Ekspozita shitëse e Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, po vazhdon të qëndrojë e hapur në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Në hapje të kësaj ekspozite, më 28 janar, përkundër që ftesa ju dërguar të gjitha partive politike, të pranishëm ishin vetëm Albin Kurti, Uran Ismaili dhe Arben Vitia.
Gjatë kësaj mbrëmje ku u shpalosën punimet e Yllkës u bë me dije edhe rreth sfidave të ballafaqimit të 215 fëmijëve që janë të prekur nga kjo sëmundje.
Yllka ka kohë që është bërë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.
Interesimi i artdashësve dhe zemrave humane po vazhdon të jetë i madh dhe pikturat e Yllkës po shiten e kështu po ja lehtësojnë ballafaqimin me këtë sëmundje.
Të gjithë ju që dëshironi t’i dilni në ndihmë Yllka Letit, jeni të mirëseardhur çdo ditë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, nga ora 08:00 deri në 21:00.
Një ndihmë sado e vogël nga ju është shpresë për ditë më të lehta për këtë vajzë 14 vjeçare. / KultPlus.com
Është e jashtëzakonshme kur zemrat humane bëhen bashkë për një kauzë të veçantë. I jashtëzakonshëm është edhe arti i Yllka Letit, vajzës 14 vjeçare e cila është e diagnostikuar me sëmundjen Fibrozë Cistike e që përmes artit të saj ajo siguron terapinë mujore që i kushton hiq më pas se deri në 1700 euro në muaj, shkruan KultPlus.
“Kjo ekspozitë nuk është e zakonshme, kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme”, shpalosi mbi 10 punime të Yllka Letit në ambientet e KultPlus Caffe Gallery duke bërë bashkë kështu shumë artdashës, politikanë e artistë.
Që situata e 215 fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje të përmirësohet, që zëri i tyre të dëgjohet e kërkesat të ju plotësohen, Yllka sonte u bë zëri i shumë fëmijëve të tjerë që vuajnë nga e njëjta sëmundje.
Në hapje të ekspozitës, moderatori Arbër Selmani u shpreh se ekspozita vjen si një nismë për të ju dal në ndihmë të gjithë fëmijëve që vuajnë nga kjo sëmundje.
Tutje fjalën e mori nikoqirja e kësaj mbrëmje, Ardianë Pajaziti e cila tha se kjo ekspozitë duhet të shërbejë si nismë drejt një kauze më të madhe.
“Yllka Leti është një vajzë e re e cila detyrohet që përmes artit të saj të sigurojë barnat të cilat janë shumë të kushtueshme. Urojmë që institucionet e vendit t’i dalin në ndihmë Yllkës dhe gjithë fëmijëve të tjerë dhe Yllka pikturën ta ketë pasion e jo detyrë sepse kjo njëherit është edhe shkelje e të drejtave të fëmijëve”, theksoi Pajaziti.
Prezenca e Yllka Letit po i jepte kësaj mbrëmje hijeshi të shtuar. Por kur ajo mori fjalën, emocionoj të gjithë.
“I vetmi moment kur unë Yllka Leti ndjehem gjallë është kur unë jam duke pikturuar. Pra, tash e disa vite unë pikturoj që të jetoj”, ishin fjalët hyrëse të Yllkës për të vazhduar tutje të na njoftoj me atë që ajo ballafaqohet çdo ditë.
“Që kur kemi lindur vuajmë nga kjo sëmundje e rëndë, e ngarkuar me barna, trajtim të shtrenjtë, terapi të përditshme. Prindërit tanë vërtetë po luftojnë duke kërkuar barna në çdo vend të botës e nga njerëz të panjohur. Njerëzit tanë mbetën duke na premtuar. Vendi jonë nuk po përmirësohet, zëri jonë nuk po dëgjohet, kërkesat tona nuk po plotësohen”, u shpreh Yllka.
Yllka Leti
Krejt për fund ajo kishte një lutje për të gjithë e në veçanti për institucionet e vendit: “Ju lutem që të na ndihmoni, dua të ndjehem e gjallë edhe kur nuk pikturoj, Dua të pikturoj me dëshirë , me dashuri, e jo që të mbijetoj. Zgjedhje shumë e zgjidhje hiq!”, theksoi artistja e re.
Për të futë barnat e saj në listën e barnave esenciale ka pas disa herë negociata dhe premtime nga politikanët dhe udhëheqësit nëpër vite, por një gjë e tillë nuk është realizuar deri tani.
Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe krerët e partive të Kosovës, që të jenë të pranishëm dhe të shohin për së afërmi ballafaqimin e kësaj vajze, e cila në vend se të krijonte për pasion, ajo detyrohet të krijojë e të shes pikturat për sigurimin e terapisë së saj.
Por të pranishëm ishin vetëm dy prej tyre. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Arben Vitija, dhe ish ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili e që me prezencën e tyre sikur i dhanë një siguri më tepër Yllkës që dora e shtetit do të shtrihej mbi këta fëmijë.
Në një fjalë rasti, Albin Kurti u shpreh se ndihet me përgjegjësi të dyfishtë, që jo vetëm të nxjerr vendin nga pandemia, por njëkohësisht edhet këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti.
“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që po marr pjesë në këtë ekspozitë në Galerinë Kult Plus ku po ekspozohen punimet e një artisteje të re, shumë produktive e cila këto punime i ka realizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19, që na ka pllakosur të gjithë neve, ndërkohë që kjo ka edhe një sëmundje shumë më të rëndë se kjo tjetra që e ndan me neve, ajo e Fibrozës Cistike. Ne jemi edhe të privilegjuar që e kemi Yllkën dhe po i shohim punimet e saj, por njëkohësisht edhe me përgjithësi të dyfishtë që jo vetëm ta nxjerrim vendin tonë nga kjo pandemi, por njëkohësisht edhe këta 215 fëmijë që kanë Fibrozën Cistike të trajtohen nga shteti”, ka thënë Kurti duke u zotuar që do të bëjnë një rikthim që barnat e nevojshme për Fibrozën Cistike të jenë në listën e barnave esenciale.
Ndërsa ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili i cili pati punuar që këto barna të hyjnë në listë, u shpreh se do të vazhdojë të punojë që të ketë një reagim sa më të shpejt nga institucionet përkatëse.
“Kjo ekspozitë është një ide e jashtëzakonshme sepse është një platformë që e rritë edhe nevojën te të gjithë fëmijët që janë me sëmundje të rralla. Nëpërmjet Yllkës ne e kuptojmë një realitet që gjendet në shumë familje dhe në këtë rast një gjë e tillë është mëse e mirëseardhur, por në anën tjetër nuk duhet të harrojmë edhe obligimin që shteti ka ndaj tyre”, u shpreh Ismaili duke uruar që të ketë një reagim më të shpejtë nga gjithë institucionet përkatëse në këtë rast.
“Shpresoj që do të gjejmë një vullnet pak më të madh politik dhe të realizojmë, ne kemi bërë një punë dy vjeçare deri në përpilimin e asaj liste.”
Krejt për fund, të pranishmit përveç që i shijuan pikturat, shumica nga ta vendosën të marrin një copë “Yllkë” me vete. Një ndihmë e vogël ndoshta për Yllkën por një zemër e madhe që do të thotë shumë.
Kujtojmë që ekspozita shitëse e Yllka Letit do të qëndrojë e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery dhe të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur çdo ditë nga ora 8:00 – 21:00. Kjo mbrëmje u organizuar edhe me mbështetjen e “Stone Castle” dhe “Fluidi”. / KultPlus.com
Të bësh një karrierë si krijuese filmi kërkon vendosmëri, qëndrueshmëri dhe vizion të përpiktë. Mund të jetë një rrugë e vështirë për të udhëtuar, por dashuria dhe përkushtimi për punën është ura lidhëse për të arritur sukses.
Regjisorja Blerta Basholli, duke ndjekur dëshirën për të bërë filma, ajo gjithashtu punoi punë të ndryshme duke përfshirë: asistente administrative, menaxhim të projekteve humanitare, marketing etj. Por ka një moment kur tek njeriu ndezët dashuri për një profesion të caktuar të cilit pastaj i vihet pas. Por kjo dashuri padyshim që kondensohet dalëngadalë, e një rol kyç në këtë pikë e ka edhe familja. Kështu ndodhi edhe me Blertën. Shikimi i shumë filmave bashkë me babin dhe pasioni i tij për fotografinë dhe pikturën, ka ndikuar te Blerta, ku syrin për kompozicion dhe dashurinë për fotografinë e ka marrë nga i ati. Përderisa të qenit një grua e fortë ka ardhur nga mbështetja e pakursyer e nënës.
Regjisorja Blerta Basholli
Një përgatitje e tillë qysh nga fëmijëria, sigurisht do ta sillte Blertën në një vajzë që i përkushtohet shkollës e punës.
Blerta Basholli ka studiuar në Fakultetin e Arteve, dega Regji Filmi, Universiteti i Prishtinës, kurse Studimet Master i ka përfunduar në Tisch School of the Arts, në New York University, drejtimi Film dhe Televizion si bursiste e “Dean’s Fellowship”. Momentalisht është kandidate për doktoraturë në Fakultetin e Arteve në Shkup, në universitetin “Ss. Cyril and Methodius”.
Pas disa filmave të shkurtër e dokumentarëve, Basholli vendosi të sfidojë veten me një film të gjatë.
“Zgjoi” është filmi debutues i regjisores që qysh në fillim dha dritën e gjelbër që kjo regjisore do t’i shkelë kufijtë.
Përzgjedhja e filmit në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz ‘Sundance Film Festival’, i fali asaj një ndjesi tejet të mirë.
“Kemi bërë një punë shumë të madhe, me shumë dashuri e përkushtim, andaj hyrja në “Sundance” është një shpërblim shumë i mirë për punën tonë”, thotë Basholli për KultPlus.
‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetveten.
Të kthyerit në film një histori si kjo e Fahrijes, Blertës i erdhi si ide pasi ka dëgjuar një storje televizive rreth kësaj gruaje.
“Ideja ka lindur pasi kam dëgjuar një storje televizive rreth një gruaje (Fahrije Hoti), e cila përkundër nevojës për mbijetese dhe mbështetjes qe iu ofron edhe grave te tjera te veja, të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Fahrijen, iniciativa e saj për të punuar nuk shihet me sy të mirë nga rrethi patriarkal ku ajo jeton”, tregon regjisorja rreth përmbajtjes së filmit.
“Zgjoi” do të jetë filmi që botës do t’i shpalosë një tregim nga Kosova, në mesin e shumë tregimeve të tjera që bota duhet t’i dëgjojë nga ky vend. Ky sukses padyshim që regjisoren e bën shumë krenare.
“Kemi shumë tregime interesante dhe shumë gjëra për të treguar. Fakti se një tregim nga Kosova do të shihet e dëgjohet nga një publik i gjerë më bën shumë krenare e aq më tepër për shkak të temës të cilën e trajton.”
Përkundër sfidave dhe vështirësive që ka Fahrija gjatë procesit, në thelb filmi përmban një tregim inkurajues dhe shpresëdhënës. Sipas regjisores, secila vajzë, grua, por edhe burrë që do ta shoh filmin mund të motivohet nga një sukses i tillë.
Të qenit vetë skenariste dhe regjisore e filmit, për Bashollin ishte një përgjegjësi e dyfishtë. Por, ajo beson se falë këtij angazhimi është rritur e zhvilluar edhe si person, por edhe si profesioniste.
“Skenari është proces i rritjes dhe me ka ndihmuar shumë që të kuptoj edhe më thellësisht temën edhe karakterin. Sa ka qenë e vështirë aq mendoj se edhe më ka ndihmuar për të depërtuar pak më brenda karakterit.”
Pjesëmarrja në ‘Sunndance’ është shenja e parë që ky projekt filmik është shumë premtues, por regjisorja rrugëtimin e filmit shpreson ta pasuroj edhe me shumë çmime.
“Fillimi është shumë i mirë, tani të shohim. Kur futesh me një festival si “Sundance” rrugëtimi i mirë është i sigurtë. Shpresojmë që filmi të vlerësohet edhe me çmime sepse ashtu do të ketë vërtetë rrugëtimin e suksesshëm.”
Të nisësh një karrierë është me të vërtetë e vështirë, por vazhdimi duket sikur është një tjetër sfidë më vete. Regjisorja beson që me dashuri do t’i kaloj të gjitha. Ndërsa përkushtimin e sheh si çelës të suksesit në secilin profesion.
Përderisa gjatë jetës marrim mësime që në momente të caktuara kanë efekte pozitive, një mësim të tillë regjisorja e ka zbatuar gjatë krijimit të filmit. Këmbëngulësia dhe puna përzistente ishin cilësi që i ndihmuan gjatë procesit të punës. Sipas Bashollit duhet të insistojmë dhe të punojmë shumë deri sa të arrihet rezultati i kënaqshëm në çdo fazë të procesit.
Teksa biseduam për kriteret që e bëjnë një film të shkëlqyer, Basholli si vlerë kyçe e sheh ndjesinë që të ofron një film.
“Për mua ndjesia që të krijon ai film, nëse bota e krijuar aty brenda është e besueshme dhe të merr me vete pa bërë asnjë pyetje atëherë filmi është i mirë. Pastaj natyrisht skenari është kryesori, aktorët, kamera e shumë elemente.”
Gjatë jetës, Blerta është frymëzuar nga shumë filma dhe regjisorë, qoftë edhe shqiptarë, por ajo përmend një ndër filmat që ka pasur më së shumti ndikim te ajo.
“Ka shumë filma dhe shume regjisorë e regjisore edhe nga Kosova edhe nga Bota që më frymëzojnë. E kam shumë të vështirë t’i listoj me të vërtetë. Një prej filmave që ende e përmend është “Dancer in the Dark” nga Lars von Trier, por ka shumë shumë filma që më frymëzojnë. Tregimi, qasja e regjisorit e më së shumti aktrimi janë ato elemente që më tërheqin edhe te ky film, por edhe tek shumë filma të tjerë.”
Krejt për fund, Basholli e cila vitin 2020 e përmbylli me një sukses të jashtëzakonshëm, shpreson që viti i ardhshëm t’i shtrojë filmit “Zgjoi” një rrugë edhe më të gjatë e të suksesshme, përderisa premton që do të vazhdoj të punoj intenzivisht. / KultPlus.com
Fëmijërinë e kishte të thjeshtë, teatri e opera ishin dyer që nuk u hapën asnjëherë për të. Ajo nuk frekuentonte vende të tilla. Ishin dyert e shtëpive të lagjes që hapeshin për të marrë qumështin e familjes së Elbenitës, e që asaj i kishte rënë hise ta shpërndante çdo ditë. Kjo punë asaj i sillte kënaqësi sepse në atë kohë Kosova po përballej me forcat serbe dhe aktivitetet tjera për fëmijë ishin pothuajse të pamundura. Elbenita Kajtazi, atë kohë 8 vjeçare, e gjente vetën edhe në diçka tjetër. Strehim e qetësim në kohë lufte e kishte këngën. Frikën e mbizotëronte me zërin e saj poshtë tavolinës apo në ndonjë qosh të shtëpisë, aty ku zëri nuk i dëgjohej fort. Ndërsa sot, duket sikur ai zë që për shkumë kohë u akumulua në brendësi të saj, ka arritur të depërtojë në skenat më të mëdha të operës në botë. Ndonëse një rrugëtim i pamenduar më herët, Elbenita me rrëfimin e saj dëshmon që asgjë nuk është e pamundur.
Ndërsa popullariteti u përhap dhe potenciali i saj i vërtetë po shpaloset nëpër skena botërore, ajo është shndërrua në diçka shumë më tepër, në një vajzë inspiruese.
Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Elbenita na tregon për një rrugëtim prekës, frymëzues dhe emocionues. Ajo flet për frikën, pengesat, pasionet, përparimin e shumë më tepër për atë që e drejtoi dhe i shtroi këtë rrugë suksesi.
Elbenita Kajtazi
KultPlus: Keni potencuar që për herë të parë keni shikuar një shfaqje operistike në kanalin YouTube, ndërsa sot ju keni arritur të depërtoni suksesshëm në skenën ndërkombëtare dhe të shkelni skena të mëdha, si e përshkruan këtë rrugëtim?
Elbenita Kajtazi: Për të përshkruar rrugëtimin tim në fjalë të shkurtra do potencoja shumë punë e përkushtim, besim i madh në atë që kam dashur të arrijë, fat, dhe shumë dashuri për punën që unë bëj. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kur shpjegohet me fjalë të shkurtra tingëllon si diçka e lehtë për tu arritur, po nuk ka qenë gjithashtu e paarritshme, ka pasur zhgënjime, ka pasur thyerje emocionale, ka pasur momente kur edhe kam dashur të heq dorë nga ajo që ëndërroja por kanë qenë çështje minutash, prap e kam marr forcën dhe guximin. Gjithashtu vlen të përmendet që kam pasur afër vetës njerëz të mrekullueshëm që nuk më kanë lenë të bie poshtë asnjëherë.
KultPlus: Gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë ju ishit një fëmijë, keni deklaruar që kënga ju ka ndihmuar te tejkaloni atë periudhë të vështirë, na fol pak për ndikimin e muzikës në rrethana të tilla?
Elbenita Kajtazi: Muzika për mua atëherë si fëmijë 8 vjeçe e gjysmë ka qenë terapi, ikje nga një realitet i hidhur në një dimension që do doja të gjendesha si fëmijë, mes lodrave e jo në mes plumbave. Muzika edhe sot lirisht mund të themi që është terapi e shpirtit kur ajo muzikë është e mirëfilltë dhe të flenë në shpirt. Unë atëherë nuk e kam pasur aspak idenë se çfarë është muzika operistike, por kam kënduar këngë popullore, këngë për fëmijë, ninulla me të cilat nëna na ka rritur. Unë nuk kam pasur guximin të këndoj me zë, sepse kur futeshin serbët në shtëpi nuk është që ke guxuar të bësh zë, por në mendjen time jam gjendur diku tjetër, me tingujt e muzikës që më janë sjell nëpër kokë. Kur kemi dal si refugjatë në Shqipëri atëherë kam filluar të këndoj me zë të lartë, duke u munduar në çdo sekondë të harroj ato që kemi përjetuar ne si familje gjatë luftës, duke u munduar ta ndjej veten të lirë, sikur një zog kur këndon në degë pa menduar fare se çfarë do vijë më pas, duke shijuar lirinë në maksimum por gjithmonë duke shpresuar që një ditë do të kthehem në Mitrovicën time, në Drenicën time, vendin tim të lindjes, e lirë të vrapoj e të ëndërroj pa menduar frikën.
KultPlus: Shkaku i pandemisë, ky vit u konsiderua i “fjetur” edhe sa i përket jetës kulturore. Por, ju morët një lajm të mrekullueshëm për karrierën tuaj. Ju besua roli i Violetës në shfaqjen operistike “La Traviata”, një rol i ëndërruar për shumë soprano, si e pritët këtë lajm?
Elbenita Kajtazi: Është e vërtetë, mua personalisht më janë anuluar shumë shfaqje dhe kontrata të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të rëndësishme, por që njëra prej tyre u realizua, e ajo është Violetta nga Opera “La Traviata” në Bordeaux të Francës në muajin Shtator. Për shkak të Covid-19 ka qenë pikëpyetje e madhe se a do realizohet apo jo, dhe fatmirësisht u realizua dhe kishte një suksese për të cilin jam shumë e lumtur dhe krenare, sepse u shpërblye puna ime e madhe që kam bërë me këtë rol dhe debutimi im në Francë la me të vërtetë përshtypje të mira atje.
KultPlus: Ju ka ndodhur që gjatë interpretimit tuaj në ndonjë skenë botërore të keni në publik prindërit, nëse po na fol pak për emocionin që të fal prezenca e tyre?
Elbenita Kajtazi: Unë kam pasur fatin t’i kem prindërit e mi një herë në Gjermani dhe kanë pasur mundësi ta shikojnë shfaqjen “Die Zauberflote”, fatkeqësisht jo në të njëjtën kohë, babai e ka parë Paminen time në Berlin, kurse nëna ka qenë prezente kur kam kënduar po të njëjtin rol në Aalto Muziktheater në Essen, Gjermani. Ka qenë ndjenjë që nuk kam fjalë ta përshkruaj, periudhë të cilën nuk do e harrojë kurrë. Është shumë kënaqësi e madhe kur sheh prindërit e tu të krenohen e shijojnë çdo sekondë të asaj që ke arritur.
KultPlus: Përkundër faktit që karriera juaj po zhvillohet jashtë Kosovës, ju asnjëherë nuk i harroni rrënjët, shpesh jeni pjesë e festivaleve të ndryshme, keni në plan mbajtjen e ndonjë koncerti solistik në Kosovë?
Elbenita Kajtazi: Unë jam shumë krenare me rrënjët e mia, nuk e mohoj asnjëherë prejardhjen time dhe me shumë mburrje tregoj gjithmonë se nga vij. Kohëve të fundit nuk kam mundur të jem shumë prezente në vendin tim për shkak të angazhimeve të shumta jashtë Kosovës, por nuk e mohoj dot që kam marr ftesa dhe marr ftesa vazhdimisht por që fatkeqësisht sezonet e mia janë të planifikuara qysh tash edhe për vitin 2023 dhe është shumë e vështirë të gjej kohë të lirë të jem me ndonjë koncert ose paraqitje në Kosovë, vij shumë shpesh për pak ditë dhe vizitoj familjen por jo më shumë se aq. Kurdo që kam kohen dhe gjërat planifikohen paraprakisht nuk do hezitoj të vij dhe të këndoj për publikun më të dashur që ma mbush zemrën me shumë dashuri.
KultPlus:Përkthimi i Operave botërore në gjuhën shqipe është i mangët, andaj ju keni marrë iniciativën e përkthimit në shqip të historive të operave të huaja, si lindi ideja dhe a ka nisur procesi i punës?
Elbenita Kajtazi: Unë kam studiuar vet në Kosovë dhe e di mirë se sa ka mungesë materialesh në drejtimin operistikë, prandaj meqenëse jam shumë aktive në këtë drejtim në botën e jashtme, më erdhi ideja që përvojat e mia ti ndaj edhe me të gjithë studentët që janë të interesuar të mësojnë dhe të ecin përpara në këtë drejtim. Kam parë shumë video që postohen dhe nuk kanë aspak karakter edukues dhe prandaj vendosa të marr këtë iniciativë që ata njerëz që janë të interesuar të mësojnë rreth botës operistike të dëgjojnë shpjegimet e tyre në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të kuptueshme. Procesi i punës ka nisur dhe deri tani kemi postuar dy shpjegime, atë të operës Manon nga opera Massenet dhe Cosi fan tutte nga Mozart. Iniciativës time ju kanë bashkangjitur edhe artistë të tjerë shqiptarë dhe mezi presim të vazhdojmë punën dhe të postojmë edhe shpjegime tjera.
KultPlus: Ju shpesh e ngrisni zërin edhe për çështje të ndryshme sociale në Kosovë e sidomos në rastet e dhunës, sa ndikon në ju gjendja jo e mirë e popullit tënd?
Elbenita Kajtazi: Unë mërzitem shumë nga fakti që dhuna e bërë ndaj grave nuk dënohet sa duhet, mërzitem dhe irritohem kur e shoh trajtimin e keq të grave, dhuna duhet të dënohen nuk ka rëndësi se nga kush vjen nga gratë apo burrat, dhuna duhet të dënohen ashtu siç e meriton. Mua personalisht më thehet zemra kur shoh raste që vritet gruaja dhe burri nuk dënohet aq sa duhet, thjesht se përballoj dot dhe prandaj reagoj dhe mendoj që unë nuk duhet të jem e vetmja, gjithë ata, zëri i të cilëve dëgjohet duhet të reagojnë. I ftoj edhe gratë që janë pjesë e parlamentit të bëjnë më shumë në këtë drejtim, të bashkohen më shumë se kurrë e ta luftojnë këtë dukuri që dëmton gruan, ul gruan poshtë dhe humb identitetin e gruas.
KultPlus: Vajzat shqiptare pothuajse e kanë poshtuar botës në fusha të ndryshme, suksesi i tyre po i bën krenarë të gjithë, si e shihni ju rrugëtimin e vajzave shqiptare nëpër botë?
Elbenita Kajtazi: Çdo arritje e çdo femre shqiptare më bënë krenare nga toka deri në qiell. Unë jam e sigurt që asnjëra nga ato gra nuk e kanë pasur të lehtë të arrijnë aty ku janë por janë përkushtuar kanë punuar shumë dhe sot na bëjnë krenarë në gjithë botën. Uroj që këto arritje të jenë inspirim për të gjitha femrat tjera, që të mos dorëzohen kurrë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre duke lënë anash paragjykimet dhe të thënat e kota që ndonjëherë jo rrallë dëgjohen në Kosovë si pre e mentalitetit të cilin ne e kemi.
KultPlus: Secilin sukses në jetë zakonisht ja dedikojmë dikujt, po ju ku e adresoni suksesin tuaj?
Elbenita Kajtazi: Unë suksesin tim së pari ia dedikoj punës dhe përkushtimit tim, familjes time që më kanë qëndruar gjithmonë afër duke më përkrahur në të gjitha vendimet që unë kam marr, Ermonela Jahos person që nuk më ka lëshuar dorën asnjëherë duke më këshilluar gjithmonë me gjërat e duhura, Vera Calabria personit që bëri të mundshme audicionet e mia të para, profesoreshës time të këndimit Caroline Merz pa të cilën nuk do posedoja teknikën e këndimit që posedoj sot dhe patjetër bashkëshortit tim Ardianit me të cilin kemi thurur ëndrrat që po realizojmë sot që nga shkolla e mesme.
KultPlus: Zëri juaj po rrugëton suksesshëm në vende të ndryshme, por në cilin teatër botëror ëndërroni të interpretoni një ditë?
Elbenita Kajtazi: Unë kam shumë ëndrra që uroj t’i realizoj në një afat jo shumë të gjatë, unë tashmë kam interpretuar në teatro të ndryshme nëpër botë, dhe kontratat me teatro të ndryshme veçse janë nënshkruar, por ëndrra ime më e madhe është që një ditë të këndoj në një teatër operistike në Kosovën time të dashur, uroj të mos mbaroj karrierën time pa shkelur këmba ime në një teatër në Prishtinë për të cilin do jem krenare dhe do lë zemrën time aty.
KultPlus: Me cilin artistë botërorë do të doje ta ndaje skenën të paktën njëherë?
Elbenita Kajtazi: Unë tashmë kam ndarë skenën me emra botëror si Placido Domingo, Rolando Villazon, Anja Herteros e shumë shumë të tjerë, dirigjent si Zubin Mehta, Kent Nagano, Donald Runicals por ëndrra ime është që një ditë ta ndaj skenën me motrën time Ermonela Jaho, sepse është dhe do mbetet krenari kombëtare.
KultPlus: Çfarë është duke bërë Elbenita kohëve të fundit dhe ju është ofruar ndonjë rol që do ta ndaje ekskluzivisht me lexuesit tanë?
Elbenita Kajtazi: Unë për momentin jam shumë e zënë me studimin e operës Manon, konkretisht rolin Manon nga opera e Massenet, gjithashtu rolin Mimi nga opera La Bohen si dhe Dona Anna nga opera Don Giovanni , jam me prova aktive në Staatsoper Hamburg dhe kontrata të tjera do publikoj atëherë kur edhe teatrot do i publikojnë sepse nuk kam drejtë më herët. Ajo që më duhet të veçoj patjetër është pjesëmarrja ime në festivalin më të madh botërorë këtë verë Salzburger festspiele në Austri, dhe përgatitjet natyrisht nuk janë të lehta po mezi pres të ngjitem prapë në skenën ku edhe Mozart para qindra viteve ka interpretuar.
KultPlus: Para pak ditësh ju keni ndarë me publikun një rrëfim personal tejet inspirues. Dikur ju shisnit qumësht në lagje, sot një soprano me famë ndërkombëtare, cili është mesazhi juaj për të rinjtë që sot janë në një pozitë të tillë që ndoshta suksesin e shohin larg e ndoshta të pamundshëm?
Elbenita Kajtazi: Unë ju them që më besoni asnjë sukses nuk është i pamundshëm nëse punoni fort e nuk zhgënjeheni por besoni shumë në vetvete, asgjë nuk është e lehtë në jetë por gjithashtu asgjë nuk është a paarritshme prandaj mos harroni që puna dhe vetëm puna e përkushtimi të drejtojnë drejtë një rrugëtimi të pastër dhe plot sukses.
KultPlus: Si do ta përshkruaje vitin që po e lëmë pas?
Elbenita Kajtazi: Viti që po e lëmë pas nuk ka qenë aspak i lehtë për secilin. Vit i çuditshëm dhe me të vërtetë një sfidë e madhe për të gjithë njerëzimin. Vit që nuk do të harrohet asnjëherë por uroj që të kaloj sa më shpejtë. Pa marrë parasysh sfidës së madhe mendoj që kjo pandemi ka afruar njerëzit më shumë me njëri-tjetrin, ka bërë të kuptohet që në këtë jetë nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti dhe dashuria e kujdesi në familje. Unë cilësoj familjen si gjënë më të shenjtë në botë dhe uroj ta kenë shëndetin e mos të përjetojmë dhimbje që shumë familje kanë përjetuar duke humbur më të dashurit e tyre. Për sa i përket karrierës unë e cilësoj si një vit përkundër rrethanave mjaft të suksesshëm dhe të paharrueshëm. / KultPlus.com
Publiku çdo herë e më shumë kërkon imazhe nga natyra, andaj dokumentimi i formave të ndryshme të jetës së egër po bëhet gjithnjë e më tërheqës.
Në Kosovë dokumentimi i botës së egër është i vonshëm. Por me zhvillimin e teknologjisë dhe me vullnetin e disa fotografëve sot kemi fotografi mbresëlënëse e që nuk janë parë më herët. Këto pamje po vihen edhe para syve të botës duke e bërë kështu vendin tonë sa më tërheqës për turizëm.
Arian Mavriqi është një ndër fotografët e botës së egër në Kosovë që kujdeset të jetë gjithmonë në vendin dhe kohën e duhur e me punën e tij të arrijë të informojë publikun me shumë të panjohura nga kjo botë.
Si fëmijë ai kishte pasion të hulumtonte në natyrë, por ndoshta asnjëherë nuk i kishte shkuar mendja që një ditë do të ketë mundësi që gjithë ato pamje eksploruese do t’i dokumentonte. Madje, do t’i dukej e pamundur t’i thoje që një ditë fotografia e tij do të komentohej nga gjigandi botërorë Microsoft e të cilin Mavriqi e vlerëson si një sukses kombëtar.
Në një intervistë të veçantë për KultPlus, Mavriqi na flet për pasionin e tij, vështirësitë e të fotografuarit gjallesat, sfidat e kënaqësitë gjatë procesit të punës që shpesh është tejet sfidues. Zbulon speciet që kanë arritur t’i fotografojnë e që nuk kanë ekzistuar as në të dhënat shtetërore. Ai ndër të tjera tregon se si ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve dhe sa kanë arritur të ngritin vetëdijen e popullit përmes fotografisë.
Arian Mavriqi
KultPlus: Fillimisht na trego sa kohë keni që i jeni përkushtuar artit të fotografisë më seriozisht, si erdhi inspirimi?
Arian Mavriqi: Që nga viti 2012 jam aktivë në fotografi, dhe inspirimi më erdhi pasi që si fëmijë kam pasur shumë dëshirë të hulumtoj në natyrë, por në atë kohë (para luftës) nuk kisha mundësi të fotografoja apo dokumentoja atë që na rrethonte me fotografi, ajo që bëja ishte vetëm ti shikoja pjesëtarët e faunës, shpezët dhe kafshët por edhe natyrën dhe të kënaqesha duke vrojtuar thuajse gjithë atë që na rrethonte.
KultPlus: Jeni ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës dhe faunës në Kosovë, na fol pak për këtë pjesë, si është të jesh fotograf i kësaj fushe?
Arian Mavriqi: Është e veçantë të jesh fotograf i botës së egër, njëherë edhe satisfaksion, pasi që ky lloj i fotografisë është edhe më i vështiri për tu realizuar sepse ka të bëjë me krijesa që nuk e kuptojnë gjuhën e njeriut, mandej duhet të jemi në teren thuajse gjithë kohën që t’i gjejmë ato për t’i fotografuar, nganjëherë edhe në borë e shi, por që vullneti i tejkalon të gjitha vështirësitë.
KultPlus: Sa është e vështirë deri të sjellja e një fotografie të tillë (nga fauna), besoj ju ka ndodhur të prisni me orë apo ditë për një shkrepje të tillë?
Arian Mavriqi: Po, kemi pritur me orë, por edhe me ditë, këtu doja ta veçojë xhirimin e skyfterit Accipete gentilis (Gjeraqina e shkurtes) për të cilën kemi qëndruar deri në tri ditë në të njëjtin vend deri sa ja arritëm qëllimit për të marrë një xhirim që ishte i pari i tillë i realizuar në shqiptari.
KultPlus: A keni arritur të identifikoni ndonjë specie të re në Kosovë, për të cilën nuk keni qenë të informuar më herët?
Arian Mavriqi: Si rezultat i punës sonë, kemi arritur t’i fotografojmë disa specie të reja, ndër to Shqiponja peshkngrënëse (Pandion haliateus) dhe Kojlikun e zi të cilat as nuk gjenden në të dhënat shtetërore, por kemi fotografuar edhe shumë specie tjera që janë në të dhënat shtetërore por nuk kanë qenë asnjëherë të dokumentuara me fotografi.
KultPlus: Sa mendoni që keni arritur që përmes fotografive nga bota e egër të ngritni vetëdijen e qytetarëve për ruajtjen e tyre?
Arian Mavriqi: Jemi të kënaqur me ngritjen e vetëdijes nga ana e qytetarëve tanë, dhe se çdo ditë e më shumë ata po inspirohen edhe nga fotografitë e xhirimet tona, dhe thuajse tashmë ata janë pjesë e jona dhe na ndihmojnë shumë edhe në gjetjen e tyre dhe na japin informacione.
KultPlus: Nga gjitha shkrepjet që keni realizuar, cilën do ta veçoje?
Arian Mavriqi: Do ta veçoja Kaprollin me zogun Trishtili i madh në shpindet e tij që e kam realizuar në Blinajë. Mandej Shqiponjën Osprey si dhe një zog që është i përmendur edhe në Kuran e që quhet Pupëza apo Upupa epops.
KultPlus: Një moment i veçantë për karrierën tuaj besoj ishte edhe komentimi që gjigandi Microsoft i bëri fotografisë tuaj të realizuar në Kamenicë e cila ngjasonte shumë më atë të Ëindosës XP, si është të vlerësohesh nga Microsoft dhe na fol pak për emocionin që të fali suksesi i kësaj fotografie?
Arian Mavriqi: Komenti i gjigandit Microsoft ka qenë deri më tani kulmi në karrierën time pasi që është Kompania më e madhe në botë, dhe ajo nuk është se ishte sukses vetëm i imi, por edhe sukses kombëtar, pasi që ata interesohen më shumë për ne dhe lokacionin e shkrepjes gjithsesi, mandej emocionet kanë qenë nga më të mirat për mua deri më tani dhe sikur të kisha mundësi do ta përsëritja çdo ditë, është thjeshtë satisfaksion të vlerësohesh nga një gjigand si Microsoft.
KultPlus: A mendon që kjo fotografi të dha një vëmendje më të madhe te publiku dhe puna jote filloi të shpërndahet dukshëm më shumë?
Arian Mavriqi: Po, më ka ndihmuar shumë në karrierën time, vëmendja dhe shpërndarja e asaj foto më ka bërë të ndihem krenar me punën time, dhe më dha një vullnet shumë të fortë për të vazhduar akoma më fuqishëm në të ardhmen, sepse nëse punon gjithmonë edhe do shpërblehesh.
KultPlus: Duke qenë se ju vini nga Kamenica, gjithashtu një prej vendeve që ju eksploroni më së shumti, a mendoni që keni arritur tashmë të nxirrni në pah bukuritë natyrore të këtij vendi dhe faunën e pasur që ka, apo keni ende për të na treguar?
Arian Mavriqi: Po, unë jam nga Kamenica, dhe jetoj këtu, njëherit edhe fotot që kam sjellë e kanë bërë qytetin ku jetoj të njihet thuajse në gjithë shqiptarinë sepse njerëzit kishin shumë pak informacione për këtë vend, por akoma kam shumë për të bërë për Kamenicën dhe shqiptarinë në përgjithësi, janë shumë specie tjera që na presin ti fotografojmë dhe t’i dokumentojmë në të ardhmen.
KultPlus: Fëmijët janë ata që gjithashtu zënë shpesh vend në fokusin tënd, ju fal emocion e inspirim pafajësia e tyre?
Arian Mavriqi: Fëmijët janë aq të pafajshëm dhe natyraliteti i tyre na bënë që t’i fokusojmë sepse fotografitë me fëmijë janë emocion në vete dhe gjithmonë dërgojnë mesazhe pozitive në opinion dhe padyshim se vlerësohet shumë më lart edhe në publik, sidomos fotografitë që tregojnë traditat tona dhe fotografitë me kafshë.
KultPlus: Shumë nga bukuritë natyrore të Kosovës kanë dal në pah falë shkrepjeve tuaja, sa ndiheni i përmbushur si fotograf?
Arian Mavriqi: Kemi sjellur shumë fotografi të bukurive natyrore, por ne asnjëherë nuk kënaqemi me vetveten, por gjithmonë jemi në kërkim të ekskluziviteteve të reja dhe se fotografia është një burim shpirtëror i pashtershëm edhe njeriu gjatë gjithë jetës ka çka të ofrojnë në lëmin e fotografisë, sepse vijnë situata të reja, vende të paeksploruara, specie të pazbuluara, njerëz të rinjë pranë fokusit tonë, pra me një fjalë bota nuk ndalet dhe me të nuk ndalemi as ne.
KultPlus: Si e vlerësoni artin e fotografisë në Kosovë, çmohet sa duhet?
Arian Mavriqi: Arti i fotografisë për fat të keq nuk çmohet aq sa duhet, por jemi në rrugën e duhur që të ngrisim vetëdijen dhe të respektohet në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që është një pjesë e artit dhe ka një vlerë të jashtëzakonshme.
KultPlus: Duke pas parasysh që e drejta e autorit te ne në Kosovë nuk respektohet sa duhet, hasni në probleme të tilla shpesh?
Arian Mavriqi: Sa i përket të drejtës autoriale kemi shumë shpesh raste të tilla kur merren fotot tona dhe nuk ceket emri i autorit dhe për fat të keq kemi një ligj që nuk zbatohet thuajse fare hiq, prandaj edhe ata që marrin foto të tilla pa e respektuar të drejtën autoriale do të vazhdojnë kështu deri sa të fillon të zbatohet ligji edhe të binden që një shkelje e tillë dënohet shumë rëndë.
KultPlus: Keni menduar hapjen e ndonjë ekspozite së shpejti?
Arian Mavriqi: Po, shumë shpejt do të hapë një ekspozitë personale me disa nga fotot e mia të faunës dhe natyrës të shkrepura në Kosovë e Shqipëri, por jam duke menduar të bëjë diçka të veçantë dhe besoj që kësaj radhe ekspozita do të mbahet diku në Prishtinë, dhe dua që të jetë një prezantim edhe në nivel kombëtar, pra të kemi të ftuar dhe mysafir nga gjitha trojet shqiptare.
KultPlus: A mendon që ndikojnë fotografitë për tërheqjen e turistëve në vendin tonë?
Arian Mavriqi: Fotot ndikojnë shumë në tërheqjen e turistëve të huaj sidomos në Kosovë, pasi që në vende të ndryshme ne akoma kemi një “hije të zezë”, dhe se ata kanë nevojë për më shumë informacione për vendin tonë, sidomos fotografi të bukurive të Kosovës, faunës, traditave tona, arkeologjisë që e kemi gjithandej e që zbulon shumë për historinë tonë, si dhe qyteteve tona që njihen për ruajtjen e pjesës arkeologjike dhe historike.
KultPlus: Si e komentoni shprehjen “Fotografia vlen sa një mijë fjalë”?
Arian Mavriqi: Shprehjen “Fotografia vlen sa 1000 fjalë” do ta komentoja me fotografinë time ku zogu qëndron i qetë në shpinën e kaprollit, mandej kur një qengj qëndron në krahët e një plaku i qetë dhe me shumë dashuri, apo me fotografinë time që ishte zgjedhur për tu pikturuar në Muralin e Kamenicës si dhe me qindra foto me kafshë që i kam realizuar djalin tim Amalit, pra nëse i shikon ato fotografi secila në vete i ka nga 1000 fjalë, prandaj edhe fotografia nuk komentohet shumë, ajo flet vetë. / KultPlus.com
Në ambientet e KultPlus Caffe Gallery gjatë ditës së sotme ka përfunduar trajnimi për gazetarët mbi të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Në ditën e fundit të këtij trajnimi pjesëmarrësve ju është caktuar nga një temë nëpërmjet së cilës synohet rritja e të drejtave dhe vetëdijesimi mbi këto komunitete, shkruan KultPlus.
Koordinatorja e këtij projekti Kendiza Lala tha se qëllimi i këtij projekti ka qenë që të rritet numri i raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Ajo ka shtuar se njëlloj si kanë ndikuar për të mirë artikujt e publikuar nga ana e këtij projekti, të kenë po të njëjtin ndikim edhe artikujt që do të publikohen si rezultat i këtij trajnimi dy ditor.
“Qëllimi i projektit ka qenë që të ngrisë numrin e raportimeve të sakta për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian. Përveç artikujve që janë publikuar deri më sot dhe kanë pasur efektin ndihmues tek komunitet e njëjta gjë pritet edhe nga ana e gazetarëve pjesëmarrës. Kjo sepse, siç tham qëllimi i këtij projekti është të shmang stigmatizimin dhe të sjell modelet që qëndrojnë në komunitete”, tha ndër të tjera Lala.
Kurse për trajnerin kryesor të këtyre ditëve, Imer Mushkolaj përzgjedhja dhe ndarja e temave që është bërë në ditën e fundit do të sjellë një pasqyrë ndryshe prej asaj se çka kemi parë deri më sot në media kur raportohet për komunitete. Sipas tij pas publikimit t ë këtyre temave njerëzit do të kenë mundësinë që të vërtetojnë se kanë pasur paragjykime të gabuara.
“Me temat që janë propozuar në ditën e dytë të trajnimit besoj që gazetarët kanë materiale që me i trajtu këto tema. Jam shumë i lumtur që këto tema janë jashtë ose ndryshe prej asaj që jemi mësuar të dëgjojmë, të shohim apo lexojmë për një komunitet. Shpresoj që kur të publikohen si storie njerëzit kanë me pas mundësi me lexu diçka që ndoshta nuk e kanë menduar që ekziston si e tillë në kuptimin e rrëfimeve prej pjesëtareve të këtyre komuniteteve që nuk na japin vetëm anën e diskriminimit, anën e vështirë të jetës sociale dhe ekonomike, anën e pamundësisë për shkollim ose punësim, por na japin disa modele pozitive se si pjesëtaret e këtyre komuniteteve nuk dallojnë aspak me mënyrën e funksionimit, në mënyrën e arritjeve që i kanë bo prej komuniteteve tjera respektivisht prej komunitetit shumicë në këtë rast”, theksoi ai.
Ndërkaq për pjesëmarrësen dhe njëkohësisht gazetaren Natyra Rushiti ky trajnim ka qenë një nismë për të larguar vëmendjen mediale nga konotacioni negativ për komunitetet. Sipas saj këto dy ditë kanë qenë mjaft të dobishme karshi kujdesit në raportimin për komunitetet.
“Trajnimi ka qenë një nismë e mirë për të larguar nga vëmendja mediale konotacionin negativ për komunitetet. Kësisoj trajnimi ishte i dobishëm në forcimin e bindjeve për ti kushtuar më shumë vëmendje raportimit për romët, ashkalitë e egjiptianët e për të shmangur “shprehitë” shabllone karshi tyre. Pra besoj se ka shkuar në vend edhe ideja e synimi i këtij trajnimi që të shfaqen më shumë shembuj të mirë (që janë shumë) për këto komunitete, të rritet hapësira në media që trajtojnë raste më këto komuniteteve e të largohet paragjykimi për ta (krijuar disa herë edhe nga vetë mediat). Pra që të kenë një trajtim të barabartë secili anëtar i komuniteteve. E ky mesazh që besoj do vërehet dukshëm në praktikë u përcoll gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ajo.
Tutje Rushiti ka shtuar se komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë në media, mirëpo sipas saj gishti nuk duhet drejtuar çdo herë tek gazetarët ngase edukimi për të larguar paragjykimet duhet të filloj që nga familja e të vazhdoj deri tek institucionet arsimore.
‘Komunitetet në Kosovë nuk kanë një përfaqësim të denjë nëpër media. Imazhi i romëve, ashkalive, egjiptianëve është i shfaqur pothuajse në një kornizë të njëjtë gjithmonë. Si jo rrallëherë anëtarët e tyre stigmatizohen e paraqiten si viktima ose si objekt tallje në sytë e lexuesit, shikuesit e dëgjuesit. Por jo gjithherë gishti për këtë duhet drejtuar nga gazetarët, një edukim për ta larguar paragjykimin duhet të nis nga familja për të vazhduar tek institucionet arsimore më pastaj. Megjithatë në këtë mes mediat luajnë rol shumë të rëndësishëm për të edukuar masën e për të raportuar pa ofenduar”, ka përfunduar ajo.
Kurse pjesëmarrësi tjetër, Sejdi Gashi tha se ky trajnim ka qenë mjaft i dobishëm edhe për gazetarët që kanë përvojë të gjatë pune, ngase janë mësuar shumë praktika të reja.
“Trajnimi që u organizua gjatë këtyre ditëve është shumë i dobishëm për ne pjesëmarrësit, ndonëse disa prej nesh jemi me punë disa vjeçare në media, parp u thanë shumë gjëra, praktika të mira të reja, për mua ishte shumë dobiprurëse me përfitim”, potencoi ai.
Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ e që është implemetuar nga KultPlus dhe YIHR./ KultPlus.com
KultPlus fton gazetarët e medieve të ndryshme në Kosovë, që të aplikojnë në thirrjen për trajnimin e gazetarëve mbi të drejtat e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, trajnim që ka për qëllim rritjen e të drejtave mbi këto komunitete.
Në këtë thirrje do të pranohen dhjetë gazetarë, të cilët pas trajnimit dy ditorë, do të realizojnë nga një artikull për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian.
Gazetarët pjesëmarrës do të kenë mëditje për këtë trajnim, ndërkohë trajnimi do të realizohet nga një gazetar profesionist.
Aplikimi për këtë thirrje mund të bëhet në [email protected], afati është i hapur deri më 30 tetor.
Ky trajnim është pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ./ KultPlus.com
“Vajza e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, tregonte Lindita Rugova me lot në sy e me zërin që i dridhej teksa rrëfente përvojën e saj me kancerin e gjirit. Tregimi i saj përloti gjithsecilin, madje edhe bashkëfolësen e saj, Nafie Latifin, që ndonëse kishte fituar të njëjtën betejë, emocionet si ndalte dot.
Ambienti ku përherë kishte mirëpritur figura e rrëfime që përçonin emocione, mbrëmë kishte marrë hijen e forcës e kurajos, ngase përballë publikut kishte dy gra, beteja e të cilave sot është sinonim i luftimit të kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.
Edhe pse e shtyrë në moshë, Nafie Latifi kishte mbledhur forcat që të jetësonte edhe një herë rrugëtimin e betejën e saj me kancerin e gjirit. Ishte viti 2004 atëherë kur 24 orët e saj që i kushtoheshin dashurisë së madhe që kishte për profesioni, morën një kahje tjetër.
“Unë jam ataku me këtë sëmundje në vitin 2004, në kohën kur isha në kulmin e karrierës time. Editore e një reviste dhe me punë për rrogë te një revistë tjetër, realisht një punë 24 orëshe me shumë pasion. Nuk i kam kushtuar shume rëndësi shëndetit, s’ju kam vu veshin problemeve që i kam pasur dhe përnjëherë kam vërejtur një ndryshim në gjirin tim. Ka qenë një shok, ka qenë tmerr”, filloi kështu rrëfimin e saj Latifi.
Nafie Latifi tregoi se si për diagnozën e sëmundjen e saj lajmi u kumtohej të tjerëve, përpara se të arrinte tek ajo.
“Për diagnostifikim ka qenë aq vështirë sa është dashtë me shku prej një klinike në klinikën tjetër private dhe ende pa dalë nga aty, pa i marrë diagnozat e sakta, është marr vesh që Nafia ka kancer. Por, për mua nuk ishte me rëndësi sepse doja vetëm të gjeja një zgjidhje”, tha ajo.
Për Nafien trajtimi i sëmundjes vazhdoi rrugëtimin jashtë kufijve të Kosovës, e me një mbështetje të pakufizuar të familjes. Por, ishte pikërisht mbështetja, forca e kushtet që shtynë atë që të themelonte një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte të ndihmonte gratë në luftimin por edhe marrjen e njohurive për kancerin e gjirit.
“Kur u ktheva në Kosovë pas trajtimit të sëmundjes mendova se çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe mjetet financiare të cilat unë i kisha dhe i pagova për jetën time. Prandaj konstatova se hapja e një shoqata është mënyra më e volitshme për të bërë diçka kundrejt kësaj çështje, dhe kështu në vitin 2008 pas përfundimit të proceseve administrative shoqata u hap”, vazhdoi tutje Latifi.
Ajo tregoi tutje se aktiviteti i parë i kësaj shoqate ishte bërë për ditën e gruas, më 8 Mars, festë të cilën ajo e ka menduar çdo herë si diskriminim total. Sipas saj aktiviteti i parë u shënua me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe nënshkrimin e një peticioni që më pas ju dorëzua ministrit të shëndetësisë të asaj kohe.
Ndonëse ishte një rrugë mjaft e gjatë edhe e mundimshme, kërkesat që shoqata e Nafie Latifit kishte bërë, disa prej tyre tashmë janë realizuar, pasi që nga viti 2008 e deri më sot instituti onkologjik dhe autoambulanca mobile e mamografisë tashmë janë funksionalizuar.
Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ishte vetëm 36 vjeçe kur u diagnostifikua me kancerin e gjirit. Ajo rrëfente se si mjeku përpiqej të gjente një lidhje gjenetike të kësaj sëmundje, ngase për të ishte e pakuptimit, një grua si Lindita Rugova, që deri atëherë kishte gëzuar një shëndet të plotë, të prekej nga kjo sëmundje.
Ishte dhjetori i vitit 2011 kur Lindita u ballafaqua me këtë sëmundje, dhe pikërisht koha kur ajo ishte e ngarkuar me punët dhe përgjegjësitë e saja në fakultet.
“Në dhjetor bëhen 9 vite, më 15 dhjetor u diagnostifikova kurse më 9 dhjetor preka gjëndrën me duart e mija. Isha në trajnim së bashku me kolege dhe rastësisht preka një gjëndrën në gjirin tim të majtë. Kështu që brenda një jave caktova termin te mjeku”, tregonte ajo.
Për Rugovën s’kishte kaluar një kohë e gjatë prej se kishte lindur vajzën e saj të vogël dhe ishte pikërisht ditëlindja e nënës së saj, koha kur ajo u operua.
“Unë isha vetëm 36 vjeçe dhe sapo kisha lindur vajzën prandaj dhe mendoja se isha shumë e re për kontrolle të tilla. Por, ja që ndodhi, brenda ditës më bënë mamografinë dhe aty u binda që unë isha e sëmurë sepse deri në atë kohë më mbante shpresa. Katër ditë më pas e caktuam operacionin dhe më 20 dhjetor, në ditëlindjen e nënës sime u operova dhe ma hoqën gjirin e majtë”, deklaroi Lindita Rugova.
Dekania e Fakultetit Filologjik tregoi se përgjatë kohës sa ishte e sëmurë nuk e kishte ndalur asnjëherë punën dhe përkushtimin që kishte ndaj saj.
Ndonëse rrëfimin e filloi me një forcë të jashtëzakonshme, lotët e përshkuan fytyrën e saj kur filloi të rrëfente për kohën kur ajo humbi flokët e saja, me të cilat çdo herë ishte krenuar shumë.
“Pasi fillova të merrja kimioterapinë unë i hoqa flokët sepse filluan të më binin. E vetmja gjë që më dhimbsen kanë qenë flokët sepse krenohesha me to shumë. Më pas kam përjetuar një periudhë dramatike sepse vajza ime e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, me zërin që i dridhej vazhdoi rrëfimin e saj Rugova.
Ajo tregon se nënës së saj i kishte treguar dy muaj pasi kishte mësuar për sëmundjen e saj. Por, për të kishte qenë e nevojshme që këtë ta ndante me vjehrrën dhe djalin e saj, asokohe njëmbëdhjetë vjeçar.
Lindita Rugova tha se nuk po qante nga mërzia, por sepse në raste të tilla është mirë të qahet, e të nxjerrësh jashtë atë që ke brenda.
“Nuk do të doja, nuk po qaj nga mërzia, po qaj për arsye se dua t’ju them edhe grave të tjera se në momente të tilla është mirë të qahet, është mirë ta nxirrni jashtë atë që e keni brenda, mos e mbani, mos e mërzisni veten sepse i bëni vetes keq më shumë”, tha ajo.
Për Rugovën dhjetori i 2011 nuk do ishte hera e parë që do hynte në një sallë operacioni. Dy vite pas, ajo gjendej prapë dyerve të spitalit, ngase rrezikonte një rikthim të mundshëm tumori. Por, pas kësaj periudhe jeta për Linditën filloi ti kthehej normalitetit të mëparshëm.
Rugova tregon edhe për kohën kur ajo duhej të shkonte në spital dhe të merrte kimioterapinë. Sipas saj tre orët që kalonte brenda atyre mureve i mjaftonin që të njoftohej me historitë e grave të tjera, të merrnin forcë nga njëra tjetra e ti ndihmonin njëra tjetrës.
E pikërisht për këto mure të spitalit, vendit ku mjekët trajtonin pacientët e sëmurë me kancerin e gjirit, Nafie Latifi thotë se puna ndonëse e thjeshtë dhe ndonjëherë edhe pa mjetet e duhura është bërë me zemër.
“Unë nuk e di se a janë të vetëdijshëm mjekët për rrezikun, fillimisht kur është hapur instituti ata nuk kanë pasur komora mbrojtëse për tretjen e ilaçit, ilaçe këto që sulmojnë edhe qelizat e thjeshta. Mjekët kanë punuar thjeshtë me maska e doreza, por kanë punuar me zemër”, pohoi Latifi.
Krejt në fund ajo shtoi se këtë vit nuk do të mbahet ecja në sheshin e Prishtinës, por këtë herë do të bëhet vendosja e shiritave rozë në 90 pemët që gjenden aty.
“Viteve tjera kemi pas ecjen, sivjet nuk do ta mbajmë për shkak të situatës, por do ta bëjmë një aktivitet tjetër simbolik. I kemi siguruar disa shalle dhe do t’i vendosim në të gjithë bulevardin e Prishtinës dhe t’i thërrasim njerëzit përgjegjës që ta zgjedhin drurin e tyre dhe ta lënë premtimin aty”, përfundoi kështu tregimin e saj Nafie Latifi. / KultPlus.com
Lulzim Tafa, në vëllimin e tij poetik “Flirt”, shpreh kredon e tij krijuese duke e shpalosur nëpër poezi erotizmin shpirtëror dhe duke e vënë në pah një pjesë të personalitetit të tij.
Poezitë e Tafës janë poezi të pasura me një konglomerat figuracionesh si dhe të ndërtuara përmes një “horizonti” imagjinativ. Gjuha me të cilën realizohen këto poezi tregon lirinë e poetit që e ka në lirikë gjë e cila i mundëson lexuesit që poezisë së tij t’i jap interpretime të ndryshme pa e kufizuar. Një gjë të tillë e mundëson mungesa e pikësimit në fund të vargjeve. Poezitë e Tafës nuk janë të ndërtuara me një ritëm të njëtrajtshëm ato përbëhen nga forma e lirë, gjë që mundëson leximin e tyre vetëm me një frymë.
Semiosi është i vendosur që në titull, vetë titulli “Flirt” shpjegon atë erotizmin që do ta trajtoi poeti në vazhdimësi të veprës.
Sipas studiuesit Sali Bashota, “Poezia e Lulzim Tafës është një monolog i shkathtë që e ka rrjedhën dhe intensitetin e vet, i funksionalizuar me ngarkesë të veçantë ideoemocionale, madje monolog që, gjithashtu, e ka formën, bukurinë dhe qëllimin e vet, i cili e kërkon dialogun e tjetrit”.
Libri poetik “Flirt” ndërtohet nga pesë cikle, secili cikël përbrenda vetës mbanë veçantinë e vet dhe vë në pah shpirtin krijues të Tafës.
Në ciklin e parë “Dashuria”, me vargjet Kam rrëshqitë/ N’dashni si në akull “Akull e Dashni”, Më ke ndezë/ si zjarr/ dhe po ngrohesh me mua “Piromane”, Mos u dashuro kurrë/ N ‘hanë “Mos thuaj s’e kam ditë” Puthjet e thella me të vdekur “Dashni me Zjarrin”, paraqesin dashurinë si ndjenjën të fuqishme dhe të jashtëzakonshme që ka përbrenda vetës poeti. Vajza e barasvlfshme me hënën, vajza që ngrohë si zjarrë, vajza që helmon si gjarpër bëhen lajtmotiv i Tafës.
Cikli i dytë “Flirt” shpreh shpirtin e erotizuar të poetit, shpreh vullkanin shpirtëror të tij zjarri i të cilit gufon në vargjet: Si gjuhë gjarpri/ Gjuhë e saj/ Çau buzët e mia “Ashensori”, (Po vij, mos u laj) “Kushti”, Njerëzit kanë të drejtë për orgazmë/ Njerëzit kanë të drejtë për paqe “E drejta për orgazmë”.
Lulzim Tafa, pas trajtimit të dashurisë dhe erotizmit, në ciklin e tretë kalon në temë universale, në temën e luftës. Ky cikël ndërtohet përmes figurës së ironisë dhe përshkohet kryesisht nga vuajtje e lot, nga dhimbje e dhembje, nga vdekje e terror. Kjo mund të vërehet në vargjet e poezisë “Letër Bujar Tafës”:
…
“Një gruaje shtatzënë i rashë grusht n ‘bark
Ia poshtova fëmijën
Një të dyshuar për spiun sapo e mbyta dru
Djalin e mitur ia vrava plumb…
Cikli i katërt “Letra”, fillon me poezinë “Vetëm ora jote ecë” kushtuar Jeton Kelmendit. Në këtë cikël vihet në pah absurditeti i poetit, vetë mënyra e emërtimmit të poezive parqet imagjinatën të kaluar në absurditet, kjo mund të shfaqet dukshem në poezitë “Bisedë me gurë”, “Bisedë me diellin”, “Bisedë me detin”, “Bisedë me qiellin”, “Bisedë me drunj”, figurat si dielli, qielli, gurët, drunjët, deti paraqesin fuqinë e shprehjes së poetit, të ndërtuar përmes një mjeshtrie unike.
Në ciklin e pestë “Dhimbje”, ndërthuret vdekja e ftohtësia, dhimbja e religjioni të cilat paraqiten me një figuracion të pasur dhe me plot sensibilitet. E veçantë në këtë cikël është poezia “Në Varreza” në të cilën poeti duke ironizuar i bën bashkë dy religjionet atë të krishterë dhe atë islam: Selam alejkum/Qoftë livdue Jezu Krishti.
Lulzim Tafa, në poezitë e tij paraqet universin e tij krijues përmes figurave kozmogonike hëna e dielli, figurën e hënës e kemi hasur shumë shpesh te letërsia popullore ku hëna identifikohet me vajzën, e për Tafën vajza është ndriçim i shpirtit. Përveç figurave kozmogonike Tafa përdor edhe figurat si deti, qielli, oqeani të cilat mund t’i cilësojmë si figura të përhumbjes, në këtë rast Tafa duket që është i përhumbur brenda poezisë, i zhytur përbrenda vargut. Figurat e paradoksit zjarri e akulli të përdorura nga Tafa, herë e ndezin e herë e shuajnë poezinë e tij. Ai në poezinë “Piromane” thotë:
…
“Më ke ndezë
si zjarr
dhe po ngrohesh me mua”
Ndërsa te poezia “Akull e Dashni” thotë:
…
“Kam rrëshqitë
N’dashni si në akull
Apo kam rrëshqitë
Në akull
Si n’dashni.”
Poezia për poetin Tafa zë një vend të rëndësishëm kjo vërehet dukshëm në poezinë “Akull e Dashni”, Tafa bën be në krye të vargut duke e cilësuar atë si diçka të shenjtë. Në vëllimin poetik të Tafës vërehet dukshëm se sensibiliteti i mbizotron mendjes, poezitë e tij më shumë udhëhiqen nga mendja emocionale sesa ajo racionale, poeti nuk mund t‘i vë fre emocioneve epshore duke i dhënë kështu frymë e jetë poezisë.
Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë. /KultPlus.com
Në këto ditë karantine, kur virusi Covid-19 është përhapur anembanë botës, qëndrimi brenda shtëpisë është mundësi e mirë për t’u rikthyer te leximi. Dhe kalimi i kohës duke lexuar libra është gjithmonë zgjedhje e mirë.
KultPlus-i vazhdon me rekomandimet
për të gjithë juve që jeni të interesuar t’i rrekeni leximit dhe ta shfrytëzoni
këtë kohë për t’i zgjeruar njohuritë tuaja.
Në këtë mbrëmje, po rekomandojmë
romanin në dy vëllime “Një tragjedi amerikane”, me autor shkrimtarin amerikan
Teodor Drajzer. Ky është romani më i njohur i tij.
Teodor Drajzer ka qenë shkrimtar
dhe gazetar amerikan, i cili i përkiste shkollës natyraliste, shkollë kjo që i
dha letërsisë amerikane fytyrë moderniste.
Drajzeri është renditur në mesin e
100 shkrimtarëve më të shquar të shekullit XX, i cili pati ndikim të madh me
letërsinë e tij. Romani i tij “Një tragjedi amerikane” u përkthye kohë më parë,
ndërsa duke parë interesimin e lexuesve, përkthyesit vendosën që ta përkthejnë
në shqip një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij. I pari që e përktheu në
shqip ishte Bujar Doko, në vitin 1957.
Por, ç’e bën të veçantë pendën e këtij
shkrimtari?
Drajzeri arrin ta skanoi jetën dhe
mentalitetin amerikan me përmasat e saj sociale dhe morale. Në vitin 1925, ai
botoi vëllimin e parë të romanit “Një tragjedi amerikane”, që është i bazuar në
një histori vrasjeje. Me këtë libër, ai arriti të ketë sukses të madh brenda
dhe jashtë tokës amerikane.
“Një tragjedi amerikane” kritikon
sistemin ligjor amerikan që ishte kthyer në model për reformat sociale në SHBA.
Kur ndodhi Depresioni i Madh në SHBA, Drajzeri përfundoi edhe vëllimin e dytë, te i cili shquhet forcimi i angazhimit të tij social për modelin që po prodhonte kapitalizmi në Amerikë.
Romani “Një tragjedi amerikane” rrëfen
historinë e korrupsionit dhe të shkatërrimit të njeriut, krye personazhit Clyde
Griffiths, i cili humb shpirtin dhe gjithçka tjetër derisa është në kërkim dëshpërues
të suksesit. Ai dëshiron medoemos të jetë njeri i rëndësishëm dhe i suksesshëm.
Për ta arritur këtë i hynë një rruge qorre që në fund e sjellë kapitullimin e
tij.
Në nivel tjetër, më të thellë,
romani paraqet portretin e vlerave të shoqërisë amerikane. Ambiciet e mëdha të
Clyde-it janë ato që në fund e nënshkruajnë fatin e tij kur dënohet me vdekje në
karrigen elektrike, pasi që kishte kryer vrasjen e Robertës, vajzës të cilën ky
e kishte lënë shtatzënë por që tani e braktiste meqë donte të futej në shoqërinë
e lartë, aty ku e priste bukuroshja e
pasur Sondra, të cilën e dashuronte. Por në vend të kësaj, ai zhytet thellë në
një jetë plot frikë e ankth, pas krimit të kryer derisa në fund kapitullon i tëri.
Ky roman është i jashtëzakonshëm në
zbulim dhe fuqi, i gjallë në kuptimin e zhbërjes së vlerave njerëzore, i
pandalshëm në dhembshuri. Padyshim, “Një tragjedi amerikane” është arritja më e
lartë e krijimtarisë së Drajzerit, i cili konsiderohet pionier i letërsisë moderne
amerikane.
Romanet e tij kanë sukses në
akumulimin e detajeve realiste dhe fuqinë e integritetit me të cilin
përcaktojnë aspektet tragjike të jetës.
Ndaj, ju rekomandojmë që t’i futeni sa më parë leximit të kësaj kryevepra drajzeriane. /KultPlus.com
Për herë të parë në historinë e Republikës së Kosovës, shtatë gra janë emëruar në pozita udhëheqëse të Qeverisë. Ky fakt është mirëpritur nga qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët.
Andaj, KultPlus në shënim të “Ditës së Gruas” do të bëjë bashkë gratë më të fuqishme të Kosovës në një vend.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, nënkryetarja Arbërie Nagavci dhe ministret: Albulena Haxhiu, Hykmete Bajrami, Rozeta Hajdari, Vlora Dumoshi dhe Emilija Rexhepi do të jenë të ftuarat e radhës në KultPlus Caffe Gallery, mbrëmje kjo që organizohet nga KultPlus dhe UN Women.
Kjo mbrëmje organizohet me idenë e një takimi të përbashkët me gratë artiste dhe gratë e Shoqërisë Civile, në mënyrë që të shihen mundësitë e bashkëpunimit dhe të fuqizimit të gruas.
Mbrëmje do të mbahet më 8 mars, në KultPlus Caffe Gallery. Hyrja është me ftesa. / KultPlus.com
OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë ka ditë që ka hapur thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.
Në këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë pasur të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.
ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.
Afati për aplikim është i hapur edhe sot dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni në [email protected]. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.
Nga nesër, të gjitha aplikimet do të shqyrtohen dhe të përzgjedhurit do të njoftohen përmes emailit.
Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com
Të premten e javës së kaluar, Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti në takim stafin e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, ku u diskutua për kulturën në përgjithësi, për punën që po bëhet në redaksinë e KultPlusit si dhe për planet që Dumoshi pritet t’i realizojë në këtë mandat, shkruan KultPlus.
Në takimin e mbajtur Dumoshi u shpreh falënderuese në pritjen e stafit të KultPlus, duke falënderuar redaksinë që gjithmonë është në përkrahje dhe promovim të kulturës, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë.
‘KultPlus është e vetmja gazetë online që i dedikohet vetëm kulturës, dhe më kanë pëlqyer gjithmonë shkrimet që publikohen në gazetën e juaj, qoftë në letërsi e në botën e kulturës në përgjithësi’, u shpreh Dumoshi.
Në takim ndër të tjera u diskutua edhe për fuqinë që mediat kanë në fjalën e shkruar, për të cilën Dumoshi deklaronte se fjala e shkruar ka një peshë të madhe.
Në fytyrat e secilit prej gazetarëve të KultPlus, vërehet një përkushtim i madh e një energji rinore’, potencoi Dumoshi.
Ndër të tjera Dumoshi, në takimin me kryeredaktoren e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti dhe stafit të kësaj redaksie ka biseduar edhe për prioritetet e saj përgjatë këtij mandati, duke spikatë edhe ndërtimin e objektit të Operës dhe Baletit.
Kurse Ardianë Pajaziti, pasi uroi ministren Dumoshi për postin e ri si ministre e Ministrisë së Kulturës, ajo potencoi edhe rëndësinë e mbështetjes së këtij institucioni për projektet e rëndësishme kulturore.
“Mendoj se do të duhej të jetë një përzgjedhje më e specifikuar e projekteve në MKRS, projektet që tashmë janë të qëndrueshme në skenën kosovare do të duhej të kenë mbështetje më të madhe, pasi që ato tashmë kanë dëshmuar se mund të jenë të qëndrueshme edhe atëherë kur janë mbështetë pak, ose nuk janë mbështetë fare”, ka thënë Pajaziti.
Në fund, ministrja Dumoshi ka thënë se vetëm me promovimin e kulturës bëhet edhe promovimi i vendit, dhe pikërisht në këtë drejtim, ajo ka potencuar se KultPlus po bën një mrekulli. / KultPlus.com
OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në
Kosovë ka ditë që ka hapur thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha
komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim
fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.
Në
këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë
prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për
fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.
ProPlus
në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë
të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të
njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.
Afati
për aplikim është i hapur deri më datë 29 shkurt dhe të interesuarit mund të
dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni
në [email protected].
Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.
Pas
datës 29 shkurt, të gjitha aplikimet do të shqyrtohen dhe të përzgjedhurit do të
njoftohen përmes emailit.
Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com
Në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të projektit të saj kulturor, PEN Qendra Kulturore e Kosovës në bashkëpunim me KultPlus-in, mbrëmë ka mbajtur aktivitetin e radhës në promovimin e vlerave elitiste të letërsisë bashkëkohore shqipe, shkruan KultPlus.
Përveç netëve
tjera në të cilat do të prezantohet krijimtaria letrare e autorëve të njohur si: Ali Podrimja e Teki
Dervishi, mbrëmjen e shkuar u prezantua dhe u fol për krijimtarinë letrare të Martin Camajt.
Studiuesit,
kritikët letrarë dhe shkrimtarë të njohur si Milazim Krasniqi, Osman Gashi,
Blerina Rogova Gaxha dhe Anton Berishaj, prezantuan kontributet e tyre
studimore, sa i përket veprimtarisë së Camajt.
Milazim
Krasniqi para të pranishmëve prezantoi kumtesën titulluar “Një mbresë për
Martin Camajn”.
Profesor
Krasniqi rikujtoi njohjen me poetin dhe idenë se si përthyhej personaliteti dhe
përvoja e tij në realitetin tonë letrar në vitet tetëdhjetë dhe rolin që ka
sot, për t’i ndihmuar procesit të rekonvaleshencës letrare e kulturore.
Krasniqi rrëfeu
për Camajn se si ishte arratisur nga Shqipëria enveriste dhe kishte qëndruar në
Jugosllavinë titiste, ku më pas kishte botuar dy vëllime me poezi, të cilat i
vlerësoi konfuze siç qe konfuze edhe veta jonë nga një botëvështrim ideologjik
totalitar dhe johuman që kishte detyruar shkrimtarë si Camaj të arratiseshin
nga atdheu mëmë, për të qëndruar në një shtet armiqësor, siç atëbotë qe
Jugosllavia.
“Në procesin
e dekomntaminimit të letërsisë sonë nga terrori dhe nga dogma ideologjike, ku
Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, ka dhënë një
kontribut të madh në vitet 1988-1999, e njohëm Martinin në vitin 1990.“
Ndonëse
Krasniqi e përshkruan atë takim si një tribunë të zhurmshme, entuziaste e
folklorike, dhe të huaj për shijen e rafinuar të Camajt, megjithatë ai tregon
se Camaj mbajti fjalën e tij mbresëlënëse, në të cilën kishte shpalosur se ky
qe takimi i tij i parë me bashkatdhetarët, të cilët nuk kishte dashur t’i
ekspozonte para se të binte diktatura komuniste. Më tutje ai tregon për takimet
e radhës pas asaj njohjeje.
“Pas asaj
njohjeje ne e patëm ftuar në Prishtinë dhe e patëm pranuar si anëtar nderi të
Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Mesazhet e tij gjatë qëndrimit në Prishtinë
qenë pajtuese, integruese, vëllazërore, që në klimën e polarizimeve të reja që
po shfaqeshin, ishin si mehlem për varrë.”
Më pas ai
foli për dhimbjen kur Camaj u nda nga jeta, dhimbje kjo për humbjen e një
shkrimtari dhe dijetari unik. Ai përmendi gjithashtu botuesit e parë të
krijimtarisë së tij, të cilët ishin: Shtëpia Botuese “Buzuku’’ me tregimet
‘’Pishtarët e natës’’ (1991) dhe romanin ‘’Diella’’ (1994), ndërsa ‘’Jeta e
Re’’, në vitin 1991 botoi vëllimin “Nën hijen e gjarprit’’.
Krasniqi,
hapjen e këtij debati në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës e vlerësoi si një xixë
shprese për të dalur nga shtjella e dekolturimit dhe e deshqiptarizimit, duke e
vlerësuar Camajn si frymëzim edhe sot.
Tutje u
lexua kumtesa e Blerina Rogova Gaxhës me titull “Martin Camaj, udhëtimi nëpër
jetë”.
Blerina
Rogova Gaxha, udhëtimin e Camajt e cilësoi si një udhëtim jo për përmbushjen e
jetës, por imponim i braktisjes së një jete të cilën ai e ndjeu se do të qe e
egër. Ajo përmendi largimin e tij nga
origjina dhe realitetin e një të mërguari
të hedhur në shkrim.
‘’Letërsia e
Martin Camajt është letërsi e krijuar jashtë kufijve shqiptarë – në mërgatë.
Camaj apo letërsia e mërguar! Kjo është letërsia e dukagjinasit që u përndjek që
herët nga regjimi komunist dhe iku në Itali e Gjermani, ku gjeti strehë të
studionte e të shkruante letërsi, për ta bërë veprën e tij krejt të veçantë për
letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai është zë i vendit që shtegton nëpër botë
dhe kthehet si jehonë nga bota – si zë i mërguar.’’
Rogova Gaxha
përmendi se si Camaj ishte i edukuar si një frymë lirie e vetëdije refuzuese,
me ç’rast refuzoi ta humbte lirinë shpirtërore, duke e refuzuar terrorin
ideologjik, për ç ‘shkak iu desh të braktiste vendin. Poezinë e Camajt ajo e cilësoi si ‘’mall për një
kujtim e jetë të jetuar e të pajetuar’’. Në udhëtimin e Camajt, ajo vlerëson se
poeti mbështetet në lirinë që i jep poezia si krijim, porse kjo liri si çdo
tjetër ka sakrificën e vet, siç ligjëron te poezia ‘’Vrasja e poetit”:
Liria e
fshehun mbas vargjeve
Të poezisë
Nuk ishte
vetëm:
Para tyne
rrishin galue roje
Shpend
mishngranës
Me fytyrë
njerëzore.
Për ta përmbyllur
fjalën e saj, Gaxha Rogova, e quan udhëtimin
poetik të Camajt si “udhën e tij për të mbetur gjallë, në letra dhe në jetë.”
“Kënga popullore si pikënisje dhe frymëzim ”ishte
kumtesa e radhës të cilën e prezantoi profesori Osman Gashi.
Në fjalinë e
tij mbi krijimtarinë letrare të Camajt, ai e vlerësoi si një ndër poetët më të
veçantë të letërsisë shqipe.
“Temat e
motivet më të shpeshta në poezinë dhe prozën e tij ishin: vendlindja, rrafshet,
luginat e bjeshkët ku mrizonin zanat, mitet e legjendat, trolli i shpisë,
votra, oborri, arat, Drini, pyjet, kullotat, pastaj simbolet si gjarpri,
breshka, buelli, shiu, nana…”, tha Gashi.
Ai bëri
gjetjen e lidhjeve mbi trashëgiminë letrare të paraardhësve të tij, me poetët
shkodranë si Mjedën, Gurakuqin, Fishtën, madje edhe me Migjenin. Midis veprave
të tij poetike, ai veçoi vëllimin poetik ‘’Legjenda’’, i botuar në Romë, në
vitin 1964.
“E shkruar
gjatë viteve të para të qëndrimit të Camajt në Itali, ‘’Legjenda’’ shënon jo
vetëm një evolucion të natyrshëm, po edhe një ngritje të ndjeshme cilësore të
shprehjes së tij poetike.” Këtij libri i prin parafjala e autorit, i cili vë në
dukje lidhjen e pashkëputshme të letërsisë sonë të shkruar me atë popullore…
Ndër
tjerash, Gashi foli për disa nga poezitë më karakteristike nga krijimtaria e
tij, e që janë ‘’Ai që i bjen fyellit n’hanë” dhe “Beka i verbët”, “Për kaun e
mbytun në kohë të ujës” , “Buelli”,
“Dranja” etj.
“Vështruar përgjithësisht
Martin Camajn pa dyshim mund ta quajmë poet të gjuhës, për shkak të përdorimit
brilant të saj. Po kështu Camaj nuk u përputh në asnjë element me letërsinë e
realizmit socialist, por siç theksonte studiuesi Shaban Sinani “refuzimi i tij
nuk mbaron vetëm në kontekstin e refuzimit teorik, estetik e ideologjik. Ai i
ikën rregullisht llojeve të pastra letrare dhe i vetëpërkufizon veprat e tij me
terma të huajtura nga muzika (madrigal), nga paleografia dhe arti kishtar, nga
shkrimet e shenjta apo nga folklori… dukuri këto që e inkuadrojnë veprën e
tij përbrenda kufijve të modernitetit letrar.”
Krejt për
fund, fjalën e mori profesori Anton Berishaj i cili shpalosi kumtesën e tij me
titull “Mimesisi dhe metafiksioni – Proza e Martin Camajt”.
Në fjalën studimore
të tij Berishaj iu qas kësaj problematike, “duke pasur parasysh perspektivën
teorike bashkëkohore lidhur me mimesisin dhe metafiksionin, po gjithnjë duke i
mbajtur në horizont edhe fundamentet teorike të relacionit letërsia/bota,
teksti/realiteti, fiksioni/fakti që nga paradigma aristoteliane e mimezës gjer
te paradigma bashkëkohore e botërave të
mundshme/fiksionale/alternative/virtuale, të cilat përcaktojnë jo vetëm idenë
filozofike të ontosit letrat, por edhe implikimet në afiliacionin poetik e
zhanror te teksteve letrare.”
Mes
krijimtarisë së Camajt, ai shkëputi veprën “Djella”, duke e përmbyllur me:
“Metafiksioni
i Camajt te romani Djella shtron edhe probleme fundamentale të etikës
diskursive letrare. Poezia – kjo rregulluese e kohës – (për Camajn e ka vlerën
e nocionit Dichtung nga poetika gjermane) te Djella, në planin diskursiv
gjithmonë e ka burimin te pasionet dhe ëndërrimet – tek ajo hapësira
frojdiste e lirisë dhe e mungesës së
kontrollit diskursiv e kulturor. Pra, poezia sipas tij është gjithnjë në
eksplorim të hapësirave të reja të lirisë – të hapësirave të reja performative
dhe vetë-modeluese. Këtu duhet parë etikën diskursive të Camajt, e cila shkon
edhe përtej parodisë (së zhanrit, të letërsisë së realizmit socialist, të letërsisë
si të tillë) dhe vetë-parodisë. Me anë tjetër, duke ia nënshtruar procesin
kreativ shqyrtimit racional kritik e vetë-reflektues,
metanarracioni/metafiksioni i Camajt sikur do të tejkalojë/neutralizojë
mallkimin platonist/sokratik të mimesisit, i cili sipas tyre sjell vetëm
vuajtje në jetën e njeriut. Edhe ne këtë kontekst, metafiksioni i tij bart me
vete një etikë diskursive të re në relacion me forma të tjera të
fiksionalitetit narrativ.”
Gjithashtu, sonte dhe nesër, në orën 18:00 në KultPlus Caffe Gallery, aktivitetet e PEN Qendrës së Kosovës do të vazhdojnë me prezantimin e krijimtarisë letrare të Ali Podrimës dhe Teki Dervishit. /KultPlus.com
Po t’drejtona ty pa e ditë kush je! Çka nëse ti çdoherë nis ditën si i dehun, pa i ndalë britmat asnjëherë, tregohesh egoist me gruan tënde, e tërheq zvarrë nëpër dhomë, dhe vetëm godet atë. Ajo do të vazhdojë me hesht se s’ka guxim me përballu ma shumë vujtje. Ka me u mbyll n’dhomë e me qajt n’za. Me facoletë ka me i fshi lotë, ama dhimbjen jo. A ke mendu se çdo goditje n’trupin e saj, është një thikë n’zemrën e fëmiëjve tu. Ata nuk mund të jenë të lumtur, e aq më pak kur shohin nënën e tyre n’atë gjendje. Ata s’kanë me pas andrra, se andrrat jau ke shu ti. Ty “babë” t’ka mbetë vetëm emri, se një baba nuk ua bën fëmijëve t’vetë këtë gja. Se fëmijët duhet me t’i bëjnë vet me t’dashtë, e jo të bëjnë gjëra që ata me urrejt ekzistencën tënde. E ti “femër” e dashur, mos lejo që tjerët me t’sundu, e fytyrës tënde t’ambël me i rrjedh lot. Ti duhesh me qenë e fortë, se je femër. Me u bë zonja e vetvetes, e prona e askujt. Nuk t’kisha thënë me duru, ata që t’bëjnë m’u ndi keq. Nuk është fund i jetës nëse ti i jep fund një martese. Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re. Çdo gjë që ka ndodhur, mirë apo keq, ishte thjesht një mësim për ty. Nuk ka më humbje kohe, për njerëz që s’dinë ç’është vlera e femrës. Mos e harro vetveten, e ëndrrat tua. Mos harro se ti je mrekulli, e mrekullitë asnjëherë nuk shuhen. Dhuna nuk nxit dashuri, por shkakton veç urrejtje. Përdorimi i dhunës për çfardo problemi, është një zgjidhje e varfër që e përdorin fëmijët e vegjël dhe kombet e mëdha. (David Friedman) /KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
Në këtë jetë të gjithë vijnë si fletë e bardhë! Ndoshta jeta nuk do ketë gjithmonë ngjyrat tona të preferuara… Nganjëherë do jetë vetëm bardh e zi sikur ekrani televiziv që dukej para 20 viteve. Pavarësisht si do reflektojnë ngjyrat në jetën tonë, unë besoj që askush nuk kemi ardhur gabim në këtë jetë, Zoti na krijoi për një arsye, e ç ‘është më e veçanta se të gjithë kemi ardhur në këtë jetë nga krijesa më e bukur që quhet grua.
Ti që më gjykon mua, zhveshe egoizmin nga vetja edhe nëse të ndjek nga mbrapa, injoroje. Në qoftë se për ty nuk jam më shumë se një ollog, atëherë je gabim! Unë mund të bëj aq sa bënë ti… pse jo edhe më shumë, por prapë mos më trajto keq! Nëse jam femër jeta ime dua të jetë më shumë se vetëm 15 vite, jam ende fëmijë që kam nevojë për kraharorin e nënës, jo për kraharorin e një bashkëshorti, kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj! Të njëjtën gjuhë flasim, të njëjtin ajër thithim, atëherë pse të mos bëhemi solidar. Të gjithë jemi njerëz me kokë, a mjafton kjo për të pirë njësojë gllënjka uji. A mjafton kjo që të më shikosh me një sy më pozitiv, të mos më shikosh ngjyrën e lëkurës, por ngjyrën e shpirtit! E di pse? Sepse askush nuk ka mundur ta kuptoj përmbajtjen e librit duke shikuar vetëm kopërtinat e tij.
Sa shpesh them më vete se mos Zoti më dënojë në mënyrën më ç ‘njerëzore kur më solli në këtë planet të quajtur “Tokë” e sidomos në një vend të quajtur “Kosovë” ku mezi i lanë vend në hartën e botës, aty ku të jesh njeri do të thotë të kesh dy këmbë e dy duar pa ditur mirë rëndësinë e fjalës. Gjëja e vetme që në këtë botë kemi të përbashkët është shpresa! Më fal këtë nuk mund ta ndryshoj… Por prapë se prapë ndihuni të lirë nga kjo sepse shpresa ime dallon nga ajo juaja! Shpresa ime po bëhet ëndërr, ëndërr që të dal rrugëve e lirë pa dëgjuar njeri të më ofendoj e të më shikoj me neveri, të kapem dorë për dore më të gjithë fëmijët e tjerë e të largojë këtë mllef që po më ngulfat, të rri e qetë pa pritur ditën kur për pak para do largohem nga shtëpia… unë nuk jam objekt për t’u blerë as për t’u bërë lodra juaj, e as skllav i juaji. Në qoftë se ti si prind më sheh sikur një çamçakëz para syve tu, për të tjerët nuk do jem as mikrob, do jem një hiç! Nuk dua të jem e tillë, zemrën dhe mendjen vendosë në dyluftim se do ia dalë mbanë, por jo.
Diskriminimi ndaj meje është bërë përditshmëri e imja, nganjëherë vetmin bëjë miken time më të mirë, e bëjë mbretërinë time… më dëgjon në heshtje pa bërë zhurmë, më pëlqen ajo, është e vetmja që më kujton se do vij dita kur dheu do na mbuloj trupin, si timin të zi edhe tëndin të bardh! Përfundimi i të gjithëve do jetë njësoj… do bëhemi engjëj por atëherë do jemi engjëj pa ngjyrë!
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com
Një grua është botë që meriton vendin e saj në shoqërinë njerëzore, duhet të ketë not të lartë për zhvillim të historisë njerëzore“ (Imam Arbër Berisha). Nocioni grua do të thotë shtyllë e familjes , fillesa e një krijimi të ri, po ashtu lindje e një shoqërie.
Një grua është nënë, një grua është femra më e fuqishme e planetit tokë, është krijimi i vet jetës. Mendimet për një grua janë të shumta dhe në aspekte të ndryshme. Por sa është vlerësuar mbetet në gjendjen e ndërgjegjes së secilit individ. Në shoqëri gruaja ka qenë e shtypur nga ana fetare po ashtu nga ajo shoqërore. Të drejtat e saj nuk llogariteshin.
Në keq interpretimin e fesë islame gruaja ishte trajtuar si robe në shtëpi të saj, në shoqëri bashkëkohore zëri i femrës nuk dëgjohej për to njerëzit ishin të shurdhër, në shoqëri shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej, por edhe ishte makinë pune. Këto probleme edhe pse jo të asimiluara, janë evituar në masë të madhe. Të drejtat e gruas në shoqëri u dëgjuan kur marshuan 15000 gra në rrugët e Nju-Jorkut më 8 Mars 1908, kurse në islam u dëgjuan pas shpalljes së islamizmit në Arabi.
Pozita e saj më së tepërmi varet nga evoluimi i njeriut por më tepër nga zhvillimi i shpirtit human, i cili evoluon dhe vazhdon të zhvillohet çdo ditë e më tepër . Tani të drejtat e grave ndoshta janë dokumentuar në të drejtat e njeriut por sa zbatohet në praktikë varet nga vendi ku jeton gruaja . Prezenca dhe pjesëmarrja e gruas në shoqëri kosovare shikohet qartë lëvizja dhe integrimi i saj por ka ende shumë vende të Kosovës që nuk vlerësohen për ato që janë. Për këtë problem duhet si grua të ngritesh dhe të kërkosh të drejtat e tua . Duhet të ngritesh në këmbë, të luftosh për vendin tënd. Një grua nuk është qenie e dobët . Një grua sjell ndryshim. Ajo nuk ngre zërin të bërtas apo të ankohet vetëm ngre zërin të dëgjojnë edhe ata që janë shurdhër. “Bëhu gruaja që të thonë ajo ishte grua dhe askush nuk mund të matej me të” “Ajo theu akullin dhe u ngrit në këmbë për të gjitha ne “. (Paulo Cohelho)
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
“Dëgjoni me vëmendje çdo gjë që do t’u thotë fëmija juaj, pavarësisht çka. Nëse nuk dëgjoni me padurim gjërat e vogla kur ata janë të vegjël, ata nuk do të ju tregojnë gjërat e mëdha kur do të rriten, sepse për ata e gjithë kjo ka qenë gjë e madhe.”
Familja është njësia themelore e çdo shoqërie, ajo është gjëja më e rëndësishme në botë. Qëllimi i familjes ideale është krijimi i një ambienti të ngrohtë në mënyrë që fëmija të ketë gjithë dashurinë dhe kujdesin që u nevojitet. Një ndër mënyrat më të mira për të krijuar një ambient të tillë është komunikimi me fëmijët. Fëmijët mësojnë të komunikojnë duke i shikuar prindërit. Nëse prindërit komunikojnë haptas me fëmijët, atëherë edhe fëmija do ndjehet më i sigurt në vendin ku jeton, fëmija do ta ndjej si një mik prindin e tij. Në anën tjetër komunikimi jo i mirë mund të çrregulloj fëmijën dhe ta bëjë atë të ndjehet i pasigurt dhe i rrezikuar në ambientin ku jeton. Këta fëmijë madje mund ti shikojnë prindërit e tyre si të padobishëm. Sa bukur edhe kur prindërit dhe fëmijët i kuptojnë njëri-tjetrit të metat dhe ndihmojnë në përmirësimin e tyre, por në fakt prindërit në disa raste mundohen t’i nënshtrojnë fëmijët dhe të tregojnë autoritet mbi ta.
Një studim për familjen dhe të rinjtë në SHBA ka gjetur se rreth 11% e fëmijëve mendojnë se prindërit e tyre janë gjithmonë të stresuar nga puna prindërore. Por shumica e prindërve mendojnë se mund të komunikojnë me fëmijët shumë mirë për gjërat që kanë rëndësi, kurse vetëm 5% thonë se nuk mund të komunikojnë si duhet me fëmijët e tyre. Shumica e fëmijëve (90%) e kuptonin se nënat e tyre kujdeseshin për ta, por me pak mendonin se edhe baballarët e tyre kujdesen për ta (80%). Gjë shqetësuese ishte se nga fëmijët që mendonin se prindërit e tyre nuk kujdesen për ta 44.47% kishin ndryshim peshe jo të shëndetshëm, 27.40% kishin bërë përpjekje për vetëvrasje, dhe 48.43% kishin rënë në depresion. Nëse në ndonjë bisedë flasin vetëm prindërit pa i lënë fëmijët të inkuadrohen, fëmijët shpejt do mendojnë se zëri i tyre nuk po dëgjohet kështu që edhe ata fillojnë të mos dëgjojnë. Ky është një gabim që e bëjnë shumë prindër duke mos i lënë fëmijët të shprehin lirisht dhe të japin opsionin e tyre. Andaj që fëmija të iu besoj prindërve, ata duhet ta shndërrojnë mendjen e tyre si të fëmijëve duhet t’i kuptojnë dhe të mësojnë në mënyrë adekuate për rrugët e dëmshme që të mos i ndjekin ato.
Prindi duhet të jetë udhëtari më i besueshëm i rrugëtimit jetësor të fëmijës. “Duajeni familjen. Kaloni kohë, jeni të sjellshëm dhe shërbeni njeri-tjetrit. Mos lini vend për pendime. E nesërmja nuk është e premtuar dhe e sotmja është e shkurtër.
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com
“Ajo çka po i bëjmë
mjedisit dhe pyjeve është një pasqyrë që tregon se çfarë po i bëjmë njëri-tjetrit”
nga Mahatma Ghand.
Por fatkeqësisht njeriu ende vazhdon ta ndot atë. Duke keqpërdorur
natyrën e pasur me pyje, gjelbërim, po bëjnë të mundur lirimin e gazrave të dëmshëm
për mjedisin. Ky lirim i pakontrollueshëm i gazrave po zhvillon procesin e
ngrohjes graduale të tokës të cilin mund ta përkufizojmë me termin ngrohjes
globale.
Si
fillim shkaktarët që po e bëjnë këtë dukuri të ndodh janë të shumë por fajtori
kryesor është faktori njeri. Sipas botapress.info njeriu me pangopshmërinë për
të konsumuar sa më shumë gjëra materiale shkakton ngrohjen globale. Pastaj si
shkaktar tjetër kemi dioksidin e karbonit ku sipas PNNK-se dioksidi i karbonit është
rritur 35% më shumë sesa në vitin 1750. Po ashtu shkaktarë mund t’i konsiderojmë
edhe veturat, termocentralet, djegiet e mbeturinave të ndryshme ku me lirimin e
gazrave të dëmshme për mjedis po krijojnë një shtresë si batanije e cila po mbështjell
tokën dhe ndryshe është e njohur si efekti sere.
Kurse
pasojat që po shkaktojmë me moskujdesin tone janë të shumta. Sipas
greencivil.mk janë 3 milion tonelata akull të humbura dhe 3 metra marramendëse
të rritjes së nivelit të ujit. Tutje kemi edhe vaticannews e cila paraqet si pasoja:
thatësinë, terrenet dhe bimët e privuara nga uji të cilat mund të marrin flakë
shumë lehtë. Kjo na bën të kuptojmë se jemi në rrezik për humbjen e mijëra hektarëve
tokë dhe asgjësimin e racave të ndryshme të kafshëve. Nëse bëhet djegia e shumë
hektarëve tokë aty mund të përfshihen edhe pyjet të cilat filtrojnë ajrin. Kjo bën
edhe ndotjen e tij dhe vë në rrezik jetën e mijëra njerëzve. Dhe si pasojë jo më
pak e rëndësishme sipas tvklan.al është se faktorët klimatik ndikojnë në rritjen
dhe përhapjen e baktereve, gjë që shkakton sëmundjet infektive dhe epidemitë e
shumta.
Pra si përfundim ngrohja globale është një problem shoqëror të cilin mund ta zgjidhim me vetëdijesimin e popullatës duke marr iniciativa të shumta sepse siç thotë Mahatma Ghand “Bëhu ti ai transformim që pret bota”.
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com
“Miqësia
është si një kështjellë rëre, e vështirë ta ndërtosh, e thjeshtë ta
shkatërrosh, dhe shumë e bukur ta rindërtosh”.
Sa
me fat jemi kur në ditë të mira e jo të mira, kemi dikë që na rri afër, na
përqafon, na ngushëllon, e na thotë: Mos u shqetëso jam këtu për ty, nuk të lë
vetëm.
“Askush
nuk do të donte të jetonte pa miq edhe sikur të kishte të gjitha të mirat e
botës”, kjo thënie nga Aristoteli asnjëherë nuk mund të ndryshohet, deshe
apo nuk deshe, sepse është e vërtetë.
Ata na i mbanë afër dashuria, besimi, ndershmëria, respekti, pra miqtë krijohen me kalimin e kohës, por, me themelet e besnikërisë dhe respektit. Miqtë nuk kanë shtëpi për hipokrizi, tradhti, interes, mashtrime, imponime etj., por, që ne shtëpinë e tyre mjafton ngrohtësia e dashurisë dhe respektit.
Krijimi
i një lidhje të ngushtë e deri tek njohja mirë me njeri tjetrin nënkupton
miqësinë, pra një lidhje sociale bashkë me ndjenja dashurie të ndërsjella që
ndodhë mes dy apo më shumë personave.
“Miqtë
janë si vera, sa më e fortë aq më e mirë”, një gjë që na fal siguri dhe më
shumë besim në vetvete .
Miqësi e vërtetë quhet ajo që zgjatë dhe mund t’i thuash tjetrit, ti nuk je si unë, bën mirë që je kështu siç je, sepse më pëlqen që je ndryshe nga unë. Andaj për miqtë kujdesu si për një lule, se po nuk u kujdese dhe nuk e ujite atë me ujë të pastër ajo vyshket…
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com
Keni dëgjuar për një ndryshim drastik fizik, psikik, apo emocional të fëmijës tuaj? Atëherë unë do të ju prezantojë me termin adoleshencë. Adoleshenca fillon me shfaqjen e pubertetit dhe ndërprerjen e rritjes se ndryshimeve në organet seksuale dhe karakteristikat si gjatësia, pesha, pjekuria e trurit. Në këtë fazë fëmijët ndeshen me disa emocione të cilat nuk i kanë takuar me parë, atëherë prindër bëhuni gati t’i kuptoni fëmijët tuaj. Unë mund t’ia dalë edhe vet, mos më trego mua, mos u përziej, janë vetëm disa fjalë që të rinjtë iu hasën prindërve te tyre. Iu duket sikur e tërë bota rrotullohet vetëm rreth tyre. Shfaqja e disa fluturave në stomak, të rrahurat e zemrës më të shpeshta, e gjithë vëmendja tek një person tjetër, këto janë shenjat e para që fëmija juaj po e simpatizon apo e dashuron dikën. Sipas një studimi të rinjtë kur janë në lidhje dashurie i gënjejnë prindërit e me disa justifikime të zakonshme si i lamë orët e mësimit për të shkuar në një ditëlindje, ose shkojnë në ekskursion por takohen me dashuritë e tyre. Prindërit e duhet te jenë shumë të vëmendshëm për të kuptuar se a janë në lidhje dashurie fëmijët e tyre duke i vërejtur se arrijnë gjithmonë në telefon, i eliminojnë aktivitetet për shkak të dashurisë, i reduktojnë miqtë e tyre, kanë shumë luhatje të humorit dhe qajnë shumë shpesh. Prindërit duhet të kuptojnë që fëmija i tyre po rritet dhe duhet të bëhen miku dhe shembulli më i mirë për ta sepse ne fund edhe prindërit e kanë kaluar po në këto faza. Një adoleshent thotë që takimet me të dashurën time janë shumë të shkurtra por ne bëjmë shumë gjëra. Është temë aktuale që adoleshentët më shumë lidhen jo pse duhen vetëm që djemtë dëshirojnë ta rrisin numrin e të dashurave dhe të bëjnë edhe marrëdhënie intime. Këto lidhje zgjasin 3 jave deri në 5 muaj, por duhet cekur se kemi lidhje shumë të forta dashurie të adoleshentëve që bëhet dashuria e parë dhe vetme e jetës. Adoleshenca është një periudhe në të cilën shfaqen disa eksperienca të reja, ku të rinjtë i provojnë ato. Termi droge dhe alkool janë shumë të popullarizuara, ata e provojnë drogën dhe alkoolin ndoshta që nuk janë të përmbushur në personalitetin e tyre. Droga po e rrënon shoqërinë, duke u bërë burim krimesh, duke na vrarë të rinjtë dhe të ardhmen tonë. Shpeshherë prindërit nuk bëhen të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset fëmijëve të tyre, shumë prindërve iu duket gjë normale kur fëmija i tyre konsumon alkool, dhe shumë shpejt ata kalojnë nga alkooli në drogë. Organizata Botërore e Shëndetësisë paraqet disa arsye bazë, pse adoleshentët mund të jepen pas drogave, ndihen të rritur dhe t’i marrin vet mendimet, duan t’i përshtaten shoqërisë, por rol kryesor ka edhe presioni i bashkë moshatareve, e bëjnë më të lehtë për të shkatërruar jetën e tij. Një i ri brazilian tha: prindërit e mi nuk flitnin asnjëherë për drogën, në shkollë mësuesit e përmendin drogën si një problem por jo të hynin në hollësia, pastaj i nxitur nga shokët ai e përdori drogën dhe kur deshi ta linte drogën ai u kërcënua nga shokët e tij. Po në anën tjetër pozitive mendoj që adoleshenca është mosha më e bukur sepse nisin hapat më të mëdha për një jetë të bukur, me ndihmën dhe mbështetjen e prindërve sepse miku më i mirë i një adoleshenti është prindi. Stina e adoleshencës ka shi, borë por edhe diell, ajo është e llojllojshme, mjafton ta gjejmë rrugën e duhur dhe të mos ndalim asnjëherë.
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë./KultPlus.com
“Sa gjenerata krra-krra-krra u hodhën plepat krahë me krahë u plaken, linden ikën larg po se harruan atë prag”. Me vargjet e Dritëro Agollit në poezinë “Lejleku”, fatkeqësisht shohim realitetin e dhimbshëm që po vazhdon të na përcjell edhe në ditët e sotme. Është për të ndjerë keqardhje, që e gjithë kjo katrahurë fatkeqe po shkaktohet nga funksionarët e shtetit dhe mos përgjegjësia e institucioneve. A thua vallë si do të ndikojë i gjithë ky fenomen në shoqërinë tonë nëse ky trend edhe më tej vazhdon? Në një raport të dhënë për media, Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës – APRK, tregon bilancin e migrimit në Kosovë, për vitin 2017 ishte -5,431 apo 0.30% e popullsisë rezidente. Për periudhën 2012-2017 vlerësohet se Kosova ka humbur 128,088 banorë apo rreth 7.15% e popullsisë së vendit. Indikatorët të cilët po ndikojnë direkt në migrimin e popullsisë janë: mungesa e vende të punës, arsimi jo cilësor, humbja e besimit në institucionet e drejtësisë etj. Pra, e gjithë arsyeja e ikjes mbështillet në synimin për jetë më të mirë. Pasojat që lënë këto migrime konsiderohen të jenë të mëdha dhe me peshë të rëndë. Ndër këto pasoja bëjnë pjesë: mungesa e kuadrove profesionale, mungesa e fuqisë punëtore si dhe ngecjet në shënimin e progresit me fusha të caktuara. Se migrimi e ka prekur dukshëm edhe arsimin tregojnë edhe ekspertët e arsimit nga “Kosovo Education Center” që tregojnë për rënien e numrit të nxënësve. “Krahas natalitetit në vitin shkollor 2008/09, 443.912 fëmijë kanë qenë të përfshirë në arsimin parauniversitar, ndërsa në vitin shkollor 2018/2019 ky numër ka rënë në 361.875 që paraqet zvogëlimin prej 22.6% brenda një dekade”. Nga kjo mund të themi se Kosova rrezikohet nga zbrazja e shkollave me nxënës si dhe mbyllja e tyre. Segment tjetër i rëndësishëm që prek migrimi është edhe fuqia punëtore e kualifikuar. Me një përmbledhje del se nga kjo dukuri po preken të gjitha kategoritë e shoqërisë si nxënësit, studentët, mjekët, arkitektët etj. Është e domosdoshme të ndërmarrim hapa të shpejtë në këtë drejtim, ngase Kosova po e humbë pasurinë më bazike dhe të çmueshme që ka një shtet, njerëzit! / KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.