë të letrave shqipe, KultPlus kishte përzgjedhur që me kumtesat e tyre të paraqiteshin personalitete të shquara dhe njohës të jetës e veprës së Koliqit, si Agim Vinca, Albana Mehmetaj dhe Ndue Ukaj.

Me “Kroni i ngrim”, një nga poezitë më të mira të Koliqit, nën interpretimin e studentës së Fakultetit të Filologjisë, Lorenta Ibraj nisi kjo orë letrare e cila kishte mbledhur rreth vetës dashamir të librit dhe lexues të veprës së Koliqit.

Tutje fjalën e mori drejtorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila Orën Letrare për Ernest Koliqin e vlerësoi lart.

“Një dedikim për Ernest Koliqin është i rëndësishëm sot dhe gjithnjë, duke pas parasysh rolin e figurës së Koliqit në letërsi, në arsim dhe në publicistikë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka shtuar se me qëllim të shtrirjes se figurës së Koliqit nëpër gjenerata, me qëllim ka bërë shtrirjen e përfshirjes së gjeneratave në këtë orë letrare, duke nisë që nga profesori Agim Vinca e deri te studentët.

Më pas, me kumtesën e saj ”E reja dhe trashëgimia”, studiuesja Albana Mehmetaj nisi të flas për Ernest Koliqin, një ndër autorët më të njohur të letërsisë moderne shqipe dhe një nga themeluesit e kësaj letërsie.

”Koliqi si njohës i letërsive moderne evropiane, njohës dhe zbulues i kulturës tradicionale shqiptare krijoi një model të ri letrar, si në formë ashtu edhe në ide, duke i kombinuar këto dy premisa në një diskurs personal përmes semantikës simboliste dhe narracionit simbolik e metonimik”, u shpreh Mehmetaj në hyrje të kësaj ore letrare, duke vazhduar tutje të shtresoj idetë e Koliqit rreth asaj se si duhet të burojë një vepër letrare.

”Koliqi mendon se një vepër letrare duhet të burojë nga trashëgimia etnike, pasi që ngjarjet e vogla, të përditshme, janë brumë për tema të mëdha letrare. E nga këtu buron motivimi i tij për veprën letrare duke e mveshur me një sensibilitet të ri e modern.

Sipas Mehmetaj, Koliqi donte të ndërtonte Shqipërinë e re, brezin e ri e kohën e re përmes trashëgimisë të rrënjëve të vjetra, e jo duke e shuar dhe zhdukur atë, por duke e jetësuar.

Tutje Mehmetaj foli në detaje rreth prozës dhe poezisë se Koliqit, duke shtjelluar secilën nga pak e duke treguar rreth simboleve, temave e ideve që autori ka përdoruar në veprat e tij. Një analizë më të thukët, Mehmetaj e bëri edhe për romanin e vetëm të Koliqit, ”Shija e bukës së mbrume”.

”Shija e bukës së mbrume” është vepër e ideve në të cilën përshkrimi dhe rrëfimi shkrihen gjithherë për të dhënë sa më qartas idenë autoriale”, tha ndër të tjera studiuesja Albana Mehmetaj.

Pas kësaj kumtese mjaftë të rëndësishme për veprën e Koliqit, ishte radha e studentit Albin Shala për të sjell para publikut të pranishëm një tjetër poezi mjaft emocionuese të autorit.

Ndërsa profesori universitar Agim Vinca ishte përgatitur të flas për një aspekt të veçantë të krijimtarisë se gjerë të Koliqit. Ai trajtoi veprën “Antologji për lirikën shqipe” botuar më 1963 në Romë. Vina tregoi se në këtë antologji e cila ishte shkruar në kohën kur Koliqi nuk kishte kontakte me Shqipërinë shkaku i regjimit komunist, përfshihen 32 poetë shqiptarë, duke filluar nga poeti arbëresh i shek. XVIII Jul Variboba e gjer te Fahredin Gunga (i lindur në vitin 1936), që është poeti i fundit i përfshirë në këtë libër.

”Antologjia e Koliqit është konceptuar, siç del edhe nga titulli i saj, si antologji e lirikës e jo e poezisë shqipe në përgjithësi .Kjo arsyeton mungesën e Gavril Darës të Riut dhe Pashko Vasës. Ndryshe nga disa krijues të tjerë të brezit të tij, Koliqi tregohet mjaft tolerant sa i përket përkatësisë krahinore, fetare e madje edhe ideologjike të shkrimtarëve”, u shpreh Vinca i cili tutje u ndal edhe tek një pikë tjetër mjaft e rëndësishme, atë të trajtimit të letërsisë shqipe të Kosovës nga ana e Koliqit.

“Ndryshe nga ç’veprohej asokohe në Tiranën zyrtare, ku nuk botohej asgjë nga letërsia që krijohej jashtë kufijve politikë të Shqipërisë e as që flitej fare për atë letërsi (i njëjti qëndrim, por në kahje të kundërt, mbahej edhe në Prishtinë ndaj letërsisë që krijohej në Shqipëri), Koliqi jo vetëm që s’e mohon letërsinë shqipe të Kosovës, por, përkundrazi, e trajton atë me dashamirësi. Koncepti i Koliqit ndaj letërsisë (poezisë) shqipe është koncept etnik e jo koncept politik”, tha Vinca.

Për Vincën, Koliqi është një nga stilistët tanë më të mirë dhe një nga prozatorët tanë më me vlerë. Ai është i bindur se tri veprat e tij kryesore në prozë: Hija e maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936) do të mbeten në fondin e përhershëm të letërsisë shqipe.

”Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Koliqi shfaqet interesant edhe si antologjist. Edhe në këtë fushë ai dha kontributin e vet të çmueshëm, duke luajtur shumë herë jo vetëm rolin e përzgjedhësit, por edhe të përkthyesit dhe të studiuesit”, tha Vinca.

Fjala e Vincës pasoi me një tjetër poezi nga student Albin Shala, I cili tutje I dha hapësirë studiuesit Ndue Ukaj, i cili na paraqiti Koliqin si poet, ministër, drejtues, profesor e përkthyes. Sipas Ukaj, Koliqi ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme.

”Koliqi në veprën letrare e studimore e lidh bukur traditën me të tashmen dhe bëhet shprehje e së resë, duke themeluar tregimin modern shqiptar e duke krijuar institucione të vlefta kulturore. Në të vërtetë, Koliqit përfaqëson një model unik kulturor në krijimtari, por edhe në fushën studimeve”, u shpreh Ukaj.

Ai vazhdoi tutje duke treguar lidhjen e Koliqit me vendin e tij, Shkodrën, gjë që vërehet shumë në veprën e tij.

”Veprimtaria intelektuale dhe artistike e Koliqit është shprehje e personalitetit dhe e formimit të tij, e familjes dhe e  mjedisit etik e estetik ku u formua dhe u shkollua”, tha Ukaj i cili tutje foli edhe për veprën artistike dhe studimore të Koliqit e cila tregon se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës.

“I vetëdijshëm se kultura ishte arma ma fisnike e më e fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Dhe ai besonte te kjo armë, prandaj e përdorte forcën e saj t’iu dhënë kahe pozitive zhvillimeve shpirtërore, për të pasuruar me punë fisnike jetën e varfër shpirtërore e intelektuale të kohës, gjë të cilën e shprehte në shkrimet artistike, por edhe në studimet e analiza: “…sidomos kultura”- shkruante ai “asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”

Krejt për fund, Ukaj u shpreh se Koliqi ishte i bindur se një shoqëri vlen aq sa është e kulturuar, përparon aq sa i kushton vëmendje e rëndësi kulturës dhe pranohet në vlerat e përbotshme aq sa ka forcë t’i jep vlera ushqyese kulturës dhe civilizimit botëror, prandaj përpjekja e tij për t’i dhënë kombit vlera shumëdimensionale nuk pushoi kurrë.

Kjo orë letrare u përmbyll me një tjetër poezi të Koliqit duke i ofruar publikut kështu edhe një herë frymën e Koliqit në mesin tonë e cila vazhdon ndër breza e breza.

Ora letrare për Ernest Koliqin erdhi në kuadër të Javës së Bibliotekës e organizuar nga gazeta online KultPlus dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës ”Pjetër Bogdani”. / Kultlus.com

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus ligjëroi para nxënësve të New York School of Science

New York School of Science in Kosova ka ftuar themeluesen e medias së njohur online për art dhe kulturë www.kultplus.com, Ardianë Pajazitin që të mbajë një takim me nxënësit e klasës së gjashtë të kësaj shkolle, ku përgjatë prezantimit të saj me nxënësit, ajo ka diskutuar mbi kulturën e informimit, mediet online, ruatjes së tyre nga lajmet toksike, lajmet e rreme dhe shumë tema të tjera që zgjuan shumë interesim tek nxënësit, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e New York School of Science mbi këtë prezantim të Ardianë Pajazitit.

Nxënësit e klasës VI, kishin rastin të takohen me themeluesen e medias së njohur online për kulturë KultPlus, zonjën Ardianë Pajaziti, e cila fillimisht i pyeti nxënësit për kureshtjen dhe raportin e tyre që kanë me rrjetet sociale, me kulturë, veçmas me teatrin dhe kinemanë, se sa herë dhe për çfarë arsye i vizitojnë ato.

Ajo trajtoi edhe besueshmërinë ndaj mediave, ku nxënësit shtruan pyetje për dallimin e lajmit të rremë prej lajmit të vërtetë dhe efektet e lajmit të rremë në veçanti apo mënyrës se si duhet të trajtohet ai.

Këshilla e të ftuarës sonë ishte që gjithmonë para një lajmi sado senzacional të jetë, të kërkohen burime zyrtare të informacionit që vijnë nga institucione kredibile, ku në rast se gjenden shkelje, ka një institucion si Këshilli i Pavarur i Mediave – KPM që është përgjegjës të reagojë.

Faleminderit zonja Ardiana për të gjitha informatat dhe kuriozitetin që e zgjuat tek nxënësit tanë!

Përndryshe, New York School of Science në kuadër të planprogramit sjell vazhdimisht figura të njohura nga lëmi të ndryshme, me qëllim që nxënësit e kësaj shkolle të marrin përvoja të shumta nga profile të ndryshme që tashmë kanë treguar sukses në Kosovë dhe më gjerë./ KultPlus.com