Po e filloj esenë me këtë nëntitull që e kam shkëputur prej një blogu S’bunker. Ndoshta për shumicën e lexuesve kjo thënie duket qesharake, por për fat të keq është një e vërtetë e hidhur. Pabarazia gjinore ka ekzistuar gjithmonë dhe vazhdon të jetë e pranishme edhe në ditët e sotme. Faktikisht njerëzit lindin njësoj dhe rrjedhimisht ashtu do të duhej të vazhdohej jeta edhe më pas. Por në momentin që kuptohet gjinia e fëmijës, gjërat ndryshojnë tërësisht. Si dukuri negative vërehet në shumë vende të botës, por natyra kosovare sikur është më e pamëshirshme ndaj viktimave të këtij fenomeni. E kur themi viktima, është fjala pikërisht për gruan. Për këtë gjë, burim kryesor mund të konsiderohet shoqëria patriarkale që ka mbizotëruar kohë të gjatë në shoqërinë tonë. E si rezultat i kësaj shoqërie, ballafaqohemi edhe me problematikën e raportit ndër breza. Me këtë mund të kuptojmë që dallimi në mes të vajzave dhe djemve fillon që nga planet e prindërve për ta, duke u bazuar në idenë që “vajzat janë për shtëpi të huaja” dhe nga këtu konsiderohet si qytetare e dorës së dytë. Po lindi vajza e dytë në familje, lëre që nuk do të ketë urim për lindjen e fëmijës, por edhe do të ngushëllohesh. Mund të tingëllojë ekstreme por në Kosovë, djali në raport me vajzën gëzon mbështetje me të madhe të prindërve, sa i përket investimit financiar dhe moral. Nga kjo rezulton që për vajzën kosovare, edukimi dhe karriera janë gjithmonë një hap më prapa se sa për djemtë. Madje ekziston mendimi që kapaciteti për sukses profesional varet nga gjinia. Si problematikë tjetër mund të konsiderohet ndarja e trashëgimisë mes fëmijëve. Sipas disa kërkimeve, një përqindje e vogël e grave trashëgojnë pasurinë në mënyrë të barabartë me vëllezërit. Disa prej tyre heqin dorë nga trashëgimia familjare duke u lënë pjesën e tyre vëllezërve, e disa as që mund të heqin dorë sepse mundësia për trashëgimi nuk i është dhënë fare. Si arsyetim i gjithë kësaj, konsiderohen zakonet të cilat burojnë nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. E gjithë kjo, në praktikë, do të thotë diskriminim i gruas në familje dhe si rrjedhojë, gruaja detyrohet të fillojë gjithçka nga zero, pa asnjë mbështetje, në mënyrë që të arrijë qëllimet e saj ose e kundërta, të jetë e varur financiarisht gjithmonë nga dikush tjetër, e në shumicën e rasteve nga bashkëshorti. Pra, gjithmonë një hap prapa, sepse edhe në këtë rast gruaja shihet në disavantazh kundrejt burrit, pasi që burri ka trashëgimi nga familja e tij. Pabarazia mund të haset edhe në zgjedhjen e profesionit. Disa punë të caktuara janë pothuajse të ndaluara për gratë, kështu duke bërë ndarje të punëve në bazë të gjinisë. Por në raste ekstreme, gruaja nuk lejohet të punoi në profesionin e saj sepse duhet të kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë. Por në të njëjtën kohë, edhe burrat apo djemtë hezitojnë të kryejnë punë të caktuara, duke mos marrë në konsideratë fare dëshirën apo talentin për atë punë dhe vetëm për arsye të mentalitetit të shoqërisë sonë. Pra si përfundim pabarazia gjinore është luftuar gjithmonë dhe vazhdon të luftohet, por për të vërejtur rezultat më të theksuar, duhet që të kemi një edukatë të shëndoshë që në fëmijëri, nga familja, e duke u zgjeruar kështu edhe në shoqëri. /KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.
Më thuaj, si mund të jetosh në paqe kur vendi ynë është i mbushur përplot me njerëz që janë të ulur në qoshe të trotuareve duke kërkuar lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë?
A mundet ndërgjegjja juaj të jetë e qetë kur një njeri i moshës tënde jeton në mjerim e i nëpërkëmbur nga jeta?
Kjo pjesë e shoqërisë çdo ditë e përjeton tmerrin më të madh që mund ta përjetojë një njeri, e këtë gjë ne nuk e dimë sepse nuk e kemi përjetuar. Pra varfëria është gjendje në të cilën mungon një sasi e caktuar jetike e pasurisë materiale e përveç kësaj mungon edhe pjesa më e rëndësishme që mund ta plotësojë një njeri siç është lumturia. Shkaqet që na sjellin deri tek kjo mungesë si shpirtërore ashtu edhe materiale janë të ndryshme si p.sh: padrejtësia e një sistemi social, papunësia, korrupsioni, krimi i organizuar ekonomik e shumë e shumë faktorë të tjerë…
Më së miri këtë varfëri që ka kapluar vendin tonë mund ta dëshmojnë statistikat në të cilat sipas AKS ( Agjencisë kosovare për statistika) në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitet 2012-2017 rezulton se 18% e popullsisë janë nën kufirin e varfërisë ndërsa 5.1% nën kufirin e varfërisë së skajshme. Por çfarë mund të bëjmë ne si shoqëri për ta zbutur varfërinë ndonëse nuk mund ta zhdukim tërësisht atë?
Një ndër metodat më të mira për uljen e varfërisë është integrimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve në shoqërinë tonë, sensibilizimi i shoqërisë për t’iu japur shpresë me ndihmën tonë këtyre familjeve që njohin vetëm dëshpërim, lotë e frikë për të ardhmen.
Në vendin tonë shumica e këtyre personave janë të përbuzur e të fyer, e ne si shoqëri duhet ta parandalojmë këtë sepse një gjë e tillë mund të shpie deri tek vetëvrasja. Atëherë, pse ne të mos e bëjmë ndryshimin, të zhdukimin pabarazinë e t’i trajtojmë të gjithë njëjtë pavarësisht mjeteve monetare që ata posedojnë. Atëherë pse ne të mos bëjmë diçka që një fëmije t’i ndalen lotët e t’i kthehet buzëqeshja e humbur me vite, një nëne e një babai t’i ndalen dhimbjet që iu ushtrojnë trysni çdo mëngjes kur hapin sytë e çdo mbrëmje kur dëshirojnë të flenë mbi lagështirën që shkakton sëmundje.
Ejani, të gjithë së bashku të bëjmë një familje të frymoi lirshëm e pa frikë për të ardhmen, t’i ndihmojmë për realizimin e ëndërrave të tyre që është dëshira e madhe për një kulm mbi kokë e stomakun të mbushur plotë.
“Shumë persona flasin për të varfërit, por pak flasin me ta” – Nënë Tereza /KultPlus.com
Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë.
Aktivitetet e mirëfillta me gjeneratat e reja konsiderohen të pakta në vendin tonë, por organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetje të Ambasadës Amerikanë në Kosovë, kanë bërë një hap të rëndësishëm në këtë aspekt. Punëtoria “Pen For Culture” që për qëllim kishte fuqizimin, paqen, socializimin dhe punën ekipore nëpërmjet artit, po del të jetë një projekt me ndikim të madhe tek të rinjtë. Përveç kreativitetit të tyre, përmes kësaj punëtorie ata kanë arritur të nxisin mendimin kritik gjë që do të ju shpërbejë në shumë dimensione të jetës në të ardhmen, shkruan KultPlus.
Në këtë fazë
të dytë të projektit, “Pen For Culture” mblodhi dhjetë të rinj të moshës nga 13
deri në 18 vjeç të cilët kishin talent në të shkruar, ese.
Punëtoria u
mbajt për tre ditë radhazi në Resortin “Ujëvara e Drinit” në Radac, në një
ambient të mrekullueshëm ku të rinjtë e kishin në ‘’ndihmë’’ edhe natyrën për të
nxjerrë më të mirën nga vetja.
Nën mbikëqyrjen e profesoreshën universitare, Vjosa Sadriu – Hamiti, secili kishte përzgjedhur një temë që duhej trajtuar me patjetër e këto tema ata erdhën mbrëmë t’i shpalosin para familjarëve e publikut që po i priste në KultPlus Caffe Gallery.
Ndonëse ende të rinj, emocionet padyshim që ishin prezente te ta. Por shpejt ato i mbyten për të marrë guximin që të dalin para publikut e të shprehin përmes fjalës së shkruar: emocionet, shqetësimit e kërkesat e tyre që nuk janë të pakta në këtë moshë komplekse për njeriun.
Nën
moderimin e Arbër Selmanit, nisi kjo mbrëmje e cila shpalosi shumë emocione. Selmani
që në hapje dha një pasqyrë rreth këtij projekti e tutje ftoi organizatoren e këtij
projekti, Ardianë Pajazitin për një fjalë rasti.
Pajaziti, përshëndeti
të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë të rinjtë sfidues, që sipas saj
janë me fat që janë trajnuar në këtë zhanër nga një doktor shkence, siç është
Vjosa Sadriu – Hamiti.
“Në gjithë
këtë trajnim padyshim një rol të madh ka pasur edhe profesoresha Vjosa Sadriu –
Hamiti, e cila ka mësuar të rinjtë për formën e të shkruarit një ese, qasjen
kritike, si dhe transmetimin e emocioneve nga të rinjtë”.
Ndërsa
profesoresha Vjosa Sadriu Hamiti tha se është shumë e lumtur që ka pasur rastin
të mësojë nxënës kaq të talentuar të cilët vijnë nga komuna të ndryshme si dhe
falënderoi KultPlus-in për mundësinë dhe respektin. Ajo gjithashtu u shpreh se
këta nxënës tashmë e kanë një bazë se si duhet t’i qasen një eseu.
Teksa fjalë
nga më të mirat u thanë për këta të rijnë, aty vetëm sa po rritej doza e përgjegjësisë
dhe emocionet e daljes para publikut. Këtë emocion, e para e theu pjesëmarrësja
Lume Selmani e cila fillimisht para të pranishmëve u shpreh jashtëzakonisht falënderuese
për këtë mundësi që i është dhënë, duke potencuar që kjo ka qenë një punëtori ku
përveç që kanë marrë mësime, kanë krijuar shoqëri e tani po provojnë të
shpalosin emocionet, kërkesat e shqetësimet e tyre edhe para publikut.
Nën tingujt e kitarës së Endrit Rexhepit, esetë e pjesëmarrësve: Lumnije Selmani, Rigona Sefa, Lorik Spahiu, Getoar Gashi, Edit Cena, Zyhrije Salihu, Dritë Shala, Albina Osmani, Arlinda Hajdaraj dhe Flora Halimit, derdhën plot emocion.
Adoleshenca,
familja, varfëria, pabarazia gjinore, ngrohja globale, pozita e gruas në shoqëri
e minoritetet, ishin vetëm disa nga temat që u shpalosën në këtë mbrëmje.
E të rinjtë
mbetën me shpresë që kanë arritur të shpalosin shqetësimet e moshës së tyre
kritike, ndërsa prindërit e pranishëm u njoftuan me një botë tjetër të fëmijëve
e ndoshta edhe mësuan shumëçka nga ta.
Pas leximit
të të gjitha eseve, moderatori Selmani falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen,
të rinjve suksese dhe njoftoi se KultPlus nuk do të ndalet me angazhime të
tjera në të mirë dhe për kulturën e artin.
Në fund, nën tingujt e muzikës së artistit Endrit Rexhepi, të rinjtë u argëtuan me muzikë e vallëzim, duke u shoqëruar me pije e ushqim. /KultPlus.com
Puna intensive me gjeneratat e reja nëpër vendet perëndimore është prioritet, sepse duke zhvilluar aftësitë mendore dhe duke i nxitur të rinjtë që t’i shohin gjërat nga prizmi kritik, ata i kontribuojnë komunitetit dhe shtetit, shkruan KultPlus.
Në shoqërinë kosovare puna me të rinjtë, gjegjësisht aktivitetet e ndryshme të tyre jashtë sistemit shkollor sikur kanë stagnuar, andaj organizata të ndryshme po bëjnë përpjekje ta ndryshojnë këtë gjendje duke mbajtur punëtori e aktivitete tjera për t’i stimuluar të rinjtë që të jenë vendimmarrës dhe të kenë ndikim në shoqëri.
Një hap të tillë e bëri edhe organizata joqeveritare “ProPlus”, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane duke organizuar punëtorinë treditore “Pen For Culture” në kuadër të së cilës morën pjesë dhjetë të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç duke shkruar ese.
Profesoresha universitare Vjosa Sadriu-Hamiti e cila ishte mbikëqyrëse e kësaj punëtorie tha për KultPlus se fokusi i shtetit dhe i institucioneve duhet të jetë tek mosha e re, për t’i fuqizuar dhe socializuar ata në punën ekipore.
“Ky projekt është shumë i qëlluar, sidomos që janë përzgjedhur të rinjtë e kësaj moshe sepse në shkollat tona mendimi kritik dhe hulumtimi nuk jepen si bazë në sistemin tonë arsimor dhe do të ishte mirë që inciativa tjera të ketë më shumë”, tha fillimisht ajo.
“Rinia jonë është fenomenale. Në momentin kur jua jep hapësirën befasohesh për të mirë me interesimin e tyre. Edhe këto ese që i kanë shkruar këta të rinj më kanë dhënë mesazh të qartë se brezi i ri mund të ndryshoj shumë gjëra për të mirë”.
“Të gjitha njësitë akadamike vijnë në përfundim se studentët nuk dinë të shkruajë për shkak se mungon mendimi kritik, prandaj atyre duhet t’ju ofrohen projekte të tilla qysh në ciklin e ultë dhe të mesëm shkollor në mënyrë që të përgatiten për universitet”, potencoi Sadriu-Hamiti.
Organizatorja e kësaj punëtorie Ardianë Pajaziti, tha se është e lumtur me jetësimin e këtij projekti. Pajaziti kërkon që institucionet të bëjnë më shumë për organizime të tilla për të rinjtë, derisa ju bën thirrje medieve që të krijojnë hapësirë më shumë për ta.
“Ne si organizatorë kemi vlerësuar që të rinjtë nuk jemi duke i parë aq sa duhet në vendet adekuate dhe talentin e tyre në forma të ndryshme nuk po kanë ku ta shprehin, andaj kemi menduar që vetëm arti mund t’i bashkojë komunitetet, ky ka qenë qëllimi”, u shpreh ajo.
“Këta të rinj kanë paraqitur një vullnet që nuk po mund ta shfaqin në institucionet shtetërore, pra, në shkolla. Për të rinjtë është interesant me u paraqit në aktivitete të tilla, në grupe të ndryshme dhe në medie, sepse mund ta nisin nga një projekt e t’ju bëhet profesion i së ardhmes, nga takime të tilla dikujt mund t’i lind shkëndija për t’u profesionalizuar edhe në fusha të ndryshme të artit, qoftë në pikturë, qoftë ese”, potencoi Pajaziti.
Tutje ajo tha se “KultPlus” në bashkëpunim me organizata tjera do të mbajëedhe aktivitete tjera të kësaj natyre në të ardhmen.
“Kishim me i falenderu ambasadën amerikane që e ka parë si projekt të rëndësishëm, e gjithashtu edhe të rinjtë që kanë pasur vullnet dhe i kanë dërguar këto ese të cilat i kemi përzgjedh për këtë punëtori”, përfundoi Pajaziti.
Leksionet për esenë dhe nxitja për ta kuptuar dhe përvetësuar atë si dhe organizimi në përgjithësi, i kanë lënë mbresa të paharruara pjesëmarrëses Lume Selmani, e cila thotë se ka mësuar gjëra të reja të cilat do t’i ndihmojnë tutje. Ajo bën thirrje që organizime të tilla për të rinjtë të ketë sa më shumë.
“Kam qenë e entuziazmuar kur e kam parë konkursin, më pëlqen shumë eseu dhe kam dashur t’i thelloj njohuritë e mia, më ka pëlqyer organizimi dhe profesoresha e cila na ka bërë të ndihemi shumë mirë, na është dukur si një shoqe. I kam mësuar disa gjëra që nuk i kam ditur më parë, metodat për ta bërë një ese e gjëra tjera të ngjashme, e poashtu kam krijuar edhe një shoqëri të re për çka jam shumë e lumtur”, shprehet ajo.
Edhe Lorik Spahiu, pjesëmarrës në këtë punëtori u shpreh i entuziazmuar për mundësinë. Ai thotë se kjo është eksperienca e tij më interesante, gjatë së cilës përveç leksioneve për esenë, letërsinë dhe zhvillimin e mendimit kritik, ka fituar edhe një shoqëri të re.
“Si pjesëmarrës në këtë trajnim kam mësuar shumë, ka qenë socializmi që më ka bërë përshtypje si dhe takimi me pedagogen Vjosa e cila në mësoi se si duhet ta formojmë karakterin tonë si dhe na shpjegoi për esenë dhe ndërtimin e saj. Ajo u përpoq vazhdimisht të na nxis që ta zhvillojmë mendimin kritik dhe të jemi të vendosur në veprimet që do t’i marrim në të ardhmen”.
Përmbyllja e kësaj punëtorie do të bëhet nesër me leximin e eseve nga pjesëmarrësit si dhe me një mbrëmje muzikore në ambientet e “KultPlus Caffe Gallery”.
Të gjitha esetë do të publikohen në vijim. /KultPlus.com
Në ambientet e hotel “Ujëvara e Drinit” në Radac të Pejës, po zhvillohet punëtoria “Pen for culture”, organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
Fokusi i shoqërisë është tek të rinjtë, aty ku edhe shihet e ardhmja e shtetit, dhe kjo punëtori ka pikërisht këtë qëllim, t’i aftësoj të rinjtë për t’i parë gjërat nga prizmi kritik.
Kjo punëtori specifikisht drejtohet tek eseu, dhe nën mbikëqyrjen e profesoreshës Vjosa Sadriu-Hamiti të rinjtë e moshës 13-18 vjeç do t’i shpalosin talentet e tyre në shkrimin e esesë për tema të rëndësishme të shoqërisë sonë me të cilat përballen vet ata.
Punëtoria e filluar sot do të zgjas deri më 26 janar kur edhe do të bëhet përmbyllja treditore e këtij aktiviteti me një mbrëmje ku pjesëmarrësit do t’i lexojnë esetë e tyre si dhe do të ketë muzikë live në kafenenë “KultPlus Caffe Gallery”, të dielën.
Ngjarja është e hapur për të gjithë. /KultPlus.com
Diskutimet janë gjithmonë të dobishme për një shoqëri, aq më tepër kur ato bëhen për kulturën, fushën që e përmbush shoqërinë.
Dhe duke parë nevojën e madhe për të pasur debate të tilla me theks të veçantë tek zhvillimet kulturore, KultPlusi, mediumi që i kushtohet tërësisht kulturës dhe zhvillimeve të saj ka nisur kampanjën e diskutimeve me figurat e rëndësishme të shoqërisë kosovare, në të cilat shprehen kërkesat, idetë e ndryshme drejt progresit kulturor.
Sonte në ambientet e KultPlus Caffe Gallery që tashmë është shndërruar në një fole të artistëve shqiptarë, u mbajt bashkëbisedimi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe bashkëpuntorët e tij Yll Rugovën dhe Saranda Bogujevcin.
Albin Kurti si një nga figurat më të rëndësishme të politikës kosovare, diskutoi me publikun që në masën më të madhe përbëhej nga njerëz të sferës së artit, për problematikat në këtë fushë aq të rëndësishme për shtetin, ku ndër të tjera u përfol reduktimi i ministrive që është supozuar se mund ta prek Ministrinë e Kulturës, e cila veç tjerash është thënë se mund t’i shkojë komuniteteve pakicë në Kosovë, madje edhe të largohet fare nga plani qeverisës.
Në kuadër të këtij debati, veç problemve dhe aspiratave, u diskutuan për preokupimet e komunitetit artistik.
Bashkëbisedimi u zhvillua mbi kulturën specifikisht si dhe trajtimin që kësaj të fundit ia ka bërë e do t’ia bëjë në të ardhmen spektri politik. Fokusi ishte tek programet konkrete të subjekteve politike kosovare si dhe serioziteti i tyre me komunitetin artistik.
Redaktori i KultPlusit Arbër Selmani në fillim të kësaj ngjarjeje e vëri theksin fillimisht tek formimi intelektual i Kurtit dhe lidhja me kulturën gjatë rrugëtimit të tij, qysh si prijës i protestave e deri tek shndërrimi i tij në figurë kyçe të sferës politike kosovare.
“Jam i nderuar dhe gëzuar që ndodhem në mesin tuaj sonte, dhe që do të bashkëbisedojmë hapur për këtë temë kaq të rëndësishme e cila është brenda jetës së secilit prej nesh dhe brenda jetës dhe formimit tim”, e nisi Kurti diskutimin, duke vazhduar:
“Një autor thotë se është një dallim interesant midis shkencës dhe artit, dhe secili i tyre është i diskutueshëm. Shkenca është konkluzion nëpërmes premisave, ndërkaq arti është konkluzion pa premisa”.
“Në formimin tim jetësor, unë jam marrë shumë me shkençë në fillimin e mesëm dhe universitar, por sa më afër politikës aq më afër artit dhe kulturës, një lloj kalimi prej konkluzioneve nëpërmjet premisave që është më afër logjikës, te konkluzionet pa premisa që është më afër estetikës dhe ky është një ndër dimensionet më të rëndësishëm të rrugëtimit tim jetësor dhe profesional”, ka potencuar Kurti.
Tutje ai tha se arti është realitet dhe se të gjithë do të duhej të kenë qasje në të.
“Arti është realitet, ai do të duhej të ishte i tillë dhe të gjithë të kenë qasje në të, sepse nuk është si shumë fusha të tjera. Kur flasim për Ministrinë e Kulturës, ajo si e tillë nuk është koncept i vjetër, është dikund rreth 60-vjeç dhe vjen prej Francës sepse Malrou si themelues ishte historian arti dhe ishte i interesuar që popullata franceze të ketë qasje sa më shumë në art dhe kulturë”.
“Në këtë mënyrë nisin Ministritë e Kulturës nëpër Evropë, diku si departamente, diku si sekretariate, diku si decentralizim brenda një morie ministrish tjera. Ministria, pra, e ka zanafillën tek shërbimi i qytetarëve në kulturë dhe art, pra, është për të gjithë qytetarët për të krijuar një barazi në qasje në mënyrë që prodhimi artisik të mos jetë vetëm për një shtresë shoqërie të privilegjuar”.
Kurti insistoi që shoqëria duhet ta bëjë artin kulturë, sepse ajo duhet të jetë më shumë artistike dhe kronologjike.
“Duhet të jetë detyrë e një shoqërie që sa më shumë artin ta bëjë kulturë, sepse ka edhe kulturë joartistike, por tendencën duhet ta kemi që kultura të jetë sa më artisitke dhe arti të jetë sa më shumë kulturë. Derisa arti është realitet, kultura është vazhdimësi, arti është më parë ngjarje ndërsa kultura më parë është gjendje, pra duhet ta bëjmë ngjarjen të jenë sa më të shumta, dhe në anën tjetër t’i bëjmë gjendjet sa më interesante, ta bëjmë kulturën artistike”.
“Në synimin tonë, ne duam që institucionet ta kenë një buxhet vetjak dhe të qëndrueshëm sepse besojmë se ato duhet të ekzistojnë. Posaçërisht Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve duhet të kenë financimin e rregullt, sepse pasiguria e artistëve tanë është plot ankth dhe shpesh i shtynë ata jashtë kulturës për të mbijetuar”.
Edhe institucioni i Operas dhe Baletit që tash e sa kohë mungon, Kurti tha se është në prioritetet e tij sepse ai Operan e sheh si popullore, dhe jo si lloj për një shtresë shoqërore të privilegjuar.
“Teatri i Operas dhe Baltetit është e domosdoshme që të ndërtohet sepse kemi ngelur ende pa e themeluar këtë institucion që është elementar. Opera nuk është vetëm për të privilegjuarit, Filharmonia është më tepër e tillë, nuk duhet ta mendojmë që aty duhet të shkojnë vetëm disa njerëz të zgjedhur, të cilët le të themi janë pjesë e shtresës dominuese të shoqërisë.”
“Opera dhe Baleti janë për masa të gjera, pra, janë për popullin, dhe si të tilla nuk do të duhet të shiheshin si lloj i privilegjuar për njerëz të tillë, është tejet e rëndësishme se si do të themelohet ky institucion, sepse skena e pavarur është ajo që ndihmohet dhe institucionet do të duhej të kenë financim të përhershëm nga buxheti i shtetit.”
I pyetur për Ministrinë e Kulturës, Kurti sqaroi se ai nuk e ka menduar asnjëherë shuarjen e saj, përkundrazi sipas tij ajo është menduar të jetë brenda 12 ministrive.
“Jemi dakorduar t’i zvogëlojmë në 12 ministri dhe ministria e Kulturës është njëra prej 12 ministrive, dhe është diskutuar që sporti t’i bashkangjitet shëndetësisë, por nuk jemi dakorduar për këtë, rrjedhimisht nuk e kemi një qëndrim final”.
Për sukseset e artistëve shqiptar nëpër botë Kurti tha se ata duhet të ndihmohen edhe kur vetëm janë talentë premtues. Ai tha se është i gëzuar që filmi shqiptar ka arritur progres dhe sukses edhe në arenën ndërkombëtare.
“Sukseset që kanë treguar filmat tanë në vitet e fundit janë mbresëlënëse, dhe prej asaj çka bën ministria e shtetit, deri te Dokufesti kemi shembuj të mirë që natyrisht do të duhej të kenë mbështetje shtesë, për atë që duket premtuese, e lëre më për atë që tashmë është dëshmuar si e suksseshme”.
Në anën tjetër, Saranda Bogujevci e pyetur nga moderatori Selmani, ndër të tjera foli për ekspozitën e saj, në të cilën shpalosen përjetimet nga lufta e fundit. Ajo ishte kritike ndaj institucioneve të deritashme për mospërkrahje, derisa tha se ekspozita dhe aktivitete të tilla duhet të jenë në plan të institucioneve relevante.
“Arti ka treguar gjithherë që është njëfarë lloj ure që kalon në anën tjetër, ku arrin të tregosh një tregim, si në këtë rast për krimet e luftës. Pjesa tjetër është që është bërë punë për të treguar me çfarë është ballafaquar populli shqiptar në kohë lufte”, tha ajo.
“Kemi shumë gjëra që duhet t’i rregullojmë, si fjala vjen te trashëgimia kulturore, dhe mendoj që ky aspekt lidhet shumë me trashëgimi dhe ruajtjen e saj. Mandej puna dhe investimi për punën në këtë drejtim, është me rëndësi që ta kemi këtë fokus të cilin ne e kemi, pra zhvillimi i diplomacisë, që duhet ta bëjmë kolektivisht”, potencoi Bogujevci.
Yll Rugova nga ana tjetër tregoi për “Manifestan” duke e cilësuar si hap të parë drejt ndërtimit të urave me institucionet tjera botërore, dhe për herë të parë Prishtinën si qendër arti për aq muaj sa do të zgjas ajo.
“Ideja ka qenë që Prishtina të jetë nikoqire, dhe “Manifesta” e vendos fokusin në Kosovë, ku do të nxis edhe ndjekjen e artit si profesion sepse fatkeqësisht njerëzit e shohin artin si një fushë për lëmoshë, e madje edhe institucionet e trajtojnë si të tillë. Besoj se ky institucion do të bëjë një ndryshim në këtë drejtim”, u shpreh Rugova.
“Manifesta, besoj që do të jap rolin e vet sepse do të sjellë rreth 200, 000 vizitorë në Kosovë, ndërsa sipas një kalkulimi rreth 20 milionë euro do të jetë përfitimi i shtetit tonë nga ky organizim”.
Rugova bëri thirrje që kultura të shihet si gjenerator që jo vetëm nxit por ka edhe vetqëndrueshmëri.
Nga pyetjet e publikut drejt Kurtit, ishte edhe artisti Kushtrim Koliqi i cili shprehi shqetësimin e tij për zhvillimin e audiencës, ai tha se do të duhej të ishte një trajtim më serioz nga shteti sepse momentalisht audienca është spontane dhe jo e zhvilluar aq sa do të duhej sepse mungon një strategji e tillë nga ana e shtetit.
Në fund të bashkëbisedimit, Kurti u ndal te edukimi i njerëzve përgjithësisht, të cilëve u bëri thirrje të inkuadrohen në jetën kulturore, rrjedhimisht t’i shfrytëzojnë vitet e tyre për t’i shijuar veprat e arrira artistikisht.
“Kemi institucione të cilat janë në mungesë të kushteve dhe në fund kultura nuk afirmohet mjaftueshëm sepse mungon shikuesi. Një numër i madh i njerëzve nuk janë të vetëdijshëm se çka humbin kur një shfaqje, nuk shohin një film apo kur nuk lexojnë një libër. Kjo është çështje e edukimit. Pra, do ta fusim arsimin brenda kulturës në mënyrë që të arsimojmë sa më shumë për kulturë, sepse fatkeqësisht një numri njerëzish po ju ikin vitet pa i shijuar veprat e mira artistike” përfundoi Kurti.
Përfundimet e debateve të KultPlusit si zakonisht përmbyllen me koktej, sikurse edhe në këtë mbrëmje, ku Kurti dhe panelistët tjerë u takuan me audiencën për një dolli çasti dhe për përjetësim të kësaj ngjarjeje përmes fotografisë.
KultPlusi do të vazhdojë me debate tjera mbi skenën e artit dhe kulturës në vend.
(Ngjarja u mbështet nga Fluidi, Birra Beg dhe Uji Dea) / KultPlus.com
Penda e tij dallon. Ajo shkrihet në letër në mënyrë magjike duke i dhënë mundësi lexuesit të ketë në dorë një vepër me periudha dramatike, personazhe me rrëfime transparente e përshkrime që të marrin me vete. Politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj është edhe “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin e tij “Dëmtuar gjatë rrugës”. Penda e tij ka bërë që kritika dhe lexuesit të dinë t’ia veçojnë veprën. Mustafaj është po ai i njëjti që refuzoi dy herë postin e ministrit. Por, si ambasador, ai arriti të përmbushte disa qëllime për vendin e me të cilat ishte fort i lidhur shpirtërisht. Sot, kur ai i është përkushtuar plotësisht librit dhe dëshirës që lexuesi ta përqafojë veprën e tij, lumturia më e madhe për të është lexuesi gjithmonë në rritje. Jo vetëm në vepër, Besnik Mustafaj është i mrekullueshëm edhe në intervista. Kësaj radhe, për KultPlus na ka shpalosur shumë nga vetja. Rëndësia e vlerësimit si autor i vitit, komunikimi i veprës me lexuesit, lidhja emocionale me veprat, kontributi në politikë, votuesi apo lexuesi për të, e shumë çka tjetër Mustafaj shpalos në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.
KultPlus: Me motivacionin: “Për përshkrim plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”, ju u zgjodhët “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Sa ishte i rëndësishëm ky çmim për ju dhe a e prisnit?
Besnik Mustafaj: Përtej dyshimeve të mia të fshehta, unë jam i sojit të shkrimtarëve që besojnë fort te vlera e veprës së vet. Në këtë kuptim, duke e ditur që libri ishte në garë, unë sigurisht që e prisja të isha fituesi. Por e prisja siç pritet realizimi i një dëshire. Rëndësinë e vërtetë të këtij çmimi e zbulova pasi e fitova. Pasqyrimi i gjerë që pati në media solli pikërisht ndikimin e dëshiruar: tërheqjen e lexuesve. Doli që botuesi im, “Toena, nuk ishte i përgatitur për këtë ndikim pozitiv të çmimit. Ai u detyrua të bënte me urgjencë një ribotim për t’iu përgjigjur kërkesave të shumëfishuara të lexuesve që donin të përfitonin edhe nga prania ime në Panairin e Librit për ta marrë romanin me firmën time. Kjo është lumturia më e madhe për një shkrimtar.
KultPlus: Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” u vlerësua në Panairin e Librit dhe po vazhdon të vlerësohet e kërkohet nga lexuesit, a mund të na zbulosh diçka nga romani për të gjithë ata që janë kureshtar dhe janë në pritje për të lexuar?
Besnik Mustafaj: “Dëmtuar gjatë rrugës” synon ta tregojë sistemin komunist parë me sytë e atyre që e mendonin veten në anën e këtij pushteti. Fjala është për njerëzit e thjeshtë, jo për ata që e ushtronin pushtetin. Një nuseje malësore i kërkohet të bëjë një palë opinga tradicionale që do t’i dhuroheshin Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në maj 1959. Më pas, kur Shqipëria del nga orbita e Bashkimit Sovjetik, ky fakt bëhet shkak për një paranojë torturuese që e shoqëron fshehurazi këtë grua gjithë jetën. Është pra një roman mbi frikën dhe ndikimet e saj brejtëse si acidi mbi shpirtin e njeriut e që çon në përfundimin se një regjim represiv nuk mbështetet në asnjë rrethanë mbi dashurinë, qoftë kjo dashuri e një pjese të popullit, por vetëm mbi frikën.
KultPlus: Veprat tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë si frëngjisht, gjermanisht, italisht e greqisht, por në cilën gjuhë, pas shqipes, konsideroni se vepra juaj ka komunikuar më mirë me lexuesin?
Besnik Mustafaj: Romanet dhe esetë e mia janë botuar deri tani në më shumë se dhjetë gjuhë. Me kënaqësi e them se kudo janë pritur dhe vazhdojnë të priten mirë nga kritika letrare serioze. Lidhur me komunikimin me lexuesin e huaj, ndoshta duhet thënë se më i plotë është në Francë, duke pasur parasysh se në këtë gjuhë kam tetë botime të gjinive të ndryshme. Përfitoj nga rasti të tërheq vëmendjen tuaj edhe në një aspekt tjetër. Përkthyesit letrarë nga shqipja në botë janë të rrallë. Madje, në më të shumtën e gjuhëve edhe mungojnë fare. Kështu shpesh del nevoja që autorët shqiptarë të përkthehen nga një gjuhë e dytë. Kjo ka ndodhur gjerësisht me Kadarenë. Ka ndodhur ndonjëherë edhe me mua. Është një lëshim i padëshiruar nga shkrimtari. Por që duhet bërë për të mos penguar përhapjen e veprës. Kadare ka dhënë versionin frëngjisht për përkthime të tilla. Unë parapëlqej versionin italisht. Përkthyesja ime në këtë gjuhë është Caterina Zuccaro, për veten e saj poeteshë dhe gazetare, që do të thotë se italishten e shkruan shumë mirë. Si përkthyese ajo ka edhe një përparësi: është arbëreshe. Kultura që ka marrë ajo në gjuhën e nënës, besoj unë, e ndihmon shumë për ta kuptuar dhe ndjerë më mirë në brendësi tekstin tim. Fakt është se gazetat më të mëdha italiane, duke folur për librat e mi, kanë dhënë vlerësime shumë të larta për cilësinë e përkthimit të saj.
KultPlus: Keni shkruar shumë vepra dhe thuhet që veprat e veta një autor nuk mund t’i ndajë. Por me cilën vepër jeni më shumë i lidhur emocionalisht ?
Besnik Mustafaj: Nuk është fjala për t’i ndarë veprat në të rëndësishme e më pak të rëndësishme. Por unë besoj se autori ka gjithsesi marrëdhënie emocionale të ndryshme me secilën nga veprat e tij. Këto marrëdhënie nuk përcaktohen nga gjykimi i ndryshëm që ka autori lidhur me vlerat artistike të njërës apo tjetrës nga veprat, por nga arsye krejt të tjera. Unë, për shembull, kam një dobësi të veçantë për “Vera pa kthim”. Është romani i parë që kam shkruar. Isha 27 vjeç. Deri atëherë kisha shkruar poezi dhe artikuj nëpër gazeta. Asnjë përvojë në prozë. Suksesi i tij i menjëhershëm më dha besimin e nevojshëm në vete për të vazhduar të shkruaj prozë në përgjithësi e posaçërisht romane. Por ky është edhe romani im i parë i përkthyer jashtë. Konkretisht në Francë. Pritja e mirë që gjeti atje i çeli rrugën përkthimit të veprave të tjera, duke më dhënë kështu lexues që vinin nga kultura krejt të ndryshme nga kultura ime si autor dhe kultura e personazheve të mia. Kalimi i veprës në gjuhë të tjera shënon edhe kalimin psikologjik të shkrimtarit nga mjedisi lokal në mjedisin global. Është një hap shumë i madh përpara për autorin. Kjo ndjehet sidomos kur shkrimtari vjen nga një gjuhë e vogël, siç është shqipja.
KultPlus: Kur shkruani, vepron më shumë imagjinata apo keni edhe histori të vërteta?
Besnik Mustafaj: Të gjitha romanet e mia, pa asnjë përjashtim, nisen nga fakte të vërteta, të cilat i kam lexuar diku, dëgjuar rastësisht apo në ndonjë rast edhe jetuar. Ato pastaj bëhen pronë e imagjinatës time dhe shtjellohen gjatë procesit të shkrimit për t’u shndërruar në realitet letrar.
KultPlus: Një shkrimtar nuk është gjithmonë i gatshëm të shkruaj. Të shkruarit ka të bëjë më tepër edhe me frymëzimin. Kur shkruani ju më shumë?
Besnik Mustafaj: Më duket se Garcia Marquez ia ka dhënë shumë mirë përgjigjen një pyetjeje të ngjashme. Ai thotë se frymëzimi është vetëm akti i lindjes së veprës në imagjinatën e autorit. Vazhdimi, domethënë shkrimi, është punë, shumë punë, në vetmi, me një disiplinë të hekurt. Qysh kur kam braktisur gjithçka për t’ju kushtuar me kohë të plotë letërsisë, shkruaj rregullisht në mëngjes, nga ora tetë deri në orën njëmbëdhjetë. Pasdite, nga ora pesë deri në shtatë dhe pastaj në mbrëmje, pas darkës e deri vonë pas mesnate, shkruaj zakonisht artikujt apo gjëra të tjera pa lidhje me romanin apo esenë, që kam në duar. Këtu futet edhe kjo intervistë, që po shkruaj për ju. Ose lexoj. Sepse, të them të drejtën, kënaqësinë më të madhe ma jep leximi.
KultPlus: I bazuar në librin tuaj “Vera pa kthim” është realizuar edhe filmi “Inane” me regji nga Besnik Bisha. Si e keni pritur këtë realizim? A mendoni që e ka përfaqësuar veprën tuaj në mënyrë dinjitoze?
Besnik Mustafaj: Ky është filmi i dytë që bën Besnik Bisha mbështetur në romanet e mia. Më parë ka bërë “Maocedun“, skenarin e të cilit e kam shkruar unë, sipas një kapitulli të romanit tim “Daullja prej letre”. Ndërsa për “Vera pa kthim” nuk pranova të bashkëpunoja si skenarist. Si autor nuk e përfytyroja dot këtë roman të përshtatur në film. Por i lashë dorë të lirë Bishës të bënte veprën e vet. Kur e pashë filmin, mbeta shumë i kënaqur. I shkrova një sms Anila Bishës, e cila luan protagonisten. “Sana jote është më misterioze se Sana ime”,- i thashë. Është, në gjykimin tim, një film që e nderon kinemanë shqiptare.
KultPlus: Pasi u larguat nga politika, deklaruat se nuk jeni më në kërkim të votuesve, por në kërkim të lexuesve. Gjatë kësaj kohe a keni ardhur në përfundim nëse është më vështirë të gjeni votues apo lexues?
Besnik Mustafaj: Ka më shumë se dhjetë vjet qysh kur e kam shpallur këtë slogan. Pra, kam pasur kohë të mjaftueshme për të parë në realitet si janë gjërat dhe për të arritur në përfundimin se është shumë më e vështirë të gjesh lexues se votues. Por e them me bindje se, sikur votuesit shqiptarë të lexonin pak më shumë, do të ishin më të kthjellët e të vetëdijshëm kur hidhnin votën e nuk do ta lejonin veten të manipulohen shpesh si dele nga politikanët. Nuk di çfarë mund të bëjmë që votuesit ta kuptojnë se shpëtimi i tyre mendor kalon doemos përmes leximit të librave të mirë.
KultPlus: Sot është e vështirë të refuzohet një post si ai i ministrit, është lakmues për shumicën, por ju e refuzuat dy herë një post të tillë, cilat ishin arsyet?
Besnik Mustafaj: Arsyet lidhen me karakterin tim. Zakonisht marr përsipër vetëm gjëra për të cilat jam i sigurt se nuk dështoj dhe që gjatë kryerjes së tyre do të përfitoj edhe kënaqësi. Sado e çuditshme mund të duket për shumicën e njerëzve, mua ushtrimi i pushtetit, qoftë ky edhe pushtet ministror, nuk më jep ndonjë kënaqësi. Periudha kur pranova të bëhem ministër i jashtëm përkonte me disa sfida, me të cilat isha shpirtërisht fort i lidhur. Të tilla ishin: nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pastaj heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë që dëshirojnë të lëvizin në hapësirën Schengen dhe anëtarësimi në NATO, çelja e negociatave për caktimin e statusit final të Kosovës dhe kurorëzimi me shpalljen e pavarësisë. Kur këto sfida u përmbushën në të mirë të shqiptarëve, dorëzova çelësat e zyrës së ministrit për të mos u kthyer kurrë atje. Ka edhe diçka tjetër: unë nuk kam asgjë të përbashkët me ata njerëz, të cilët pushtetin e shohin si mundësi të artë për privilegje personale. Kjo gjë më duket degradim i madh i njeriut politikan. Unë kam pranuar dhe pranoj, madje me gëzim, vetëm privilegjet që më jep vepra ime letrare. Më besoni, nuk janë të vogla këto privilegje, që më japin librat e mi.
KultPlus: Keni qenë në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, por duke dalë jashtë politikës, a mund ta luajë shkrimtari rolin e një ambasadori me krijimtarinë e tij?
Besnik Mustafaj: Për t’ju përgjigjur me seriozitet kësaj pyetje, do të thosha se shkrimtari, me krijimtarinë e tij, mund ta luaj rolin e një ambasadori vetëm në një aspekt, i cili sidoqoftë është shumë i rëndësishëm. Një nga detyrat kryesore të ambasadorit diplomat është ta bëjë të njohur vendin e tij në vendin ku ai shërben. Shkrimtari, me kusht që të ketë talent të madh, e kryen këtë detyrë më mirë se çdo ambasador funksionar. Ju siguroj se Ismail Kadare, me veprat e tij, e ka bërë të njohur kombin shqiptar pakrahasimisht më shumë se i gjithë trupi diplomatik shqiptar gjatë gjithë historisë së shtetit tonë. Në këtë kuptim, sigurisht që po, një shkrimtar si Ismail Kadare është një ambasador i shkëlqyer dhe e kryen këtë mision pa dalë nga studio e tij. Madje, sa më shumë rri ai i mbyllur në studio duke shkruar, aq më mirë e kryen misionin si ambasador i kombit.
KultPlus: Si e vlerësoni lexuesin shqiptar, a po lexohet në vendin tonë?
Besnik Mustafaj: Lexuesi shqiptar është shumë i mirë. Por, siç pata rast të them më sipër, është shumë i pakët në numër. Por unë nuk jam nga ata që mendojnë se lexuesi shqiptar është një specie në zhdukje. / KultPlus.com
Si 15 vjeçar ai u largua nga Kosova drejt Gjermanisë, atje ku sot ka zënë një pozicion të lakmueshëm në skenën e kinematografisë. Regjisori dhe skenaristi Visar Morina, ka spikatur qysh me filmin e tij të parë “Babai”. Por, ky ishte vetëm hapi i parë i cili i siguroi një rrugë të gjatë e të suksesshme. Filmi “Exil” është dëshmia më e mirë kur duam të flasim për suksesin e tij. Fitues i shumë çmimeve, Morina, po e nderon vendin e tij me paraqitje në festivale prestigjioze si Sundance Film Festival dhe Berlinale. Filmat e tij frymojnë edhe shqip, në thelb ata kanë rrëfime shqiptare, por ka edhe diçka që Visari ka treguar për KultPlus. Në filmin e tij të fundit flitet edhe shqip, e tingulli i gjuhës shqipe do të ketë rast të dëgjohet edhe para publikut gjigant në dy prej festivaleve më me zë në botë. Për krejt këtë sukses të menjëhershëm, sfidat, bashkëpunimin me aktorë të njohur botërorë, për rolin e tij të dyfishtë në filma, skenarist – regjisor dhe pikëpamjet e tij për kinematografinë e Kosovës do të keni rast t’i lexoni në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.
KultPlus: Një projekt filmik me një përrallë shqiptare në një ndër festivalet më prestigjioze të botës, sikurse që është Sundance Film Festival, çfarë ndjesie të ka dhënë përzgjedhja e filmit “Exil” në këtë festival kaq të madh?
Visar Morina: Në fakt gjatë punës, nuk e kam menduar që premierën do ta kem në Sundance. E shoh më shumë si film evropian, edhe mënyra se si është bërë filmi, por edhe nga tema që e trajton. Isha ende në editim kur e mora lajmin për Sundance dhe më është dashtë disa ditë të kuptoj. Por normalisht që gëzohem. Ka vite që jam duke punuar në këtë film dhe për filma si ky, pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme sepse në këtë garë internacionale ku do të shfaqet “Exil”, janë vetëm 12 filma.
KultPlus: Xhaferi është personazhi kryesor i filmit, i cili flet për ballafaqimin e tij në një vend të huaj, të zbulojmë më shumë, a flet Xhaferi shqip në këtë film, apo në gjuhë të huaj?
Visar Morina: Gjuha është kryesisht gjermane, por kam disa skena ku flitet shqip. Njëra nga skenat e mia më të preferuara është në gjuhën shqipe. Xhaferi takohet me një burrë shqiptar (Astrit Kabashi) dhe flasin për qaj të rusit dhe për kojshit në Kosovë që kanë pi shumë qaj dhe e llogarisin kohën që e kanë humbur duke pirë qaj. Në kontekstin në të cilin ndodh kjo skenë e krijon një absurditet dhe tension të mirë.
KultPlus: Ndërkohë, rolin e Xhaferit e luan aktori kroat Mišel Matičević, pse vendosët që rolin e një shqiptari ta luaj një aktor kroat?
Visar Morina: Me shumë qejf do ta kisha marr një aktor shqiptar. Përveç që ka qenë e domosdoshme që ai person me qenë aktor i mirë dhe me u përshtatë si tip në atë rol, ka qenë edhe gjuha gjermane e domosdoshme. Xhaferi e ka një pozitë të mirë në një firmë shumë të madhe. Është e rëndësishme që ai të flas shumë mirë gjermanisht, që të mohohet dyshimi që problemet që i ka personazhi në film vijnë si pasojë e gjuhës. Edhe një herë, me shumë qejf e kisha marr një aktor shqiptar, por në fund nuk kishte zgjidhje tjetër.
KultPlus: Përpos aktorëve shqiptarë, është edhe aktorja e njohur Sanrda Hüller, çka e tërhoqi Sanrda Hüller të jetë pjesë e filmit “Exil”?
Visar Morina: Sandra është yll i madh në Gjermani, dhe shumë e respektuar. Një gazetë e madhe në Gjermani e ka bërë një intervistë me të dhe titulli i intervistës ishte “Mbretëresha e Aktrimit”, mu duk shumë përshkrim i duhur. Por Sandra Hüller dhe Rainer Bock kanë qenë të vetmit që i kam dashtë prej fillimi dhe të dyve ju kam shkruar një letër ku kam sqaruar pse dhe për çka po i dua. Sandres i ka pëlqyer skenari shumë dhe besoj që kjo ka qenë arsyeja kryesore për të pse është në këtë projekt.
KultPlus: Pjesë e filmit janë edhe aktorët shqiptar si: Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj dhe Ameli Kabashi, nga ana profesionale, si qëndronin aktorët shqiptarë përballë atyre botërorë?
Visar Morina: Kur fillon puna, aktorët nuk ndahen në këto llogari, secili e ka rolin dhe rreshtat e vetë. Me Sandra-n në fillim ka qenë pak problem, sepse aktorët tjerë stresoheshin kur luanin me të, është aq e mirë dhe e saktë në punë sa që të komplekson në fillim. Por pas një kohe nuk ka dallim a po punon me një fëmijë, me një të njohur apo me një person që nuk e njeh askush. Besoj se kam pas shumë fat me aktorë. Loja e tyre do të jetë gjëja më e mirë në film.
KultPlus: Shenjat se ky projekt është mjaftë premtues i morët shumë herët, pasi që ky skenar u shpërblye me çmimin prestigjioz “Golden Lola”, ku u sfidove me skenaristët dhe shkrimtarët më të njohur në Gjermani, si dhe në Euroimages, e ndjeje një sukses të tillë?
Visar Morina: “Lola” për skenar më të mirë, ka qenë një befasi për mua. Për atë çmim nuk mund të aplikosh, duhesh të jesh i propozuar nga dikush. Pastaj është dashur ta dorëzoj skenarin vetëm me titull, pa asnjë informatë rreth autorit dhe produksionit. Qëllim ka qenë që juria ta lexojë vetëm skenarin, pa ditur se kush është autori. Pas leximit janë nominuar tri skenarë. Një nga skenarët konkurrent është vlerësuar dhe veçuar shumë nga juria, edhe kur ministrja e kulturës doli ta ndaj çmimin foli për atë skenar, dhe isha i bindur që ai skenar do të fitoi dhe mbeta i habitur kur e shpalli skenarin “EXIL” si fitues. Skenarin e kam shkruar shumë shpejt dhe për asnjë çmim deri më tani nuk jam gëzuar më shumë.
KultPlus: Kur ke shkruar skenarin “Exil”, e ke bazuar në ndonjë ngjarje të vërtetë, apo është imagjinare?
Visar Morina: Zakonisht për mua është shumë e rëndësishme të kem në projekt diçka që më tërheq personalisht. Nëse nuk ekziston kjo lidhje, projekti nuk ka kuptim për mua. Në këtë rast tregimi është fiktiv, por ka shumë gjëra që i njoh ose nga jeta ime ose nga jeta e njerëzve që i kam përreth. Por shpesh ka shumë detaje të vogla, një rresht, një imazh ose një situatë. Këto detaje zakonisht transformohen në diçka tjetër. Filmi e përshkruan jetën e një të huaji në Gjermani dhe normalisht në këtë rast kam ndodhi personale në të cilat jam bazuar. Por prapë jeta e Xhaferit nuk ka të bëjë me jetën time.
KultPlus: Por tashti, pranimi i filmit në “Sundance Film Festival” dhe në festivalin tjetër poashtu prestigjioz “Berlinale” po dëshmon se ky film është ndërtuar në nivel të lartë dhe po flet në gjuhën e botës, dhe qysh në fillim është një matje tjetër se filmi i fundit po e kalon filmin paraprak “Babai”, që padyshim është një sukses i madh për një regjisor të ri, çfarë janë pritjet për rrugëtimin e këtij filmi?
Visar Morina: Fillimi i projektit ka qenë i tillë. Buxheti për filmin e dytë ka qenë shumë më i madh. Zakonisht filmat e dytë në Gjermani bëhen me shumë më pak buxhet, ka edhe raste tjera por nuk janë të shpeshta. Pastaj casting është bukur i njohur këtu, firma prodhuese gjermane e filmit është bukur e madhe dhe shumë e suksesshme. D.m.th., kërkesat për këtë projekt kanë qenë shumë më të mëdha qysh nga fillimi. Nëse filmi do ta kishte premierën në një festival të vogël, do të kisha shumë telashe me projektet e radhës. E çka do të ndodh me filmin pas Sundance dhe Berlinale nuk e di. Normalisht që suksesi i këtij filmi vendos shumë edhe për kushtet që do t’i kem në projektin tjetër.
KultPlus: Edhe “Babai” edhe “Exil” kanë për bazë rrëfime shqiptare, edhe përkundër faktit se si i vogël jeni larguar nga Kosova, rrëfimet e popullit tënd po vazhdojnë të kenë prioritet, pse?
Visar Morina: Nuk kam qenë edhe aq i vogël kur kam ikë nga Kosova. Kam qenë 15 vjeçar. Ajo kohë ka qenë shumë e veçantë, jo vetëm për faktin që ishte fëmijëria ime por edhe për arsye politike. Në dhjetor 1994 kemi dal nga Kosova. Fëmijëria ime, si te çdo njeri, ka shumë ndikim, dhe siç thash edhe më herët për mua si krijues është shumë e rëndësishme që të kem një lidhje personale me atë çka e prezantoi në një film. Por nuk është e domosdoshme që të jetë 1 me 1. Shpesh është ndjenja më e rëndësishme se sa ngjarja. Por më duhet të ceki që “Exil” e trajton jetën e një të huaji në Gjermani, dhe që ai “i huaji” ndodh të jetë shqiptar. Fakti që është i huaj është më i rëndësishëm se sa fakti që është shqiptar. Besoj që struktura dhe statusi social i një ekzistence vendos më shumë për një individ se sa kombësia. Pra në këtë rast ka qenë edhe e mundur që roli kryesor të jetë edhe i një vendi tjetër. Por prapë se prapë jam shumë i lidhur me Kosovën. Përveç që më duket shumë inspiruese me shumë gjëra, është një copë e identitetit tim dhe me shumë qejf do të vija prapë në Kosovë për të bërë film.
KultPlus: Mendoni se kemi edhe shumë brum për skenarë të shumtë, duke u bazuar në historinë, mënyrën e jetës dhe veçantinë e popullit shqiptar?
Visar Morina: Besoj që çdo njeri dhe çdo popull – edhe pse nuk e di çka do me thanë me qenë një popull – e ka një veçanti. Në kohën kur unë kam jetuar në Kosovë, shqiptarët kanë përjetuar gjëra të tmerrshme, por prapë më ndodhë që tash flas me njerëz nga Kosova dhe e shoh që fëmijëria ime dallon nga fëmijëria e tyre. Një person që është rrit në Prishtinë në të njëjtën kohë si unë, e ka një përshkrim krejt tjetër, se sa unë që jam rrit në fshat.
KultPlus: Zakonisht, në shumë filma, për skenarist kanë një person tjetër e për regji një tjetër, e shumë shpesh fajin e suksesin e hedhin te njëri tjetri, ju keni përballë unin tuaj, si funksiononi në këto dy pozita?
Visar Morina: Gjatë periudhës sa shkruaj e adhuroj xhirimin dhe editimin. E gjatë editimit e adhuroj shkrimin. Shkrimi është fazë e mirë, sepse je plot shpresa. Xhirimi shpesh herë di të jetë shumë i rëndë, shumë i varur nga koha, ekipi, kushtet, moti… Besoj, do të isha regjisor më i mirë nëse skenari nuk është i imi. Nëse nuk e kanë bagazhin e shkrimit, besoj do të jem më i qartë në regji. Dhe me qejf do të bëja një skenar të huaj.
KultPlus: Do të bëje një kombinim me dikë tjetër, qoftë në rolin e skenaristit, apo të regjisorit?
Visar Morina: Nuk mund ta paramendoj që të shkruaj skenar për dikë tjetër. Edhe pse për momentin po shkruaj dhe jam si koskenarist i një regjisori gjerman. Por kjo ishte e qartë prej fillimit. Ai e kishte idenë dhe më ftoj ti bashkëngjitëm. Në këto rrethana, po. Por që të shkruaj një skenar krejt vetë dhe të ia dorëzoj dikujt tjetër, kjo vështirë që do të bëhej. Gjatë shkrimit e paramendoj filmin shumë dhe do të isha shumë i dëshpëruar nëse i shoh skenat ndryshe. Do të ishte si dhunë.
KultPlus: Ju keni studiuar për film në Akademinë e Arteve në Gjermani, dhe suksesi i juaj në botën e kinematografisë veç sa ka filluar, por si i shihni përpjekjet e regjisorëve të Kosovës dhe të Shqipërisë për të prekur majat e festivaleve prestigjioze?
Visar Morina: Por kjo ka ndodh me disa filma nga Kosova. Nuk është më e jashtëzakonshme që një film kosovar të marr pjesë në një festival të kategorisë A. Dhe në fakt filmat më interesant në botë qysh që disa vite nuk vijnë nga vendet e zhvilluar. Shumë filma të jashtëzakonshëm vijnë nga e ashtuquajtur bota, e tretë ose e dytë. Kështu që fakti që kam studiuar në Gjermani nuk thotë shumë. Kosova është shumë, shumë interesante. Vetëm një udhëtim me kombi prej Prishtinës në Drenas mund të del një film shumë interesant. Ose diskotekat kosovare, lezet i madh për film…
KultPlus: Do të veçoje ndonjë film të Kosovës apo Shqipërisë?
Visar Morina: Për skenën në Shqipëri nuk kam njohuri, ose shumë pak. Për Kosovë më shumë. Dhe prej nga 2010 jam rregullisht në kontakt me disa filmbërës nga Kosova dhe më duket një zhvillim i jashtëzakonshëm çka ka ndodh në këto vite. Më duket një zhvillim shumë i mirë. Ndërkohë është krijuar një lloj industrie e vogël. Jo vetëm sa i përket regjisorëve por edhe sa i përket stafit përreth dhe pa asnjë telashe do të xhiroja një film komplet me staf kosovar. Diçka që para disa viteve nuk kisha mundur ta paramendoj. Por prej filmave që i kam pa nga Kosova, mendoj që “Kthimi” nga Blerta është për mua filmi më i mirë. Dhe në përgjithësi e vlerësoj dhe adhuroj punën e Blertës shumë dhe shpresoj që ajo së shpejti të na sjell një projekt të ri. “Zana” akoma nuk e kam parë, por skenarin e kam lexuar dhe po pres me shumë gëzim që ta shohë atë film.
KultPlus: Jeni duke shijuar suksesin e filmit “Exil”, por shumë po besoj se keni në kokë ndonjë projekt të ri, nëse po, mund të na tregosh më shumë?
Visar Morina: Jam në shkrim të dy projekteve por akoma është shumë herët të konkretizohet diçka.
KultPlus: Dhe për fund, filmat shumë herë bazohen edhe në letërsi, keni të piketuar ndonjë shkrimtar shqiptar që do të donit që romanin e tij/saj të shndërronit në film?
Visar Morina: Letërsia që më pëlqen nuk mund ta paramendoj si film. Më duket më shumë si dhunë ndaj veprës. Çka mund ta marr me mend është që ta marr një pjesë ose një situatë nga një roman dhe të krijoj diçka të re, por jo si adoptim. Por momentalisht nuk jam duke bërë asgjë në atë drejtim, as nuk e kam ndërmend. / KultPlus.com
Kur
flitet për rok grupin “Elita 5”, vetvetiu të sillen në kokë tingujt e
bukur, tekstet kuptimplota dhe zëri unik i vokalistit Arif Ziberi.
Janë bërë 30 vjet prej se ata kanë dalë në skenë, fillimisht duke performuar nëpër kafene e mbrëmje rinore për t’u bërë më pas një grup i fuqishëm roku, një grup i konsoliduar që publikut shqiptar arriti t’i sjellë shumë albume muzikore me qindra hite që edhe sot e gjithë ditën dëgjohen, këndohen e performohen me ëndje vazhdimisht…
Këngët e tyre të para si “Mbrëmje rinore”, “Mirë e di”, “Si Merlin Monro”, e deri te hitet “Unë e di se ku të dhemb”, “Faleminderit”, “Dua të vdes”, “Al Kapone”, “Zemra e thyer”, “Dashuria është diçka tjetër”, “Ti e vrave dashurinë”, “Çmendem” e shumë të tjera kanë mbetur thesar i skenës muzikore shqiptare, duke i vënë ata në piedestal si grup.
Zakonisht,
një rok grup nuk e ka të lehtë t’i rezistojë kohës apo edhe rrethanave tjera,
shpesh grupet e famshme kanë ndryshuar formacionin apo në të shumtën e rasteve
vokalistin.
Por
te “Elita 5” kjo nuk ka ngjarë për gjithë këto vite. Ata vazhdojnë të
jenë të njëjtit që kur kanë filluar performancat në vitet ’90.
Nexhat Mujovi (sintisajzer-producent), Agron Idrizi (bas kitarë), Besim Ibraimi (daulle), Mevaip Mustafi (solo kitarë), e vokalisti Arif Ziberi janë muzicientët e njëjtë të cilët e krijuan grupin “Elita 5” dhe të cilin arritën ta mbajnë përgjatë këtyre viteve, me edhe një anëtar të shtuar, Valon Gashin (kitarë).
I formuar në Tetovë në vitin 1987, grupi preku zemrat e gjithë shqiptarëve anembanë botës me tekstet e bukura të gërshetuara në baladat aq prekëse që di t’i interpretoj Arif Ziberi. “Elita 5” dha qindra koncerte, qindra organizime të ndryshme kudo ku ka shqiptarë.
Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, vokalisti Arif Ziberi shpalos gjëra interesante. Ai tregon se çfarë do të thotë për të grupi “Elita 5”, cilat grupe të famshme kanë qenë inspirim për ta, e si i sheh ai artistët e rinj dhe artin e sotëm në përgjithësi…
KultPlus: Çfarë do të thotë për ju personalisht grupi “Elita 5”?
Për mua grupi “Elita 5”, do të thotë thjesht kuptim i jetës.
KultPlus:Në vitet ’90 kur edhe është shfaqur “Elita 5” ishin vitet e arta për muzikën rok, cilët ishin këngëtarët dhe grupet që ju inspiruan?
Sigurisht në fillet tona kemi pasur inspirime nga grupet e mëdha botërore si: Bon Jovi, Deep Purple, Toto e plot të tjerë.
KultPlus:Janë bërë shumë vite për “Elitën 5” në skenë, e ndjeni veten të lodhur nga gjithë ky rrugëtim?
Mbase do të thonit se mosha e bën të veten. Edhe tek ne mosha e bëri të veten, por për të mirë. Na thonë se jemi sikur vena, sa më e vjetër, aq më e mirë.
KultPlus:A po i jep grahmat e fundit muzika rok, sipas jush?
Tek ne muzika rok ka mbetur një gjysmë hobi le të themi. Ajo që na gëzon është se në skenën botërore roku ka invazion të vërtetë, e këtë e shohim edhe si shtytje për zhvillimin e rokut në trevat tona.
KultPlus:Tekstet e “Elitës 5” përçojnë mesazhe në shoqëri, a mendoni se teksti dhe muzika janë gërshetim i një krijimi harmonjoz?
Për ne dhe grupin tonë, kënga nuk quhet e përfunduar nëse teksti dhe muzika nuk e kanë kiminë e njëjtë.
KultPlus:Kohët moderne (zhvillimi i teknologjisë) kanë krijuar kushte që skena të gëlojë nga artistët e rinj, por realisht si i shihni ju ata? Mendoni se mund të lënë pas vepra që do t’i rezistojnë kohës?
Sinqerisht më vjen keq që artistët e rinj e kanë për cak të bëjnë këngë që dëgjohen dy javë. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë kualitet dhe nuk kanë se si të lënë gjurmë.
KultPlus:A mendoni se gjithnjë e më shumë po i bie rëndësia grupit klasik muzikor si shkak i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë?
Grupi klasik muzikor po e humb vlerën vetëm tek ne. Pra, mundohen që të gjitha instrumentet të zëvendësohen me sintisajzer, në mënyrë që këngëtari të përfitojë me shumë. Por kjo nuk sjell kualitet dhe është jetëshkurtër.
KultPlus:Me çfarë preferoni të merreni jashtë muzikës?
Kohën e lirë preferoj ta shfrytëzoj me anëtarët e shtëpisë, po ashtu kam dëshirë të eci shumë…
KultPlus:A ekziston vërtet ndonjë sekret i jetëgjatësisë në skenë, apo ajo vjen si rezultat i punës së madhe kolektive?
Çelësi i jetëgjatësisë tonë është përkushtimi i madh në punë. Derisa të tjerët nxjerrin pesë këngë në vit dhe harrohen menjëherë, ne nxjerrim një këngë dhe mbetet hit për pesë vite e më shumë…
KultPlus:Filozofi gjerman Fridrih Niçe që ishte adhurues i madh i muzikës, shprehet se: “Pa muzikë, jeta do të ishte gabim!” Pajtoheni me këtë thënie të famshme?
Jo rastësisht Niçe llogaritet si filozofi më i njohur i të gjitha kohërave. Besoj se i gjithë njerëzimi pajtohet me këtë thënie të tij. /KultPlus.com
OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë hapë thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.
Në këtë
thirrje të hapur kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13
deri 18 vjeç, të cilët kanë talent në të shkruar, ese.
ProPlus në
këtë fazë të projektit fton të rinjtë që kanë talent në të shkruar që të jenë
pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë
njohuri bazë të gjuhës angleze.
Afati për
aplikimin është deri më 31 dhjetor, dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin
me të dhënat e tyre në [email protected],
gjithashtu këtij aplikimi duhet të ja bashkëngjitin edhe një ese të shkurtër përmes
së cilës do të vlerësohen. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.
Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com
Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e tretë të këtij konkursi.
Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë dhe talentet e reja dhe poetët që nuk janë dëshmuar deri tash. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.
Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, ndërsa në edicionin e dytë Arjola Zadrima.
“KultStrofa”,
organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com.
Thirrja do të jetë e hapur deri më datë 1 dhjetor 2019. /KultPlus.com
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpallur të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku në adresën e KultPlusi-it çdo ditë kanë ardhur një numër i madh i poezive.
Konkursi ishte
i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe
komuniteteve në Kosovë.
Aplikimet janë
vlerësuar nga juria profesionale, të cilët kanë zgjedhë 20 poezitë më të mira.
Autoret e këtyre 20 poezive tashmë janë njoftuar dhe janë ftuar për një takim njoftues dhe diskutim mbi poezinë për paqe. Takimi do të mbahet sot në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Këta janë emrat e përzgjedhur: Albina Rushiti, Kaltrina Pacolli, Albana Muja, Raindonna, Vlora Konushevci, Shqipe Hasani, Veronikë Bucinca, Alketa Spahiu, Zana Pira, Halime Olluri, Festinë Avdiu, Tinka Kurti, Arta Maxhuni, Violeta Berisha, Diana Basholli, Fjolla Avdylaj, Fjolla Rabi, Flora Halimi, Burbuqe Latifi dhe Hatixhe Misini. (Renditja e emrave është rastësore).
Nga këto 20 poezi, juria profesionale do të bëjë edhe një selektim, ku do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veçantë që do të mbahet shumë shpejt. Krejt për fund do të shpallen edhe tre poezitë më të mira të cilat do të shpërblehen nga organizatorët.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com
Mediumi i vetëm ekskluzivisht kulturor KultPlus, ka organizuar peticion si reagim ndaj çmimit “Nobel” për letërsinë që Akademia Suedeze ndau dje.
“Nobeli” i vitit 2019 iu nda shkrimtarit austriak Peter
Handke që njihet botërisht për përkrahjen që i ka dhënë vazhdimisht Sllobodan
Millosheviçit, i cili u akuzua për gjenocid dhe krime të rënda.
Kudo pati reagime nga njerëz të kulturës dhe artit, e ndër
ta renditet edhe mediumi KultPlus, që organizoi këtë peticion.
Ftoheni të bëheni pjesë e këtij peticioni që për qëllim ka
tërheqjen e çmimit “Nobel” për letërsi. /KultPlus.com
Në vitin 1981 Kombet e Bashkuara shpallën 21 shtatorin si “Dita e Paqes,” datë e përbashkët për angazhim global mbi ndërtimin e një kulture të paqes.
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Paqes, KultPlus, mbështetur nga UN Women ka shpall të hapur konkursin “Poezi për Paqe” ku çdo ditë vijnë poezi nga më të ndryshmet. Tashmë kanë mbetur vetëm edhe tri ditë kohë për të gjithë ato që mendojë të bëhen pjesë e garës.
Konkursi është i hapur për të gjitha poetet gra dhe vajza të të gjitha moshave, dhe komuniteteve në Kosovë. Aplikimi për këtë konkurs bëhet përmes dërgimit të një poezie autoriale në adresën [email protected], me subjektin “Konkurs: Poezi për Paqe.” Aplikimet do të vlerësohen nga një juri profesionale, ku do të zgjedhen 20 poezitë më të mira.
Autoret e këtyre 20 poezive do të ftohen në një punëtori të shkrimit të poezisë dhe shkrimit kreativ, ku do të pajisen me njohuri shtesë për shkrim kreativ. Nga pjesëmarrëset e punëtorisë pritet shkrimi i një poezie mbi paqen. Juria profesionale do të zgjedhë 10 poezitë më të mira të cilat do të lexohen në një ngjarje të veçantë dhe do të publikohen në KultPlus.
Tre poezitë më të mira shpërblehen nga organizatorët. Thirrja do të jetë e hapur deri më 12 tetor 2019. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Youth for Kosovo” mbështetur nga UN Peacebuilding Fund, dhe zbatuar nga UN Women, UNDP-UNV dhe UNICEF. /KultPlus.com
“KultPlusi është një oazë shumë e rëndësishëm që po punon për kulturën në vend më shumë se shtëpitë e mëdha mediatike që kanë me qindra punëtor”, këto qenë fjalët e Nezir Krakit në festën e gjashtë vjetorit të KultPlus-it.
Portali i vetëm për art dhe kulturë në Kosovë, KultPlus, dje ka shënuar gjashtë vjetorin e themelimit të tij. Me qindra e mijëra tekste të publikuara çdo ditë, me intervista dhe rrëfime, me organizime të ngjarjeve kulturore, me rikthimin në kohë të figurave më eminente artistike dhe me promovimin e artistëve të rinjë të të gjitha fushave, KultPlus është përpjekur dhe po vazhdon të punojë për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës në vend. Koncerti i mbajtur në Kosovë i talentes tashmë me famë të madhe, Erza Muqollit, ka qenë njëra ndër ngjarjet më të suksesshme të KultPlusit të realizuar ndër vite.
Përvjetori i gjashtë i themelimit të KultPlusit është më i veçantë sepse me suksese Kulti ka arritur që ta hap edhe Qendrën Kulturore KultPlusCaffeGallery, e cila tashmë po shërben si një hapësirë e përshtatshme dhe efikase për mbarëvajtjen e aktiviteteve të ndryshme kulturor-artistike. KultPlus po rritet bashkë me mbështetjen e ndjekësve tanë dhe sponsorizuesve tanë, të cilët i falënderojmë për përkrahjen e tyre të deritanishme duke u premtuar vazhdimin e punës sonë profesionale ashtu siç jemi munduar ta bëjmë deri tani.
Në gjashtë vjetorin e KultPlusit mysafir special ishte, Nezir Kraki, profesor universitar në Paris që pasion e ka letërsinë dhe poezinë. Ai ka folur gjerë e gjatë për pasionin e tij, për karrierën e tij akademike si dhe ka shprehur qëndrimet e tij rreth aktivitetit letrar, artistik si dhe social në vend.
Fillimisht Ardianë Pajaziti, themeluese dhe kryeredaktore në KultPlus, me
rastin e ceremonisë së gjashtë vjetorit të themelimit të gazetës së parë
shqiptare për art dhe kulturë para të pranishmëve ka thënë se në Kosovë,
fatkeqësisht edhe më tutje arti dhe kultura konsiderohen të jenë luks.
“Shumë kemi punuar që ta ndryshojmë këtë perceptim, sepse kultura është e
domosdoshme për çdo shoqëri, e sidomos për shoqërinë kosovare, që ka shumë
nevojë që nëpërmjet kulturës të përfaqësohet edhe më shumë jashtë vendit”, ka
thënë Pajaziti.
Tutje ka vazhduar profesori Nezir Kraki i cili pas fjalëve të mira për KultPlus-in
ai ka thënë se ndihet me fat që jeton në Paris, pasi ky qytet e ka motivuar dhe
lidhur edhe më shumë me kulturën dhe letërsinë franceze, dhe jo vetëm.
“Kam pas fat me jetu edhe në rrugë e lagje ku kanë jetuar autorë të mëdhenjë, kështu
që gjithçka më lidh fort me kulturën franceze dhe në përgjithësi me letërsinë e
saj. Përmes saj ju kam rikthy letërsisë shqiptare dhe kulturës evropiane dhe
botërore në përgjithësi.”
Ai ka folur sesi letërsia e ka ndihmuar edhe në profesionin e politikës duke e lënë të nënkuptohet se letërsia nuk është produktive vetëm për anën subjektive të njeriut.
“Në fillim e thash që më shumë jam krenar për këtë anë (letërsinë) sesa për anën tjetër me të cilën e fitoj edhe bukën e gojës, në fakt as në këtë zanatin e politikës dhe të profesorit në shkencat politike nuk do të kisha qenë ndoshta ky që jam, ose ma mirë me thanë do të isha dukur më keq pa zanatin e letërsisë”.
Ai ka thënë se përvoja jetësore shumë shpesh është më e rëndësishme se diplomat burokratike që ne i marrim në institucione arsimore.
“Jeta dhe diploma e jetës është shumë më e vlefshme se diploma e Hardward-it ose diplomat e Parisit. Ka plotë njerëz që unë dhe ju njohim që kanë diploma të vlefshme po që kanë dështu në diplomën e jetës. Pa e pasur diplomën e jetës me sukses, diploma e letrës nuk ka kuptim”.
Duke e ditur se Kraki është shumë aktiv në rrjetet sociale, në përgjigje e sipër, me shaka, ai ka treguar sesi e instrumentalizon poezinë për ‘pajtim me njerëzit’.
“Arsyet përse e fus një poezi kohë pas kohe është shumë meskine se unë i preki në Facebook disa tema të nxehta që krijojnë debat e komente njëfarë lufte vrituale, po pasi jam në Parsi e s’ma dinë adresën them në rregull është, plus nuk kanë as viza e s’munden me ardh këtu, kështu që përmes poezisë unë i zbusë njerëzit, dua të ju them “hajdeni bëhemi prapë miq”.
Kraki ka folur edhe për temën e shumë përfolur rreth ndërtimit të një Teatri të ri në Shqipëri për të cilin ka shprehur rezervat dhe kundërshtimin e tij.
“Çka duhet salla me xhama, xhamat nuk e bëjnë artin, as objekti nuk e bënë artin, objekti është forma, përmbajtja është brenda”.
Siç i takon një njeriu që shkruan dhe që është i preokupuar edhe me anën njerëzore dhe emocionale, Kraki shpreh brengën e tij për jetën njëdimensionale, për robotizimin, për jetën formale dhe rutinore që e jetojnë shumica e njerëzve sot.
“Sot unë jam shumë i mërzitur që jo vetëm koha po kalon shpejt por edhe njerëzit vrapojnë pas kohës dhe nuk po arrin më të gjejnë momente jashtë kohës, jashtë kuadrit, me jetu brenda tyre diçka me njerëz të tjerë, apo vetëm vetë, s’ka rëndësi kudo qoftë, në çdo hapësirë gjeografike, me dalë pak prej autostradës së jetës, me bë një pauzë, me marrë energji pozitive, me taku njerëz”.
Ai e ka vlerësuar anën kulturore të Kosovës, duke përmendur disa fusha që po arrin suksese edhe jashtë Kosovës.
“Na s’kemi shumë diçka që me eksportu, por kemi sportistë, artistë shumë të zotë, individualisht që kulmojnë jashtë edhe si ekip tash, si xhudo, si Majlinda Kelmendi, jemi shumë mirë për një vend të vogël. Ka mundësi edhe ma shumë, tema kemi mjaft duhet vetëm me lexu më shumë, me pasë njohuri ma shumë, sidomos për ata që bëjnë film, duhet të analizohen filma të thellë, në mënyrë që të pranohen, në veçanti në Francë”.
Kraki ka thënë se arti dhe letërsia kanë rol jetik në marrëdhëniet shoqërore meqë ato i bashkojnë njerëzit, përderisa fushat tjera i përçajnë ata.
“Poezia dhe letërsia është ushqim i shpirtit që na ndihmon të harrojmë dallimet politike, ideologjike. Të gjitha fushat tjera i ndajnë njerëzit përveç artit dhe letërsisë që i bashkon”.
Mes duartrokitjesh nga një numër i madh i të pranishmëve dhe një falënderimi nga Nezir Kraki, mbrëmja dedikuar gjatë vjetorit të KultPlusit u mbyll me një poezi të përzgjedhur nga vetë ai, të cilën e solli me shumë dashuri për të pranishmit.
Pas gjithë kësaj ligjërate të thukët nga profesori Kraki, të pranishmit patën rastin të ndërlidhen në bisedë dhe të parashtrojnë pyetje të cilave Kraki ju përgjigj me shumë përkushtim e seriozitet. Krejt për fund eventi vazhdoi me një koktej rasti ku të pranishmit vazhduan ta takojnë nga afër Krakin, të bisedojnë e të fotografohen me të. / KultPlus.com
Pas lajmit të madh javë më parë për sukseset e shqiptarit Gezim Gashi i cili u bë shqiptari i parë që hap shkollë të muzikës në Los Angeles, tashmë na vijnë lajmet e tjera gjithmonë e më befasuese, shkruan KultPlus.
Gezim Gashi është shqiptari më i njohur në Suedi sa i përket
botës së artit, por sukseset e tij tashmë kanë shpërthyer në Amerikë e tutje.
Gashi ka konfirmuar për KultPlus se tashmë po e hap shkollën e dytë për muzikë në
Atlanta dhe këtë lajm emocionues ai ka vendosur ta ndajë me të gjithë pikërisht
ditën e djeshme, ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke dashur kështu që urimi i
tij të jetë përmes punës dhe sukseseve në të mirë të vendit.
Familja e tij u largua nga Kosova për në Suedi në vitin 1992, ata punuan pa ndalur atje, por Gashi dy vitet e fundit ka zhvilluar edhe markën për shkolla dhe kompani të tjera në Suedi dhe Evropë të titulluat ‘By Gezim Gashi’ duke bashkëpunuar me shkollat më me nam në Amerikë dhe jo vetëm.
By Gezim Gashi tashmë ka bashkëpunuar edhe me Landmark
Christian School në Fairburn, GA, për të zhvilluar dhe nisur një platformë
muzikore unike në Atlanta për studentët e interesuar në industrinë e muzikës,
The Landmark Music Academy, do të hapet këtë vit në Atlanta, GA.
Fillimi i Akademisë së Muzikës paraqet një marrëdhënie emocionuese
midis udhëheqësve të shkollës dhe industrisë, duke kombinuar platformën
përfundimtare të një rrjeti profesional me një arsimim të pasur, relevant dhe
të dobishme. Kjo ofertë tërheq brezin më të ri të talenteve muzikore në Atlanta
të Landmark, duke i zhvilluar ata për një të ardhme dinamike në industrinë e
muzikës.
Momentalisht kjo shkollë është duke bashkëpunuar me kompaninë suedeze, By Gezim Gashi, për zhvillimin e platformës muzikore. Gashi, një sipërmarrës i përhershëm dhe student i Harvard Business, ka zhvilluar markë për shkollat muzikore që po udhëheqin dhe për kompanitë e tjera në Suedi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Puna e tij inovative është njohur nga revista Forbes dhe Huffington Post.
Gashi thotë: “Unë jam i ngazëllyer për këtë udhëtim të
mahnitshëm në Atlanta! Industria e muzikës është e madhe këtu dhe së bashku me këtë
Akademi muzikore shumë të rëndësishme do të krijojmë një platformë unike për
industrinë muzikore të Atlanta”.
Drejtori i shkollës, Dr. Jason McMaster thotë që: “Akademia
e Muzikës primare e ka nisjen e zbulimit të artistëve të rinj.
“Jemi të kënaqur të japim një program të tillë inovativ për gjeneratën e ardhshme dhe ky është vetëm fillimi. Gezim Gashi është një nga më të mirët në fushën e tij dhe është një talent i mrekullueshëm, unë jam shumë krenar që e kam atë si pjesë të këtij projekti të ri në arsim “, komenton McMaster.
Akademia e Muzikës ofron udhëzime të përditshme vokale dhe
instrumentale, performancë, shkrim, prodhim muzikor, regjistrim digjital dhe
klasa biznesi në fushën e marketingut dhe të markës për këtë industri gjithnjë
në ndryshim.
Gezim Gashi, po punon fuqishëm në rrugën që ka nisur dhe sukseset e tij po bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët. /KultPlus.com
Themeluesja dhe kryeredaktorja e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, së bashku me stafin e saj, është pritur në një takim zyrtar nga ministrja e Ministrisë për Kulturë në Shqipëri, Mirela Kumbaro Furxhi.
Në këtë takim të dy palët shkëmbyen përvojat e tyre dhe theksuan rolin e medias në Kosovë dhe Shqipëri, por me theks të veçantë aty u fol për gazetën e parë shqiptare KultPlus, e cila tërësisht i dedikohet ngjarjeve nga arti dhe kultura.
Ministrja Kumbaro e vlerësoi lart gazetën KultPlus, duke e konsideruar si promotor të rëndësishëm të kulturës, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare.
“Kult Plus, pasqyron shumë çka që ndodhë nga jetë kulturore në Shqipëri, pra ju si redaksi e kulturës i bëni një shërbim dhe pasyqrim jetës kulturore të Shqipërisë, dhe pak medie e bëjnë punën si ju, ose më mirë të them, askush. Që në këtë kontekst unë jam shumë e bindur që bashkëpunimi jonë është me vlerë dhe KultPlusi e meriton mbështetjen tonë”, është shprehur ministrja Kumbaro para themelueses së KultPlus, Ardianë Pajazitit.
Kurse themeluesja dhe kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti u shpreh të jetë falënderuese për vlerësimin e ministres Kumbaro.
“Që nga fillimi i themelimit të KultPlus, redaksia jonë ka pasë një bashkëpunim të thellë me Ministrinë e Kulturës në Shqipëri. Ky institucion ka qenë pika referuese për mbulimin e zhvillimeve kulturore në Shqipëri, që janë edhe prioritet për redaksinë e KultPlus, sikurse edhe zhvillimet kulturore në nivel mbarëkombëtar”, ka thënë Pajaziti, e cila ka vlerësuar gatishmërinë e ministres Kumbaro për bashkëpunimin e mëtutjeshëm.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe gazeta KultPlus kanë bashkëpunuar qysh në fillimet e punës së kësaj gazete në të mirë të artit dhe kulturës së Shqipërisë dhe puna e KultPlus është vlerësuar gjithmonë nga kjo ministri e cila është shprehur e gatshme për bashkëpunim./KultPlus.com
KultWoman sot filloi rrugëtimin e zhytjes në rrëfimet e grave që kanë ndjekur rrugën jo të lehtë drejt depërtimit në skenën kulturore shqiptare. Gazeta e parë online për art e kulturë- KultPlus e sjellë këtë ngjarje si dedikim për gratë e suksesshme shqiptare ndër vite, që edhe sot kanë një rrëfim inspirimi për gjeneratën e re, ani pse kanë vepruar në kushte e rrethana krejt tjera.
KultWoman synon të sjellë rrëfimet e grave që kanë ecur me dekada në skenë, ndërsa sot ky projekt filloi pikërisht me aktoren e njohur shqiptare që për më shumë se pesë dekada, parreshtur ka derdhur shpirtin e saj në teatrin dhe skenën kulturore. Leze Qena nuk i është ndarë publikut as sot, madje ajo është bërë pjesë e atmosferës së shumë shtëpive, ku përmes ekraneve u ka përcjellë publikut personazhet më të dashura. Ata që kanë ndjekur shfaqjet e saj në skenë, e kujtojnë figurën e saj në përfaqësimin e roleve që kanë ngjallur emocion të veprës.
Leze Qena, aktore e lindur në Prizren, është ndër gratë më të suksesshme shqiptare por udha e saj drejt suksesit nuk ka qenë edhe e lehtë, duke qenë se i ka hyrë kësaj rruge atëherë, kur as ajo vetë nuk dinte shumë për teatrin. Në rolet e shumta në teatër, filma, radiodrama e seriale, ajo ka jetësuar role të grave e burrave e role të të gjitha moshave, duke filluar nga jetësimi i personazheve të fëmijëve e deri tek ato më të moshuarve, ndërsa thotë se zhanret që e kanë gjetur të pashterur në pasion, janë drama e komedia, duke besuar në atë se ka role ku komedia të bën të qash e drama të bën të qeshesh. Vendi ku ka shkrirë gjithë dashurinë mbetet teatri, veçmas skena e vogël, pasi sipas saj, skena e vogël nuk e toleron mashtrimin. Në të gjitha rolet me të cilat lidhet emri i saj, e që nuk janë të paktë, ajo theksoi se roli saj i preferuar mbetet ai i Ana Frankut, për të cilin thotë se nuk ka pasur nevojë për përpjekje për ta luajtur pasi që e ka përjetuar në çdo lëvizje. Publiku ende e ndalë dhe e përqafon në rrugë e kjo është dashuria me të cilën e ushqen veten çdo ditë e nuk dorëzohet, kurse sa i përket aktorëve ajo mendon se dikur aktori ka pasur një vend me të veçantë tek publiku përkundër që distanca mes tyre ka qenë shumë më e madhe se sot.
Krejt këtë rrëfim sa të vështirë e inspiruese, Leze Qena e solli sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në një bashkëbisedim me Kreshnik Berishën- Keka. Mes të qeshurave e lëvizjeve plot shpirt, Leze Qena eci nëpër kujtimet e saj, duke ndarë me publikun edhe momentet më interesante të jetës së saj familjare, e asaj me Xhevat Qenën.
Qysh herët, ajo kishte qenë ndryshe nga vajzat e lagjes së saj. E rritur në Prizren, ajo dritaret e dhomave në shtëpi atje, i përshkruan si të thella prej nga i hiqte perdet dhe mblidhte fëmijët e lagjes ku këndonte, recitonte e luante. Qysh prej 1954 ajo bashkëjeton me skenën e aktrimin, ndërsa thotë se çdo ditë e jetës së saj e çdo aktivitet, për 64 vite lidhej me aktrimin. Para gjumit, gjatë ecjes e në çdo aktivitet ajo përsëriste tekstet të cilat do t’i transmetonte tek publiku me shkrirje artistike e karizmën e saj të veçantë. Nëse e pyet se po të kthehej në kohë dhe nëse do ta ndiqte rrugën e njëjtë, ajo e pohon bindshëm se nuk do të shkëputej në asnjë moment prej kësaj rruge.
Karriera e saj ka një pikënisje që lidhet me emrin e Shemsedin Kirajtan, drejtor i teatrit amator në Prizren, për të cilin thotë se do t’i jetë mirënjohëse gjatë tërë jetës. Leze Qena mes të qeshurave tregon se nuk e kishte marrë seriozisht punën e aktrimit, sepse kishte besuar fort se nuk mund të jesh aktore nëse nuk ke një imazh si të Sofia Loren.
“Ai ka qenë drejtues i jetës time. Ai më pat thënë që duhet të shkoja në teatër në Prishtinë, por unë i thoja që mos të tallej me mua, sepse për të shkuar në teatër mendoja se duhet të ishe e gjatë dhe e bukur si Sofia Loren. Por ai insistonte se teatri kishte nevojë për mua. Unë nuk e dija që teatri kishte aktore me pamje të ndryshme”, fillon rrëfimin e saj Leze Qena.
Leza Qena kur ishte pranuar të jetë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor të Kosovës, tregon edhe për reagimin e familjarëve të saj për hapat drejt teatrit. Paragjykimet nuk i kishin munguar, megjithëse edhe ajo me gjithë dashurinë për teatrin, nuk e kishte shumë idenë se në çfarë rrugë po hynte.
“Lutjen për të qenë pjesë e teatrit e kishte dërguar Shemsedin Kirajtani dhe më dha një monolog dhe një vjershë, dhe të tjerat më tha mësoi si të duash. Shkova në shtëpi për ta gëzuar nënën, më mirë më tha shko ‘pevaqicë’ në kafe se sa në teatër, nana nuk e dinte se çfarë ishte teatri, por as unë nuk e dija mirë. Babai edhe pse ishte pa shkollë, ishte shumë përparimtarë, më tha që të shkoja, por më këshilloi që të mbaja mendjen ne kokë”, tregoi tutje Leze Qena.
Me një vjershë të Anton Cettës, ajo kishte filluar kushtin për të qenë pjesë e teatrit, ndërsa rrëfen se në rolin e parë i ishte caktuar të jetë “e dashura” e Xhevat Qenës, bashkëshortit të saj, me të cilën ndau rrugëtimin artistik e jetësor. Pasi ishte sistemuar në banesë në Prishtinë, në moshën 19 vjeçare, drejtori e kishte këshilluar që të ndiqte vetëm një ritëm të jetës, që lidhet me shtëpinë e teatrin.
“Pasi e gjeta banesën drejtori më tha “ti këtu je pa familje dhe nuk dua të dëgjojë që pas shfaqjeve ke shkuar në kafe apo diku, vetëm shtëpi dhe teatër. Pasi kaloi një kohë, më tha “tani me Xhevatin mund të dalësh”, pastaj unë me Xhevatin kalonim shumë kohë në kafene dhe kur dilnim të gjithë ishin meshkuj (vozitës të kamionëve) e vetëm unë femër”, tregon Qena.
Ajo tregoi edhe për bashkëbisedimin që kishte pasur me aktorin e madh Bekim Fehmiu kur i kishte treguar se synonte rrugën drejt Hollivudit, tregoi edhe për mundësinë që i ishte ofruar asaj e Istref Begollit që të ndiqnin Akademinë e aktrimit në Beograd, e ajo kishte refuzuar përkundër inkurajimit të Xhevat Qenës, ndërsa thotë se as sot nuk pendohet për këtë vendim. Leze Qena nuk la pa ndarë edhe kujtimet me aktoren e njohur Katarina Josipi.
“Bekim Fehmiu ka ardhur në teatër pas meje dhe më tha “Leze unë po du me shku në Hollivud”, thashë “ku po i shkon mendja në Hollivud, unë mezi erdha në Prishtine e ai më thoshte që po shkon në Hollivud’. Njeriu vetëm duhet të ketë zemër e ambicie që të arrij çkado. Mua dhe Istref Begollin na dekoruan që të shkojmë së bashku në Akademi në Beograd, kurse unë pikërisht atë vit u martova dhe nuk doja të shkoja, edhe pse Xhevati më thoshte që të shkoj”, ka thënë mes të tjerash Leze Qena.
E rrethuar gjithnjë me burra, ajo thotë se lirinë më të madhe e ka ndjerë në rolet e djemve.
“I kam dashur rolet e djemve më shumë pasi që jam ndjerë më e lirë”, tregon Leze Qena.
Përkundër dashurisë për radiodramën e cila i mundësonte ta krijonte edhe regjinë, ajo thotë se teatri mbetet shtëpia e zemrës së saj.
“Teatrin nuk do ta ndërroja me asgjë. Skenën e vogël e kam dashur shumë, aty s’mund të gënjesh ose duhet të luash siç duhet ose nuk luan hiç”, tregon Qena sot në KultWoman.
Leze Qena mendon se aktori duhet ta ketë rrogën e deputetit duke theksuar me humor se edhe ata bëjnë pjesë në mesin e aktorëve. Ajo tutje tha se puna e aktorit është çmuar më shumë më parë se tani, ndërsa distanca mes publikut e aktorit ka qenë më e madhe ndërsa rrëfen se aktori ka dalë nga teatri pas shikuesit të fundit.
“Ne nuk guxonim të dilnim nga teatri pa shkuar shikuesi i fundit në teatër, atëherë mezi kanë pritur që të shohin. Tani aktori rri me publik, luan, rri prapë më publik pas shfaqjes dhe s’është më interesant”, shprehet Qena.
Për dhjetë vite ka qenë pjesë e serialit “Familja Moderne”, të cilën e cilëson si familje të vërtetë të sajën. Ajo thotë se e do shumë publikun ndërsa dashurinë e tyre thotë se e ka fituar edhe duke i luajtur fëmijët.
“Aty ku është grupi i mirë s’ka qare pa pas sukses, kur shihemi jemi si një familje. Sa kemi luajtur unë bija në nivelin e tyre kurse ata tash vijnë në nivelin tim. I kam dashur sinqerisht edhe publikun e kam dashur shumë. Edhe fëmijët vijnë e ma kapin faqen, e kështu kam mbetur tek publiku akoma”, e përkufizon me këtë fjali Qena atë periudhë.
KultWoman organizuar nga KultPlus filloi me aktoren Leze Qena dhe do ta vazhdojë edhe me pesë gra të tjera që gjetën hovin për të punuar edhe në kushtet më të vështira.
“KultWoman me…..” organizohet nga KultPlus dhe financohet nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut./ KultPlus.com
KultPlus mbrëmë shënoi 5-vjetorin e themelimit me edicionin e dytë të ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën” me mezzo-sopranon e njohur shqiptare Flaka Gorancin, yllin operistik që ka mahnitur audiencat evropiane e botërore, duke jetësuar rolet që rrallë kujt i besohen. Pas ciklit të rrëfimeve, Flaka u prezantua me një solo-koncert, duke i dhënë një ngjyrim të veçantë shënimit të 5-vjetorit të gazetës së parë online për art e kulturë- KultPlus, e cila gjithnjë duke u rritur e duke i qëndruar besnik misionit të saj, tashmë ka arritur gjysmë dekade të suksesshme e stoike në mesin e mediave në vend. Përmes kësaj galerie, në po ju sjellim më afër kësaj ngjarje, duke ju fokusuar momentet më pikante. / KultPlus.com
Flaka Goranci, ylli operistik që ka mahnitur audiencat evropiane e botërore, duke jetësuar rolet që rrallë kujt i besohen, mbrëmë KultPlus e solli për herë të parë me një solo-koncert në Prishtinë, duke i dhënë një ngjyrim të veçantë shënimit të 5-vjetorit të gazetës së parë online për art e kulturë- KultPlus, e cila gjithnjë duke u rritur e duke i qëndruar besnik misionit të saj, tashmë ka arritur gjysëm dekade të suksesshme e stoike në mesin e mediave në vend.
Para që publiku të njoftohej me Flakën e mahnitshme në interpretim, fillimisht dëgjoi për rrugëtimin e Flaka Gorancit e natyrën e saj kërkuese që nga ëndrrat e hershme, kur lufta e kishte gjetur 12 vjeçare e si refugjate në Shqipëri, atje ku veçse kishte nisur ta hetoj pasionin për këndimin. Nga studimet në Tiranë e në Tel- Aviv të Izreailit, ajo tregoi për depërtimin në skenat më prestigjioze të Evropës e jashtë saj, por duke mos harruar kurrë rrënjët, por duke u kthyer tek to ose duke i marrë me vete.
Ndriçimi u fokusua në daljen e Flaka Gorancit e Pranvera Hoxhës, duke sinjalizuar fillimin e koncertit i cili nisi e përfundoi mes duartrokitjeve. Pas një komunikimi me sy me pianisten Hoxha, Flaka Goranci futet brenda veprës së kompozitorit italian Giacomo Puccini, duke e sjellë atë tek publiku në çdo ngritje e ulje zëri e çdo lëvizje të duarve e syve. Pas ”Gianni Schicchi ” – ”O mio babbino caro”, që ishte kompozuar para një shekulli, Flaka Goranci me zërin e saj të magjishëm e dërgoi publikun nën përjetimin e thellë tek vepra e kompozitorit austriak, R. Stolz ”Der Favorit” – ”Dusollstder Kaisermeiner Seelesein”. Për të vazhduar me „ Over the rainbow „ from ”The Wizard of Oz”, të Harold Arlen / HerbertStothart e deri tek ”Ariettaallaspagnola” e G. Rossini.
Flaka Goranci pavarësisht lëvizjeve të udhëtimit nëpër veprat më të njohura të kohëve e kompozitorëve më të njohur botëror, gjithnjë u ka qëndruar besnik rrënjëve. Kështu ndodhi edhe mbrëmë. Me “Lule Bore” të Simon Gjonit, ajo bindshëm e mbajti pothuajse pa frymë publikun deri në veprën e fundit. Flaka Goranci në cdo hap të koncertit e mbizotëronte me siguri skenën, e dëshmonte që tashmë është mishëruar me të. Derisa zëri i saj përhapej në sallë e dëgjohej dhe jashtë saj, ajo përmes shikimit lëvizte në secilin kënd të skenës e mes duartrokitjeve kalonte nga një vepër tek tjetra, duke e mbajtur publikun të përqendruar deri në fund. “Kur me vjen burri nga stani” erdhi në lëvizje e në interpretim tejet besnik ndaj veprës, duke arritur ta marr me vete publikun, përmes lëvizjeve të lehta të fustanit e mimikës.
Pas duartrokitjeve që ky interpretim ngjalli tek publiku e që e bëri Gorancin e Hoxhën të përkuleshin me shumë se dy herë duke i përgjigjur duartrokitjeve të tyre, Goranci dëshmoi fuqinë e veçantinë vokale e interpretitive dhe në një nga perlat shqiptare “Margjelo” të kompozitorit Prenk Jakova. Si rrallëherë, ajo në çdo lëvizje duke iu përshtatur tingujve, e futi publikun në muzikalitetin e kësaj vepre, duke bërë që publiku të ngrihet në këmbë për ta risjellë përsëri shpejtë në skenë, madje edhe më të fuqishme. Goranci krejt në fund u kthye për t’i sjellë publikut të Prishtinës “Carmenin” më të bukur që e kanë dëgjuar ndonjëherë. Me një buqetë me lule, ajo erdhi në skenë për të jetësuar operën më të njohur botërore të kompozitorit francez Georges Bizet. “Carmen” përmes zërit të Gorancit erdhi si një komunikim i afërt me secilin në sallë, madje me një prani më të madhe artistike Goranci zbret nga skena e me lëvizje të trupit në përcjellje të veprës, ajo nis e shpërndan lule për të pranishmit.
Mes elegancës në lëvizje e dukjes përrallore, Flaka Goranci qëndron në skenë duke i bartur fuqishëm publikut të saj, ndjesitë që i ka dhuruar publikut të skenave më të njohura. Zëri i saj rrëmbyeshëm mbajti vëmendjen e publikut në skenë, duke afruar duart pranë vetës, zëri i saj arrinte të depërtonte dhe jashtë sallës. Me këtë solo-koncert Goranci dëshmoi se është një artiste e jashtëzakonshme, që di ta mbaj publikun në çdo lëvizje, zëri ndërsa i dëshmoi publikut të saj që është përfaqësimi i jashtëzakonshme me të cilën lidhet me emrin e Kosovës.
Për ngrohtësinë dhe pritjen e mbrëmshme, Flaka Goranci thotë që e ka bërë që të ndihet shumëfish më e vlerësuar dhe e çmuar. Ajo thotë se ndihet e privilegjuar të prezantohet me një koncert solistik pranë publikut të saj dhe të jetë e përzgjedhura e ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën”. Ajo shprehet e lumtur që feston së bashku me KultPlus-in, 5 vjetorin ndërsa thotë se beson në jetëgjatësinë e KultPlus-it që e ka përcjellë në çdo hap të karrierës.
“E kam përcjellë që nga fillimi KultPlus-in dhe ka qenë një gjetje shumë e bukur, diçka për të cilën ka pasur shumë nevojë vendi ynë, më vjen mirë që është krijuar një gazetë kaq serioze që përcjellë lajme nga kultura e mirëfilltë. Kam qenë gjithnjë përkrahëse, dhe KultPlus ka qenë një ndër të parët që ka përcjellë lajmet për karrierën, dhe gjithnjë e kam përcjellë nga afër dhe më vjen mirë që një grua si Ardiana Pajaziti ka arritur ta sjellë në këtë nivel këtë gazetë, dhe me stafin që reflekton një harmoni që rrallë kund e sheh. Unë besoj që nga këto 5 vite, KultPlus do të ketë një jetëgjatësi edhe më të madhe”, u shpreh mezzo-sopranoja Flaka Goranci.
Pas koncertit, mezzo-sopranoja Goranci tha se u ndje shumë e kënaqur me praninë e publikut i cili arriti ta marr pjesën artistike të cilën ajo e përcolli në skenë duke sjellë një gërshetim muzikor, nga muzika operitstike, operetat, këngët dhe këngë shqiptare.
“Unë po kthehem pas dy vitesh në Kosovë, para dy vitesh kam qenë në një meshë në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, kurse sot ka qenë një koncert solistik, jam ndjerë shumë e lumtur dhe e privilegjuar që të jem një nga artistet e përzgjedhura për për ciklin “Ta zbardhi ftyrën”. Ka qenë një koncert shumë i bukur pasi që publiku ishte i afërt. Më e rëndësishmja është kur njerëzit ndahen të kënaqur dhe marrin pjesën artistike që artisti mundohet me përcjellë tek publiku. Gjithmonë e shoh programin varësisht nga ajo se çfarë mund të kërkohet më shumë, çfarë mund të jetë më e pranishme dhe çfarë është më risi për publikun dhe në këtë mënyrë jam munduar ta sjellë këtë program që për publikun të jetë një rritje graduale dhe të ketë diçka më të re”, tregoi Goranci për KultPlus.
Pranë saj në piano e përcolli pianistja Pranvera Hoxha e cila tha që ishte kënaqësi ta përcillte në këtë koncert mezzo-sopranon Flaka Goranci, ndërsa tha se nga emocionet e publikut ishin shtysë në krijimin e gjërave edhe më interesante.
“Së pari falënderoj Ardiana Pajazitin për ftesën e cila si më ka treguar që do të jetë një mbrëmje me Flakën me kënaqësi kam pranuar, dhe pasi biseduam për repertuarin mezi e prisja, pasi që performancat me këngëtarë janë më të veçantë, pasi që kanë laramani stilesh dhe teksti përçon mesazhe dhe të bën të mëshirohesh më tepër. Flakën e njoh qysh moti dhe kemi studiuar bashkë në Shqipëri dhe më pas kur ajo vazhdoi studimet në Izrael e më pas u vendos në Vjenë, e mbaja si përgjegjësi që të dalë mbrëmja e bukur. Komentet që morëm nga publiku na bënë të ndihemi shumë mirë”, tregoi Hoxha.
Pianistja Pranvera Hoxha tha se e ka përcjellë KultPlus-in që nga hapat e parë, dhe sipas saj, është impresionuar me punën e KultPlus, pasi që shumë pak është shkruar në atë kohë për artistët e veçmas, instruminstët e muzikës klasike, pasi që fokusi ka qenë tek artistët e muzikës rep, pop, pra të muzikës më të përhapur.
“Shpesh herë prej KultPlus-it kam mësuar për ndonjë shfaqje të re dhe kam shkuar dhe tanimë që të gjithë përdorim rrjetet sociale, më ka bërë që ta zë lajmin me kohë dhe të arrij në atë ngjarje. Unë personalisht kam eksperiencë shumë të mirë dhe gjithnjë kanë qenë të kujdesshëm për punën time, uroj që të mos ndalen pasi që në Kosovë vitet e para, por edhe më tutje dinë me qenë shumë të vështira. Më emocinoi ajo që e tha Ardiana, pasi që jam nënë edhe unë, dhe një kohë të bukur që do të mund ta kaloja me fëmijët, duhet ta kalosh me dikë tjetër, dhe dikur e sheh që fëmijët janë rritur”, u shpreh mes emocionesh Hoxha.
Në mesin e të pranishmëve që kishin mbushur sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, ishte dhe profesoresha Lejla Pula. Ajo tha se tani që po e dëgjon Flaka Gorancin pas një kohe të gjatë, vërejti që ajo kishte edhe një zhvillim shtesë, një siguri të madhe në skenë, një bukuri të të shprehurit të kultivuar në tingull. Ajo tha se me këtë kapacitet, Goranci e ka një perspektivë akoma para vetës.
“Kam pasur gjithnjë një respekt të veçantë për Flaka Gorancin edhe për zërin e këndimin e saj jashtëzakonisht të kultivuar po ashtu dhe një prezencë shumë të madhe e të fuqishme në skenë që e krijon. Me të gjitha këto kualitete që Flaka i ka, jo vetëm me një zë të shkëlqyeshëm dhe një shkollim të mirëfilltë që Flaka e ka si këngëtare e operës, dhe tani po e zhvillon një karrierë të jashtëzakonshme jashtë kufijve të Kosovës”, tha pianistja e profesoresha Lejla Pula.
Lejla Pula tha se ajo është jashtëzakonisht e lidhur me KultPlus-in si pianiste, interprete dhe drejtoreshë artistike e festivalit “Chopin Piano Fest”.
“E kam ditur që gazeta online- KultPlus do të ketë një prespektivë të jashtëzakonshme me Ardianën, pasi që e njoh qysh herët si gazetare dhe i njoh të gjitha kualitetet e saj, pasi që ka qenë gjithnjë në nivel të detyrës, e jashtëzakonshme dhe profesionale dhe e ka mbledhur një ekip të gazetarëve entuziast, me plot vullnet për punë”, u shpreh Pula.
Tenori Luan Durmishi po ashtu ishte në mesin e të pranishmëve që erdhi për të festuar rrugëtimin pesëvjeçar të gazetës onlinë- KultPlus, e për të dëgjuar Flaka Gorancin. Ai tha që nga bashkëpunimet e para me Gorancin i ka bërë përshtypje si vokal shumë i bukur, ndërsa kësaj radhe ishte befasuese pasi që kualiteti i saj si këngëtare ka marrë premisa edhe më të mëdha, kjo ndikuar edhe nga eksperiencat dhe trajtime vokale jashtë vendit.
“Këto vepra i dëgjova në një format interpretativ shumë më ndryshe se më herët, sonte Flaka mu duk shumë më e kompletuar me këtë koncert dhe i uroj shumë suksese dhe të arrij nivel edhe më të lartë, sonteishte jashtëzakonisht bukur”, u shpreh Durmishi.
Tenori Durmishi tha që prej se është në skenë, bashkëpunimin me KultPlus-in e cilëson si më të veçantin në karrierën e tij.
“Prej se jam në skenë shkruajnë mediat dhe shkruaj për mediat por rrugëtimi me KultPlus-in është më i veçanti në karrierën time. Një platformë, një portal jashtëzakonisht i duhur për Kosovën në momentet më të duhura, një portal i cili vërtetë ka treguar tepër shumë kujdes ndaj vlerave dhe kështu ka arritur suksesin e vet. Uroj që të vazhdojë traditën, ndoshta dhe qindra vjeçare”, u shpreh Durmishi.
Ky është koncerti i parë solistik i Gorancit në Kosovë, ndërsa për KultPlusin është gjysëm dekade bashkëjetese me artistët e fushave të ndryshme e me publikun që veçse rritet, ndërsa mbrëmë shënoi edhe ciklin e dytë të rrëfimeve “Ta zbardhi Ftyrën”. / KultPlus.com
Arjola Zadrima doli të jetë fituese e edicionit të dytë të “KultStrofa”, të organizuar nga gazeta online për kulturë www.kultplus.com.
Me vendim të jurisë profesionale në përbërje të: Erenestina Halili, kryetare dhe Halil Matoshi e Adil Olluri, anëtarë, çmimi i dytë ka shkuar për Adem Gashin, kurse i treti për Sibel Halimin.
Emocionet e kësaj mbrëmje letrare ju sjellim nëpërmjet fotografive të realizuara nga fotografi Arben Llapashtica, ku të pranishëm ishin edhe finalistët e këtij edicioni, sikurse që kishte të pranishëm shumë figura të njohura të jetës kulturore në Kosovë, Shqipëri e më gjerë./ KultPlus.com
“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?
Ai gjarpri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’
Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.
Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.
Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradoks! Dashuria, dashuria.
Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”
Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, hapë thirrjen për edicionin e dytë të këtij konkursi.
Konkursi është i hapur për të gjithë poetët, duke përfshirë edhe të rinjtë. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këtë konkurs mund të aplikojnë të gjithë të interesuarit me vetëm nga një poezi, poezia duhet të jetë e pabotuar dhe duhet të dërgohet me emër dhe mbiemër, në adresën [email protected], me subjektin “Për konkursin e poezisë “KultStrofa”. Nuk pranohet asnjë poezi që vjen nëpërmjet formave tjera.
Dhjetë poezitë më të mira do të përzgjidhen nga juria profesionale, kurse nga dhjetë poezitë, më pas do të zgjidhen tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.
“KultStrofa”, organizohet nga gazeta online për kulturë dhe art www.kultplus.com, kurse sponsor gjeneral i këtij edicioni është ProCreditBank.
Thirrja do të jetë e hapur deri më 20 janar. /KultPlus.com